Emri që i vihet fëmijës në momentet e para të jetës bëhet element i përhershëm i identitetit të individit. Mirëpo, emri nuk përfaqëson vetëm individin apo prindërit që mund t’ia kenë vënë emrin. Ai po ashtu gjen vendin brenda një strukture shoqërore, kulturore dhe trendit të kohës kur njeriu është lindur.
Pra, akti i vënies së emrit shkon përtej fëmijës dhe mund të tregojë shumë për procese shoqërore. Për më tepër, vënia e emrit mund të jetë edhe akt rezistence, sipas asaj që James Scott, antropolog amerikan, e quan formë të përditshme të rezistencës — format e heshtura përmes së cilave popujt e shtypur kundërshtojnë regjimin.
Në Kosovë, prej vitit 1950 deri në vitin 2000, motivet prapa emrave të fëmijëve shqiptarë zhvillojnë një trajektore interesante. Emrat nisin të reflektojnë ngjarjet e kohës, duke u shqiptarizuar — me burim nga fjalë shqipe, duke u lidhur me historinë e shqiptarëve/eve apo duke shprehur qoftë kundërshti ndaj sistemeve të caktuara apo shpresë për të ardhmen.
Kështu, emrat, në një formë, flasin edhe për kalendarin historik të vendit, si për shembull emrat e fëmijëve në: vitin 1981 me protestat gjithëpopullore që kërkonin shpalljen republikë të Kosovës; vitin 1989 me tërheqjen e autonomisë së Kosovës si krahinë e Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë; 1990 me rezistencën paqësore apo 1998-99 me luftën.
Kjo ndodhi anipse nuk pati asnjëherë një institucionalizim të emrave — ndonjë ligj a rregull që imponon apo ndalon emra të caktuar. Shqiptarizimi i emrave fillimisht nisi në Shqipëri, nga qeveria komuniste, në krye me Enver Hoxhën, e cila, në vitin 1948 kaloi një ligj për këtë. Si rrjedhojë, në vitet e ‘50-a pesë emrat më të përdorur në Shqipëri ishin: Agim, Drita, Fatime, Gëzim dhe Shpresa.
Kjo erdhi si synim i qeverisë për të krijuar një identitet shqiptar e sekular të popullsisë midis katolikëve të veriut, myslimanëve të Shqipërisë së mesme dhe ortodoksëve të jugut. Në këtë frymë sekulare të nacionalizmit, më pas u propozua që emrat shqiptarë t’i zëvendësonin emrat ekzistues katolikë, myslimanë dhe ortodoksë në Shqipëri.
Në vitin 1975, partia komuniste shkoi edhe një hap më larg, duke vendosur Dekretin 5354, që thoshte se çdo qytetar/e, emri i të cilit/ës nuk është konform politikës, ideologjisë dhe standardeve morale të shtetit duhet ta ndërrojë atë deri në vitin 1976. Në të njëjtën kohë ishte krijuar një manual i onomastikës — degë e gjuhësisë që studion emrat e përveçëm — me 3,000 emra “të përshtatshëm” shqiptarë. Emrat ishin aq të imponuar nga shteti, saqë kishte raste kur prindërit përdornin një emër të fëmijës për shkollë dhe emrin fetar në shtëpi.
Në Kosovë nuk pati asnjëherë institucionalizim të tillë të emrave. Mirëpo, shqiptarët/et e Kosovës filluan t’i ndryshonin emrat në formë organike duke u frymëzuar nga Shqipëria, por edhe më vonë duke u ndikuar nga rrethanat kulturore e politike në Kosovë.
Emrat ndër dekada
Për të pëcjellur trajektoren e emrave në Kosovë, është mirë të niset nga viti 1950, kur emrat më të përdorur kishin kryesisht përmbajtje fetare. Ndërsa, shqiptarizimi i emrave më vonë lidhet ngushtë me pozitën e shqiptarëve të Kosovës në Jugosllavi, si një minoritet që kërkonte barazi.
Sipas historianit çek, Miroslav Hroch, një lëvizje nacionaliste ka periudhat A-B-C. Periudha e parë (A) është ajo kulturore, ku institucionet promovojnë kulturën, gjuhën dhe historinë e tyre. Periudha B është politizimi i identitetit për kërkesa politike si autonomi apo pavarësi dhe periudha C është mobilizimi masiv gjithëpopullor për të arritur këtë kërkesën e pavarësisë së plotë.
Në vitet e ‘50-a, emrat me prejardhje prej gjuhës shqipe nuk ishin ende shumë të zakonshëm dhe, sipas regjistrit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), ndër emrat më të përdorur në atë periudhë ishin: Fatime, Ramadan, Shaban, Bajram, Rexhep, Sevdije, Ismet, Emine.
