17 shkurti i vitit 2008 nuk ishte hera e parë që Kosova shpalli pavarësinë. Ishte e dyta. Shpallja e parë ndodhi më 19 tetor 1991 — vetëm pak muaj pasi Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë nga Jugosllavia, më 25 qershor 1991.
Për fat të keq, shpallja e pavarësisë së Kosovës në vitin 1991 është lënë në harresë dhe në hijen e shpalljes së njohur të vitit 2008. Megjithatë, është thelbësore të ringjallet kujtimi i ngjarjes së vitit 1991, përpara se ky moment historik të zbehet nga vetëdija jonë kolektive.
Çfarë ndodhi në Kosovë atë vjeshtë dhe pse është e rëndësishme ta kujtojmë?
I lindur në vitin 1997 në Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA), isha 11 vjeç kur Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008. Si shumë shqiptarë në moshë më të re, u rrita duke ditur vetëm për këtë moment, pa qenë në dijeni se Kosova e kishte shpallur për herë të parë pavarësinë në vitin 1991. Nuk e zbulova këtë kapitull të hershëm të historisë sonë deri në përvjetorin e shtatë të pavarësisë së vitit 2008, kur babai më tregoi për shpalljen e vitit 1991. “Ne duhet ta festojmë atë shpallje,” tha ai. “Është turp që e kemi harruar.”
Por, përpara se të kuptojmë deklaratën e vitit 1991, duhet fillimisht të shqyrtojmë kontekstin. Në mars të vitit 1989, Kosova u privua nga autonomia e saj nga shteti jugosllav nën udhëheqjen e Slobodan Milošević. Ky vendim rezultoi në krijimin e një sistemi brutal, të ngjashëm me aparteidin, në të cilin shqiptarët shtypeshin sistematikisht. 90% e shqiptarëve humbën vendet e tyre të punës, duke u detyruar të përballen me vështirësi të mëdha ekonomike dhe duke vënë në rrezik mbijetesën e familjeve të tyre. Dhuna e mbështetur nga shteti u shpeshtua dhe shqiptarëve nuk u mbet zgjidhje tjetër veç të krijonin institucione paralele për të siguruar qeverisjen, arsimin dhe kujdesin shëndetësor.
Më 2 korrik 1990, Kosova u vetëshpall republikë e barabartë, krahas gjashtë republikave të tjera të Jugosllavisë. Dy muaj më vonë, më 7 shtator 1990, në fshehtësi dhe nën kërcënimin e represionit serb, u miratua Kushtetuta historike e Kaçanikut, e cila shpalli guximshëm identitetin politik dhe juridik të Kosovës, duke hedhur themelet për shtetësinë e saj të ardhshme, e cila do të shpallej zyrtarisht një vit më vonë. Ndryshe nga disa keqkuptime, shpallja e 2 korrikut nuk ishte një akt i pavarësisë së plotë që e bënte Kosovën shtet sovran. Ajo ishte një deklaratë pavarësie nga Serbia, republika dominuese në Jugosllavi, brenda së cilës Kosova kishte qenë një krahinë autonome.
Në vjeshtën e vitit 1991, pasi Sllovenia dhe Kroacia shpallën pavarësinë nga Jugosllavia, edhe Kosova bëri hapa të rëndësishëm drejt pavarësisë. Më 22 shtator 1991, Kuvendi vendosi të organizojë një referendum për sovranitetin dhe pavarësinë e Kosovës. Referendumi u mbajt nga 26 deri më 30 shtator, ku morën pjesë 87% e 1,051,357 votuesve të regjistruar. Pjesëmarrja në të mbartte rreziqe të konsiderueshme dhe mund të çonte në arrestim dhe burgim. Megjithatë, një shumicë dërrmuese prej 99% të votuesve mbështetën Kosovën si një shtet sovran dhe të pavarur, me vetëm 164 vota kundër dhe 933 fletëvotime të shpallura të pavlefshme.
“Sot po votojmë për vete”
Gjatë hulumtimit rreth këtij momenti në historinë e Kosovës, ka qenë mjaft sfiduese qasja në informacionet më themelore. Pjesa më e madhe e informacioneve që kam grumbulluar është nga “Bujku”, një gazetë që vazhdoi trashëgiminë e “Rilindja”, gazetës së njohur gjatë viteve të ‘90-a. Pavarësisht represionit dhe censurës, “Rilindja” kishte vazhduar punën për vite me radhë, duke shërbyer si zë i shqiptarëve të Kosovës dhe si një element kyç në përpjekjen e Kosovës për vetëvendosje, përpara se të ndalohej nga autoritetet serbe në gusht të vitit 1990.
