Në fund të vitit 2022, kompania Open AI lansoi platformën ChatGPT për testim masiv dhe, në veç pesë ditët e para, rreth një milion njerëz nëpër botë e përdorën atë. Ky numër u rrit shpejt dhe, deri në janar 2023, ChatGPT pati 100 milionë përdorues aktivë. Po atë vit e bëra eksperimentin e parë në punë me inteligjencën artificiale (AI). Shkrova një artikull në bashkëpunim me të, duke i kërkuar të ma shpjegonte mënyrën se si funksiononte si platformë, cilat ishin fillet e saj dhe cili do të mund të ishte ndikimi i kësaj teknologjie në procesin e punës dhe veçanërisht në integritetin e informacionit.
Në atë periudhë, kur po hulumtoja përmes AI, disa nga kufizimet e ChatGPT ishin se nuk kishte informacion të përditësuar pas vitit 2021. Kur i kërkova t’i lexonte disa nga shkrimet e mia të fundit për t’iu përshtatur stilit tim të të shkruarit, nuk arriti t’i lexonte faqet e internetit dhe dokumentet. Edhe po, më ndalte pas çdo ore për të më njoftuar se kam parashtruar shumë pyetje brenda atij afati kohor dhe ndonjëherë nuk funksiononte për shkak të kërkesës së lartë. Nuk munda ta shkruaja artikullin në gjuhën shqipe, pasi gjuha kryesore e ChatGPT ishte anglishtja dhe informacioni që jepte në gjuhë të tjera nuk ishte në të njëjtin nivel të saktësisë. E kur është puna te saktësia, si burim informacioni, ChatGPT kishte pak kredibilitet.
Sot, dy vjet më pas, këto kufizime gati sa nuk ekzistojnë më. Megjithëse gjenerimi i përmbajtjes përmes ChatGPT lë ende gjurmë të vogla pas, ato janë larg më pak të vërejtshme në krahasim me dy vjet më parë.
Ndërkohë që ChatGPT u mishërua në sytë e shumë përdoruesve si simbol i AI, një sërë platformash tjera, me funksione të ngjashme, iu shtuan si opsione përdoruesve. Anipse asnjëra nuk arriti shtrirjen e njëjtë si ChatGPT, këto mjete të inteligjencës artificiale gjenerative (GenAI) — një fushe të veçantë të AI që fokusohet në krijimin e përmbajtjes së re duke u bazuar në dhëna ekzistuese — bënë që puna, shpesh rutinore, si për shembull shkrimi i emails, pothuajse të automatizohet.
Një nga memet që qarkullojnë për përdorimin e AI-së nëpër rrjete sociale është ajo ku shfaqet Sizifi ulur në një karrige duke lexuar, ndërsa një robot bart gurin përpjetë. Miti i Sizifit — ku ai është dënuar nga zotat, në mitologjinë greke, që gjatë gjithë jetës të ngjisë një gur në majë të malit, vetëm që ai të rrokulliset përsëri poshtë e të ngjitet prapë pafundësisht — shpesh është përdorur si metaforë për sistemet moderne të punës, sidomos në korporata, punë që përfshijnë burokraci apo industri ku punëtori/ja çdo ditë kryen punë të përsëritura, që shpesh, mu nga përsëritja, bëhen edhe monotone.
Por përveç kryerjes së punëve të përsëritura, këto mjete po zënë vend edhe në sektorët kreativë. AI gjenerative po përdoret për gjenerimin e videove e fotografive pothuajse reale, ofrimin e koncepteve të reklamave kreative në pak minuta e realizimin e tyre, po aq shpejt. Mundësia e GenAI për të krijuar në sektorë që kërkojnë kreativitetin njerëzor, rrezikon t’i prekë edhe njerëzit e artit dhe kulturës.
