Ngacmimi seksual kalon pa u ndëshkuar në Universitetin e Prishtinës - Kosovo 2.0

Ngacmimi seksual kalon pa u ndëshkuar në Universitetin e Prishtinës



Hulumtimi i K2.0 shpërfaq shpërfilljen e kahmotshme të shqetësimeve rreth sigurisë së studenteve/ëve.

01/11/2023

Nga: Dafina Halili
Ilustrimet: Dina Hajrullahu

Kur përfundoi ligjërata, një ditë në vitin 2018, profesori i Hanës në Fakultetin Filologjik të Universitetit të Prishtinës (UP) i kërkoi asaj të rrinte në sallë. Hana u ndje në siklet të mbetej në sallë vetëm me të. Profesori vazhdimisht e kishte ftuar për kafe dhe i kishte bërë pyetje të tepërta për jetën e saj private. Kur të tjerët dolën nga salla, ai ia dha punimin dhe e njoftoi se i kishte dhënë notë maksimale. E uroi dhe ia zgjati dorën për një shtrëngim duarsh.

Shumë shpejt, profesori e kishte zënë Hanën në një qoshe mbështetur për një banke dhe po provonte ta puthte. Ajo iu shmang dhe iku nxitimthi nga salla, me sytë që tashmë i ishin mbushur me lot.

Si shumë studente aktuale apo ish-studente të UP që kanë përjetuar ngacmime apo sulme seksuale, Hana (emrat e viktimave të ngacmimeve seksuale në këtë artikull janë pseudonime) u ndje e zemëruar dhe e përhumbur.

Nuk dinte kujt t’i drejtohej. Kishte dëgjuar kolegët e koleget e saj tek talleshin dhe u linin fajin viktimave të ngacmimeve seksuale dhe brengosej se njëjtë do t’ia bënin edhe asaj. Kur i tregoi një profesoreje rreth sulmit, u shkurajua edhe më shumë. Anipse Hana donte t’i raportonte veprat e profesorit, profesorja e këshilloi fuqishëm të mos raportonte, duke theksuar se me shumë gjasë Hana do të ballafaqohej me kundër-reagime dhe përqeshje. Për më keq, profesorja e bindi se ka shumë të ngjarë që profesori, i cili u përpoq ta puthte, nuk do të përballej me kurrfarë pasoje për veprat e tij.

Ndonëse Hana nuk ia kishte treguar emrin e ngacmuesit, profesorja veç e dinte se për kë bëhej fjalë. Profesorë e profesore brenda departamentit ku ligjëron ngacmuesi, veç ishin në dijeni për raste të ngjashme, duke thelluar dyshimet e Hanës rreth asaj që do ndodhte nëse do ta raportonte sulmin.

Hana erdhi në përfundim se nëse raporton, kjo vetëm do ta ekspozonte ndaj stigmës dhe hakmarrjes së mundshme. Kështu, nuk e raportoi. 

Rasti e saj s’është i vetmi.

Një tjetër grua i tregoi K2.0 se, më shumë se një dekadë më parë, i njëjti profesor e kishte ngacmuar verbalisht dhe me këmbëngulje i kishte kërkuar të dalin. Studente e studentë të tanishme/tanishëm të Fakultetit Filologjik e konfirmuan se sjellja problematike e profesorit është sekret publik.

Pesë persona, përfshirë ish-studente, i treguan K2.0 se një varg pëshpëritjesh lidhur me sjelljet problematike seksuale të këtij profesori ekziston qe gati dy dekada, si dhe një profesore në Fakultetin Filologjik konfirmoi për K2.0 se studentët/et dhe drejtuesit/et e lartë/a përbrenda departamentit tashmë janë në dijeni për sjelljen e profesorit.

Por problemi i ngacmimit seksual në universitet shkon shumë përtej këtij profesori. Hulumtimi prej muajsh i K2.0 shpërfaq një imazh të një universiteti që nuk ia del të sigurojë mjedis të sigurt për studentet/ët e tij dhe të një universiteti që vazhdimisht mbron profesorët/et dhe personelin që akuzohen për ngacmim seksual.

K2.0 ka folur me mbi 100 studente e studentë aktuale/ë dhe të mëparshëm/me dhe me dhjetëra profesorë/e, aktivistë/e dhe zyrtarë/e. Njëzet studente, që aktualisht ndjekin studimet ose i kanë përfunduar ato, shpalosën me K2.0 përjetimet e tyre të ngacmimeve seksuale në kampusin universitar. Përveç kësaj, pothuajse 300 studentë/e, ku mbi 80% ishin gra, iu përgjigjën një ankete rreth ngacmimit seksual dhe sigurisë në kampus.

Problemi i ngacmimeve seksuale në universitet shkon shumë përtej vetëm një profesori.

K2.0 gjeti se viktimat shpesh kanë hezituar të flasin hapur dhe kanë besuar se mungon mbështetja nga zyrtarët/et e universitetit. Disa thanë se autoritetet universitare nuk i kanë trajtuar rastet e tyre me seriozitetin që ato kërkojnë, si në rastin kur profesorja ia kishte bërë me dije Hanës se përvoja e saj ishte thjesht një përvojë e zakonshme për gratë.

Frika nga hakmarrja është shqetësim i madh i viktimave të ngacmimeve apo sulmeve seksuale. Po ashtu, viktimat kanë frikë se mund të bëhen objekt i thashethemeve dhe shpërndarjes së fjalëve.

Të gjitha këto probleme rëndohen nga mungesa e një reagimi institucional. 

K2.0 kontaktoi Këshillin e Etikës në UP, nëntë anëtarët e Këshillit Drejtues, Rektoratin, si dhe dekanët/et e 14 fakulteteve, për t’i pyetur nëse ndonjë anëtar i personelit akademik është ballafaquar ndonjëherë me masa serioze disiplinore apo shkarkim nga puna për shkak të ngacmimit seksual. 

Suzana Manxhuka-Kërliu, dekane e Fakultetit të Mjekësisë, tha se Këshilli i Fakultetit të Mjekësisë vendosi ta shkarkonte nga puna një asistent, rreth katër vite më parë, pas dëshmive që tregonin se ai po i dërgonte mesazhe të papërshtatshme një studenteje. 

Ky është rasti i vetëm ku një ngacmues seksual në universitet u ballafaqua me masa serioze disiplinore.

Gati gjysma e dekanëve/eve që K2.0 kontaktoi, nuk u përgjigjën. Ata/o që u përgjigjën, ose u shprehën që nuk ishin në dijeni rreth ndonjë rasti të ngacmimit seksual në fakultetin e tyre, ose nuk iu përgjigjën në mënyrë të drejtpërdrejtë pyetjeve tona. Këshilli i Etikës, anëtarët e Këshillit Drejtues dhe Rektorati nuk u përgjigjën fare.

K2.0 ka pyetur dekanen e Fakultetit të Filologjisë, Lindita Rugova, lidhur me rastin e Hanës, duke përmendur specifikisht emrin e profesorit. Rugova u shpreh se nuk ka pranuar asnjë raportim verbal apo në formë të shkruar lidhur me këtë profesor. 

Në vitin 2018, kur ndodhi sulmi ndaj Hanës, universiteti nuk ka pasur asnjë politikë zyrtare për trajtimin e rasteve të ngacmimeve seksuale dhe nuk ka pasur asnjë masë mbrojtëse për njerëzit që e raportojnë atë. 

