Në thelb | Edukim

50 Vjet Universitet

Nga - 31.10.2019

Rrëfimet e të parëve që studiuan në UP.

Për studentët e fundit të viteve të ‘60-ta dhe fillimit të të ‘70-tave, më shumë se e drejtë e garantuar, shkollimi ishte përpjekje dhe kjo e përcaktoi vetë marrëdhënien që kjo gjeneratë e Kosovës e krijoi me universitetin. Emërues i përbashkët i rrëfimeve të studentëve të gjeneratës së parë të Universitetit të Prishtinës janë entuziazmi, dëshira, përpjekja, e mbi të gjitha sakrifica për dije.  

Pas një gjysmë shekulli, një ndërrimi sistemor, një lufte dhe disa qeverive kontraverse, duket sikur ekziston një shkëputje në rrëfimin e historisë së arsimit në Kosovë. Prandaj, nga pozicioni i sotëm, dokumentimi i përvojave dhe i rrethanave që i dhanë formë studentërisë kosovare, përmes kujtimeve të atyre që u ulën të parët nëpër auditoriumet e fakulteteve, është thelbësor për një rrëfim gjithëpërfshirës mbi arsimin dhe bërjen e Universitetit të Prishtinës. 

Institucionet e para të arsimit të lartë në Kosovë u themeluan gjatë viteve të ‘50-ta në formën e Shkollës së Lartë Administrative dhe të asaj Pedagogjike. Megjithatë, themelet e jetës studentore u vunë vetëm në fillim të viteve të ‘60-ta, me hapjen e disa degëve të Universitetit të Beogradit në Prishtinë. 

Fundi i viteve të ‘60-ta solli rënien e atij që njihet si regjimi i Aleksandar Rankoviqit, nën të cilin shqiptarët e Kosovës trajtoheshin si qytetarë të dorës së dytë, pa të drejta themelore për gjuhë a qasje në edukim. Rënia e Rankoviqit më 1966 u hapi rrugë shqiptarëve të Kosovës që t’i artikulonin kërkesat politike për autonomi, të drejta për gjuhë dhe edukim.

Për studentët e asokohshëm viti 2019 është vit jubilar, meqë shënon një gjysmë shekulli nga koha kur ata u bënë brezi i parë i studentëve të Universitetit të Prishtinës.

Pas dy vjetësh, më 1968, studentët e fakulteteve të ndryshme në Prishtinë, asokohe degë të Universitetit të Beogradit, gjetën hapësirë të akomodonin edhe përpjekjen për Universitet në valën e ndryshimeve të mëdha politike e shoqërore që po ndodhnin si rrjedhojë e protestave mbarëstudentore nëpër anë të ndryshme të botës.  

Gjatë pesëdhjetë vjetëve të ekzistencës, Universiteti i Prishtinës u ndodh në qendër të të gjitha proceseve të shtetndërtimit të Kosovës. Të qenit student në kohëra të tilla nuk përbënte vetëm vendim personal, por edhe politik, gjë që i ngarkoi ata breza me përgjegjësi dhe i vuri në pozita të rëndësishme gjatë momenteve kyçe politike e historike të vendit.  

Vendosmëria e studentëve të Prishtinës gjatë demonstratave të vitit ‘68 që kërkesa për universitet të ishte e panegociueshme, bëri që viti 1969 ta gjente Universitetin e Prishtinës në prag të themelimit zyrtar. Në qershor të vitit 1969, me themelimin e Fakultetit të Mjekësisë, u përmbush parakushti përfundimtar që i hapte rrugë themelimit të Universitetit të Prishtinës, i cili u jetësua në nëntor të vitit 1969. 

Ndërkohë që zyrtarisht sivjet shënohet 49-vjetori i themelimit të Universitetit të Prishtinës, për studentët e asokohshëm, viti 2019 është vit jubilar, meqë shënon një gjysmë shekulli nga koha kur ata u bënë brezi i parë i studentëve të Universitetit të Prishtinës.  

Nga një qytet “gjysmëfshatar” me rrugë të përbaltura, e deri te mungesa e kushteve elemetare të jetesës dhe e infrastrukturës arsimore, studentët e brezave të parë të UP-së megjithatë i kujtojnë vitet e para të formësimit të Prishtinës me identitetin e një qyteti universitar, por edhe të mëvetësimit të Kosovës. 

K2.0 kthehet në fillet e Universitetit, për ta përjetuar dhe për ta njohur nëpërmjet rrëfimeve personale të pjesëtarëve të brezave të parë që studiuan në të. 

Nazmi Rrahmani – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Fakulteti Filozofik

Foto: Aurela Kadriu / K2.0

Nazmi Rrahmani u lind më 1941 në Ballofc të Podujevës. Mbaroi studimet për Gjuhë dhe Letërsi Shqipe në Prishtinë më 1964, në kohën kur ky fakultet ishte ende pjesë e Universitetit të Beogradit. Punoi si gazetar në Radio Prishtina e më vonë edhe në gazetën Rilindja. Ka botuar një varg librash.

Mbas mbarimit të shkollës tetë vjeçare, isha i vendosun të vazhdoj në gjimnaz dhe gjimnaz kishte në këto anë vetëm në Prishtinë – prandaj duhej të vija në Prishtinë […] Ka qenë një gjeneratë, si të them, e zgjedhur, sepse atëherë gjimnazi kishte pak nxënës. Rreth 30-33 nxënës ishim në një klasë, ose krejt gjimnazi kishte diku 120 nxanës shqiptarë […] 

Gjatë vitit të fundit të gjimnazit u bë një anketë nga ana e Radio Prishtinës me nxënësit maturantë të të gjitha shkollave të mesme, ku na kërkonin të shprehim nji mendim rreth gazetarisë, rreth publicistikës, a na pëlqen gazetaria dhe pse. Na zgjodhën nji grup prej nxënësve nga tërë Kosova, diku nja 30 kandidatë dhe mbasi kryem maturën, u organizua një kurs për gazetari. Kursi zgjati krejt dy javë, në të cilin gazetarët e njohur të radios, por edhe të Rilindjes në atë kohë ose të Jedinstvos [gazetë e përditshme në gjuhën serbe] mbanin ligjërata rreth gazetarisë dhe gjatë ditës kishim edhe detyra të tjera të zhvillonim, të shkruanim. 

