Reflektimi i diellit bie pingul mbi tabelën e shahut, të vendosur në një tavolinë midis pemësh në lagjen “Ulpiana” në Prishtinë. Katër burra më të moshuar, dy ulur në një anë, e dy në tjetrën, mendojnë lëvizjen e radhës në lojën që kërkon veprime të mençura. 32 figurat nisin të shpërndahen nëpër katrorët bardh e zi të tabelës.
Pos tingullit të piklave të ujit në fontanën e njohur të lagjes, më së shpeshti dëgjohen fjalët: “shah, mat”. Më e rëndësishme se kush fiton, për këta burra duket se është të mbysin pak kohë nën pemë, në atë pasdite të nxehtë në fund të qershorit. Pak më shumë se 100 metra tutje, të tjerë e shfrytëzojnë motin me diell për të pirë kafe jashtë, pas përfundimit të punës.
Ndërsa disa burra tjerë, të ulur në vetura, a të mbështetur për to, presin për punë. Ata janë punëtorë të kompanive private të taksive në Prishtinë.
Për 12 vjet me radhë, prej vitit 2002 deri në 2014, kjo lagje ishte vendpritja edhe për Qamil Maqedoncin, ish-shofer në kompaninë e taksive “Victory”. 60-vjeçari nga Prishtina, lagjen e njeh mirë.
“Nuk ka pëllëmbë që nuk kena nejtë në këtë vend. Verë e dimër, more s’ka pasë hiç rëndësi a festë a çka u kanë”, thotë ai.
Derisa Maqedonci kërkon vendin e saktë ku zakonisht e parkonte veturën e tij, 41-vjeçari, Ardian Gashi, një tjetër ish-taksist, gjen disa prej fotografive me kolegët e tij të dikurshëm. Mish, pije e fytyra të qeshura vesh më vesh dukeshin në shumicën prej tyre. Ato fotografi nuk ishin shkrepur gjatë orarit të punës, por në organizime të ndryshme që i bënin pas orarit. Teksa vazhdon kërkimin nëpër arkivin e rrjetit social Facebook, Gashi ndalon tek një fotografi. Bën me gisht kah njëri prej ish-kolegëve. I kujtohet kur atë shok të tyre e kishin përjashtuar nga puna.
“U patëm bo bashkë krejt kolegët me e kthy në punë”, thotë Gashi, i cili për nëntë vjet kishte punuar si taksist në të njëjtën kompani me Maqedoncin. “Sikur një dhëmb me ta nxjerrë prej gojës, edhe pse ai është i vogël, ty të duket që ka mbet hapësirë e madhe. Qashtu kemi qenë të lidhur”.
Megjithatë, sa punonin, fytyrat e tyre kanë tjetër pamje prej atyre në fotografi. Maqedonci ende e mban mend një fjali që ua kishte thënë pronari në atë kohë, në njërën prej mbledhjeve të punës: “Kush doni punoni, kush nuk doni ecni. Në shportë të bërllogut me shti dorën, e gjej një shofer”.
Në vitin 2014, Maqedonci e Gashi kishin dalë në punë si përherë. Megjithatë, nga takimi ku prisnin të kompensoheshin për muajin paraprak, ata bashkë me rreth 20 të tjerë, dolën të papunë. Anipse asnjë arsye e dokument nuk iu ishte prezantuar, ata dyshonin se kjo ishte hakmarrje pas një mospajtimi të tyre ndaj paralajmërimeve për ulje të pagës.
“Veç na ka thanë ‘ecni’. Sen tjetër”, thotë Gashi.
Edhe pse i përjashtuan, lagjen ku dikur prisnin për punë nuk e lanë. Midis soliterëve të përhimtë të “Ulpianës”, Maqedonci e Gashi, e kanë pasur edhe një strehë, kafenenë e lagjes, ku për 10 vjet rresht, mblidheshin e qanin hallet e dertet për kushtet e punës.