Edhe prej kur universiteti prezantoi “Rregulloren për Parandalimin dhe Mbrojtjen nga Ngacmimi Seksual dhe Ngacmimi në Universitetin e Prishtinës” në maj të vitit 2021 rregullorja e parë e universitetit për ngacmimin seksual shumë studente/ë vazhdojnë të hezitojnë t’i raportojnë rastet e ngacmimeve seksuale. Kritikët/et argumentojnë se Rregullorja përqendrohet më shumë në mbrojtjen e abuzuesve sesa në parandalimin e ngacmimeve apo mbështetjen e viktimave dhe kjo e mirëmban traditën e mbajtjes fshehur të rasteve të ngacmimit seksual. Rregullorja imponon një periudhë kohore të rreptë se kur mund të raportohet ngacmimi seksual. Në të parashihet që viktimat duhet ta raportojnë rastin përbrenda një viti prej kur ai ka ndodhur, gjë që praktikisht përjashton shumë viktima dhe veç sa ushqen frikën nga hakmarrja.

Përfundimisht, rregullorja e universitetit për ngacmim seksual nuk i ka inkurajuar viktimat t’i raportojnë ngacmimet seksuale.

Në anketën e kryer nga K2.0 me mbi 300 studente/ë, një në tre studente/ë raportoi se kishte përjetuar ngacmim seksual, me rreth 100 studente/ë që deklaruan se kishin qenë viktima të ngacmimeve seksuale në universitet. Rreth 90% e pjesëmarrësve/eve në anketë ishin momentalisht në studime. Sipas të dhënave nga zyrtarët/et e universitetit, vetëm tri studente kanë raportuar ngacmim seksual që nga hyrja në fuqi e Rregullores dy vjet më parë.

Ka pasur mungesë transparence edhe për ato pak raste që janë raportuar. Ndonëse, sipas Rregullores, rezultatet e hetimeve të rasteve të ngacmimeve seksuale duhet të bëhen publike, universiteti nuk ka publikuar asnjë informacion. Përkundër kësaj, K2.0 ka mësuar se masat disiplinore kanë qenë minimale, siç janë ndalimet afatshkurtra të profesorëve të caktuar për t’i mentoruar studentët/et gjatë punimit të diplomës.

Mosbesimi i thellë në sistemin aktual ilustrohet prej faktit që një shifër prej 95% e të anketuarve/ave besojnë se universiteti duhet të ndërmarrë veprime më rrënjësore për ta adresuar çështjen e ngacmimit seksual.

Anketa e K2.0 dhe shtrirja e saj

 

K2.0 shpërndau një anketë të gjerë online lidhur me rastet e ngacmimeve seksuale në Universitetin e Prishtinës. Anketa u shpërnda më vonë në formë fizike nëpër kampus, tek studentë/e nga fakultete të ndryshme nga Lëndina Balaj me ndihmën e Melos Selmani, Benhard Ramaja dhe Eris Zhuja. Ne pranuam 213 përgjigje online dhe mbi 100 përgjigje në formë fizike. Mbi 80% e të anketuarve ishin gra.

K2.0 zhvilloi intervista të hapura dhe biseda, me një përzgjedhje të gjerë prej rreth 100 studentesh/ësh nga departamente të ndryshme universitare për t’i mbledhur përvojat e tyre. Përqendrim të veçantë pati tek fakultetet që ndodhen në qendër të qytetit të Prishtinës. Këto biseda u zhvilluan individualisht dhe në grupe.

Përmes këtyre bisedave dhe përmes kontaktit me student/e aktivistë/e, K2.0 kontaktoi studentet/ët viktima të ngacmimeve seksuale për të zhvilluar intervista të hollësishme ballë për ballë, për një periudhë të gjatë kohore.

Mos shko aty nëse nuk dëshiron me të ngacmu”

Hulumtimi i K2.0 shpërfaq se si, përgjatë viteve, studentet në Universitetin e Prishtinës kanë përjetuar forma të ndryshme të ngacmimeve seksuale nga personeli akademik i fakulteteve dhe nga personeli administrativ.

Ngacmimi seksual mund të jetë në formë verbale, që përfshin komente të padëshiruara, shaka, nënkuptime ose biseda të natyrës seksuale. Kjo mund të përfshijë komente të pista e të sikletshme, gjuhë eksplicite ose komente sugjestive seksuale që krijojnë parehati për tjetrin/ën.

Ngacmimi seksual mund të ndodhë gjithashtu në formën e quid pro quo, ku individët në pozita me autoritet, si menaxherët/et ose profesorët/et, abuzojnë me pushtetin e tyre duke kërkuar favore seksuale në këmbim të përfitimeve ose notave.

Shumë studente/ë përballen me ngacmime joverbale, që përfshijnë gjeste të padëshiruara, gjuhë të trupit ose shprehje të fytyrës të natyrës seksuale. Mund të përfshijë edhe ngulitje të syve, shkelje syri ose veprime tjera që e bëjnë atë që pranon mesazhin të ndihet parehat.

Ka të raportuara edhe raste të ngacmimeve fizike, të cilat përfshijnë kontakte fizike të padëshiruara të natyrës seksuale. Këto mund të përfshijnë prekjen ose kapjen e pjesëve të trupit apo sulmin seksual, si në rastin e Hanës, kur profesori kishte provuar ta puthte me dhunë.

Ngacmimi në internet është gjithnjë e më i përhapur. Ngacmimi seksual mund të ndodhë përmes mesazheve, shkresave elektronike ose rrjeteve sociale dhe mund të përfshijë dërgimin e përmbajtjeve eksplicite, përndjekjen në rrjete sociale ose ngacmimin kibernetik me natyrë seksuale.

Pjesëmarrëset/it në anketë që u përgjigjën se kanë përjetuar ngacmim seksual, përmendën profesorët si ngacmuesit kryesorë seksualë në kampus.

Rreth 100 pjesëmarrës/e në anketën e K2.0 thanë se kanë përjetuar ngacmim seksual. Prej tyre, rreth 80% janë përgjigjur se kanë përjetuar ngacmime verbale, ndërsa rreth 45% thanë se kanë përjetuar ngacmime joverbale, përfshirë shikime ose gjeste sugjestive seksuale. Rreth 20% thanë se kanë përjetuar ngacmime fizike ose sulme. Anketa ofronte mundësinë e zgjedhjeve të shumëfishta.

Profesorët u përmendën si autorët kryesorë të ngacmimeve seksuale nga 64% e të anketuarve/ave, ndërsa 36% e tyre përmendën personelin administrativ si ngacmues. 32% raportuan se ishin ngacmuar nga kolegët/et (disa nga të anketuarat/ët theksuan ngacmime në shumë kategori). Përvojat e viktimave dhe studenteve/ëve të intervistuar/a nga K2.0 gjithashtu në masë të madhe theksuan personelin akademik si autorët kryesorë.

