Më 26 shkurt, në ditën time të fundit të qëndrimit një-javor në Ukrainë, disa të rinj prisnin në radhë para një dere, që kishte pesë shkallë përpara. Ishte fundjavë dhe në Kyiv, kryeqytetin e Ukrainës së mbërthyer nga lufta, ata prisnin të vizitojnë njërin nga muzetë lokalë.
Kjo ishte përpjekja e vazhdueshme e ukrainasve për të shfaqur normalitet, në rrethana që vetëm normale nuk janë.
Aty afër muzeut, në sheshin e madh para Katedrales së Shën Mihajlit, ku në një vizitë të paparalajmëruar, pak ditë para, më 20 shkurt 2023, ishte shfaqur presidenti i ShBA, Joe Biden, qëndronin tanket e shkatërruara ruse. Në disa prej tankeve shkruante “Rroftë Ukraina”, si shenjë e krenarisë për fitoret e ukrainasve në fushëbetejë. Ky shesh është shndërruar në vendin prej të cilit, mediet botërore raportuan e vazhdojnë të raportojnë drejtpërsëdrejti për zhvillimet në Ukrainë.
Përreth tij, hotelet e shumta ishin kryesisht lirë dhe vinin me garancinë se kanë bodrume strehimi –– gjë që, në rrethanat e reja në Ukrainë, shihet sikur një yll më shumë. Vetëm pak metra nga ku përkrahja e Biden u dha forcë ukrainasve në front, qëndronin fotografitë dhe emrat e mijëra njerëzve, që u vranë në përpjekjen për ta mbrojtur territorin e Ukrainës –– që prej vitit 2014, kur Rusia pushtoi për herë të parë një pjesë të madhe të Ukrainës në lindje.
Prej 2015, 2016 e deri në vitin 2023, emra kishte për secilin vit. “Muri i kujtimit për luftëtarët e rënë në luftën ruso-ukrainase”, quhet zyrtarisht. Aty ishte fotografia e Arseney, i lindur në vitin 1999, i cili u vra më 10 mars 2022, një muaj pa i mbushur 23 vjet. Pranë tij, Oleksandri, në fotografi me uniformë ushtarake, shkruhej se u vra më 6 qershor 2022, pak pasi i mbushi 39 vjet.
Shumica e njerëzve nëpër fotografi ishin të buzëqeshur. Ata, që tash qëndronin afër, me siguri nuk e kanë njohur njëri-tjetrin. Dy hapësira qenë të zbrazëta, me gjasë për fotografitë e heronjve tjerë.
Jo shumë larg sheshit, ndodhej stacioni qendror, që e lidh kryeqytetin me pjesët kryesore të vendit, por më rrallë me lindjen, ku luftimet janë të ashpra. Ai stacion, bashkë me stacionet tjera të metrove, ka shërbyer si strehë për banorët, që mbroheshin nga sulmet ajrore.
Po ashtu, stacioni ka lidhur kryeqytetin me perëndimin e vendit, për ku njerëzit janë larguar vazhdimisht, për të gjetur stehë e pak paqe. Andej është edhe Polonia, prej nga gazetarë, aktivistë e përfaqësues të organizatave të ndryshme kanë arritur në Ukrainë përmes hekurudhave që u kanë mbijetuar sulmeve.
Pas një jave në Ukrainë, edhe ne e morëm udhën drejt Polonisë. Ndodheshim diku 100 kilometra afër kufirit. Në telefon erdhi alarmi për sulm të mundshëm raketor të Rusisë në Kyiv. Ishte ora 03:00 e mëngjesit. Data 27 shkurt. Kolegët, që i kishim lënë në hotel, me siguri do jenë strehuar në ndonjë bodrum, në pritje të raketave. Për ta, kjo skenë është përsëritur shpesh në këtë vit lufte.
“Guximi është brend ukrainas” thoshte një pëlhurë e madhe me të cilën u përballëm që në ditën e parë kur arritëm Kyiv. Buzëqeshjet në fotografitë e ukrainasve të rënë dhe qëndresa e atyre që vazhdojnë të përpiqen tash e një vit tregon se njëmend, shkrimi në pëlhurë fliste të vërtetën. Ata i udhëheqë shpresa se ditëlindjen tjetër do ta festojnë në Ukrainën e lirë.
E tërë zyra e Mykola Kuleba në perfieri të Kyiv përbëhet nga vetëm një tavolinë dhe gjashtë karrige. Në të, Kulebas, drejtor i organizatës, i cili midis viteve 2014-2021 ishte Ombuspersoni për fëmijë i Ukrainës, pret e përcjell njerëz dhe koordinon punët e mëdha që ka përpara.
