"Jemi në një geto të vërtetë" - Kosovo 2.0

"Jemi në një geto të vërtetë"



Kosovarëve u ka ardhur në majë të hundës regjimi i vizave i BE.

09/02/2023

Artikulli nga Aulonë Kadriu
Raportim dhe shkrim shtesë Vjosa Musliu

“Pse s’pe merr një megafon?” pyet një grua 73-vjeçe, derisa bashkë me rreth 50 njerëz tjerë, pret para zyrave të TLScontact në Prishtinë, një qendër ndërkombëtare për aplikim për viza. Prej fundit të rreshtit mezi dëgjon rojën, i cili lexon emra në një copë letre, prandaj teksa ajo flet ngapak, sytë vazhdimisht i mban te goja e rojës, duke u munduar t’ia lexojë buzët. Njëjtë bëjnë edhe të tjerët që si nën ankth presin në radhë.

Një tjetër emër thirret. “Këtu. Unë jam”, thotë një burrë, duke e thyer qetësinë ku dëgjohen vetëm zhurmat e lehta të shfletimit të letrave nëpër dosjet e aplikuesve. Të gjithë i bëjnë pak vend, teksa ai ecën drejt fillimit të radhës. Të tjerët presin. Qetësisht i bëjnë ndonjë pyetje njëri-tjetrit. “A po aplikon për herë të parë?” “Për ku?” Disa-disa edhe kërkojnë ndonjë këshillë prej atyre që e kanë provuar më parë këtë proces.

Përkundër rraskapitjes, mbretëron njëfarë ndjesie e solidaritetit. Njerëzit nuk i kursejnë këshillat, kurse vendet më të rehatshme të pritjes ua lirojnë më të moshuarve. “Të priftë fati!”, i thonë njëri-tjetrit, ashtu, të bindur se gjithçka varet nga fati.

Roja thërret një emër tjetër. Askush s’përgjigjet. Me zë më të lartë, thërret përsëri. Urgjenca që përçon zëri i tij e zgjon turmën.

Kohë pas kohe, njerëz të ndryshëm dalin nga ndërtesa duke mbajtur në duar zarfe ku fshihet fati i tyre. A u është aprovuar apo refuzuar viza? A do të mund ta vizitojnë familjen? Të shkojnë në pushime? Të marrin trajtim mjekësor jashtë vendit? 

Disa mundohen të duken të qetë para turmës dhe largohen pa e hapur zarfin. Të tjerëve nuk u pritet dhe me nxitim e hapin atë në çastin që dalin jashtë. Disa gëzohen dhe menjëherë i thërrasin të dashurit e tyre për t’ua dhënë lajmin e mirë. Të tjerët duken të dëshpëruar dhe largohen, të zemëruar ose të përhumbur.

Një fytyrë e re i bashkohet turmës.

 

Të gjitha vendet. Përveç Kosovës

“Njerëzit e një Kosove multietnike dhe demokratike do ta kenë vendin e tyre në Evropë”, thuhet në një deklaratë të Bashkimit Evropian (BE) disa ditë para Samitit të Selanikut të vitit 2003. “Ballkani do të jetë pjesë integrale e një Evrope të bashkuar”.

BE e përmbushi pjesërisht këtë premtim deri në vitin 2010, kur qytetarët e të gjitha vendeve të Ballkanit u liruan nga kërkesat e shtrenjta e burokratike të vizave për të hyrë në vendet Shengen për periudhë të shkurtër. Përveç Kosovës.

Zona Shengen dhe Bashkimi Evropian

Zona Shengen përfshin një grup prej 27 shtetesh, që i kanë hequr kontrollat kufitare e të pasaportave në kufijtë e njëri-tjetrit.

Teksa shumica e shteteve Shengen janë po ashtu anëtare të BE, disa shtete që nuk janë anëtare të BE, janë në zonën Shengen (Zvicra, Norvegjia, Islanda) dhe disa shtete janë anëtare të BE, por nuk janë në zonën Shengen (Bullgaria, Rumania, Irlanda dhe Qipro).

Kroacia, që është anëtare e BE prej vitit 2013, hyri në zonën Shengen në vitin 2023.

Tek në vitin 2012, BE i prezantoi Kosovës udhërrëfyesin për viza, që përmbante kërkesat që vendi duhej t’i përmbushte për të pasur qasje në udhëtim pa viza nëpër BE. Teksa vendet fqinje pranuan udhërrëfyesit e tyre në vitin 2008, me nga 40 kërkesa secila, udhërrëfyesi i Kosovës pati 93 kërkesa. Deri në vitin 2016, qeveria kishte përmbushur të gjitha kërkesat në udhërrëfyes. Pastaj, BE vendosi dy kërkesa të reja: ratifikimin e marrëveshjes për demarkacionin e kufirit me Malin e Zi dhe përmirësimin në luftën kundër korrupsionit.

Në mars 2018, midis kundërshtimeve të forta, legjislativi i Kosovës ratifikoi marrëveshjen për demarkimin e kufirit dhe disa muaj më vonë, Komisioni Evropian konfirmoi se Kosova kishte përmbushur standardet. Kështu, i mbeti Këshillit dhe Parlamentit të BE ta miratojnë propozimin për heqjen e regjimit të vizave për Kosovën, hap që është bllokuar vazhdimisht, veçanërisht nga Franca dhe Holanda.

Në vitin 2010, të gjitha vendet e Ballkanit u liruan nga kërkesat e shtrenjta dhe burokratike për viza për të hyrë në BE.

Përveç Kosovës.

Teksa kosovarëve u duhet të kapërcejnë një mal me pengesa për të udhëtuar drejt shteteve të BE, Kosova simbolikisht e ka mirëpritur me gjithë zemër BE-në. Kur Kosova shpalli pavarësinë në shkurt 2008, himni kombëtar de fakto ishte “Ode to Joy”, himni i BE dhe Këshillit Evropian. E himni i tanishëm i Kosovës është melodi pa tekst e quajtur “Evropa” dhe flamuri kombëtar është krijuar për t’i ngjasuar atij të BE –– një tregues i ëndrrave të Kosovës për t’u integruar në Evropë.

