Rezultatet e deritanishme të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) tregojnë se Lëvizja Vetëvendosje (LVV) po udhëheq në zgjedhjet e përgjithshme të së dielës.
Pas numërimit të 90.09% të të gjitha votave të rregullta të ditës së votimit*, LVV ka rreth 41% të votave.
Rezultatet tregojnë që LVV ka shënuar rënie në krahasim me zgjedhjet e vitit 2021, kur kishte siguruar një fitore bindëse me 50.28% të votave. Nga 438,335 votat e marra në vitin 2021, sipas rezultateve preliminare, LVV ka marrë 311,872 vota nga vendvotimet e numëruara. Ashtu si në zgjedhjet e kaluara, LVV garoi në listë të përbashkët me partinë Alternativa dhe listën Guxo.
Ndërkohë, sipas rezultateve preliminare, të gjitha partitë e tjera të mëdha politike kanë shënuar rritje të votave krahasuar me vitin 2021.
Pas performancës së tyre në vitin 2021 — më të dobtën që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës më 2008 — Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) kanë shënuar rritje të votave.
PDK-ja pritet të përfundojë e dyta me rreth 22.35%, duke shënuar rritje prej rreth 5 pikë përqindjeje nga viti 2021, kur kishte marrë 17% të votave.
Ndërkaq, përqindja e votave për LDK-në është rritur në 17.6% — një ngritje prej rreth 5 pikë përqindjeje nga viti 2021, kur kishte marrë 12.7%.
Edhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka shënuar rritje, duke garuar në këto zgjedhje në koalicion me partinë Nisma Socialdemokrate. Në vitin 2021, AAK kishte marrë 7.12% të votave, ndërsa Nisma Socialdemokrate nuk e kishte kaluar pragun. Ky koalicion ka marrë 7.57% të votave të përgjithshme, duke i mundësuar edhe Nismës të rikthehet në Kuvendin e Kosovës.
Ndërkohë, Lista Serbe po prin me vota në komunat me shumicë serbe me 3.9% të votave të përgjithshme, e përcjellë nga Za Slobodu Pravdu i Opstanak, ZLPO, (Për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë) me 0.45%.
Ende nuk dihet dalja e përgjithshme në zgjedhje. Nga numërimi i 92% të vendvotimeve, dalja në këto zgjedhje ishte rreth 41%.
Procesi i numërimit të votave nga KQZ u përshkua nga probleme të shumta teknike. Uebfaqja, ku supozohej që të shpalleshin drejtpërdrejt rezultatet nga numërimi i fletëvotimit, ra disa herë dhe KQZ tha se nuk mund t’i transmetojë përmes platformës. Si rezultat, KQZ vonoi rezultatet preliminare pasi iu desh të fusë votat në databazë manualisht. Ende nuk dihet se çfarë ndodhi me uebfaqen.
Fushata zgjedhore filloi zyrtarisht më 11 janar dhe përfundoi më 9 shkurt, në orën 07:00, kur u hapën vendvotimet. Sipas KQZ, të drejtë vote patën 2,075,868 qytetarë. Nga ta, 1,970,944 janë votues brenda Kosovës, ndërsa 104,924 jashtë saj.
Në zgjedhje garuan 28 subjekte politike me gjithsej 1,280 kandidatë. Prej tyre, 19 janë parti politike, pesë koalicione, dy nisma qytetare dhe një kandidat i pavarur. Qytetarët mund të votonin për një subjekt politik dhe deri në dhjetë kandidatë brenda një liste.
Këto janë zgjedhjet e para të rregullta parlamentare që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës. Qeveria e udhëhequr nga LVV përfundoi një mandat të plotë qeverisës.
2019-2021: Si ndryshoi spektri politik?
Në zgjedhjet e përgjithshme të tetorit të vitit 2019, LVV kishte fituar me një diferencë të vogël prej 15,000 votash ndaj partisë së dytë atë vit, LDK, e cila kishte pasur si kandidate për kryeministre Vjosa Osmanin. VV kishte marrë 221,001 vota, kurse LDK 206,516.
