Gazetaria për të përjashtuarit - Kosovo 2.0

Gazetaria për të përjashtuarit

Kur dyert e institucioneve mbyllen, gazetarët/et janë aty.

Nga Fatjona Rudi | 6 korrik 2024

Më kujtohet një pasdite shumë kohë më parë, pasdite nga ato të bezdisshmet, nga ato ku krejt çka mendon është se me çka do të merresh gjatë pjesës së mbetur të jetës tënde. Qysh në fëmijëri kam shpresuar që kur të rritem do bëj çkado veç të jetë për të mirën e vendit tim. Jam rritur me tregimet e babait rreth kohës së luftës, i cili thoshte që ka shërbyer për vendin duke mbledhur informatat për gjendjen aktuale në fshatin tim për t’i transmetuar të njëjtat në bjeshkë — vendin ku kishte valë. Për këtë, ai bënte tridhjetë minuta rrugë në këmbë. 

Si fëmijë, ishte e vështirë ta kuptoja se me informim mund të kontribuosh në përmirësimin e ndonjë situate. Duke u rritur, kuptova vlerën e të bërit gazetari, ndikimin e informatës. Njerëzit që më njohin e dijnë se sa e ndërlikuar më është dukur gazetaria dhe sa vendim i vështirë ka qenë që unë të zgjedh të studioj atë. Para se ta marr vendimin, kuptova se roli i gazetarit/et është i domosdoshëm duke qenë se kur qytetarët/et janë të informuar saktë, kanë një pasqyrë më të mirë të asaj që duhet ndryshuar dhe kanë më shumë mundësi të ndikojnë pozitivisht në vendin ku jetojnë. 

Por, fillimi i studimeve nuk ishte një fushë me lule. 

Çdo student i vitit të parë, besoj unë, ka momentet e tij të dëshpërimit dhe përballet me të renë, të panjohurën. Ardhja në kryeqytet për studime – sidomos kur vjen nga një fshat/qytet i qetë të bën të kesh frikë nga gjërat e reja, nga ngjarjet e njëpasnjëshme, madje, shpeshherë të bën të ndiesh vetmi e pasiguri — a do t’ia arrij? 

Atë vit, fillova të lexoj më shumë dhe kur e them këtë nënkuptoj leximin reflektues. Mendimet se si do të përmbush misionin e ngulitur thellë në mendje më kaplonin vazhdimisht sepse regjistrimi në fakultetin e gazetarisë nuk më mjaftoi. Me t’u ambientuar me studimet, konkretisht gjatë vitit të dytë të fakultetit, fillova të rikthehem aty ku e nisa, tek synimet e mia. Mbaj mend fjalë për fjalë lajmërimin e profesorit për një projekt të  Programit për Zhvillim të Kombeve të Bashkuara (UNDP). Po na tregonte se me anë të atij projekti, ne studentët/et e gazetarisë mund të fitonim kontratë një-vjeçare në njërën nga mediet në Kosovë. 

Kërkohej që të intersuarit të konkurojnë duke dërguar një biografi të shkurtër dhe përzgjedhja do bëhej nga një komision që përbëhej nga palët e përfshira në projekt — departamenti i gazetarisë në Universitetin e Prishtinës (UP) dhe ekipi i UNDP. Fillimisht e mendova si të paarritshme. Kishte konkurrencë të madhe pasi do përzgjidheshin vetëm shtatë studentë/e nga tri gjeneratat që tashmë ishin në studime, viti i parë, i dytë dhe i tretë. 

Shoqëria ime vazhdimisht më thonë që kam fat, e atë ditë që dërgova biografinë time, lutesha që ai fat të më përcjellë gjatë kësaj situate. Disa ditë pasi shkrova dhe dërgova një biografi që përmbante të dhënat e kërkuara, iu nënshtrova intervistës me komision. Kujtoj emocionet që më kishin kapluar atë ditë tek prisja në radhë deri sa më thirrën emrin. Shumë pak fjalë të asaj interviste pune kam në kujtesën time, por kur dola ndieva që nuk do më refuzojnë.

E ndieva veten pjesë të këtij projekti, por nuk mund të gëzohesha pa më ardhur lajmi që me të vërtetë isha pranuar. Pas pothuajse dy javësh, më erdhi lajmi i shumëpritur dhe përgjigjja ishte pozitive. 

Atë ditë lashë krejt çka kisha dhe gjeta kohë ta përjetoj gëzimin. Ngjashëm u gëzova kur kuptova që jam përzgjedhur të punoj për Kosovo 2.0. 

Këtu më erdhi mundësia të shkruaj për fenomene negative, që shihja çdo ditë e më vranin sytë — seksizmin në sport, reklamat e pabarazisë — të shkruaj për temat që diskutohen më së shumti e deri te ato që cilësohen tabu. Por unë gjithmonë kam besuar se sa më shumë diskutojmë për gjërat që nuk janë të dobishme për vendin, aq më shumë fillojnë të zbehen. Dhe nuk kish si të ndodhte ndryshe.

“Time-out” 

Nuk thonë kot që rastësia është mbret i botës. Në të njëjtin vit që u përzgjodha të punoj për K2.0, në fakultet po ndodhte një ndarje e profesioneve në bazë gjinore, prej vetë studentëve. Patëm fatin të kemi mundësinë të zgjedhim lëndën “Gazetari Sportive”, lëndë kjo që synon t’u ofrojë studentëve/eve njohuri themelore për nocionet e kësaj fushe të gazetarisë, t’i aftësojë për mbledhjen e informacioneve sportive dhe për shkrimin e lajmeve që kanë të bëjnë me sportin. Por, sipas disa kolegëve burra, kjo lëndë u përkiste vetëm atyre. Kam dëgjuar fjalë të llojit: “çka din ti për sport?” e “s’është kjo lëndë për ty!”.  Këto biseda normalizoheshin dita-ditës.

