Në hyrje te fushat e Hajvalisë, 7 kilometra në periferi të Prishtinës, dallohen qartazi të veçuara dy godina pesë-katëshe me fasadë të verdhë që qëndrojnë përskaj rrugës kryesore, krejt pranë Qendrës së Paraburgimit.
Një burrë rreth të gjashtëdhjetave, nga ballkoni i tij në njërën prej ndërtesave, tha: “Nuk rrihet këtu”. Ballkoni është vendi i tij preferuar, meqë nuk mund të lëvizë shumë për shkak të aftësisë së kufizuar fizike dhe halleve tjera shëndetësore, që i kanë ardhur me moshën.
Deri në vitin 2016, ai kishte banuar në shtëpinë e tij në Prishtinë bashkë me dy fëmijët dhe bashkëshorten. Por, atë vit, njëri prej fëmijëve u sëmur dhe trajtimi mjekësor kërkonte shpenzime, që familja nuk mund t’i përballonte. Kështu, u detyruan ta shesin shtëpinë. Përkundër kësaj, fëmija i tij vdiq.
Kështu, për një kohë të shkurtër ai dhe familja e tij përjetuan dy humbje. Në vitin 2017, ai, bashkëshortja dhe vajza, përfituan një banesë për shfrytëzim nga Komuna e Prishtinës. Dhe që nga ai vit, jetojnë në godinat e verdha, që më shpesh njihen si “banesat e banimit social.”
Në hyrjen tjetër banon Sylë Haliti, 47-vjeçar, i cili deri para shtatë vitesh kishte jetuar me qira në një banesë në lagjen “Dardania”. Qiranë e kishte mbuluar me pagën e tij si vozitës kamioni. Por pas dy sulmeve në zemër, iu pamundësua ta vazhdojë punën. Në vitin 2017, edhe ai u bë pjesë e skemës së asistencës sociale, përmes së cilës, familjet pa të ardhura marrin ndihmë financiare nga buxheti shtetëror, me ç’rast aplikoi edhe për strehim. Pothuajse të gjitha familjet në nevojë për strehim për shkak të pamundësisë për ta paguar një qira, janë edhe pjesë e skemës së asistencës sociale.
Tash e shtatë vjet, ai e ndan banesën në Hajvali bashkë me bashkëshorten dhe tre nga pesë fëmijët, pasi dy vajzat më të rritura kanë krijuar familjet e veta dhe jetojnë tjetërkund. Tre fëmijët e tjerë nuk janë në moshë pune.
Edhe pse siguroi një strehë të përkohshme, brengat dhe problemet nuk mbaruan. “Këtu nganjëherë them me ikë natën”, thotë Syla disa herë gjatë bisedës.
Sfidat që vijnë me të banuarit aty nuk mbyllen vetëm brenda rrethojave të kompleksit dukshëm të veçuar prej ndërtesave tjera të banimit në Hajvali. Ky lloj veçimi fizik dhe grupimi i tyre në ndërtesa të ndara nga tjerat, i identifikoi si banorë në gjendje të vështirë ekonomike dhe krijoi me fillim frymë përjashtuese dhe stigmë ndaj tyre. Para se ndërtesat në Hajvali të funksionalizoheshin, banorët në lagjen Hajvalia, që kishin shtëpi a banesa të veta, refuzuan që ndërtesat e banimit social të vendosen aty në vitin 2017. Asokohe, ata kishin paralajmëruar edhe protesta. Syla thotë se ky stigmatizim prodhoi pasoja edhe jashtë. Siç veçohen banesat ku jetojnë ata, është veçuar vajza e tij në shkollë.
“Dy-tri herë ma kanë rrahë vajzën në shkollë, i kanë thanë ‘ju jeni fukara, jeni sociala’. Kam shkuar në drejtori, por nuk kanë marrë masa”, thotë ai.
Tash e shtatë vjet, dy ndërtesat e banimit social me 100 banesa, nga 50 secila, janë strehë për familjet me kushte të vështira ekonomike. Objekti në pjesën e epërme, fare pranë hyrjes së Qendrës së Paraburgimit është i dedikuar për familjet e kategorive të dala nga lufta si familjet e dëshmorëve apo veteranët, ndërsa tjetri pak metra më poshtë ka përbërje të përzier me kategori të ndryshme nga prindërit vetëushqyes, deri te personat me aftësi të kufizuara.
Prishtina, pos Hajvalisë, ka edhe dy ndërtesa të ngjashme të banimit social te lokacioni që njihet si “Fusha e Pajtimit”, në fund të lagjes “Kolovica” në drejtim të rrugës që çon në fshatrat e Gollakut.
Kryeqyteti nuk është i vetëm në praktikimin e këtij modeli strehimi social. Grumbullimi i familjeve në nevojë për strehim, blloqe ndërtesash të veçuara të banimit kolektiv, kryesisht në periferi, është modeli mbizotërues në nivel vendi.
