Pasioni për të eksploruar teknologjitë e reja e kishte shtyrë Fidan Hallaqin, ndërmarrës në fushën e gastronomisë që, në fillim të vitit 2020, të interesohej për të blerë një veturë elektrike. Ai po shfletonte uebfaqe të ndryshme për të parë se ku ta blinte veturën. Aty nisi një ide që, pas shumë pengesave, do të sillte veturat elektrike në Kosovë për herë të parë, si një flotë të tërë.
Periudha e pandemisë COVID-19 në vitin 2020 goditi rëndë shumë biznese, sidomos ato në sektorin e gastronomisë dhe hotelierisë. Duke qenë menaxher i një hoteli në Prishtinë, Hallaqi filloi të mendonte ta niste edhe një biznes, që nuk do të nxirrej nga loja në rast të ndonjë pandemie tjetër.
“Kemi filluar me trotineta elektrikë me mendu se si ta bëjmë shërbim në kryeqytet, ku s’ka pasë asnjë rregullore, as asgjë. Të gjitha i kemi bërë vetë, edhe softuerin e kemi bërë, por e kemi pa që s’po shkon, kështu që hoqëm dorë edhe nisëm me pa për taksi”, tregon Hallaqi për të gjitha këto lëvizje që ndodhnin në vitin 2021. Sot ai drejton kompaninë e taksive elektrike “ETAXI”.
Sfida e parë për ta ishte si të porosisnin 20 vetura elektrike për t’i sjellë në Kosovë. Në një panair në Gjermani, Hallaqi kishte rënë në kontakt me drejtorin përgjegjës për shitje të flotave të grupit Volkswagen. Kishte qenë e vështirë ta bindte për të marrë një “OK” dhe për të nisur punën tutje. Por, ia doli.
Megjithëse, në një anë, vonesat në prodhim dhe transport për në Kosovë mund të arsyetoheshin për shkak edhe të krizave botërore, investitorët po ballafaqoheshin me një problem tjetër administrativ. Komuna e Prishtinës nuk kishte gati një rregullore që do të lejonte taksitë elektrikë dhe do t’u jepte hapësirën dhe prioritetin në qytet, siç ndodh për shembull në Tiranë.
Në vend të lehtësirave, Hallaqi përballej me procedurat e njëjta si për çdo veturë tjetër. Të gjendur në një situatë të tillë, ata kishin vendosur që të zhvendosesshin me procedura edhe në Shkup, që mos të rrezikonin gjithë investimin.
“Më vjen keq të tregoj se në Shkup kemi përfundu për një muaj procedurat që në Kosovë na kanë marrë më shumë se një vit. Por, megjithatë edhe Prishtina u ngjall, e bëri gati dhe morëm licencën kah fundi i 2021”, thotë Hallaqi. Më pas hoqën dorë nga Shkupi dhe u kthyen në Prishtinë.
Deri në mesin e vitit 2022 rrallë mund të kapnin sytë vetura elektrike rrugëve të ngarkuara të Prishtinës. Më shpesh hasje në makina hibride, që kombinojnë energjinë elektrike dhe atë bazuar në lëndë djegëse. Deri në një shpejtësi mesatare, punojnë me bateri, teksa shpejtësia më e lartë shpenzon karburant për djegie.
Investimi në vetura elektrike, për Hallaqin dhe të tjerët që vendosin ta bëjnë këtë investim, përbën kosto të lartë investuese. Për shembull, kostoja e investimit në mbushës, që sot përveç që mbushin veturat e tyre, e ofrojnë si shërbim edhe për të tjerët, shkon nga 80,000 euro për mbushës 120kw deri mbi 100,000 euro për mbushës 300kw. Madhësia e mbushësve e cakton edhe kohën e mbushjes, sa më e madhe, aq më e shpejtë. Sipas Hallaqit, një mbushje për 350 deri 400km lëvizje në mbushës të vegjël në tarifën e natës shkon deri në 6 euro, teksa nëse mbushet ditën deri 13 euro.
Mbushësit nuk janë në gjithë vendin, por ka mjaftueshëm për automjetet që qarkullojnë, duke u veçuar kryeqyteti me disa stacione mbushjeje. Sipas Hallaqit, një mbushës është në Pejë teksa pritet të aktivizohet një në Han të Elezit, Mitrovicë, në rrugën Prishtinë—Tiranë në pjesën e Shqipërisë, në dalje të Prizrenit në veri ose jug.