Mbas krejt kësaj në radio u zgjodhëm një grup që na pranuen. Në këtë grup ka qenë Rexhep Qosja [kritik letrar, publicist], Rrahman Dedaj [shkrimtar], Rrustem Berisha [gjuhëtar], unë. Ka qenë edhe Adem Mikullovci [aktor] në seminar.

Semestri i parë në vitin 1960 ende ishte i pakompletuar edhe si lokal, edhe si kuadër, edhe si bibliotekë.

Po atë vit u vendos që të hapeshin degët e disa fakulteteve të Universitetit të Beogradit në Prishtinë, sepse deri atëherë në Prishtinë ishte vetëm një Shkollë e Lartë Administrative dhe Shkolla e Lartë Pedagogjike që kish fillu një vjet a dy ma përpara. 

Në këtë drejtim, ne, një pjesë e këtyre njerëzve, vendosëm që të regjistroheshim në fakultet meqenëse hapej për herë të parë në Prishtinë dhe ishin krijuar kushtet që më lehtë t’i vijonim mësimet edhe të regjistroheshim. Semestri i parë në vitin 1960 ende ishte i pakompletuar edhe si lokal, edhe si kuadër, edhe si bibliotekë, edhe si mundësi për studime ma të thelluara. Fillimi natyrisht për ne ishte një kënaqësi e veçantë sepse për herë të parë në Prishtinë kishte studentë; do të thotë këtu në vend, sepse deri atëherë duhej të studiohej në Beograd ose në Zagreb ose në qendrat tjera të ish-Jugosllavisë. 

Prishtina ka qenë një qytet tepër i vogël. Ka qenë fundi i qytetit aty ku është Grandi sot, përtej Grandit, rruga në drejtim të spitalit ka qenë e pashtruar edhe me ata katrorët e gurit që kanë qenë atëherë, por ka pasë vetëm pluhur. Kurse prej Fakultetit, atëherë Filozofik e tash i Filologjisë, e deri te spitali kanë qenë ara të mbjella me grurë. Kështu që Prishtina për atë kohë ka qenë një gjysmëqytet, ku të martave, kur ishte ditë tregu, dominonin kafshët, qerret me kuaj, me qe. Dominonte ajo jeta gjysmëfshatare, gjysmëqytetase. Komunikacion nuk kishte pothuajse fare, s’kishte automjete, ishin tepër të rralla. Diku aty ku është sot ndërtesa e Rilindjes së dikurshme, kanë qenë kopshtije të mbjella me lakra. 

Mësimi mbahej në lokalet ku para nji kohe ka qenë Shkolla e Lartë Pedagogjike, tani është Akademia e Arteve me sa di. Ato kanë qenë ndërtesa të kazermave, do të thotë, ushtria u tërhoq; aty ku është Fakulteti Juridik kanë qenë ushtarët. Fakulteti nuk kishte bibliotekë të veten. 

Atëherë ka qenë shumë vështirë të siguroheshin librat qoftë për lexim, qoftë veprat e shkrimtarëve të ndryshëm të cilët i mësonim. Ato ndodhte që t’i kopjonim në grup, qoftë me dorë, qoftë me makinë shkrimi, pesë-gjashtë kopje i shpërndanim mes studentëve, mes shokëve. I lexonim po e zamë [Ndre] Mjedën ose Naimin [Frashërin] ose Migjenin ose autorë të ndryshëm, kryesisht i kopjonim me makinë të shkrimit.

Në atë kohë dominonte gjuha serbo-kroate në plot vende administrative, në jetën e përditshme, në institucione të ndryshme.

Në këto vite të fillimit, meqenëse ne studionim Letërsi Shqipe, na ligjëronin profesorë shqiptarë. Gjuhë Idriz Ajeti për shembull, Letërsi të vjetër Anton Çetta, ndonji prej kuadrove që kishin ardhë nga Fakulteti i Beogradit ku kishin punuar më herët në institute ose në katedrën e Beogradit për t’u kompletu gradualisht. 

Por, në fillime kanë qenë edhe një pjesë e lëndëve në gjuhën serbo-kroate. Për shembull Teori të Letërsisë mësonim në serbisht ose e mësonim edhe atë gjuhën e vjetër sllave, staroslovenski jezik i thoshim. Letërsinë Jugosllave e kishim po ashtu si landë të dytë në fakultet, të cilën e mësonim po ashtu në gjuhën serbo-kroate. 

Është pak paradoksale të mendohet sot, por në atë kohë dominonte gjuha serbo-kroate në plot vende administrative, në jetën e përditshme, në institucione të ndryshme […] Madje në fillim të, diku rreth viteve ‘57-’58, u krijua edhe një atmosferë tjetër dhe doli një kërkesë e disa kuadrove të asaj kohe partiake e shtetnore, që meqenëse në gjuhën shqipe shumë nxanës që kryenin shkollat e mesme nuk mund të pranoheshin në fakultetet e Beogradit, ku mësimi zhvillohej në serbisht, atëherë do të duhej që shkollat e mesme të ishin kryesisht me kuadër që flet ose mësimet i mban në gjuhën serbo-kroate dhe kështu u kriju njifarë atmosfere se duhet të mbyllen edhe shumë nga shkollat e mesme. 

Po të mos kishte reagime të një pjese të kuadrit edhe politik, e sidomos shkencor, mund të përmenden Ali Hadri, Hasan Mekuli e njerëzit që në atë kohë ishin emra, dhe të mos reagonin këta me këmbëngulje, ndoshta do të mbylleshin edhe shkollat e mesme. Por kjo nuk ndodhi […] 

Kjo si duket e ngjalli edhe njifarë dëshire dhe vullneti që njerëzit megjithatë të merren me shqipen, të shkruajnë shqip, të botojnë gazeta shqip, të hapen edhe shkolla të reja. Diku në vitin ‘60 u krijua një atmosferë tjetër, u krijua një kërkesë, pjesë e të cilës me siguri ishte edhe hapja e degëve të fakulteteve. Edhe pse ishin degë të Universitetit të Beogradit, megjithatë zhvilloheshin në Prishtinë, jeta zhvillohej në Prishtinë, do të thotë në mesin ku flitej me shumicë shqipja. Kjo e ngjalli në përgjithësi nji kureshtje dhe nji interesim për mësimin e shqipes. 