Modeli i veçimit në banimin social
Banimi social është nën përgjegjësinë e komunave dhe s’është program i centralizuar në nivel nacional. Që prej vitit 2003 e deri këtë vit, në 2024, shumica e komunave në Kosovë kanë ndërtuar apo ndarë ndërtesa të veçuara për banim social. Sipas të dhënave të Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), gjithsej 20 komuna kanë programe të banimit social, të gjitha me këtë model — ndërtesa të veçuara prej të tjerave, ku banojnë vetëm qytetarët që përfitojnë nga skema e banimit social.
Nëpër këto ndërtesa janë strehuar qytetarë të Kosovës, të cilët kanë humbur shtëpitë gjatë luftës së viteve 1998-1999 në Kosovë, qytetarë që nuk mund ta përballojnë koston e blerjes së një shtëpie apo qiranë e banimit, qytetarët me aftësi të kufizuara, prindërit vetëushqyes, qytetarët me sëmundje kronike dhe viktimat e dhunës seksuale në familje. Në tërësi, banimi social synon qytetarët e cenueshëm në aspektin ekonomik dhe social.
Që nga viti 2010, banimi social rregullohet nëpërmjet Ligjit për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit, i cili vendos një kornizë të përgjithshme, teksa specifikat janë të përcaktuara nëpërmjet një morie të udhëzimeve administrative. Sipas kornizës ligjore, banimi social duhet të jetë i përkohshëm, derisa përfituesi/ja të arrijë një gjendje ekonomike që të jetë i/e aftë të pavarësohet nga ajo skemë. Po ashtu, këta banorë duhet të paguajnë një qira simbolike sipas kontratës që lidhin me komunat përkatëse, e cila do të dedikohej për mirëmbajtje të ndërtesave. Shuma e qirasë përcaktohet në nivel komunal përmes një formule që merr parasysh vlerën e ndërtimit të hapësirës banuese dhe nivelin e të ardhurave të familjes. Pra, banimi social kuptohet si strehim me qira jo-fitimprurëse për komunat, pasi fitimi prej qirasë kthehet në mirëmbajtje.
Sipas ligjit, ekzistojnë dy modele të banimit social, ai që mbizotëron në Kosovë, ku përfituesit e banimit social vendosen nëpër ndërtesa që janë veç për këta qytetarë dhe subvencionimi i qirasë nëpër banesa në ndërtesa të zakonshme të banimit. Ky i fundit njihet si “bonus banimi”.
Sipas MMPHI, në 51 ndërtesa të banimit kolektiv social në gjithë Kosovën, të ndërtuara nga viti 2003 e deri më 2019, janë të strehuara 1,178 familje.
Secila komunë zbaton programin e vet të banimit social. Disa ngrisin ndërtime të veçanta, tjerat marrin banesa nga ndërtuesit komercialë, kur u ofrojnë tokën publike për ndërtime apo si kompensim për lejen ndërtimore.
Sipas Ligjit Nr. 03/L-164 për Financimin e Programeve të Veçanta të Banimit në Kosovë, kategoritë e familjeve që mund të përfitojnë nga këto programe përfshijnë:
K2.0 ka kontaktuar veç e veç me më shumë se 30 komuna, 15 prej të cilave kanë vënë në dispozicion të dhënat për programet e tyre të banimit social. Duke qenë se secila komunë e implementon programin e banimit social sipas nevojave të veta — duke ndërtuar banesa të reja e duke krijuar hapësira të reja mes atyre të vjetrave — vihet re mungesa e koordinimit mes nivelit lokal dhe atij qendror. Sipas të dhënave të komunave, numri i ndërtesave të dedikuara për banim social është më i madh sesa sipas të dhënave të ministrisë.
Për shembull, në Malishevë janë edhe tetë ndërtesa më të vogla me nga katër banesa, ku janë strehuar 32 familje. Si në shumicën e komunave tjera, komuna është pronare e tyre dhe tokës ku janë të ndërtuara objektet. Përtej atyre që përmenden në tabelën e ministrisë, komuna e Lipjanit ka hise në tri ndërtesa të tjera private, në të cilat janë gjithsej 59 banesa për banim social. Kjo paraqet formën ku komuna e ka lëshuar tokën e vet për ndërtime nga investuesit privatë, të cilët pastaj e kanë kompensuar komunën me banesa.
Ndërkaq, modelin e koncentrimit të qytetarëve në nevojë strehimi në një ndërtesë kolektive, do ta vazhdojë komuna e Gjakovës. Në Gjakovë, ekzistojnë dy ndërtesa të banimit social me 48 banesa dhe ndërtesa e re e banimit social do te ketë 24 sosh.
