Ron Haviv: Duhet të ketë reagim ndryshe ndaj pamjeve nga lufta - Kosovo 2.0

Ron Haviv: Duhet të ketë reagim ndryshe ndaj pamjeve nga lufta.

Fotogazetari i njohur flet për kujdesin ndaj subjektit, shkuarjen në luftë dhe frikën.

Kur fotografi dhe gazetari pamor, i njohur botërisht, Ron Haviv po tregonte disa fotografi që i kishte shkrepur kur kishte dokumentuar luftërat në ish-Jugosllavi, në një punëtori në Varshavë, Poloni, isha e mahnitur. Shpresoja që, ndoshta, do ta shfaqte ndonjë fotografi ku isha unë a ndonjë anëtar/e e familjes, nga viti 1999 në Kosovë — viti kur humbëm shumicën e fotografive tona, duke mbetur me një zbrazëtirë pamore dhe shumë pyetje. Ishte koha kur shumë shqiptarë/e të Kosovës humbën fotografitë e tyre, teksa lufta në shkallë të gjerë po e kthente vendlindjen e tyre në një fotografi të zymtë.

Si të tilla, fotografitë që merren apo digjen shpesh flasin për një abuzim më të gjerë, për fshirje me përdhunë të identitetit dhe sulm ndaj nevojës së njerëzve për të kujtuar. Fotografia nuk është e rëndësishme vetëm për të kujtuar, por është veçanërisht e fuqishme kur njerëzit kanë nevojë të shihen prej të tjerëve, ashtu që dhimbja, mjerimi dhe shkatërrimi i tyre të ndërpritet, me shpresë, nga dikush që i sheh ato pamje.

Haviv, bashkëthemelues i VII Photo Agency — që përkushtohet në dokumentimin e konflikteve dhe padrejtësive shoqërore në mbarë globin — ka fotografuar shumë luftëra dhe raste të tjera të vuajtjeve të njerëzve duke qenë, siç thotë ai, “njëri nga sytë e publikut”. Puna e tij e ka çuar gjithkah nëpër botë, nga Republika Demokratike e Kongos në Afganistan, në Haiti në Sri Lanka e në Los Angeles.

Ai ishte aty edhe kur gjithçka ndodhi në ish-Jugosllavi. I pa me sytë e vet dhe fotografoi disa nga mizoritë më të kobshme që ka parë ky rajon: vrasjet e qindra civilëve në qytetin nën rrethim të Vukovarit në Kroaci nga Ushtria Kombëtare Jugosllave (JNA) në vitin 1991; rrahjet dhe vrasjet e civilëve në Bijeljina, Bosnje dhe Hercegovinë në vitin 1992; funeralin e një foshnjeje pesë-javëshe në Drenicë, e cila nuk mundi t’i mbijetojë ekspozimit ndaj kushteve atmosferike, pasi mbi një milion shqiptarë/e të Kosovës u detyruan të iknin nga shtëpitë e tyre në vitin 1999.

“Këta s’ishin njerëz që po vdisnin nga kanceri, apo sulmi në zemër. Këto ishin vdekje politike dhe njerëzit donin që historia e tyre të tregohej”, thotë Haviv, duke kujtuar këto pamje. Këto fotografi dhe shumë të tjera nga ato vite gjenden në librin e Havivit, të botuar në vitin 2000 “Blood and Honey: A Balkan War Journal”, (shqip: Gjak dhe mjaltë: Një ditar i luftërave në Ballkan). Libri përmban gjithashtu një fotografi tjetër të njohur, të shkrepur nga Haviv: prijësi serb i njësisë famëkeqe paraushtarake “Tigrat”, Željko Ražnatović, ose Arkani, i cili me mburrje mban një tigër teksa anëtarët e njësisë së tij i rrinë mbrapa.

Në një intervistë të transmetuar në vitin 1992, Arkan e quajti Haviv “shok të mirë”. Kjo ndërroi shpejt kur u publikuan fotografitë e shkrepura nga Haviv në Bijeljina. U raportua se Arkan u shpreh se mezi priste ditën kur do të mund ta pinte gjakun e Haviv. Ajo ditë s’erdhi kurrë. Në qershor të vitit 2024, Haviv erdhi në Prishtinë për 25-vjetorin e çlirimit të Kosovës, për ta mbajtur një ligjëratë të organizuar nga Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës. K2.0 e shfrytëzoi rastin të bisedojë me të për emocionin njerëzor, të qenit në vendin e duhur në kohën e duhur, të qenit syri i të tjerëve dhe për profesionin e vështirë të gazetarisë.

