E ulur në tavolinën e bukës ku rëndom bën detyrat e shtëpisë, Lira, 13-vjeçare, u shpjegon vëllait e dy motrave më të vogla një ekuacion matematikor, që e kishte mësuar së fundmi në shkollë. Ata e dëgjojnë me vëmendje dhe njëkohësisht numërojnë me gishta numrat që ua dikton me zë motra.
“Shtatë minus tre?”, pyet Lira, emri i së cilës është pseudonim pasi familja nuk deshën të identifikoheshin me emrat e vërtetë. “Katër”, ia kthejnë të gjithë njëzëri.
Nëna e tyre, ulur në skaj të një divani të përhimtë, i sheh me krenari, teksa flet për dashurinë që vajza e saj, Lira, e ka për matematikën.
“Prej klasës të dytë e ka ditë krejt tabelën e shumëzimit, edhe në gjumë me e pasë pyet, e ka ditë”, thotë ajo. “I thom kanjiherë, kur m’thojnë arsimtarët ‘mos e bjer [Lirën në shkollë] se i kemi veç dy orë’, mos me e mundu. [Lira] thotë: ‘jo, nasht’, dy-dy, qato du me shku me i majtë’. S’ka qejf me nejtë. N’shkollë don me shku edhe pikë”.
Lira është nxënëse e klasës së shtatë në një shkollë fillore në një fshat pranë Prizrenit. Dashurinë për shkollën e kultivon përditë, anipse po ashtu përditë, shkuarja në shkollë i është shndërruar në mundim. Lira, që nga lindja është diagnostikuar me hemiparezë, që është termi mjekësor për dobësimin e një ane të trupit, që ndër tjera, manifestohet me vështirësi në ecje, qëndrim në këmbë e humbje të baraspeshës.
Shkolla ku shkon Lira është katër kilometra larg shtëpisë së saj në një drejtim, e për të shkuar në shkollë varet nga ndihma e anëtarëve të familjes. Axha i Lirës, i cili punon si mësimdhënës në shkollën ku mëson Lira, përditë e dërgon, e bart fizikisht deri në klasë dhe e pret derisa e mbaron mësimin për ta kthyer në shtëpi.
“Nafaka e saj që ka qëllu ai”, thotë nëna e Lirës.
Pasiguritë se çka do të ndodhë kur ta kryejë filloren e të dalë në të mesmen, bëhen më të fuqishme me kohën që kalon. Shkolla e mesme që ajo dëshiron ta ndjekë është në Prizren e atje s’do ta ketë axhën për ta çuar e marrë përditë.
Ndërkohë, për 16-vjeçaren, Elfete Muhadri mungesa e dikujt për të qëndruar me të në shkollë është një prej arsyeve pse, para pesë viteve, iu desh ta ndërpriste shkollimin. Prej atëherë, Elfetja, e cila është e verbër që nga lindja, nuk shkon në shkollë.
Elfetja është nga fshati Lipovec i Gjakovës. I vetmi institucion arsimor i dedikuar për edukimin dhe arsimimin e personave të verbër dhe me dëmtime në të parë, është qendra burimore “Xheladin Deda”, e cila gjendet në Pejë. Rrugën për te qendra në Pejë, Elfetja e mori për herë të parë në vitin 2018 me babain e saj Manin, i cili midis viteve 1981-1992 u shkollua po aty. 56-vjeçari Mani, po ashtu ka dëmtime në të parë. Qendra burimore vazhdon të jetë i vetmi institucion arsimor me këtë përqendrim, që nga themelimi në vitin 1982. Ajo është nën financim dhe nën përgjegjësi të Ministrisë së Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MASHTI).
Gjatë kohës kur Elfetja vijonte mësimin aty, ajo qëndronte në konviktin e qendrës bashkë me babain e saj. Mani thotë se në shkollë të rregullt publike nuk kishte tentuar ta dërgonte asnjëherë Elfeten, pasi bazuar në përvojën e tij, qendrën e konsideronte si shkollë të duhur edhe për vajzën e vet. Anipse Mani kishte diplomuar prej asaj shkolle si post-telegrafist/telefonist e diploma i kishte ndihmuar të gjente punë, për Elfeten ishte ndryshe. Qendra s’doli si e duhura. Në vitin 2019, Elfetja ndaloi së vijuari mësimet në qendër.