Sa i përket modelit të “bonus banimit”, bazuar në përgjigjet nga 15 komuna, rezulton të jetë jo fort i përhapur. Por, komuna e Suharekës përbën përjashtim. Kjo komunë nuk ka ndërtesa kolektive të banimit social dhe është tërësisht e koncentruar te ky model. Sipas komunës, gjatë vitit 2023 kanë qenë 15 kërkesa për banim, nga të cilat kanë përfituar 10 familje.
Nga përgjigjet e komunave, çdo vit ato kanë më shumë kërkesa për strehim sesa që mund t’i akomodojnë. Për këtë, disa komuna kanë edhe shtëpi individuale të ndërtuara me shoqata të ndryshme bamirëse.
Teksa banimi social përkufizohet si banim i përkohshëm, pamundësia e komunave për t’i pranuar të gjitha kërkesat e qytetarëve për strehim vjen edhe për shkak të pafuqisë për ta zbatuar plotësisht këtë program. Sipas një hulumtimi të Friedrich Ebert Stiftung (FES), fondacion politik i përqendruar në promovimin e vlerave thelbësore social-demokrate, të publikuar në vitin 2019, komunat nuk lidhin kontrata me përfituesit e banimit social. Kjo nënkupton se komunat kanë vështirësi në mbledhjen e qirave dhe largimin e familjeve kur të mos i përmbushin më kriteret për të qenë përfitues. Komunat shpesh nuk kanë personel të posaçëm e as të mjaftueshëm për ta implementuar ligjin për banim social pikë për pikë.
Kjo çon që në shumicën prej tyre, kur kërkesat për strehim rriten e nuk ka hapësirë e nuk ndërtohen ndërtesa të reja, të përshtaten ato të vjetrat për të krijuar hapësirë për banorë të rinj. Katet përdhesë e depot kthehen në dhoma, diku mbyllen ballkonet për t’u zgjeruar dhomat. Improvizimi dhe lënia pas dore e ndërtesave që shërbejnë për banim social, jo rrallë çojnë në hapësira që nuk i përmbushin kushtet për banim.
Hapësira të përshtatura banimi
Në fshatin Çikatovë e Re në Drenas, fasada e dy ndërtesave kolektive të banimit social me gjithsej 50 banesa është e dëmtuar, ngjashëm si muret e brendshme e kutitë e matësve të rrymës. Ato janë ndërtuar në vitin 2008.
Afër një gardhi të improvizuar ngjitur me hyrjen, del 61-vjeçari, Musa Kastrati, i cili me bashkëshorten, Hamiden, qe 13 vjet jetojnë në një hapësirë në katin përdhesë të përshtatur për banim. Kur së pari hyn në atë hapësirë, dera e dhomës së ndejës të çon drejt në rrugë. Kjo ua bënte dimrat më të vështirë meqë i ftohti u hynte brenda dhomës. Veturat i parkoheshin shpesh te dera, duke ua pamundësuar daljen e topi i fëmijëve që luanin para ndërtesës i përplasej për dere e dritareje disa herë në ditë.
Kjo e detyroi Musën të improvizojë një pengesë, që krijoi një lloj hapësire mes derës së dhomës së ndejës e oborrit më të madh të ndërtesës ku zakonisht parkoheshin veturat.
Të dy kanë probleme me lëvizshmërinë në duar dhe të ardhurat mujore nga pensionet invalidore, së bashku, arrijnë një total prej 240 eurosh në muaj. Hapësira ku banojnë ata ka një dhomë ndeje bashkë me kuzhinë dhe një banjë — gjithsej 24 metra katrorë.
“Ngusht e kam, por meqë jam veç me shoqen boll është, më mjafton”, thotë Musa. “Kjo u kanë si hapësirë m’i lanë senet, harçin, si depo, por e kanë përshtatë, e kanë pa numrin e familjeve, i kanë bo edhe tri, e kanë përshtatë edhe na kemi hy në to”.
As Hamiden s’e shqetëson ngushtësia e vendit ku jetojnë, sa e brengosin kushtet tjera të rënda. Në tavan e mure shihen gjurmë të lagështisë.
“Këqyri shenjat e mykut, mbes veç tu fshi. Se këtu nuk u kanë për banim, ka lagështi. Kanalizimi prej lart ka shpërthye disa herë. Mos me pasë bë këtë para-hyrjen s’kishim mund me jetua këtu, sidomos dimrit, se dera ka qenë jashtë direkt, po kjo po e ndalë tash [të ftohtit] pak”, tha ajo.
Megjithëse nuk i lejohet ta vendosë gardhin, siç e quan Musa improvizimin që bëri, oborri i vogël që ky gardh ia ofroi është hapësira e vetme ku Musa gjen qetësinë.