Për shembull, teksa mediet po përdorin gjithnjë e më shumë imazhe të gjeneruara nga AI në vend të fotografive profesionale, fotografëve profesionalë po u bëhet gjithnjë më e vështirë të jetuar vetëm nga ky profesion. Në mars 2023, artisti Boris Eldagsen fitoi çmimin e parë në garën e hapur në kategorinë kreative në Sony World Photography Awards. Por, Eldagsen e refuzoi atë pasi tregoi se fotografinë e kishte krijuar përmes gjeneruesit të imazheve me GenAI, DALL-E 2 dhe nuk e vlerësonte si punë të tij. Sipas tij, me dorëzimin e kësaj fotografie, dëshiroi që ta nxiste diskutimin rreth rolit të AI në art dhe fotografi.
Megjithatë, sot, kur rreth 123 milionë njerëz nëpër botë e përdorin ChatGPT çdo ditë, modelet e GenAI nuk janë më thjesht për eksperiment në punë. Ato janë futur në zyrat e shumicës, herë fshehurazi e herë me entuziazëm, duke u bërë pjesë e pandashme e përditshmërisë.
Për më shumë, kapaciteti i GenAI për të përmbushur detyra gjithnjë e më të ndërlikuara është rritur me çdo model të ri, duke arritur të kryejë në disa minuta punë që shumë njerëzve mund t’u duhen disa orë për t’i kryer. Në disa detyra tjera, performanca e GenAI e ka arritur dhe tejkaluar performancën njerëzore.
Një analizë e organizatës METR, publikuar në revistën shkencore “Nature”, në mars 2025, paraqet rrugëtimin e shpejtë të AI drejt përmbushjes së detyrave gjithnjë e më të ndërlikuara e të gjata, ku GenAI ende mbetet prapa performancës njerëzore.
Analiza e përdor një shkallë logaritmike për të matur kohën që u duhet njerëzve për të përfunduar një detyrë që GenAI mund ta kryejë me 50% saktësi — një mënyrë për të kuptuar realisht se sa të afta janë modelet në krahasim me performancën njerëzore, veçanërisht në detyra më të gjata.
Në vitin 2019, modelet si GPT-2 mund të përfundonin vetëm detyra bazike, si përgjigjja në pyetje të thjeshta dhe nuk mund të kryente detyra që njerëzve u duhej më shumë se një minutë për t’i kryer. Por, prej atëherë modelet kanë avancuar me tempo të shpejtë.
GPT-4 dhe veçanërisht modelet më të avancuara si Claude 3.7 Sonnet e kompanisë Anthropic me funksione të ngjashme si ChatGPT, Gemini e Google e Grok e XAi, shtynë më tej kufijtë. Kjo gjeneratë e re e AI ka arritur të përfundojë me saktësi detyra që njerëzve do t’u merrnin deri në 59 minuta kohë — si për shembull ndërtimi i veçorive të reja në uebfaqe apo analizimi i të dhënave komplekse. Sipas METR, modelet e GenAI do të jenë në gjendje të kryejnë detyra që zakonisht kërkojnë një muaj përvojë njerëzore, me një shkallë besueshmërie prej 50%, deri në vitin 2029 — ose ndoshta edhe më herët.
Ndërkohë, sipas të dhënave të Stanford Human-Centered AI, institut kërkimor i themeluar nga Universiteti i Stanfordit, të përfshira në një raport të prillit 2025, performanca e GenAI në një sërë detyrash tashmë ka arritur apo tejkaluar nivelin e performancës njerëzore. Në fushat si klasifikimi i imazheve, kuptimi i gjuhës angleze, interpretimi i materialeve vizuale, GenAI ka kaluar nivelin 100% të standardit njerëzor. Për detyra më të ndërlikuara si matematika në nivel gare apo pyetjet shkencore të nivelit PhD, GenAI është duke arritur gjithashtu standardet e ekspertëve/eve.
Zhvillimi i AI do të ketë ndikim thelbësor në mënyrën si i qasemi konceptit të punës dhe ndikimet e para tashmë kanë filluar të dalin në sipërfaqe.
Si e përdorin qytetarët e Kosovës AI në punë?