Vitin e kaluar, Anna, një studiuese ndërkombëtare, filloi një program një-vjeçar të të ligjëruarit në universitet. Në fund të ditës së parë, pasi takoi kolegët e koleget e saj, një profesor provoi të vetftohej në dhomën e saj të hotelit, nën pretekstin se do t’i bënte një masazh për ta ndihmuar të relaksohej pas fluturimit të saj të gjatë. Ajo heshti për rastin, edhe pse thotë se kjo përvojë e bëri të ndihej e pasigurt në vendin e ri të punës.

Gresa, momentalisht studente, tash e disa vite u shmanget shumë profesorëve në Fakultetin e Arteve, ku studentet/ët kanë treguar se natyra e afërt e bashkëpunimit artistik me profesorët i zbeh kufijtë mes mentorit/es dhe studentes/tit. Gresa shmang sidomos një profesor, i cili, sa herë iu bie t’i shtrëngojnë duart, ia kapë dorën në mënyrë të sikletshme, ndonjëherë duke ia mbërthyer shumë fort ose duke ia ledhatuar gishtat në mënyrë sugjestive.

Nora, studente në Fakultetin Filozofik, ndihej në siklet sa herë që i duhej të dorëzonte ndonjë dokument në zyrën e protokollit, apo edhe kur i binte të kalonte andej në korridor. Punonjësi administrativ që merrej me protokoll në Fakultet i kishte dërguar vazhdimisht mesazhe në rrjete sociale, të cilave ajo nuk iu ishte përgjigjur kurrë. Doli se Nora nuk ishte e vetmja studente që pranonte mesazhe të padëshiruara nga ky punëtor.

Gjatë bisedave me studentet aktuale dhe ato që kanë përfunduar studimet, si dhe në përgjigjet në anketën tonë, disa emra punonjësish të universitetit u veçuan si ngacmues seksualë. Disa emra u përmendën si ngacmues nga një ose dy studente. Sjellja e përsëritur problematike seksuale e profesorëve të tjerë ndaj studenteve dukej se ishte diçka që dihej gjerësisht.

“Tekstualisht më kanë thënë: ‘Mos shko aty nëse nuk dëshiron me të ngacmu’”.

Pothuajse secili fakultet ka të punësuar të paktën një burrë për të cilin, në K2.0, studentet ose të diplomuarat kanë bërë akuza të besueshme për ngacmim seksual, përfshirë dy profesorë të Fakultetit Filologjik, një në Fakultetin Ekonomik, një profesor dhe një ish-profesor të Fakultetit Juridik, një profesor të pensionuar të Fakultetit të Arkitekturës, një profesor i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike, tre profesorë të Fakultetit të Arteve dhe një punonjës administrativ të Fakultetit Filozofik.

Përpos kësaj, gratë me të cilat foli K2.0, akuzuan njërin nga nëntë anëtarët e Këshillit Drejtues të universitetit dhe një dekan.

Dhe megjithëse K2.0 nuk arriti t’i verifikonte në mënyrë të pavarur akuzat për kulturë të ngacmimit seksual në Fakultetin e Edukimit Fizik dhe Sportit, dy sportiste, njëra prej të cilave ka konkurruar në gara të njohura ndërkombëtare, i thanë K2.0 se kishin vendosur të mos regjistrohen në Fakultetin e Sporteve për shkak të reputacionit të tij.

“Tekstualisht më kanë thanë: ‘Mos shko aty nëse nuk dëshiron me të ngacmu’”, tha njëra nga gratë.

Anita Mjeku, aktiviste e Lëvizjes Studentore Feministe në Universitetin e Prishtinës, tha se prania e ngacmimeve seksuale në mjedisin universitar ka kohë që është normalizuar.

“Këto janë sekrete publike. Fakti që ne nuk e ngrisim zërin hapur është sepse na mungojnë provat konkrete, sepse ndoshta nuk kemi mbërri te viktimat si duhet”, tha ajo. “Tu ia nisë prej meje, kam hasë në një asistent universitar, i cili më ka shiku në mënyrë perverse, që është formë e ngacmimit. Po ashtu, di rast kur profesori ka kërku shërbime seksuale për me e kalu [dikë me] notë. Pra, krejt këto, prej kur të këqyrë në mënyrë perverse e deri te ajo që të kërkon për një notë, ndodhin në institucionin tonë”. 

Blenda Asllani, studente e shkencave politike, u shpreh ngjashëm me Mjekun.

“Disa profesora janë të njoftun brenda komunitetit të studentëve. Shprehjet si ‘sillet në atë mënyrë’ ose ‘ai po bën kësi komentesh’ ose ‘po folë ashtu’ janë të shpeshta për ne”, thotë ajo.

Dorina, një ish-studente, u përball me komente të padëshiruara për pamjen dhe jetën e saj personale nga një profesor i juridikut. Ajo tha se studentet shpesh zhvillojnë strategji se si t’ia bëjnë kur iu bie të ndërveprojnë me ngacmues të mundshëm ose të njohur.

“Personalisht kam përdorë strategji me mbajtë qëndrim që s’duket as shumë miqësor, por as krejt indiferent, që me parandalu çfarëdo përpjekje për hakmarrje”, tha ajo.

Dekanja e Fakultetit të Mjekësisë, Suzana Manxhuka-Kërliu, e cila ndërmori veprime kundër asistentit të akuzuar për ngacmim seksual në fakultetin që ajo drejton, tha se ajo është e bindur se ka shumë më shumë raste të ngacmimeve seksuale në universitet, por ka hezitim për t’i raportuar ato “ngase nuk ka edhe aq sinqeritet në adresimin e kësaj çështjeje shumë serioze në instanca të ndryshme të shoqërisë”.

Linda Gusia, sociologe dhe profesore në Fakultetin Filozofik, thekson se ngacmimi seksual është shqetësim për universitetet në nivel botëror, por se në vendet me norma të rrënjosura shoqërore të seksizmit dhe patriarkisë, shpeshtësia është më e madhe.

“Shpërfaqet në universitet kaq shumë sepse ka të bëjë me dinamikat e pushtetit dhe marrëdhëniet e pabarabarta të pushtetit”, theksoi ajo. “Institucionet, që duhet të jenë hapësira të sigurta, janë shpesh institucione të abuzimit me pushtetin”.

Heshtja përballë ngacmimit

Bisedat me studente/ë dhe profesorë/e sugjerojnë se ngacmimet seksuale kanë qenë më të pranishme në të kaluarën, posaçërisht sulmet më haptas ose kërkesat për favore seksuale.

Remzie Shahini-Hoxhaj, profesore në Departamentin e Gazetarisë prej 17 vitesh, e ka vëzhguar se si ky ndryshim ndërlidhet me një diskurs më të madh gjinor në universitet, gjë që çon në një diskutim më të hapur rreth ngacmimeve seksuale.

BESOHET GJERËSISHT SE AKTIVIZMI STUDENTOR DHE DISKUTIMI MË I SHPESHTË RRETH GJINISË BRENDA UNIVERSITETIT KA NDRYSHUAR DERI DIKU MËNYRËN SE SI PROFESORËT SILLEN ME STUDENTET/ËT.

“Ky ndryshim është pjesërisht për shkak të rritjes së përfaqësimit të grave në pozitat vendimmarrëse brenda universitetit, por edhe pranisë së profesoreve feministe, posaçërisht kur krahasohet me kohën kur kam filluar”, tha ajo.