Vendndodhja e ndërtesave nuk është e përshtatshme për lëvizje — gjë që sa përkeqësohet marrë parasysh moshën dhe problemet e tij shëndetësore që edhe ashtu ia kufizojnë lëvizjen. Drenasi nuk ka transport publik, përveç autobusëve privatë apo taksive. Për të, shpesh është vështirë të qarkullojë jashtë fshatit, sepse s’ia del ta mbulojë këtë shpenzim.
“Për qarkullim deri në qytet veç me taksi me thirrë. Dikush ka veturë, dikush s’ka. Unë për vete s’kam”, thotë ai. “Eci kamë, dal eci deri në një orë i bie rreth e rreth e vij në shpi”. Spitali më i afërt është shtatë kilometra larg. “Veç i them ndokujt [me më çu], veçse jam gjithë i varur prej dikujt tjetër. Nganjëherë po duhet m’i thirrë djemtë e vëllait prej Poklekut me ardhë me më marrë e me më çu te mjeku”.
Kur flet për rrethanat në të cilat jeton, Musa mendon se zgjidhje më e mirë do të ishte nëse do t’u jepej mundësia të jetonin në fshatrat e tyre. Musa mbeti pa shtëpi gjatë luftës në Kosovë pasi iu dogj, çka e detyroi të futet në skemën e banimit social në Çikatovë dhe jo në fshatin e tij, në Verbovc. Ai do të donte t’i mundësohej të jetonte në fshatin e tij, por komuna të vetmin model të banimit social e ofron përmes këtyre dy ndërtesave.
Grumbullimi i të gjithë qytetarëve në nevojë strehimi në ndërtesa të njëjta banimi vlerësohet më shumë izolim sesa përmbushje e nevojave të tyre.
Linda Gusia, profesore dhe njëherit shefe e Departamentit të Sociologjisë në Fakultetin Filozofik, në Universitetin e Prishtinës, konsideron se mungon një strategji nacionale, e cila çështjen e banimit e trajton si problem social “përtej tullave dhe kulmit”.
Sipas saj, ndërtesat e banimit social në Hajvali e Çikatovë, si dhe modelet e njëjta gjithandej në vend, janë shembuj të “të krijimit të getove me para të taksapaguesve”, si pasojë e qasjes së gabuar institucionale.
“Domethënë je duke kriju geto, je duke e kriju problemin ma të madh sesa që e ke pasë, sepse tash je vetëm duke i futë të gjithë ata njerëz që kanë halle të ndryshme, je duke i bo bashkë në një hapësirë të vogël, ku nuk e ke kriju asnjë mekanizëm tjetër, për këta njerëz me i ndihmu, por vetëm i ke izolu”, tha Gusia.
Teksa ndërtesa të reja të veçuara po ndërtohen, qindra mijëra banesa e shtëpi janë të zbrazta në Kosovë.
Sipas të dhënave paraprake nga regjistrimi i popullisë dhe ekonomive familjare nga Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) në vitin 2024, rezulton se nga 559.936 banesa ose shtëpi në nivel vendi 185,953 apo 33.2% janë të pabanuara.
Raporti i FES përmend potencialin e çuar dëm për të krijuar një stok të njësive të banimit, duke mos shfrytëzuar hovin e ndërtimit në Prishtinë dhe në qytetet tjera. FES rekomandonte se këto komuna duhet që të jenë më kreative dhe të mendojnë modele se si të krijojnë stoqe të banesave në pronësi komunale.
Një formë që e prezanton FES do të ishte që taksat ndërtimore të zëvendësohen me njësi banesore. Në këtë mënyrë, sipas tyre, do të eliminohej nevoja për ndërtim të banesave sociale, të cilat janë shumë të kushtueshme, shumë vështirë të menaxhueshme dhe njëherit krijojnë izolim social.
Ndërkohë, Gusia propozon një model tjetër. Teksa përmendi numrin e madh të banesave të zbrazëta, Gusia, si pjesë të zgjidhjes së problemit e sheh atë që e quan “një lloj riparimi të dëmit”, përmes konfiskimit të një pjese të banesave në ndërtesat që kanë tejkaluar lejet ndërtimore ose si kompensim për borxhet ndaj komunës.
“Secili inspektor mundet me dalë me i gjetë një milion mënyra ku janë shtrembëru, deformu, keqpërdorë dhe kanë shku përtej lejeve qe i kanë pasë. Si dënim, ua merr tri-katër banesa edhe ato banesa i bën për banim kolektiv” tha ajo.
Jo veç izolim, komuniteteve joshumicë u rrezikohet shëndeti
Tymi i ndotur që del prej termocentralit “Kosova B” sinjalizon se je afër ndërtesave kolektive dedikuar për strehim të qytetarëve nga komunitetet rom, ashkali e egjiptian. Fasadat janë të dëmtuara, dyert e dritaret e thyera, improvizime në ndërtesa si ballkonet e mbyllura për ta zgjeruar hapësirën e banimit e depot e përshtatura për banim.
