Mendim Rugova prej vitesh është burimi prej nga shumë qytetarë/e në Kosovë njoftohen se si do të jenë ditët e tyre — me shi, të ngrohta a me erë. Pos thjesht njoftimit për motin, meteorologu Rugova, tash e sa vjet, bën matje të përditshme e krahasime të trendeve të motit në Kosovë dhe me gjerë. Ai po ashtu paralajmëroi valët e nxehtësisë e vërshimet që kapluan Kosovën dhe rajonin në korrikun e vitit 2024.
Kjo valë e nxehtësisë, që dita-ditës po ngjitet më lart në shkallën e temperaturës, solli në vëmendje sërish ngrohjen globale dhe ndryshimet klimatike. Kjo nuk është situata veç në Kosovë. Për çdo vit, titujt e medieve vendore e ndërkombëtare theksojnë që temperaturat e regjistruara gjatë verës janë veçanërisht të larta. Për shembull, në vitin 2023 u regjistrua vera më e nxehtë në hemisferën veriore në 2,000 vitet e fundit. Teksa verat nxehen, këto vera të viteve të fundit me shumë gjasë do të mbesin më të freskëta sesa ato që vijnë.
Teksa ndryshimet klimatike manifestohen ndryshe në pjesë të ndryshme të botës, kontinenti evropian po kaplohet nga valët e nxëhtësisë që po çojnë në ditë më të shpeshta me temperatura mbi 35 gradë celcius, shpërthime zjarresh nëpër pyje e thatësira.
Ndryshimi klimatik mund të jetë i natyrshëm ku niveli i temperaturave, shirave, erërave dhe elementeve të tjera ndryshon përgjatë dekadave apo më gjatë. E, përderisa përgjatë miliona vitesh, klima ka ndryshuar dhe ka qenë herë më ftohtë e herë më nxehtë sesa sot, ndryshimi klimatik me ngrohjen e vazhdueshme të Tokës nëpër të cilin po kalon bota sot ndryshon në një element kyç. Tashmë, ndryshimi klimatik nuk është i natyrshëm, por është përshpjetuar nga aktiviteti njerëzor përmes lëshimit të gazrave serrë në atmosferë.
Sipas Rugovës, ndryshimet klimatike po ndihen edhe në Kosovë, anipse Kosova, krahasuar me emetuesit globalë, nuk kontribuon shumë në gazra serrë e rrjedhimisht në krizën klimatike. Sipas tij, krejt çka mund të bëjë Kosova është të përshtatet, qoftë përmes ndryshimeve nga niveli qendror në infrastrukturë, qoftë përmes ndryshimeve individuale në stilin e jetës.
Për ndryshimet klimatike, pasojat që ndihen në Kosovë dhe masat e nevojshme për t’u përshtatur me këtë realitet të ri, K2.0 bisedoi me Mendim Rugovën, meterolog dhe autor i emisionit “Mendimi për Motin” në televizionin T7.
K2.0: Kriza globale klimatike është një prej urgjencave më të mëdha të këtij shekulli. Si kanë ndikuar këto ndryshime klimatike në modelet e motit në Kosovë gjatë dekadës të fundit?
Mendim Rugova: Ndryshimet klimatike janë si rrjedhojë e ngrohjes globale dhe patjetër që po ndikojnë edhe në Kosovë. Sidomos këto viteve të fundit, jemi duke pa temperatura pak më të larta, si mujore, po edhe vjetore.
Viti 2023 ishte i dyti më i ngrohti në vend, sipas shënimeve të Shërbimit për Ndryshime Klimatike “Copernicus”. Prej korrikut të vitit të kaluar deri në qershor të këtij viti është temperatura më e lartë që është regjistruar, për 2.5 gradë celsius mbi vlerat e periudhës shumë-vjeçare 1981-2010. Deri tash e kemi pasë periudhën qershor 2012 – maj 2013 që ka qenë më e ngrohta.
A mund të themi se kjo tregon që secili vit po e mund vitin tjetër?
Nuk ecën klima bash krejt ashtu. Nuk vazhdon trendi linear i njëpasnjëshëm. Nganjëherë mundet me pasë pak variabilitet natyror. Në disa raste mundet me pasë më shumë qarkullime të cikloneve apo ajër më i ftohtë mundet me depërtu deri në rajonin tonë, që ndoshta një vit me i zbritë pak temperaturat. Por varet edhe prej modeleve globale, si për shembull, El Niño ose La Niña, të cilat na ka ra m’i dëgju shumë në raportime botërore.