Ndonëse BE e inkurajon këtë identifikim simbolik të Kosovës me Evropën dhe përsërit deklaratën se “e ardhmja e Kosovës është në BE”, regjimi i saj i vizave thotë diçka tjetër.

Në fund të vitit 2022, Parlamenti dhe Këshilli Evropian njoftuan që Kosova do të ketë liberalizim të vizave më së largu deri në vitin 2024. Por, reagimi i kosovarëve ishte i zbehur, marrë parasysh vitet e tëra të premtimeve të papërmbushura nga BE. Për më shumë se një dekadë, kosovarët kanë qenë në mesin e evropianëve të fundit, të cilët duhet të kalojnë nëpër procedura të shtrenjta, të gjata e herë-herë arbitrare të aplikimeve për viza për të udhëtuar nëpër Evropë. Me bartjen e shërbimeve për procesim të vizave afatshkurtra tek kompanitë private, janë ngritur shqetësime shtesë rreth privatësisë së të dhënave, pagesave shtesë dhe shkeljeve të Kodit të Vizave të BE.

Kosovarët që udhëtojnë shpesh për në BE përfundojnë me pasaporta plot viza afatshkurtra. Kjo fotografi tregon pasaportat e tre kosovarëve. Secili rresht paraqet një vizë afatshkurtër.

Një proces i koklavitur

Enduena Klajiqi ishte 17 vjeç kur mori lajmin se ishte pranuar në një universitet në Belgjikë. Gëzimi i letrës së pranimit në universitet, shumë shpejt u la në hije nga procesi i sigurimit të një vize afatgjatë.

Ajo nisi t’i mblidhte dokumentet e nevojshme: dëshmi të pagave të prindërve dhe kontratat e punës, dëshmi nga gjykata se nuk ishte nën hetime, radiografi, analiza të gjakut dhe të tjera. Që të pranoheshin nga ambasada, të dhënat e saj mjekësore duhej të nënshkruheshin nga shefi i Klinikës Infektive në Klinikën Universitare të Kosovës. Iu deshën tri ditë për ta gjetur shefin. “Kur e pata gjetë, ka qenë në një takim, unë s’kisha çka me bo, një infermiere më tha ‘ulu para zyrës në tokë dhe prite’“, tha ajo. “Ka qenë përvojë shumë e koklavitur”.

Por, meqë Belgjika nuk ka ambasadë në Kosovë dhe kompania që ky shtet ka angazhuar për shërbimet e përpunimit të vizave merren vetëm me viza afatshkurtra, Klajiqit fillimisht iu desh ta merrte një vizë për të udhëtuar në Bullgari (që është pjesë e BE, por jo e zonës Shengen), në Ambasadën Belge në Sofje, që pastaj aty të aplikonte për vizë belge.

Kjo procedurë ka qenë shumë qesharake“, tha ajo, “me marrë vizë për vizë.

Por sado e vështirë apo e shtrenjtë, “ata e dinë që i bojmë”, tha ajo. “Ata e dinë që çkado që bohet, ki me i gjetë dokumentet, ki me e gjetë dikënd, ki me i gjetë paret, me i bo krejt qito procedura”.

K2.0 foli me dhjetra kosovarë, të cilët kanë aplikuar për viza të shumta Shengen. Të gjithë i theksuan aspektet çnjerëzuese të procesit. Artisti bashkëkohor Driton Selmani, të cilit i duhet të udhëtojë shpesh për ekspozita dhe punë, tha: “Secili person që shkon me apliku, minimumi e ka një moment thyerjeje, ku ai mendon a te lo krejt këtë proces?

Kodi i Vizave, dokumenti që rregullon procedurat e aplikimit për viza për vendet anëtare të BE, është i thirrur që të sigurojë respektimin e “dinjitetit njerëzor dhe integritetit të aplikuesve”. Asnjëri/a nga kosovarët/et me të cilët/at K2.0 bisedoi nuk ishte në dijeni se Kodi i Vizave ekziston dhe shumë prej tyre që atëherë e kuptuan se rregullat e Kodit të Vizave nuk ishin zbatuar në disa nga aplikimet e tyre të mëparshme. Gjuha shqipe nuk është në mesin e 25 gjuhëve në të cilat gjendet ky kod.

Midis viteve 2013 dhe 2015, shumica e vendeve të BE e kanë bartur përpunimin e aplikimeve të kosovarëve për viza tek dy kompani private, TLScontact dhe VFS Global. Kurse, prej shtatorit të vitit 2022, Gjermania ka angazhuar kompaninë VisaMetric për këto shërbime. 

TLScontact është kompani e regjistruar në BE me seli në Paris, që përpunon 4 milionë aplikime për viza në mbarë botën çdo vit. Në Kosovë u regjistrua në vitin 2018 dhe operon në 89 shtete të tjera. Ambasada e Zvicrës — e cila në Kosovë përfaqëson Luksemburgun, Austrinë, Francën, Belgjikën dhe Holandën për aplikimet për viza — ka kontraktuar TLScontact për t’u marrë me shërbimet e vizave.

Ambasada zvicerane i tha K2.0 se një gjë të tillë e bënë për shkak të rritjes së aplikimeve për viza, burimeve të kufizuara njerëzore dhe barrës së re që ka të bëjë me mbledhjen e të dhënave biometrike në procedurat e vizave. Ky ishte një vendim, sipas tyre, “i marrë në interes të klientëve” dhe si i tillë do t’i rriste kapacitetet e tyre.

VFS Global, me seli në Dubai, operon në 144 vende. 
Në Kosovë, ambasadat e Suedisë, Norvegjisë, Finlandës, Sllovenisë dhe Kroacisë kanë kontraktuar shërbimet e VFS Global për procedurat e aplikimit për viza.