Për të parë se si qytetarët/et në Kosovë e përdorin GenAI për punë, në K2.0 realizuam një pyetësor në prill 2025. Për dy javë sa ishte pyetësori i hapur, morëm përgjigje nga 204 përdorues/e.
Nga të të gjithë të anketuarit/at, mbi 50% ishin në grupmoshën 35-54, grupmoshë që shpesh zë pozicione udhëheqëse ose menaxheriale dhe mund të përdorë GenAI për të përshpejtuar detyra komplekse si raportimi nëpër projekte dhe analiza të të dhënave, duke shpjeguar përfaqësimin e tyre të lartë në pyetësor.
Ndërkaq, rreth 21.1% e të anketuarve/ave ishin mbi moshën 55 vjeç. Përfaqësimi i lartë i kësaj grupmoshe, edhe pse më pak e prirur për të adoptuar teknologji të reja krahasuar me grupmoshat më të reja mund të shpjegohet me faktin se, shpesh, njerëzit në këtë grupmoshë zënë pozicione të larta ose role të specializuara në sektorë si arsimi, financa ose shoqëria civile, ku GenAI mund të jetë e dobishme për detyra si raportimi, analiza e të dhënave ose përkthimi. Po ashtu, disponueshmëria e platformave të GenAI-së në versione falas, si ChatGPT, mund të ketë ulur barrierat për përdorimin e tyre nga kjo grupmoshë.
Ndërsa grupmosha më pak e përfaqësuar është ajo nën 18 vjeç dhe 18-24. Grupmoshat më të reja mund të jenë më pak të përfaqësuara për shkak të angazhimit në vende pune hyrëse –– si sektorët e tregtisë apo gastronomisë –– ku GenAI ende nuk është integruar gjerësisht.
Meqë pyetësori u adresohej përdoruesve/eve që e përdorin AI për punë, këto të dhëna tregojnë se AI është shtrirë nëpër industri të ndryshme.
Pothuajse gjysma e të anketuarve (48%) përdorin platforma të GenAI për punë disa herë në ditë, prej tri deri në 10 herë. Megjithatë një masë e madhe, 34.3% u përgjigjën që e përdorin vetëm një deri dy herë në javë.
Shumica dërrmuese e të anketuarve, apo 95.6%, e përdorin ChatGPT, teksa 8.3% Gemini, 6.9% Grok dhe një varg aplikacionesh tjera — të anketuarit/at u lejuan të zgjedhin më shumë se një opsion. Përdorimi i ChatGPT në shkallë kaq të lartë mund të mbështetet në integrimin e tij të lehtë dhe disponueshmërinë në versione falas. I njëjti trend qëndron edhe në nivel global. Të dhënat tregojnë se deri në shkurt 2025, ChatGPT pati gati 400 milionë përdorues aktivë javorë dhe rreth 122.58 milionë përdorues ditorë.
Të anketuarit/at treguan se e përdorin GenAI më së shumti për hulumtim dhe krijim përmbajtjeje si për shembull: tekste, artikuj, përshkrime, e postime në rrjete sociale.
Përdorimi i ChatGPT për hulumtim është bërë më i dobishëm që prej kur kjo platformë integroi referimin ndaj burimeve të informacioneve përmes linqeve. Për shumë përdorues, hulumtimi i qendërzuar në këto platforma është më i lehtë sesa kërkimi përmes Google.
Por, saktësia e informacioneve që burojnë nga ChatGPT dhe modelet tjera të GenAI është ende e diskutueshme. Udhëtimi i ChatGPT në ndërtimin e kredibilitetit është veçanërisht ilustrues i kësaj.
Shqetësime të shumta ishin ngritur për fabrikimin e burimeve dhe informacioneve nga ChatGPT. Në një artikull të vitit 2023, The Guardian shkruante se si po pranonte vazhdimisht kërkesa nga lexuesit për artikuj që ChatGPT ia atribuonte këtij mediumi, por që në fakt, nuk ekzistonin. ChatGPT, pavarësisht saktësisë së lartë në shumë detyra, mund të prodhojë “halucinacione”. Ky term vjen nga fusha e psikologjisë, ku halucinacionet janë perceptime të rreme të realitetit, dhe aplikohet në GenAI për të ilustruar natyrën e këtyre gabimeve.