Prej atëherë, Elfetja dhe babai i saj, ngjashëm me Lirën dhe familjen e saj, ballafaqohen përditë me pasiguri, mundime e përpjekje për të siguruar qasje të papenguar në të drejtën për arsim. Ato janë midis plot të tjerëve nëpër Kosovë.
Rrugë e vështirë për në shkollë
Edhe dy vjet, Lira do ta mbarojë shkollën fillore e do të shkojë në gjimnaz. Këto dy vjet janë kohë e shkurtër përballë sfidës së madhe, të cilën duhet ta zgjidhin familja e saj. Prej tani, ata kanë filluar të shoshitin mendime e ide se si do të udhëtojë ajo për në shkollën e mesme, e cila gjendet rreth 15 kilometra larg në një drejtim.
“Deri në klasë të nëntë e kemi ba këtë zgjidhje, po për ma tutje nuk di çka bajmë”, thotë nëna e saj.
Këto pasiguri u shtohen bazuar në përvojën e tyre deri tash.
Axha i Lirës thotë se para tre vitesh kanë bërë kërkesë në Drejtorinë Komunale për Arsim (DKA) në komunën e Prizrenit për transport për në shkollë për një grup fëmijësh të lagjes, në bazë të Ligjit për Arsim Parauniversitar, që përcakton se komunat duhet të sigurojnë transport për të gjithë fëmijët, në rast së shkolla më e afërt është më larg se katër kilometra.
Megjithatë, ai thotë se komuna ua refuzoi kërkesën, në të cilën ata nuk e kishin specifikuar se Lira është nxënëse me aftësi të kufizuar fizike. Po ta kishin specifikuar, Lirës, me ligj do t’i takonte transporti i sigurt dhe i përshtatshëm. Megjithatë, axha i Lirës thotë se pas këtij refuzimi, nuk kanë paraqitur më ndonjë kërkesë.
“Derisa s’na kanë ba zgjidhje si lagje, me iu ofru transport një grupi të fëmijëve, s’kemi besu që munden me na ba zgjidhje as neve edhe s’jemi drejtu ma”, thotë axha i Lirës.
Mirëpo, teksa ndihma e axhës e ka zgjidhur përkohësisht çështjen e transportit, shkuarja në shkollë nuk është sfida e vetme përpara Lirës. Shkolla ku ajo vijon mësimin është një prej shumë shkollave në Kosovë që s’i përmbushin as standardet bazike për nxënësit me aftësi të kufizuara fizike.
Ka udhëzues e standarde të qarta se si duhet ndërtuar shkollat, ashtu që t’i mirëpresin të gjithë nxënësit pa dallime. Por këta udhëzues s’kanë gjetur zbatim në plot shkolla në Kosovë. Një prej tyre është Udhëzuesi për Normat dhe Standardet e Ndërtesave Shkollore i MASHTI, ku përcaktohen disa prej kushteve teknike e fizike, që shkollat duhet t’i kenë për t’u siguruar qasje të papenguar nxënësve me aftësi të kufizuara fizike. Ato caktojnë prej ku duhet të jetë e vendosur shkolla, si duhet të jetë infrastruktura e jashtme, si hyrja për në shkollë, parkimi i posaçëm, deri te infrastruktura e brendshme, si ashensorët e tualetet.
Në shkollën e Lirës, përveç hyrjeve të rrafshëta të shkollës dhe të klasave, asnjë nga kushtet tjera që përcaktohen në udhëzuesit e MASHTI nuk përmbushen.
Në bazë të të dhënave nga MASHTI, pak mbi 600 shkolla prej 1,036 institucioneve arsimore parashkollore, shkollave fillore, atyre mesme të ulëta dhe të larta, kanë qasje për personat me aftësi të kufizuara. Isuf Gashi, udhëheqës i Divizionit të MASHTI për Planifikim dhe Standarde të Infrastrukturës Shkollore, që ka për detyrë të sigurojë dhe projektojë ambiente shkollore të sigurta dhe të përshtatshme për të gjithë fëmijët pa dallim, përgjigjen e bazon në të dhëna të mbledhura në vitin 2016. Ai po ashtu thotë se këtij numri i shtohen 38 shkolla të ndërtuara midis viteve 2016-2023. Ndërkohë, qe tetë vjet, MASHTI ka ndërtuar 12 pjerrina, teksa aktualisht, sipas Gashit, janë në ndërtim e sipër edhe 19 tjera.
