Deri në natën e Krishtlindjeve të vitit të kaluar, për mua, i tërë koncepti i gjidhënies ishte aq i largët sa edhe Marsi. Pastaj u lind Roza, vajza ime, dhe pa një, pa dy, si në një kthesë të beftë fabulash, u zhyta në gjithë cirkun e gjidhënies.
Para Rozës, kurreshtja ime rreth gjidhënies nuk shkonte larg. Sigurisht, kishte tek-tuk ndonjë kërkim gazetaresk për atë se si dukeshin gjërat për gratë që ushqenin me gji në Kosovë: A respektohet ligji që u mundëson nënave gjidhënëse dy orë të orarit të punës, për t’i përdorur kurdo për gjidhënie derisa foshnja të mbushë një vit dhe pastaj një orë deri sa foshnja të mbushë dy vjet? A i përshtatin punëdhënësit hapësirat e punës, ashtu që nënat gjidhënëse të të kenë mundësi të ushqejnë ose të pompojnë rehatshëm gjatë orarit të punës? Po stigma publike — a nuk shihej gjidhënia në publik si një akt rebelimi?
Pastaj, bum, përvoja m’i përplasi për fytyre edhe kurreshtjen e varfër, e edhe dijet e kufizuara. Roza ishte vazhdimisht e uritur. Si sahat, ushqim kërkonte çdo 20 minuta, shpesh midis rruge, apo në një kafene, bar, qebaptore, qendër tregtare. Dhe unë e ushqeja nëpër të gjitha vendet ku ajo uritej, nën lloj-lloj dritash neoni, mbi trotuaret e improvizuara e nën zhurmën e pandërprerë të trafikut.
Për çudinë time, nuk kishte gjykime. Njerëzit nuk dukeshin të shqetësuar ose ishin të sjellshëm aq sa të shmangnin shikimet. Gjidhënia nuk prishte çehre në vendin ku veprimet publike të grave disiplinohen dhe trupat e tyre rëndom policohen e ku fajësimi i viktimës ishte kthyer në normë nga prorektorja, ndërsa policia nuk regjistron padinë për dhunë në familje, sepse s’je veshur sipas një kodi joekzistent te veshjes. Ndoshta të gjithë ishin shumë të zënë me kaosin e tyre. Ndoshta thjesht nuk u interesonte. Apo ndoshta, trupi i gruas respektohet më shumë kur është në shërbim të tjetërkujt, sidomos një bebeje.
Kështu iu mësyva gjidhënies me vizionin tim naiv rreth procesit. Mendoja: merr beben, e afron te gjiri, ajo nis e pin, kaq. Por, e vërteta dallonte si nata me ditë. U gjenda e bllokuar në këtë rutinë të re të çuditshme; dikur tërë kohën në rrugë dhe lëvizje, tani e lidhur me divanin dhe kërkesat e pafundme të një fëmije që dukej se ushqehej përjetë, por kurrë, kurrë nuk ngopej.
Gjidhënia, ndonëse e lashtë, vazhdon të jetë proces i rrethuar prej keqkuptimeve.
E pafund nuk ishte vetëm gjidhënia. Të pafunda ishin idetë, të nimet, mendimet, ëndrrat, teoritë e çka jo, rreth gjidhënies prej të tjerëve. Kështu, të ushqyerit me gji u shndërrua në një disiplinë sportive, me një juri të rreptë që bënte matje në kohë reale për cilësinë e qumështit tim, si të ishte ndonjë frut nga kopshti. Organik apo jo? I përmbush standardet e përcaktuara nga komiteti i vetëshpallur?
U ndanë taboret. Nëna u bë pionerja e konkluzionit se qumështi i gjirit ishte i cilësisë së ulët dhe se zgjidhja ishte, me këmbëngulje, që Rozën ta ushqenim me formulë shtesë, gjë që e bëmë sepse alternativa ishte një fëmijë që dukej gjithmonë i uritur.
Pastaj erdhën infermieret nga vizitat mjekësore, tabori tjetër. Të ashpra, të prera si gjykatëse, por të sakta. Secila vizitë vinte si në pako me një leksion, gati-gati urdhër për ushqyerje “ekskluzivisht me gji”. Sytë e tyre s’i mashtroje dot, si skanerë lazerë depërtonin nën xhemperin tim dimëror: “Pse po përdor formulë? Gjinjtë i ke plot!” Presioni ndihej si një garë olimpike.
