Shtyp | #NjëNëDisa

Ruajtja e të dhënave

Fotografitë e gazetarit Gani Kosumi mbrujnë në detaje një kohë të vështirë të historisë së sportit kosovar.

Nga - 04.03.2015

Kur bëhet fjalë për gazetarinë sportive në Kosovë, emri i Gani Kosumit nuk mund të shmanget. Aktualisht është redaktor i sportit në radio (Radiotelevizionin e Kosovës), dhe ka 35 vjet përvojë pune si gazetar i sportit. Kjo jetëgjatësi e ka bërë atë jo vetëm të jetë dëshmitar i perspektivave politike e sociale të sportit dhe gazetarisë prapa tij, por edhe ia ka veshur nofkën “Galeria e sportit kosovar”.

Karriera e tij nisi në fillim të viteve ’80, si student me aspirata për t’u bërë gazetar, në Departamentin e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës. Duke e vërejtur pasionin e tij, profesorët e Kosumit shpesh do t’ia blinin atij gazetat ditore, që ai të mund t’i shfletonte seksionet e sportit. Shpejt pas kësaj, ai u bë reporter i rregullt i gazetës së studentëve, “Bota e re”, duke mbuluar kryesisht ndeshje që luheshin në kuadër të Universitetit. Më 1981 ai kaloi në radio gazetari, duke e mbuluar sportin për Radio Prishtinën. Por u desh të kalojnë 10 vjet, që më 1991, korniza e referencës e Kosumit për botën të rritet. Vëllai i tij, që asokohe jetonte në Britani të Madhe, ia dërgoi atij një fotoaparat. Ishte një “Olympus” që dallohej nga objektivët jashtëzakonisht të mirë, që prodhonin pamje shumë të mprehta, asokohe ky fotoaparat konsiderohej si më i miri i kohës. Mund të kishte qenë rastësi që fotoaparati mbërriti në duart e tij, por për Kosumin fotografia u bë më shumë se një hobi. Deri në atë kohë Kosumi kishte mbuluar ngjarje sportive të Kosovës, duke shkruar dhe duke përgatitur radio reportazhe. Tani fotoaparati do të bëhej shoqëruesi i tij në udhëtimet që ai nisi t’i bënte nëpër Kosovë, për t’i ndjekur lojërat e ndryshme. Kjo bëri që ai të krijonte një koleksion të rrallë të dokumentimit të sportit në Kosovë gjatë viteve ’90.

Pas ndeshjes së futbollit në kampionatin e Kosovës, në fshatin Llukar, mars 1997, lojtarët shqiptarë të Kosovës lahen në një lumë para se të nisen për në shtëpi.

Me shpërbërjen e asaj që ishte Jugosllavi, nga luftërat, në fillim të viteve ’90, regjimi serb ua ndaloi shqiptarëve të Kosovës pjesëmarrjen në jetën publike. Hapësirat publike dhe qytetet gjithandej nëpër Kosovë u ndanë në baza etnike, punëtorët shqiptarë në institucione shtetërore u detyruan të braktisin punën, mediat shqiptare ose u mbyllën, ose ishin nën kërcënime të vazhdueshme. Sportet në Kosovë u ballafaquan me të njëjtin realitet, por ato nuk pushuan së ekzistuari. Ato filluan të organizohen nëpër objekte të shkollave që ishin ende të hapura, edhe pse të lëna pas dore, dhe në parqe e fusha gjithandej nëpër Kosovë. Shumë sporte vazhduan të jetojnë, si p.sh.: futbolli, karateja, hendbolli, pingpongu, skijimi dhe shahu. Kosumi u përkujdes që edhe gazetaria sportive të vazhdojë të jetojë.

Krosi pranveror, 1997, në fshatin Karaçevë të Kamenicës, i organizuar nga Federata e Atletikës e Kosovës.

’“Njerëzit ngurronin të kishin fotoaparate në atë kohë”, thotë Kosumi. “Por unë rrezikova”.

Eroll Salihu, Afrim Tovërlani dhe Arbnor Morina, lojtarë të KF “Prishtina”, festojnë fitoren e Kampionatit të Kosovës, 1996-97, në Llukar, Prishtinë.

Atij i kujtohet një incident më i madh në vitin 1995, kur Shoqata e Pavarur e Sportit e Kosovës e kishte organizuar një ceremoni shpërblyese për sportistët e vitit, në një restorant në Fushë-Kosovë. Pjesëmarrësit shpesh organizoheshin sesi të hipnin nëpër vetura, i ndihmonin njëri-tjetrit për të paguar edhe faturat e naftës, qoftë kjo për ngjarje apo ndeshje, dhe shpesh mblidheshin rreth 6.000 spektatorë. Në atë ditë specifike, një grup prej 40 policësh të armatosur serbë hyn në lokalet ku po mbahej ceremonia dhe i konfiskoi shpërblimet. Kosumit i kujtohet se si 24 njerëz ishin arrestuar, përfshirë edhe atë, dhe ishin mbajtur në stacionin policor në Prishtinë për orë të tëra. Meqë asokohe Kosumi po e mbulonte sportin e Kosovës edhe për Radiotelevizionin e Shqipërisë, ai u sigurua që kjo storie të transmetohet.

’“Përmes dritares së vogël 15 minutash që e kishim (në Radiotelevizionin e Shqipërisë), njerëzit këtu dhe në diasporë u informuan se çka ndodhte në Kosovë në lidhje me sportin”.’

Bresalc, 24 korrik, 1997. Kampioni evropian, Afrim Latifi, në të djathtë, lufton kundër Blerim Kelmendit, në kampionatin kosovar të arteve luftarake. Latifi e fitoi ndeshjen dhe u bë kampion i Kosovës.

Gara e krosit të shkollës fillore dhe të mesme të Prishtinës, 1996.

Në fshatin Dumnicë, Llap, më 1997, shihet një futbollist pas ndeshjes.

Pavarësisht se a raporton për radio apo i shkruan lajmet për lojërat, sot Kosumi njihet më së miri për fotografitë, me të cilat i dokumentoi kushtet e vështira në të cilat u organizua sporti dhe që e ilustrojnë vullnetin dhe determinimin e njerëzve në to. Është pikërisht ky dokumentim gjatë viteve ’90, që ia la atij nofkën “Galeria e sportit kosovar”, dhe ky nuk është një nënvlerësim. Kosumi ka mbi 8.000 fotografi, të gjitha të ruajtura nëpër fotoalbume në shtëpinë e tij në Prishtinë. Për më shumë, Kosumi ka edhe mbi 300-400 filma që ende nuk i ka digjitalizuar. Fotografitë e publikuara këtu, përmes fotoaparatit të Kosumit, ofrojnë një këndvështrim për botën e sportit në Kosovë gjatë viteve ‘90.