K2.0: A e mbani mend kur vendosët të vini në Kosovë? Çka e shtyri këtë hap?

Ron Haviv: Ishte e pashmangshme. Fillova në Slloveni, më pas në Kroaci, më pas në Bosnjë. Çdo hap ishte relativisht i pritshëm nëse nuk kishte ndonjë intervenim — të gjitha intervenimet erdhën shumë vonë. Por Kosova ishte gjithmonë pjesë e bisedës. Bota kishte frikë që lufta do të vinte këtu. Shumë njerëz mendonin se Kosova do t’i angazhonte vendet e tjera më shumë se Kroacia, ndoshta Bosnja, kështu që gjithmonë ishte “po, lufta po ndodh këtu, por shpresojmë se nuk do të nisë kurrë në Kosovë”. Pastaj sigurisht për palën serbe, Kosova është simbolike dhe historike dhe e trajtojnë ndryshe, për të flitet me nderim dhe histori dhe me interpretimin e tyre rreth asaj që ka ndodhur. Kështu që, marrë parasysh kushtet në të cilat jetonin kosovarët/et, dukej e pashmangshme që të përfundoja këtu. Kam ardhur, mendoj, pak pasi u vranë Jasharët. Dhe gjatë dy viteve të ardhshme, jam përqendruar te refugjatët në Mal të Zi, në Shqipëri kryesisht, dhe pak në Maqedoni.

Ishte shumë dëshpëruese t‘i shihja të njëjtat pamje që kisha fotografuar në Vukovar, në Bosnjë; spastrim etnik, vuajtje të civilëve, funerale të civilëve.

Ishte grup i vogël i gazetarëve/eve ndërkombëtarë/e që punonin me gazetarët/et kosovarë/e. Mediet më s’funksionojnë kështu. Secila palë kishte nevojë për njëra-tjetrën dhe punonim krah për krah dhe ishte shumë e rëndësishme sepse kosovarët/et nuk mund t’i përçonin historitë e tyre ndërkombëtarisht dhe ndërkombëtarët nuk mund të punonin pa kosovarët/et. Kështu që, kishim marrëdhënie të mrekullueshme. Ishte një grup i vogël që vazhdoi të dokumentonte, informonte dhe vazhdonte të kthehej dhe padyshim kjo histori u bë më intensive. Ishte shumë dëshpëruese t‘i shihja të njëjtat pamje që kisha fotografuar në Vukovar, në Bosnjë; spastrim etnik, vuajtje të civilëve, funerale të civilëve.

Çka e formëson vendimin tënd për të shkuar në një vend me kamerën tuaj? Si e di se ku duhet të jesh? 

Varet prej asaj që është duke ndodhur. Shpesh shtysa e zakonshme është nevoja për të hedhur dritë mbi një ngjarje, e di që është klishe, por është klishe për një arsye, për t’i çuar lart zërat që nuk dëgjohen mjaftueshëm, për t’u përpjekur të kesh një lloj ndikimi, në kohë reale, diçka që shpesh dështon, dështon plotësisht. Tash e 35 vjet e bëj këtë punë dhe kam parë fotografi që në fillim nuk ka pasur ndonjë ndikim dhe pastaj papritmas pesë vjet më vonë, dhjetë vjet më vonë, janë bërë prova, që përdoren në një tribunal për krime lufte ose bëhen pjesë e një planprogrami edukativ. E di që puna ime mund të kenë ndikim, ndaj jam në kërkim të vendeve ku mund ta kem këtë ndikim. Tash normalisht, e di që ka shumë vende në botë, që kanë nevojë për këtë dhe unë s’mund të shkoj në të gjitha vendet. Pra, nganjëherë shkoj nëpër vende që më tërheqin për çfarëdo arsye. Në Kosovë, për shembull, kisha vendosur pas Vukovarit, se do ta dokumentoja shpërbërjen e Jugosllavisë deri në fund dhe normalisht që Kosova ishte zgjedhja e radhës sepse Kosova ishte vendi i radhës.

Kisha vendosur pas Vukovarit, se do ta dokumentoja shpërbërjen e Jugosllavisë deri në fund dhe normalisht që Kosova ishte zgjedhja e radhës sepse Kosova ishte vendi i radhës.