Halucinacionet ndodhin meqë këto modele të GenAI bazohen në modele të mëdha të dhënash dhe parashikojnë përgjigje bazuar në modelet e tyre e jo në verifikim të drejtpërdrejtë të fakteve. Nëse të dhënat janë të kufizuara ose pyetja është e paqartë, GenAI mund të mbushë boshllëqet me informacion të sajuar.
Për shembull, një studim i publikuar në Journal of Medical Internet Research në vitin 2024, analizoi saktësinë e referencave të gjeneruara nga GPT-3.5, GPT-4 dhe Bard (versioni PaLM 2.0, tani Gemini) për 33 kërkesa bazuar në 11 rishikime sistematike në katër fusha mjekësore. GPT-4 kishte një shkallë halucinacioni prej 28.6% (34/119 referenca), që do të thotë se rreth një e treta e referencave të gjeneruara ishin të pasakta, me të paktën dy elementë (titulli, autori i parë ose viti i publikimit) të gabuar. Për krahasim, GPT-3.5 dhe Bard kishin shkallë halucinacioni më të larta, përkatësisht 39.6% dhe 91.4%.
Edhe AI Overview, e lansuar nga Google, në vitin 2024, kishte probleme të tilla. AI Overview përdor AI për të gjeneruar përgjigje të përmbledhura dhe të menjëhershme për pyetjet e përdoruesve në Google Search. Në disa raste, AI Overview u sugjeroi përdoruesve që kërkonin se si t’ia bënin që djathi të ngjitej më mirë në picë, se mund të përdornin “ngjitës jo toksik”. Po ashtu, përgjigjet e gjeneruara pohonin se gjeologët rekomandojnë që njerëzit të hanë një gur në ditë. Disa prej këtyre përgjigjeve duket se ishin bazuar në komente nga Reddit ose në artikuj të faqes satirike The Onion, çka tregon se, ndonëse bëhet fjalë për raste të izoluara, përdorimi i platformave dhe modeleve të GenAI për kërkim ka nevojë për një klauzolë paralajmëruese.
Në pyetësorin e K2.0, shumë të anketuar/a përmendën përdorimin e GenAI për drejtshkrim e përkthim në gjuhë të tjera, përplilimin e planeve mësimore për të anketuarit/atqë vinin nga sektori i arsimit, përpilim raportesh e kodim. Të tjerët përmendën përdorimin e GenAI për përmirësimin e procesit të punës.
Katër dobitë kryesore nga përdorimi i GenAI në punë, sipas të anketuarve, janë: u kursen kohë, u ndihmon të jenë kreativë, u ndihmon të organizohen më mirë dhe të jenë më produktivë.
Një i anketuar nga fusha e marketingut tha se:
“Një shembull konkret kur Inteligjenca Artificiale më ka ndihmuar në mënyrë të rëndësishme në punën time ka qenë gjatë analizës së një procesi bashkëpunimi në platformën monday.com. Po punoja për të kuptuar më mirë rrjedhën e detyrave, rolet e ekipeve dhe mundësitë për përmirësim të efikasitetit në projekt. Për të përshpejtuar analizën, përdora ChatGPT për të strukturuar mendimet e mia, për të identifikuar pyetje kritike që duhej t’i bëja dhe për të sugjeruar mënyra të mundshme për optimizim të procesit. Kjo më ndihmoi të kursej kohë dhe të arrij më shpejt në një zgjidhje të qartë dhe të argumentuar. Gjithashtu, edhe këtë përgjigje që po lexoni e kam shkruar me ndihmën e ChatGPT”.
