Finalja e humbur e bujqve - Kosovo 2.0

Finalja e humbur e bujqve

Në kërkim të jetës më të mirë, rinia po i lë fushat dikur plot të Krushës së Madhe.

“Ma fisnike osht qajo që e bojsh
edhe e hajsh me djersë”,
më kishte thënë Imeri.

Kur kalon nëpër Krushë të Madhe, përveç maleve të larta që rrinë anash fshatit, në të dy anët e rrugës të mbështjellin tokat ku rriten lakra, speca, domate, patate, tranguj, qepë e dredhëza.

Në fund të një rrugice të ngushtë, midis një sere në të majtë dhe një fushe plot qepë të reja në të djathë, ndodhej Kolibja e Muharremit, siç i thonë në fshat. Një shtëpi e vogël prej druri, në ballë të së cilës rrinte gdhendur “Korr e ha”. Përballë kolibes, një luhatëse druri bartte lehtas poshtë e lart një burrë rreth të 50-tave. Tre burra tjerë po rrinin në këmbë nën hijen e kolibes.

Pasi u përshëndetëm me të gjithë, Muharremi Hoti, 58-vjeçar, shtatlartë, me flokë të thinjura dhe sy të kaltër që ia jepnin energjinë e një 20-vjeçari që veç sa iu është rrekur fushave, na ftoi brenda kolibes së tij. Atë e kishte ndërtuar vetë para disa vitesh pasi shumicën e kohës prej janarit deri në tetor rrinin në fusha dhe duhej të mbroheshin nga dielli muajve të verës. 

Karriget e improvizuara prej druri i ndante një tavolinë e gjerë dhe e ulët druri, ku shumë shpejt do të zinin vend dredhëzat e sapo këputura. 

Bashkë me Muharremin, përballë meje u ul edhe Imer Duraku, burri nga luhatësja. Imeri, 54-vjeçar, më i vrazhdë në fytyrë dhe me ton më serioz në bisedë më tregoi se ishin mësuar të prisnin e përcillnin politikanë, kryetarë komunash, turistë, vizitorë e gazetarë. Me shaka tregonin se si bujqit e tjerë të fshatit u thonë shpesh se “vetëm juve ju shohim në televizor duke folë për bujqësi”.

Ende nuk e kisha nisur incizimin e bisedës, kur Imeri më tha se punën që dikur e kryenin diku 50 vetë, tash e kryejnë vetëm dy-tre persona. Teknologjia e ka zëvendësuar në masë të madhe nevojën për fuqi punëtore, së paku në disa hallka të procesit, sidomos në atë të mbjelljes së fidaneve.

Dikur gati krejt fshatin prej 8 mijë banorësh do të mund ta gjeje nëpër fusha, duke mbjellë, ujitur e korrur të mbjellat, më tregonin ata në theksin e tyre tipik të asaj ane. 10 vitet e fundit, bujqit mund t’i numërosh në gishta. Të gjithë kanë hequr dorë nga fushat meqë s’kanë fitim prej tyre. Por, Imeri shton se ajo kohë ka qenë edhe kohë e vrazhdë. Ai ia kishte filluar punën në këto fusha qysh kur ishte 13 vjeç. Bashkë me burrat dhe djemtë e fshatit rrinin prej mëngjesit, në pikë të “zhegut” e deri në mbrëmje në fusha. Atëherë, prisnin “sillën” në ora 10 të mëngjesit dhe drekën në ora 14, të cilat ua sillnin bashkëshortet me tepsi mbi kokë.

Muharremi më tregon se me bujqësi merret prej kur “ka le”. Kishte nisë të dilte me babain e tij në moshën 7-vjeçare “për me shkepë rasad” e sot e asaj dite nuk ishte larguar nga ato toka. Bile, babai i tij, i cili kishte ndërruar jetë para dy muajsh, ishte marrë me këto fusha deri në ditët e fundit të jetës.