Koalicioni qeverisës LVV-LDK që doli nga ato zgjedhje kishte formuar qeverinë më 3 shkurt 2020, me Albin Kurtin që kishte marrë postin e kryeministrit dhe Osmanin që ishte bërë kryetare e Kuvendit. Ky koalicion ishte prishur më 25 mars 2020, një mocion mosbesimi i iniciuar nga LDK, e udhëhequr nga Isa Mustafa, mori shumicën e votave të nevojshme. Si rrjedhojë, qeveria u rrëzua në një periudhë kur Kosova po përballej me pandeminë COVID-19.
Në qershor të atij viti, LDK formoi qeverinë e re në koalicion me AAK dhe partitë e komuniteteve joshumicë, dhe Avdullah Hoti nga LDK udhëhoqi qeverinë deri në dhjetor të atij viti, kur Gjykata Kushtetuese e shpalli zgjedhjen e kësaj qeverie të pavlefshme, çka çoi në zgjedhje të reja.
Gjatë periudhës pas rrëzimit të qeverisë LVV-LDK dhe zgjedhjeve të përgjithshme të 14 shkurtit 2021, pati zhvillime që ndikuan në të gjitha partitë politike.
Osmani kishte braktisur LDK-në për shkak të përplasjeve të brendshme me udhëheqësinë dhe kishte formuar listën Guxo, me të cilën i ishte bashkuar VV-së përmes një marrëveshjeje koalicioni para zgjedhjeve të vitit 2021. Ky subjekt sërish garoi bashkë me VV-në në zgjedhjet 2025, por pa themeluesen e tyre, Osmanin, e cila në prill të vitit 2021, ishte zgjedhur presidente.
Ndërkohë, Gjykata Speciale kishte ngritur aktakuzë për krime lufte kundër dy figurave kryesore të PDK, Hashim Thaçit, president i atëhershëm dhe Kadri Veselit, kryetar i atëhershëm i partisë, të cilët dhanë dorëheqje nga postet e tyre në nëntor 2020. Në zgjedhjet e vitit 2021, PDK kishte garuar në krye me Enver Hoxhajn, atëherë ushtrues detyre i kryetarit të partisë, ndërkaq LDK me Avdullah Hotin, nënkryetar i partisë.
Në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, LVV kishte arritur fitore, me 50.28% të votave, duke siguruar 58 ulëse në Kuvendin e Kosovës. LVV e kishte konsideruar këtë fitore si “referendum e ku populli u përcaktua qartë dhe drejt për rrugën që dëshiron të shkojë vendi ynë në katër vitet e ardhshme”.
Në ato zgjedhje, Kurtit nuk iu lejua të kandidojë në listë zgjedhore për shkak të një dënimi penal të mëparshëm për shkak të hedhjes së gazit lotsjellës në Kuvendin e Kosovës në vitin 2015. KQZ kishte ndaluar pjesëmarrjen e personave me dënime penale brenda tri viteve të fundit.
Osmani i kishte prirë listës së përbashkët zgjedhore ndërmjet LVV, Guxo dhe Alternativa e Mimoza Kusarit. Osmani kishte fituar 300,788 vota, që përbënin 68% të të gjitha votave të fituara nga kjo listë e përbashkët zgjedhore.
PDK ishte renditur e dyta me 17.01% të votave, ndërsa LDK kishte përfunduar e treta me 12.73%. AAK kishte marrë 7.12% të votave, ndërsa Nisma Socialdemokrate nuk kishte arritur të kalonte pragun prej 5% për t’u përfaqësuar në Kuvend.
Si rezultat, PDK dhe LDK iu futën një procesi reformimi të brendshëm.
Në korrik 2021, PDK zhvilloi zgjedhje të brendshme duke zgjedhur kryetar Memli Krasniqin, një nga nënkryetarët e partisë. Krasniqi ka qenë dy herë ministër gjatë viteve 2011 – 2017, sa ishte PDK në pushtet.