Tani ai udhëheq organizatën joqeveritare “Save Ukraine”, që e ka për mision kryesor shpëtimin e fëmijëve nga zonat e luftës, që ka prekur miliona prej tyre në një vit luftë frontale në Ukrainë.
Puna që e bën ia ka ndryshuar krejtësisht jetën. I ndarë nga familja e tij, që tani ndodhet jashtë Ukrainës, ai po punon për t’i bashkuar fëmijët ukrainas me familjet e tyre. “Kjo luftë e ka ndarë familjen time dhe më mungojnë shumë” tregon Kuleba, i cili çdo ditë udhëton në zonat e luftës dhe koordinon ekipet e organizatës. Ka raste kur njerëzit që vijnë nga zonat e luftës i strehon në shtëpinë e tij sepse, siç e thotë vetë, “unë nuk e ndaj jetën private me atë që bëj me organizatën time”.
Kuleba, në kohën e intervistës (fundi i shkurtit 2023), sapo ishte kthyer nga Kherson, një territor në jug të Ukrainës që për një kohë u mbajt në okupimin e Rusisë. Organizata e tij ndihmon sidomos ato familje, që nuk kanë mundësi ekonomike t’i kthejnë fëmijët e tyre të kidnapuar nga Rusia. Sipas monitorimit të organizatave ndërkombëtare, forcat ruse kanë kidnapuar mijëra fëmijë pas pushtimit të qyteteve ukrainase, duke i dërguar në Rusi për atë që u quajt “proces i ri-edukimit në Rusi”. Shumë prej fëmijëve të rrëmbyer janë marrë nga jetimoret, duke përfshirë rajonin e Khersonit.
“Mijëra fëmijë pa prindër janë në Rusi tani dhe nuk e dimë ku janë. Shumë janë deportuar gjatë kohës së luftës, shumë prej tyre jetojnë në Rusi e ne punojmë t’i gjejmë familjarët e tyre. E quajmë operacion shpëtimi”, tregon Kulebas.
Për të shkuar në Rusi, atyre u duhet të kalojnë kah Polonia, Letonia ose Estonia sepse në kufi ka luftime aktive. Kjo udhë është më shumë se 4,000 kilometra vetëm në një drejtim.
Vetëm dy kilometra larg zyreve, në një ndërtesë me derë të madhe lëvizëse në hyrje, strehohen qindra njerëz të shpëtuar nga zonat e luftës. Programe të ndryshme organizohen në përpjekje për t’ua lehtësuar traumën e përjetuar kur qytetet e tyre u pushtuan.
Në qendër, përpos evakuimit, shpëtimit dhe strehimit ofrohen edhe shërbime tjera sociale. Punonjësit e qindra vullnetarët aty u ndihmojnë të strehuarve në rivendosjen e dokumenteve, certifikatave, gjetjen e strehimit, gjetjen e një pune e gjithashtu u ofrojnë mbështetje mjekësore.
Hanna Gorkun, punëtore sociale që punon në këtë qendër prej shtatorit të vitit 2022, vendin e saj të punës e përshkruan si qendër shprese dhe rimëkëmbjeje. Ajo tregon se në qendrën e tyre jetojnë 162 njerëz, që i kanë evakuuar nga pikat e nxehta të luftimeve në lindje e jug të vendit. 99 prej këtyre njerëzve janë fëmijë, shumica me të paktën një prind.
”Këta janë njerëz që kanë humbur shumë. Ata kanë humbur lidhjet e tyre shoqërore dhe shtëpitë e tyre”, thotë Hanna.
Përpos këtyre shërbimeve, vullnetarët e qendrës ofrojnë kurse kitareje e këndimi. Në njërën prej klasave, dhjetëra fëmijë këndojnë këngë shprese.
Gjysmë ore para kohës së intervistës më arrin një mesazh nga Lidia Tarash, që thotë: “Ju lutem, a mund ta shtyjmë intervistën. Kam ankth. Ka sirena për sulme ajrore”. Tarash është gazetare ukrainase nga Donetsk, e cila tash e disa muaj jeton në kryeqytetin e Ukrainës, Kyiv.
Takohemi pas disa minutash. Ajo vjen bashkë me barrën e një rrëfimi të gjatë për odiseadën e ikjes së saj nga rajoni i Donetskut.