Muharremi e Imeri ishin një tandem prej vërteti. Sapo Muharremi tregonte diçka për punën e tyre, Imeri e vazhdonte rrëfimin duke ia shtuar edhe argumentimin shkasor, ndonjëherë duke e kundërshtuar dhe duke e lutur të “mos e ndërronte temën”.

Të dytë kanë nga tetë hektarë tokë që i menaxhojnë, shumicën e marrë me qira nga bashkëfshatarët. Ndonëse parcelat i kanë në anë të ndryshme të fshatit — ato të Muharremit shtrihen me një vend, të Imerit në pjesë të ndryshme të fshatit — kalonin shumë kohë bashkë duke i shkëmbyer mjetet teknike, duke qarë hallet, e ndonjëherë duke mos u pajtuar.

Që prej janarit, ata ia fillojnë punën prej orëve të hershme të mëngjesit dhe kthehen prapë në ora 12 në mesnatë për t’i ujitur të mbjellat. Puna shpeshtohet sidomos gjatë muajve të verës. 

“Nja 2 muj ditë unë se di as kur flej as kur çohna”, më tregon Imeri. Ai pos që rritë kultura të njëjta si krushjanët e tjerë, kultivon edhe shafran, një prej erëzave që njihet si “ari i kuq” pasi kërkon shumë përkushtim e durim. Një lule shafrani ka vetëm tri stigma — fije — të cilat hiqen me dorë dhe kultivohen tutje për ta prodhuar erëzën. Për gjysmë kilogrami shafran, duhet t’u hiqen fijet me dorë 75,000 luleve. 

Pasi i korrnin të mbjellat, i dorëzojnë produktet te katër pika grumbulluese e përpunuese në Kosovë, disa që i shesin në treg të brendshëm, tjerat për eksport. Një ndër to ishte edhe fabrika “Kooperativa e Krushës”, e udhëhequr nga Fahrije Hoti. Ajo është një nga 200 gratë e Krushës së Madhe që humbën bashkëshortët gjatë luftës në Kosovë, ndërkohë që pas luftës punësoi 50 nga to në këtë fabrikë. Një nga ikonat e këtij fshati, Fahrija inspiroi filmin “Zgjoi” (Hive). 

Të dytë kishin veshur sipër një jelek të gjelbërt ku në anën e majtë të gjoksit shkruante “Agronom”.
I pyeta se mos kjo ishte kompania e tyre. “Na i kanë falë”, më thanë njëzëri duke qeshur. Ata s’kishin kompani të tyren. Anipse s’kishin punuar kurrë diçka tjetër, as s’kanë pasur ndonjëherë kontratë të shkruar dhe me gjithë mundin e bërë ndër vite, asnjë euro nuk figuron në trustin e tyre pensional. 

“Rinia nuk shohin perspektivë në bujqësi, shkon argat, kur e kryn, je kërkushi, kështu ma mirë shkon e merr një zanat”, thotë Muharremi. “Kjo është punë sezonale”, e plotëson Imeri. Sipas Muharremit, gjatë dy viteve të fundit të rinjtë kanë hequr dorë nga bujqësia, ndërkohë që Imeri e sqaron se kjo
ka qenë graduale, por se tash vihet re edhe më shumë për shkak se veç një numër shumë i vogël i të rinjve merret me bujqësi.

Dhe ndonëse të dytë flasin për kohën e pasluftës si shenjues i periudhës kur krushjanët nuk merren më me bujqësi, të dyve u kujtohet 28 gushti i vitit 1993. “Breshëri na ka pasë ra, na e ka pasë shymë krejt fshatin dhe 200 t’ri janë nisë mrena javës për gurbet”, tregon Muharremi. 

Përveç migrimit nëpër vende të tjera, fuqinë punëtore e ka prekur edhe migrimi i brendshëm që
nga paslufta. Qytetet, si zona më të zhvilluara ekonomikisht dhe me më shumë mundësi për punë,
i kanë tërhequr njerëzit nga fshatrat duke i prekur më shumë ato të varura nga bujqësia.