I kapni momentet e frikës dhe dëshpërimit, si fotografia e një çifti në Sarajevë që fshihet nga një snajper serb apo fotografia e një gruaje në Kosovë që shikon teksa një shtëpi digjet. Si arrin t’i kapësh ndjenjat e njerëzve në një mënyrë kaq të papërpunuar?

Mendoj se po ta gjeje çiftin sot — unë s’i gjeta kurrë — dhe t’i pyesje nëse iu kujtohet që unë isha aty, ata nuk do të më mbanin mend. Në shumë situata kur jam afër, jam personi më i parëndësishëm për këta njerëz që përpiqen të mbijetojnë. Zakonisht nuk më shohin dhe kjo është e mirë për shikuesin/en sepse shohin diçka sa më natyrale. Shpesh ata janë të kapluar nga emocionet, siç është fotografia — mendoj se është nga Drenica — e gruas që shikon shtëpinë tek digjet. Dua të them, kjo është ndoshta një nga përvojat më të këqija që ajo ka pasur ndonjëherë, nëse jo më e keqja. Përsëri, unë s’jam pjesë e rëndësishme e përvojës së saj. Ajo po e përjeton dhe unë po përpiqem ta dokumentoj përvojën e saj në mënyrë që ne si audiencë, ta ndiejmë atë në mënyrë sa më të sinqertë.

Fotofrafitë: Ron Haviv/Blood and Honey/VII

E keni fotografuar Arkanin teksa duket i gëzuar dhe krenar dhe mban një tigër bashkë me njësinë e tij paraushtarake mbrapa tij. Keni fotografuar edhe tigrat e Arkan teksa vrasin dhe shkelmojnë civilë. Si ia dole t’i fotografosh të dyja çastet?

Fotografinë me tigër mund ta shikoni si një fotografi të gëzuar, të lumtur, ose mund ta shikoni si: Ky është një psikopat që mban në dorë një tigër të vogël, që është më shumë mënyra se si e kam interpretuar atë fotografi. Lidhja mes dy fotografive është shumë e rëndësishme. Fotografia me tigër tregon pse ia dola ta bëja fotografinë e dytë, sepse Arkani, i cili ishte shumë i zgjuar dhe fliste shumë gjuhë, gjithashtu ndihej se ishte më i zgjuari nga të gjithë të tjerët dhe mendonte se mund ta kontrollonte imazhin e tij. Unë isha me Alexandra Boulat, bashkëthemeluese e VII Agency, e cila ishte fotografe e mrekullueshme, por qëlloi të ishte edhe një grua e bukur franceze. Arkani ishte burrë maqo dhe i thamë “a mund të bëjmë një portret tëndin?” Më shumë për Boulat sesa për mua, ai tha “sigurisht” dhe më pas e mori këtë pozitë dhe ishim gati ta bënim fotografinë, kur dikush ia dha një tigër që ishte “liruar” nga një kopsht zoologjik kroat.

Kur e takova sërish Arkanin në Bijeljina, ai e kishte marrë atë fotografi, e kishte bërë poster e kështu me radhë. Mendonte se shkaku që e bëra atë fotografi, për çfarëdo arsye, dhe kurrë s’thashë asgjë për t’i lënë atij ndonjë përshtypje të kundërt, mendoi “oh ti je në anën tonë, kështu që shko me këta djem dhe dokumentoni dhe jam i sigurt se gjithçka do të shkojë mirë.”

Dhe pasi shkrepe fotografinë e Bijeljinës?

S’ishte i kënaqur me mua. Më shtoi në një listë, një listë të vdekjes dhe e shmanga për pak takimin me të disa herë. Me sa di, sipas kolegëve/eve nga Serbia, gjithmonë kanë qenë pak mbrapa meje. Në fakt, ishte një fotograf që kishte karakteristika të ngjashme fizike me mua, të cilin e arrestuan — menduan se ai isha unë. Kështu që mendoj se kam pasur pak fat. Pastaj përfundimisht u burgosa nga serbët, por më kapën në Krajina dhe më sollën në Bosnjë. Kurrë nuk e bënë ndërlidhjen. Ishin tri ose katër ditë në pyetje dhe më pas në fund qeveria e ShBA dhe qeveria franceze negociuan lirimin tim. Para se ta bënin ndërlidhjen, unë ia dola të largohesha. Në atë moment, përveç që ishte i mërzitur, gjykimi në Hagë po fillonte, ai e kuptoi se unë do të isha dëshmitar kundër njerëzve të tij.