Vitin e shumë e kemi pasë El Niño [fenomen klimatik kur temperatura e sipërfaqes së detit është më e ngrohtë se mesatarja], që është fenomen në Oqeanin Paqësor deri sa tash ka shku duke u dobësu këta muajt e parë të këtij viti, edhe po kalojmë gradualisht në një në një stazë të La Niña [fenomen klimatik kur temperatura e sipërfaqes së detit është më e ulët se mesatarja], që do të thotë, mundet pak me ulë temperaturën.
Çka janë El Niño dhe La Niña?
Ato janë fenomene [klimatike] që ndodhin në Oqeanin Paqësor, që është një masë e madhe ujore edhe e ka një farë ndërveprimi me atmosferë. Kur ftohen pak ujërat [fenomeni La Niña], rrymimet e freskëta ndikojnë më shumë në atë pjesë, mbi shtetet në Amerikën Veriore, në Amerikën Jugore ose mandej kemi edhe pjesën e Indonezisë, Australisë, por qarkullimet mandej që ndodhin në atmosferë, munden pas një kohe të ndikojnë edhe në klimë të Evropës.
Si mund të shpjegohet thjesht kriza klimatike?
Tash ka një përputhshmëri [mes grumbullimit të gazrave serrë dhe rritjes së temperaturave]. Edhe prej organizatave që merren veçanërisht me ndryshimet klimatike dhe Paneli Ndërkombëtar për Klimë për Ndryshimet Klimatike (IPCC), që është një organizëm i madh që përfshin me mijëra shkencëtarë që punojnë e mbledhin shënime prej krejt botës, që bëjnë analizat e klimës — ata të gjithë po vijnë në një përfundim. Krejt kjo [kriza klimatike] po vjen shkaku i gazrave serrë që janë akumuluar sidomos në shekullin e fundit, prej [epokës së] industrializimit. Edhe ka një përputhshmëri aty ku i sheh temperaturat, qysh po shkojnë tu u rritë dekadave të fundit edhe emisionet e gazrave serrë në në atmosferë — janë në korrelacion.
Gazrat serrë po e mbajnë në njëfarë mënyre të ngujuar nxehtësinë që po akumulohet në tokë. Natyrisht që janë edhe një sërë faktorësh, qoftë pyjet që e marrin dioksidin e karbonit apo edhe oqeanet, po edhe ato tash e kanë fillu me i mbushë kapacitetet e tyre. Tash gazrat serrë po mbesin në atmosferë dhe s’kanë ku me shku dhe nxehtësia nuk mundet me qarkullu, duke mbetur të mbyllura në njëfarë qarku.
Kosova është kontribues i vogël në krizën klimatike, por ndikohet nga ajo pothuajse njëjtë. Në anën tjetër, secili vend mund të kontribuojë me infrastrukturën e vet për ta bërë më të përballueshëm ndryshimin klimatik. A po zbatohet ndonjë strategji në Kosovë për t’u përshtatur me ndikimet e ndryshimeve klimatike dhe cilat janë përpjekjet kryesore për zbutjen e këtyre ndryshimeve?
Unë kam qenë i angazhuar si zëvendësministër në Ministri të Mjedisit në një periudhë [2015] mandej edhe si koordinator për ndryshime klimatike. Kohëve të fundit pak e kam lanë anash, ndoshta s’i kam këqyrë çfarë strategjish janë, po në atë kohë ka qenë strategjia për ndryshime klimatike.
Aty ka qenë e paraparë pjesa mitiguese, e zbutjes të emetimeve, sidomos te emetuesi kryesor që e kemi ne KEK [Korporata Energjetike e Kosovës], se industri tjetër të zhvillume nuk kemi. Për shembull, viteve të ‘90-a e kemi pasë edhe metalurgjinë, por tash nuk e kemi aty.
Ka qenë e parapame aty si të zhvillohet njëfarë strategjie, po në të njëjtën kohë kanë qenë edhe plane vepruese për adaptim. Mendoj që më shumë duhet të fokusohemi në pjesën adaptuese se tash edhe nëse i arrijmë me i ndalë këto emetime të gazave serrë që i kemi, prapëseprapë duhet të përgatitemi. Ne jemi një pikë e vogël në këtë farë globi të madh që ka emetues edhe të mëdhenj të gazave serrë. Po, duhet [fokusuar] më shumë te pjesa e adaptimit dhe përgatitjes.