Çka është Kodi i Vizave?

Kodi i vizave i BE u krijua në vitin 2009 si grup rregullash që diktojnë procedurat dhe kushtet për vizat afatshkurtra për shtetet anëtare. Në zbatimin e Kodit të Vizave, shteteve u kërkohet të respektojnë të gjitha ligjet e BE, përfshirë Kartën e të Drejtave Themelore të Bashkimit Evropian.

Ka dy dokumente shtojcë, që lidhen me kodin, Doracakët e Vizave I dhe II. Doracaku i Vizave I mbulon përpunimin e aplikimeve për viza dhe modifikimin e vizave të lëshuara. Doracaku i Vizave II mbulon menaxhimin administrativ të përpunimit të vizave dhe bashkëpunimin lokal të Shengenit.

Ndonëse doracakët nuk janë ligjërisht të detyrueshëm, përmbajtja e tyre bazohet në dhe u referohet akteve ligjore që “prodhojnë efekte ligjërisht të detyrueshme dhe mund të thirren përpara një juridiksioni kombëtar”.

Ambasada e Kroacisë në Kosovë, në një përgjigje për K2.0, tha se e kanë kontraktuar VFS për t’u marrë me aplikimet për viza sepse “kjo gjë mundësoi procesim më të shpejtë të aplikimeve për viza [dhe] i përmirësoi standardet e shërbimit për aplikuesit për viza”.

Prej shtatorit 2022, për shërbimet e vizave të Gjermanisë është kontraktuar kompania VisaMetric, që u regjistrua në Kosovë në vitin 2021. Sipas web-faqes së tyre, ata operojnë më shumë se 100 qendra të aplikimit për vizë në 11 shtete. 

Anipse ky kontraktim, sipas ambsadave, është bërë në emër të efikasitetit, shumë kosovarë e shohin procesin e tanishëm si më të paqartë dhe më shkurajues se kurrë më parë. “Viteve të fundit është zgjatë pritja. Dy viteve të fundit është bo katastrofë”, tha Fitore Gashi, zhvilluese e uebit, që momentalisht jeton në Gjermani.

Një prej vështirësive kryesore është sigurimi i një termini për vizë. Megjithëse Kodi i Vizave kërkon që terminet për viza të jenë të qasshme brenda dy javësh, kosovarëve shpesh u duhet të presin të paktën një muaj, teksa pritja mund të shkojë edhe deri në pesë muaj. 

Në gusht të vitit 2022, K2.0 kontaktoi TLScontact për t’i pyetur se kur ishte termini më i hershëm për të aplikuar për vizë. Termine nuk kishte deri në tetor 2022. 

Në një deklarim për K2.0, Ambasada Gjermane tha se pas angazhimit të VisaMetric për shërbimet e vizave, koha e pritjes për termin është reduktuar prej gjashtë muaj në katër –– katër herë më gjatë sesa që parashihet sipas Kodit të Vizave.

Aktivisti për të drejtat LGBTQ+, Blert Morina u ballafaqua me probleme për shkak të këtyre vonesave, kur po bëhej gati për të marrë pjesë në një takim të mbrojtësve të të drejtave të njeriut në Suedi vjeshtën e vitit të kaluar. Ai tha se edhe pse organizatorët e ngjarjes kishin kontaktuar Ambasadën Suedeze një muaj para datës së nisjes, i vetmi termin i lirë ishte pesë ditë para fillimit të takimit, duke i lënë Morinës pak kohë për të marrë përgjigje dhe për ta planifikuar udhëtimin si duhet.

Kodi i Vizave kërkon që terminet për viza të jenë të qasshme brenda dy javësh, por kosovarëve shpesh u duhet të presin të paktën një muaj.

Kodi i Vizave thotë që aplikuesit për vizë duhet të pranojnë vendimin lidhur me aplikimin e tyre brenda 15 ditësh, ndonëse ndonjëherë merr më shumë kohë.

Në fund, Morina e mori vizën, por atij iu dhanë afërsisht dy orë afat për të udhëtuar menjëherë nga Prishtina për në Shkup, Maqedoni e Veriut, për ta marrë pasaportën në Ambasadën Suedeze në Maqedoni të Veriut.

Ambasada Suedeze e fajësoi Covid-19 për vonesat me termine për aplikim për viza dhe tha se “shumica e aplikuesve marrin një termin te VFS brenda pak javësh.” VFS nuk u është përgjigjur pyetjeve të K2.0.

Eroll Bilibani, producent dhe udhëheqës i DokuLab, programi arsimor i festivalit të filmit Dokufest, po ashtu është përballur me sfida në përpjekjet për t’i ndihmuar studentët e tij të kenë qasje në ngjarjet e artit dhe kulturës në BE për shkak të këtyre vonesave në terminet e vizave. Studentët e DokuLab, tha ai, “nuk munden me marrë vendime momentale, me dalë dikah, me pa diçka. Apo ai [një student/e] duhet një ekspozitë [që dëshiron ta shohë] me e planifiku tre ose pesë muaj ma herët. Që është përnime një diskriminim tepër tepër i madh.” 

Sigurimi i një termini është më i lehtë për ata që mund ta përballojnë të paguajnë për shërbimet premium. VFS reklamon se për një pagesë shtesë prej 30 euro, aplikuesit premium mund t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre në ditën që ata dëshirojnë, atyre u ofrohet ndihmë nga njëri nga anëtarët e dedikuar të stafit dhe u mundësohet ta dorëzojnë çdo dokument që i mungon dosjes së aplikacionit në të njëjtën ditë. Një pagesë shtesë prej 12 euro ua mundëson klientëve të paraqesin aplikimin e tyre jashtë orarit të punës. 