Ishin të së njëjtës shkollë mendimi si infermieret në spitalin privat ku zgjodha të lindja anipse shterroi kursimet tona. Zgjodha ashtu, pjesërisht sepse spitali publik nuk lejon baballarët në sallën e lindjes. Sistemi, me gjithë lavdinë e vet burokratike, nuk e sheh pjesëmarrjen e babait si të rëndësishme, as si një opsion, gjatë një momenti kaq të rëndësishëm në jetë. Madje i jep babait vetëm dy ditë leje prindërore, aspak më shumë se një fundjavë, duke i çuar shoqërisë mesazhin e moçëm se bebet janë punë grash.
Ja ku isha, e shtrirë pas operacionit cezarian, ende nën efektin e qetësuesve, thuajse pa mundësi lëvizjeje. Infermieret vërshonin mbi mua, sikur ishin në një garë stafete për gjidhënien. Vinin, më tregonin si ta mbaja Rozën, si ta kapja për të pirë dhe zhdukeshin brenda një minute si me magji. Lëviznin, derisa unë, e ngecur në shtrat dhe krejt e hutuar, përpiqesha të kuptoja. Si në koreografi, përsërisnin mantrat e llojit: “Duhet ta ushqesh vetëm me gji!” Pastaj, i jepnin një shishe formulë, pa u brengosur për dallimin midis fjalëve dhe veprimeve të tyre e pa u lodhur shumë për ta shpjeguar nëse Roza merrte qumësht.
Dhe sa nisi të më dukej sikur po ia merrja dorën, erdhi ajo dhimbje shkatërruese që për pak u kthye në mastitis. Mendon se të lindësh fëmijë dhemb? Provo mastitisin. Apo vetëm preludin e tij. Gjoksi më digjte, ethet dhe temperatura më përvëlonin trupin si në një fushëbetejë. Shoqet më erdhën në ndihmë, duke njohur simptomat menjëherë dhe duke më paralajmëruar çfarë të bëja dhe çfarë të shmangia e përfundimisht duke më mbrojtur nga makthi i mastitisit të plotë — armiku i kujtdo që ushqen me gji.
Ja e vërteta për mastitisin: është si një nyje, një lëmsh në kanalet e qumështit, që bllokon qarkullimin dhe gjinjtë nuk shteren plotësisht. Kështu, gjinjtë fryhen si tullumbace që sa s’plasin. Ishte prova që, pavarësisht se sa shumë përpiqej, Roza nuk arrinte ta boshatiste furnizimin. Dhe përsëri, pyesja veten se si diçka në dukje kaq e thjeshtë si ushqyerja e fëmijës mund të shndërrohej në një mësim të pafund për durimin dhe qëndrueshmërinë dhe, po, ironinë.
E vendosur ta mësoja këtë art të lashtë, u futa në botën e çuditshme të dijes mbi gjidhënien, një fushë plot kundërthënie e mospajtime. Njëra palë betohet se hudhra dhe çaji rus janë dyshja magjibërëse për furnizimin me qumësht, si ndonjë eliksir mistik që do t’i bëjë gjinjtë të prodhojnë më shumë. Shkolla tjetër e mendimit? Ata do t’ju fusnin në listën e zezë edhe për faktin që e menduat këtë. Por tërshëra, mishi, elbi dhe fenugreek, që qenka njëfarë bime, erëze e ngjashme me tërfilin. Kjo ishte zgjidhja, thonë ata. Por, paç fat kur provon të gjesh fenugreek në dyqanin e lagjes!
Ndërkohë, Roza vazhdonte të ishte e pangopur. Fillova të dëgjoja përsëri zërin e nënës sime që më pëshpëriste për “cilësinë e dobët” të qumështit tim.