Në njërën nga gjithsej 58 njësitë e baninimit të shpërndara në dy ndërtesat kolektive, që nga ndërtimi i tyre, në vitin 2005, jeton Smajl Hasani. Teksa flet me mllef, 57-vjeçari, i pa punë, shpreh pakënaqësitë me hapësirën dhe gjendjen në cilën jeton familja e tij dhjetë-anëtarëshe.
“Ka këtu 10-15 vetë që janë me një dhomë dhe një kuzhinë”, thotë Smajli, në shëtitjen rreth e rrotull. Kjo bije ndesh edhe me Udhëzimin Administrativ (24/2010) për normat minimale të banimit për banesat sociale, i cili parasheh që sipërfaqja minimale e banimit për një person të vetëm duhet të jetë 13 metra katrorë.
E teksa fliste për këtë, dhe për mungesën e ujit e papastërtinë, Smajli tha shkurt: “Nuk ka jetë këtu”.
Për shkak se familja e tij është rritur, ai me bashkëshorten e tij, Nevrije Brizaku, 56-vjeçare, janë vendosur përkohësisht në njërën nga depot pranë ndërtesës, duke lënë një pjesë të fëmijëve në banesë. Teksa drejtohet kah depoja e djegur së fundmi — zjarret sipas tyre janë të zakonshme — dhe shqetësimet për sigurinë veçmas natën, Nevrija nuk mundi ta fshihte mllefin.
“Ka shumë zhurmë, shumë ka zjarre, vallahi kemi frikë me nejtë, edhe lart [në banesë] edhe poshtë [në depo], se unë flej qitu në depo se ma ka leju një kojshi”, thotë ajo. “Nuk po jetohet. Unë ma e boj ballë me dalë krejt me shator apo me maru për veti një kolibë si tona herë që kanë nejtë baba e babgjyshi jem”.
I pakënaqur me strehën që ka aktualisht është edhe fqinji i tyre, Avni Berisha, i cili vetë i katërmbëdhjeti, bashkë me familjen e të birit, jeton në një banesë dy-dhomëshe, që nga viti 2006. Përpos mungesës së hapësirës së duhur e kushteve të rënda të banimit, banorët në Plemetin rrezikohen nga afërsia e termocentralit “Kosova B” bazuar në qymyr, që është një ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit në vend dhe rrezikon shëndetin e tyre çdo ditë.
“Këtu po na mytë pluhni i centralit Kosova B, krejt pluhni vjen te na”, thotë Avniu duke përmendur edhe largësinë nga shërbimet publike. “Ishalla don Zoti bile zgjerohemi diku, me dalë ma afër qytetit, se është puna e mjekëve, puna e shkollës, e çerdheve”, tha ai, i rrethuar nga disa prej fëmijëve.
Ndotja e ajrit është vlerësuar se është “vrasës i padukshëm” në Kosovë, sidomos për banorët që banojnë në afërsi të Obiliqit. Komuna e Obiliqit më 24 tetor ngriti alarm për nivelin e lartë të ndotjes duke fajësuar Korporatën Energjetike të Kosovës, meqë për një muaj filtrat e termocentralit “Kosova B” kanë qenë jashtë funksionit, duke shkaktuar tejkalime enorme të ndotjes.
Sipas komunës, raportet e vitit 2023 tregojnë se sëmundjet respiratore kanë arritur në 17,912 raste, ndërsa ato të qarkullimit të gjakut në 7,355 raste. Po ashtu, çdo vit, në Obiliq regjistrohen mesatarisht 50 raste të reja me sëmundje kancerogjene.
Ndërkohë për herë të parë që prej ndërtimit të tyre, si në Plemetin, edhe në Çikatovë e në Hajvali, 22 ndërtesa të banimit social në 10 komuna pritet të rinovohen përmes Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë. Ky projekt që parasheh investime në fasada, dyer e dritare do të realizohet nëpërmjet një granti nga Bashkimit Evropian në vlerë 5.5 milionë euro, me 10% bashkëfinancim nga komunat.
Por, ndërtesave të banimit social në Plemetin, sipas Gusisë, i shtohen elemente tjera krahas getoizimit. Sipas saj, ato janë problem institucional e shoqëror dhe përbëjnë shembullin më të keq të racizmit dhe diskriminimit, edhe mjedisor.
“Kemi ndërtuar një lagje në vendin më të papastër dhe në vendin që është rrezik ekologjik”, thotë Gusia. “Është vrasje me i vendosë ata banorë aty”.
Veçimi i banorëve me kushte të vështira ekonomike për Gusinë reflekton mënyrën se si shteti dhe shoqëria e sheh këtë problem — çështja e banimit, për të, nuk duhet të jetë çështje e mëshirës.