Aty u takuan edhe në vitin 2014 për ta vendosur hapin e radhës. Pas përjashtimit nga puna, Maqedonci, Gashi dhe kolegët e tyre, fillimisht u ankuan në Inspektoratin e Punës (IP), në shtator të vitit 2014. Pos ankesës për largim të paarsyetuar nga puna, ata u ankuan për një sërë shkeljesh tjera gjatë kohës sa ishin të punësuar. Pas vendimit të IP, në dhjetor të atij viti, ata dorëzuan padi në Gjykatën Themelore në Prishtinë.
Në kafene, te ish-vendi i punës takohen edhe tash, 10 vjet pas. Sot, pos për t’u takuar e për ta mbajtur tashmë miqësinë që kanë ndërtuar, Gashi e Maqedonci, bashkë me ish-kolegët që u përjashtuan, takohen e vendosin për veprimet e tyre ligjore në betejën me drejtësinë, që e kanë nisur tash e një dekadë.
Sa punë, aq shkelje
Kujtdo që i bie të vozisë nëpër Prishtinë, e di sa dërrmuese mund të jetë ajo përvojë. Rrugët e stërngarkuara, njerëzit që nguten për të arritur nëpër destinacionet e tyre, rregullimet në rrugë, kërkojnë vëmendje, saktësi dhe shumë durim. E kur e ke punë të vozisësh gjithë ditën në këto rrugë, edhe në orare të stërzgjatura, edhe ditën e edhe natën, pauza është ikje e shkurtër e e domosdoshme, një mundësi për ta mbedhur veten për pjesën tjetër të mbetur të orarit.
Një herë, kur Maqedonci ishte në orar të natës, kishte nevojë për një kafe për t’ia larguar gjumin. Pasi kishte taksistë të tjerë në radhë para tij për të pranuar porositë nga baza e kompanisë, ai me një koleg vendosën të shkonin ta merrnin nga një, aty afër në lagje. Ajo kafe u kushtoi shumë.
“Dikush i kish kallëxu pronarit [për kafe]. Punuam krejt natën, kur shkuam me e dorëzu pazarin, na i shqyjti letrat nër sy, edhe tha ‘sot nuk keni mëditje’”, kujton Maqedonci, i cili me kolegët e vet, pazarin ditor e dorëzonin te kompania, e në fund të muajit vlera e pagesës varej prej atij pazari.
Teksa fliste, i ndërhyn ish-kolegu, Gashi, i cili pauzën për kafe e quan “luks”. Ai thotë se ka pasur shumë raste kur s’ia dilnin as të hanin gjatë orarit të punës.
“Me pasë thirrje e kërkesa, as buka nuk vike në rend”, thotë ai.
Koha e gjatë që ka kaluar e harresa që vjen me të, ka bërë që dy ish-kolegët, që tash janë bërë shokë, t’i shkruajnë në letër problemet kryesore me të cilat ishin ballafaquar sa punonin si taksistë. Lista e tyre është e gjatë. Shfrytëzimin e pauzës, ata e renditin tek kah fundi, anipse të paktën 30 minuta pauzë, gjatë një orari të plotë tetë-orësh, ua garanton Ligji i Punës.
Gashi e Maqedonci kujtojnë kohën kur punonin si kujdestarë gjatë natës e orari i punës shkonte në mbi 12 orë. Të nesërmen, tregojnë ata, e vazhdonin sërish orarin e rregullt. Puna natën, thonë se nuk u është kompensuar ekstra, anipse Ligji i Punës, për orarin e natës, parasheh pagesë më të lartë për 30% në orë, kurse në rast të punës gjatë festave zyrtare, pagesa duhet të jetë 50% më e lartë për orë.
“Orari i punës ka qenë 9-10 orë; gjatë natës kujdestarinë e kemi pasur 12 orë punë. Njëjtë jemi pagu, s’ka pasur rëndësi a ditë, a natë, a festë, a ditë e zakonshme”, thotë Gashi.