Një natë vonë, derisa gjurmoja hulumtime të shumta online, më në fund gjeta pjesën që më mungonte: një bebe si Roza, e lindur nën tre kilogramë, mund të ketë vështirësi për të thithur gjirin si duhet. Më në fund, një përgjigje, një shpjegim i qartë dhe logjik për urinë e saj të pashuar. U hodha në këtë ritual të ri që tani e njoh përmendësh: pompo qumështin, mbushe shishen, pastaj vendose përsëri në gji për të ruajtur atë refleks të lashtë të thithjes. Pa pushim, pa mëshirë, trupi im i reduktuar në biologji, i zhytur në këtë rutinë primordiale. Pas javëve të tëra prove dhe gabimi, unë dhe Roza më në fund e gjetëm ritmin tonë. Nuk ishte magji; ishte rrëmujë. Por ja, po ia dilnim.
Mbase rrëmuja ime ishte, të paktën, një lloj kaosi i privilegjuar, një hapësirë ku mund të bëja gabime, të dështoja dhe të ndryshoja rregullat sipas nevojave të mia. Vendimi për të ushqyer me gji apo për të përdorur formulën duhet të jetë një zgjedhje personale e gruas gjithkund, por a është vërtet kështu?
Kur kam biseduar me disa gra nga pjesë të ndryshme të Kosovës, që janë ose kanë qenë nëna gjidhënëse, veçanërisht gra që jetojnë në familje të gjera ose me partnerë jombështetës, kam mësuar si shumë prej tyre ishin privuar plotësisht nga kjo zgjedhje. Ato ishin të ndrydhura nga frika se rrethi i tyre do t’i shihte si nëna të këqija nëse guxonin të largoheshin nga akti “i shenjtë” i gjidhënies.
Një grua, në mes të të tridhjetave, e cila nuk kishte mundur të ushqente me gji më tregoi se, edhe pas disa vitesh që kishin kaluar, mbante ende peshën e turpit. Një tjetër, në fund të të njëzetave, tha se nuk do ta kishte zgjedhur vetë gjidhënien, pasi ky proces kërkon privatësi dhe pushim, lukse, siç u thotë ajo, që nuk i ka në një shtëpi me shumë anëtarë.
Në një rast tjetër, një grua, në fund të të tridhjetave, tregoi se kur lindi fëmijën e saj të tretë, thjesht u tha të tjerëve se nuk kishte qumësht për të shmangur pyetjet, pasi përvoja e saj me dy fëmijët e parë kishte qenë pothuajse traumatike: pa gjumë vazhdimisht, e rraskapitur, pa mundësi për t’u rikuperuar nga lindja dhe e kequshqyer, pasi barra e punëve të shtëpisë binte gjithmonë mbi supet e saj.
Ndërkohë, me shoqen time, Donikën, shpesh diskutojmë për kulturën e ngulitur, e cila mbështetet te togfjalëshet e promovuar me zell nëpër botë si “breast is best” (gjiri është më i miri). Fushata të ngjashme janë zhvilluar gjatë 30 viteve të fundit nga organizata shëndetësore të respektuara, të cilat rekomandojnë të ushqyerit ekskluzivisht me qumësht gjiri për gjashtë muajt e parë të jetës së bebes, duke përmendur përfitime shëndetësore për foshnjat dhe nënat.
Frymëzuese për dikë, ndoshta. Por në realitet? Është një shkop që fishkëllen në trupat e nënave. Nëse autoritetet mjekësore, si një përbindësh vigjilent, predikojnë vetëm për ushqyerjen me gji, a nuk nxit kjo stigmën ndaj atyre që zgjedhin ndryshe? Ne, gratë shtyhemi të pranojmë një ideal, që nuk lejon asnjë hapësirë për kontekst, pa përmendur shëndetin mendor apo rehatinë tonë, të cilat përhumben në kërkesën e pandërprerë për të “bërë më të mirën për foshnjën”.
Sigurisht, shumë gra e shijojnë gjidhënien — edhe unë pata një përvojë të mirë — por për shumë të tjera, netët e gjata pa gjumë, ankthi që ngadalë shfaqet pas lindjes dhe kombinimi me depresionin postnatal rëndojnë mirëqenien e tyre. Kur fushatat shpërfillin këto përvoja, na kujtojnë periudhën e fillimit të shekullit XX, kur formula e kushtueshme promovohej nga korporata të mëdha si superiore ndaj qumështit të gjirit, duke krijuar stres për prindërit e varfër pa qasje në ujë të pijshëm.