TLScontact dhe VisaMetric ofrojnë shërbime të ngjashme “Shtesë” dhe VIP

Liri Hashani, 23-vjeçare, në nëntor 2022 e kuptoi që disa prej këtyre shërbimeve shtesë janë, në fakt, obligative. Kur aplikoi për vizë gjermane në VisaMetric, kah fundi i vitit të kaluar, ajo mbeti e befasuar që përpos tarifës të zakonshme 30 euro për shërbim, asaj iu kërkua që të paguajë një tarifë shtesë prej 30 eurosh “shërbim VIP” që pasaportën t’ia dërgojnë në shtëpi me postë, anipse ajo kishte shprehur dëshirën që ta merrte pasaportën vetë në zyrën e VisaMetric.

Sipas Kodit të Vizave, pagesa për shërbimin e procesuesit të aplikimeve për vizë nuk duhet ta kalojë shumën prej 40 eurosh. Është e paqartë nëse kërkesa e VisaMetric që aplikuesit të paguajnë 60 euro për shërbimin e procesimit të aplikacionit dhe për dërgesë të pasaportës me postë e shkel Kodin e Vizave apo jo. Sido që të jetë, kosovarët mbesin të zemëruar me këtë pagesë shtesë.

Në një bisedë rreth strukturës së pagesave të VisaMetric, Kaltrina Hoxha, me ironi shkruan: “Unë jetoj në ndërtesë të VisaMetric, d.m.th. me papuqe me shku. Still [prapë] 30 euro” [për shërbimin e postës].

Në një përgjigje për K2.0, nga Ambsada Gjermane thanë se e kanë miratuar vendimin e VisaMetric për ta bërë pagesën e postës obligative “me qëllim që të maksimizojnë numrin e aplikacioneve të pranuara dhe procesuara, duke shmangur turmat e shumta në hapësirat e qendrës për viza”.

Po ashtu, faqja e VisaMetric thotë: “Për aplikimet familjare (bashkëshorti dhe fëmijët), tarifa prej 30 Euro duhet të paguhet vetëm një herë. Kur rezervoni një termin, tarifa prej 30 Euro për person do të rimbursohet për anëtarët e mbetur të familjes në ditën e aplikimit”. Një punëtor/e i/e VisaMetric foli me K2.0 dhe tregoi se kompania i inkurajon punëtorët që të mos e respektojnë këtë premtim dhe të mos e bëjnë rimbursimin.

K2.0 i ka dërguar VisaMetric një listë të hollësishme pyetjesh, por nuk ka pranuar përgjigje.

 

600,000 aplikime për viza, 99 milionë euro

Sigurimi i një termini është veç hapi i parë drejt aplikimit për vizë, një proces që përfshin radhë të gjata dhe vizita në një sërë zyrash për t’i mbledhur dokumentet e kërkuara.

Kur mbërrijnë në qendrën e aplikimit, shumica ankohen se shpesh u duhet të presin gjatë pas kohës të terminit të caktuar për t’i dorëzuar dokumentet. Morina dhe të tjerët, gjithashtu e përshkruajnë personelin e qendrës së aplikimit për viza si agresivë dhe të pasjellshëm.

Për tetë vjet kosovarët kanë shpenzuar gati 99 milionë euro në aplikime për viza afatshkurtra.

Për disa, radhët e pafundme dhe mosrespektimi i përgjithshëm e nxjerrë në pah ndjenjën se BE dëshiron t’i mbajë kosovarët jashtë. “Kurrë s’e kam kuptu pse duhet ata me bërtitë?”, pyeti Selmani teksa fliste për punonjësit/et në qendrat e vizave.

TLScontact u përgjigjën se ata përpiqen t’i mirëpresin aplikuesit në kushte të këndshme dhe se radhët e gjata shkaktohen sepse aplikuesit “vijnë shumë herët për terminet e tyre”. 

Sipas një punëtori/eje të VisaMetric, aty, aplikuesit/et shpesh i lënë të presin tri orë pas terminit të caktuar. 

Aplikimi për vizë merr jo vetëm kohë, por edhe para. Sipas një raporti, kostoja e parashikuar për një aplikim për vizë është 165 euro. Sipas të dhënave të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës të ardhurat mesatare mujore të sektorit publik në Kosovë janë 542 euro. Paga mesatare në sektorin privat është 376 euro.

Mes viteve 2014 dhe 2021, kosovarët kanë dorëzuar rreth 600,000 aplikime për viza Shengen. Me 165 euro për aplikim, në këto 8 vite i bie që kosovarët kanë shpenzuar gati 99 milionë euro për të aplikuar për viza afatshkurtra. Midis kësaj periudhe, diku 20% e këtyre aplikacioneve janë refuzuar.

Shpenzimet mund të jenë shumë më të larta në rastet si ai i Enduena Klajiqit. Pas pagesave që lidheshin me vizën e Bullgarisë, shpenzimeve të udhëtimeve në Sofje dhe pagesave të vizës për Belgjikë, ajo shpenzoi mbi 500 euro.

Megjithëse Kodi i Vizave përfshin dispozita për lirimin nga pagesa për një gamë të gjerë vizitash kulturore dhe edukative (veçanërisht për personat nën moshën 25-vjeçare), shumë kosovarë e kosovare, që kanë të drejtën të lirohen nga pagesa, prapëseprapë përfundojnë duke paguar.

Lirimet nga pagesa

Kodi i Vizave kërkon që nga pagesa të lirohen: 

– fëmijët nën gjashtë vjeç;

– studentë, studentë pasuniversitarë dhe mësues shoqërues që kryejnë qëndrime për qëllime studimore ose trajnime arsimore;

-studiuesit që udhëtojnë për të kryer kërkime shkencore ose për të marrë pjesë në një seminar apo konferencë shkencore;

-dhe përfaqësues të organizatave jofitimprurëse të moshës 25-vjeçare ose nën, të cilët marrin pjesë në seminare, konferenca, ngjarje sportive, kulturore ose edukative të organizuara nga organizata jofitimprurëse.