Zakonisht, përpjekja më e madhe për t’u siguruar qasje personave me aftësi të kufizuara është përqendruar tek ndërtimi i pjerrinave në hyrje të shkollave. Këtë e vë në pah edhe HANDIKOS, shoqata e paraplegjikëve dhe paralizës së fëmijëve të Kosovës, që punon në mbrojtjen e të drejtave të personave me aftësi të kufizuara në vend.
Në vitin 2020, kjo shoqatë vlerësoi 144 ndërtesa shkollore në vend, si pjesë e një raporti rreth qasshmërisë së ndërtesave shkollore për fëmijët me aftësi të kufizuara.
Disa nga kushtet teknike e fizike, që duhet përmbushur për t’u siguruar qasje fëmijëve me aftësi të kufizuara fizike:
– Hyrja në oborrin e shkollës nga rruga duhet të jetë pa shkallë;
– Pragjet e dyerve duhet të evitohen;
– Qasja në të gjitha ndërtesat duhet të jetë e arritshme nga personat me nevoja të veçanta, mundësisht me platforma, pjerrina e të cilave nuk duhet të tejkalojë 1:12 (5% pjerrtësi);
– Dimensionim i veçantë i zonave të qarkullimit, hapësirave të dyerve, pajisjeve sanitare, shtigjeve të evakuimit dhe hapësirave të klasave për fëmijët dhe të rriturit që përdorin karroca, paterica dhe bastunë;
– Dërrasat e shkrimit (me mundësi lëvizëse) duhet të jenë të kapshme edhe nga pozita ulur;
– Ashensorët duhet të vendosen afër hyrjes së ndërtesës, kurse hapësira brenda tyre duhet të jetë mjaft e madhe edhe për karroca, derisa edhe shenjat dhe kontrolli i tij përmes butonëve duhet të jenë të arritshme nga personat me aftësi të kufizuara;
-Çdo shkollë duhet të ketë një dhomëz tualeti për nxënësit me nevoja të veçanta me dimensione të posaçme, me një derë mjaft të gjerë dhe me parmakë metalikë të vendosur në mënyrë të sigurt;
-Parkim të posaçëm për automjete, me një hapësirë më të madhe në njërën anë.
Sipas vlerësimit, 19% të shkollave nuk kanë fare pjerrina, teksa 56% e atyre që kanë pjerrina, nuk i përmbushin standardet. Ndërkohë, në 74% të shkollave nuk ka pasur tualete të qasshme për personat me aftësi të kufizuara, kurse në 19% këto tualete të qasshme janë shfrytëzuar për nevoja tjera të shkollës, si për shembull depo sanitare. Sa i përket ashensorëve, në asnjë shkollë nuk ka pasur një të tillë.
Ngjashëm është edhe shkolla e Lirës. Ajo ka qëlluar me fat që klasën ia kanë vendosur në kat të parë. Kurdo që i duhet diçka prej katit të dytë apo kur ka ndonjë aktivitet atje, llogaritë në vullnetin e mësimdhënësve/eve. Për shembull, Lira nuk mund të hyjë në kabinet, që ndodhet në kat të dytë, pa ndihmën e dikujt.
“Kur kemi pasë orë në kabinet gjithë e kemi kapë për krahësh, e kemi çu edhe s’kem dashtë me e lanë. Edhe pse lodhet bajagi shumë me e kapë qashtu e ka dhimbje shpine shpesh, po s’kem mundësi ndryshe”, thotë njëra prej mësimdhënëseve të Lirës.
Ky është veç një shembull i vështirësive, që nuk zgjidhen me pjerrina dhe tregues se qasshmëria kërkon një qasje më gjithëpërfshirëse e më të mirëmenduar.
Një mal sfidash të pazgjidhura
Qasshmëria në shkolla shkon përtej infrastrukturës fizike të ndërtesave shkollore apo vendndodhjes së tyre. Nxënës të ndryshëm jetojnë me aftësi të kufizuara të ndryshme dhe gjithsecila kërkon zgjidhje të ndryshme, që adresojnë nevojat specifike të secilit nxënës.
Këtë shumë mirë e di Elfetja, e cila për disa kohë është në përpjekje të vazhdojë shkollimin. Komuna e Gjakovës i siguronte asaj transport për në qendrën burimore “Xheladin Deda” në Pejë, por kjo s’ishte e mjaftueshme.