Këta emra janë kryesisht të bazuar në fenë islame. Për shembull, emrat Shaban, Rexhep dhe Ramadan janë emra të muajve në bazë të kalendarit hënor në islam, që mund të tregojnë edhe në cilin muaj janë lindur fëmijët, ndërsa Fatime vjen prej Fatimah, emri i së bijës së profetit Muhammed.
Sipas databazës së emrave nga ASK, hera e parë që nis e popullarizohet një emër me etimologji shqipe në masë të madhe ishte nga viti 1953. Ky emër ishte Agim — i përdorur 65 herë, në një popullsi prej diku 800,000. Në të njëjtën, në këtë dekadë, ndër 50 emrat shqip më të përdorur ishin edhe Fatmir dhe Drita.
Mungesa e llojllojshmërisë së emrave shqip mund të sugjerojë edhe mungesën e edukimit në gjuhën shqipe, në një kohë kur shkalla e analfabetizmit ndër shqiptarë në Kosovë vazhdonte të ishte e lartë.
Në vitet e ‘60-a, emrat e bazuar në fjalë të gjuhës shqipe filluan të përhapen më shumë. Pos emrave të përmendur sipër, u popullarizuan edhe emrat si Fatmire, Lumnije, Florije, Lulzim, Bukurije, Afrim.
Ky ndryshim përkon edhe me përmirësimin e pozitës së shqiptarëve në Jugosllavi, pas heqjes së Aleksandar Ranković — i njohur për persekutimin e shqiptarëve — nga pozita e udhëheqjes së shërbimit të sigurimit të Jugosllavisë në vitin 1966. Në atë kohë u aktualizua tutje kërkesa e shqiptarëve/eve për të drejta të barabarta dhe edukim në shqip dhe nisën të rihapen institucionet e mbyllura me dhunë, siç është Instituti Albanologjik i Kosovës.
Sidoqoftë, ky momentum i ri dhe industrializmi në Kosovë në vitet e ‘60-a dhe 70-a nuk e uli pabarazinë ekonomike midis Kosovës dhe republikave të tjera në Jugosllavi, nuk adresoi kërkesat politike për Kosovën republikë si dhe nuk preku gjithë segmentet e shoqërisë njëjtë, bile krijoi edhe shtresa rurale të lëna pasdore, që në vitet e ‘90-a u bënë celula të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).
Një fenomen interesant gjatë këtyre viteve është që kishte edhe emra, që mund të ishin të frymëzuar nga socializmi, siç janë emrat Bashkim dhe Vllaznim, nga tog-fjalëshi jugosllav “Vllaznim-Bashkim”, apo edhe emra të figurave socialiste si Enver (nga Enver Hoxha, udhëheqës i Shqipërisë Socialiste), Fadil (Fadil Hoxha, figurë udhëheqëse socialiste e shqiptarëve në Jugosllavi). Ishte edhe emri Ganimete, që u popullarizua në kohën e Jugosllavisë kur Ganimete Tërbeshi, grua 17-vjeçare nga Gjakova ishte pjesë e luftës antifashiste, figurës të së cilës i ishin kushtuar rapsode e këngë.
Për shembull, emri Bashkim, popullaritetin më të madh e kishte midis viteve 1970-1982, kur këtë emër, çdo vit e morën mbi 200 fëmijë. Përdorimi i këtij emri bie pas trazirave të vitit 1981, kur në një formë simbolike bie edhe besimi i shqiptarëve të Kosovës në projektin socialist të Jugosllavisë.
Në fund të të ‘60-ave, në nëntor të vitit 1969, u themelua Universiteti i Prishtinës, që shërbeu edhe si institucion për promovimin e gjuhës shqipe. Kjo periudhë korrespondon edhe me mbajtjen e Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë në nëntor të vitit 1972, ku delegatë prej Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë, arbëreshë të Italisë, ndër tjera, hartuan rregulla të drejtshkrimit dhe vendosën për të pasur një gjuhë letrare të njësuar shqipe. Po ashtu, në vitin 1974, u miratua kushtetuta që e bënte Kosovën krahinë socialiste autonome përbrenda Jugosllavisë, duke afirmuar kështu statusin e vet brenda federatës.
Përmes shkollimit, shqiptarët/et do të mësonin më shumë për historinë e tyre. Kështu, Universiteti i Prishtinës, bashkë me ndikimin nga Shqipëria, po u jepte shqiptarëve të Kosovës një mundësi për të ndërtuar një kohezion shoqëror dhe ndërgjegje kombëtare. Ndërkohë, Instituti Albanologjik botonte vazhdimisht për historinë, letërsinë dhe traditat shqiptare.