Para pushtimit rus në Ukrainë, ajo punonte si redaktore në gazetën “Nasa Slova” –– gazetë e rrethit të qytetit të saj Volnovakha, që është një prej 18 rajoneve të Donteskut. Më 23 shkurt 2022 kishin bërë një gazetë dhe pas një pune të gjatë, Tarash ishte kthyer në shtëpi tek në mesnatë. Mëngjesi çeli ndryshe për të dhe banorët e qytetit. “Në 05:00 të mëngjesit u zgjova duke dëgjuar shpërthime aty pranë. Nuk e di saktësisht se ku, por shpërthime u dëgjuan në të gjithë qytetin”, kujton ajo.
Një ditë para shpërthimeve, mediet veç kishin lajmëruar se do të kishte ofensivë nga Rusia, por Tarash kishte menduar se kjo po bëhej vetëm për të ngjallur frikë, prandaj i kishte shpërfillur lajme. Shpejt e kuptoi se gjërat nuk ishin siç i kishte menduar.
Në internet tashmë kishin vërshuar lajmet se shpërthimet kishin zgjuar edhe banorët e plot qyteteve tjera të Ukrainës. Djali i saj, që jetonte në Kyiv i kishte treguar se as kryeqyteti nuk ishte kursyer. Putin kishte nisur të ashtuquajturin “operacion special ushtarak”.
“E kuptuam që lufta kishte filluar, fëmijët e mi u zgjuan, filluam të mblidheshim dhe vendosëm që do të ishte më mirë ta kalonim natën në shtëpinë e prindërve të mi, të cilët jetonin në një pjesë tjetër të qytetit”, rrëfen Tarash.
Pas atij zgjimi të dhunshëm, ajo doli të nesërmen në zyrën e gazetës ku punonte. Numri i ri, në të cilin kishin punuar gjatë, ishte gati, por nuk kishin mundësi ta shpërndanin sepse në qytetin e madh afër, Mariupol, gjithçka ishte e mbyllur. Tarash u përshëndet me kolegët e saj duke u thënë të mos dilnin më në zyrë më dhe të ndërmerrnin masa sigurie për vete dhe familjet e tyre.
Në dy javët në vazhdim, ajo, bashkë me vajzat e saj, qëndroi në bodrumin e shtëpisë së prindërve të saj në Volnovakha. Me zhurma avionësh, që i endeshin përmbi kokë, ajo qëndroi e mbyllur aty deri më 11 mars. “Fëmijët nuk thanë asgjë. Vetëm u ulën. Nuk qanim, nuk ishim në një gjendje aq të rëndë emocionale sa të ishim në panik. Jo, ne duruam. Por, çdo ditë granatimet ishin gjithnjë e më të forta”, rrëfen gazetarja.
Pas një jave, ajo provoi të ikë nga qyteti, por iu tha se nuk ishte autobusë, deri kur një i afërm arriti të depërtojë për t’i larguar drejt qendrës më të madhe, Donetskut. Rrugës pati postblloqe e kontrolle nga forcat e DPR –– shkurtesë për emërimin Republika Popullore e Donetskut, rajoni i pushtuar nga Rusia qysh në vitin 2014.
Tarash shpejt e kuptoi se për të kishin interesim të veçantë meqë e kishin kuptuar që është gazetare dhe i duhej të kalonte në “proces filtrimi”. Kjo është një praktikë që forcat ruse e kanë përdorur që prej nisjes së pushtimit e që përfshin regjistrimin dhe marrjen në pyetje të shtetasve ukrainas në zonat e okupara nga Rusia, para se ata të transferohen në territorin e Rusisë.
Sa po qëndronte në Dontesk, Tarash mori një ftesë nga autoritetet e DPR për të punuar me ta dhe për ta hapur një gazetë, që do t’i shërbente propagandës ruse. Ajo refuzoi, me gjithë frikën se kjo do të çonte në hakmarrje. Autoritetet i thanë të lajmërohej nëse do të ndërronte mendje.
Gjatë asaj kohe, prindërit në Volnovakha e lajmëruan se forcat pro-ruse kishin shkuar të armatosura për të kërkuar të shtëpia e tyre, për shkak të punës së saj. Kjo e bëri që të kuptojë se nuk mund të rrinte gjatë në rajonin e Donetskut dhe nisi të kërkojë rrugë largimi për në kryeqytetin Kyiv. Rruga e vetme për t’u larguar ishte në fakt përmes kalimit nëpër territorin e shtetit pushtues – Rusisë.
“U nisëm më 27 maj. Kur arritëm në kufirin e DPR me Rusinë, sërish më morën në pyetje, këtë herë shërbimi rus i sigurisë, FSB (Federal Security Service)”, tregon Tarash, e cila thotë se ishte e vetmja që u ndalua më gjatë dhe u lirua vetëm pas tri orësh. “Në këtë kohë unë nuk isha në gjendje t’i shihja vajzat e mia, të cilat po prisnin në autobus”.