Është një shkëputje e çuditshme, diçka kaq primordiale, aq e lavdëruar nga të gjithë përreth, të jetë kaq e keqkuptuar njëkohësisht. Gratë duhet të kenë mundësinë të dëgjojnë edhe, e sidomos, anët e vështira që të marrin një vendim të informuar para se të lindin. Dhe për ato që zgjedhin gjidhënien, është e rëndësishme të dinë si mund të ndikojë në jetën e tyre.
Tashmë duke e ditur se si gjidhënia merret aq shumë si diçka e mirëqenë, ndërkohë që flitet kaq pak për të, i kërkova shoqes sime, Donikës, koleges së saj, Diellës, dhe një të njohure, Tringës, të ndajnë përvojat e tyre. Anipse tejet të vlefshme, këto përvoja janë vetëm një pjesë në mozaikun e gjerë, të ndërlikuar e të shtresëzuar të përvojave të grave me gjidhënien.
Diella Aliu, 32-vjeçare
Diella e nisi gjidhënien lehtë. Por, kjo lehtësi zgjati veç një ditë. Ajo që pasoi ishte një përballje me ankthin dhe lotët dhe një këmbëngulje e gjatë për t’ia dalë.
Kur më sollën Benin në dhomë, ai filloi të thithë menjëherë. Ishte kaq e natyrshme dhe thashë me vete: ‘A po sheh, qenka e lehtë’.
Megjithatë, një problem i zakonshëm, sidomos në klinikat private, është që i japin menjëherë formulë foshnjës, duke krijuar idenë se nëna nuk e ka mjaftueshëm qumështin që në fillim. Kjo më ndodhi edhe mua, edhe pse insistova të jap gji, pasi kisha lexuar që qumështi i parë mjafton për foshnjën. Beni flinte për orë të tëra dhe nuk thithte shpesh, duke bërë që të nervozohej kur e afroja në gji, sepse ai preferonte lehtësinë e shishes, ku qumështi rridhte më lehtë.
Në spital, kalova dy kriza. Vëreja që gjinjtë po më përkeqësoheshin dhe nuk kuptoja pse. Kur përpiqesha të përdor pompën e gjirit, nuk dilte asgjë. Mënyra si ma vendosnin Benin në gji nuk ishte e duhura. Ai nuk po kapte si duhet dhe kjo mëshkaktoi dëmtime të lëkurës. Fillova të kisha dhimbje dhe gjakderdhje.
Pastaj në shtëpi, vazhdova gjithë ditën duke e mbajtur Benin në gji. Ai rrinte gjithë ditën në gji, por kur ishte më i uritur fillonte të qante shumë dhe nuk donte të më afrohej. Ishte një ndjenjë shumë e rëndë. Sepse kur lind, përjeton ndryshime të mëdha; je duke u mësuar me beben që e kishe në bark, dhe kur nuk mundesh ta qetësosh, ndihesh sikur po dështon. Ai bëhej nervoz sapo ndiente erën e gjirit.
Kur i jepnim formulë, ai e vjellte dhe fillova të përdor pompën; me aq sa dilte, mundohesha t’ia jepja Benit. Gjatë kësaj kohe mendoja se po kaloja në depresion, pasi qaja shpesh. Kanë qenë disa ditë që i kujtoj gjithmonë si shumë të gjata.
Një pikë kthese ndodhi kur e çuam Benin për vaksinën e parë. Atje, disa mami na ndihmuan me informacione për gjidhënien. Na morën në një dhomë të veçantë dhe kur më panë, më thanë që i ke kanalet e mbyllura dhe nëse nuk do të kisha ardhur për 42 orë, do të duhej të shkoja te mjeku sepse mund të kisha zhvilluar mastit. Më mësuan si të bëja masazh për të zbutur gjoksin e ngurtësuar, më këshilluan të vendosja diçka të ngrohtë për të lëshuar qumështin dhe më treguan si ta kapja Benin si duhet.