Megjithëse GenAI është integruar gjerësisht në procesin e punës në Kosovë, vetëm 36.3% e të anketuarve thanë se vendi i tyre i punës inkurajon dhe mbështet politikën e përdorimit të GenAI. 31.4% e të anketuarve thanë se nuk ka ndonjë mbështetje zyrtare ose politikë të qartë; ndërkaq 10.8% thanë se në vendet e tyre të punës ka kufizime ose politika kundër përdorimit të GenAI. Kjo tregon se GenAI po përvetësohet në baza individuale dhe jo sistematikisht nga vendet e punës.
Por, punëdhënësit/et do të duhen shpejt të investojnë strategjikisht në vende të punës që marrin parasysh ndryshimin në mënyrën se si punëtorët/et i qasen punës sot.
Standard i ri i punës?
Parashikimet si GenAI brenda disa vitesh mund të kryejë detyra që njerëzve u marrin një muaj kohë tregon se GenAI mund të vendosë standard të ri të punës, i cili do të kërkojë më shumë aftësi për t’u përshtatur se sa ekspertizë në një lëmi të caktuar. Kjo mund të bëjë që shumë individë të marrin role, për të cilat jo detyrimisht kanë ekspertizë. Për shembull, një gazetar mund të shkruajë kod pa qenë programues dhe një menaxher projekti mund të krijojë përmbajtje të dizajnuara bukur vizuelisht pa pasur ndonjë njohuri në dizajn grafik. Por kjo do të thotë se punëtorët/et që nuk kanë qasje në këto shkathtësi, do të duhet të përshtaten shpejt me kërkesat e standardit të ri që mund ta sjellë GenAI.
Bazuar në rezultatet e një eksperimenti të zhvilluar nga BCG Henderson Institute në bashkëpunim me studiues nga Universiteti i Bostonit dhe ekipi i OpenAI për Ndikimin Ekonomik, i publikuar në dhjetor 2024, AI mund të ndihmojë pikërisht në këtë drejtim. Eksperimenti tregoi se punonjësit, që më parë nuk kishin njohuritë për të kryer detyra teknike, si analiza statistikore apo kodim, mund t’i përmbushnin ato me ndihmën e GenAI.
Studimi përfshiu 480 konsulentë/e të përgjithshëm/e të BCG-së dhe 44 shkencëtarë/e të të dhënave, për të vlerësuar se si GenAI ndikon në aftësinë e punonjësve që nuk kanë shkathtësi teknike për të përmbushur detyra që kërkojnë shkathtësi të tilla. Pjesëmarrësit/et u ndanë në dy grupe: njëri përdori ChatGPT-4 me funksione të avancuara për analiza të të dhënave, ndërsa tjetri përdori burime tradicionale si Stack Overflow. Ata u ballafaquan me detyra komplekse si kodim dhe modelim statistik që nuk mund të zgjidheshin vetëm nga GenAI, ndërsa analiza finale krahasoi saktësinë, kohën dhe performancën mes grupeve dhe standardeve të vendosura nga ekspertët e BCG-së.
Eksperimenti tregoi se GenAI zgjeron ndjeshëm kapacitetet e njerëzve për të përmbushur detyra jashtë fushës së tyre. Konsulentët pa përvojë në kodim apo statistika, me ndihmën e GenAI, arritën të shkruanin kod, të aplikonin modele të të mësuarit makinerik dhe të korrigjonin gabime statistikore.
Për shembull, në një detyrë kodimi, pjesëmarrësit/et, me ndihmën e GenAI, arritën 86% të performancës së shkencëtarëve/eve të të dhënave — një përmirësim prej 49 pikësh përqindjeje krahasuar me ata/o që nuk përdorën GenAI. Madje edhe ata/o që nuk kishin shkruar kurrë kod më parë arritën 84% të standardit të ekspertëve, ndërsa grupi pa GenAI vetëm 29%. Po ashtu, grupi i përforcuar me GenAI përfundoi detyrat rreth 10% më shpejt se shkencëtarët e të dhënave. Ndërsa ata që punuan pa ndihmën e GenAI-t, shpesh nuk shkuan më tej sesa hapja e folderëve dhe pastrimin fillestar të dhënave; ata arritën vetëm 29% të standardit të vendosur nga shkencëtarët e të dhënave.