Ndërmjet soliterëve te “Ulpiana”, aty ku vjet më parë i çelnin mëngjeset e i mbyllnin ditët Maqedonci e Gashi, shpesh qëndron edhe Burimi, i cili nuk deshi të identifikohet me emrin e vërtetë. Kjo lagje tashmë, si në shaka midis taksistësh ka marrë emrin si vend “i ndejës badihava”.
Burimi, në të tridhjetat, qe pesë vjet punon në një prej kompanive private të taksive në Prishtinë. Që kur ishte i vogël, kishte dëshirë të voziste. Por, ajo dëshirë fëmijërore i është zbehur.
“Qysh me e dashtë punën, kur timonin nuk ki shansë me lëshu 15 orë prej dorës”, thotë ai.
Burimi është baba i dy fëmijëve. Për të siguruar pagë sa më të madhe në fund të muajit, thotë se zgjedh të punojë deri në 15 orë. Madje, kur i kërkohet, punon edhe më gjatë.
“Me kanë që shoferi ka mundësi e është i gatshëm, ata edhe 20 orë të lejojnë me punu. Kërkujt përshtypje nuk i bën”, thotë ai. “Ti 15 orë me punu, firmës veç çka i hyn në qejf”.
Taksistët në Kosovë kryesisht paguhen me përqindje, e cila aktualisht sillet rreth 35% të pazarit mujor. Kështu, për shembull, nëse Burimi, gjatë orarit ditor, i mbledh 100 euro, atij i takojnë 35, kurse 65 eurot e mbetura i shkojnë kompanisë. Si rezultat, sa më shumë orë në punë, aq më e madhe gjasa që pazari të jetë më i madh. Niveli i përqindjes zakonisht dakordohet në heshtje midis kompanive.
Burimi përpiqet ta zë orarin e natës sepse thotë se ka më pak kolona e më shumë pasagjerë. Sipas tij dhe taksistëve tjerë me të cilët ka folur K2.0, ndërrimi prej tetë-nëntë orëve, gjashtë ditë në javë, zakonisht nxjerr pazar prej 500 eurosh në fund të muajit, teksa pas punës në dy ndërrime, apo 15-16 orë, pagesa mund të shkojë deri në 1,000 euro. Një pagë më e lartë ul sadopak brengën për ta përballuar jetën, e cila është shtrenjtuar vërejtshëm viteve të fundit në Kosovë.
Megjithatë, cilido taksist që është para kësaj zgjedhjeje, duhet të sakrifikojë. Prej 24 orëve sa i ka dita e plotë, Burimi thotë se veç dy i kalon me familjen.
“Ti puno ma pak, ama fëmija po lypin me hangër”, thotë ai, teksa merr porosinë e radhës. “Ia nisi punës prej orës 3:00 [pasdite], edhe e përfundoj shpesh në 7:00 të mëngjesit. Flej deri në 11:00, edhe shkoj apet në ora 3:00 në punë. Lehtë nuk është, ama jemi mësu. Rroga del ma e mirë në fund”.
Pra, Burimi vozit 16 orë në ditë. Edhe pse përpiqet t’i shmanget kolonave, ai prapëseprapë e nis ditën në kohën më të lodhshme për të vozitur në rrugët e kryeqytetit, e punon midis orës 16:00 deri në 18:00, kur është piku i ngarkesës. Ai është i vetëdijshëm që ky orar sjell rreziqe, por thotë se zgjidhje tjera nuk ka. “500 euro veç për obligime familjare nuk dalin”, thotë ai.
Kohëzgjatja e vozitjes rregullohet me Ligjin për Transportin Rrugor. Ligji e lejon vozitjen, në përgjithësi, maksimalisht nëntë orë brenda ditës. Vozitja, sipas Ligjit, mund të shkojë deri në 10 orë, por në asnjë mënyrë më shpesh se dy herë në javë. Pas katër orë e gjysmë vozitjeje, Ligji obligon pauzë prej 45 minutash.