Në Prishtinë edhe tek Parku i Gërmisë, komuna e Prishtinës bashkë me donatorët nga Organizata Gjermane për Bashkëpunim (GIZ) vendosën një mbushës për vetura elektrike që merr rrymë nga panelet diellore të vendosura mbi parking, por s’dukej se ishte aktivizuar. Kompania Kosovare për Distribuim me Energji Elektrike (KEDS), gjithashtu në oborrin e vet ka instaluar mbushës, teksa edhe disa pompa derivatesh kanë mbushës të tillë.
Ndërkohë, veturat që Hallaqi ka në operim janë të modelit ID3 VW që vlerën e kanë 44,000 euro, kurse një model tjetër, ID4 VW ka vlerën 54,000 euro. Ai deri në fund të vitit pret që ta rrisë flotën në 40 vetura.
Por, investimin e tij e vështirëson mungesa e lehtësimeve nga qeveria e Kosovës për hyrjen e makinave “të gjelbra” në treg.
Ndryshe nga vendet e rajonit, si Shqipëria, Serbia e Maqedonia e Veriut, Kosova nuk ofron ndonjë lehtësim në akcizë për importin e këtyre veturave në vend. Lehtësimi do të duhej të vinte për shkak se këto vetura emetojnë shumë më pak grimca ndotëse të ajrit dhe po shihen si alternativa të automjeteve që përdorin lëndë ndjegëse si nafta — një ndër ndotësit më të mëdhenj të ajrit dhe njëherit, kontribues i madh në ngrohje globale.
Pa lehtësira në importin e veturave elektrike
Importi i veturave elektrike në Kosovë nuk është në ritmin e importit të veturave me djegie të brendshme. Destinacioni kryesor prej nga vijnë këto vetura me djegie të brendshme është Gjermania. Janë me qindra autosallone që shesin vetura të përdorura, së paku 10 vjet më të vjetra sesa data e importit.
Ligji për Automjete ndalon importin e veturave më të vjetra se 10 vjet. Ky ligj po ashtu ndalon importimin e makinave që nuk plotësojnë standardin Euro 4, për mbrojtje të ambientit nga lirimi i gazrave dhe grimcave PM. Euro 4 është një nga standardet, që kategorizon veturat që janë të prodhuara nga viti 2006 dhe gjatë lëvizjes me naftë nuk liron më shumë se 0.25g/km okside të azotit, teksa në lëvizje me benzinë nuk liron më shumë se 0.08g/km okside të azotit.
Përkundër neneve të këtij ligji që synojnë ta parandalojnë emetimin e gazrave të dëmshëm në atmosferë, nuk ka asnjë nen që bën dallimin për importin e automjeteve “të gjelbra”. Ato i nënshtrohen procedurave sikur automjetet me djegie. Veç një dipozitë përmendet aty, ku thuhet se Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) mundet që të ndryshojë procedurat e regjistrimit dhe kostove për mjetet motorike elektrike dhe hibrid.
Momentalisht, në Kosovë, importi i një veture elektrike është i njëjtë me importin e një veture që djeg naftë dizel apo benzinë.
Nëse importohet veturë elektrike e re, dogana do të kushtojë 10% e vlerës totale të produktit, në këtë rast të veturës. Këtu përjashtohen vendet e origjinës që janë pjesë e Marrëveshjes së Tregtisë së Lirë për Evropën Qendrore (CEFTA) , Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit me Bashkimin Evropian (MSA) dhe që vijnë nga Britaninë e Madhe, teksa për Turqi vlen 2%, pasi Kosova ka marrëveshje për tregti të lirë me Turqinë. Kurse TVSH është 18%. Në rastin kur importohen veturat elektrike të përdorura, obligimet janë të njëjta sikur me vetura të reja, përpos që shtohet taksa e akcizës. Akciza është tatim, i cili vendoset pasi ai produkt ka kosto shtesë për qytetarët dhe nuk është esencial, sikur mund të ketë kosto shtesë në dëmtim të ambientit. Por, veturat elektrike, edhe pse nuk lirojnë asnjë gaz dhe asnjë grimcë në ajër, në Kosovë duhet të paguajnë.
Akciza për automjete deri tetë vjet të vjetra paguhet 400 euro për njësi, deri nëntë vjet paguhet 600 euro dhe deri në 10 vjet paguhet 700 euro.