Një nga të anketuarit e pyetësorit të K2.0, që punon në shoqërinë civile, mbështeti këto të gjetura të studimit:
“Si dikush që nuk ka shkathtësi teknike në kodim apo njohuri të thelluara në aritmetikë, AI më ka ndihmuar që, në vend të shkruaj kode, të formuloj ‘prompts’ që përkthehen në formula programimi — duke më mundësuar të kryej analiza të të dhënave apo të realizoj dizajne në Python”.
Por, GenAI duket se përmirëson performancën e përdoruesve vetëm atëherë kur edhe GenAI ka ekspertizë në fushën përkatëse. Në një eksperiment të mëparshëm në vitin 2023 nga BCG Henderson Institute, në bashkëpunim me studiues/e nga Universiteti i Bostonit dhe ekipi i OpenAI për Ndikimin Ekonomik, rezultoi se punonjësit/e e mbështetur nga GenAI performuan shumë më mirë në detyrat që ishin brenda njohurive të tyre, për aq kohë sa teknologjia ishte kompetente në ato fusha. Por kur GenAI nuk kishte ekspertizë në fushën përkatëse, përdoruesit/et shpesh mbështeteshin tepër në të dhe rezultonin më dobët sesa po të kishin punuar vetë.
ChatGPT dhe platformave të tjera të GenAI shkon përtej përdorimit në punë. Integrimi i tyre është shndërruar në një lloj asistenti personal që mund të të ofrojë përgjigje për çdo gjë.
Nga 204 të anketuar/a, 82.4% thanë se e përdorin edhe për qëllime personale jashta punës. Shumica prej tyre, 53% thanë se e përdorin për mësim, përcjellë nga 47% që e përdorin për këshilla personale (vendime, marrëdhënie, shëndet mendor) dhe 34.8% për ushqim.
Një prej të anketuarve, që punon në shoqëri civile tha:
“Personalisht kam një jetë shumë dinamike, mes studimeve, menaxhimit të një biznesi te vogël, punës në një organizatë joqeveritare, aktivizmit e jetës personale, koha është shumë e shenjtë për mua. AI nuk i kryen punët e mia, po m’ndihmon me e ba një plan ditor, me i rendit mendimet e mia me një tekst, po edhe me m’korigju në ndonjë gabim. Edhe pse shumë njerëz ‘keqpërdorin’ intelegjencën artificiale, personalisht m’a ka lehtësu jetën. Një shembull konkret, pak m’a herët e pyta ChatGPT si me i përgatit disa pire patatesh të paketuara se paketimin e udhëzime e kisha hudhë. E gjatë ditës m’i sygjeroj disa ide për një udhëtim, e m’i korigjoj disa gabime me një tekst që e kam shkru”.
A mund të zëvendësohen puna e njeriut nga AI?
Revolucionet teknologjike sjellin me vete automatizimin e punëve të caktuara të bëra nga njerëzit. Kështu, me futjen në përdorim të makinerive për prodhim gjatë Revolucionit Industrial, shumë punë që më parë kryheshin nga duart e njeriut u transferuan te makineritë; kostoja e prodhimit u ul ndjeshëm dhe kjo i shtyu punëtorët/et drejt roleve që nuk mund të kryheshin nga makinat dhe nuk mund të automatizoheshin — si mirëmbajtja teknike, puna krijuese apo menaxhimi. Në shekullin XX, kompjuterizimi gradualisht zëvendësoi punët manuale në zyra, si mbushja e formularëve dhe llogaritjet financiare. Me ardhjen e internetit, shumë profesione si postieri, arkivisti apo operatori telefonik u transformuan.