Fotografitë: Ron Haviv/Blood and Honey/VII

Në “Blood and Honey” janë dy fotografi funeralesh — njëra e një foshnjeje shqiptare pesë-javëshe dhe tjetra ku një fëmijë qan në Kroaci në funeralin e babait të tij. Si ia dolët të keni qasje në ngjarje të tilla?

Fëmija duke qarë ishte shumë në fillim të luftës kroate. Është ndoshta një nga funeralet e para që dokumentova. Më kujtohet që isha duke qëndruar jashtë shtëpisë, me shumë respekt, teksa po përgatitnin trupin për varrim. Njëra nga të afërmet doli nga shtëpia dhe më kapi fizikisht dhe më çoi në shtëpinë ku gratë vajtonin para trupit dhe më tha: “Fotografoje këtë, pse ndodhesh këtu, fotografoje këtë, tregoji botës se çka ka ndodhur me djalin tim, ai u vra nga serbët sepse ishte kroat”.

Në thelb dhe fatkeqësisht, në dhjetëra e dhjetëra funerale që kam dokumentuar gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë, ishte gjithmonë e njëjta, sepse këta s’ishin njerëz që kishin vdekur nga kanceri apo sulmi në zemër. Këto ishin vdekje politike dhe njerëzit donin që historia e tyre të tregohej, të njihej sakrifica e nënës, motrës, vëllait, babait.

Me atë fotografi të fëmijës duke qarë, përsëri ishte e parëndësishme madje që gjendesha aty. Askush nuk po aktronte para kamerës, ishte emocion i pastër, askush s’më kushtonte vëmendje. S’u ndieva në asnjë mënyrë se po i eksploatoja ata/o, apo se po ndërhyja në diçka që ishte shumë private pa leje apo të fshihesha nën ndonjë pemë — e gjithë kjo u bë duke e respektuar dhe njohur procesin.

Njerëzit e kuptojnë fuqinë e fotografisë.

Njerëzit e kuptojnë fuqinë e fotografisë. [Sa i përket fotografisë] së foshnjës pesë-javëshe që vdiq nga ekspozimi në kushtet atmosferike në Drenicë, ka qenë një paraqitje e pabesueshme e brutalitetit të asaj që po ndodhte në Kosovë. Njerëzit e kuptuan këtë. Mendoj se është një fotografi shumë e kujdesshme. Në të shfaqet gjyshja dhe dikush tjetër, por të njëjtën kohë është një fotografi shumë brutale e një fëmije që duhet të ishte në të njëzetat tani.

Mund të shohësh statistika, shifra që njerëzit s’mund t’i kuptojnë vërtet, por e sheh vetëm një fotografi të një foshnjeje, që vdiq nga të ftohtit. Numri, statistika bëhet realitet dhe më pas shikuesi e shikon në një mënyrë tjetër.

Fotografitë: Ron Haviv/Blood and Honey/VII

E përmendët kujdesin dhe mos-eksploatimin e historisë së dikujt. Sa dhimbje mund të fotografosh pa e eskploatuar atë?

Mendoj se ka të bëjë me vlerësimin individual se cila mendon se është mënyra për t’i trajtuar ata/o me dinjitet. Është diçka që të gjithë duhet ta përcaktojnë vetë deri në njëfarë mase, por mendoj se ka edhe disa nivele dhe shtresa, që s’duhet prekur. Çdo situatë mund të jetë e ndryshme. Por në të njëjtën kohë, mendoj se në shumicën e rasteve, nëse jo gjithmonë, njerëzit e kuptojnë rolin e fotografisë së tyre. Nëse ndodhesh aty dhe diçka po ndodh dhe nuk po e dokumenton, pse ndodhesh ende aty? E marr me shumë seriozitet përgjegjësinë time të të qenit syri i publikut, ndaj mundohem të mos vetë-redaktohem në terren. Përpiqem ta përdor estetikën e fotografisë për të shfaqur pamje që do të krijojnë marrëdhënie emocionale midis shikuesit/es dhe pamjes. Është gjithmonë një veprim i baraspeshuar.

Bëheni sytë nëpërmjet të cilëve ne të tjerët shohim atë që po ndodh. Sytë e kujt kërkoni të bëheni? Çka prisni të bëjnë ata pasi të shohin?