Krijimi i universitetit [të Prishtinës] erdhi si rrjedhojë e nji zhvillimi të hovshëm të asaj kohe në të gjitha fushat, me zhvillimin ekonomik, mirëpo edhe me ndërrimin e qëndrimeve politike edhe në Jugosllavi, por sidomos në Kosovë. 

Ka qenë nji entuziazëm i përgjithshëm. Tash u krijua atmosferë krejt tjetër edhe dojshin njerëzit të shkolloheshin. Fillimet kanë qenë të vështira sepse sidomos në katund, nuk dojshin… vajzat sidomos. Kur isha unë maturant për shembull, klasa e parë kishte më shumë vajza. Para meje kanë qenë vetëm dy vajza në gjimnaz dhe ato kanë qenë njëra e Shqipnisë, njëra këtu e Prishtinës. Kurse në gjeneratën time kanë qenë vetëm tri vajza, nga 32 nxënës vetëm tri vajza kemi pasë në klasë; dhe ato kanë qenë një vajza e Mehmet Xhevorit, Mehmet Xhevori ka qenë përgjegjës për arsim dhe kulturë, i ardhun prej Shqipnisë me atë grupin e mësuesve. Ka qenë motra e Nehat Islamit [gazetar], ajo e ka pasë babën profesor të historisë këtu në Prishtinë, edhe ka qenë nji Advije Selimi po ashtu e Prishtinës. Vajza tjera s’ka pasë në klasë. Mandej filluen prej klasës së dytë e të tretë u banë ma tepër, mandej filluen me dominu ma shumë vajza sesa djem. 

Hedvig Kadriu – Mjekësi e Përgjithshme, Fakulteti i Mjekësisë

Foto e Hedvig Kadriut.

Hedvig Kadriu u lind më 1950 në Tërnoc të Bujanocit. Mbaroi studimet për Mjekësi të Përgjithshme dhe i takon gjeneratës së parë të Fakultetit të Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës. Në vitin 1974 u diplomua nga ky fakultet, duke u bërë kështu studenti i parë i diplomuar nga Fakulteti i Mjekësisë brenda Universitetit të Prishtinës.

Unë në Prishtinë kam ardhur më 1 shtator të vitit 1965 për të vazhduar mësimet në Shkollën e Mesme të Mjekësisë. Banoja në një banesë private me tre shokë të tjerë në rrugën “Vëllaznim-Bashkim” [tash Rruga “Lidhja e Prizrenit”], numër 137, aty pranë Tregut të Gjelbërt të qytetit. Banesa ku unë banoja nuk kishte as ujë, as banjo. Do të them se çdo të diel shkonim në banjon publike të qytetit, në Hamamin, siç quhej atëherë, i cili gjendej pranë xhamisë së madhe, për t’u pastruar dhe për t’i ndërruar ndërresat e brendshme. 

Nevoja për kuadro mjekësore dhe për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore për popullatën e Kosovës ishte nevojë e asaj periudhe kohore. Në vitin 1968, pakënaqësia e grumbulluar e popullit me pozitën e tij sociale, ekonomike dhe kulturore në shoqërinë e përgjithshme të Jugosllavisë, rezultoi me demonstratat e rinisë së Kosovës të vitit 1968. Në këto demonstrata u shfaq atëherë, përveç kërkesave të tjera, edhe kërkesa “Duam universitet!” Në atë periudhë kohore në Prishtinë ekzistonin disa fakultete […] por me hapjen e Fakultetit të Mjekësisë përmbushej edhe kushti ligjor për themelimin e Universitetit të Prishtinës apo Universitetit të Kosovës, siç quhej atëherë.

Edhe pse unë personalisht kisha dhënë provimin pranues dhe isha regjistruar në Fakultetin e Mjekësisë në Zagreb, vendosa që të kthehem dhe studimet t’i vazhdoj në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë. Në vitin e dytë të studimeve për lëndët mësimore sipas programit përveç profesorëve eminentë nga qendrat universitare të Jugosllavisë, mësimin erdhën ta mbajnë dhe ta zhvillojnë edhe disa profesorë nga Universiteti Shtetëror i Tiranës. Në këtë vit, me iniciativën e strukturave udhëheqëse politiko-shoqërore të Kosovës, u nënshkrua marrëveshja për bashkëpunim shkencor dhe kulturor ndërmjet Universitetit të Prishtinës dhe Universitetit të Tiranës.

Me qëllim të demonstrimit praktik të të ashtuquajturit refleks i kushtëzuar i Pavllovit, ata e kishin sjellë me vete edhe një qen [i cili] ishte edhe shkak i disa batutave tona sepse për ta sjellë atë në Kosovë ishte dashur që edhe për të të sigurohej një pasaportë.

Unë e kam në kujtesë të pashlyeshme ligjëratën e parë, të cilën atëherë e mbajti profesori i lëndës së Histologjisë, Prof. Dr. Skender Çiço nga Universiteti i Tiranës. Në këtë ligjëratë merrnin pjesë të gjithë studentët shqiptarë të vitit të dytë, ndërsa ajo u mbajt në sallën e Katedrës së Biologjisë aty pranë Fakultetit Filozofik. Atmosfera që ishte krijuar atë ditë ishte shumë e tendosur, ne studentët ishim të entuziazmuar për ardhjen e profesorit nga Tirana, i cili u prit dhe u përshëndet me duartrokitje frenetike, ndërsa udhëheqësit e Fakultetit dhe të Universitetit kishin nji dozë frike se mos po ndodhë ndonjë ekses i mundshëm politik. 

Profesor Skender Çiço ishte nji pedagog shumë autoritativ dhe me përvojë të gjatë pedagogjike, i cili atë ditë kishte nji detyrë të vështirë, për këtë arsye ishte edhe shumë zyrtar atëherë në raport me ne studentët që dëshironim t’i afroheshim dhe me të të bisedonim dhe nga ai të kuptonim më shumë për jetën në Shqipëri e për zhvillimin e mësimeve në Fakultetin e Mjekësisë në Universitetin e Tiranës. Mirëpo profesor Skender Çiço ishte shumë i matur dhe me të mund të diskutohej vetëm për temën që ai zhvillonte nga lënda e histologjisë. 

