Dyert e larta të kinemasë “Lumbardhi” në Prizren u hapën për herë të fundit më 31 maj të këtij viti. Që nga ky muaj, kinemaja më e vjetër në Kosovë do t’i nënshtrohet rinovimit rrënjësor, proces që është vlerësuar si shumë i nevojshëm për përmirësimin e hapësirave të njërit prej institucioneve kulturore më të rëndësishme në Prizren.
Kinemaja “Lumbardhi”, që gjendet pranë sheshit “Shatërvan”, ka pasur gjithmonë nevojë për ndërhyrje, mirëpo fillimi i punimeve për një projekti të tillë është pamundësuar për shkak të mungesës së mjeteve të nevojshme financiare. Drejtori i fondacionit “Lumbardhi”, organizatës që menaxhon kinemanë, Ares Shporta, shpjegon që organizata që ai drejton ka filluar të punojë në konkretizimin e projektit që në vitin 2014, kur Samuel Žbogar, në atë kohë shef i Zyrës së Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, kishte shprehur verbalisht gatishmërinë për mbështetjen e planeve për rinovim.
“Lumbardhi” kishte marrë zotimin e parë konkret për fonde në vitin 2017, por institucionet e BE e kishin miratuar projektin tek në vitin 2020, me hapjen e tenderit. Ky proces ishte përmbyllur dhe miratuar në vitin 2022, por kishte dështuar në vjeshtë të vitit 2023 për arsye teknike dhe administrative. Në tetor të vitit 2024, “Lumbardhi” pranoi njoftim zyrtar për anulimin përfundimtar të projektit, që erdhi si pasojë e masave ndëshkuese që BE kishte vendosur ndaj Kosovës. Së paku 800.000 euro grant të parapara për kinemanë u humbën plotësisht.
Masat ndëshkuese politike dhe ekonomike ishin vendosur në qershor të vitit 2023, pas një zinxhiri ngjarjesh në veri të Kosovës, që nxitën tensionet ndëretnike në Mitrovicën e Veriut dhe e vështirësuan mbarëvajtjen e procesit të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, të ndërmjetësuar nga BE. Këtë seri masash BE-ja i quajti “të kthyeshme, varësisht nga hapat që ndërmerr kryeministri Albin Kurti për shtensionim të situatës”.
Si erdhën masat ndëshkuese?
Në maj të vitit 2023, në komunat me shumicë serbe shpërthyen protesta, të cilat u nxitën kur kryetarët jo serbë, që kishin fituar mandatin në zgjedhjet e jashtëzakonshme lokale ato komuna, nën përcjelljen e Policisë së Kosovës, hynë në objektet komunale. Këto zgjedhje u bojkotuan nga votuesit serbë dhe partia më e madhe serbe në Kosovë, Lista Serbe, nuk mori pjesë. Lista Serbe i udhëhoqi këto protesta duke i quajtur kryetarët jolegjitimë.
Këto protesta shpejt u shndërruan në përleshje të dhunshme, duke përfshirë jo vetëm qytetarët vendas, por edhe trupat e KFOR-it të udhëhequr nga NATO. Vendosja e kryetarëve në objektet komunale, me asistimin e Policisë së Kosovës, u kritikua nga BE si veprim i njëanshëm dhe i pakoordinuar me ta nga ana e Qeverisë së Kosovës.
Më 22 qershor 2023, BE paraqiti tri kërkesa ndaj Qeverisë së atëhershme të Kosovës, të udhëhequr nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV) dhe Serbisë për shtensionimin e situatës në veri të Kosovës. Kërkesat përfshinin ndërprerjen e menjëhershme të operacioneve policore pranë ndërtesave komunale, zhvendosjen e përkohshme të katër kryetarëve komunalë në objekte alternative për ushtrimin e detyrave të tyre, si dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme lokale me pjesëmarrjen e pakushtëzuar të komunitetit serb. Njëkohësisht, Serbisë iu kërkua t’i tërhiqte protestuesit nga objektet komunale.
Pas refuzimit të këtyre kërkesave nga ana e Qeverisë së Kosovës, më 26 qershor 2023, BE reagoi duke vendosur masa ndëshkuese, të cilat përfshinin pezullimin e përkohshëm të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA), përjashtimin nga takimet e nivelit të lartë dhe ndalimin e vizitave bilaterale – përveç atyre që zhvilloheshin në kuadër të dialogut të lehtësuar nga BE. Këto masa, të miratuara me votim unanim nga Këshilli i BE, sollën pasoja të menjëhershme, jo vetëm në raportet politike, por edhe në aspektin financiar, duke paralajmëruar një përshkallëzim serioz të marrëdhënieve ndërmjet BE dhe Kosovës.