Me ndryshimet klimatike po i kemi të rreshjet e mëdha të shiut, pra duhet me e mendu tash komplet infrastrukturën nëpër qytete. Me mendu edhe për mbledhës të ujërave atmosferikë, që ata ujëra mandej mos të shkojnë dëm në njëfarë mënyre, po të përdoren qoftë për ujitje si në vende urbane, po edhe për toka, me ba njëfarë cikli përdorues.
Mandej ka edhe tjera masa adaptuese — për lumenj, shtretërit e lumenjëve me ua rritë kapacitetet e tyre, që në rast se ka vërshime me bartë kapacitetin dhe m’i mbajtë të pastër, kohë pas kohe edhe të pastrohen.
Pasi u merrsha shumë me meteorologji, ka qenë edhe ngritja e kapaciteteve të Institutit Hidro-Meteorologjik (IHM), në pjesën vrojtuese. Me pasë sa më shumë matje të atypëratyshme. Ne po e kemi problemin e stuhive që po bëhen për një afat të shkurtë, megjithëse ekzistojnë modelet kompjuterike që japin parashikimin, po gjithmonë na nevojitet si now-casting, që është parashikimi i momentit të fundit. Në rast që fillon diku, qoftë në rajon ose në vend, zhvillimi i një stuhie, duhet me pasë edhe radarin meteorologjik që me pa në atë aspektin tre-dimensional se si stuhia është tu lëvizë edhe sa ka kapacitet brenda si për breshër, si për të reshura, në mënyrë që s’paku gjysmë ore përpara me i alarmu komunat ose zonat që mund të preken.
Keni qenë një kohë edhe pjesë e nismave institucionale lidhur me ndryshimet klimatike, po përpjekjet kryesore kanë qenë këto: zgjidhja e zvogëlimit të emetimit, por edhe përshtatja/adaptimi. Sa merreshin seriozisht ndryshimet klimatike nga qeveria dhe komunat, apo edhe institucionet tjera relevante?
Unë kam qenë bash kur u formu në atë kohë ai grupi ndërministror për ndryshime klimatike. Në atë kohë s’ka pasë edhe fort interesim. Edhe kur përpiqeshim me mbajtë ndonjë mbledhje rrallë që vinte ndonjë ministër, apo tekefundit ndonjë zëvendësministër në mënyrë që me aprovu së paku strategjinë që ka qenë në fillim, që me i nisë ato iniciativa. Po kohëve të fundit duket që e morën më seriozisht sa i përket masave zbutëse. Po shohim që për energji janë më shumë të fokusuar, për energji të ripërtëritshme tash po kemi edhe investime.
Interesim ka pasë ndoshta vetëm kur ka pasë diçka që u ndërlidhë me motin aty për aty. Ndonjë nxehtësi e madhe, ndonjë valë e nxehtit apo vërshime, atëherë ndoshta pak u ka ra ndërmend.
A mund ta konsiderojmë që këto janë verat më të freskëta që po i kalojmë?
Edhe në aspektin global, shkencëtarët në organizata meteorologjike, po edhe [António Guterres] sekretari i përgjithshëm i OKB [Organizata e Kombeve të Bashkuara], po thonë që këto ndoshta kanë me qenë vitet më të freskëta sa që kemi m’i pasë ndonjëherë.
Edhe për Kosovë po ma merr mendja që këto kanë me qenë verat më të freskëta në krahasim me verat që i kemi me përjetu [deri tash]. Ndoshta [do të kemi] më shumë ditë tropike mbi 30 gradë celsius, po edhe ditë shumë më të nxehta, me 35 gradë celsius, që edhe në bazë të projeksioneve klimatike shihet që në të ardhmen kanë me qenë edhe më intensive. [Këto ndryshime] kanë me na ndiku edhe në trupin tonë që mos me pasë atë rehatinë qysh e kemi pasë ndoshta viteve ’80 apo ’90 kur vetëm pak kanë fillu m’u shfaqë sinjalet për këtë ngrohjen globale. Po edhe për Kosovën, po them ndoshta këtu i kemi vitet më të freskëta, edhe pse nuk janë shumë të freskëta.
Përpjekjet globale për ta mbajtur ngritjen e temperaturave nën 1.5 gradë më të lartë se në nivelet paraindustriale duket se nuk po shkojnë në rrugë të duhur.
12 muajt e fundit temperaturat kanë qenë mesatarisht mbi 1.5 gradë celsius më të larta prej asaj paraindustriale 1850-1900. Ndërsa nëse e marrim mesataren e 12 muajve komplet, krejt mesataren me marrë, është 1.64 gradë celsius mbi nivelin paraindustrial, që do të thotë e ka kalu atë 1.5 e [Marrëveshjes së] Parisit, megjithëse edhe me Marrëveshje të Parisit numërohet ajo në një periudhë më afatgjate, për 20 apo 30 vjet, jo vetëm një vjet me me kalu.