Ajo u regjistrua në qendër në vitin 2018. Meqë ishte larg nga shtëpia, Elfetja qëndronte në qendër prej të hënës deri të premten. Megjithatë, nuk qëndroi gjatë, pjesërisht pasi refuzoi që të rrinte pa babain. Mani kishte provuar të rrinte me të, por i duhej t’u gjendej pranë edhe anëtarëve tjerë të familjes në fshat — bashkëshortes, tre fëmijëve tjerë, si dhe nënës, tashmë të ndjerë. Pos kësaj, gjendjen shëndetësore vetë nuk e kishte të mirë.
“U tesha. N’karrikë më zinke gjumi. Në kambë non-stop”, thotë Mani.
Pasi qendrës burimore i mungonin kapacitetet njerëzore për t’u përkujdesur 24 orë për Elfeten, Mani e çregjistroi atë në vitin 2019.
Kjo nuk ishte zgjedhje e lehtë për të. Nga HANDIKOS vlerësojnë se familjet asnjëherë nuk heqin dorë nga shkollimi i fëmijëve të tyre dhe bëjnë çmos që t’i bëjnë fëmijët pjesë të shkollave të rregullta, me mjete vetanake t’u angazhojnë asistentë e mësues mbështetës, e me raste, sidomos nënat, heqin dorë nga profesionet e punët për të qenë me fëmijët e tyre gjatë mësimit.
Një pjesë dërrmuese e fëmijëve me aftësi të kufizuara ndajnë të njëjtën gjendje me Elfeten — pa përkrahjen e nevojshme, ata nuk ndjekin fare shkollimin. Sipas vlerësimeve të fondit për fëmijë të Kombeve të Bashkuara, UNICEF, rreth 43,000 fëmijë me aftësi të kufizuara jetojnë në Kosovë. Një numër tepër i vogël i tyre vijojnë mësimin. Sipas raportit të vitit 2024 për Kosovën të Komisionit Evropian, 88% e fëmijëve me aftësi të kufizuara në Kosovë mbesin jashtë sistemit të arsimit.
MASHTI nuk e ka të sigurt as numrin e saktë të fëmijëve me aftësi të kufizuara që vijojnë mësimin në shkolla të rregullta publike, e bazohet në bindjet e personelit në shkolla. Sipas përgjigjes për K2.0, në gusht të vitit 2024, duke iu referuar statistikave të arsimit për vitet 2022-2023, vetëm 3,903 fëmijë me aftësi të kufizuara janë pjesë e klasave të rregullta në shkollat publike. MASHTI tha se të dhënat më saktë do t’i mbledhë kur të funksionalizohen si duhet Ekipet Vlerësuese Pedagogjike (EVP) nëpër komuna. Kurse, sipas statistikave të arsimit në Kosovë 2023-2024, të botuara në tetor 2024, 3,676 fëmijë me aftësi të kufizuara, apo 227 më pak se vitin e kaluar, janë pjesë e klasave të rregullta. Edhe në këtë dokument shkruhet se të gjithë fëmijët ende nuk janë vlerësuar nga ekipe vlerësuese profesionale.
EVP vlerësojnë aftësitë dhe nevojat arsimore të fëmijëve, si dhe përcaktojnë nëse nxënësit kanë nevojë për vijimin e shkollimit special apo në shkollë të rregullt. Këto ekipe përbëhen zakonisht nga specialistë/e të arsimit, punës sociale, psikologjisë dhe të rehabilitimit dhe njihen si mbështetje e jashtme për institucionet arsimore dhe aftësuese, duke ofruar këshillime dhe udhëzime për mësimdhënësit, nxënësit dhe prindërit.
Por, jo të gjitha komunat kanë funksionalizuar EVP. Kjo, thonë nga MASHTI, ndër të tjera, ndodh për shkak të mungesës së profesionistëve dhe moskompensimit të anëtarëve të EVP nga komunat.
Mungesa e të dhënave të sakta paraqet një prej mangësive të shumta të sistemit arsimor në Kosovë, që po dështon t’u ofrojë fëmijëve si Elfetja mundësi të barabarta. Derisa MASHTI përmend pjerrinat e ndërtuara, për 670 nxënësit e verbër apo me dëmtime në të parë që shkojnë në klasa të rregullta publike, këto s’kanë kurrfarë domethënie.