Ngjashëm, me përshpejtimin e shpejtë të zhvillimit të AI, janë parashikuar disa skenarë të mundshëm për tregun e punës. Skenarët më pesimistë parashikojnë një botë ku brenda një dekade, pothuajse çdo punë krijuese, si shkrimi, analiza, dizajni grafik, programimi bazë dhe mbështetja ligjore, mund të bëhen të vjetruara përmes automatizimit total. Ndërkohë, skenarët më optimistë parashikojnë se AI do të jetë një mjet ndihmës, duke rritur produktivitetin dhe lejuar njerëzit të përqendrohen në detyra më komplekse, kreative dhe strategjike.
Disa kritikë janë të brengosur se si AI ka marrë primatin në punë që deri tash janë cilësuar thelbësisht unike për njerëzit, si të shkruarit e piktura. Teksa mediet sociale shquhen për thjeshtëzimin e diskutimeve të ndërlikuara, ndonjëherë qarkullojnë përmbajtje që mishërojnë dilema të mëdha njerëzore. Për shembull, në një nga thëniet që i atribuohet një autoreje, Joanna Maciejewska, që qarkulloi muajve të kaluar ishte: “Dua që AI të më lajë rrobat dhe enët që unë të merrem me art dhe shkrim, jo që AI të bëjë artin dhe shkrimin tim, ashtu që unë të mund t’i laj rrobat dhe enët”.
Po ashtu, AI do të ndikojë në pabarazinë ekonomike — sipas një analize të Fondit Monetar Ndërkombëtar në vitin 2024, AI do t’i prekë afër 40% të punëve globalisht. Ndikimi i AI ndryshon ndjeshëm midis ekonomive të ndryshme. Ekonomitë e zhvilluara, si në SHBA dhe Mbretërinë e Bashkuar, përballen me ekspozimin më të lartë, ku rreth 60% e punëve mund të preken për shkak të aftësisë së AI për të automatizuar detyra që kërkojnë aftësi të larta. Përafërsisht gjysma e këtyre punëve mund të përfitojnë nga rritja e produktivitetit, duke favorizuar punonjësit me paga më të larta, ndërsa gjysma tjetër mund të përballet me ulje të kërkesës për punë, duke çuar në ulje të pagave ose eliminim të vendeve të punës, çka zgjeron pabarazinë e të ardhurave.
Në të kundërt, ekonomitë në zhvillim përballen me ekspozim më të ulët, me 40% ndërsa dhe ekonomitë me të ardhura të ulëta me 26% për shkak të infrastrukturës digjitale më pak të zhvilluar dhe numrit më të vogël të punonjësve të aftë për të shfrytëzuar AI.
Ndërkaq, deri më 2030, sipas vlerësimeve të McKinsey Global Institute, publikuar më 2023, 30% e orëve të punës në SHBA do të automatizohen, duke shkaktuar rreth 12 milionë ndryshime profesionale. Punëtorët/et mund të kenë nevojë të kalojnë në role ose industri të reja — të zhvendosen — për shkak të automatizimit të detyrave, si përpunimi i të dhënave dhe shërbimi ndaj klientit. AI do të ndryshojë detyrat e punonjësve/eve të dijes, duke rritur produktivitetin pa i zëvendësuar plotësisht, ndërsa punonjësit me paga të ulëta (30,800–38,200 dollarë në vit) në SHBA, sipas studimit, kanë 14 herë më shumë gjasa të ndryshojnë profesion krahasuar me ata me paga të larta.
Teksa shumë punë mund të automatizohen për të gjitha brezat, e ardhmja është e pasigurt, sidomos për brezat e rinj. AI po ecën me hap aq të shpejtë sa që njerëzit që janë në fillim të karrierës tani mund të përballen me një treg pune pothuajse tërësisht të automatizuar në vetëm pak vite. Një ekzekutiv i LinkedIn, Anash Raman, në një opinion për The New York Times, theksoi se ka gjithnjë e më shumë sinjale që AI po zëvendëson punët hyrëse, që historikisht kanë shërbyer si hap i parë për brezat e rinj në tregun e punës.