Edhe pse “Bujku” nuk është më në qarkullim, shumica e shkrimeve nga ajo periudhë janë të arkivuara në një faqe private, e krijuar dhe e organizuar nga Kushtrim Visoka, me një sistem të lehtë për përdorim, që u mundëson lexuesve t’i gjurmojnë vetë këto të dhëna historike.
Gjatë shqyrtimit të arkivave të “Bujku” nga fundi i shtatorit deri në tetor të vitit 1991, hasa në disa rrëfime goditëse që tregonin për emocionin dhe rëndësinë e referendumit të pavarësisë së Kosovës në vitin 1991. Aty paraqitet një pasqyrë e qartë e një populli të vendosur për të pohuar sovranitetin e tyre pavarësisht sfidave të mëdha.
Një nga këto rrëfime flet për 105-vjeçarin, Tefik Rexhepi nga Gelanca e Suharekës, i cili tha se ishte hera e parë në jetën e tij që kishte rastin të votonte për sovranitetin e Kosovës, duke shpresuar që brezat e ardhshëm të mund të jetojnë të lirë në Republikën e pavarur të Kosovës. Në fshatin Henc, “Bujku” ka raportuar se i gjithë komuniteti kishte dalë për të votuar, duke përfshirë edhe të moshuar, të cilët mezi kishin mundur të qëndronin në këmbë. Në mesin e tyre ishin edhe tre vëllezër: Agushi, Selmani dhe Hamdiu, të cilët ishin të gjithë mbi 70 vjeç. Agushi, më i moshuari, qëndronte në radhë me lot në sy, duke thënë: “Deri sot votuam, shpesh, por gjithmonë për të tjerët, e sot po votojmë për vete, për Kosovën sovrane dhe të pavarur”.
Një tjetër rrëfim nga Ferizaji përfshinte 97-vjeçarin, Emin Hasani, i cili e përshkruante referendumin si një moment historik: hera e parë në 79 vjet që shqiptarët patën mundësinë të shprehin lirshëm vullnetin e tyre politik të shtypur prej kohësh. Hasani, me gjasë po i referohej vitit 1912, viti kur Shipëria shpalli pavarësinë. Sabrushe Tërnava, nënë e tre fëmijëve, dhe Feride Tërnava, studente nga Nakarada, mezi e përmbanin gëzimin e tyre teksa hidhnin votat. “Bujku” raportoi se dy gratë shpresonin të ndërtonin një shtet të lirë ku do të mund të gëzonin jetën pas kaq shumë vuajtjesh.
Veçanërisht, vlen të theksohet që “Bujku” dokumentoi se referendumi kaloi përtej kufijve etnikë. Në qendrën e votimit nr. 6 në Ferizaj, Živka Sopa, një serbe etnike, hodhi votën e saj — një shembull i rëndësishëm se si në referendum, edhe pse i udhëhequr kryesisht nga shqiptarët, morën pjesë edhe individë përtej komunitetit shumicë. Në Mamushë, një komunë me shumicë turke, rreth 2,500 banorë turq morën pjesë në referendum. Boshnjakët dhe romët gjithashtu votuan pro një Kosove të pavarur, duke ilustruar natyrën multietnike të lëvizjes.
Gjatë kërkimit në arkivat e “Bujku”, gjeta gjithashtu emrin e Refik Currit nga Hani i Elezit, i cili ishte 30 vjeç kur u arrestua, më 28 shtator 1991, për pjesëmarrje në referendum. Arrita ta kontaktoj atë përmes telefonit. Refiku kujton ditën kur u arrestua:
“Ata [policët serbë jugosllavë] më futën në pjesën e pasme të një makine policie ‘Zastava 101’. Kur mbërritëm në stacion, veçse ishte mbledhur një turmë shqiptarësh, pasi kishin dëgjuar për arrestimin tim. Gjersa oficerët dolën jashtë, ata filluan të fshinin pluhurin nga xhamat e makinës – Hani Elezit, një qytezë e njohur për fabrikën e saj të madhe të çimentos, ishte gjithmonë i mbuluar me pluhur. Por ata nuk përdorën diçka të thjeshtë për të pastruar dritaret – përdorën flamurin tonë kombëtar shqiptar. Kjo më zemëroi mua dhe shqiptarët e tjerë.”
Pavarësi sipas kushteve të shqiptarëve
Më 19 tetor 1991, Kuvendi i Republikës së Kosovës shpalli zyrtarisht rezultatet e referendumit, duke konfirmuar statusin e Kosovës si shtet i pavarur. Me 99.87% të votave pro dhe me pjesëmarrjen e mbi dy të tretave të votuesve të regjistruar, referendumi ishte një sukses dhe një shprehje e padyshimtë e vullnetit të popullit. Edhe pse i mungonte procesi formal, i ndërmjetësuar ndërkombëtarisht si i vitit 2008, referendumi i vitit 1991 mund të shihet si një shpallje de-facto e pavarësisë dhe një akt anti-kolonial. Njohja e rezultateve të referendumit nga Kuvendi e konfirmoi shtetësinë e Kosovës, duke shënuar një hap vendimtar në shpalljen e pavarësisë së saj. Ditë më vonë, më 21 tetor 1991, Shqipëria u bë vendi i parë dhe i vetëm, që njohu pavarësinë e Republikës së Kosovës.