Vozitja në orare të gjata shkakton lodhje, përgjumje e dremitje, që rezulton në ulje të koncentrimit e reagim më të ngadaltë ndaj situatave të rrezikshme në trafik, duke rritur kështu gjasat e aksidenteve.
Ngjashëm lodhjen e dremitjen, Burimi thotë se i përjeton në përditshmëri. “Jemi mësu tash. U bo njëjtë krejt”, thotë ai.
Ndërkohë, Policia e Kosovës (PK) nuk ka të dhëna se në sa aksidente brenda vitit kanë qenë të përfshira veturat e taksive. Të dhënat e PK ndodhen vetëm në raportin vjetor të PK, të pasegreguara. As nga IP nuk kanë dhënë statistika për aksidentet, megjithatë në mesin e shkeljeve që inspektorët kanë gjetur nëpër kompanitë e taksive, janë edhe oraret e gjata në shumicën prej tyre.
K2.0 ka dërguar pyetje të hollësishme për secilën ankesë të ngritur prej punëtorëve në adresat e 15 kompanive të ndryshme të taksive në Prishtinë. Prej tyre, vetëm ETAXI është përgjigjur.
Taxi Roberti, Golden Taxi, Pink Taxi, Online Taxi, Blue Taxi, El Taxi, Taxi Dallas, Trip Taxi, Hej Taxi, Radio Taxi Asi, Radio Taxi Geti, Taxi Victory, ETAXI, Taxi Tesla, Urban Taxi
Një brengë tjetër e sigurisë, pos vozitjes për kohë të gjata, është edhe presioni për të qenë të shpejtë e për t’iu paraqitur pasagjerit sipas kohës që e jep baza. Idrizi, 50-vjeçar, i cili nuk ka dashur të identifikohet me emrin e vërtetë, është një tjetër taksist që punon në një prej kompanive private në Prishtinë. Gjatë verës, si rezultat i ardhjes së mërgimtarëve, e gjatë vjeshtës e dimrit si rezultat i motit e kushteve atmosferike, ai thotë se puna shtohet dukshëm.
Kjo rrit edhe presionin nga menaxherët e pronarët e firmave për të marrë sa më shumë pasagjerë. Ende pa arritur në lagjen “Dardania” ku ishte destinacioni i pasagjerit që ishte ulur në ulësen përpara, ekrani i pajisjes në veturë e ngarkon Idrizin me porosinë tjetër. Tash do t’i duhet të shkojë në anën tjetër të qytetit, në lagjen “Velania”.
Pa bërë zë, menjëherë rrit shpejtësinë. Pasagjerit i ishte thënë që për shtatë minuta vetura do të jetë në pritje të tij.
“Ai [baza] atje i thotë shtatë minuta, ti a fluturon, a hyn në të kuqen, a çka bën nuk iu intereson”, thotë Idrizi.
Pritshmëritë e parealizueshme të kompanive ndaj shoferëve, i vendosin shoferët përpara presioneve të tjera, që vetëm sa e rrisin rrezikun në punë për ta. Kjo qasje ndaj punëtorëve, për Naim Bajraktarin, ekspert i sigurisë dhe shëndetit në punë, po ashtu i angazhuar në kompaninë për siguri dhe shëndet në punë “HSK”, është në kundërshtim me ligjin dhe kërkon reagimin e IP.
“Këto presione bëjnë që ata [shoferët] të jenë të shkujdesshëm gjatë kryerjes së punëve, dhe ky shkujdes mund të sjell aksidente me dëme individuale dhe kolektive”, thotë Bajraktari.
Situatat e tilla janë bërë të përditshme për Idrizin, i cili ka punuar në katër firma të ndryshme të taksive në Prishtinë. Me më shumë se shtatë vjet përvojë nëpër timonë të taksive, ai thotë se kushtet i ka pasur të ngjashme gjithkund.