Mendova se gjithçka u rregullua. Beni filloi të flinte më qetësisht dhe, për një moment, mendova se më në fund kishim gjetur ritmin tonë. Por, Beni filloi të refuzonte sërish gjirin. Thirrëm një mami në shtëpi për të na ndihmuar përsëri. Kisha frikë që [mamitë] më kishin ndihmuar aq shumë saqë nuk po di si duhet. Më tha që mund të bllokohen sërish kanalet pasi e ka ende problem me thithjen.
E di që është një proces pak më i vështirë, por nuk e kisha ditur që duhej të kontrolloja a kisha qumësht, a ishin gjinjtë të fryrë, a ishin të ngurtësuar, ose kanë nevojë për masazh. Mënyra se si të mbash beben që ta kapë mirë majën e gjirit dhe të mos dëmtojë lëkurën. Duhet të dish si ta kapësh. Më befasoi fakti se nuk flitej sa duhet për këto, edhe pse shumë nëna kalojnë të njëjtat përvoja. Ndoshta edhe pse është diçka që e harron.
Stafi mjekësor duhet të trajnohet më mirë për të mbështetur nënat në procesin e gjidhënies, sidomos ato që lindin për herë të parë. Pasi që e kam pasur që në fillim informacionin për mastitin dhe i kam kushtuar rëndësi trupit. Më vonë kuptova që informatat për mastitin nuk janë gjithmonë të sakta. Është e vërtetë që kanalet duhet të çlirohen me ujë të ngrohtë, por nëse ke bllokim të kanaleve të qumështit, nuk bën të përdorësh ngrohtë, sepse e bën qumështin të rrjedhë më shumë dhe mund të grumbullohet më shumë, duke e bërë situatën më të keqe. Duhet të vendosësh diçka të ftohtë për të shmangur dëmtimin.
Pas një muaji me sfida, procesi u bë shumë më i lehtë dhe më pas u bë edhe një proces i dashur për të dy. Kur u ktheva në punë, për të mbajtur rutinën tonë, më duhej të pompoja për të ruajtur sasinë e qumështit. Zakonisht, pompoj dy herë në ditë, në mëngjes dhe pasdite, duke e ruajtur qumështin në qese termike për përdorim nga Beni kur nuk jam në shtëpi.
Kur fillova të punoj, pata përkrahjen e kolegëve dhe kjo më bëri të mendoj për nënat që nuk kanë këtë mbështetje. Puna me orar të shkurtuar për nënat gjidhënëse është një ndihmë e madhe. Për mua, ishte një lehtësi që mund të largohesha më herët nga puna për të qenë pranë Benit.
Ajo që e kam parë shumë të rëndësishme, përveç informimit që duhet të marrim nga stafi mjekësor, është që të dy partnerët të jenë të përfshirë, sepse procesi i gjidhënies nuk duhet të shihet si përgjegjësi vetëm e nënës.
Në fillim, bebat zgjohen shumë shpesh natën për të pirë gji, unë isha shumë e lodhur nga lindja, dhe ai [partneri] çohej bashkë me mua, ose e merrte dhe ma sillte afër, ose rrinte me mua për të më shoqëruar derisa përfundonte seanca e gjidhënies që zgjaste me orë. Krejt kjo ma ka lehtësuar shumë, sepse është një barrë që ndihesh vetëm dhe është një proces që vetëm ti e ndien.
Nuk di as si ta shpjegosh atë që po ndien. Në momentet kur kisha kriza dhe nuk dija si t’ia dilja, ai më qetësonte, më thoshte: ‘Hajt po i shikojmë bashkë videot, hajt a mund të gjejmë një konsulente për gjidhënie që mund të na ndihmojë’. Nuk është se gjithmonë e përpunoja shumë shpejt gjithçka që ndodhte.
Para pak kohe Beni ka mbushur një vit dhe rutina vazhdon çdo ditë derisa nuk është duke penguar në jetën time. Edhe për mua është një moment i veçantë dhe qetësues, pothuajse si meditimi, sepse është një moment kur Beni merr gji dhe pushoj edhe unë”.
Donika Gashi, 34-vjeçare
Donika ka një përvojë të ngjashme me timen kur bëhet fjalë për gjidhënien në publik — kryesisht të mirë, me vetëm një incident të pakëndshëm. Kur u lind Vera, Donika ishte tashmë një veterane e gjidhënies, por jo edhe përkrahëse e fushatës “gjiri është më i miri” (breast is best).