Ambasada Zvicerane i tha K2.0 se TLScontact është përgjegjëse për kontrollimin se kush ka të drejtë të lirohet nga pagesa e vizës. Kompania nuk shfaq ndonjë informacion lidhur me lirimin nga pagesat e vizave në faqen e tyre të internetit. Ambasada zvicerane theksoi se Kodi i Vizave është i qasshëm për publikun, pavarësisht faktit se ai nuk gjendet në gjuhën shqipe.

TLScontact tha se ata nuk vendosin informacione rreth lirimit të pagesave në faqen e tyre të internetit, sepse kjo çështje lidhet “me vendimet e marra nga klienti ynë-qeveria, jo nga TLScontact. Informacioni është i disponueshëm në faqen e internetit të qeverisë përkatëse”.

Ambasada Suedeze, për të cilën VFS i proceson vizat afatshkurtra, tha se “Ambasada sigurohet që të paguhen tarifat e duhura dhe të zbatohet lirimi nga pagesat. Ambasada ndihmon VFS nëse ka ndonjë pyetje kur dikush aplikon dhe sigurohet që pagesat të rimbursohen në rast të ndonjë gabimi”.

Faqja e VisaMetric përfshin informata vetëm për lirimet nga pagesa për shkak të moshës.

Megjithatë, K2.0 foli me një numër njerëzish që kishin të drejtë të liroheshin nga pagesa e vizës, por që në fund e paguan atë. Dafina Fondaj, farmaciste, pagoi tarifën për vizën e saj për të udhëtuar në Universitetin e Lublin në Poloni për t’i kryer hulumtimet për tezën e saj të magjistraturës, një kërkim shkencor që Kosova nuk ka mundësi për ta mbështetur. Për më shumë, ajo ishte nën moshën 25-vjeçare në atë kohë.

Flaka Rrustemit, e cila udhëtoi në Itali kur ishte 22 vjeç për të marrë pjesë në një festival përmes një OJQ, iu desh ta paguante tarifën e vizës bashkë me kolegët e tjerë nën moshën 25-vjeçare.Fatkeqësisht, qasjen në disa informata sikur kjo e kemi goxha të limitume, e as punëtorët në ambasadë nuk marrin mundimin me tregu për diçka të tillë”, tha ajo, duke iu referuar faktit se grupi nuk ishte në dijeni se kishin të drejtë për lirim nga pagesa.

Eroll Bilibani po ashtu theksoi se Dokufest dërgon të rinj e të reja të moshës 17 deri në 20-vjeçare në udhëtime edukative dhe shkëmbime kulturore në BE dhe për ta u është dashur ta paguajë tarifën për viza.

Viza katër-ditore

Edhe kur marrin viza, kosovarëve/eve ndonjëherë u jepen viza me kohëzgjatje qëndrimi ose periudha të vlefshmërisë më të shkurtra sesa që përshkruhet në Kodin e Vizave.

Kodi i Vizave thotë se “periudha e vlefshmërisë së një vize për një hyrje duhet të përfshijë një ‘period of grace’ (periudhë shtesë) prej 15 ditësh kalendarike” dhe përfshin një shembull se si duket llogaritja e kësaj periudhe: “data e mbërritjes + kohëzgjatja e qëndrimit + 15 ditë ‘period of grace’“.

K2.0 ka parë viza që u janë dhënë kosovarëve nga shtetet anëtare të BE që kanë periudha të vlefshmërisë prej shtatë ditësh dhe kohëzgjatje qëndrimi të shkurtër prej katër ditësh.

Vlefshmëria dhe kohëzgjatjet e shkurtra të qëndrimit në viza mund të shkaktojnë ankth, sepse një fluturim i anuluar ose i vonuar, ose një ngjarje tjetër e paparashikuar, mund të bëjnë që bartësi i vizës ta tejkalojë periudhën e përshkruar në vizë, gjë që mund ta pamundësojë marrjen e një vize në të ardhmen.

Dardan Konjufca, një i ri nga Kosova, u përball me një situatë të tillë kur fluturimi i tij për në Prishtinë nga Gjermania iu anulua vetëm 10 minuta para se të hapej porta. Konjufca nuk shqetësohej për mundimet e zakonshme që shkaktohen nga fluturimet e anuluara, por për faktin se viza i skadonte të nesërmen dhe linja ajrore i kishte ofruar atij fluturime alternative, që niseshin dy ditë më vonë.

Teksa të tjerët përgatiteshin të qëndronin në Gjermani pak më gjatë se sa e kishin planifikuar, Konjufca preokupohej me gjetjen e një fluturimi tjetër po atë ditë, në mënyrë që të mos të qëndronte përtej afatit të caktuar në vizën e tij, veçanërisht pasi një zyrtar në kufi i tha se duhej ta lëshonte menjëherë Gjermaninë.

Edhe pse Konjufca kërkoi nga linja ajrore t’ia gjenin një fluturim në të njëjtën ditë, ai tregon se ata i thanë se s’mund të bënin asgjë. Kështu, u detyrua të paguante një fluturim tjetër që nisej po atë ditë, vetëm për të mos e shkelur afatin e vizës. Linja e parë ajrore refuzoi ta rimbursonte për fluturimin e anuluar me arsyetimin se i kishin ofruar një alternativë.

Blert Morina ka pasur përvojë të ngjashme me një fluturim që iu vonua. “E kemi pasë katër ditë punëtorinë, katër ditë vizën. U shty pak fluturimi, krejt [kosovarët/et] kemi qenë shumë në stres”, tha ai.

Të tjerët përballen me zhgënjimin e marrjes së vizave afatshkurtra, pavarësisht se kërkojnë viza me afat më të gjatë. Donika Qerimi aplikoi për vizë në vitin 2018 për të shkuar në Belgjikë për ta mbrojtur doktoratën e saj. Një pjesë e mbrojtjes ishte në dhjetor dhe një pjesë në janar, kështu që kërkoi vizë shumë-javore që do t’ia mbulonte të gjithë periudhën. Në vend të kësaj, i dhanë një vizë katër-ditore. Iu desh të bënte ankesë për ta marrë një vizë që mbulonte të gjithë udhëtimin.