Mungesës së fuqisë punëtore, i është shtuar edhe rritja e çmimeve dy vitet e fundit. Edhe pa rritjen e çmimeve, çdo pranverë, të dytë marrin kredi për t’i mbuluar shpenzimet e fushave. 

“Ju që jeni në Prishtinë, mundet me ju dokë shtrejtë se bleni prej tregtarit, po na hala e shesim 30 cent prodhimin”, thotë Muharremi, duke shtuar se kohëve të fundit, rritja e çmimeve ua ka vështirësuar punën më së shumti që prej pas luftës. 

E në atë 30 cent hyjnë qiraja e tokës, produktet për kultivimin, forca punëtore, që në finale — siç e quajnë muajin tetor kur i shesin produktet e tyre dhe mund ta shohin bilancin e tyre financiar — fitimi i tyre është simbolik.

“Kur shkon me ble në treg, ta merr mendja sa shumë fiton bujku, bohet qirak”, më thotë Imeri. “Po kur kqyrë kah ana jonë, thu qysh po mbijetojnë”. 

Por, sipas tij, ndër vite, qeveria e Kosovës nuk e ka pasur në fokus zhvillimin e bujqësisë dhe prodhimit vendor. Veç në muajin janar, Kosova ka importuar pesëfish më shumë mallra se sa që ka eksportuar. Imerin e pyes se çka duhet të ndryshojë në politikat e bujqësisë. Teksa liston dhjetra gjëra që mund të bëhen me qëllim të nxitjes së punimit të tokave nëpër fshatra thotë se ka njerëz që duan të punojnë. “Për dikon primare osht parja, për dikon osht knaqësia shpirtërore”.

Të dytë na thanë se nga familjet e tyre, ata dy mund të jenë gjenerata e fundit që merret me bujqësi. Fëmijët e tyre ose kanë migruar ose kanë zgjedhur profesione tjera, pos njërit djalë të Muharremit, i cili pas fakultetit është kthyer dhe i ndihmon atij. Ndonjëherë në fusha, ndonjëherë duke blerë gjëra të vjetra për t’ia shtuar kolibes, si për shembull, një radio të vjetër që e kishin varur në fund të kolibes.

“Unë muj me thanë me përgjegjësi që janë qito 10 vitet e fundit që dikush merret me bujqësi. Gjenerata jem e 50 vjetve janë të fundit që merren me bujqësi. Fmitë e mi s’merren me bujqësi”, më thotë Imeri. “Veç na jemi gjeneratë që s’kemi mo ku mbështetemi edhe merremi me bujqësi”.

“Nuk ka perspektivë këtu, veç sa mos me ia zgatë dorën kërkujt”, e mbështetë Muharremi.

Imeri tregon se djali i Muharremit, ka filluar t’i promovojë vlerat e fshatit në një faqe në Facebook “Korr e ha n’katun” për të tërhequr turistë e vizitorë. Disa nga vizitorët më të shpeshtë janë çiftet e sapomartuara që vijnë ta krijojnë albumin e fotografive të martesës pranë fushave. Ai me shaka tregon se si — meqë është njeri që nervozohet shpejt — një çift ishte vonuar aq shumë duke bërë foto sa u kishte thënë të largoheshin më sepse i kishin mbetur fidanet e lakrave pa ujitur. 

Ndërkaq, Muharremi tregon se si po planifikon të tërheqë për vizitorë familje me fëmijë që do të mësonin se “dredhëza rritet në tokë”. 

Por, ata ndihen të nënvlerësuar për punën që e bëjnë pasi puna e bujkut nuk është gëzon respekt në krahasim me punët tjera.

“Për t’ritë s’ka qejf kush mu marrë me tokë, e nijnë vetën të nënçmum me iu thanë shkoni në fushë punoje tokën”, më thotë Muharremi.

“N’momentin n’shoqni je i degradum si t’i thush që merrna me bujqësi. Në krejt rruzullin tokësor, këta që e majnë njerëzimin, janë ma të shtypun”, më thotë me bindje Imeri. “Unë po ta them ni gjo për veti, kur më bohen bahçet mirë, më kënaqet tana shpirti. Se aty e shoh rezultatin sa jom i fortë me prodhu diçka. Aty e shoh zotësinë tem. Zotësia osht nëqofse e boj ni prodhim mirë, ajo osht vlera jem, jo tregu”.