Këto janë dy pyetje të shkëlqyeshme për të cilat s’ka përgjigje të thjeshta. Një pjesë e syve është se nëse punoj me një botim, në fakt posaçërisht për publikun e tyre, por puna jeton përtej atij botimi. Kështu që mendoj se kjo është shpesh mënyra se si unë e shoh. Me gjasë njerëz, që në njëfarë mase, kanë të njëjtat vlera si unë, për jetën dhe atë që njëmend ka rëndësi e kështu me radhë. Ekziston edhe ideja për t’u përpjekur — nëse ndihem se diçka që po ndodh është gabim dhe e di se ka njerëz që e mbështesin atë — do t’u jap atyre mundësinë për të mësuar dhe ndoshta kjo do t’ua ndryshojë mendimin. Sa i përket asaj se çka bën me informacionin që e merr, kjo dallon.

Dua të them, shiko, sot, sigurisht në ShBA dhe gjithashtu në njëfarë mase në mbarë botën, protestat që po vazhdojnë në lidhje me luftën Izrael-Hamas. Shumë prej tyre vijnë nga pamjet që gazetarët/et palestinezë/e po i ofrojnë. Mendoj se kjo dëshmon sërish se si pamjet mund të luajnë rol. Ka pasur ndalje investimesh, biseda, të kuptuar dhe gjithashtu ka pasur keqkuptime të tëra, propagandë dhe antisemitizëm dhe islamofobi, kështu që të gjitha këto gjëra të ndryshme janë të ndërlidhura dhe pamjet luajnë rol në të gjitha këto.

Ndaj mendoj se, për ta bërë një hap prapa dhe për ta dhënë një përgjigje të thjeshtë, dëshiron që vepra jote të luajë rol në komunikim. Fotografia nuk do t’i ndalojë luftërat, por është shumë e rëndësishme në këtë të të kuptuar, aftësia që njerëzit të kuptojnë, të përfitojnë dije. Ky është më shumë një debat në fushën e edukiminit medial, por njerëzit do ta shikojnë veprën duke e kombinuar me veprat e tjera dhe do të lexojnë e kështu me radhë, të bëhen qytetarë më të informuar për t’i marrë pastaj vendimet e tyre vetë. Ky është qëllimi përfundimtar dhe ata njerëz mund të jenë politikanë/e, ose mund të jenë votues/e, mund të jenë adoleshentë/e, ose mund të jenë të moshuar/a. Ne kemi këtë aftësi për të ndikuar te njerëzit me veprat tona. Por nuk është proces i pavarur dhe nuk do të ketë kurrë sukses si i pavarur. Fotografia, duke përfshirë disa nga fotografitë për të cilat folëm, mund të ketë fuqi të madhe, por në të njëjtën kohë, pa dikë për t’i dërguar gjërat në një nivel tjetër, nuk do të arrijë asgjë.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Keni qenë dëshmitar i disa momenteve të errëta të njerëzimit dhe keni dokumentuar vuajtjet më të rënda të njerëzve. Çka ju bën kjo juve si person?

Është sërish një lloj klisheje, por ne të gjithë përbëhemi nga përvojat tona dhe të tillë jemi sot, kjo je ti, ky jam unë. S’kam ide se si do të isha ndryshe nëse nuk do të kisha përjetuar këto gjëra të ndryshme. Janë pjesë e imja. Nuk mendoj se më ka bërë më cinik sesa kur ia fillova. Mendoj se gjithmonë kam qenë pak cinik.

E kuptoj se brishtësia e jetës është ndoshta një gjë që shpërfaqet shumë dhe gjithashtu diçka që kam mësuar për qeniet njerëzore — dhe kjo ka qenë shumë e rëndësishme për mua në punën time — është se emocioni i frikës është motivuesi kryesor për pothuajse gjithçka që kam parë, kështu që “do të të vras para se të vish e ta vrasësh familjen time”, “Kam frikë se do ta vrasësh familjen time dhe edhe nëse justifikohet apo jo, do ta bëj këtë”. Ajo që njerëzit janë në gjendje të bëjnë kur kanë frikë dhe duan të mbijetojnë, si në aspektin negativ ashtu edhe në atë pozitiv, është e jashtëzakonshme. Kështu që mendoj për veten se kam mësuar më shumë për njerëzimin dhe më shumë për veten për shkak të krejt asaj që kam parë.

Sot ekzistojnë shumë forma për ta manipuluar përmbajtjen pamore. Dhe gjithë kjo bujë rreth inteligjencës artificiale (AI). Çfarë mendoni për gjithë këtë?