Profesor Minir Karagjozi dhe asistentja e tij, doktoreshë Nadire Dinasi, ishin mësimdhanësit e radhës që erdhën dhe zhvilluan ciklin e ligjëratave nga lënda e fiziologjisë. Me qëllim të demonstrimit praktik të të ashtuquajturit refleks i kushtëzuar i Pavllovit, ata e kishin sjellë me vete edhe një qen, nëpërmjet të cilit demonstrohej praktikisht rrjedhja e lëngut të pështymës pasi qenit i tregohej ushqimi. Ky qen ishte edhe shkak i disa batutave tona sepse për ta sjellë atë në Kosovë ishte dashur që edhe për të të sigurohej një pasaportë e veçantë për ta kaluar kufirin ndërshqiptar. 

Me sa më kujtohet, në vitin 1972 në Kosovë ishte përhapur epidemia e lisë së madhe, në gjuhën latine epidemia e variola verës. I infektuari i parë nga kjo sëmundje e rrezikshme kishte qenë një individ nga Prizreni, i cili ishte kthyer nga haxhillëku, ku ishte infektuar nga kjo sëmundje e rëndë ngjitëse. Gjatë kohës së përhapjes së kësaj epidemie, të gjithë studentët e mjekësisë të gjeneratës sime iu bashkuan aksionit për vaksinimin e përgjithshëm të popullatës në tërë territorin e Kosovës me vaksinën kundër kësaj sëmundjeje. Ishte ky angazhimi dhe kontributi ynë i parë praktik dhe konkret përderisa ishim ende studentë të mjekësisë, në mbrojtjen shëndetësore të popullatës së Kosovës dhe në parandalimin e përhapjes së mëtejme të kësaj sëmundjeje të rëndë dhe vdekjeprurëse në shumë raste […]

Më 4 shtator të vitit 1974 në Fakultetin e Mjekësisë në Prishtinë u diplomua mjeku i parë. Rasti deshi që të isha pikërisht unë. Urimin e parë në emër të fakultetit dhe universitetit në momentin e diplomimit ma shprehu dekani i atëhershëm i Fakultetit të Mjekësisë, Prof. Dr. Musa Haxhiu, duke më dhuruar një buqetë me lule me mbishkrimin “Mjekut të parë”. 

Ceremonia e diplomimit të gjashtë mjekëve të parë të diplomuar në Fakultetin e Mjekësisë u bë më 12 tetor të vitit 1974.  Në Brezovicë u organizua një darkë e veçantë për mjekët e diplomuar dhe stafin mësimor të këtij fakulteti, nën patronatin e Mahmut Bakallit, i cili atëherë ishte kryetar i Komitetit Krahinor, edhe vetë i pranishëm aty së bashku me mysafirin e tij të rastit, ambasadorin e Kubës në Jugosllavi. Nga ajo mbramje dua të veçoj fjalën e rastit që mbajti Prof. Dr. Dervish Rozhaja, që ishte rektor i universitetit, i cili pas fjalës së rastit, në mënyrë spontane në shenjë të gëzimit dhe entuziazmit për këtë arritje dhe sukses të Universitetit të Kosovës dhe të popullit shqiptar në përgjithësi, ia tha këngëve të vjetra shqipe, i shoqëruar edhe nga bylbyli i Kosovës, zonja Nexhmije Pagarusha, e cila atë mbramje ishte mysafirja jonë e nderit. 

Resmije Kryeziu – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Fakulteti Filozofik

Foto: Aurela Kadriu / K2.0

Resmije Kryeziu u lind më 1945 në Gjakovë. Mbaroi studimet në degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Prishtinë më 1972. U regjistrua në kohën kur ky fakultet ishte ende degë e Universitetit të Beogradit, ndërsa u diplomua nga Universiteti i Prishtinës.U doktorua më 1977 nga Universiteti i Prishtinës. Ka botuar një numër studimesh e recensionesh në fushën e historisë së letërsisë shqipe dhe të kritikës letrare si dhe disa libra, së fundmi romanin “Rrota e Ujit”.

Pasi që e kam krye gjimnazin, po atë vit jam martuar dhe e kam lindur djalin e parë Shkumbinin. Pas një viti, më 1967, rrethanat më diktuan të jetoja në Beograd. Burri im, Ekrem Kryeziu, ishte student i vitit të fundit në Akademinë e Arteve, dega dramaturgji. 

Në atë vit, në kuadër të  televizionit të Beogradit u hap një emision gjysmorësh në gjuhën shqipe. Ekremi ishte student  i Akademisë, u punësua në TV Beograd si folës në emisionin Pasqyra televizive. Tashti që Ekremi punonte dhe duhej gjithsesi të qëndronte në Beograd edhe një vit për ta mbaruar Akademinë, vendosëm që familja të bashkohet.

Studimet i kam filluar më 1967. Jam regjistruar në Fakultetin Filologjik në Beograd në degën Gjuhë dhe Letërsi Shqipe. Pas një viti kthehem në Prishtinë nga Beogradi, atëherë i kam bartë dokumentet në Fakultetin Filozofik të Prishtinës, në Degën Gjuhë dhe Letërsi. Sikur mos të kishte qenë Universiteti i Prishtinës kisha mbetë vetëm me shkollë të mesme të kryer. Kam studiuar në Degën Gjuhë dhe Letërsi. Kam diplomuar në vitin shkollor ‘70-71 […] 

Edhe pse isha nënë e fëmijëve, jam munduar që ta jetoj jetën e studentëve dhe të marr pjesë në aktivitetet që bëheshin në kuadër të fakultetit.

Dega e Gjuhë Letërsisë na ka tubuar në një vend nga të gjitha anët e Kosovës. Me shumicën kemi qenë shokë e miq të mirë. Më duhet të përmend këtu se sa shumë më kanë ndihmuar ata gjatë tri viteve të fakultetit.

Në vitin e parë jam regjistruar duke qenë nënë e një fëmije. Gjatë studimeve i linda edhe dy, Milotin dhe Drinin. Kështu që diplomova me tre.