Besohet gjerësisht se vëmendja e shtuar ndaj diskutimeve rreth gjinisë në universitet, bashkë me aktivizmin e studentëve/eve dhe hyrjen në fuqi të Rregullores për ngacmimet seksuale, kanë ndryshuar deri diku mënyrën se si profesorët sillen me studentet/ët.

Profesorët/et kanë filluar t’i mbajnë dyert hapur gjatë konsultimeve me studentët/et dhe të jenë më të ndërgjegjshëm/me. Kjo nuk i bie se ngacmimi seksual është zhdukur. Studentët/et thonë se tash bëhet në mënyrë gjithnjë e më të kujdesshme dhe të fshehur: ngulitje sysh heshtazi, pëlqime të vazhdueshme të storieve të studenteve në Instagram. 

Derisa disa studentë/e besojnë se rritja e ndërgjegjësimit për ngacmimet seksuale ka bërë që profesorët/et të tregojnë më shumë respekt ndaj kufijve që s’duhen kaluar, të tjerë mendojnë se kjo thjesht ka bërë që ngacmuesit potencialë t’i frikësohen më shumë vëmendjes mediale nëse zbulohen, veçanërisht marrë parasysh se si telefonat dhe teknologjia e kanë bërë më të lehtë vërtetimin e ngacmimeve. 

Pavarësisht vëmendjes së shtuar ndaj kësaj teme, Mjeku thekson se universiteti vazhdon ta ndrydhë diskutimin e hapur rreth ngacmimeve seksuale.

Në Ditën Ndërkombëtare të Gruas këtë vit, Mjeku dhe Lëvizja Studentore Feministe kishin planifikuar ta shpalosnin një pankartë me tekstin “Ngacmuesit seksualë jashtë UP-së” në objektin ku mbajnë mësim fakultetet teknike. Mjeku tha se Isak Shabani, dekan i Fakultetit të Inxhinierisë Elektrike dhe Kompjuterike nuk u dha leje, duke thënë se vetëm rektori mund të jepte një leje të tillë dhe shprehu shqetësime për dëmtim të reputacionit të fakultetit.

Shabani nuk iu përgjigj pyetjeve të K2.0 lidhur me deklaratën e Mjekut.

“Ky është edhe një shembull që tregon se si menaxhmenti hesht dhe bëhen thuajse ngacmimet seksuale nuk ekzistojnë”, tha Mjeku. “Ne krejt e dimë që ka ngacmues brenda. Dhe këta nuk folin për to, e injorojnë këtë”.

Për të marrë koment, K2.0 kontaktoi përmes telefonit dhe shkresave elektronike rreth 10 profesorë/e , të cilët/at ose ishin përmendur si mbështetës/e të nevojave të studenteve/ëve ose janë prononcuar për medie në të kaluarën. Shumë prej tyre refuzuan të komentonin ose nuk iu përgjigjën mesazheve.

Pak prej tyre pranuan të flasin në kushte anonimiteti. Profesorët/et sugjeruan që ata/o dhe kolegët/et e tyre hezitojnë të ndërmarrin veprime kur dëgjojnë për shkelje të mundshme nga frika se ajo që kanë dëgjuar mund të jetë e paverifikuar ose se nuk është as përgjegjësia e as puna e tyre të gjurmojnë tutje akuza të tilla.

Hulumtimet tregojnë se akuzat e rreme për ngacmim seksual janë tejet të rralla.

“Thjesht nuk dëshiron me e përfshi veten në një situatë të pakëndshme, ku është i përfshirë kolegu yt, kështu që zgjedh të rrish larg kësaj çështjeje”, tha një profesore nga Fakulteti i Arteve.

Profesorët/et me të cilët/at K2.0 bisedoi në kushte anonimiteti shprehën shqetësimin për mundësinë që ndonjëri nga kolegët e tyre, ose ata vetë, mund të përballet/en me akuza të rreme, veçanërisht pasi, siç thanë ata/o, familje të tëra mund të preken nga situata të këtilla.

Hulumtimet tregojnë se akuzat e rreme janë tejet të rralla, kurse përvojat e studenteve/ëve tregojnë se rastet e ngacmimeve seksuale në UP s’janë aspak të rralla.

Një numër i profesorëve/eve po ashtu deklaruan se mendojnë se UP shpeshherë veçohet padrejtësisht për vëmendje negative për çështje siç është ngacmimi seksual.

Aktivistët/et studentorë/e besojnë se mungesa e transparencës së universitetit rreth rasteve të ngacmimeve seksuale në kampus dhe hezitimi i zyrtarëve/eve për ta pranuar publikisht si problem, po e dëmton reputacionin e universitetit.

Administratorja e universitetit, Drita Hyseni, është emëruar zyrtare përgjegjëse për zbatimin e politikave të reja për ngacmimin seksual si dhe është pika e kontaktit për raportim.

Në anketën e realizuar nga K2.0 me studentët/et, ata/o patën mundësinë t’i ndajnë përvojat e tyre të ngacmimit seksual në kampus. Disa nga përgjigjet e tyre:

Në një intervistë të realizuar në korrik nga K2.0, ajo tha se që nga marrja e pozitës në dhjetor të vitit 2021, tri studente kanë raportuar raste të ngacmimeve seksuale që përfshijnë profesorë. Këto raporte pastaj kanë kaluar te Këshilli i Etikës, i cili është përgjegjës për shqyrtimin dhe marrjen e vendimeve për çështje të tilla.

Sipas Rregullores, rastet e ngacmimeve të paraqitura para Këshillit të Etikës duhet të kenë prioritet, por burime konfidenciale brenda universitetit ankohen se kjo nuk po respektohet.

Vendimet e marra nga Këshilli i Etikës obligohen të jenë të qasshme jenë për publikun. Në përputhje me Ligjin për Qasje në Dokumente Publike, K2.0 ka kërkuar qasje në këto vendime nga Këshilli i Etikës, por nuk ka marrë përgjigje.

Rregullorja e universitetit për ngacmimin seksual parasheh që, për çdo mars, Hyseni ta prezantojë një raport vjetor për rastet e ngacmimeve seksuale në Këshillin Drejtues të universitetit. Edhe ky raport duhet të bëhet publik. Një raport i tillë vjetor ende nuk është prezantuar.

Kur u pyet për obligimet e saj për ta paraqitur raportin, Hyseni tha se ajo është emëruar në këtë detyrë në dhjetor 2021 dhe mendon se marsi i vitit 2022 ishte shumë herët për të paraqitur një raport gjithëpërfshirës. Ajo shtoi se, këtë vit, universiteti filloi hulumtimin e brendshëm për rastet e ngacmimeve seksuale. Për momentin, janë në pritje të këtyre rezultateve dhe se ajo parashikon të raportojë për to deri në fund të këtij viti.

“[Hyseni] duhet me raportu pasi që ne nuk e dimë se çfarë vendime janë marrë”, tha aktivistja studentore Mjeku. “Kemi kërku që vendimet me qenë publike në faqen e universitetit, bashkë me emrat e profesorëve. Është thelbësore që studentët me ditë se cilët individë kanë histori të ngacmimit, të krimeve seksuale brenda UP që me ditë prej kujt mu rujtë”.

Studentët/et theksuan se janë skeptikë/e ndaj mundësisë që autorët të ndëshkohen.