MPB s’ka kthyer asnjë përgjigje në pyetjet e K2.0 në lidhje me ndonjë nismë për ndryshime. Njëjtë, përgjigje nuk ktheu as Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MIT), që ka në supe ndryshimin e këtij ligji.
Në anën tjetër, në Kuvendin e Kosovës, në Komisionin për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, ku futet edhe transporti rrugor, është diskutuar që veturat elektrike të trajtohen më ndryshe nga veturat me djegie të brendshme.
“Ministria e Infrastrukturës është duke punuar që të rregullojë një ambient ligjor më të mirë për importim të veturave elektrike, që me i stimulu qytetarët. Janë duke pa çka ka bërë rajoni dhe si ta bëjmë ne më mirë”, tha për K2.0 deputetja Fitore Pacolli, e cila udhëheq këtë komision parlamentar.
Rajoni në këtë pikë ka ecur shumë kohë më përpara. Në vitin 2020, Shqipëria vendosi ta hiqte pagesën e TVSH për import të veturave elektrike. Në vitin 2017, në Maqedoninë e Veriut pati një zvogëlim nga 18% në 5% të TVSH për veturat elektrike që importohen. Në Serbi, qytetarët që do të blejnë vetura elektrike do të subvencionohen deri në një masë të çmimit të përgjithshëm të veturës, duke ua bërë më tërheqëse heqjen dorë nga veturat me djegie të brendshme.
Të tilla kërkesa publike për heqje të doganës dhe TVSH kishte edhe në Kosovë. Zëri është ngritur më parë nga Oda Ekonomike e Kosovës, e cila, duke përfaqësuar bizneset vendore kishte kërkuar heqjen e doganës dhe TVSH për ta stimuluar zëvendësimin e veturave me djegie të brendshme.
Deri në vitin 2016 ishin vetëm 14 vetura elektrike në Kosovë. Meraklitë kishin nisur të eksperimentonin. Ndërkohë, prej vitit 2021 deri në vitin 2023 në Kosovë janë importuar 585 vetura elektrike, sipas të dhënave që ka ndarë Dogana e Kosovës me K2.0. Ndërkohë, sipas një projektimi të Ministrisë së Ekonomisë në Strategjinë e Energjisë 2022-2031, numri i veturave elektrike në vitin 2031 pritet të jetë 15,000.
Pavarësisht mungesës së lehtësirave nga autoritetet shtetërore, importi i veturave elektrike po vazhdon. Ato kryesisht shihen tek taksitë e kryeqytetit.
Veturat elektrike, bashkë edhe me mini-kamionët dhe kamionët elektrikë shihen më të favorshëm ekonomikisht për shkak se operimi në industri në shpërndarje të mallrave, në shërbim të agjentëve tregtarë apo tek taksitë, ka përdorim të përditshëm dhe me largësi të konsiderueshme.
Veturat elektrike, ndonëse kushtojnë në investim fillestar, te “ETAXI” i Fidan Hallaqit, kanë kosto më të lirë operimi dhe mirëmbajtjeje. Veturat elektrike nuk kanë prishje aq të shpeshta sikur veturat me djegie të brendshme. Pas Hallaqit, nuk kanë vonuar as kompanitë tjera të taksive në kryeqytet që të shkojnë në këtë drejtim të investimeve.
“Kjo më gëzon definitivisht, sepse po e përqafojmë krejt bashkë një qasje të re, shumë më ekologjike në Kosovë”, thotë Hallaqi, duke tërhequr vëmendjen tek flotat e kompanive logjistike, të cilat sipas tij e kanë më të nevojshme që të kalojnë në elektrike pasi qarkullimin e kanë më të madh.
Për ta promovuar përdorimin e taksive të tija elektrike, ETAXI e ka digjitalizuar operimin e taksive. Përmes aplikacionit porositet taksi, caktohet destinacioni, mund të kryhet pagesa dhe të vlerësohet udhëtimi. Ndërsa për çdo udhëtim, konsumatori shpërblehet me 5% të shumës së paguar, si dhuratë që më pas mund të përdoret për udhëtim pa pagesë.
Veturat elektrike janë të qëndrueshme për mjedis
Synimi i qeverisë së Kosovës është që deri në vitin 2031 ta ulë emetimin e gazrave serrë për 32%.