Fotografia si e tërë do të merret me AI, por konkretisht fotogazetaria dokumentuese ndodhet në një vend shumë të rrezikshëm. Por kemi qenë po ashtu në një vend të rrezikshëm për një kohë të gjatë. Një numër fotografësh/esh e kanë kaluar këtë vijë, shumica prej tyre, nëse jo të gjithë, janë zënë duke manipuluar fotografi, duke ndryshuar gjërat dhe mendoj se kjo është shumë e rëndësishme.

Do të ndodhemi në një situatë shumë të rrezikshme ku do të jetë më se e mundur, qoftë përmes videove apo fotografive, që të dalin disa pamje që do ta shtyjnë një vend drejt luftës.

Marrëdhënia mes fotografit/es, fotografisë dhe shikuesit/es është e shenjtë dhe kjo prishet vetëm kur shikuesit/et thonë “S’e besoj këtë fotografi”, gjë që tashmë po ndodh. Përveç AI, në 8-12 vitet e fundit çështja e atyre që quhen “lajme të rreme” është shumë e rëndësishme. Mund të ndodhë që asgjë nuk manipulohet dhe njerëzit përsëri nuk e besojnë sepse nuk është fotografi apo lajm që përkon me opinionin e tyre politik… S’mund të humbim edhe më shumë nga kjo marrëdhënie. Për shkak të kësaj, për shkak të këtyre telefonave, për shkak të kompjuterëve, të gjithë lehtësisht e kuptojnë sot se si mund ta manipulosh një fotografi, të bësh çka të duash. Do të ndodhemi në një situatë shumë të rrezikshme ku do të jetë më se e mundur, qoftë përmes videove apo fotografive, që të dalin disa pamje që do ta shtyjnë një vend drejt luftës. Dhe nuk do të jetë e vërtetë.

Pra, përsëri për të ardhur dhe kthyer te shikuesi, shikuesi/ja është përgjegjës/e se nga ku informohet, ku i shikon pamjet. Një nga gjërat që duhet t’i kushtohet vëmendje është: a është The New York Times apo BBC, apo është BBA, që duket si BBC? Kjo luan rol kyç. Sepse pasi të prishet marrëdhënia, mund të vazhdojmë të dalim dhe të dokumentojmë dhe tregojmë historitë e këtyre njerëzve, por nëse njerëzit nuk e besojnë, është problematike.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Në vit shkrepen mbi një trilion fotografi, një kontekst krejt ndryshe nga ai që e keni fotografuar në vitet 1991-1999. Çka u bën njerëzve ky prodhim masiv i fotografive? A shihni rrezik të zbehjes së ndjeshmërisë?

Mendoj se ky rrezik ka qenë gjithnjë i pranishëm. S’jam i sigurt se bazohet plotësisht në numra, megjithëse ndoshta kanale të shumta mund të kontribuojnë në këtë pak më shumë sesa më parë. Por, sërish më duhet t’i rikthehem përgjegjësisë së shikuesit/es. Le të marrim si shembull Sirinë. 12 vite. Për dy vitet e para Aleppo po digjej, njerëzit u tronditën, ashtu siç duhet dhe më pas kthehet në diçka normale. Ukraina gjithashtu, pas dy vitesh, “Në rregull, Ukrainë, një fshat tjetër po digjet, e kam parë këtë tashmë e kështu me radhë…” Kjo s’duhet të jetë përgjigja e duhur njerëzore. Duhet të jetë: “Pse po ndodh ende në Ukrainë? Pse Siria vazhdon për 12 vjet dhe nëse Gaza vazhdon edhe për një vit tjetër, pse nuk e kanë zgjidhur ende? Pse po shoh ende fotografi?” Pra, duhet të ketë një reagim pak më ndryshe.

Një pjesë e veprave, me shumë gjasë vepra më e mirë, do të ngjitet në krye dhe do të bëhet përfaqësuese e krizës. Kështu, për ta përdorur Gazën si shembull, fotografia shkrepur nga Mohammed Salem e gruas që mban trupin e mbështjellur me një çarçaf të bardhë është një pamje e fuqishme që njerëzit me shpresë do ta mbajnë mend dhe që do të tregojnë respekt për pamjet e tjera. Kjo do të jetë pamja që njerëzit do ta mbajnë mend, që do ta përfaqësojë humbjen e jetëve në Gaza. Nuk do t’i thoja kurrë askujt, që çdo ditë të rrinë të kyçur, “Shihe këtë luftë, shihe atë luftë …”, është e tepërt. Por njerëzit duhet t’i kushtojnë vëmendje pak, sepse pa marrë parasysh a je kosovar/e, amerikan/e, egjiptian/e, jemi të lidhur. Ka ndërlidhje.