Si rrjedhojë, në vitet e ‘70-a, jo vetëm që shumica e emrave të fëmijëve shqiptarë në Kosovë u shqiptarizuan, por shumë bartnin kuptime të ndërlidhura me kërkesat e shqiptarëve/e atëkohë. Kështu, nisën të popullarizoheshin emrat si Ilir, Teuta (mbretëreshë ilire) apo emri Arben (shqiptarë të mesjetës), por edhe toponime specifikisht nga Shqipëria, ku emri i parë i popullarizuar ishte Valbona, një luginë piktoreske e Shqipërisë, në kufi me Kosovën. Në dekadat e radhës emra të tjerë nga toponimet shqiptare si dhe lumenjtë e malet do të popullarizoheshin në Kosovë.
Në vitet e ‘80-a, emrat shqiptarë do të merrnin një trajektore tjetër. Në vitet e ‘80-a, gjendja sociale e shqiptarëve në Kosovë u rëndua — papunësia, inflacioni, mungesa e banimit, varfëria dhe infrastruktura e dobët kishin rritur pakënaqësitë e shqiptarëve.
Kjo gjendje solli edhe shpërthimin e protestave masive të vitit 1981, ku shqiptarët kërkonin të drejta të barabarta përbrenda Jugosllavisë, por gjithashtu kritikonin elitat, përfshirë ato shqiptare të Jugosllavisë si të korruptuara. Kjo periudhë u shënua me arrestime, përplasje me protestues, vrasje e në fund të dekadës me heqje të autonomisë së Kosovës, në vitin 1989.
Edhe emrat e fëmijëve u ndikuan. Menjëherë pas vitit të trazirave në vitin 1982 u popullarizuan emrat si Shqipe dhe Vlora — që ishin ndër emrat më të përdorur në vitet e ‘80-ta. Këtu, Vlora si toponim, nuk ishte i rastësishëm pasi ishte vendi ku ishte shpallur pavarësia e Shqipërisë në vitin 1912.
Emra të tjerë të viteve ‘80-a të popullarizuar ishin Valon (flamuri), Liridon, Kushtrim. Apo emra si Labinot, Saranda e Berat (vende në Shqipëri), apo Besarta dhe Besart, që bazoheshin në fjalën e dhënë — besën.
Në vitet e ‘90-a, derisa regjimi i Millošević përdorte politikë aktive për shtypjen dhe serbizimin e shqiptarëve/eve, gjuha shqipe u ndalua, shqiptarët u dëbuan dhe paralelisht kishte programe që synonin të sistemojnë popullsi serbe në fshatrat e qytetet e Kosovës.
Në të njëjtën kohë në viset rurale të Kosovës, folkloristi e profesori, Anton Çetta, udhëhoqi fushatën për pajtimin e gjaqeve nga viti 1990-1992. Asokohe, kishte një besim se pa u ndalur gjakmarrjet e shqiptarëve mes vete nuk mund të krijohej unitet i vërtetë midis shqiptarëve të Kosovës. Në këtë periudhë u pajtuan rreth 1,200 gjaqe. Emri më i përdorur në vitin 1990 ishte Pajtim (i përdorur 1,019 herë). Ndërsa edhe emrat Pajtesa (153 herë) e Pajtime (147 herë) u bënë emra të dashur, shpesh të përdorur nga vetë familjet që kishin histori të faljes së gjakut.
Përgjatë viteve të ‘90-a emrat bazoheshin në disa aspekte — disa lidheshin me historinë më të lashtë, si ilirët, betejat e Skënderbeut, teksa të tjerë lidheshin drejtpërdrejt me ngjarjet e figurat e kohës, si rezistenca paqësore e më pas lufta e viteve 1998-1999.
Si rrjedhojë, kishim emrat Ilir, Ardian, Taulant; pastaj emra sipas veprimeve e simboleve kombëtare si Flamur, Valon, Çlirim. Si dhe emra me toponime nga Shqipëria: Saranda, Drilon, Berat, Vjosa. Apo edhe emra nga periudha e Skënderbeut si Albulena (Betejë e Skenderbeut në vitin 1457), Kastriot, Donika.
Momenti tjetër politik i rëndësishëm i fillimit të viteve të ‘90-a ishte rezistenca paqësore e avokuar nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), në krye me Ibrahim Rugovën. Në këtë kohë, emrat Durim apo Qëndresa apo Qëndrim ishin popullarizuar.