Sistemi “Cascade”, i cili rregullon kohëzgjatjen e vizave të lëshuara për personat që marrin viza të njëpasnjëshme, është i thirrur të parandalojë që gjëra të tilla të ndodhin.

Kur udhëtarët me viza afatshkurtra kanë histori të bartjes dhe respektimit të kushteve të vizave të mëparshme Shengen, fitojnë të drejtën të marrin viza shumë më të gjata dhe me shumë hyrje.

Një vizë me shumë hyrje, e vlefshme deri në pesë vjet mund t’u lëshohet aplikuesve që demonstrojnë nevojën për të udhëtuar shpesh ose rregullisht, me kusht që të dëshmojnë përdorimin e ligjshëm të vizave të mëparshme, situatën e tyre ekonomike në vendin e tyre të origjinës dhe qëllimin e tyre të njëmendtë për t’u larguar nga zona Shengen para se t’u skadojë viza.

K2.0 ka parë një numër të pasaportave kosovare me viza që nuk e ndjekin këtë sistem. Për shembull, edhe pse Selmani, Bilibani, Qerimi dhe Morina të gjithë thanë se kanë udhëtuar rregullisht në BE për më shumë se një dekadë, asnjëri nuk ka përfituar një vizë pesë-vjeçare dhe disave u janë dhënë viza afatshkurtëra, ndonjëherë vetëm disa ditë edhe nëse më herët kanë pasur viza afatgjata me shumë hyrje.

Sistemi “Cascade”

Sipas Sistemit “Cascade”, nëse një aplikues ka marrë dhe përdorur ligjërisht tri viza brenda dy viteve të mëparshme, ka të drejtë për një vizë me një periudhë të vlefshme një-vjeçare.

Aplikuesit, të cilët brenda dy viteve të fundit kanë pasur një vizë me shumë hyrje të vlefshme për një vit, kanë të drejtë për një vizë dy-vjeçare. Pas përdorimit të një vize dy-vjeçare me shumë hyrje, aplikuesit kanë të drejtë për një vizë pesë-vjeçare.

Bilibani tha se pavarësisht se asnjëherë nuk e ka thyer asnjë rregull të vizave dhe ka udhëtuar shpesh, së fundmi atij iu dha një vizë gjashtë-mujore ndonëse më parë ka pasur vizë tre-vjeçare, gjë që duket si shkelje e Sistemit “Cascade”

Ambasadat zvicerane, gjermane, suedeze dhe kroate kanë thënë të gjitha se e zbatojnë në mënyrë rigoroze sistemin.

Edhe marrja e një vize me kohë afatshkurtër konsiderohet triumf, sepse nuk është krejt e pazakontë që aplikimet të refuzohen, në baza që duken arbitrare.

Morinës i është refuzuar viza pesë herë dhe thotë se dyshon nëse do të provojë të aplikojë prapë nëse do t’i duhet. 

Edhe Bilibani u refuzua një herë. Në vitin 2018, u ftua të fliste në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit në Berlin – Berlinale, por Ambasada Gjermane ia refuzoi vizën me arsyetimin se i mungonte një dokument.

Mungesa e dokumenteve është mjet ndëshkimi i veçantë për aplikuesit për vizë, sepse kërkesa për të ofruar “dokumente lidhur me akomodimin ose dëshmi të mjeteve të mjaftueshme për ta mbuluar akomodimin” mund të interpretohet subjektivisht.

Kodi i Vizave thotë se kur ata që rishikojnë aplikacionet vijnë në përfundim se nuk janë ofruar dokumentet e mjaftueshme, atëherë aplikimi është i papranueshëm dhe organi shqyrtues duhet pa vonesë “ta kthejë formularin e aplikimit dhe çdo dokument të dorëzuar nga aplikuesi, t’i shkatërrojë të dhënat e mbledhura biometrike, ta rimbursojë pagesën për vizë dhe të mos e shqyrtojë aplikacionin”.

Bilibani tha se në rastin e tij nuk është zbatuar procedura e mësipërme dhe se viza i është shqyrtuar e më pas i është refuzuar.

Disa njerëz kanë ndarë me K2.0 përvojat e tyre kur nga ata që procesojnë vizat janë informuar se në dosjet e tyre mungojnë dokumente, përfshirë ato që nuk kanë qenë të renditura askund si dokumente që kërkohen për të aplikuar për vizë. Këtyre aplikuesve u është ofruar mundësia t’i dorëzojnë dokumentet që u kanë munguar për një pagesë shtesë.

TLScontact dhe Ambasada Zvicerane mohojnë se ka pagesë të detyrueshme për të dorëzuar dokumentin që mungon. VFS dhe VisaMetric nuk u janë përgjigjur pyetjeve për këtë çështje.

Aplikuesit, aplikimet e të cilëve refuzohen, kanë të drejtë ankese. Mund të jetë një proces i mundimshëm ose i kushtueshëm, por secili vend ka procedurat e veta. Teksa ankesa për refuzim të vizës nga Ambasada Zvicerane kushton rreth 200 euro, më shumë sesa që kushton për të aplikuar për vizë; ankesa në Suedi ose Norvegji nuk kërkon pagesë. Një ankesë në Ambasadën Kroate kushton 43 euro.

 

Mbrojtja e të dhënave, transparenca dhe privatësia

Në vitin 2018, BE miratoi Rregulloren e Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR), e cila u jep qytetarëve dhe banorëve të BE më shumë kontroll mbi mënyrën se si mblidhen, përdoren dhe mbrohen të dhënat e tyre në internet. Rregullat strikte tani diktojnë që organizatat duhet t’i sigurojnë të dhënat personale që mbledhin, përmes masave mbrojtëse si enkriptimi i detyrueshëm. GDPR gjithashtu u jep qytetarëve dhe banorëve të BE të drejtën për t’i tërhequr të dhënat personale nga institucionet publike dhe private.

