Të qenit një aktivist/e është një përpjekje e vazhdueshme. Është rrugëtim me këmbëngulje drejt drejtësisë shoqërore e barazisë. Është rrugëtim që sjellë ndryshim, por njëkohësisht edhe angazhim i vështirë, që kërkon ushqyerje të vazhdueshme të besimit në ndryshim, kërkon gjetje të vazhdueshme të fuqisë për t’u angazhuar. Brengat tona marrin kuptim tjetër, kur ato i paraqesim para komunitetit tonë, lokal apo tutje, duke u dhënë zë të fuqishëm, zë që zhurmon e nxit ndryshim. Bashkë në rrugëtimin tonë, si të rinj e të reja, aktivizmi mendoj që fillon me dëshirën të për të pasur një rol në shoqëri, e në të njejtën kohë, fillon me pyetje e shqetësim rreth asaj se përse janë gjërat ashtu siç janë apo se a duhet që ato të jenë ashtu siç janë.
Duke u angazhuar fillimisht ngapak në aktivitetet që prekin temat të cilat na pëlqejnë, na tërheqin vëmendjen e na preokupojnë, thellojmë njohuritë tona rreth atyre temave dhe shpesh, ato tema bëhen pjesë e jona, e asaj që jemi. Shndërrohen në çështje me të cilat identifikohemi e me të cilat na identifikojnë e asociojnë edhe të tjerët.
Por, shndërrohen edhe në themele mbi të cilat nganjëherë na shohin edhe negativisht, na vendosin nofka e përçmim. Prandaj, ndodh që sado sublim të na duket qëllimi ynë e sado e rëndësishme të na duket të shprehim paknaqësitë tona, të ndeshemi me keqkuptime, mungesë të mbështetjes, gjë që na e bën më të vështirë ta gjejmë udhën, që e ndihmon nismën tonë.
Një çështje që sipas meje nuk pritet mirë është angazhimi aktivist në nisma që lidhen me ndërtimin e paqes midis Kosovës dhe Serbisë. Qasja ndaj aktivistëve/eve që angazhohen në këtë drejtim, nganjëherë bazohet në një ide që ne angazhohemi në dëm të shtetit tonë.
Kurreshtje e zell për dije
Duke u nisur nga kurreshtja për njohje më të mirë të çështjeve që lidhen me paqen dhe ndërtimin e saj në aspektin kulturor dhe nga dëshira për të njohur njerëz të rinj, një prej formave të para të aktivizmit që kam nisur është lidhja e të rinjve e të rejave nga Serbia dhe Kosova.
Organizatat e ndryshme në Kosovë, që kanë bashkëpunime me ato të vendeve tjera të Ballkanit, organizojnë trajnime, konferenca, punëtori, vizita, që mëtojnë t’i lidhin shoqëritë që vijnë nga vende që kanë dalur nga lufta e konflikti në hapësira të diskutimeve të përbashkëta e shkëmbimeve të përvojave.
Dialogu i parë mes të rinjëve/rejave të Kosovës dhe Serbisë në të cilin mora pjesë, në pranverën e vitit 2021, ishte fillimi i këtij rrugëtimi, i cili ende vazhdon. Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut (YIHR), kishte organizuar një takim tre-ditor me qëllim që të ndajmë përvojat tona dhe kujtimet, qofshin të përjetuara prej nesh, qofshin të mbledhura prej rrëfimeve të familjarëve tanë për luftën e viteve 1998-1999 në Kosovë.
Ishte ndër herët e para kur gjendesha në një dhomë me qytetarë të komuniteteve të ndryshme etnike në Kosovë për të folur e mbi të gjitha, për të dëgjuar rrëfenjat e tyre. Ishte po ashtu një ndër të parat herë kur flisnim edhe me të rinj/reja nga Serbia rreth këtyre kujtimeve. Secili rrëfim ishte ndryshe dhe ngjallte emocione në ambientin ku ndodheshim — sy të përlotur dhe më shumë empati ndaj njëri-tjetrit. Ky shkëmbim ushqeu lidhje më të forta, më të njëmendëta mes nesh. Është ndryshe kur përmes rrëfimeve, sikur sheh me sytë e tu ato që lufta i ka lënë pas. Ndjenjat e forta të rrënqethin trupin dhe pyetjet e vazhdueshme që sillen në kokë: Përse diçka e tillë ende nuk po flitet në mesin tonë?