“Është çështje e drejtësisë sociale, është çështje e mendimit dhe ri-mendimit kolektiv rreth përdorimit të hapësirave, është çështje e qasjes dhe krijimit të mundësive për qytetarët për mobilitet social”, thotë ajo.
Në këtë kontekst Gusia mori si shembull të mirë të mobilitetit social ato që njihen si “Banesat e Solidaritetit” në kryeqytet, të cilat janë të ndërtuara fare pranë shkollës “Dardania” që prej para luftës, rreth viteve të ‘70-a.
Godina e “Banesave të Solidaritetit”, me disa hyrje dhe dhjetëra njësi banimi, është e vendosur në vargun e ndërtesave në pjesën ndërmjet “Kurrizit” dhe shkollës që mban emrin e lagjes. Këto ndërtesa, në vend të izolimit dhe veçimit, sipas Gusisë, synuan integrimin e kategorive që përfituan nga banimi social. Ndërtesat gjenden afër me institucionet edukativo-arsimore, por edhe qendrën e mjekësisë familjare. Po ashtu, jo të gjithë banorët e strehuar ishin në gjendje të vështirë ekonomike, por kishte edhe zyrtarë e punonjës të tjerë publik që u ishin dhënë banesa, sipas rregullave të asaj kohe, duke krijuar një strukturë të përzier.
“Solidariteti këtu ka qenë çelësi. Nuk e ke kriju atë ndërtesë vetëm për njerëz që kanë qenë në skamje apo të varfër, por i ke integru, e ke bo një miks, dhe kjo ka qenë arsyeja pse ka funksionu mirë”, tha Gusia. “Banimi nuk është vetëm me pasë strehën dhe ujë të pijshëm. Është me pasë shkollën afër, më pasë kopshtin afër, me pasë mobilitet”.
Ky model integrues i banimit social ndërkohë është dominues në Evropë dhe komuna e Prishtinës zotohet se po nis implementimin e politikave që mund ta ndryshojnë konceptin e banimit social në vend.
Pak shpresë për shpërbërjen e modelit të veçuar
Është vështirë të gjendet një përkufizim i përbashkët për banimin social në Evropë, megjithatë ekzistojnë modele të cilat, krahas kostos së ulët të banimit, synojnë integrimin dhe mobilitetin. Në librin “Banimi social në Evropë”, redaktuar nga Christine Whitehead and Kathleen Scanlon, prezantohet një hulumtim i gjerë në nëntë shtete të ndryshme evropiane lidhur me programet e banimit social. Në të përkufizimi i banimit social kryesisht lidhet me pronësinë e banesave, ndërtuesin, nëse qiratë janë ose jo nën nivelin e tregut dhe atë të subvencionimit, si dhe kryesorja qëllimi për të cilin ofrohet strehimi.
Në vitin 2007, nga vendet e përfshira në studim, Holanda kishte shkallën më të lartë të “qirasë sociale” — siç quhet qiraja nën kushtet e tregut që paguajnë qytetarët në skemën e banimit social. Në Holandë, 2.4 milionë banesa apo shtëpi, që përbëjnë 35% të objekteve të banimit në tërësi ofrohen për banim social. Ndërkaq, Austria prin e dyta me 25% apo 800,000 objekte banimi, përcjellë nga Danimarka me 21%. Numrin më të lartë të objekteve të banimit, ndonëse jo për kah përqindja e popullsisë, e kishte Franca me 4.23 milionë sish apo 17%.
Por, modeli i banimit social në këto vende është ndryshe prej atij në Kosovë pasi nuk i targeton vetëm familjet me gjendje të vështirë ekonomike. Për shembull, në Holandë sistemi i strehimit social ofrohet nga shoqatat e strehimit jofitimprurëse (woningcorporaties), të cilat zotërojnë rreth ⅔ e njësive me qira në vend dhe shërbejnë afërsisht 30% të familjeve. Këto shoqata i mbajnë ndërtesat jashtë tregut, duke i ruajtur nga inflacioni dhe duke i mbajtur çmimet e përballueshme për qira. Pronarët e objekteve të banimit nën menaxhimit e këyre asociacioneve, nuk mund ta rrisin qiranë përpos bazuar nga rregulloret që dalin nga qeveria holandeze. Për t’u kualifikuar për strehim social, ekziston një kufi maksimal i të ardhurave për person, rreth 47,699 euro në vit dhe rreth 57,000 për person në çifte. Kjo nënkupton se strehimi social është i volitshëm për të rinjtë dhe çiftet e reja të cilët mund të mos kenë të ardhura të larta në fillim.