Bekim Krasniqi, menaxher i programeve në Shoqatën e të Verbërve në Kosovë, kur flet për mundësitë e shkollimit të fëmijëve të verbër apo me dëmtime në të parë, thotë se tjetërqysh, pos me mbështetjen e familjarëve, fëmijët s’kanë si mësojnë.
“Eventualisht, vetëm nëse është në përcjellje të familjarëve që mund të mbajnë shënime dhe t’ua përsërisin të njëjtat mandej në shtëpi, edhe kjo është një mundësi, por tjetër formë nuk ka”, thotë ai.
Fëmijët me aftësi të kufizuara, në vend të familjarëve, do të duhej të mbështeteshin në asistentë/e. Megjithatë, as kjo s’është lehtë e mundshme. Sipas MASHTI, që përgjegjësinë për angazhim të asistentëve ua lë komunave, 339 asistentë janë punësuar në nivel vendi në shkollat e Kosovës.
Nëse marrim për të saktë bindjen e personelit të shkollave se 3,676 fëmijë me aftësi të kufizuara shkuan në shkolla të rregullta në vitin shkollor 2023-204, i bie se ishte një asistent për 10-11 fëmijë. Kjo është në kundërshti me Udhëzimin Administrativ për rolin, detyrat, dhe përgjegjësitë e asistentit për fëmijë/nxënës me nevoja të veçanta arsimore, që përcakton se një asistent mund të mbështesë një deri në dy nxënës brenda grupit/klasës/shkollës.
Pa një asistent mbështetës, fëmijët me aftësi të kufizuara pamore s’kanë se si lëvizin nëpër shkollat e Kosovës, infrastruktura e së cilave është e dobët.
Sipas hulumtimit të HANDIKOS, situata me shfrytëzueshmërinë e ndërtesave shkollore nga fëmijët me aftësi të kufizuara pamore, apo me kapacitete të ulëta pamore, është më kritikja në Kosovë. Ndërsa, MASHTI, që thotë se përqafon qasjen e arsimit gjithëpërfshirës e nuk do t’i veçojë nxënësit në shkolla speciale, në përgjigjen ndaj pyetjes së K2.0 rreth infrastrukturës për fëmijët me aftësi të kufizuara pamore, shfaqet ndryshe. MASHTI është përgjigjur shkurt, thjesht duke konfirmuar se nuk ka pothuajse asnjë kusht infrastrukturor në shkolla. Kurse, kur u pyet për zgjidhje, thanë se MASHTI ende “po identifikon shkollat për përmirësim të infrastrukturës sipas specifikave”.
Ndërkohë, fëmijët me aftësi të kufizuara pamore kanë probleme lehtësisht të identifikueshme, për të cilat MASHTI është në dijeni.
Për shembull, atyre u duhet të mësojnë e lexojnë në alfabetin Braille (braj) — një sistem pikash në reliev, që lexohet përmes shqisës së prekjes. Sipas Ligjit për Arsimin Parauniversitar në Kosovë, nxënësit me të parë të pjesshëm dhe ata të verbër kanë të drejtën që të mësohen për përdorimin e këtij alfabeti.
Disa nga kushtet teknike e fizike, që duhet përmbushur për t’u siguruar qasje fëmijëve me aftësi të kufizuara pamore:
-Hyrjet kryesore të ndërtesave shkollore duhet të jenë qartazi të dallueshme dhe të lehta për t’u hapur;
– Të shmangen dyert tërësisht nga xhami;
– Të bëhet shenjëzimi i pushimoreve dhe shkallëve me ngjyra të dallueshme dhe të ndryshme nga njëra-tjetra;
– Të shmangen dritaret në fund të korridoreve për shkak të kontrastit të tepruar në ndriçim;
– Ndërrimet e vogla në nivel duhet të shmangen. Aty ku janë të pashmangshme, platformat e vogla janë më të preferueshme se shkallët;
– Ashensori(ët) duhet të vendoset afër hyrjes së ndërtesës. Kabina e ashensorit duhet të përmbajë edhe shenjëzimet për të verbër përmes alfabetit Braille, të ketë pranim akustik dhe vizual të thirrjes dhe lajmërim me zë në kat;
-Gjithashtu edhe sinjalizimi si jashtë shkollës, ashtu edhe brenda objektit, duhet të jetë i dukshëm dhe racionalisht i vazhdueshëm.