Por, si në rastin e burokracisë në instalimin e paneleve diellore të energjisë, edhe në mbështetjen e importit të veturave elektrike, sjellja dhe përshtatja e kornizës së duhur ligjore stagnon. Përdorimi i veturave elektrike, ndonëse mund të ketë kosto të lartë investimi, ka ndikim të madh në uljen e ndotjes së ajrit dhe emetimin e gazrave serë në atmosferë. Ndryshe prej makinave që përdorin lëndë djegëse si nafta dhe benzina.
Numri i mjeteve motorike të regjistruara në Kosovë — nga veturat e deri tek kamionët me rimorkio — ka pasur trend rritës vazhdimisht. Përderisa në vitin 2016 numroheshin afro 320,000 mjete motorike, prej të cilave mbi 260,000 vetëm vetura, në vitin 2023 sipas Agjencionit të Statistikave të Kosovës numërohen mbi 460,000 mjete motorike, prej të cilave afro 369,000 vetura.
Transporti është edhe një prej burimeve më të mëdha të ndotjes së ajrit në Kosovë. Kjo gjë është veç vërehet sidomos në orët e pikut, kur kolonat e veturave në pritje të dritës së gjelbër të semaforit ndotin pafund.
Në Strategjinë e Transportit MultiModal 2023-2030 të bërë nga Ministria e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI) thuhet se gjatë vitit 2019 nga transporti në Evropë janë liruar 1,337 miliardë kilogramë CO2, që tregon shumë për ndotjen që lirohet në atmosferë. Kurse sipas Strategjisë së Energjisë 2023-2031 të Qeverisë së Kosovës, emetimet vjetore arritën 9.613 milionë tonë CO2 në vitin 2019.
Sipas kësaj strategjie, djegia e karburanteve përbën 86% të gazrave serë në atmosferë, në të cilën sektori i energjisë elektrike dhe ngrohjes kontribuuan me 66% (6.316 milionë CO2eq), teksa djegia e karburantit nga transportit përbën 20% të ndotjes.
Një publikim i Fondit Monetar Ndërkombëtar i vitit 2023, thotë se transporti ka një rritje vjetore prej 4.4% në ndotje të ajrit në Kosovë dhe rritja në motorizim shënohej 80% në periudhën 2010-2020.
Për 100 kilometra në qytet, një makinë që djeg naftë shpenzon mesatarisht 8 litra. Nga kjo djegie lirohen 21.4 kg CO2. Ndërkohë një makinë që djeg benzinë, për 100 kilometra në qytet shpenzon mesatarisht 10 litra benzinë. Nga kjo djegie, lirohen 19.36 kg CO2.
Por, makinat elektrike nuk emetojnë gazra serë gjatë lëvizjes. Tek veturat elektrike llogariten vetëm emetimet që i shkakton gjenerimi i energjisë, që në Kosovë, në mbi 90%, është nga termocentralet. Si rrjedhojë termocentralet llogariten të emetojnë 1 ton dioksid karboni për prodhimin e 1 MWh energji elektrike. Në një përllogaritje të tillë del se për 15 kwh mbushje, në termocentral lirohen 15kg CO2.
Megjithatë, ekzistojnë raste që zgjedhin instalimin e paneleve fotovoltaike, të cilat gjatë punës së tyre mbushin bateritë që më pas mbushin veturat dhe krijojnë një qark të pastër të përdorimit të tyre.
Por, djegja e karburantit nuk liron vetëm CO2 që është prej shkaktarëve kryesorë të krizës klimatike. Janë grimcat PM që ndotin ambientin. Ato kanë nisur të reduktohen me teknologjitë e reja të veturave, që ndahen nga EURO 1 deri në EURO 6. Veturat që janë me djegie të benzinës nga EURO 1 kur kanë liruar 0.108g/km, në EURO 6 lirojnë 0.0005gr/km. Kurse djegia me naftë dizell, liron në EURO 1 0.372gr/km deri në EURO 6 kur liron 0.0037gr/km.
Njëjtë ndodh edhe me Okside të Azotit (NOx). Ato variojnë nga 1.92gr/km deri 0.55gr/km tek dizelli dhe nga 1.29gr/km deri 0.06gr/km tek benzina. Tek veturat elektrike këto dy vlera, ajo PM dhe NO janë 0.
Pavarësisht dobive të veturave elektrike, duket që ende veturat me djegie të brendshme janë zgjedhje e parë. Këtë e dëshmojnë numri i importit të tyre. Vetëm në mars të vitit 2024 në Kosovë kanë zbarkuar pak mbi 59,000 vetura të tilla.
Imazhi i ballinës: ETAXI.
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.