Nuk mund t’i harroj ndihmesat që i kam pasur nga kolegët, sa që në orët e vona, pas ligjëratave më përcjellshin deri te shtëpia në Taslixhe që ishte larg nga Universiteti. Ishte një dimër i acartë. Isha në muajin e nëntë të shtatzanisë. Daut Demaku [gjuhëtar, shkrimtar] dhe Imri Badallaj [gjuhëtar] kurrë nuk më kanë lënë vetëm të shkoj në shtëpi. Shumë pjesë të rrugës të dy më mbanin për krahu që të mos rrëzohesha.

Edhe pse isha nënë e fëmijëve, jam munduar që ta jetoj jetën e studentëve dhe të marr pjesë në aktivitetet që bëheshin në kuadër të Fakultetit. Në atë kohë e kisha koleg edhe Sabri Fejzullahun [këngëtar] sa që në koncertin e parë të tij në sallën e Universitetit, isha moderatore. Atë kohë isha në muajin e shtatë të shtatzanisë […]

Lagjja në të cilën kam banuar një vjeshtë dhe një dimër gjatë vitit të parë të studimeve në Prishtinë ishte lagja e Dubrovnikut [tash, rr. Gazmend Zajmi]. Ishte një lagje e re por rrugët nuk ishin të shtruara, sa që balta na zinte frymën. Kur binte shi bëhej një baltë e trashë që nuk kishte këpucë me të cilat mund të dilje jashtë. Një ditë më parë, një gruaje, duke e tërhequr këmbën nga balta, i mbeti taka në të. 

Për fat në Beograd i kisha blerë një palë çizme të plastikës që atë vit sapo kishin dalë në shitje. Ishin ngjyrë e gjelbër me lule të rralla kamomili. Derisa nuk kishte rënë shi, i pata veshur disa herë dhe isha ndier mirë në to. Kur të reshurat e vjeshtës u shpeshtuan, atëherë filluan telashet. Ishte fillimi i vitit shkollor. Ende nuk i kisha njoftuar të gjithë profesorët e lëndëve. 

Një mëngjes doja të ngutesha për në orë të mësimit, por ishte e pamundur të mbërrija për pak minuta sa i bëja rëndom deri në fakultet. Rruga ishte me baltë të trashë dhe mezi i nxjerrja këmbët prej saj. Me mund të madh arrita në rrugën e asfaltuar përmbi shkollën Pedagogjike të asaj kohe, që tani është ndërtesa e Ministrisë së Arsimit. Aty ishte një krua që rrjedhte vazhdimisht në koritën e betonit, ku i pastronin këpucët nga balta të gjithë ata që donin të hynin në qytet e të zbrisnin nga rruga e Dubrovnikut.

Për çudinë time në orën e dytë në klasë hyri ai burri që e kisha takuar te kroi dhe që doja t’ia laja këpucët.

Që ditën e parë të shiut dhe baltës, duke pritur në radhë për t’i larë çizmet u vonova për mësim. Kur shumica mbaruan punë, e para meje ishte edhe një burrë i gjatë, rreth të gjashtëdhjetave, i veshur bukur me një pallto të vjeshtës ngjyrë blu, me kravatë bordo dhe sheshir të zi, më tha t’i laja unë çizmet para tij. Më erdhi turp që një burrë në moshë po ma lëshonte radhën dhe tani unë doja t’ia ktheja kujdesin dhe i thashë: “Jo, por më lejoni t’ i pastroj unë këpucët tuaja që ju mos të lageni”. 

Ai m’u falënderua dhe nuk më lejoi kurrsesi. Ai kishte këpucë, mbi të cilat kishte mbështjellëse prej gome, që u thoshin kalaqe. Mbas tij, i lava çizmet. Mbërrita në Fakultet. Ora parë veç sa nuk kishte përfunduar. Kishim sintaksë. Kisha dëgjuar se profesori ishte më i rreptë se të tjerët, kështu që prita në korridor derisa të mbarojë ora.

Për çudinë time, në orën e dytë në klasë hyri ai burri që e kisha takuar te kroi dhe që doja t’ia laja këpucët. U struka që të mos më shihte. Ishte ora e parë e tij. Ai u prezantua: “Jam Gani Luboteni, profesor i kësaj lënde dhe shpresoj se bashkërisht me ju do t’i zbërthejmë të gjitha dritëhijet e veprave që do t’i analizojmë mbi postulatet e teorisë së letërsisë”.

Profesori Gani Luboteni menjëmend angazhohej që nga orët e tij të dalim të pasuruar me dije për vlerësimin e veprave letrare. Edhe sot e kësaj dite më kujtohet se mënyra e ligjërimit të tij dhe përkushtimi që kishte t’i dëgjojë studentët dhe në këtë mënyrë t’ua heqë frikën që ata e kishin një frikë nderimi ndaj tij. 

E kemi dashur dhe respektuar shumë! Ç’është e vërteta, të gjithë profesorët kanë qenë shumë të mirë, të gjithë, pothuaj, na i kanë ofruar veprat e tyre, gjë që ka qenë lehtësim i madh për ne. Katedra jonë ka pasur një bibliotekë të pasur që ka qenë në shërbimin tonë.

Rexhep Ismajli – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Fakulteti Filozofik

Foto: Atdhe Mulla / K2.0

Rexhep Ismajli u lind më 1947 në Preshevë. U regjistrua në kohën kur ky fakultet ishte ende degë e Universitetit të Beogradit, ndërsa u diplomua më 1971 nga Universiteti i Prishtinës. Vazhdoi specializimin në Institutin e Letërsisë së Përgjithshme dhe Aplikative “Rene Dekarti” në Paris të Francës. Sot është anëtar i rregullt i Akademisë së Shkencave dhe të Arteve të Kosovës.

Kur kam ardhë në ‘67-tën, ne kishim vështirësi jo të vogla. Nuk ka pasë rrugë për Prishtinë, rrugë të drejtpërdrejtë. Ne shkonim me tren në Shkup dhe treni shkonte në mëngjes – për Shkup ishin të rrallë trenat. Pastaj duhej diku në mbramje vonë nga Shkupi për në Fushë Kosovë dhe nga Fushë Kosova vinim në këmbë, sepse në orën 01:00 apo 01:30 të natës s’kishte autobus. 