“Punëtori është i shtypun në krejt kompanitë”, thotë ai. Kur e dëgjon fjalën “ligj”, Idrizi tek ngutet për te destinacioni tjetër, prerazi kundërpyet: “Po çfarë ligji pashë nerën”.
Pavarësisht se prej vitit 2022 deri në fund të vitit 2023, janë shtuar edhe 19 inspektorë të punës, organizatat, të cilat në fokus kanë mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve, kërkojnë mobilizim më të madh të IP në mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Kategori të ndryshme punëtorësh, sidomos të sektorit privat, vazhdojnë të përballen me probleme siç janë: mungesa e kontratave dhe sigurimeve shëndetësore, punë pa pajisje mbrojtëse, aksidentet në vendin e punës për shkak të mungesës së mbikëqyrjes. Kështu, shumë punëtorë mbesin larg radarit të institucioneve e nuk kanë ambient ku mund t’i gëzojnë të drejtat e tyre.
Trust e rrogë të përgjysmuar në letër
Shoferëve të taksive shpesh u duhet ta sakrifikojnë gjithë kohën e mundin, që në fund të muajit të kenë para mjaftueshëm sa për t’i mbuluar shpenzimet e veta e ato të familjeve. Por, mënyra e parregullt se si paguhen i vendos përpara sfidave tjera, sidomos kur duan apo kur u duhet të bëjë shpenzime më të mëdha, të cilat, si shumë qytetarë të Kosovës, s’i përballojnë dot pa kredi.
Kur taksistët me të cilët foli K2.0 shkojnë te banka për ta tërhequr pagën mujore, aty u figuron vetëm një pjesë, jo rrallë veç çereku i kompensimit real mujor. Pjesën tjetër e marrin në dorë.
Kështu, kompanitë, të cilat si punëdhënës obligohen të regjistrojnë secilin punëtor në Administratën Tatimore të Kosovës dhe t’ia paguajnë të paktën 5% të kontributeve pensionale, paguajnë më pak para e punëtorëve u bie të kenë më pak në fondin pensional. Pos që u del më i vogël trusti, fakti që veç një pjesë e pagës iu del në bankë, taksistëve u sjell kokëdhembje kur u duhet kredi.
Para dy vjetësh, Burimi donte ta renovonte banesën. Për t’i mbuluar shpenzime kërkoi kredi në një prej bankave vendore në Kosovë. Edhe pse e dinte se gjasat për aprovim të kredisë s’ishin në anën e tij, dëshironte ta provonte fatin, pasi në atë bankë i punonte një shok.
Paga, në llogari secilin muaj i dilte veç 250 euro, pavarësisht se paga reale, që e merr në dorë, shkon në gati 1,000 euro. Në kontratën që e ka, si pagë mujore i figuron shuma prej 250 eurosh.
“Bile ai [shoku] më tha ‘ti e ki rrogën ma të madhe se unë, ama banka për kredi e këqyrë qaq sa e ki me kontratë’”, thotë Burimi. “Shumica kemi kontrata, rinovohen çdo vit, ama ajo veç formale, se rrogat po dihet qysh i japin”.
Kërkesën për kredi ia refuzuan. Pos kësaj, në vend se të paguajë rreth 50 euro kontribut pensional për Burimin në muaj, kompania ku ai punon ia paguan më pak 20 euro.
Ndërkohë, Idrizi nuk ka kontratë hiç e krejt pagën e merr në dorë, gjë që thotë se është mjaft e zakontë, bazuar në përvojën e tij në katër kompani të ndryshme. Kjo ia ka shtuar frikën për atë që e pret pas 15 vjetësh kur do të dalë në pension.
“Gajlen e pleqnisë e kam, Trusti nuk paguhet…nesër masnesër, pensioni i vogël. S’din njeri qysh ia bën”, thotë Idrizi, teksa merr porosinë e radhës.