K2.0 foli me studiues dhe aktivistë të specializuar në qeverisjen publike dhe çështjet që lidhen me GDPR, të cilët ngritën pyetje dhe shqetësime lidhur me mbledhjen dhe përpunimin e të dhënave nga TLScontact për jo-shtetasit e BE. Ata pyetën se kush i zotëron të dhënat mjekësore, ligjore dhe financiare të dhjetëra mijëra kosovarëve e kosovareve që aplikojnë për viza të BE çdo vit nëpërmjet TLScontact?

Para se të kontraktonin kompani të jashtme për shërbimet e vizave, konsullatat ose ambasadat trajtonin çdo pjesë të procesit të vizave. Tash kompanive private u është dhënë detyra që t’i trajtojnë dhe mbrojnë dokumentet dhe informacionet e ndjeshme që kërkohen për të marrë një vizë, të cilat, varësisht nga vendi, mund të përfshijnë detaje lidhur me statusin e HIV, kursimet bankare dhe numrat e llogarive, gjendjen e shëndetit mendor, orientimin seksual dhe të tjera.

GDPR kërkon që qytetarët dhe banorët e BE të jenë plotësisht të informuar se si do të përdoren të dhënat e tyre.

Zvicra, e cila trajton aplikimet për shumë vende të zonës Shengen, nuk është anëtare e BE dhe as nuk e ka të detyruar të respektojë GDPR. Megjithatë, nga TLScontact, e cila merret me përpunimin e vizave të Zvicrës dhe është kompani e BE, kërkohet t’i respektojë rregullat e privatësisë dhe të dhënave sipas GDPR, edhe kur ka të bëjë me shtetas që vijnë nga shtete jashtë BE, siç janë kosovarët. Ambasada zvicerane i tha K2.0 se operojnë në përputhje me GDPR në të gjitha pjesët e procesit të aplikimit për vizë dhe TLScontact tha se të gjitha të dhënat që ata mbledhin nga aplikuesit për vizë “janë të koduara plotësisht dhe më pas dërgohen në serverët e sigurt të qeverisë, përpara se të hiqen nga sistemet tona”.

Një komponent kyç i masave mbrojtëse të GDPR është që qytetarët dhe banorët e BE duhet të informohen plotësisht se si do të përdoren të dhënat e tyre.

K2.0 u dërgoi pyetje ambasadave të shteteve anëtare të BE në Kosovë, të cilat përfaqësohen nga TLScontact, VFS ose VisaMetric se si i përdorin saktësisht të dhënat e aplikuesve. Pak nga to që u përgjigjën, përgjithshëm deklaruan se e marrin seriozisht sigurinë e të dhënave dhe i përmbahen GDPR gjatë gjithë procesit të aplikimit për vizë.

Megjithatë, një punëtor/e në zyrat e VisaMetric në Prishtinë i tregoi K2.0 se i kushtohet pak vëmendje mbrojtjes së dokumenteve fizike dhe të të dhënave të aplikuesve në procesin e bartjes së aplikacioneve në Ambsadën Gjermane dhe anasjelltas e po ashtu edhe kur dokumentet u dorëzohen aplikuesve përmes postës. Sipas këtij/kësaj punëtori/eje, këto procedura të mangëta kanë çuar edhe në humbjen e dokumenteve apo pasaportave të aplikuesve. VisaMetric nuk i është përgjigjur kërkesës së K2.0 për koment. 

Shqetësime rreth privatësisë dhe mbrojtjes së të dhënave qenë në qendër të kundërshtimeve të disa politikanëve e aktivistëve në vitin 2017 në Gjermani, kur ky vend njoftoi se do të fillojë t’i bartë procesimet e aplikacioneve të vizave në kompani private.

K2.0 foli me Thomas Tombal, hulumtues në Universitetin e Tilburgut në Holandë, i cili punon në çështjet e mbrojtjes së të dhënave dhe qeverisjes së të dhënave, rreth informatave që TLScontact ia dërgoi K2.0. Ai shprehi shqetësim për faktin se TLScontact nuk dha ndonjë indikacion se çfarë të dhënash përdorin qeveritë e BE dhe apo për çfarë qëllimi.

“Në këto përgjigje [nga TLScontact], shumë gjëra humbin në përkthim: cilat janë përgjegjësitë e garantuesit publik — ambasadës — kompanisë private dhe legjislacioni në vendin ku veprojnë”, tha Tombal.

Megjithëse TLScontact i tha K2.0 se “nuk i shesin të dhënat personale të mbledhura nga aplikuesit për vizë”, faqja e tyre e internetit thotë se i transferojnë “disa të dhëna personale në vende, territore ose organizata që ndodhen jashtë Zonës Ekonomike Evropiane”. Është e paqartë se të dhënat e kujt i transferojnë, me çfarë baze ligjore dhe te kush.

“Ashtu që ata s’kanë nevojë me pasë qasje në llogarinë time private. Është cenim i privatësisë, po të degradon”.

Shqetësimet rreth privatësinë shkojnë përtej ligjeve të mistershme të mbrojtjes së të dhënave, por përpjekjet për t’i shtyrë tutje këto shqetësime mund të ndikojnë negativisht në shanset e aplikuesve në marrjen e një vize. Eroll Bilibanit iu refuzua viza për të marrë pjesë në Berlinale në vitin 2016 sepse nuk e dorëzoi gjendjen e llogarisë së tij bankare, por atë të organizatës kulturore që mbulonte udhëtimin e tij. “E kam dorëzu llogarinë e organizatës, e cila m’i pagun shpenzimet derisa udhëtoj”, tha ai, “Ashtu që ata s’kanë nevojë me pasë qasje në llogarinë time private. Është cenim i privatësisë, po të degradon”.