Komunikimi me vendlindjen ishte i vështirë deri në vitin ‘68 vonë, kur u bë kjo rruga për Gjilan, rruga për andej Bujanovc-Gjilan edhe na vinim me një autobus që shkonte njiherë në javë, të enjten shkonte, jo ditëve tjera. […] Problemi ishte komunikimi me familjen, kjo ishte pak më e vështirë. Më vonë u bënë shumë normale, shkonim çdo ditë, nuk ishte problem. Por këtu nuk e ndjenim veten të huaj, këtu e ndjenim veten në shpi, dhe kështu, nuk kishte vështirësi. Kemi pasë shumë biblioteka. Fakultetet atëherë i kanë pasë pak më të organizuara departamentet, për shembull i Gjuhës Shqipe, dega e Gjuhës Shqipe dhe Letërsisë ka pasë një bibliotekë në të cilën ne kemi pasë akses shumë shlirshëm dhe ka pasë libra të mirë. 

Unë i jam mirënjohës përgjithmonë mundësisë që m’u dha të punoja vullnetarisht në atë bibliotekë sepse mungonte bibliotekistja për një kohë e kjo më dha mundësi të madhe për të lexu ma shumë në atë bibliotekë dhe më dha mundësi që të krijoj një horizont tjetër. Mungesat materiale e kështu i kemi pasë, por ne bënim jetë konvikti, jetë domethënë pa shpenzime të mëdha. […]

Ka qenë një praktikë që secili prej nesh mbanim ndonjë prej shokëve ilegalisht aty, se s’kishte vend për të gjithë.

Na në konvikt kemi pasë disa përjetime. E para, kur kam ardhur, kemi qenë në këtë konviktin këtu tek radioja, janë do baraka te radioja, ato kanë qenë konvikte të studentëve. 

Aty s’kishte as ujë, as… Ne ngrohnim ndonjë kazan të vogël a diçka, ujë që të laheshim, sepse s’kishim banjo të rregullta. Pastaj në vitin e dytë unë pata fatin, edhe të tjerët, të kem vend në konviktin numër 1, që u bë konvikti atje [te Menza e tanishme e studentëve] dhe pastaj gjithë kohën kam qenë, tre vjet në atë konvikt. Atje kishim kushte shumë të mira, ishim shumë të kënaqun. 

Nuk kanë qenë gjithë studentët që kanë pasë mundësi, por një shumicë dhe ka qenë një praktikë që secili prej nesh mbanim ndonjë prej shokëve ilegalisht aty, se s’kishte vend për të gjithë, edhe na toleronin. S’kishte ndonjë problem. […]

Unë me ‘71-shin jam diplomu këtu në Prishtinë. Periudhën e themelimit të Universitetit formalisht e kam përjetuar si student. I mbaj në mend mirë mbledhjet që i kemi pasë në Fakultetin Filozofik. 

E mbaj në mend mirë se si përfaqësues i studentëve në Këshilllin Mësimor Shkencor të Fakultetit flitej se ka vështirësi të themelohet Universiteti, sepse simbas praktikave të atëhershme duhej të kishte edhe nji Fakultet të Mjekësisë që të plotësoheshin kushtet për të bërë një universitet të pavarur. Dervish Rozhaja ishte nji nga ata që vraponin shumë në këtë drejtim, edhe të tjerët, profesorët e tjerë kanë vrapuar. 

Dervishi kërkoi nga ne si përfaqësues të studentëve që të shkonim në Beograd, të mbështesnim bashkë me studentët në Beograd një kandidat për rektor atje dhe ai në mënyrë interne na e shpjegoi që ai rektor pastaj do ta mbështeste themelimin e Fakultetit të Mjekësisë dhe kështu do të krijoheshin edhe kushtet, dhe ashtu u bë në fakt. Shumë shpejt u themelu. Na shkuam një ditë në Beograd, votuam. Ai u zgjodh sigurisht se edhe studentët e Beogradit e donin, jo vetëm ne, po ne e dhamë votën tonë.

Këtu pastaj u themelua Fakulteti i Mjekësisë dhe menjëherë, shumë shpejt, u bë edhe themelimi formal i Universitetit. […] Tani nuk kishte më referenca me Beogradin, por ishte Universiteti i Prishtinës dhe për ne ishte një entuziazëm shumë i madh, sepse kjo ishte një shenjë e mëvetësisë së Kosovës. […]

Tani ajo klimë entuziazmi ka qenë shumë produktive për diçka tjetër, ka qenë produktive për rritjen e kërkesave, ambicieve të brezave tanë të të rijve për një dije pak më universale, për të dalë nga lokaliteti, nga Kosova, nga… përtej, edhe jashtë Jugosllavisë ndonjëherë. 

Domethënë u shoqërua me një frymë shumë pozitive, me angazhimet tona, dhe në këtë frymë atëherë, ne më herët e kishim [revistën] “Botën e Re”, aty kemi shkruar gjëra të ndryshme, si të rij gjithmonë, edhe kundërshtuese. E mbaj në mend që kanë qenë shumë raste që na e ndalonin numrin për shkak të shkrimeve e të tjera, por ishte manifestim i të rinjve. 

Pastaj e rritëm ambicien, e bëmë revistën “Dituria”, bëmë katër numra, na e ndërruan redaksinë. Natyrisht ne lëvizëm. 

Studentët janë zakonisht popullatë jo e qëndrueshme, sepse shpejt mbarojnë studimet, vijnë tjerët, nuk janë njësoj. Por, sidoqoftë, ajo pastaj vazhdoi në Universitet, brenda fakultetit, me revistat që botonim në Fakultet, me kontaktet që kërkonim të gjenim aq sa ishim të përgatitur, jashtë. Për mendimin tim ka qenë një situatë shumë pozitive për frymën që po krijohej. 

Ajo i dha krejt Kosovës, krejt gjendjes në Kosovë i dha një rritje në një nivel tjetër. Kërkesat bëheshin ndryshe, tash jemi universitet më vete, domethënë jemi një shoqëri që po hyn në shkallë tjera, po krijohen mundësi më të mëdha, të barabarta me të tjerët e kështu me radhë.