Hyseni tha për K2.0 se tri vendime për ngacmime seksuale të nxjerra nga Këshilli i Etikës përfshijnë masa disiplinore si ndalimi i profesorit për të mentoruar punimet e diplomave të studenteve/ëve. Rastet përfshinin ngacmime verbale dhe mesazhe të padëshiruara.

Masat e tilla disiplinore nuk përkojnë me ato që i përcakton Rregullorja. Në rastet kur konstatohet ngacmimi seksual, Rregullorja kërkon paralajmërime për suspendim, suspendim të përkohshëm dhe/ose ndërprerje të marrëdhënies së punës.

Studentet/ët u shprehën skeptike/ë ndaj mundësisë që autorët të ndëshkohen, duke qenë se janë në dijeni të rasteve të shumta të ngacmimeve seksuale, por jo për ndonjë pasojë për ato ngacmime.

“Paramendojeni dikë që e kanë ngacmu fizikisht — kjo është përvojë e rëndë traumatike. Si mund të raportojë pa u siguru se do të ketë veprim të menjëhershëm ndaj ngacmuesit që punon në universitet?”, tha një studente te hyrja e Fakultetit Ekonomik.

Valmira Rashiti, zyrtare për integrim të perspektivës gjinore në organizatën për të drejtat e grave Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), mendon se ky dështim në trajtimin e rasteve të ngacmimit seksual në universitet pasqyron mënyrën më të gjerë se si dhuna kuptohet dhe adresohet, si në domenin publik, ashtu edhe në atë privat.

“Në njërën anë, dhuna shihet si çështje private që duhet të mbetet brenda shtëpisë. Kur ndodh në nivel institucional, ti po e ripërtërin atë. Institucioni bëhet ‘shtëpi’ dhe dhuna mbetet brenda brenda, e kurrqysh me dalë jashtë”, tha ajo.

Pa mbështetjen e universitetit, studentet/ët duhet të ballafaqohen vetë me ngacmuesit e tyre dhe me rrezikun e hakmarrjes ose kundërpërgjigjes.

Arta ka përjetuar ngacmime verbale nga një profesor në shumë raste. Kur filloi ta shmangte profesorin, sjellja e tij ndaj saj u ashpërsua, duke e bërë atë të ndihej e izoluar dhe më pak e përfshirë në ligjërata. 

“Ka qenë shumë e lodhshme me ndjekë ligjëratat për një vit. Ka qenë shumë e lodhshme frika konstante që muj mos me e kalu provimin”, kujton Arta.

Dy rastet e vetme para Këshillit të Etikës që janë bërë publike, (që përfshijnë bullizëm e jo ngacmim seksual), përfshijnë profesor Bekim Bejtën nga Departamenti i Gjuhës Angleze. Zana Mala dhe një studente tjetër dorëzuan ankesë në vitin 2018 duke e përshkruar në hollësi abuzimin sistematik psikologjik dhe bullizmin që Bejta ka ushtruar duke filluar nga viti 2015.

Mala nuk mori asnjë përditësim apo informacion nga universiteti lidhur me rastin derisa një vendim i Këshillit të Etikës u mor në vitin pasues, ku thuhej se Bejtës i ishte lëshuar një vërejtje me shkrim për shkelje të rënda disiplinore dhe i ishte kërkuar t’i ndalonte sjelljet e tilla. 

Zana Mala foli publikisht për rastin këtë vit dhe tek atëherë profesori u pezullua nga puna. Bejta dha dorëheqje para se të merrej një vendim përfundimtar.

“Qasja e tyre mu m’ka ba me e humb besimin në institucione. E kam pa që s’e kanë qëllimin mu marrë me këtë problem seriozisht. E kam pa që çka munden me ba ma së shumti është me jap një vërejtje, me dërgu një email dhe e kanë kuptu reagim ose zgjidhje të problemit prej tyre. Prandaj në fund kam dalë me folë publikisht në media”, tha Mala.

Mënyra se si universiteti e trajtoi rastin e Bekim Bejtës i bindi disa studentë/e se institucioni nuk do t’i mbrojë viktimat po që se nuk ka ekspozim medial. Megjithatë, në një kulturë ku shpesh faji u lihet viktimave, të folurit haptas në medie për ngacmim seksual mund të shkaktojë kundërreagime të forta. 

"Qasja e tyre mu m’ka ba me e humb besimin në institucione. E kam pa që s’e kanë qëllimin mu marrë me këtë problem seriozisht”
Zana Mala, ish-studente në Fakultetin Filologjik

Gresa, studentja e arteve, tha se raportimi i rasteve të ngacmimit seksual duhet të mbetet çështje private, pasi jo të gjithë mund të duan të ekspozohen në medie.

“Jam artiste dhe ka njerëz që më njohin. Nuk di nëse du që imazhi jem publik m’u ngarku edhe me etiketën e dikujt që është ngacmu seksualisht në Fakultet të Arteve, Nuk di si mundet kjo me ndiku te unë. Kemi pa kur viktimat flasin publikisht, kur denoncojnë rastet e dhunës në familje dhe krejt komentet që i shohim janë tu u fajësu prej njerëzve”, tha Gresa.

Mos e mbyll derën e zyrës

Një rast i ngacmimit seksual në kampus, i cili përmendet më së shpeshti, ose si përvojë e drejtpërdrejtë ose si rast i njohur, përfshin një punonjës të zyrës së protokollit të Fakultetit Filozofik.

“Kur shkojnë në zyrën e protokollit, studentet/ët sigurohen që të mos e mbyllin kurrë derën e zyrës”, tha studentja e filozofisë Blenda Asllani. “Është bërë praktikë standarde. Nëse i tregon dikujt që keni qenë në atë zyrë, përgjigja e menjëhershme e cila shpesh pason është: ‘Çka të tha ai?’ sepse dihet se ai ose do ta bëjë ndonjë koment për pamjen ose edhe do të tentojë t’iu ndjekë në rrjetet sociale”.

Një numër studentesh tjera, në mënyrë të pavarur, e patën fjalën pikërisht për këtë punonjës të zyrës së protokollit, i cili ngacmon gratë, veçanërisht në rrjetet sociale. Ishte ky punonjës ai, që Norës, e përmendur më lart, i dërgonte vazhdimisht mesazhe të padëshiruara në rrjetet sociale, të cilat ajo ia tregoi K2.0.

Gjersa gjithnjë e më shumë u përhapën fjalë për këtë punonjës, Këshilli Studentor i Fakultetit Filozofik vendosi të merrte masa.

Ismet Krasniqi, kryetar i Këshillit Studentor, ka një histori të aktivizmit. Si nxënës i shkollës së mesme, ai luajti një rol qenësor në protestat e vitit 2021, që dënonin abuzimin seksual të një të miture në një shkollë fillore të Prishtinës.

Duke qenë i vetëdijshëm se dhuna seksuale dhe ngacmimi janë të zakonshme në mjediset arsimore, Krasniqi filloi ta shqyrtojë këtë çështje kur u zgjodh kryetar i Këshillit Studentor.