Vetëm ETAXI prej 15 kompanive të kontaktuara është përgjigjur, duke thënë se punëtorët janë të pajisur me kontrata, pagat u dalin në bankë dhe se kontributet pensionale iu paguhen përkitazi. K2.0 ka biseduar me punëtorë/e shoferë/e të ETAXI, që e kanë verifikuar këtë të dhënë.
Ndërkohë, në katër vitet e fundit, nga IP thonë se kanë pranuar vetëm pesë ankesa nga taksistët, të cilat kanë përfunduar me gjoba ndaj kompanive. IP, gjatë inspektimeve, ka identifikuar se disa prej problemeve kryesore në kompanitë private të taksive janë mungesa e kontratave të punës, oraret e gjata, mosqasja në pushimet vjetore dhe moskompensimi shtesë i orëve jashtë orarit të rregullt dhe gjatë të natës, i punës gjatë fundjavës dhe gjatë festave zyrtare.
Masat e shqiptuara kanë qenë me gjoba. Bazuar në vendimet që merr IP, kompanitë gjobën duhet ta paguajnë brenda 30 ditëve dhe kopjen e pagesës ta dorëzojnë tek inspektorët e punës. Por nga IP nuk kanë treguar nëse kompanitë bashkëpunojnë gjithmonë dhe nëse i paguajnë dënimet. Po ashtu, ky institucion nuk ka databazë të statistikave se sa inspektime të rregullta ka kryer nëpër këto kompani dhe cilat kanë qenë masat.
Ndërkohë, ndryshe prej Gashit e Maqedoncit, të cilët i janë mësyrë rrugës ligjore, frika prej humbjes së punës i ka shtyrë Idrizin e Burimin të mos ankohen fare. Për Burimin, çmimi që mund t’i duhet ta paguajë pas ankesës është i papërballueshëm. “Ku me guxu me u anku tani, të qesin prej punës edhe çka, të mbesin fëmija pa bukë”, thotë ai.
E për Idrizin, ankesa bëhet edhe më e paarritshme, marrë për bazë që s’ka kontratë e kurrfarë dokumenti që vërteton se ku punon.
Vetura të sigurta, shoferë të pasiguruar
Shpejtësia, oraret e gjata, pagjumësia e të qenit në trafik në çfarëdo kushtesh, e bëjnë punën e shoferëve të taksive profesion të ekspozuar ndaj rreziqeve të shumta. Prej tyre, më i rëndi mund të jetë aksidenti.
Për t’i reduktuar dëmet e aksidenteve të mundshme, kompanitë e taksive sigurojnë veturat edhe me KASKO — pagesa vjetore që bëhet nga një kompani, si mbulueshmëri për dëmet që i shkaktohen mjetit në rast aksidenti.
Por, kompanitë, që janë pronare të veturave, nuk e mbulojnë vetë sigurimin KASKO, sipas shoferëve me të cilët ka folur K2.0. Në mesin e afro 1,000 eurove, të cilat Burimi thotë se i dalin pazar në fund të muajit, 50 s’i sheh asnjëherë se i shkojnë për KASKO. Ai thotë se, bazuar në bisedat me kolegë, kjo dukuri është e pranishme në shumicën prej kompanive private.
Që nga koha kur e ka nisur punën si taksist, pesë vjet më parë, Burimi ka paguar shuma të ndryshme të parave për ta siguruar veturën. Aktualisht, thotë se kompania ia ndalë rreth 600 euro në vit.
Sipas taksistëve të përmendur në këtë artikull dhe pesë të tjerëve me të cilët K2.0 ka biseduar, punëtorët obligohen ta paguajnë vetë KASKO-n në shumicën e kompanive private të taksive, veç në modalitete të ndryshme.
Për shembull, Idrizi thotë se shoferët, të cilët e vozisin të njëjtën veturë, njëri paradite e tjetri pasdite, e paguajnë së bashku sigurimin e automjetit.