Emër tjetër ishte emri Dardan, që vinte nga Mbretëria Dardane, që shtrihej në masë të madhe në Kosovën e sotme. Ky emër u bë sidomos i popullarizuar nga Rugova, i cili përmes Dardanisë e antikitetit u përgjigjej pretendimeve historike serbe për Kosovën.
Gjatë vitit 1999, kur lufta përshkallzoi tutje në Kosovë, emrat nisën të shpërfaqnin edhe shpresën dhe vizionin për liri. Si rezultat, ndër emrat më të popullarizuar ishin Çlirim, Lirim, Fitore. Tjerë emra të famshëm ato vite ishin Lirie, Kosovare, Qëndrim/Qëndresa.
Është interesant të ceket që, pas luftës, emrat me karakter kombëtar u zbehën nga përdorimi. Në vitet 2000-2010, prindërit filluan të jenë më të hapur për përdorimin edhe më shumë të emrave në gjuhë të huaja si Altin, Bleona, Anita, ndërsa trend i ngjashëm vazhdon edhe në vitet e fundit me emra si Jara, Anik, Dion, Leart.
Nisën të riktheheshin më shumë edhe emrat me përmbajtje fetare, kryesisht myslimane, në dekadën e fundit 2010-2020, si Ajan, Asja, Amar, Omer . Interesant është që edhe prindër, që jo domosdo janë të krishterë, vendosin emra fëmijëve që kanë prejardhje katolike, si Gjon, Lekë apo Ndre.
Ndërsa, janë popullarizuar edhe toponimet jo-shqiptare, me emrin Nil. Në Kosovën e pasluftës trendi i emrave favorizonte më shumë tingullin e jo domosdo kuptimin e emrit. Kishte emra si Tuana (përdorur 3,017 herë), Jara (2,196 herë) apo Tian (1,383 herë). Ndërkohë, shumë prindër vazhdojnë të vendosin emra shqip të përgjithshëm. Shembuj të tillë janë: Mal (1,455 herë), Lis (1,154), Hana (4,123), Bora (1,806 femra, 54 meshkuj), Jon (4,190).
Sa i përket emrave të ndaluar në Kosovë ende mungon një rregullim i tillë. Ndoshta, po të kishte një listë të tillë, do të ndaloheshin emra si ai Shkurte (4,857 herë i përdorur për femra), Shkurtesa (187 herë i përdorur) që i jepej zakonisht një vajze, kur familja dëshironin të ndalohej lindja e vajzave e t’u lindte djalë. Një listë e tillë, që e ndalon edhe emrin Shkurte, ekziston në Shqipëri.
Në periudhën romantike në Evropën Perëndimore në shekujt XVII-XVIII kur u shemben perandoritë e vjetra u forcuan lidhjet me identitetet kombëtare, e me to edhe emrat e bazuar në gjuhët lokale. Një fenomen i ngjashëm ndodhi në Kosovë mes viteve 1960-1999.
Sot, këta emra duken si një lloj arkivi që tregon momentet në të cilën kanë kaluar shqiptarët e Kosovës gjatë kërkesës së tyre për pavarësi. Këta emra shërbejnë edhe si kujtesë, që protesta e lufta nuk ishin aktet e vetme të rezistencës shqiptare, por se rezistenca u bë edhe me praktika të heshtura siç është vënia e emrave të fëmijëve. K
Imazhi i ballinës: Nga vepra “Emri im, qyteti i tyre” e e Alban Mujës.
Tekst rreth veprës, sipas autorit Alban Muja: Shtatë shqiptarë/e të Kosovës, secili/a prej tyre pozicionuar ngjashëm në një hapësirë të bardhë me fotografinë e një qyteti në duart e tyre. Emri i secilit person është i njëjtë me emrat e qyteteve, fotografitë e të cilëve i mbajnë. Ndikimi i politikave nacionaliste të identitetit të shqiptarëve të Kosovës solli një fenomen të veçantë të emërimit të fëmijëve sipas qyteteve në Shqipëri, kryesisht gjatë të të ‘70-ave dhe ‘80-ave. Kjo lidhet me ëndrrën për bashkimin e të gjitha territoreve shqiptare rreth kufirit të Shqipërisë së sotme. Fillimisht nisur herët në shek. XIX, kjo kulmoi me shpalljen e pavarësisë së Kosovës në dekadën e parë të shek. XXI. Një faktor tjetër ishte pamundësia e shqiptarëve të Kosovës për të udhëtuar drejt asaj që ndihej si mëmëdheu i etnicitetit të tyre të përbashkët, gjë që veç ushqeu tutje ndjenjat e nostalgjisë për Shqipërinë.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.