Për këtë nevojiten instruktorë, të cilët nuk ekzistojnë në shkollat e rregullta publike në Kosovë. Në kërkesën e K2.0 për koment lidhur me mungesën e instruktorëve, nga MASHTI, pa ndonjë shpjegim shtesë a plan, janë përgjigjur po ashtu shkurt: “dihet që nuk ka instruktorë”.
Edhe po të mësonin si ta përdornin brajin, u vonohen librat në braj. Krasniqi thotë se librat në braj përgatiten kryesisht në qendrën burimore “Xheladin Deda” në Pejë dhe më pas u dërgohen fëmijëve në shkollat e rregullta. Mirëpo, sipas tij, ka vonesa të shumta për përgatitjen e librave, për shkak të kapaciteteve të pamjaftueshme të qendrës burimore në Pejë.
“Kemi pasur raste që ka kaluar një gjysmëvjetor i tërë, edhe nxënësi s’ka pasur të sigururara materialet e nevojshme në Braille ose në format të zmadhuar”, thotë Krasniqi.
MASHTI, vonesat ua faturon burimeve të pjesshme teknike e njerëzore në qendrat burimore, si dhe ndryshimit të vazhdueshëm të teksteve. Por, MASHTI nuk tregon se si do t’ia gjejnë zgjidhjen këtij problemi, meqë qendrat burimore janë nën menaxhimin e tyre.
Arsim (jo) gjithëpërfshirës
Gjithëpërfshirja përmendet e festohet shpesh si themeli i organizimit të arsimit në Kosovë. MASHTI ka një divizion për arsimin gjithëpërfshirës e e promovon këtë qasje si më të mirën. Veçimi i një pjese të nxënësve në shkolla të veçanta, shkruan MASHTI, ka efekte negative në jetën e tyre të mëtejme, por edhe të shoqërisë në përgjithësi.
Por, bujarinë e gjithëpërfshirjes nuk e përjetojnë kurrë disa nxënës.
Shkollat e rregullta publike në Kosovë vazhdojnë të jenë armiqësore për fëmijët me aftësi të kufizuara. Ata kalojnë fëmijërinë përballë pengesave të panumërta, që i pengojnë nga qasja në të drejtat e tyre si qytetarë të Kosovës.
Natyra Agani, psikologe klinike, me eskpertizë sidomos në klimën, dhunën e ngacmimin në shkolla, thotë se është thelbësore që fëmijët me aftësi të kufizuara të njihen si qytetarë të barabartë e me vlera. Këtë ajo e vë në thelb të gjithëpërfshirjes.
“Fëmijët me aftësi të kufizuara disponojnë laramani të aftësive dhe shkathtësive individuale. Ata janë dhe duhen të perceptohen si qytetarë me vlerë dhe me potencial, dhe mbi të gjitha me mundësi. Koncepti i gjithëpërfshirjes ka kuptim kur ne fillojmë dhe i kuptojmë si individë me mundësi dhe këtë e internalizojmë si vlerë”, thotë ajo.
Por, gjithëpërfshirja nuk ka dalë përtej letrës për Elfeten, e cila tash ka mbushur 16 vjet e do të duhej t’i shijonte ditët e shkollës së mesme, maturën, e planet se cilin drejtim do ta ndjek në fakultet. Në vend të kësaj, ajo tash e pesë vjet nuk shkon në shkollë, teksa babai i saj Mani, të cilit i bie përditë t’i përjetojë në lëkurë të vet vështirësitë që e përcjellin si person me aftësi të kufizuara pamore, mundohet përditë t’ia gjejë një çare shkollimit të vajzës.
Edhe Lirës, që do t’i duhej që të përqendrohej në ekuacionet matematikore, të cilat i di kaq mirë, i duhet të mendojë se si të shkojë në shkollë ditën tjetër, se kush do ta ndihmojë të shkojë në kabinet. E të rriturit rreth saj, në vend se ta çojnë kohën duke u krenuar për vajzën e tyre, e mendojnë nën ankth të ardhmen.
Të gjithë ndodhen përballë një sistemi që i shtyn përditë në skaje. Por, të gjithë janë edhe të vendosur ta shtyjnë prapa këtë sistem.
Imazhi i ballinës: Altin Ibrahimi / K2.0
Redaktore përgjegjëse: Aulonë Kadriu.
Ky artikull u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.