Pas kësaj shpalljeje, Ibrahim Rugova, një nga themeluesit e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), u zgjodh presidenti i parë, ndërsa Bujar Bukoshi u bë kryeministri i parë. Ndërsa thirrjet për pavarësi ishin shprehur në mënyra të ndryshme më herët, LDK luajti një rol qenësor në vitet e ‘90-a duke konsoliduar institucionet e para paralele të Kosovës dhe duke udhëhequr rezistencën politike kundër sundimit serb. Partia adoptoi një strategji të rezistencës pasive, duke synuar të fitonte njohje ndërkombëtare dhe të shmangte përplasjet e drejtpërdrejta me forcat serbe. Megjithatë, me intensifikimin e shtypjes koloniale nga Serbia dhe dështimin e përpjekjeve diplomatike për të sjellë rezultate konkrete, kufizimet e kësaj qasjeje u bënë të dukshme. Deri në vitin 1997, me daljen publike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), rezistenca e armatosur u shndërrua në një komponent thelbësor të luftës së Kosovës për liri.
Shpallja e pavarësisë në vitin 1991 ka një rëndësi shumë më të madhe sesa ajo që pasoi në vitin 2008. Deklarata e vitit 1991 ishte plotësisht e fuqizuar nga populli dhe përfaqësonte një akt qëndrese që afirmonte dinjitetin moral të shqiptarëve të Kosovës pas dekadash shtypjeje sistematike. Pavarësia u shpall sipas kushteve të Kosovës, e rrënjosur në luftën kolektive dhe vetëvendosje, shumë kohë përpara se kornizat e imponuara të “pavarësisë së mbikëqyrur” nga Perëndimi dhe negociatat ndërkombëtare të përcaktonin kushtet për shtetësinë.
Në të kundërt, shpallja e vitit 2008, ndonëse e rëndësishme për sigurimin e njohjes ndërkombëtare, u formësua më shumë nga kompromise të jashtme sesa nga vullneti i popullit. Korniza e propozuar nga figura si Martti Ahtisaari mund të ketë legjitimuar pjesërisht pavarësinë tonë në sytë e botës, por gjithashtu rrezikonte të zvogëlonte sakrificat e viteve 1990. Gjatë kësaj periudhe, Kosova përjetoi shtypje brutale në një shtet policor racist dhe kolonial, ku vrasjet e shqiptarëve kaluan pa u ndëshkuar.
Prapëseprapë, ne treguam dinjitetin dhe vendosmërinë për të shpallur pavarësinë tonë sipas kushteve tona. Krijuam sisteme paralele me udhëheqësit tanë, shkolla, klinika dhe medie — jo sepse ishim fizikisht të lirë, por sepse refuzonim të prisnim që liria të na jepej. Me fjalë të tjera, pavarësia nuk na u dha — ne e morëm atë në vitin 1991, edhe pse vetëm Shqipëria e njohu atë në atë kohë.
Votimi përkundër rreziqeve
Nuk mund të mos mendoj për njerëz si Rexhepi, 105-vjeçari, i cili, pasi ka jetuar përgjatëLuftërave Ballkanike të vitieve 1912-13 dhe të dy luftërave botërore, doli për herë të parë të votojë për një Kosovë të pavarur. Vota e tij, së bashku me shumë të tjera, përfaqëson jo vetëm dëshirën për pavarësi, por një jetë plotë luftë.
Po ata që rrezikuan gjithçka për të votuar në fshehtësi, duke ditur rrezikun që iu kanosej nga policia? Shumë qytetarë të zakonshëm — Zymrie Aliu, Selami Latifi, Abdyrrahim Mahmuti, Rrahim Morina, Banush Krasniqi, Ali Berisha, Arsim Sejdiu, Hajrie Morina e shumë të tjerë/a — u arrestuan gjatë përpjekjes për të votuar. Këta individë që sakrifikuan sigurinë e tyre janë po aq të rëndësishëm për historisë sonë sa çdo shpallje zyrtare. Duke shpërfillur vitin 1991, ne harrojmë guximin e tyre dhe rolin thelbësor që ata/o luajtën në formësimin e së ardhmes së Kosovës.