Ndërkaq në Francë, qytetet me mbi 3,500 banorë (1,500 në rajonin e Parisit) sipas ligjit kërkohen të rezervojnë të paktën 25% të strehimit për banim social. Kjo është pjesë e një përpjekjeje për të luftuar segregacionin dhe për të siguruar që strehimi i përballueshëm të jetë i disponueshëm në të gjitha komunitetet. E përveç qytetarëve me të ardhura të ulëta ekonomike, në Francë, strehimi social u ofrohet edhe punonjësve në sektorë esencial, si mësuesit, policët dhe punonjësit shëndetësorë, veçanërisht në zona urbane ku strehimi është i shtrenjtë.
Libri “Banimi social në Evropë” vlerëson se shtetet evropiane preferojnë ofrimin e banesave sociale më shumë në zona të përziera, sesa në zona të veçuara. Hulumtimi e vlerëson të rëndësishëm edhe lokacionin ku vendosen këto zona, duke përmendur si shqetësim segregimin dhe aspekte tjera që lidhen me integrimin në shoqëri.
Një raport i Agjencisë së Kombeve të Bashkuara, në vitin 2022, përcakton segregimin hapësinor si ndarjen fizike dhe sociale të grupeve brenda një komuniteti, bazuar shpesh në racë, etni, të ardhura apo shënjues tjerë identiteti. Ky segregim manifestohet në lagje të ndara, qasje të pabarabartë në shërbime dhe përjashtim nga hapësirat e përbashkëta. Sipas raportit, segregimi hapësinor dëmton komunitetet e margjinalizuara duke përforcuar pabarazitë, varfërinë e vazhdueshme, kufizimin e qasjes në arsim dhe shëndetësi, thellimin e ndarjeve sociale, shtimin e stigmës dhe izolimin e komuniteteve.
Një model i tillë i zonave të përziera është i implementuar në Prishtinë, ndonëse në shkallë shumë të vogël. Në lagjet si “Bregu i Diellit”, “Ulpiana” e “Dardania”, komuna ka një numër njësish banesore, në kuadër të ndërtesave kolektive të banimit, disa prej të cilave madje janë nga më të kërkuarat dhe me çmimet më të larta për blerje. Aty kryesisht strehohen viktimat e dhunës në familje, në mënyrë që të pamundësohet zbulimi i vendndodhjes dhe të shmanget stigmatizimi.
Pasi pranoi mangësitë e modeleve aktuale të banimit kolektiv social në Hajvali dhe te “Fusha e Pajtimit”, nënkryetari i Prishtinës, Alban Zogaj, thotë se administrata aktuale e komunës është kundër modelit të përqëndrimit të banorëve në nevojë strehimi në ndërtesa të veçanta dhe janë duke diskutuar “shpërbërjen” e kësaj forme të banimit social.
“Çka nënkupton kjo, me i lëvizë familjet, me i vendosë në banesa tjera ku kemi hapësira të lira dhe mandej me bo ndryshime në mënyrë që me u shpërbë kjo ideja e një grupëzimi të këtyre familjeve në një vend të caktuar, sepse më të vërtetë krijojmë një geto, një getoizim, një grup që pastaj e ka vështirë të përfshihet në shoqëri”, thotë Zogaj.
Në këtë konteskt ai përmendi nismën për forma të reja të strehimit, përfshirë kushtëzimin e lejeve të ndërtimit me dhënien e 3.5% të totalit të sipërfaqes në objektet e reja nga investitorë privatë. E para lagje ku do të implementohet kjo politikë është lagjja Kalabria. Në maj të këtij viti ata miratuan planin rregullues për lagjen e Kalabrisë. Ndonëse komuna e sheh këtë plan si nismë për shpërbërjen e modelit të grupimit të banorëve në programin social në ndërtesa të veçuara, hapësira e marrë nga investitorët privatë nëpër ndërtesa nuk do të shfrytëzohet vetëm për banim social. Sipas këtij plani, hapësirat e marra do t’i dedikohen edhe shërbimeve publike tjera pos banimit social, si për shembull çerdhet.
Ndërkohë, komuna pret që brenda një apo dy vitesh të kenë një stok banesash e hapësirash tjera që mund të shfrytëzohen për programin e banimit social.
Zogaj pret që kjo politikë të rezultojë e suksesshme për të shmangur veçimin, duke iu referuar përvojave me njësitë banesore të kombinuara, nga e kaluara, si ajo në Bregun e Diellit te banesat e Standardit. Në vitin 2007, komuna e Prishtinës kishte marrë 49 banesa sipas një marrëveshje me partneritet publiko-privat mes komunës dhe konsorciumit global ‘The Standard’. Megjithatë, pavarësisht se Zogaj e paraqiti praktikën në “Bregun e Diellit” si model të suksesshëm të bashkëjetesës mes banorëve të programit social dhe banorëve tjerë, kjo politikë nuk kishte zbatuar parimin e nevojës për strehim.