Ke qenë në vende shumë të rrezikshme. Si e baraspeshoni sigurinë personale dhe atë që duhet të tregohet?

Përgjigja ime është shumë e thjeshtë. Nuk jam i gatshëm dhe nuk dua të vdes për një fotografi. E kam një vijë që shpresoj se nuk do ta kaloj, sepse dua që për fotografinë e radhës të ndodhem aty. Ka njerëz të tjerë që thonë “Jo, do të bëja gjithçka për një fotografi”. Pra, është besimi i secilit person. Por duhet të ketë një baraspeshë.

Teksa flas për frikën, sigurisht që kam frikë kur jam duke shkuar në një konflikt. Përpiqem ta përdor frikën si udhëzues për të qenë i mençur. Shpesh është çështje milimetrash nëse jeton apo vdes; merr këtë anë dhe nuk të qëllon, merr tjetrën anë dhe të qëllon. Pra, e ka edhe një lloj pjese fataliste. Duke nisur nga Sarajeva, sepse shumë gazetarë/e plagoseshin dhe vriteshin, sepse nuk ia kishim idenë se çka po bënim. Njerëzit ndodheshin në Vjenë në mëngjes duke pirë kafe dhe në mbrëmje ishin në vijën e frontit. Të nesërmen ishin të vdekur, sepse nuk kanë qenë kurrë më parë në luftë.

Tani, ekziston përpjekje e njëmendtë e bashkërenduar, jo vetëm për personelin e TV dhe publikimet dhe kështu me radhë, por që profesionistët/et e pavarur të trajnohen nga ish-ushtarët/et se si t’i mbijetojnë një zone lufte. Në Ukrainë, për shembull, The New York Times dërgon një përkthyes/e, do të ketë një fotograf/e, do të ketë një shkrimtar/e dhe do të ketë një person sigurie bashkë me ta gjatë gjithë kohës. Është krejtësisht mënyrë tjetër pune, krahasuar me pesë vite më parë. Personi i sigurisë nuk është i armatosur, por ndodhet aty për të këshilluar: “Kjo duket e rrezikshme, nuk do ta bëjmë këtë”. Ose, “Sapo u njoftova nga një person tjetër, do t’i fillojnë sulmet këtu, kështu që do të presim” apo çkado tjetër. Pra, ideja e sigurisë edhe brenda një zone lufte aktive është diçka shumë e rëndësishme.

Një nga gjërat që është e rëndësishme të njihet është se ne, gazetarët/et ndërkombëtarë/e, në krahasim me gazetarët/et vendas/e ukrainas/e, veçanërisht burrat, mund të largohemi nga Ukraina sa herë të duam. Ukrainasit/et nuk munden. Qytetarët e Gazas po dalin ngadalë, por është shumë e vështirë dhe shumë e shtrenjtë. Ky është dallimi i madh mes hyrjes si një vëzhgues i plotë, pa pasur lidhje me vendin dhe të pasurit e lirisë që kam pasur gjithmonë, apo lirinë financiare. Paraja t’i ofron të gjitha llojet e përfitimeve që njerëzit nuk i kanë.

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0

Ke takuar njerëzit që i ke fotografuar në të kaluarën. A ka ndonjë tregim që mund të ndani për atë që ju kanë thënë këta njerëz?

Kur ra Srebrenica, serbët vendosën në radhë me autobusë shumë gra dhe fëmijë, të cilët erdhën në Tuzla dhe shkuan në bazën e OKB. Vuanin nga stresi post-traumatik dhe s’ia kishin idenë se çka ka ndodhur me bashkëshortët e tyre. E shkrepa një fotografi të një gruaje [Nedžiba Salihović] teksa i lutej një ushtari suedez të OKB për një lloj ndihme dhe ai thjesht kalon pranë saj dhe krahët e saj janë të hapur. Fotografia u bë mjaft e njohur. Dhe s’e gjeta atë grua.