Pas ndalesës, Tarash mbërriti në Moskë. Nga Moska, ajo udhëtoi me disa autobusë për plot tri ditë përmes Letonisë, Lituanisë, Polonisë, vetëm për të arritur në Kyiv. “Jam e lumtur që jam këtu”, thotë Tarash, e cila tani, me ndihmën e Unionit Kombëtar të Gazetarëve është në gjendje të bëjë punën e saj si gazetare.
Asaj iu ofrua mundësia që të bëhet pjesë e programit “Gazetarët në Rezidencë – Kosova”, por e refuzoi për shkak të djalit të saj 22-vjeçar, që studion në kryeqytetin ukrainas. Nga atje, thotë se do të kontribuojë çdo ditë për ta bërë më të afërt çlirimin e Ukrainës nga Rusia.
Irpin, qyteza e urës që këputi mësymjen ruse
Një urë e shkatërruar është bërë simboli më i dukshëm i qytezës Irpin, 26 kilometra në veri-perëndim të kryeqytetit, Kyiv. Kur forcat ruse e pushtuan Irpinin në shkurt 2022, ukrainasit vepruan shpejt dhe e shkatërruan urën, që makineria e rëndë ruse të mos mund të kalojë mbi të.
Ura e vjetër rri ashtu, e shkatërruar e një urë e re, për banorët në qytetin tashmë të rimarrë nën kontroll nga Ukraina që prej fundit të marsit 2022, po ndërtohet.
Dronët me kamera fluturojnë mbi të dyja, urën e re e atë të vjetrën, që tash mban emrin “Ura e Jetës”. Sa ishte në këmbë, për t’u ikur sulmeve ajrore e tokësore ruse, nën këtë urë u strehuan qindra banorë të Irpinit. Pastaj, nën po të njëjtën urë buzë kishës, ata ecën për të ikur drejt autobusëve, që i evakuuan banorët e Irpin drejt Kyvit.
Gati një vit pas, afër urës gjenden karroca fëmijësh, këpucë e lodra – tregues të tragjedisë, që ndryshoi përgjithmonë qytetin. Mbi 20,000 civilë u evakuuan e sipas shifrave, në një muaj okupim, 290 të tjerë u vranë në gjithë qytetin.
Afër urës ndodhet edhe një varg i veturave të djegura. Kur banorët e terrorizuar të Irpinit e kuptuan që nuk mund të largohen me to, i lanë në gjysmë të rrugës.
Tash, mbi veturat e shkatërruara janë vizatuar luledielli.
Rrugës për në pjesën tjetër të qytetit, në një billboard të madh shkruhen mesazhe falënderimi për ish-kryeministrin e Mbretësisë së Bashkuar, Boris Johnson, jopopullur e kontraverz në Londër, por i festuar shpesh si hero këtu në Irpin, për mbështetjen dhe ndihmën me mjete ushtarake ndaj Ukrainës.
Nga Kyiv për në Irpin me ne vjen ukrainasi Andrii Ivanov. Sapo arrijmë në qytetin e tij, ai na dërgon te shtëpia e tij, tashmë në rrënoja.
Andrii arriti ta evakuojë familjen para se një sulm ta shkatërronte atë dhe shtëpitë e tjera të lagjes. “Jetoja këtu me gruan time. E blemë këtë shtëpi para një viti e gjysmë. Më 6 mars [2022] u larguam sepse Irpin ishte pothuajse i tëri i okupuar. Më 8 mars, sipas fqinjëve, një minë shpërtheu dhe shkatërroi shtëpinë tonë. Natë e ditë dëgjonim artileritë. Pas pesë-gjashtë dite, dyqanet u mbyllën, urat u shkatërruan dhe njerëzit filluan ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Ditën tjetër, në Irpin nuk kishte më as ujë dhe as rrymë”, shpjegon Andrii, duke ecur me kujdes midis gërmadhave të asaj që dikur ishte shtëpia e tij.
Rrugës për në periferi shihen tjera shtëpi të shkatërruara. Fare në dalje të Irpin, ndërtesave të një lagjeje të tërë u mungojnë kulmet. Vetëm një kryq i gjelbër i faramacisë i shton pak ngjyrë lagjes. Me shenja të djegies gjithkund mbi fasadën e bardhë e xhama të bërë copë nëpër dritare, ndërtesat mbahen në këmbë, por jetë brenda tyre nuk ka.
Nënkryetari i parë i kësaj qyteze, Andrii Kravchuk thotë se Irpini e meriton statusin e qytetit hero për shkak të ndaljes së ushtrisë ruse, në përpjekjen e tyre për të arritur te pallati presidencial në Kyiv.