Këto masa nuk klasifikohen zyrtarisht si sanksione – të cilat do të kërkonin miratim unanim nga 27 shtetet anëtare çdo gjashtë muaj për t’u rivendosur – por ndjekin një procedurë në kuadër të Kornizës së Politikës së Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë (CFSP), e cila po ashtu kërkon unanimitet në Këshill për t’u hequr.
Në konkluzionet e dhjetorit 2024 për zgjerimin, Këshilli deklaroi se BE “do t’i heqë gradualisht” këto masa, “paralelisht me hapa të mëtejshëm” të ndërmarra nga autoritetet e Kosovës. Si rrjedhojë, Komisioni njoftoi se kishte filluar punën drejt heqjes “graduale, të kushtëzuar dhe të kthyeshme” të masave. Megjithatë, kur u pyet për sqarime shtesë nga K2.0, Komisioni Evropian nuk pranoi të japë hollësi në lidhur me procedurën, afatin e mundshëm apo kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë në kuptimin e “progresit në terren” dhe “de-përshkallëzimit të qëndrueshëm” në veri të Kosovës.
“Ato duhet të shfuqizohen plotësisht dhe pa humbur kohë”, tha Riho Terras, raportuesi i Parlamentit Evropian për Kosovën për K2.0. Nëse objektivi i BE është ta rikthejë dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, “trajtim i padrejtë ndaj Kosovës nuk e mbështet atë objektiv”, shtoi ai, duke theksuar se meqë sjellja e Serbisë në mes të tensioneve në rajon nuk është përballur me asnjë masë nga BE, atëherë është “plotësisht e papranueshme” që masat ndëshkuese ndaj Kosovës ende nuk janë hequr “pa humbur kohë”.
Gjatë një vizite në Kosovë më 22 maj të këtij viti, Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, njoftoi se BE ka nisur heqjen graduale të masave ndëshkuese ndaj Kosovës, duke e cilësuar këtë si shenjë përkushtimi dhe një hap drejt mundësive të reja për afrimin e Kosovës me Evropën. Megjithatë, ajo theksoi se ky vendim kushtëzohet me mbarëvajtjen e situatës së shtensionimit në veri dhe paralajmëroi se “mbyllja e strukturave të përkrahura nga Serbia minon përpjekjet drejt shtensionimit”. BE ka kritikuar Qeverinë në detyrë të Kosovës për mbylljen e strukturave paralele në komunat me shumicë serbe, ndërsa kjo e fundit këto veprime i ka paraqitur si hapa për shtrirjen e sovranitetit në këtë pjesë të Kosovës.
Progres i pezulluar
Në fillim kur u vendosën, këto masa u panë si të përkohshme dhe pritej të hiqeshin sapo të normalizohej situata. Megjithatë, me kalimin e kohës, u bë e qartë se këto masa jo vetëm që nuk ishin të përkohshme, por çdo ditë e më shumë sollën pasoja më të rënda për Kosovën. Në këto dy vite, janë pezulluar apo janë shtyrë për afat të pacaktuar projekte me vlerë mbi 600 milionë euro.
Me mbështetjen financiare të BE, Kosova prej shumë kohësh kishte realizuar projekte zhvillimore, qoftë për të modernizuar infrastrukturën, apo për të përmirësuar shërbimet publike. Por nën masat ndëshkuese të BE, financimi i nevojshëm filloi të ndërpritej. Programet si IPA (Instrumenti për Asistencën para Anëtarësimit) dhe WBIF (Korniza e Investimeve për Ballkanin Perëndimor), përmes të cilave Kosova realizonte projekte në sektorët e energjisë, edukimit dhe digjitalizimit, pësuan goditje të rëndë. Kjo nuk ndikoi thjesht në humbjen e mbështetjes financiare nga BE, por reduktoi kapacitetet e institucioneve vendore për të përmirësuar infrastrukturën dhe shërbimet publike.
Instituti për Studime të Avancuara GAP, në maj të vitit 2025, publikoi një raport të hollësishëm lidhur me projektet që janë humbur ose pezulluar si pasojë e masave ndëshkuese të BE.
Nga më shumë se 600 milionë euro të dedikuara për projektet që u pezulluan ose vonuan, shumica e mjeteve financiare vinin nga dy instrumentet kryesore të financimit të BE: IPA II dhe IPA III. Këto fonde ishin të destinuara për ta mbështetur rrugën e Kosovës për anëtarësim në BE, dhe pa to, Kosova e ka të vështirë të zbatojë projekte të rëndësishme zhvillimore. Vështirësitë janë më të theksuara në sektorët si bujqësia, zhvillimi rural dhe administrata publike, megjithatë ndikimi i tyre u ndie edhe në infrastrukturën rrugore, shkolla dhe në sistemin energjetik.