Që nga fillimi, kam vendosur të përjetoj një lindje natyrale dhe gjidhënie, por, natyrisht, duhet të jesh e hapur për çdo të papritur që mund të ndodhë. Ajo që më ka ndihmuar të kaloj këtë përvojë me sukses ka qenë përgatitja psikologjike gjatë shtatzanisë dhe informimi mbi gjidhënien. Madje kam marrë pjesë në një trajnim një-ditor që ka qenë shumë informues te Action for Mothers and Children [organizatë joqeveritare që fokusohet në shëndetin e nënave dhe fëmijëve].
Kjo nuk do të thotë se gjithçka do të ecë lehtësisht; përvoja reale është shumë më e ndërlikuar nga ajo që mëson paraprakisht. Kur fillova gjidhënien, kuptova se fillimi është shumë i vështirë; je e lodhur nga lindja, dhe gjithçka është e re për herë të parë. Duket sikur nuk bën gjë tjetër përveç se i jep fëmijës për të pirë gjithë kohën.
Problemi për mua filloi në spital, ku nuk pata mbështetje të mjaftueshme për gjidhënien. Kur linda, dëshiroja që fëmijën ta kisha pranë për ta vendosur në gjoks për të bërë atë çka quhet skin-to-skin contact, (kontakt lëkurë me lëkurë) por vetëm sa ma dhanë një minutë derisa e shkëputen kordonin, pastaj ma morën. Është një ndjenjë e madhe kur lind dhe nuk ke kthjelltësinë e mendjes për të kërkuar që fëmija të të lihet në gjoks. Dhe pastaj i dhanë formulë.
Foshnja, e cili tashmë ishte ushqyer, nuk kishte më shumë dëshirë të thithte gjirin, megjithëse e kishte refleksin. Në një moment veç ma kapën gjirin, përpiqeshin t’ia fusnin në gojë dhe nuk e kuptova çfarë po ndodhte, dhe veç e lashë. Në tri ditët e para i dhashë formulë. E panë që djali ishte i uritur, kështu që filluan t’i jepnin me shishe. Pastaj thirra një mamí që erdhi në shtëpi dhe më ndihmoi. E kuptova që është punë teknike. Më ndihmoi të pozicionoja gjirin dhe të mbaja fëmijën siç duhet.
Ajo që më ka pëlqyer është se Gjinit i kam dhënë të pijë kudo që ka dashur, qoftë në zyrë, në kafe, restorant apo plazh. Kudo. Vetëm një herë kam pasur një përvojë të keqe në një kënd lojërash me pagesë. Djali po luante dhe kërkoi të pijë, kur më njoftuan se nuk mund t’i jepja aty, pasi ishte e ndaluar dhe kishte një dhomë të veçantë për nënat. Ishte një tronditje për mua.
Me fëmijën e dytë, Verën, përvoja ishte krejt ndryshe. E dija çfarë të prisja dhe nuk kisha stresin nëse do dija apo jo të jepja gji. Kësaj radhe, kërkova të bëj ‘skin-to-skin’. Ndërkohë që po përfundonin procedurat e qepjes, heqjes së placentës etj., e mbaja Verën në gjoks për gjysmë ore, dhe ajo menjëherë filloi të thithte. Thjesht e kisha pjekurinë të jem e vendosur në kërkesë.
Kur e fillon gjidhënien e kupton se i gjithë rrethi preokupohet me këtë. Pyetja e parë që të bëjnë është: ‘A ke qumësht?’, ‘A pin gji?’, ‘A ke boll?’, dhe të vë në presion të përhershëm për të gjykuar veten. Dhe nëse fëmija qan ose ka zë, mendon që nuk ke boll qumësht; kur është i qetë, por s’ia ndin fytin, të duket se s’paske e mjaftueshëm. Paqëllimshëm ndihesh e gjykuar dhe ndihesh me faj dhe kjo tregon sa pak ka vetëdijësim për shëndetin mendor dhe fizik të grave që sapo janë bërë nëna. Ka disa pyetje që nuk duhet t’ua bësh prindërve. Ti si nënë po e gjykon veten për çdo gjë, sidomos kur është fëmija i parë dhe gjithçka është e re.