Flutura Çitaku – Gjuhë dhe Letërsi Shqipe, Fakulteti Filozofik

Foto: Aurela Kadriu / K2.0

Flutura Çitaku u lind më 1951 në Mitrovicë. Pas përfundimit të Shkollës Normale, më 1970 u regjistrua në Degën e Gjuhës dhe Letërsisë Shqipe në Universitetin e Prishtinës, ku edhe u doktorua më 2009. Aktualisht është ligjëruese në Fakultetin e Filologjisë në Universitetin e Prishtinës. 

Unë jam nga Mitrovica, rrjedh prej nji familjeje mesatare. Baba është marrë me tregti, dhe zanat e ka pasë … ka qenë berber. Kemi qenë katër fëmijë, nuk ka qenë aq e lehtë për prindët tanë. Nana ka punu punëdore për të na shkolluar, për të na ndihmuar. Kam pasë tre vëllezër, i kam shyqyr ende. Të gjithë jemi të shkolluar. 

Unë kam kryer Normalen, dhe e kam pasë ëndërr që të bëhem mësuese. Por pastaj nuk e di se si prindët edhe rrethi, “Po mund të shkosh të studiosh nëse don”. Se nuk e kam pasur atë qejfin e madh për të studiuar. Po mirë, po studioj, por çfarë do të kisha studiuar? 

Ma së shumti e kam dashur gjuhën shqipe edhe më ka shku gramatika e këto gjatë shkollës së mesme edhe vendosa që të studioj gjuhën dhe letërsinë. Erdha në Prishtinë. Kjo ka ndodhë para 50 vjetësh, atë vit edhe është themeluar Universiteti i Prishtinës edhe e kemi marrë si nji ngjarje shumë të randësishme në atë kohë si e re që isha, jo vetëm unë, po të gjithë. 

Por, edhe pa u hapë universiteti ka qenë katedra e gjuhës shqipe, nji ndër të parat, në vitin ‘64. Do të thotë, ka qenë nji traditë e kësaj dege. Kam pasë fatin që të kem profesorë të njohur që na kanë ligjëruar edhe njikohësisht gjuhëtarë të njohur si Idriz Ajeti, Gani Luboteni, Anton Çetta, Mehdi Bardhi e të tjerë – elita e intelektualëve, gjuhëtarë të njohur. 

Vitin e parë të studimeve unë kam ndejtë te daja im dhe e mbaj në mend kur kam ardhë për herë të parë në Prishtinë – këto rrugët te fakulteti edhe mbi fakultetin, tek Aktashi që është tash, kanë qenë me baltë, krejt baltë, dhe është dashur më së pari t’i blej një palë çizme të gomës se nuk dilej ndryshe. Kur vinim në fakultet krejt me baltë dhe së pari i lajshim çizmet, mandej hynim brenda.

Pas dy muajve që kam filluar të studioj, vjen babai im këtu në korridor të fakultetit edhe thashë: “Mos ka vdekë dikush, çka ka ndodhë?” Ai tha: “Po e kërkojnë një mësuese aty afër në një shkollë fillore edhe a po vjen?” Thashë: “Po, ani!” Edhe isha përgatitë për mësuese edhe s’dojsha me ia prishë babës. Po tha: “Ti njëkohësisht ndoshta mundesh edhe me studiu edhe me mbajtë [mësim]…” E u ktheva atë vit në Mitrovicë e kam punu si mësuese, as 20 vjet s’i kam pasë. 

Këtu vija herë pas here për ligjërata edhe në fund dola me sukses, me nota të shkëlqyeshme. Vitin e dytë të studimeve nuk punojsha më, se e kam zëvendësuar nji mësues aty që ka qenë smutë, afër shtëpisë nji shkollë. 

Vitin e dytë kam banuar me vëllain tim që ka studiuar Elektro. Kemi banuar në një shtëpi private. Vitin e tretë dhe të katërt kam banuar në konvikt. Në vitin e tretë na e dhanë një dhomë aty, ishim tre veta, unë kam studiuar bashkë me një shoqe që kam qenë edhe në Normale me të, e kam pasë shoqe që nga mosha 15 vjeçe edhe kemi banuar bashkë edhe një tjetër e kemi pasur aty në dhomë.

Argëtimi kryesor ka qenë shëtitja nëpër korzo - një orë poshtë e lart, me i pa njerëzit, me u taku me dikend që e njeh.

Jeta në konvikt është shumë, shumë interesante se njihesh me shumë… me vajza sidomos që kishin ardhë prej qyteteve të ndryshme të Kosovës. Është një jetë sociale shumë e pasun. 

Çka do të veçoja nga kjo periudhë, çfarë jete kulturore e zbavitëse ka qenë në atë kohë. Me këtë shoqen sidomos, nga Mitrovica, se ajo tjetra e Gjilanit herë pas here vinte, argëtimi kryesor ka qenë shëtitja nëpër korzo, se nuk ka pasë kafiteri në atë kohë. Shëtitja një orë poshtë e lart, me i pa njerëzit, me u taku me dikend që e njeh. 

Për çdo javë kemi shkuar në teatër, asnjë shfaqje nuk na ka ikë pa e pa, madje e kemi shikuar edhe për herë të dytë e tretë ndonjë që na ka pëlqy. Teatri kombëtar atëherë ka përgatitë shumë shfaqje. Edhe në film kemi shku, përveç aktivitetit kryesor që e kemi pasë për të lexu libra, se ne jemi marrë, kemi studiuar edhe letërsinë, përveç gjuhës, dhe e kemi pasë për obligim që të lexojmë se edhe provimet i kemi pasë të lidhura me lexim. Kjo ka qenë. 

Unë e kujtoj shumë mirë provimin e parë, kam hy në provim të parë tek profesori i mirënjohur Shefqet Pllana. Ai ka qenë nji profesor, nji pedagog shumë atraktiv edhe kur mbante ligjërata… edhe lënda ka qenë atraktive, fliste për folklorin shqiptar. Ai në të vërtetë ka qenë edhe violinist edhe me muzikë, kur demonstronte për shembull ndonji këngë popullore, edhe e këndonte. 

Kështu në ligjërata kanë ardhë madje edhe studentë nga degët e tjera, se kanë dëgjuar që është profesori që jep ligjërata shumë interesante. 