“Rusët udhëtuan për tri ditë nga kufiri me Bjellorusinë për të ardhur këtu dhe me 27 shkurt [2022] e nisën okupimin. Por, për një muaj nuk mundën të vazhdojnë tutje. Për shkak se nuk kishte më ura dhe niveli i lumit ishte i tillë, që nuk mund të kalohej nga teknika ushtarake ruse. Ndoshta e them pa modesti, por Irpini në këtë mes e meriton statusin e qytetit hero, sepse armiku u kthye mbrapa nga këtu, dhe nuk mundi të shkojë tutje. Dhe, të mendosh që ura kryesore është vetëm 6 kilometra larg Kyvit”, thotë Kravchuk.
Bucha, qyteza plot dhimbje
Qindra banorë të qytezës Bucha paguan çmimin më të lartë, vetëm për të mos i lejuar forcat ruse të afrohen te Kyivi dhe pallati presidencial. Në mars 2022, pasi forcat ruse e morën nën kontroll, nisën vrasjet në masë të banorëve lokalë, duke gjuajtur trupat e tyre në mes të rrugës.
Nga shtëpia në shtëpi, për pak ditë në këtë qytet u vranë më shumë se 400 civilë. Trupat e tyre fillimisht u bartën në kishën e qytetit, para se të dërgoheshin për obduksion në morg, 300 metra më larg.
Shepetko Serhii Anatoliiovych, nënkryetar i Bucha, e kujton sa e rëndë ishte era e vdekjes. “Federata Ruse e okupoi gjithë qytetin më 3 mars dhe e mbajti deri më 31 mars. Sipas llogaritjeve tona kishte 4,000 trupa ruse në gjithë qytetin dhe 3,500 banorë që nuk mundën të largohen nga Bucha për arsye të ndryshme. Në këtë kohë ndodhën vrasjet e mëdha dhe ne bartnim vazhdimisht trupa nga kisha në morg”, thotë ai.
Më 11 mars 2022, forcat pushtuese të armatosura hynë në ndërtesën e komunës, duke provuar me dhunë që t’i bënin zyrtarët t’u nënshtroheshin urdhrave të tyre. “Unë isha këtu deri më 12 mars dhe pastaj ika nga qyteti. Forcat ruse hynë me forcë në ndërtesën e komunës dhe na lanë takim për të nesërmën në orën 09:00, që të diskutojmë se si do të udhëhiqej qyteti me ta në krye. Ne kurrë nuk do të bashkëpunonim me ta. Prandaj të nesërmen, i gjithë menaxhmenti i qytetit u largua, përveç kryetarit, që ishte gjatë gjithë kohës këtu”, kujton Anatoliiovych.
Në rrugën kryesore ku u hodhën trupat e ukrainasve të vrarë, tani po rindërtohen shtëpitë. Në të dy anët e rrugës, punëtorët provojnë të mbyllin vrimat e dukshme të plumbave nëpër shtëpi.
Në dalje të qytezës, hapësira e varrezave është zgjeruar. Aty janë të varrosur shumica e atyre që u vranë në ditët e para të pushtimit. Valeri, Vasil, Anna, Volodymyr dhe shumë emra tjerë pushojnë pranë njëri-tjetrit.
Por, emrat e 78 prej tyre, që u vranë nga Rusia nuk u morën vesh kurrë. Zyrtarë të qytetit tregojnë se shumë trupa u dogjën deri në atë masë, sa identifikimi ishte i pamundur. Në varret e mbështjella me flamurin kaltër e verdhë, pas disa emrave, papritmas nisin të shfaqen vetëm numra.
275, 327, 328, 431 shkruhen në kryqet e mëdha mbi varre. Banorët e kanë të vështirë të flasin e ta kujtojnë masakrën, që besohet t’i ketë shtyrë liderët perëndimorë për të shtuar a konsoliduar mbështetjen ndaj Ukrainës.
Borodyanka, qyteza gjysmë-fantazmë
Pamja e parë e qytezës Borodoyankas, me vetëm një rrugë kryesore, është ajo e shkatërrimit.
Midis ndërtesash të bëra shkrumb e hi, në njërën nga hyrjet shihet një trotinet fëmijësh, shenjë se askush nuk u kursye nga sulmet. Banorët këtu përdorën një shpellë në afërsi për t’u fshehur për disa ditë, derisa avionët ushtarakë rusë shkatërronin gjithçka mbi tokë. Të tjerë, në po këto ndërtesa u strehuan në bodrumet e tyre.