Paradoksalisht, kur në fillim të bëjnë presion për të dhënë gji, pas një viti të thonë: ‘Mjaft më, hiqe nga gjoksi’. Për çdo nënë që nuk mundet ose nuk ka mjaftueshëm qumësht, është plotësisht në rregull të ushqejë me formulë.
Megjithëse mendoj se gjidhënia është ushqimi më i mirë për një fëmijë, mendoj gjithashtu se duhet të jetë një përvojë e lumtur si për nënën, ashtu edhe për fëmijën. Me Verën kam qenë shumë më e relaksuar. Nëse nuk do të kisha mundur ta bëja, do të konsideroja formulën ose ushqimin e kombinuar, pa u ndier si prind i dështuar.
Vendimi për gjidhënie është vetëm i nënës, ose edhe i fëmijës — kur fëmija e bën të ditur që nuk dëshiron më gji. Sado stresuese që mund të jetë, është e rëndësishme ta injorosh presionin dhe të bësh atë që ndihesh ti që është e drejtë. Nuk duhet të ketë aspak stigmë ndaj një gruaje që vendos të mos japë gji ose që zgjedh të vazhdojë për një periudhë më të gjatë. Kjo vlen për aq kohë sa ti ndihesh mirë dhe nuk e bën me zor apo thjesht sepse duhet.
Gjidhënia dhe puna janë nivel tjetër. Për mua ishte e mundur sepse kisha një pompë të madhe dhe akses për të pompuar në zyrë. Këto shpenzime, pompa, qeset, formula, janë të papërballueshme për shumicën dhe shteti duhet të subvencionojë TVSH-në për këto gjëra thelbësore.
Emancipimi i grave nuk arrihet vetëm duke siguruar dy orë të lira për gjidhënie në ligjin e punës. Partneri gjithashtu duhet të ketë leje prindërore, sepse përgjegjësitë e prindërimit i përkasin të dy prindërve, jo vetëm nënës”.
Tringë Huruglica, 33-vjeçare
Tringa kishte kaluar një sërë betejash të gjata me sëmundjen, dhe për të, diçka si lindja dhe gjidhënia as që mund të paramendoheshin. Pavarësisht gjithçkaje, përvoja e saj doli të jetë ndryshe nga gjithçka që i ishte thënë nga të tjerët ose që e kishte lexuar vetë.
Jam e operuar nga skolioza dhe kam 17 vida dhe dy shufra në shtyllën kurrizore. Operacioni është kryer para 10 viteve për shkak të nevojës së domosdoshme dhe që nga atëherë gjithmonë kam pasur frikë nga shtatzënia, nga meraku se si do të shkonte procesi dhe nëse do t’ia dilja deri në fund.
Zgjodha lindjen natyrale, pasi e dija që procesi i rikuperimit dhe gjidhënies do të ishte më i shpejtë. Fillimisht vendosa të lindja në një spital privat, duke besuar se do të ishte më e sigurt për shëndetin tim dhe për gjithçka që kisha kaluar. Megjithatë, më pas vendosa të lindja në QKUK, pasi aty favorizohen lindjet natyrale. Kisha dëgjuar shumë rrëfime për mënyrën se si spitalet private shpesh nxisin lindjet me operacion, edhe kur nuk ka arsye të domosdoshme për një ndërhyrje të tillë.
Nëse do të kisha lindur me operacion, nuk do të mund të përdorja anestezi epidurale [injektimin e anestetikut lokal në shpinë], por vetëm anestezi të përgjithshme dhe nuk doja ta humbja përjetimin e lindjes, të mos ndieja asgjë. Nuk doja të flija, të zgjohesha e të mos kisha beben pranë. Doja të përjetoja momentin, ta shihja teksa vinte në jetë, të isha e vetëdijshme për gjithçka që po ndodhte.
Gjatë shtatzënisë kam ecur shumë, kam lexuar, kam bërë yoga dhe meditim dhe jam përgatitur çdo ditë për gjidhënie. I kam kushtuar shumë kohë dhe vëmendje vetes për t’u përgatitur për këtë proces; kam bërë të gjitha masazhet dhe lyerjet e rekomanduara. Kam tentuar të ushqehem mirë gjatë gjithë kohës dhe, në fund, kam lindur shumë shpejt.