Kur kam hyrë në provim, ka qenë provimi i parë, se besoj që gjithkush e mban më mend kur hyn për herë të parë në provim gjatë studimeve, kam marrë notën dhjetë edhe profesori më ka thanë: “Ti mbasi e more dhjetëshe…” më bëri si asistente, “tash do të më ndihmosh t’i shënosh notat e studentëve tjerë”. 

Drita Halimi Statovci – Gjeografi, Fakulteti Filozofik

Photo: Atdhe Mulla / K2.0

Drita Halimi Statovci u lind më 1945 në Gjilan. Më 1969 mbaroi studimet themelore në Degën e Gjeografisë në Prishtinë, në kohën kur Universiteti i Prishtinës ishte në prag të themelimit. Ndërsa u doktorua për Gjeografi nga Universiteti i Zagrebit më 1981. Eshtë njëra nga themelueset e degës së Antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, ku edhe ka ligjëruar deri në pensionim. Ka botuar një varg studimesh në fushën e antropologjisë dhe të etnologjisë.

Unë nuk jam gjenerata e parë e Universitetit. Unë kur kam qenë, ka qenë vetëm Fakultet. Fakulteti Filozofik, s’ka pasë ndryshe. Aty ka qenë histori, gjuhë, po edhe këto shkencat matematikore. Unë kam qenë në gjeografi. […]

Unë me vendlindje jam e Gjilanit, por jam rritur në Beograd. Bebe, as nji vjeç pa i ba, kemi shku në Beograd se baba ka qenë asistent në katedrën Etnologjike. 

Kam ardhë këtu në klasë të tretë fillore, e kam vazhdu serbisht, për habinë time. Sepse siç duket, ku ta di unë, s’e kam ditë mirë gjuhën edhe m’kanë lanë me vazhdu. Pastaj gjimnazin shqip. 

Dhe posa e kam përfundu gjimnazin, baba m’ka ra në burg. Ka nejtë në Goli Otok [burgu politik i ish-Jugosllavisë në ishullin Goli Otok të Adriatikut, Kroaci, operativ ndërmjet viteve 1949-1989] 24 muej baba im. Pastaj si ka dalë, na ka pru këtu në Prishtinë. Gjimnazin e kam kry këtu, Ivo Lola atëherë quhej. Tash s’e di a ka ndërru emën, kjo te xhamia që është përballë, te teqja. Në ‘64-tën e kam përfundu gjimnazin. […]

Pata vendosë të studioj në Prishtinë, sepse çështja materiale, me çka me shku në Beograd? Edhe s’kam mujtë me shku se asht dashtë me majtë familjen.

Kisha dëshirë me studiu Etnologjinë sepse babën e kam etnolog, por këtu s’kishte. Edhe shkova në Gjeografi, si landë shoqnore, ka shumë landë që janë të përafërta. Mandej kur diplomova, shkova në Zagreb edhe aty nuk më lejuan të regjistroj profilin që unë e doja, nuk lejonin të ndërrohej […] dhe unë u detyrova të baj përsëri Gjeografi, “Elementet e Regjionalizimit” quhet drejtimi që e kam kry dhe kryesisht merresha me histori gjeografike, që është shumë e afërt me Etnologjinë. Kështu që atje e kam kry magjistraturën edhe doktoraturën, në Zagreb e kam përfundu krejt.

Unë isha shumë e lidhun me babën, po e lidhun edhe me degën, se e dojsha. Gjithmonë edhe ai e kishte, si me thanë, si dhimbje pse nuk ka Etnologji këtu në Kosovë edhe në Prishtinë.

Të nesërmen që ma kanë marrë babën në burg, mbas dy ditëve veç më kanë thanë, “Ma nuk je!”

Me të thanë të drejtën, te unë është hendikep me tregu unë për jetën studentore. Realisht nuk kam pasë kohë për vete, është dashtë me iu përkushtu familjes. E kam pasë këtë si normalitet, si realitet. 

Unë kam qenë ma e madhja në familje prej fëmijëve, jemi dy vëllezër e dy motra. Bile ky vëllau i vogël është… pasi ka dalë baba prej burgut, domethanë në atë kohë ishim tre. Në atë mënyrë, atëherë realiteti ka qenë i tillë edhe më vjen mirë që kam mujtë me punu, kam mujtë me ndihmu familjen edhe mos me humbë asgja edhe në planin personal. […] 

Për shembull, kam qenë pioniere në atë organizatën e pionierëve, edhe asaj ia kam harru tash emrin. Dhe lujshim ambasadorash, për me i përfaqësu vendet dhe mu, të nesërmen që ma kanë marrë babën në burg, mbas dy ditëve veç më kanë thanë: “Ma nuk je!” 

E tash merre me mend çfarë goditje është ajo. Por ja ku jam. Ja ku jam. Puna, vetëm puna i ban të gjitha […]

Ka qenë degë e Universitetit të Beogradit këtu në Prishtinë në atë kohë kur kam studiu unë, masandej u ba universitet. Me të thanë të drejtën, profesorët sikur s’kemi mujtë… Ose unë, sepse kam qenë gjithnjë ma jashtë, nuk kam mujtë me vërejtë diçka nji dallim, po edhe nuk mundeshin sepse ne të gjithë ishim shqiptarë. Të gjithë të regjistruem shqiptarë, kur shkojshim në provim të gjithë së bashku shqiptarë, por mësojshim serbisht. 

Edhe çka fillova… nji punë që është me randësi, s’kishim libra, edhe pse serbisht, duhej me shënime. Nguteshim me marrë shënime. Edhe pse s’isha e rregullt, shpeshherë i lypnin shënimet e mia… 

Kështu ka qenë, shumë pak libra ka pasë; tepër, tepër pak ka pasë libra. Por entuziazmi ka qenë i madh, sepse ishte ngjarje të kishim fakultet, atëherë Universitet ende jo, por fakultet në Prishtinë.

Foto kryesore: Diplomimi i doktorëve të parë në Universitetin e Prishtinës. Foto e Hedvig Kadriut.

Këto rrëfime gojore janë shkurtuar në pajtim me folësit. Intervistat janë realizuar në gjuhën shqipe.

Kthehu prapa tek Monografia