Siç shpjegon Rrona Zhuri, koordinatore e hulumtimit në Institutin GAP, edhe nëse BE do t’i hiqte këto masa sot, ndikimi që shkaktoi vonesa prej dy vitesh, është tashmë shumë më i madh se thjesht paratë e humbura për shkak të dëmit nga vonesa në zbatimin e projekteve me rëndësi. Dëmi është shkaktuar tashmë dhe Kosova do t’i ndiejë pasojat për një kohë të gjatë.
Tri projektet më të mëdha të pezulluara për shkak të masave ndëshkues:
- Rrjeti i furnizimit me ujë dhe sistemit të kanalizimit në Prishtinë: Ky projekt ka vlerë totale prej 165.251.140 euro. Aplikimi u dorëzua në vitin 2023, në kuadër të mekanizmit WBIF, por nuk ka vazhduar për miratim.
- Rikonfigurimi i rrjetit 400 kV dhe ndërlidhja e re 400 kV Shqipëri – Kosovë: Ky projekt asistence teknike, që kap vlerën totale prej 70.682.000 eurosh, ishte në mesin e aplikimeve që nuk u trajtuan në vitin 2024.
-Rehabilitimi dhe ndërtimi i infrastrukturës për mbrojtje nga përmbytjet dhe sistemeve të ujitjes: Ky projekt asistence teknike, që kap vlerën prej 66.181.195 eurosh, ishte po ashtu aplikim i dorëzuar në vitin 2024 që nuk kaloi për miratim.
“Për shembull, masat mund ta kenë ngadalësuar zhvillimin ekonomik, penguar tranzicionin energjetik dhe ndikuar në mbrojtjen e mjedisit, pasi shumë nga projektet përqendrohen në sektorët e energjisë dhe mjedisit”, tha Zhuri. “Projektet tjera synonin zhvillimin e infrastrukturës, prandaj masat kanë ndikuar negativisht edhe në përparimin në infrastrukturë dhe digjitalizim”.
Ndërkaq, te fondacioni “Lumbardhi”, masat e BE kanë pasur gjithashtu ndikim negativ përtej mjeteve financiare të parapara.
“Ne çdo vit jemi përgatitë që kemi me hy në restaurim; kjo situatë ka ndiku shumë në besimin në komunitet, në aktivitete, në planifikim, në staf e të tjera”, tha Shporta. “Unë në këtë proces i kam dhënë 10 vite të jetës, kjo ka mundur të kryhet para shumë viteve. Na kanë humb kohën dhe kemi humb besimin te BE”.
Sipas Shportës, për ta, projekti i rinovimit të kinemasë më të vjetër në Kosovë ka qenë projekt jetik. “Restaurimi ka qenë edhe me qëllim që të eliminohet çdo ide apo tentim për tjetërsim. Për këtë kemi avoku që prej vitit 2015, kur e kemi themelu organizatën”, tha Shporta.
Shporta shpjegoi që projekti i paraparë për financim dhe menaxhim direkt nga BE, parashihte investim kapital në infrastrukturë. Qëllimi ishte ndërhyrja në nivel strukturor të objektit, restaurimi i enterierit, rinovimi i sistemit të ngrohjes, ftohjes, ventilimit dhe karrigeve, pra përmirësim i tërësishëm i objektit, duke rregulluar probleme të ndryshme infrastrukturore për ta bërë hapësirën multifunksionale me kushte optimale. Pas dështimit të financimit nga BE, projekti mori mbështetje nga Qeveria e Kosovës, përmes Ministrisë së Kulturës, dhe tashmë kinemaja është mbyllur për rinovim. Shporta tha se buxheti i ndarë nga ministria është i mjaftueshëm për kryerjen e punimeve, ndërsa, sipas tij, qeveria është zotuar të ndajë edhe shuma të tjera parash për këtë projekt sipas nevojave.
Projekti i dyfishimit të kapacitetit të ngrohtores qendrore “Termokos” në Prishtinë
Pjesë e listës së projekteve që rrezikohen nga masat ndëshkuese është edhe ai për ngritjen e kapacitetit të ngrohtores qendrore, “Termokos”, në Prishtinë, një projekt që, përveç ngritjes së kapaciteteve të ngrohjes, ndërlidhet edhe me energjinë dhe ndotjen e mjedisit. Përmes këtij projekti, “Termokosi” synon dyfishimin e kapaciteteve të ngrohjes, kurse aktualisht kostoja që figuron si e pezulluar nga masat e BE është 17.6 milionë euro.