Kjo pasi përfituesit e 49 banesave u ishin dhënë për shfrytëzim 49 familjeve, por shumica e përfituesve ishin shërbyes civil të komunës së Prishtinës dhe ish-këshilltarë komunal/asamblistë — 29 prej 49 familjeve — e më së paku përfitues pati prej familjeve në gjendje të vështirë ekonomike, vetëm tri prej tyre. Pjesa tjetër e banesave u është dhënë pjesëtarëve të policisë e pjesëtarëve të ish-Trupave Mbrojtëse të Kosovës, dhe familjeve të dala nga lufta si familjet e dëshmorëve apo veteranët.
Por teksa banimi social është nën përgjegjësinë e qeverive lokale, problem kyç, sipas hulumtimit të FES, është mungesa e strategjisë shtetërore për banimin social. Një projektligj i miratuar së fundmi synon themelimin e një strategjie nacionale për banim.
Ligji për banim social nuk është ndryshuar që nga viti 2010, teksa udhëzimet administrative kanë arnuar disa ndryshime. Qeveritë e njëpasnjëshme ishin zotuar për reforma të banimit social. Kështu ishte zotuar edhe Lëvizja Vetëvendosje (LVV) kur mori mandatin qeverisës në vitin 2021.
Në fillim të muajit dhjetor, Kuvendi i Kosovës miratoi Projektligjin për Banimin Social dhe të Përballueshëm i cili parasheh që qeveria të miratojë strategji kombëtare, për periudhë tetë-vjeçare dhe themelimin e Agjencisë të Banimit, që do ta centralizojë programin e banimit social dhe atij të përballueshëm në nivel nacional.
Ligji, përveç programit social, vë themelet e banimit të përballueshëm, që nënkupton subvencionimin e blerjes së banesës nga çiftet e reja dhe prindërit vetëushqyes.
Ndërkaq, sipas ligjit, nga banimi social përfitojnë ata qytetarë, të ardhurat e të cilëve janë të pamjaftueshme për të siguruar banim adekuat me çmim të tregut dhe se pagesa e qirasë për banim social do të jetë jo më shumë se 30% e të ardhurave të familjes.
Ligji parasheh së paku 17 kategori apo grupe të synuara të banimit social dhe të përballueshëm. E vetmja kategori e re që shtohet në këtë projektligj është të rinjtë, pa ndonjë specifikim të mëtutjeshme.
Për më shumë, ligji parasheh edhe rinovimin e ndërtesave të tanishme te banimit social dhe shtimin e njësive banesore të dedikuara për këtë banim social. Ligji parasheh edhe blerjen me kushte të favorshme të njësive të banimit me qëllim të përdorimit për banim social, por edhe partneritetin publiko-privat.
Kjo do të mund t’i hapte rrugë praktikmit në masë më të gjerë të modelit të njësive të banimit të shpërndara nëpër ndërtesa kolektive private dhe jo përqendrimit të tyre në ndërtesa të veçuara.
Megjithatë, edhe ligji ri vazhdon ta mbështesë modelin e ndërtesave të veçuara, duke paraparë ndërtimin e ndërtesave të veçanta nëpër komuna. Po ashtu, ndonëse parasheh rinovimin e ndërtesave të tanishme të veçuara, ligji nuk duket se themelon ndonjë mekanizëm për shpërbërjen e modelit të veçimit të qytetarëve në nevojë për strehë.
Ndërkohë, më 29 nëntor, një javë para miratimit të ligjit në Kuvend, kryeministri njoftoi për shpalljen e tenderit për “ndërtimin e objekteve për banim të përballueshëm” në komunat Pejë, Istog, Gjilan dhe Podujevë, duke shtuar se do të sigurohet “banim i dinjitetshëm, jo vetëm strehim”. Jetësimi i këtij projekti vlerësohet të kushtojë rreth 38 milionë euro dhe punimet parashihet të zgjasin deri në 36 muaj apo tri vjet. Sipas njoftimit për tender, Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor ka kryer dy studime fizibiliteti për këtë projekt, ndamas për banimin social dhe ndamas për banimin e përballueshëm.
Megjithëse ligji përfshin të dyja banimet në një ombrellë, kryerja e studimeve të fizibilitetit veçmas mund të sinjalizojë se do të vazhdojë veçimi i këtyre kategorive.
Plotësimi i ligjit me akte të reja udhëzime administrative, do të tregojë më saktë nëse ndërtesat e reja do të kenë strukturë të përzier banorësh, duke mos i veçuar qytetarët që përfitojnë nga skema e banimit social — apo do të jenë ndaras sikurse studimet e fizibilitetit dhe ta vazhdojnë praktikën e veçimit.
Redaktore përgjegjëse: Gentiana Paçarizi.
Imazhi i ballinës: Fatlum Jashari / K2.0.
Ky artikull u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.