Ndoshta kjo përvojë e parë nuk ka qenë me qëllimin për të vazhduar aktivizmin në këtë fushë, por u bë fillimi i një ambicieje për të mësuar më shumë, për të folur e për të dëgjuar — për të kuptuar se çka vërtet nënkupton paqja. Për të marrë pjesë edhe vetë në mënyrën se si ndërtohet vetë të kuptuarit për paqen — nocion që shpesh është përmendur vetëm në terma abstraktë e rrallë është bërë diçka, të paktën në rrafshin institucional, që njerëzve t’u krijohet mundësia të flasin se çka presin e çka u duhet për t’u shëruar e për të gdhendur paqen e vet.
Entuziazmi i të rinjve e të rejave tjerë/a, që po ashtu kanë zgjedhur këtë aktivizëm, ka qenë shtysë për të vazhduar. Ky nivel i të të besuarit në kauzë është kritik, sidomos për aktivistët/et e rinj.
Një ngjarje tjetër, e cila ka një rol të dukshëm në rrugëtimin e këtij aktivizmi e që më ka mësuar më shumë rreth proceseve të ndërtimit të paqes, është një projekt i gjatë mes Kosovës, Bosnjë dhe Herzegovinës dhe Serbisë. Nga takimi i parë në dhjetorin e vitit 2022, ku nga 20 përfaqësues/e nga secili shtet, ishin mbledhur me qëllimin për të treguar përvojat e tyre, u ndërtua një bashkëpunim që vazhdoi deri në marsin e vitit 2024.
E mira e programit ishte që ka qenë mjaftueshëm i gjatë që ne të ndanim shqetësimet tona për shtetet prej nga vinim, por edhe të krijonim lidhje më të qëndrueshme e edhe strategji më gjithpërfshirëse për t’u përballur me faktorët që pengojnë paqen. Kishim më shumë kohë për t’i instrumentalizuar më mirë edhe faktorët që e ndihmojnë atë nëpër shtetet tona.
Politika, kultura, sistemi i edukimit ishin ndër temat kryesore të takimeve. Po ashtu, shqyrtonim format dhe burimet prej të cilave informohemi, duke vështruar në mënyrë kritike sidomos mbulimin medial dhe gjuhën e urrejtjes, e cila vazhdon të mbetet e pranishme. Mendimet për mënyrën se si udhëheqësit/et tanë politikë ndikojnë në paqen dhe stabilitetin rajonal, dallonin dukshëm në mes të pjesëtarëve nga të tri shtetet. Kishte edhe mendime dhe komente që flasin vetëm për një anë të medaljes. Ishte ndonjëherë e çuditshme të dëgjosh versione të asaj që njihet si realitet në një vend tjetër, për ngjarjet apo realitetin, të cilin e njeh krejt ndryshe, në vendin prej nga vjen. Kjo në vetvete ishte përvojë e dobishme, syhapëse.
Flisnim për ndryshimet dhe zhvillimet e vazhdueshme, si në aspektin politik, ekonomik e të fushave të tjera që ndërlidhen me rolin e qeverisë, ku ne jo domosdo kemi qasje të lehtë për të ndryshuar rrjedhën e ngjarjeve e proceseve. Kufizimet tona si aktivistë/e në këtë fushë janë të dukshme, por forma jonë e përfshirjes është aktivizmi ynë dhe ajo mjafton, për aq kohë sa është i zëshëm, i vazhdueshëm e i ndjerë.
Ndarja e përvojave në këtë nivel të thellë, me persona që ndajnë prapavijë dhe mendime ndryshe nga unë e zgjeroi horizontin dhe krijoi më shumë vend për mendjegjerësi. Njëkohësisht nuk ishte gjithmonë e këndshme të kisha biseda me dikë që e di se ndan një botëkuptim krejt ndryshe nga i imi, mirëpo edhe kjo i jep ngjyrim mendimeve tona. Dhe kjo është shpeshherë pjesë e rrugëtimit të aktivistëve/eve — biseda, ku mendimet rreth të kaluarës dhe historisë së rajonit (e më tutje), ndeshen. E rëndësishme është të dëgjojmë dhe të mësojmë se kah e si janë ndërtuar botëkuptimet tona. Kështu mund t’i sfidojmë ato që nuk na shërbejnë. Qëndrimi jonë mendjehapur dhe gjithmonë në gjueti për njohuri të reja, ka qenë nga karakteristikat më të rëndësishme të aktivizmit tonë.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.