Si do të duket një botë ku temperaturat do rriten për më shumë se 1.5 apo 2 gradë? Çka do të ndryshojë në mënyrën e jetesës sonë?
Botën e shoh më kaotike, vetëm se jemi në njëfarë kaosi duke kalu këto vitet e fundit. Natyrisht që në të ardhmen disa pjesë që janë më afër prej brigjeve të detit mund të kenë më shumë ngritje të nivelit të ujërave, që më pas detyron një popullsi m’u dynd viseve më të larta, pra rritet edhe dendësia. Në atë aspektin ekonomik, veçanërisht bujqësia këtu, preket prej ndryshimeve të klimës. Diku mundet me pasë më shumë thatësira që i ulë rendimentet e kulturave bujqësore, e diku rrebeshet dhe vërshimet munden me ndiku që me u zhvillu kulturat bujqësore. Por, këtu e kemi aspektin e vuajtjes prej urisë edhe prej thatësisë, që kanë me qenë edhe ma të shpeshta edhe më të shumta në pjesë tjera të botës.
Përmendët vërshimet. Në hulumtimin tonë në K2.0, kemi parë që disa qytete që më parë nuk janë prekur nga vërshimet, tash po goditen prej tyre.
Janari i vitit 2021 ka pasë [sasi] enorme të të reshurave. Afër 200 mililitra (mm) të reshura janë regjistruar vetëm në nivel vendi, që i ka kaluar tre-katërfish mesataret e muajit janar. Të reshura më të larta nuk kam parë kurrkund nëpër statistika për Kosovën.
Prej 2014 i kemi ekstremet më të nalta të reshjeve. Prishtina për shembull i ka 600 mm të reshura vjetore, këto vitet e fundit i ka pasë në tri-katër periudha edhe 800 mm.
Ky është efekt i ndryshimeve klimatike, sepse atmosfera më e ngrohtë mundet me mbajtë më shumë lagështi. Edhe kur mban më shumë lagështi mandej patjetër që vjen ai cikli ujor që shprehet me të reshura. Plus tash që po i kemi dimrat më me pak borë, ato po çojnë të reshura të shiut. E të reshurat e shiut janë më të shpejta edhe më të shumta me sasi, se sa reshjet e borës.
A keni vërejtur dallim në rritjen e temperaturave në zona urbane dhe rurale apo shkojnë në ritmin e njëjtë?
Këtë e kemi pak problem të analizojmë sepse mungojnë shënimet, mungojnë matjet. Por çka kam pa në rajon, edhe në bazë të parashikimeve, zonat urbane gjithmonë kanë temperatura më të larta. Këtu i kemi edhe netët tropike, kur temperaturat nuk zbresin nën 20 gradë celsius, vërehet tash edhe në Prishtinë pak. Mandej në stinë të dimrit e kemi një fenomen tjetër që ndodhin iversioni termik kur temperaturat janë më të larta në vise malore sesa nëpër fusha. Po në atë aspektin urban, që ka dallim, se zonat urbane janë ma të ngulfatura me betone, me asfalt edhe që i mbajnë temperaturat ma të larta dhe këto janë jo vetëm në vendin tonë, por krejt në botën. Është efekti që quhet “ishulli urban”.
Po flasim edhe për ndryshimet e gjatësisë së stinëve, a i keni vërejtur dhe si po manifestohen?
Natyrisht që po vërehet. Këto viteve të fundit, sidomos dekadën e fundit, mundesh me vërejt dimra që po janë krejt më të butë dhe më të shkurtë.
Por të njëjtën kohë, sidomos këto dy viteve të fundit, i kemi pasë do periudha me borë që kanë qenë krejt në prill, që na kanë befasu, po në të njëjtën kohë e ke pasë stinën e pranverës që po të vjen pak më herët, sidomos ka ndodhë vitin 2016, po edhe sivjet gati në fund të shkurtit i ke pasë disa pemë që kanë çelë. Edhe pse ndoshta viteve të shkuara e kanë mbajtur atë farë cikli, të paktën me tre-katër ditë apo një javë ditë, po këtë herë i kemi ndoshta edhe dy javë apo tri javë më herët në 2024 dhe 2016. E kjo është pak distancë kohore e shkurtë, në vetëm tetë vjet.
