Që nga mosha 15-vjeçare, kam vendosur të angazhohem me zemër dhe pasion në përpjekjen për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Angazhimin e fillova së pari duke u bërë anëtar i shoqatës së personave me aftësi të kufizuara dhe më pas si vullnetar në organizatën Hendifer. Kam përqendruar energjitë dhe angazhimin tim në ngritjen e problematikave thelbësore në fushat e edukimit, arsimit dhe infrastrukturës. I frymëzuar nga besimi se çdo individ, pavarësisht aftësive të tyre, meriton lirinë e lëvizjes dhe arsimim të barabartë, jam përpjekur të kontribuoj në ndryshimin dhe përmirësimin e kushteve për këtë komunitet, të cilit i takoj edhe vetë.
Ky përkushtim ka qenë jo vetëm një pjesë e angazhimit tim, por një shtysë e përditshme për të bërë ndryshime reale. Besimi im është se, nëse një njeriu i mundësohet liria e lëvizjes dhe e arsimimit, duke përfshirë edhe mundësinë për të shprehur mendimin lirshëm, atëherë nuk ka asnjë pengesë që mund ta ndalojë atë në rrugën e arritjes së ëndrrave të tyre.
Prandaj, në udhën time të aktivizmit, kam pasuar një synim të qartë: përpjekja për drejtësi. Nuk dua mëshirë, sepse e kuptoj se kjo mund të bëjë më shumë dëm sesa dobi për personat me aftësi të kufizuara. Ata, ne, nuk duhet të trajtohemi si viktima, por si qytetarë të një shoqërie të barabartë.
Jam i vendosur që të sfidoj konceptin e viktimizimit në këtë fushë. Unë besoj në aftësinë time për të arritur sukses, po aq sa besoj në të drejtën time për kushte të duhura, infrastrukturë të përshtatshme dhe trajtim të barabartë.
Kjo nuk është vetëm një luftë për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara, por një thirrje për një shoqëri që i njeh dhe i respekton të drejtat e secilit individ, pa dallim. Dua të jetoj në një realitet ku drejtësia është themeli i shoqërisë sonë dhe kjo është detyra që kam marrë mbi supe.
Aktivizmi politik: Ndërmjet pasionit dhe zhgënjimit
Shumë kohë më parë, kur fillova rrugën time në aktivizmin politik, isha i bindur se isha pjesë e diçkaje që do t’i ndryshonte rrënjësisht gjërat në shoqërinë tonë. Besova me pasion dhe idealizëm se fuqia e bashkuar e individëve të përkushtuar mund të kthehej në një ndryshim për të gjithë. Aktiviteti im ka përfshirë pjesëmarrjen aktive në organizim të protestave, ku synimi ishte të denoncoheshin padrejtësitë dhe të ngritej zëri për një shoqëri më e drejtë dhe më të barabartë. Në këtë rrugëtim, kam qenë edhe pjesë e organizimeve të mbrëmjeve të filmave, me fokus në filma rreth drejtësisë shoqërore. Kjo nuk ka qenë vetëm një mundësi për argëtim, por një mjet për të frymëzuar debat dhe diskutim rreth vlerave dhe idealeve që po përfaqësoheshin në lëvizjen tonë.
Gjithashtu, kam qenë pjesë e organizimeve të debateve rreth librave të caktuar, me përqendrim kryesisht në letërsinë politike me orientim të majtë. Kjo ka shërbyer si një formë e thellimit të njohurive dhe një mjet për të nxitur analizën dhe reflektimin mbi temat politike.
Por sot, ndiej një zhgënjim të thellë, një ndjenjë që ka lindur nga një përvojë e hidhur në këtë rrugë të angazhimit politik. Për mua, kjo ndjenjë e zhgënjimit nuk mund të krahasohet me asgjë tjetër përveç atë që shprehet në veprën, “Ferma e Kafshëve” e shkrimtarit George Orwell. Në sytë e mi, utopia e ndërtuar me dashuri dhe ideale u shkatërrua gradualisht nga vetë ata që pretendonin ta përfaqësonin atë.
Kur shkova për herë të parë në këtë rrugë, besova në një kauzë të drejtë, për lirinë dhe drejtësinë. Por, siç ndodh jo rrallë, realiteti nuk u përputh me ëndrrat tona. U bëra dëshmitar i konflikteve brenda grupit, ambicieve personale dhe mungesës së vullnetit të vërtetë për të ndryshuar status quo-në.
Megjithatë, ky zhgënjim nuk më detyroi të braktis kauzën time. Përkundrazi, nxiti një pyetje thelbësore: A është e mundur të luftojmë për një shoqëri më të drejtë dhe të lirë pa u zhgënjyer?
Këtu, në këtë pikë vendimtare, kam vendosur të ruaj besimin tim në vlerat e drejtësisë dhe lirisë. Kam zgjedhur të vazhdoj këtë rrugë, duke ruajtur gjithnjë kritikën ndaj asaj që ndodh përreth meje — edhe ndaj mënyrës se si formësohet aktivizmi. Sepse vetëm duke e kuptuar dhe duke njohur zhgënjimin, mund të ndryshojmë atë që na ka zhgënjyer.
Nëse “Ferma e Kafshëve” më mësoi diçka, është se liria dhe drejtësia nuk mund të merren si të sigurta, por duhet luftuar për to çdo ditë. Dhe kjo është rruga që kam zgjedhur të ndjek, edhe pse me një mburrje të shpërndarë nga zhgënjimi im, e përcjellur nga një dëshirë e pandalshme për ndryshim.
Shprehja e realitetit në skenë: Një studiues për regji teatri në kërkim të drejtësisë shoqërore
Unë jam studiues në regjinë e teatrit, ndjekës i pasionuar i artit që synon të ndryshojë ndërgjegjen shoqërore përmes shfaqjeve. Teatri politik është mjeti im për kauzat e mia, sidomos për të drejtat e njerëzve me aftësi të kufizuara.
Dua që teatri që bëj unë të shërbejë si ndryshim dhe mundësi për nxitje të debatit për çështjet që prekin shpirtin dhe strukturën e shoqërisë. Në çdo kënd të skenës, unë ndiej peshën e përgjegjësisë për të shpërfaqur realitetin në mënyrë të thelluar dhe provokative.
Përdorimi i teatrit politik është zgjimi i një ndërgjegjeje të gjallë, një thirrje për ndryshim politik e social. Përmes veprës sime, synoj të nxis një reflektim të thellë mbi ngjarjet aktuale e fenomenet socio-politike dhe përfshirjen tonë në to. Me çdo shfaqje, mundohem të shpërfaq emocionet dhe dilemat e njerëzve, duke i shtyrë ata të mendojnë për të drejtat e tyre.
Duke shprehur realitetin nëpërmjet dramës, unë shpresoj të provokoj shpirtin kolektiv dhe të zgjoj ndjenjën e përgjegjësisë që të gjithë kemi në krijimin e një shoqërie më të drejtë dhe të barabartë. Teatri politik, në sytë e mi, është një zë që bisedon me ndërgjegjen tonë, duke na shtyrë të ndryshojmë. Teatri është hapësirë për rrëfimin tim.
Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.