Vira është ulur pranë ndërtesave të shkatërruara bashkë me dy fqinjet e saj. Edhe pse ka kaluar gati një vit, ajo kujton si vrapoi për të shpëtuar.
“Jam 65 vjeç dhe vrapova 5 kilometra për t’u fshehur tek ajo depoja këtu. Kjo është diçka që nuk do ta harroj kurrë. Ata gjuanin e bombardonin vazhdimisht”, thotë Vira.
Edhe dy fqinjet e saj, moshatare me Vira, si me hezitim kujtojnë tmerrin. “Kemi vuajtur kaq shumë këtë vit pushtimi. Ka qenë e tmerrshme cka ka ndodhur këtu – të gjithë qanin e bërtisnin në atë bodrum ku ishim fshehur. Pastaj, shpërthyen gypat e ujit dhe bodrumin e mori uji, ishte një kaos i vërtetë. Ndërkohë, jashtë, gjithçka ishte në flakë”, thotë njëra.
“Kur njëra ndërtesë u bombardua, gypat shpërthyen dhe ne u detyruam të largohemi nga aty. Shkuam në një tjetër bodrum. Disa u strehuan në këtë çerdhen afër këtu. Secili ikte ku të mundte. Edhe të nesërmen në mëngjes, vazhduan të shtënat. Më 1 mars forcat ukrainase krijuan një korridor të sigurt për largimin e banorëve në periferi të Borodoyankas. Nga aty na morën me vetura dhe na larguan përtej në një fshat afër. Pas pesë ditëve aty, u larguam më në perëndim të Ukrainës, ku nuk kishte luftime”, shton tjetra.
Pranë tyre e ndërtesave që s’mbajnë njerëz më, artisti britanik i rrugës, Banksy ishte këtu. Në një hapësirë të mbyllur me xham paraqet një vajze ukrainase që e mposhtë në xhudo diktatorin rus, Vladimir Putin.
Nga Andrii te Vira, në pyetjen nëse do të fitojë shpejt Ukraina, e kanë një përgjigje të menjëhershme: “Nuk diskutohet. Ukraina do të fitojë”.
Piceria “Veteranët” në Kyiv nuk duket si piceritë që rëndom i shohim. Në vend të fotografive të zakonshme të picave, tavolinat e saj, përmbi kanë një xham, brenda të cilit ka plot shufra në formë plumbash. Një pjesë të madhe të murit e zë një automatik, që qëndron varur mbi stemat e policive e ushtrive nga mbarë bota. Kjo është piceria ku mblidhen njerëzit e luftës e edhe vendi ku e takojmë Mykhailo Lavrovskyin.
Jeta e këtij 26-vjeçari të diplomuar për shkencë politike ndërroi rrënjësisht në natën mes 23 dhe 24 shkurtit 2022.
Më 23 shkurt pas mesnate, Mykhailo ishte nisur nga kryeqyteti për në qytezën Vinnytsia, ku jetonin prindërit e tij. Rrugës dëgjoi fjalimin e presidentit rus, Vladimir Putin, që lajmëroi nisjen e pushtimit të Ukrainës.
Edhe Mykhailo, si plot të tjerë në Ukrainë, vendosi se duhet të bëjë diçka për ta luftuar Rusinë.
“Isha në Vinnytsia tek prindërit për disa muaj për të parë çfarë mund të ndihmoj. Në fillim, u ndihmoja miqve në vijën e parë të frontit me dërgimin e veturave të ndryshme që vinin nga Polonia dhe Bashkimi Evropian. Pastaj, nisa ta përdor edhe më shumë Telegramin, ku i merrnim të dhënat rreth loakcioneve të armikut dhe ua dërgonim forcave ukrainase për të sulmuar forcat ruse”, thotë ai.
Por, kjo ndihmë nuk iu duk e mjaftueshme. Përkundër frikës së madhe të prindërve e sidomos, të gjyshërve, Mykhailo vendosi të niset drejt frontit të luftës. Thotë se e përdori një prej aftësive më të mëdha që ka — drejtimin e veturave të rënda. Bashkë me ekipin mjekësor, u angazhua për t’i shpëtuar ushtarët e plagosur.
“Kisha shumë miq në ushtri dhe kur lufta nisi, menjëherë i thirra për t’i pyetur se për çfarë kishin nevojë. Nisa të grumbulloj para dhe në prill [2022] vendosa të bëhem pjesë e ekipit vullnetar mjekësor, të shkoj në frontin e luftës dhe të ndihmoj direkt. Unë jam shoferi i CASEVAC [prej Casualty Evacuation –– term ushtarak për ekipin që evakuon të plagosurit nga zonat aktive të luftës] dhe e kemi mision që të shpëtojmë sa më shumë jetë që është e mundur”, tregon ai.