Pastaj, kisha një ekspozitë në Sarajevë, e gjetëm atë dhe e ftuam të vinte. Më përshëndeti po ashtu me krahët e hapur, si një lloj simboli. Kishte humbur bashkëshortin dhe djalin e saj. Dhe më pas, e takova përsëri kur u ktheva në Srebrenicë për vendimin për Mladić dhe një numër i nënave të Srebrenicës ishin të gjitha në rresht, përfshirë edhe atë. Në njërën dorë mbante fotografinë dhe kur e shpallën fajtor, ajo bëri sërish të njëjtin gjest, që është një lloj simboli i saj, por ishte shumë e sinqertë dhe e ndjerë. E kam parë në momente shumë të rëndësishme të jetës së saj dhe e kam vizituar në shtëpinë e saj dhe kam takuar pjesën tjetër të familjes së saj e kështu me radhë. Ishte përfaqësim i shumë përvojave që kishim përjetuar.

Fotografia mendoj se flet më së miri për të gjitha konfliktet këtu, sepse ekzistonte ideja e fshirjes së identitetit të tjetrit.

Një tjetër, po ashtu në Bosnje, është një fotografi e një fotografie. Është një portret familjar që ishte në periferi të Sarajevës, e quajtur Ilidža dhe kur Sarajeva u nda dhe Ilidža u fut nën kontrollin serb. Familja u largua dhe kur u kthyen në shtëpi, shtëpia ishte krejtësisht bosh, e zhveshur nga gjithçka, pa mobilje, pa dritare, asgjë, përveç një portreti familjar në dysheme në dhomën e ndejës dhe ndoshta ishin njerëzit që jetonin aty… por dikush ua kishte gërvishur fytyrat me brisk. Fotografia mendoj se flet më së miri për të gjitha konfliktet këtu, sepse ekzistonte ideja e fshirjes së identitetit të tjetrit. Kjo po ndodhte vazhdimisht.

Fotografia: Ron Haviv/Blood and Honey/VII

Në çka jeni i përqendruar me fondacionin tani? Në çka tjetër po punoni?

Fondacioni ka mandat të dyfishtë. Njëra është të prodhohen projekte si “Imagine”, projekte të gjata për tema të rëndësishme që mediet institucionale nuk mund t’i trajtojnë. E bëjmë këtë në një mënyrë shumë-platformëshe, ku ka fotografi, ekspozita, filma, por më e rëndësishmja edhe planprogram arsimor, që ne të futemi në shkolla dhe ta kemi një lloj ndikimi, nga ana edukative, në të cilën kemi qenë shumë të suksesshëm.

Pjesa tjetër është mandati për t’u mësuar gazetarinë pamore komuniteteve që janë më pak të përfaqësuara anembanë botës. Kjo ide, e cila sigurisht nuk është e jona, ngërthen në vete atë që demokracia dhe shtypi i lirë janë të ndërthurura, por për të pasur një shtyp të lirë duhet të ketë, veçanërisht në aspektin e gazetarisë pamore, edukim se si ta bëjmë këtë në mënyrë korrekte. Përsëri, për shkak të teknologjisë, të gjithë sot janë fotografë/e, gjë që është e mrekullueshme, por të jesh fotoreporter dokumentues, regjisor pamor është më shumë se thjesht marrja e pamjeve. Është procesi i të menduarit, janë idetë mbrapa procesit dhe të kuptuarit se si ta bëjmë atë në mënyrën e duhur. Shumë nga ajo që folëm sot për sa i përket mënyrës se si t’i trajtsh subjektet, vërtetësia e pamjeve, si dhe teksti përcjellës, janë shumë të rëndësishme.

Këto janë disa nga gjërat që ne ua mësojmë në fondacion. Kemi një kampus në Sarajevë dhe kemi një në Francë. Deri në vitin e ardhshëm, do të kemi një program në Universitetin e Sarajevës në departamentin e shkencave politike, duke ofruar një program master mes shkencave politike dhe gazetarisë pamore. Jemi anembanë botës, por pa diskutim, kemi përqendrim të madh në Ballkan, sepse aty u takuam unë dhe Gary (Knight), si dhe shumë fotografë/e të tjerë/a. Pra, është shumë e rëndësishme për të sigurohemi që gazetaria e kësaj fushe të bëhet siç duhet, sepse ndihemi sikur, ne vetë, kolegët/et tanë/ona qofshin vendas/e apo ndërkombëtarë/e, sakrifikuan jetën e tyre që kjo të ndodhë. Dua të sigurohem që kjo të bëhet në mënyrë korrekte dhe të sigurohem që mund të bëhet në një mënyrë që do ta ketë ndikimin e duhur.

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha/K2.0

Kjo intervistë është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën angleze.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.