E Muharremi dhe Imeri po përballen edhe me probleme të tjera. Ngrohja globale, të parat i prekë zonat rurale dhe tokat bujqësore. Ajo po sjell stuhi më të rrezikshme, valë më të forta nxehtësie, stinë më të gjata të nxehtësisë, zhvendosje të njerëzve e toka bujqësore të shkatërruara.

Sipas Muharremit e Imerit, temperaturat ekstreme shkaktojnë reduktimin dhe vonimin e prodhimeve pasi bimët nuk i qëndrojnë temperaturës mbi 30 gradë.

“Tek në vjeshtë ia nisën mu pjekë perimet”, më tregon Muharremi teksa shton se është e çuditshme sepse shumëbesojnë se temperaturat më të larta e përshpejtojnë pjekjen e perimeve. Por, në vend se
të piqen, ato shpenzojnë krejt energjinë që të mbrohen nga tharja. 

Imeri këmbëngulë që krejt gjërat në Kosovë shkojnë mbrapsht dhe do të duhet kohë që gjërat të fillojnë e të rregullohen. Ai më tregon se si shtrati i lumit Drin dhe fushat e tjera janë bërë deponi mbeturinash duke i shndërruar tokat në fusha të papërpunueshme. 

“Kur i msheli sytë, hala muj me ni erën e krishnave — ashtu iu thojshim na. Tash, tmerr është”,
thotë Imeri teksa kujton se sa të shëndosha ishin tokat në rininë e tij. 

Por kur i len anash të gjitha problemet që ekzistojnë sot në bujqësi, për zgjidhjen e të cilave s’është aspak optimist duke thënë se edhe vetë do ta lërë shumë shpejt, flet me krenari për prodhimet e veta teksa të dy na ftojnë për t’na i treguar fushat me dredhëza. 

Muharremi ma tregon procesin e mbledhjes së dredhëzave dhe dallimin mes dredhëzave të tij dhe atyre industriale. Teksa më tregon se kultivimi i dredhëzave është proces shumëpalësh, merr një dhe ia heq bishtin. Secilës dredhëz industriale duhet t’i hiqet bishti me dorë para se të dërgohet në fabrikë. Shoh fushën e madhe të mbuluar më dredhëza dhe më bie ndërmend shqetësimi i tyre i 10 tonë dredhëzave të çuara dëm vitin e kaluar. 

Në fund, na shoqërojnë për në “Kooperativën e Krushës”, ku produktet e tyre janë përpunuar, ambalazhuar dhe rrijnë gati për t’i shkuar në tryezë konsumuesit të ardhshëm. Hyjnë si në shtëpi të tyre dhe e plotësojnë menaxherin e kësaj kooperative teksa ky i fundit na e shpjegon të gjithë procesin e përpunimit dhe ambalazhimit. 

Që të mos na lënë të shkojmë “duarthatë”, siç zakonshëm bëjnë në fshat — anipse që në drekë u thamë që si gazetarë nuk mund të pranonim dreka e dhurata — na i kishin bërë gatinga një
kavanoz me babure me kos, reçel dhe një gotë me 400 fije shafrani, apo fijet e 133 luleve. 

Pas gati 5 orësh bisedë, i kërkova falje Imerit që ua vodha krejt orët e punës. Më tha se kishte
punë për t’i përgatitur për nesër, por se aplikacionet në telefon, i tregonin se nesër do të binte shi. Më herët, pa aplikacione, i orientonte qielli. 

Të nesërmen, në Prishtinë midis kërrshit të ndërtesave, teksa qielli u mërrol, shijova baburen me kos dhe mendova për ta. 

“Ma fisnike osht qajo që e bojsh edhe e hajsh me djersë”, më kishte thënë Imeri.

Autore: Gentiana Paçarizi

Fotograf: Ferdi limani/K2.0


Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?