Verën e vitit 2017 vendosa gjithqysh me e kalu në Prishtinë, me gjetë një punë. Si 21-vjeçare m’pati hy një dëshirë e madhe mos me çu verën “kot”. Tri vitet e mëparshme me qejf prisja me u kry ligjëratat e koha e provimeve edhe me u kthy në fshatin tim, Karaçevë e Epërme, për pushime verore. Por atë vit, doja një ndryshim në jetë.
Nuk kishte rëndësi nëse puna ime e parë do të kishte të bënte me fushën time të studimeve të Gjuhës dhe Letërsisë Angleze. Me rëndësi ishte me ia fillu mu pavarësu ekonomikisht. U pata zotu që nuk u marrë pare atyne të shpisë më për me i mbulu shpenzimet, por kom me u dhanë.
Kom këqyr dhe kom apliku në shumë vende për punë, por nuk gjeja. Ndërkohë po afrohej koha e mbylljes së konvikteve, e nëse nuk do ta siguroja një punë, do të më duhej me u kthy në shtëpi. Por, nuk ndalesha tu lypë punë e tu apliku. Për fat, dola në kafe me një shoqe ato ditë, dhe i tregova që kam vendos me nejt në Prishtinë me punu. Ia përmenda saktësisht ku kom apliku herën e fundit: në pozitën “Shitëse në sektorin e ëmbëlsirave” në një embëltore goxha të njoftun, që kishte disa pika në Prishtinë.
Shoqja më tha që e njeh dikë që punon menaxher në atë ëmbëltore edhe mundet me ma siguru një intervistë. U gëzova. Me gëzim e nxita me kontaktu sa më shpejt. Ndodhi ashtu siç ndodhi, pas intervistës që ma siguroi shoqja, shumë shpejt fillova me punën praktike aty, 2 javë pa pagesë, 8 orë në ditë. Pastaj nëse do t’i mësoja gjërat, do t’ia filloja punës me pagë 250 euro, veç të dieleve pushim. Pas dy javësh, u punësova.
Por pa kontratë, nuk figuroja kund si punëtore e regjistruar. Tre muajt e parë rroga mu dha në dorë, shumicën e herave vonë, diku nga java e dytë a e tretë e muajit. Trusti nuk më paguhej, nuk kisha ndonjë bonus, veç me disa bashkishe të lezetshme ditore nga klientët, që i ndanim tre punëtorët që ishim në një ndërrim. Në pozitën time si shitëse, pos që shisja akullore dhe torte, bëja edhe punë të tjera që s’më takonin. Isha banakiere, kuzhiniere, pastruese e dyshemesë, banjos, e gjithçka tjetër që kërkohej.
Edhe orari i punës gjatë ndërrimit të natës ka qenë paksa problematik — prej orës 15:00 deri në 23:00. Verës, kur kishte shumë punë, punonim edhe deri pas 00:00, kur mbyllej lokali, deri sa i vendosnim gjërat në vend, me i lanë gati për kolegët e mëngjesit. Kisha frikë me u kthy vetë në banesë pas mesnatës. Nganjëherë, vëllau ishte ende çutë, bisedonim në telefon prej momentit që dilja nga puna, deri sa mbërrija sigurt te banesa.
Vetëm pas tre muajve më regjistrun si punëtore të rregulltë dhe paga filloi me me dalë në llogarinë bankare. Por, shpejt ia nisa me mendu që është koha me lon këtë punë, me dal diku tjetër. Komentet e pronarit “Mos rrini, gjithmonë ka punë” edhe kur s’kishte punë e as klientë, ia nisën me u tepru. Njëherë e mora një libër me lexu pasi i përfunduam të gjitha punët që i kishim dhe kur lokali ishte bosh. Erdhi dhe më pa pronari t’u lexu e më pyeti ”Çka po ban?”. I thash që po e lexoja një libër, meqë për momentin nuk po ka punë sepse të gjitha punët i kishim përfundu. Çuditërisht atë ditë nuk zgjati muhabet dhe nuk ma la ndonjë koment thumbues siç dinte të bënte shpesh.
Por, prej aty e kam ditë që kam me u kthy te libri prapë, në ndonjë punë tjetër. Pas një episode të tillë me pronarin e ëmbëltores, nuk më kujtohet saktë se për çka u bë fjalë, i pata thanë se ato dy javë do të ishin të fundit që do të punoja aty.
Të gjitha këto mësohen me kohën. Mësohesh edhe me punu në presion të kohës e me u bo e shpejtë pa u tensionu, mësohesh me mbajtë veten qetë por tu e pasë në mendje ku je tu dashtë me shku tutje.
Pavarësisht se kjo punë ma kishte ofru një pasqyrë të tregut të punës në Kosovë, kur e kujtoj atë kohë, ishte përvojë e ëmbël në një ëmbëltore ku pata kriju shoqëri me kolegë e klientë. Mbi të gjitha, ishte ndjenjë jashtëzakonisht e mirë me u kthy në fshat me pare të mia, me u dhonë të shpisë, edhe me ble çka të du vetë. Për herë të parë, isha ndierë e pavarur, me vetbesim dhe mirë me veten.