“Personalisht, nuk kam hasur drejtpërdrejt në ankesa”, tha Krasniqi, kështu që filloi në mënyrë të kujdesshme t’iu drejtohej kolegëve/eve dhe shokëve/qeve për të parë nëse dikush që ata/o e njihnin ishte ballafaquar me ngacmime seksuale në universitet. Pas një kohe ai mblodhi dëshmi të ngacmimeve seksuale në rrjetet sociale nga tri studente, të cilat kishin pranuar mesazhe të padëshirueshme nga punonjësi i zyrës së protokollit.

Krasniqi u përpoq t’u ndihmonte studenteve të përdorin mekanizmat e universitetit për raportimin e ngacmimit seksual. Por Rregullorja e tanishme e kufizon periudhën kohore të raportimit të ngacmimit seksual në një vit dhe rastet e tri studenteve kishin ndodhur mbi një vit më parë. Atyre nuk iu lejua të parashtronin ankesë. 

Krasniqi tha se ai dhe Këshilli Studentor e sollën këtë çështje në vëmendjen e Dekanatit. 

K2.0 e pyeti Dashamir Bërxullin, dekan i Fakultetit Filozofik rreth akuzave kundër punonjësit të zyrës së protokollit. Në shkresën e dërguar, K2.0 përmendi emrin e punonjësit dhe tregoi se ka parë mesazhe të papërshtatshme që ai punonjës u ka dërguar studenteve në Fakultetin ku Bërxulli është dekan. Në shkresë, Bërxulli pyetet nëse ka ndërmarrë ndonjë veprim si reagim ndaj çështjeve të ngritura nga Këshilli Studentor. 

Bërxulli tha se Rregullorja “nuk i përfshin dekanatet si adresë eventuale denoncuese për ngacmimet seksuale” dhe se ajo “nuk u jep dekanateve fuqi administrative për shqiptimin e masave lidhur me ngacmimin seksual”.

Ai tha se “dekanati i Fakultetit Filozofik, në dijeninë time, nuk ka marrë denoncime të tilla në përputhje me frymën dhe nenet e Rregullores”.

Pjesët e Rregullores, të cilat ai i citon në shkresën elektronike, thonë se viktimat mund të raportojnë ngacmimin seksual te zyrtari/ja për mbrojtje nga ngacmimi seksual ose drejtpërsëdrejti në zyrën e rektorit, përmes Këshillit të Etikës. Rregullorja nuk ua ndalon dhe nuk i pengon dekanët/et që të ndërmarrin veprime kur pranojnë raportime për ngacmime seksuale.

Rregullorja e universitetit për ngacmimin seksual e njeh “Ligjin e Kosovës për Mbrojtjen nga Diskriminimi”, si themelin e saj, por duket se bie në kundërshtim me të. Sipas ligjit, afati i parashkrimit të shkeljeve është deri në pesë vjet.

“Kur e len periudhën e raportimit vetëm për 12 muajt e fundit që ka ndodh ngacmimi seksual, çka ndodh me vitet e kaluara? Ku mbetën rastet me profesorët tjerë? U amnistuan ata profesorë?” tha Ariana Qosaj, eksperte gjinore, e cila është përfshirë në aktivizmin e të drejtave të grave për më shumë se njëzet vjet. “Kjo i dekurajon viktimat”.

"Ne e konsiderojmë kornizën kohore prej një viti krejtësisht të papranueshme”
Valmira Rashiti nga Rrjeti i Grave të Kosovës.

Gresa u përball me ngacmim gjatë vitit të parë në Fakultetin e Arteve, një periudhë kur studentët/et janë veçanërisht të ndjeshëm/me ndaj sjelljes së padrejtë dhe hezitojnë ta raportojnë atë. Për shumë prej tyre, duhet kohë për ta njohur ngacmimin seksual për atë që është, për ta gjetur udhën në burokraci dhe përfundimisht, për t’u ndier të fuqizuar për të kërkuar ndihmë.

Ardita Maçastena, studente e drejtësisë, tha se pas vitit të parë e kuptoi se kë duhej ta shmangte, si të ndërvepronte me profesorët dhe si të sigurohej që të kishte dëshmitarë/e nëse ndodh ndonjë gjë.

“Gjithë jam e përgatitun me e mbrojtë veten, por ky nuk është realiteti për studentët e vitit të parë”, tha ajo.

Ngjashëm, edhe nga RrGK e kritikojnë kufizimin kohor brenda një viti për të raportuar ngacmimin seksual në universitet. 

“Ne e konsiderojmë kornizën kohore prej një viti krejtësisht të papranueshme”, tha Valmira Rashiti nga RrGK. “Gratë shpesh vendosin ta raportojnë më vonë, pasi të ndihen të sigurta dhe ndoshta kur të jenë në një mjedis më të përshtatshëm. Vendosja e një kufizimi kohor për me e raportu është e panevojshme”.

Një raport hulumtues i RrGK për të mbijetuarat e ngacmimeve seksuale tregon se viktimat që vijnë nga kontekste më patriarkale shoqërore kanë nevojë për më shumë kohë për ta raportuar abuzimin për shkak të kulturës së fajësimit të viktimave.

Selvi Izeti, psikologe klinike në Qendrën Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), beson se nga pikëpamja psikologjike, nuk është as e drejtë dhe as e arsyeshme të vendosen kufizime kohore për çështje të tilla. Trauma është proces i ndërlikuar, që ndryshon nga personi në person, tha ajo, dhe njerëz të ndryshëm kanë nevojë për periudha të ndryshme kohore për të folur dhe për ta raportuar ngacmimin seksual.

“Ekziston një kulturë e heshtjes dhe e fshehjes së ngacmimeve apo dhunës seksuale, sepse viktimat e vuajnë në heshtje traumën e këtij lloj krimi nga frika e mosbesimit dhe paragjykimit”, tha Izeti. “Prandaj, viktimave u duhet kohë që ta përpunojnë traumën, ta kuptojnë seriozitetin e asaj çka ka ndodhë dhe të fuqizohen për të kërkuar drejtësi”.

Një politikë e mangët për ngacmimin seksual

Në vitin 2018, një kronikë televizive për ngacmimet seksuale në Universitetin e Prishtinës shkaktoi zhurmë, kur prorektorja e atëhershme, Teuta Pustina-Krasniqi, bëri komente lidhur me veshjet e studenteve. Komentet e saj sugjeronin se vetë viktimat e ngacmimeve seksuale janë fajtore që janë cak i ngacmimeve. Si reagim, studentet/ët dhe aktivistet/ët kërkuan dorëheqjen e Pustina-Krasniqit si dhe një kërkimfalje publike nga universiteti për atë që e shihnin si indiferencë ndaj rasteve të ngacmimeve.

Ato dhe ata po ashtu kërkuan zhvillimin e një politike mbarë-universitare për luftimin e ngacmimit. Gjatë protestave, ish-studentja Jeta Berisha ndau përvojën e saj kur ishte ngacmuar seksualisht nga një profesor në Fakultetin e Arteve dhe se si, kur e kishte raportuar rastin, dekani e kishte këshilluar të heshtte. Si përgjigje ndaj kundërshtive, Rektorati krijoi një grup punues për hartimin e një politike të ngacmimit seksual, me profesoren Linda Gusia, avokuese qe kohë të gjatë për rregullore të tilla, që u ftua për t’iu bashkuar ekipit nga rektori i atëhershëm, Marjan Demaj.