Gjatë hulumtimit rreth kësaj teme, u bëra kureshtar nëse kishte të tjerë në Kosovë që kishin shkruar për të. Shkrova fjalë kyçe përkatëse në Google, duke shpresuar të gjeja diçka, por pa sukses. Dukej se deklarata e vitit 1991 nuk ishte gjerësisht e njohur në diskutimet historike. Më pas, për habinë time, pasi përdora funksionin e kërkimit të fjalëve kyçe në rrjetin social, Facebook, hasa në një postim të rastësishëm, por të jashtëzakonshëm nga dikush i quajtur Adnan Mustafa, i shkruar në përvjetorin e tetë të Ditës “zyrtare” të Pavarësisë së Kosovës, 17 shkurt 2008.
Në postimin e tij thuhet: “Atë ditë [17 shkurt 2008] dola me festue me familjen veç për nji arsye. Me i gëzue fëmijët. Pavarësia për mue ishte shpallë nga Kuvendi i Republikës së Kosovës pas Referendumit për Pavarësi. Më 19 tetor 1991. Kjo asht pavarësia autentike. 17 shkurti asht veç nji pavarësi mediatike.”
Postimi i Mustafës më la shumë përshtypje dhe mezi prisja ta kontaktoja për ta pyetur, jo vetëm për perspektivën e tij, por edhe për përvojën e tij gjatë referendumit të shtatorit 1991 dhe shpalljes së mëvonshme të pavarësisë. Fatkeqësisht, më vonë mësova se ai kishte vdekur në vitin 2017.
Nuk arrita të kontaktoja me familjen e Mustafës, por rashë në kontakt me një mik të tij, Pal Bala. E takova Balën në një kafene në Prishtinë dhe ai më tha se politikanët kosovarë bënë gabim në vitin 2008 duke mos përmendur Referendumin e vitit 1991 në Deklaratën e Pavarësisë, të miratuar nga Kuvendi i Kosovës më 17 shkurt 2008. Ai argumentoi se në vend që të etiketohej si shpallje e pavarësisë, duhej të ishte rikonfirmim i vendimit autentik të popullit në vitin 1991.
Përsa i përket dy ditëve tona të pavarësisë, disa mund të theksojnë se Kosova dhe populli i saj ishin në një situatë shumë më të mirë në vitin 2008. Ata mund të argumentojnë se shpallja e vitit 1991 nuk çoi në pavarësinë e vërtetë dhe se jeta për shqiptarët në Kosovë në vitet pasuese ishte brutale. Megjithatë, kjo perspektivë anashkalon jo vetëm natyrën simbolike dhe dinjitoze të shpalljes së pavarësisë së vitit 1991, por gjithashtu nuk e njeh faktin se shumë shtete shpallën pavarësinë e tyre shumë para se të arrinin lirinë e plotë.
Për shembull, Bosnja dhe Hercegovina e feston pavarësinë më 1 mars (1992), pavarësisht tmerreve që pasuan, duke përfshirë gjenocidin e kryer nga serbët e Bosnjës në Srebrenicë dhe rrethimin katër-vjeçar të Sarajevës. SHBA, e cila feston pavarësinë e saj më 4 korrik (1776), nuk ishte plotësisht sovrane dhe e pavarur deri në Traktatin e Parisit në vitin 1783.
Interesant është fakti se teksa shqyrtoja arkivat e “Bujku”, hasa në një shkrim gazete të 29 shtatorit 1991, dita e katërt e referendumit. Nëntitulli thotë: “Çfarë është ajo liri, në të cilën duhet të votosh tinëz? – E pritëm edhe pavarësinë. Tash radhën e ka liria.” Kjo pasqyron thelbin e asaj se si e shihnin njerëzit shpalljen e pavarësisë në vitin 1991: pavarësia ishte shpallur, por duhej ende kohë që të arrihej liria e vërtetë.
Do të doja të përfundoja me një citat nga shkrimtari dhe aktivisti i njohur afro-amerikan për të drejtat civile, James Baldwin, nga eseja “Notes for a Hypothetical Novel” në përmbledhjen e tij “Nobody Knows My Name”. Baldwin shumë bukur thotë: “Liria nuk është diçka që mund t’i jepet dikujt; liria është diçka që njerëzit e marrin.”
Ne morëm lirinë më 19 tetor 1991. 17 shkurti i vitit 2008, bashkë me ditët që pasuan, ishte kur shumica e botës, më në fund, pranoi atë që ne e kishim shpallur vetë, 16 vjet më parë.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0
Shënim i redaksisë (20 shkurt 2025): Versioni origjinal i këtij artikulli përfshiu një fjali ku thuhej se Kuvendi i Kosovës u shpërbë në vitin 1989. Ajo fjali u hoq, pasi Kuvendi ishte shpërbërë në vitin 1990.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.