Të qenit në këtë pozitë e ka bërë atë shumë më të fortë sesa që ishte para pushtimit. Para syve ka pasur njerëz të plagosur e të vrarë nëpër zona që bombardohen vazhdimisht nga ushtria ruse.
“Kur je atje, perceptimi për gjithçka ndryshon. Para luftës, kam pasur frikë edhe ta shpoj gishtin për të dhënë gjak –– alivanosesha. Por tash kam parë kaq shumë të plagosur, disa të vdekur dhe thjesht truri të punon ndryshe. E din që e ke vetëm një detyrë: të shpëtosh sa më shumë njerëz dhe të kujdesesh që të vdekurit të kthehen për varrim tek familjet e tyre”, thotë Mykhailo. “Unë e kam gjetur këtë rol që më përshtatet sepse nuk jam ushtari super cool, por jam shofer i mirë. Të vozis në frontin e luftës teksa bombardohemi nga rusët, është gjëja më e mirë që di ta bëj”.
Mykhailo thotë se në muajt e parë sa ka qenë në rajonin e Donetskut, kanë arritur të shpëtojnë mbi 300 ushtarë. Ndjenja më e vështirë për të është ajo e pafuqisë kur nuk arrijnë te të plagosurit, që eventualisht vdesin.
“E keqja është që ndonjëherë nuk mund të arrijmë fare në një zonë të caktuar kur i plagosuri mund të jetë për t’ia dhënë ndihmën e parë sepse mund të ketë një tank rus që gjuan dhe nuk e kemi lejen e komandantit për të shkuar”, tregon Mykhailo. “Pastaj e dëgjojmë në radio që nuk ka më të plagosur, por vetëm të vdekur. Kjo është më e vështira sepse ende beson se mund të bësh diçka dhe pastaj e merr vesh që personi ka vdekur dhe kjo është ndjenja më e vështirë”.
Ai tani është në Kyiv dhe po përgatitet që shumë shpejt ta kompletojë ekipin për t’u kthyer në zona lufte. Për një vit luftimesh, sipas tij, kryeqyteti i katër milionë banorëve ka ndryshuar shumë, nga një “qytet me pamje gati apokalitike pa njerëz e vetura në mars 2022”, në një qytet pothuajse normal në shkurt 2023, me “shumë vetura, njerëz dhe restaurante të hapura”.
E përderisa lufta nuk jep shenja përfundimi të shpejtë, Mykhailo thotë se po përgatitet shpejt për një mision të ri në terren për të shpëtuar më shumë jetë ushtarësh.
Në kufi me Ukrainën, një ushtar hyn në autobusin polak për të na i mbledhur pasaportat. Procedura është shumë e shpejtë dhe e zakonshme. Majtas e djathtas i mbledh pasaportat e qytetarëve të Ukrainës, që kthehen nëpër shtëpitë e tyre, në qytete të ndryshme të shtetit në luftë.
Lehtësia me të cilën përcillet grumbullimi të pasaportave ndryshon kur një pasaportë e huaj dhe e largët i del përpara. “Kosovo?!” çuditet ushtari kur e merr pasaportën e lëshuar në Prishtinë. “Ku po shkoni?”, pyet menjëherë.
“Në Kyiv, jemi gazetarë”. Kërkon akreditimin për medie, që aprovohet nga Forcat e Armatosura Ushtarake të Ukrainës, e cila, më shumë se viza ukrainase, është lehtësia më e madhe për të kryer punë mediale në zonat ku ka luftime dhe ku operohet me orë policore. Pa kartelën me ngjyrë të gjelbër ushtarake nuk mund të xhirohet as nëpër rrugët e Kyvit.
Kartela ime mban numrin 13962. Prej shkurtit kur m’u aprovua kjo kartelë e deri në fund të javës së përvjetorit të parë të pushtimit, kufirin me shtetin miqësor të Polonisë do ta kenë kaluar mbi 14,000 gazetarë, fotografë, kameramanë e punonjës tjerë medial.
Një tabelë e madhe “Ukraina” me ngjyrat verdhë e kaltër është mirëseardhja në rrugën, që e kanë bërë miliona refugjatë gjatë një viti. Ata u detyruan të ikin nga shtëpitë e tyre për shkak të sulmeve të pandalura ajrore ruse dhe okupimit të disa pjesëve të shtetit.