Ndoshta mundemi me pasë prapë një cikël të çeljes së pemëve edhe më të hershëm, deri sa të bëhet ajo njëfarë norme që me çelë gjithmonë ma herët, dhe pak a shumë me pasë një pranverë më të hershme, mandej edhe vera me qenë më e hershme, me zgjatë pak më shumë, e dimri tu shku krejt tu u zhdukë.
Cilat janë tendencat afatgjata të temperaturave në Kosovë dhe qysh krahasohen me ato globale?
Kontinenti evropian po ngrohet më së shpejti. Në Amerikë ka stuhi dimërore, teksa në Evropë i kemi pak më të rralla ato por temperaturat i kemi shumë më të larta. Unë më së shumti flas për kontinentin evropian në emisionin tim dhe po shihet që këto anomali janë më të shprehura se në kontinente tjera. Kjo vjen ngaqë ciklonet kur vijnë prej Atlantikut, i tërheqin rrymat e ngrohta ajrore prej Afrikës më shumë mbi vendin tonë, do të thotë pjesë të Apeninëve dhe Evropës Juglindore, sikur në këtë rastin e valës së nxehtësisë së fundit. Zatën tash i kemi temperaturat më të nalta se në Iberi për shembull, ndoshta se sa në Spanjë e Potugali.
E sa i përket projeksioneve klimatike që i kam pa dhe që kam punu në to edhe sa kam qenë koordinator, nëse vazhdon ky trend i emisionit të gazrave kemi me pa rritje të temperaturave edhe për 4 gradë Celsius. Deri në fund të shekullit kemi me pasë temperatura deri 4 gradë celsius më të larta vendin tonë.
Cila është periudha për të cilën po flisni?
Periudha më ekstreme që llogaritet është 2070-2100. Periudha deri në 2050 do të ketë një ngritje më të ngadaltë, por në mënyrë eksponenciale.
Sa i përket të reshurave në bazë të projeksioneve priten me qenë më të rralla, do të thotë më shumë thatësi. Por, është interesant se sasia e të reshurave më shumë ka me u regjistru gjatë muajve dimërorë dhe vjeshtorë, pak a shumë edhe në pranverë, por vera ka me qenë shumë e thatë. Pritet diku 30-40% më pak të reshura në periudhë verore.
Në aspektin e temperaturave vjetore ato kanë qenë dukshëm më të nalta, sidomos në fund të shekullit.
Pasi kemi pritje të tilla, çka duhet të ndryshohet në infrastrukturë dhe në sjelljen tonë si njerëz që të përshtatemi, por edhe të parandalojmë një të ardhme të tillë?
Ajo është pjesa pak më e vështirë. Tash e kemi pasë njëfarë zhvillimi të hovshëm në “lifestyle”, në atë jetesën që e kemi arritë viteve të fundit, e ajo është pak ma problem, ndoshta m’i lanë do gjana. Duhet me ndiku te dieta, te ushqimi — me konsumu mish të kuq më rrallë, apo edhe me ujin me pasë kujdes mos me harxhu. Por, po e shoh një sfidë në këtë përshtatjen e njerëzimit.
Vetëm po shpresoj, tu e pasë parasysh çfarë arritje shkencore i kemi pasur këto viteve të fundit, ndoshta edhe në atë aspekt mundemi me gjetë një zgjidhje. Qoftë për këtë grumbullimin e gazrave serrë, që të gjendet një mundësi qysh me u ruajt apo me e heq prej atmosfere që me arrit një balancë. Por, ne duhet me rregullu “lifestyle” tonë, që me e kthy më shumë në atë zhvillimin e qëndrueshëm.
Kur është fjala për zhvillimin e qëndrueshëm dhe përdorimin e burimeve të ripërtritshme të energjisë, si i shihni potencialet e Kosovës, duke i parë prej dimensionit meteorologjik?
Në këtë pikë për diellosje, se më ka ra me i analizu shënimet e kohëve të fundit, por në bazë të vlerësimit satelitore, është interesant me pa që ka një rritje të orëve me diell në vendin tonë. Kështu që ajo e jep njëfarë potenciali që me e shfrytëzu energjinë diellore pak më shumë, është një 20-30% rritje në diellosje në krahasim me vitet ’70-’80-ta. Sidomos në vitin 2022 ka pasë më shumë orë, por 2007 mbahet si rekord për diellosje. Këto 6 muajt e fundit ka pasë 280 orë diellosje.
Meqenëse terreni në Kosovë është më shumë fushor, potencial për energji nga erërat ka në vise malore. Në përgjithësi Kosova e ka njëfarë potenciali sa i përket energjisë të ripërtëritshme.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0
Kjo intervistë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.