Kam lexuar shumë për këtë proces dhe kam pasur fatin që nëna ime është infermiere, e cila ka punuar dhe ka këshilluar për gjidhënie që para luftës. Gjatë luftës, ajo madje ka udhëtuar në pjesë të ndryshme të Kosovës për t’u ndihmuar grave gjatë dhe pas lindjes. Duke pasur praninë e saj në jetën time, kam qenë gjithmonë e informuar mirë.
Kam vënë re që, pavarësisht se janë të informuar, në spital nuk ndjekin gjithmonë disa praktika të rekomanduara. Për shembull, rëndësia e kontaktit lëkurë me lëkurë nuk praktikohet; e kërkova, por nuk ma mundësuan. Vetëm pasi e kishin veshur foshnjën, ma dhanë për ta ushqyer me gji. Ndërkohë, në QKUK nuk përdorin formulën, ose të paktën jo në përvojën time, ndërsa në spitalet private, kur kam vizituar gra të njohura që kanë lindur aty, kam vërejtur se mamitë i ushqenin foshnjat me formulë pa pyetur fare. Nuk jam kundër përdorimit të formulës kur është e nevojshme, por jo që spitalet ta imponojnë si zgjedhje të parë pa i dhënë një mundësi gjidhënies.
Natyrisht, edhe në QKUK, ku ishim dhjetë veta në dhomë, mamitë nuk mund të ndihmonin mjaftueshëm. Njëfarë qetësie më vinte nga njohuritë që kisha marrë gjatë shtatzënisë nga ato që përmenda, por gjithashtu një trajnim me Action for Mothers and Children ka qenë kyç për mua. Ishim rreth dhjetë gra në trajnim, ku na mësuan për rëndësinë e kontaktit lëkurë me lëkurë dhe se si ky ndihmon që foshnja të kërkojë gjirin natyrshëm. Ndonjëherë, një trajnim është i mjaftueshëm për të marrë informatat bazë dhe për të hulumtuar më tej vetë.
Për mua, gjidhënia ka qenë e lehtë që nga fillimi dhe ndihem me fat sepse e di që jo të gjitha përvojat janë të tilla. Kam parë gra që e kanë të vështirë, ndërsa unë i kam kaluar javët e para duke pushuar me foshnjën, të zhveshur në trup për të krijuar afërsi maksimale dhe për të siguruar një lidhje të fortë.
Kam fatin të mund të punoj nga shtëpia ose të kem orare fleksibile. Kjo është shumë e rëndësishme, sepse më lejon të jem gjithmonë pranë Ozit dhe ta rris sipas parimeve dhe mënyrës që unë e shoh më të përshtatshme, duke bërë gjërat ashtu siç i dëshiroj.
Fakti që partneri ka mundur të punojë nga shtëpia ka qenë shumë i rëndësishëm. Për gati dy muajt e parë, derisa ende nuk isha rikuperuar mirë, ai ishte ai që ia ndërronte vetëm pelenat bebes. Ngrihej natën, ia ndërronte pelenën, ma sillte beben dhe e vendoste nga njëra anë në tjetrën të gjirit. Gjatë ditës, kur më duhej pushim, e merrte dhe kujdesej për të. Ai merrej edhe me punët e shtëpisë sa herë që unë ndihesha e lodhur. Gjithashtu, të dy jemi përpjekur që të kemi kohë vetëm për veten, pasi për të dy prindërit kjo është shumë e rëndësishme.
Përgatitja për gjidhënie duhet të nisë që në shtatzëni, në mënyrë që, kur të lindësh, të dish çfarë të presësh. Kam pasur shoqe që me fëmijën e parë nuk kanë pasur sukses me gjidhënien, por me të dytin ia kanë dalë, ndërsa të tjera që e kanë gjetur procesin të vështirë dhe nuk kanë dashur ta provojnë sërish. Por përfundimisht, duhet të jetë një rrugëtim për të cilin vetë nëna është e bindur se është i duhuri për të”.
Fotografitë dhe imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.