Pozicionet më të rrezikuara janë ato të nivelit të ulët: në sektorin e teknologjisë, AI po zëvendëson programimin bazë dhe testimin e softuerëve; në firmat ligjore, ajo po kryen shqyrtimin e dokumenteve më shpejt se ndihmësit juridikë; në shitjet me pakicë, chatbot-ët dhe sistemet automatike po marrin përsipër detyra si shërbimi ndaj klientit.
Edhe pse pothuajse të gjitha fushat do të ndiejnë ndikimin, pozitat në zyra pritet të goditen më së shumti, veçanërisht ato që kërkojnë diploma të avancuara, por që nuk përfshijnë aftësi të veçanta teknike ose krijuese. Edhe pse AI do të krijojë shumë vende të reja pune në të ardhmen, sipas Raman, mungesa e roleve hyrëse mund të ngadalësojë zhvillimin e karrierës së të rinjve dhe të thellojë pabarazitë sociale dhe ekonomike.
Pavarësisht debatit që ka sjellë zhvillimi i AI dhe parashikimeve se teknologjia do të mbetet forca më përcaktuese në tregun e punës deri më 2030, pak nga të anketuarit/at e pyetësorit të K2.0 janë të shqetësuar/a se AI do t’i zëvendësojë në vendet e tyre të punës.
Megjithatë, të anketuarit mbesin të shqetësuar për disa efekte të përdorimit të platformave të GenAI. Ata përmendin varësinë, pasivitetin dhe uljen e kreativitetit, plagjiaturën dhe punën joorigjinale, si dhe humbjen e aftësive personale nëse platformat e GenAI përdoren tepër. Disa kanë shqetësime të veçanta për privatësinë e informacionit dhe mbrojtjen e të dhënave personale. Po ashtu, përmenden edhe problemet e besueshmërisë së tepërt ndaj platformave të AI, gabimet dhe cilësia e ulët e materialeve të krijuara automatikisht.
Me përgjigje gjenerike e shpesh me gabime, edhe mua m’u desh të përballem që në shkurt 2023, kur po punoja në shkrimin e parë me GenAI. Por pavarësisht këtyre, nga atëherë, mjetet e GenAI, veçanërisht ChatGPT dhe së fundmi Grok, janë bërë pjesë e pandashme e punës sime. M’u desh kohë që ta trajnoj ChatGPT — duke i kërkuar të mbajë mend si më pëlqen të më përgjigjet (pa emojis, të lutem), por edhe duke e ushqyer me kontekstin e punës dhe mënyrën se si mendoj.
Shpesh më ngjan në një workaholic, i pakufizuar nga orari nga 9:00 deri në 5:00 dhe i përshtatur me ritmin tim të punës pa ndonjë orar dhe mënyrën time të të menduarit paralelisht në shumë gjëra. Ndryshe nga fillimi, këto mjete nuk i përdor për të shkruar drafte të para, por për dhjetëra detyra të tjera: nga hartimi i koncepteve, raporteve dhe draftimi i email-eve, te përmbledhja e studimeve dhe shpesh i kërkoj mendim të parë për draftet e mia. Më duket se GenAI më ka ndihmuar të përfundoj më shpejt detyra që më marrin shumë kohë dhe më pëlqejnë më pak, duke më liruar hapësirë për t’u marrë me punë që realisht më përmbushin.
Ndërkohë që AI po zhvillohet me ritme të shpejta dhe shumë prej aftësive që kam ndërtuar ndër vite po humbin peshë, e gjej veten duke menduar mbi nevojën për të rimenduar planet e mia profesionale në një të ardhme të afërt. Më duket se pak njerëz e kanë pritur këtë ndërhyrje të papritur në rrjedhën e planeve të tyre jetësore, por në fund, historia e revolucioneve teknologjike tregon se njerëzit janë jashtëzakonisht të aftë për t’u përshtatur me role të reja — dhe kjo, para se të më shqetësojë, më entuziazmon thellësisht për të ardhmen.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.