Disa muaj para zgjedhjeve të vitit 2025, PDK propozoi Bedri Hamzën si kandidat për kryeministër, një rol që gjithnjë është ushtruar nga kryetari i partisë. Hamza shërbeu si ministër i financave për dy mandate (2011–2013 dhe 2017–2020) dhe si guvernator i Bankës Qendrore të Kosovës (2013-2017). Prej vitit 2017, Hamza mban pozitën e kryetarit të Mitrovicës së Jugut.
Ndërkohë, LDK e zgjodhi Lumir Abdixhikun si kryetar të partisë në mars të vtiti 2021 dhe e kandidoi për kryeministër për zgjedhjet 2025. Abdixhiku kishte shërbyer si ministër i infrastrukturës dhe mjedisit në vitin 2019.
AAK dhe NISMA garuan në këto zgjedhje si koalicion, së bashku me partitë E-30 dhe Konservatorët. Bartës i listës dhe kandidati për kryeministër nga ky koalicion është Ramush Haradinaj.
Çka pritet të ndodhë?
Në Kosovë, procesi i formimit të qeverisë fillon pasi KQZ shpall dhe certifikon rezultatet zyrtare të zgjedhjeve.
KQZ në Kosovë certifikon rezultatet parlamentare brenda rreth një muaji, siç ndodhi në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021, kur certifikimi u bë më 13 mars. Kohëzgjatja varet nga kompleksiteti i zgjedhjeve, trajtimi i ankesave dhe numërimi i të gjitha votave, përfshirë ato të diasporës. Pas certifikimit, bëhet e ditur edhe përbërja e Kuvendit, pasi publikohen edhe votat për deputetë.
Pas konstitutimit të Kuvendit, presidentja propozon një kandidat për kryeministër — i njohur si mandatar.
Brenda 15 ditëve, mandatari duhet të paraqesë përbërjen e qeverisë për miratim nga Kuvendi.
Megjithatë, pasi është e rrallë që një parti e vetme të ketë mjaftueshëm ulëse për të qeverisur e vetme, shpesh janë të nevojshme marrëveshjet për koalicione. Për miratim nevojiten 61 vota të deputetëve/eve.
Nëse mandatari i parë nuk arrin të sigurojë shumicën e nevojshme, presidentja, brenda 10 ditëve, duhet ta zgjedhë mandatarin e dytë — një kandidat tjetër nga partia e dytë/koalicioni i dytë më i madh. Sipas të së njëjtës procedurë, edhe mandatari i dytë propozon përbërjen e qeverisë, për miratimin e së cilës i duhen 61 vota.
Nëse asnjë nga kandidatët nuk arrin të sigurojë votat e kërkuara, brenda 40 ditëve shpallen zgjedhje të reja. Historikisht, pavarësisht sfidave politike dhe vijave të kuqe të vendosura para zgjedhjeve, partitë gjithmonë kanë arritur të negociojnë koalicione për të shmangur zgjedhje të përsëritura.
Meqenëse asnjëra nga partitë politike nuk duket se do ta marrë shumicën për ta formuar qeverinë e vetme, pritet që partitë të hyjnë në bisedime për koalicione qeverisëse.
Ndërkohë, rezultatet nuk përfshijnë votat e diasporës, ato me kusht dhe votat e personave me aftësi të kufizuara, të cilat, ndonëse mund të mos e ndërrojnë drastikisht rezultatin, janë të domosdoshme për një pamje më të qartë të asaj se çka do të sjellin këto zgjedhje.
Doni të dini më shumë?
K2.0 mbuloi zgjedhjet e vitit 2025 me një seri përmbajtjesh mediale të shumëllojshme dhe interaktive, duke inkurajuar një votë të mirëinformuar. Duke ndjekur traditën e mbulimit të zgjedhjeve të mëparshme, edhe këtë herë K2.0 ofroi një mbulim të kuruar dhe të veçantë për procesin zgjedhor.
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.