Drejtori i ndërmarrjes publike “Termokos”, Fisnik Osmani, shpjegon që kostoja totale e planifikuar për projektin është 63 milionë euro, prej të cilave 31.8 milionë janë planifikuar të merren si kredi nga Banka Evropiane për Investime (BEI), 17.6 milionë euro janë grant në kuadër të fondeve të IPA, nëntë milionë euro duhet të jenë kontribut nga Qeveria, si dhe rreth pesë milionë euro nga Komuna e Prishtinës.
Sipas Osmanit, granti në vlerë prej 17.6 milionë euro është pjesë e marrëveshjes për kredinë prej 31.8 milionë euro. Pra, marrja e kredisë kushtëzohet nga aftësia për ta marrë grantin. Kjo nënkupton se masat e BE kanë ndikim jo vetëm tek përfitimi i grantit, por edhe te arritja e marrëveshjes për kredinë, duke bërë që praktikisht i gjithë projekti të varet nga heqja e masave të BE ndaj Kosovës.
“Projekti është me impakt të jashtëzakonshëm në krejt sistemin energjetik në Kosovë”, tha Osmani. “Parashihet të ketë impakt të madh në zgjerimin e rrjetit në Prishtinë –– diku 90% shtohen konsumatorët; rreth 20.700 njësi banimi dhe biznese do të kyçen në ‘Termokos’, pra diku dyfish, që në banorë i bie diku 82.000 e mbi 2 milionë metra katrorë”.
Ngrohja qendrore në Prishtinë funksionon përmes modelit të koogjenerimit që prej vitit 2014. Projekti i koogjenerimit në ndërmarrjen “Termokos” në Prishtinë funksionon duke shfrytëzuar avullin e tepërt që vjen nga termocentrali “Kosova B”, për të prodhuar energji termike, e cila përmes një tubacioni 11 kilometërsh transportohet në sistemin qendror të ngrohjes së qytetit. Kjo nxehtësi përdoret për të furnizuar me ngrohje mbi 20.000 përdorues në Prishtinë, duke ndikuar në efikasitetin energjetik dhe duke ulur ndotjen e ajrit.
Modeli i koogjenerimit, projekt i vitit 2014, përfshinte rehabilitimin e rrjetit të shpërndarjes, ndërtimin e nënstacioneve moderne dhe instalimin e teknologjisë për monitorim të avancuar. Projekti u realizua përmes një investimi prej rreth 37 milionë eurosh, të siguruara nga BE, Gjermania dhe partnerë të tjerë. Gjermania e mbështeti projektin e koogjenerimit në “Termokos” kryesisht përmes Bankës Gjermane për Zhvillim (KfW), duke ofruar 15 milionë euro, prej të cilave 10 milionë ishin grant dhe pesë milionë ishin hua.
Projekti i pezulluar synon dyfishimin e kapacitetit të të njëjtit sistem.
“Në total synojmë të shkojmë në 280 megavatë [me projektin e ri], 40 prej të cilave ideja është që t’i dedikohen komunës së Obiliqit, kurse 100 megavatë do t’i shfrytëzojë ‘Termokosi’ përmes zgjerimit të rrjetit”, tha Osmani. Sipas tij, në këtë projekt është paraparë instalimi edhe i një gypi shtesë që përshkon gjatësinë prej 11.5 kilometrash prej Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK), te “Termokosi” dhe ndërtimi i dy stacione të energjisë termike, njëri për nxjerrjen e avullit në KEK dhe tjetri për pranimin e nxehtësisë në “Termokos”.
Ky është projekt kritik për infrastrukturën e Prishtinës, ku dimrat janë të ashpër dhe nevoja për një sistem ngrohjeje të përmirësuar është jetike. Osmani druan që shtatori i këtij viti është treni i fundit për ta kthyer këtë projekt në binarë.
“Projekti është shty për një vit nga shtatori i vitit të kaluar, nëse ka komplikime të tjera, druaj që rrezikojmë krejt projektin”, tha ai.
Aspekti më i ndërlikuar i situatës, megjithatë, është pasiguria lidhur me atë se kur do të mund të hiqen masat. Institucionet vendore nuk kanë përgjigje të qarta, as për një afat kohor se kur do të hiqen masat ndëshkuese, e as për kushtet që Kosova duhet t’i përmbushë për heqjen e tyre. Duket sikur Kosova ka mbetur në një rreth vicioz pritjeje, pa një fund të qartë.
Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0.
Shënim: Ky artikull është prodhuar në kuadër të Rrjeteve Tematike të PULSE, një nismë evropiane që mbështet bashkëpunimet gazetare transnacionale.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.