Personalisht, ngris zërin vazhdimisht kur njerëzit përreth meje tregohen seksistë. Për fat të mirë, kësaj radhe përmes gazetarisë, pata mundësinë ta ngris zërin publikisht. Në zyrat e K2.0 kam pasur hapësirë që të diskutoj e propozoj temën që dua ta trajtoj në kuadër të projektit. Tema që propozova ishte rreth përfshirjes së grave në gazetarinë e sportit dhe gjuhën seksiste ndaj gazetareve sportive. 

Kur fillova të shkruaja artikullin, kuptova që çdo profesion i ka të mirat dhe vështirësitë përkatëse. Në fakultet diskutonim vazhdimisht për teorinë e intervistave, për atë që duhet e s’duhet të bëjmë, por kurrë nuk e kisha menduar që bashkëbisedimi me personazhe mund të jetë shpirti i artikullit dhe një proces jo aq i thjeshtë. Diskutonim për paraqitjen, qasjen ideale, përgatitjen e pyetjeve. 

Herën e parë që do të intervistoja dikë, ndihesha e pasigurt. Mua më pëlqen të flas me njerëz, por të intervistoj dikë ishte më sfiduese. Kam mësuar që përpara aranzhimit të takimit, mënyrës së qasjes e përgatitjes së pyetjeve, është shumë e rëndësishme të përgatitesh mentalisht. 

Për përgatitje më të lehtë para intervistave kam gjetur përkrahje nga ekipi i redaksisë së K2.0, të cilët punën e bënin me shumë vullnet, përkushtim e dashuri. K2.0 më shërbeu si shkollë — shkollë e dytë e gazetarisë. Aty e kuptova se sa e rëndësishme është për gazetarët/et e rinj/reja që të zhvillohen në një ambient përkrahës. 

Në Kosovë nuk kishte shumë hulumtime për temën që kisha zgjedhur. Kur është folur për gratë e përfshira në sport, tema kryesisht ka qenë për gratë lojëtare dhe jo për gratë gazetare. Me anë të këtij artikulli synova të shikoj se si qëndron përfaqësimi gjinor në gazetarinë sportive, si qasjet seksiste të këtij lloji ndaj grave në medie e përtej i demotivonin gazetaret e reja nga pjesëmarrja në këtë fushë të gazetarisë. Kam provuar të hedh dritë mbi këtë çështje të gazetarisë sportive, shpesh të anashkalur. Në tregim shkrova për historinë e gazetareve sportive, Elvira Dushkut dhe Qëndresa Krelanit, u zhyta në rrëfimet e tyre emocionale, si për sfidat ashtu edhe për arritjet e tyre në këtë drejtim. 

Doja të përçoja zërat e grave gazetare që merren me sport, por paragjykohen, sidomos për shkak se janë gra, qoftë brenda apo jashtë redaksive ku punojnë.

“Reklama të pabarazisë” 

Reklamat e jetësojnë zhvillimin e bizneseve, por nuk e lënë anash as riprodhimin e asaj që shpeshherë cilësohet si rol tradicional i grave. Na ka rastisur çdo ditë të shohim reklama nga më të ndryshmet ku nga gratë reklamohet mielli, vaji, çaji dhe plot e përplot produkte tjera të cilat i mbyllin gratë në rolet shtëpiake. Për disa gjëra, mendoj unë, ne nuk marrim mundin të shkruajmë ose edhe kur shkruajmë, nuk thellohemi aq sa duhet. Duke marrë parasysh këtë dhe dëmin që shkaktojnë reklamat seksiste, vendosa ta sfidoj këtë kontekst përmes gazetarisë.  

Duke analizuar ndikimin e thellë të këtyre përmbajtjeve, mësova se si gazetarë/e është e rëndësishme t’i mbajmë sytë dhe veshët hapur dhe të problematizojmë edhe atë që nganjëherë duket e fshehur. Dhe vërtetë, e gjithë kjo përvojë tashmë një-vjeçare, m’i çeli sytë dhe veshët për vëmendjen që duhet ta kemi dhe për përgjegjësinë që bartim.

Sot, kur kujtoj veten para kësaj përvoje, më kujtohen pikëpamjet që kisha e që tash janë krejt ndryshe. Kam kuptuar që gazetaria ka një rol të rëndësishëm në shoqëri dhe mendoj që do t’a ketë për një kohë të gjatë. Jo më kot gazetaria quhet “pushteti i katërt”, duke vepruar edhe si një mbikqyrëse e pushtetit. Në versionin që jam sot, ndihem më e sigurt kur e di që këtu në Kosovë, ka gazetarë/e që rrezikojnë gjithçka për drejtësi, sfidojnë jetën e veten duke kërkuar përtej asaj që na servohet. 

Gazetaria është më shumë se raportim, është platformë për t’i nxjerrë në pah zërat e atyre që u merret zëri, atyre që diskriminohen e përjashtohen. Gazetaria është derë, ku qytetarët/et mund të trokasin kur dyert e institucioneve mbyllen. Gazetarët/et do të jenë aty, të raportojnë, hulumtojnë, kritikojnë e analizojnë, drejt dhe saktë. Sot e pafundësisht. 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.

Shfletoni zinën e plotë

Hovi ynë rinor – Print

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.