“Ka qenë një fitore e vogël për ne, duke pasur parasysh që rezistenca ka qenë shumë e madhe prej kolegëve. Ka qenë ideja që nëse e bëjmë rregulloren, e pranojmë që ka ngacmim seksual dhe ky ka qenë hap i rëndësishëm për ta tejkalu”, tha Gusia. “Kemi pasë diskutime të vështira brenda UP me e pranu që ka ngacmim seksual dhe që ne jemi ata që duhet ta trajtojmë dhe krijojmë një ambient të sigurt për studentet/ët”. 

Njomza Llullaku Prorektore për Akreditim, Cilësi të Mësimdhënies dhe Çështje Studentore, dhe figurë kyçe në trajtimin e ngacmimeve seksuale brenda institucionit pajtohet me Gusinë.

“Me Rregullore, universiteti ka thanë që kam [ngacmim seksual]. Dhe tash studentet/ët e dinë qysh me u anku”, tha ajo.

Ajo vërejti se para Rregullores, adresimi i rasteve të ngacmimit seksual ishte i vështirë pasi nuk kishte një politikë dhe përkufizim standard.

“Pasi që definimi se çka është ngacmim seksual, kulturalisht duke qenë në vend shumë patriarkal, ka hasë në keqkuptime, mungesa e Rregullores e ka lanë në njëfarë dore përgjegjësinë individuale në ndërgjegjje personale”, tha Llullaku. “Me Rregulloren e vënë në pah që [adresimi i ngacmimeve seksuale] nuk është dëshirë individuale, ose zgjedhje personale, por pjesë e integritetit akademik. Dhe kultura këtu nuk mundet me u përdorë si argument”.

Rregullorja për rastet e ngacmimit seksual hyri në fuqi në maj të vitit 2021. Megjithatë, versioni përfundimtar i miratuar nga universiteti nuk përfshiu plotësisht sugjerimet që profesoret dhe aktivistet feministe kishin parashtruar. Fillimisht, një grup njerëzish të ndryshëm, i përbërë nga përfaqësues/e nga organizatat e të drejtave të grave dhe profesorë/e, përfshirë edhe Gusinë, bashkëpunoi për ta përpiluar draftin. Universiteti pastaj krijoi një grup më të vogël të përbërë kryesisht nga profesore dhe profesioniste juridike. Pjesë e grupit të dytë ishte edhe Ariana Qosaj, e cila përfaqësoi shoqërinë civile si eksperte gjinore.

Grupi i parë, i përbërë kryesisht nga aktiviste/ë dhe profesore/ë feministe/ë, kryesisht gra, rekomandoi dispozita progresive në përputhje me Ligjin për Mbrojtjen nga Diskriminimi. Ato/a propozuan një afat raportimi prej pesë vitesh dhe që barra e dëshmisë t’i takonte palës së akuzuar e jo viktimës.

Kur drafti u shpërnda për shqyrtim më të gjerë mes personelit akademik dhe rektoratit, pati kundërshtime të konsiderueshme. Këto propozime, siç kujton Qosaj, janë kundërshtuar nga profesorët, sidomos ata të Fakultetit Juridik.

“Ka qenë mobilizim i burrave”, tha ajo.

Pas shqyrtimeve të gjata, përfaqësueset feministe u befasuan kur e kuptuan se universiteti kishte publikuar Rregulloren, por një version që përmbante dispozita të tilla si kufizim kohor një-vjeçar për raportim të ngacmimit seksual dhe ndarjen e barrës së dëshmisë midis të dy palëve.

Qosaj u shpreh se këto dispozita dështojnë të marrin për bazë pozitën e pabarabartë të pushtetit midis profesorëve/eve dhe studenteve/eve, e sidomos mundësinë e profesorëve/eve për t’u hakmarrë.

Ajo tha se ata “e shpërfillin faktin që viktima është shpesh në një pozitë të cenueshme, përballë një autoriteti që zotëron pushtet dhe ndikim”.

“Natyrisht, viktima mund të ndihet e dekurajuar”.

“Si mundesh me e dëshmu një shtrëngim të papërshtatshëm duarsh?”

Nora, e cila përjetoi ngacmime nga punonjësi i zyrës së protokollit, i kishte ruajtur mesazhet e tij si prova. Por shumë gra të tjera thanë se kanë qenë vetëm kur kanë ndodhur rastet e tyre dhe kështu nuk kishin dëshmi të prekshme. Gresa, e cila përjetoi ngacmim seksual gjatë konsultimeve një-me-një, tha se kërkesa për prova e bën të ndihet e frikësuar.

“Si mundesh me e dëshmu një shtrëngim të papërshtatshëm duarsh? Çka presin ata, që unë me vendos një çip në dorë me e matë se sa gjatë profesori ma mban dorën?” tha ajo.

Maçastena, studentja e drejtësisë, e sheh masën si një përpjekje për ta mbrojtur ngacmuesin.

“Universiteti pret që ne të jemi vazhdimisht të kujdesshme, në gatshmëri për të siguruar dëshmi të ngacmimit”, tha ajo.

Por Qosaj theksoi edhe shqetësime të tjera. Ajo veçoi sidomos faktin që Rregullorja përcakton se deklarimi apo denoncimi i rremë është vepër penale.

“Kjo është një tjetër pengesë, që e bën të paefektshëm këtë mekanizëm. Viktimat dekurajohen për raportim sepse hezitojnë nga frika e ndjekjes penale”, tha ajo.

Derisa në Rregullore theksohet se raportimi i rremë është vepër penale, aty nuk theksohet shprehimisht se ngacmimi seksual është vepër penale, anipse i tillë përcaktohet në Kodin Penal të Kosovës. Në një mënyrë jo të prerë, në Rregullore thuhet se proceset që përmenden në Rregullore mund të zhvillohen ndaras ose krahas procedurave penale.

“E gjithë qasja është administrative”, tha Valmira Rashiti nga RrGK. “Është thelbësore të theksohet se kjo është një çështje penale dhe duhet ta bësh të qartë që ekziston një procedurë penale që studentet/ët munden me e ndjekë”.

Sistemet bëhen nga njerëzit

Shumë studente/ë shprehin se kanë mungesë njohurish lidhur me Rregulloren dhe mendojnë se është bërë shumë pak për shpërndarjen e informacioneve lidhur me mekanizmat e rinj të raportimit të ngacmimit seksual. Aktivistet/ët studentore/ë ia atribuojnë këtë problem barrës së tepërt që i është vendosur administratores Drita Hyseni.

Përveç rolit të saj parësor si zyrtare përgjegjëse për zbatimin e politikave të reja të ngacmimit seksual që përfshin të qenit pikë kontakti për raportimin e shqetësimeve dhe rritjen e ndërgjegjësimit ajo është po ashtu këshilltare administrative në Këshillin Drejtues të UP.

Disa janë skeptikë se një person i vetëm mund t’i menaxhojë në mënyrë efektive shqetësimet rreth ngacmimit seksual të të gjithë institucionit, veçanërisht marrë parasysh se Hyseni ka role të shumta në universitet. Aktivistet/ët po bëjnë thirrje që zyra, e cila aktualisht ndodhet në ndërtesën e Rektoratit, të shpërndahet në më shumë vende nëpër ndërtesat e fakulteteve në të gjithë qytetin.