Disa kosovarë e kosovare ankohen edhe për shkelje të privatësisë në pjesën personale të procesit të aplikimit. Kur Fitore Gashi aplikoi për një vizë për bashkim familjar për të shkuar në Gjermani, iu desh t’i dorëzonte dëshminë e punësimit dhe pagën e bashkëshortit të saj si pjesë e dokumentacionit. Punëtorja që po rishikonte dosjen e saj i tha: “Wow, çfarë rroge t’mirë e paska burri? Ku punon ai kështu“?

Gjithmonë bojnë komente personale që nuk guxojnë me bo. Nuk është pjesë e tyre me m’vetë”, tha Gashi, e cila edhe pse ndihej e ofenduar për shkeljen e privatësisë së saj, ishte e vetëdijshme se nuk kishte mundësi as t’i tërhiqte këto dokumente të ndjeshme nga aplikacioni dhe as të ballafaqohej me atë që po e shqyrtonte dosjen e vizës.

Pas aplikimit për vizë për në Greqi, Driton Selmani pati edhe një përvojë të çuditshme që ngriti pikëpyetje rreth çështjeve të privatësisë. Si të gjithë aplikuesit, atij iu desh të siguronte vërtetimin e akomodimit, në këtë rast rezervimin e një hoteli për qëndrimin e tij kur aplikoi për vizë. Por në një moment, për shkak se viza që e mori kishte periudhë vlefshmërie prej tre muajsh, Selmani zgjodhi ta shtynte udhëtimin e tij për një javë dhe kështu iu desh ta anulojë rezervimin e parë dhe të rezervojë një hotel tjetër.

Jo shumë pas kësaj, u shokua kur e telefonuan nga Zyra Ndërlidhëse e Greqisë në Prishtinë, duke e pyetur se pse e kishte anuluar rezervimin e tij të hotelit. “A din qysh më ka ardhë? Njëjtë sikur kur të hin dikush nën jorgan midis teje dhe gruas”, tha ai.

K2.0 kontaktoi Zyrën Ndërlidhëse të Greqisë për incidentin, por nuk mori përgjigje.

“Privatësia është e drejtë e njeriut; ajo përfshihet në legjislacionin e rëndësishëm të BE dhe atij ndërkombëtar. Nëse disa qeveri të BE ua mohojnë këtë të drejtë qytetarëve që s’janë pjesë e BE, praktikisht po thonë se qytetarët që s’janë pjesë e BE nuk janë qenie njerëzore, kësisoj nuk e meritojnë këtë të drejtë”, tha Aral Balkan, një aktivist kibernetik me bazë në Irlandë.

 

Në pritje

Më 14 dhjetor 2022, në të njëjtën ditë kur lideret/ët e Kosovës nënshkruan aplikimin e vendit për anëtarësim në BE, Parlamenti Evropian dhe Këshilli arritën një marrëveshje për “dhënien e lirisë së vizave afatshkurtër për Kosovën”. Marrëveshja kërkon që liria e vizave të hyjë në fuqi më së voni deri në vitin 2024, me hyrjen në funksion të Sistemit Evropian të Informacionit dhe Autorizimit të Udhëtimit (ETIAS), sistem i kontrollit kufitar të BE. 

Pas vitesh mospërfilljeje dhe vonesash të përjetshme me udhërrëfyesin për liberalizimin e vizave, pas vitesh refuzimesh arbitrare të aplikimeve për viza dhe shkeljeve të Kodit të Vizave dhe dhjetëra miliona eurove të shpenzuara në pagesa, kosovarët janë të stërlodhur me këtë proces. Përveç pritjes një deri në dy vjet, duket se tani kanë mbetur fare pak pengesa në rrugën e tyre për të pasur qasje në udhëtim pa viza drejt BE. Por kosovarëve u janë shuar shpresat edhe më parë dhe lajmet e fundit u pritën në heshtje. Disa besojnë se ky është hapi i fundit, por për ta edhe ky hap po vjen tepër vonë.

Ndërkohë, kosovarët do të vazhdojnë t’i mbajnë sytë te buzët e rojës, për ta dëgjuar emrin që thirret teksa presin jashtë qendrave private që procesojnë vizat në Prishtinë. Të paktën edhe këtë vit do të vazhdojnë të organizojnë darka ku festojnë marrjen e vizave afatshkurtëra dhe fallxhorët/et që kanë specializuar në çështjet e vizave — duke u bërë magji pasaportave për t’u dhënë fat të mirë — do të vazhdojnë të bëjnë biznes të shpejtë. 

Ftesën ku e ki, ku ki me shku, sa ki me nejtë, sa pare i ki?” Blert Morinës i kujtohen pyetjet që policët ia bëjnë sa herë që hyn në BE. Ai ka vendosur që nëse i duhet të udhëtojë në BE këto kohë, këtë do ta bëjë vetëm nëse një organizatë që e fton atë do të merret me procesin e aplikimit — ai është tepër i irrituar dhe nuk do të kalojë nëpër gjithë këtë proces prapë, vetëm që më pas të trajtohet si kriminel në kufi.

Deri në ditën kur të hiqet regjimi i vizave, njerëz si Eroll Bilibani do të lodhen nga udhëtimet e tyre. Në udhëtimin e tij të fundit në Gjermani, pasi mbërriti në aeroport u ndalua nga një zyrtar policie, që i kërkoi t’ia tregonte paratë vetëm për t’ia dëshmuar se do të mund t’i përballonte shpenzimet e tij. Kjo ndodhi pavarësisht se ai kishte vizë dhe ishte i ftuar nga një organizatë që mbulonte pjesën më të madhe të shpenzimeve të tij. “Duhesh me pasë një çantë me dokumente që me iu arsyetu atyne, me i bindë ata që ti je i mirë për ta”, tha ai.

Teksa liberalizimi i vizave po duket se është rrugës, BE i ka lënë kosovarët duke jetuar, siç tha Bilibani, në “një geto, një geto të vërtetë”.

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Ditë
Orë
Minuta
Sekonda

kanë mbetur deri në janar 2024, data në të cilën BE ka thënë se do ta përmbushë premtimin për udhëtim pa viza për qytetarët e Kosovës.