Ngjyrat e njëjta në forma të ndryshme shfaqen gjithkund rrugës nëpër fshatrat e vogla e qytetet më të mëdha në perëndim të Ukrainës. Billbordet në rrugët në të cilat autobusi disa herë bie në gropë, ofrojnë mesazhe lutjeje. Shumë prej tyre, të nënshkruara nga Kisha Ortodoske Ukrainase, thonë “Zot, ruaje Ukrainën”, “Zot, sill paqe”.
Me t’iu afruar Kiyvit shtohen post-blloqet e ushtrisë. Veturat e autobusët ulin shpejtësinë dhe ndonjëra edhe mund të ndalohet e kontrollohet nga ushtria ukrainase. Brenda pengesave të improvizuara janë të vendosura forcat e armatosura, që janë aty prej kohës së marrjes së sërishme të kontrollit të këtyre territoreve nga Ukraina, në atë që njihet si procesi i “deokupimit”.
Rruga rreth 900 kilometra nga Polonia shkurtohet dukshëm kur i afrohemi qytetit të Zhytomyrit, ndër më të mëdhenjtë afër kryeqytetit. Zhytomyri është përdorur si korridor për ata që kanë ikur në fillim të pushtimit, në drejtim të perëndimit të Ukrainës, që për pjesën më të madhe të pushtimit tashmë një-vjeçar, ka qenë i paprekur nga luftimet. Dy civilë ishin vrarë në sulmin e parë në shkurt 2022 e i fundit sulm në Zhytomyr ndodhi në dhjetor 2022, kur disa raketa u hodhën në infrastrukturën e energjisë.
Autobusët këtu vazhdojnë të vijnë nga Khersoni, Odessa e të tjera zona, ku paqja nuk gjen vend.
150 kilometra më larg, jeta në kryeqytetin e mbi 4 milionë banorëve duket normale. Dyqanet, bankat, shkollat zhvillojnë aktivitetet e zakonshme.
“Guximi është brend ukrainas”, thuhet me shkronja të mëdha të kaltërta, mbi një pëlhurë të verdhë varur në dritaren e një dyqani rrobash. Në vend të banerëve të zakonshëm “Zbritje” që ngjiten dyerve e dritareve të dyqaneve, vendasit kanë zgjedhur që gjithkund ta shfaqin krenarinë për “brendin ukrainas”, që, sipas tyre, nuk blihet me asnjë çmim. Dritat janë kthyer sërish, pas një kohe të gjatë të fikjes së programuar për të kursyer rrymë, si pasojë e sulmeve ruse në termoelektranat e shtetit.
Njerëzit e parë që takojmë në Kyiv janë Sergeiy, Lina dhe Andreii nga NUJU – Sindikata e Gazetarëve Ukrainas. Shkresat online, thirrjet e shumta për një vit të bashkëpunimit për strehimin e gazetarëve ukrainas në Kosovë materializohen më në fund në një takim fizik pikërisht në përvjetorin e parë të punës më të vështirë në historinë e medieve këtu.
Prej prillit 2022 e deri tash, në Kosovë janë strehuar 13 gazetarë ukrainas, përmes programit që financohet nga Qeveria e Kosovës dhe zbatohet nga Qendra Evropiane për Liri të Shtypit dhe të Medias (ECPMF) dhe Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës.
Sergeiy, Lina dhe Andreii na dërgojnë për darkë në një zinxhir të njohur restarurantesh në kryeqytet. Quhet “Musafir” dhe pronarët e personeli janë nga Krimea. Simbolika e dukshme: “Krimea është Ukrainë” ose “do të bëhet sërish kur kjo luftë e përgjakshme të marrë epilog”.
Mysafirëve në tavolinën ngjitur u shkon një tortë e madhe dhe këndohet “Happy Birthday” [Gëzuar ditëlindja!]. I gjithë restauranti i bashkohet këngës dhe një dëshirë e vetme lexohet në sytë e secilit: “ditëlindja tjetër në Ukrainën e lirë”.
Teksa afrohet ora 22:00, papritmas bie një qetësi dhe nuk ka njerëz përreth. Klientët e restaurantit ikin në shtëpitë e tyre, për t’i lënë vend mbylljes së tij. Pak muzikë dëgjohet në rrugë. Dikush përfundon cigaren e fundit. Me duar në xhepa nga i ftohti, secili niset drejt strehës së vet. Shpejt fillon ora policore.
Në orën 23:00, Kyivi fle. Me frikën e miliona banorëve të tij, që një sirenë e madhe mund t’i zgjojë për t’i lajmëruar për raketat ruse.
Ato mund të fluturojnë mbi kokat e tyre në çdo kohë.
Imazhi i ballinës: Dina Hajrullahu / K2.0
Përmbajtja e këtyre artikujve është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.