Gjatë një interviste në korrik, Hyseni u shpreh e bindur se universiteti ka shpërndarë me sukses informacione tek studentet/ët lidhur me zyrën e saj dhe funksionimin e saj.

“Besoj se kemi komunikuar suksesshëm me studentet/ët për Rregulloren. Shpërndarja e informacionit është bërë në mënyrën e duhur dhe kemi zhvilluar sesione informuese”, tha Hyseni.

Ndonëse në çdo fakultet u mbajt nga një sesion informues, shumica e studenteve/ëve me të cilët foli K2.0 menduan se këto sesione nuk i informuan në mënyrë të mirëfilltë për rolin e Hysenit apo për vetë Rregulloren.

“Studentet/ët janë, në masë të madhe, të painformuar/a sepse nuk ka pasur një fushatë gjithëpërfshirëse sensibilizuese. Universiteti nuk ka ndërmarrë hapat e duhur për të na informuar”, tha Mjeku nga Lëvizja Studentore Feministe.

Mjeku mendon se universiteti ende heziton ta pranojë plotësisht dukurinë e ngacmimit seksual. Ajo përmendi një fushatë, që nisi në shtator e që përmbante vendosjen e afisheve me kodin QR, në të cilat shkruhej “Raporto rastin” në të gjithë kampusin. Kodi QR të drejton te informacioni rreth politikave të ngacmimit seksual në universitet.

“Pyetja ime është se cilin rast me raportu? Rasti mund të jetë çkado. Nga problemet e papastërtisë në tualete e deri te ngacmimet seksuale”, tha Mjeku, “Këto stickers [afishe që ngjiten] janë specifikisht për ngacmimet dhe ngacmimet seksuale. Mosspecifikimi i ngacmimeve seksuale përbën problem në vete, sepse kjo është njëfarë tendence me i ikë termit”.

Po ashtu, pjesëmarrësit/et në anketën e K2.0 shfaqën mungesë të përgjithshme të njohurive rreth Rregullores dhe dispozitave të saj.

Kur u pyetën nëse pranuan trajnim adekuat nga universiteti lidhur me rastet e ngacmimeve seksuale, 75% thanë se nuk kishin mbajtur asnjë trajnim, 18% mendonin se trajnimi ishte minimal. Vetëm 4% besonin se ishte gjithëpërfshirës.

Ndërsa, kur u pyetën nëse kishin parë masa parandaluese ose fushata ndërgjegjësimi për ngacmimet seksuale, 51% thanë se mendonin se universiteti nuk promovonte në mënyrë aktive këto masa apo fushata, ndërsa 12% u përgjigjën se kishin parë materiale informuese.

Përgjigjet e studentëve/eve në anketën lidhur me ngacmimet seksuale në kampus:

Një ditë pasi K2.0 shpërndau anketën në maj, universiteti filloi ta shpërndante anketën e vet të brendshme lidhur me ngacmimin seksual, një nismë e përkrahur qe një kohë nga Llullaku, Prorektore për Akreditimin, Cilësinë e Mësimdhënies dhe Çështjet e Studentëve. K2.0 vërejti një rritje të ndërgjegjësimit të studenteve/tëve në lidhje me politikat e ngacmimit seksual të universitetit pas publikimit të anketës nga universiteti. Së fundmi, UP ka vendosur rubrikë të veçantë për raportim në SEMS (sistemin elektronik për menaxhimin e studentëve), bashkë me broshurë informative, rregulloren dhe kontaktet e nevojshme. 

Kur u pyet në korrik lidhur me gjetjet e hulumtimit që mund t’i ndante, Llullaku u përmendi atë që ajo e sheh si mungesë besimi të studenteve/ëve në sistem. Teksa shumë studente/ë janë të gatshme/ëm të deklarojnë se janë të vetëdijshëm/e që dikush tjetër po përjeton ngacmim seksual në kampus, ajo u shpreh se, “diskrepanca ekziston në mes [përgjigjes] ‘më ka ndodhë mua dhe tjetrit’”.

Llullaku foli për një plan gjithëpërfshirës për adresimin e këtyre çështjeve, përfshirë nismat për ngritjen e vetëdijes, fokus grupet me studentë/e dhe diskutimet me personelin akademik. Pasi të vlerësojë nevojat e studenteve/ëve dhe pas konsultimeve me kolegë/e dhe eksperte/ë, ajo tha se universiteti synon të ndërmarrë hapa për ta përditësuar Rregulloren.

Ajo theksoi po ashtu nevojën që universiteti ta krijojë një zyrë këshilluese, me vendndodhje jashtë kampusit, ku viktimat mund të pranojnë mbështetje psikologjike në mënyrë të sigurt.

“Nuk mund t’i ndalim këto ndryshime tani. Jemi pajtuar që kjo temë do të jetë pjesë e universitetit derisa të krijohen hapësira të sigurta”, tha ajo, “por duhet të jetë një debat i hapur në partneritet me stafin”.

Mjeku nga Lëvizja Studentore Feministe thotë se kur janë përballë burokracisë dhe mungesës së mbështetjes, hapi i parë është që viktimat ta kuptojnë se nuk janë vetëm.

“Ata/o duhet të ndihen të përkrahur/a, ta dinë se kanë të drejtë ta raportojnë rastin e tyre dhe në asnjë moment qasja institucionale nuk duhet t’i bëjë ata/o të ndihen fajtorë/e apo të rrezikuar/a”, tha ajo.

Linda Gusia theksoi se, në kontekstin e Kosovës, ngacmimi seksual duhet parë brenda një spektri më të gjerë të dhunës, që duhet të adresohet përtej Rregullores së universitetit për ngacmim seksual.

“Ngacmimi seksual bie brenda në spektrin e dhunës me bazë gjinore. Ne duhet ta pranojmë se në themel të tij është një sistem që toleron dhunën në rrugë, në shtëpi dhe brenda institucioneve”, tha Gusia. “Ne krijojmë një Rregullore, e mbajmë derën çelë kur je me studente/ë. Është një send i vogël që e bëjmë, por kjo është mënyra se si e instalojmë një kulturë transparence dhe llogaridhënieje. Kështu instalojmë një kulturë të vetëdijes së pushtetit dhe mundësisë së lehtë të abuzimit të pushtetit”.

Ajo shtoi se përditësimi i Rregullores është diçka që mund të arrihet, por transformimi i një kulture ku ngacmimi seksual shihet prej kohësh si normal, kërkon vite.

“Arsyeja pse dhuna seksuale dhe ngacmimi janë format e krimeve më së paku të raportume është pikërisht se viktimat riviktimizohen prej sistemit, pa marrë parasysh se sa në rregullore sigurohet që nuk ka më ashtu”, tha ajo. “Sistemi janë vetë njerëzit”.

Ndërkohë, Hana i vijoi studimet e nivelit master, duke shmangur në mënyrë aktive ligjëratat e profesorit që kishte tentuar ta puthte.

“Ende jep mësim, fatkeqësisht, dhe më nuk ndiej urrejtje thjesht neveri”, tha ajo. “Shpresoj që ajo që më ndodhi mua, të mos i ndodhë më studenteve tjera dhe nëse u ndodh, shpresoj që ato të flasin sepse unë shpesh ndihem fajtore që nuk e kam bërë”.

 

Me kontribut në raportim nga Lëndina Balaj.