“Në firmën tonë e paguajmë kah 20 euro. Pra, 20 shoferi i paradites, 20 i pasdites. 40 euro në muaj për me ua siguru veturën firmës. Nuk e di ku ka kështu”, thotë Idrizi.
Pos kësaj, Idrizi e mban mend se si në njërën prej firmave, kishin paguar te kompania për sigurimin e veturës, por pas një aksidenti e kishin kuptuar se automjeti nuk kishte pasur sigurim fare.
“Një koleg pati pasë një aksident, edhe ai tu mendu që vetura është KASKO. Kur e kuptojmë që s’kish pas sigurim hiç”, thotë ai.
Vetëm ETAXI nga 15 kompanitë e kontaktuara është përgjigjur, duke thënë se sigurimin KASKO e paguan kompania e jo punëtorët. Punëtorë/e të ETAXI kanë konfirmuar këtë të dhënë.
Teksa gjasat që veturat të riparohen pas aksidentit janë të mëdha për shkak të sigurimeve, gjendja e punëtorëve është histori tjetër. Të gjithë shoferët me të cilët ka biseduar K2.0 kanë treguar se asnjëherë as nuk është diskutuar mundësia për sigurim shëndetësor.
“Diçka mu bo aksident, ma shumë iu dhimet kerri se shoferi. As në spital nuk shkojnë me i pa”, thotë Idrizi, teksa kujton një rast të një kolegu të tij i cili ishte aksidentuar, e ku shpenzimet i kishte paguar vetë. Ai kishte pësuar lëndime të lehta, megjithatë kompania nuk kishte shfaqur interes për t’i ndihmuar financiarisht, pavarësisht përpjekjes nga punëtori që ta adresojë këtë rast.
“Ai [sigurimi shëndetësor] i nevojshëm ish kanë se jo naj aksident, jo të hypë turlifarë njeriu në veturë, ama as që u diskutu najherë se”, thotë Burimi, duke e pranuar këtë dukuri si më normale pasi sigurimet shëndetësore ende nuk janë të rregulluara nga shteti. Burimi përmend se ka pasur raste kur persona të ndryshëm e kanë ofenduar, i kanë ikur pa paguar e edhe i janë kanosur.
Për ekspertin e sigurisë dhe shëndetit në punë, Bajraktari, këtu përgjegjësia është e qeverisë, e cila e ka për obligim t’u sigurojë qytetarëve qasje në sigurim shëndetësor publik. Një Ligj për Sigurime Shëndetësore u miratua nga Kuvendi i Kosovës që në vitin 2014, por nuk gjeti kurrë zbatim. Së fundmi, në gusht 2024, Qeveria e Kosovës ka miratuar një projektligj të ri për sigurime shëndetësore, që do ta zëvendësonte atë të vitit 2014. Projektligji pritet të shkojë në Kuvend për miratim. Megjithatë, me zgjedhjet e përgjithshme që janë caktuar për 9 shkurt të vitit 2025 dhe sfidat kur është fjala për vënie në praktikë, e ardhmja e projektligjit mbetet e paqartë.
Vozitja në orët e natës për Idrizin, bëhet pak më e ndërlikuar. Një kohë ai kishte pasur probleme me dritat e veturave që kalojnë në anën e kundërt të rrugës. Ai thotë se disa muaj pasi nisi punën si taksist, kishte po ashtu probleme edhe me pagjumësinë, kryesisht për shkak të punës natën.
“Problem e kisha me flejtë natën, u mësojke trupi me punu, edhe kur e kisha pushim që dojsha me flejtë mu doke që jam në punë”, thotë ai.
Probleme si të Idrizit, i kujton edhe Qamil Maqedonci kur punonte si taksist. Dhimbje të muskujve, probleme me boshtin kurrizor për shkak të qëndrimit të gjatë ulur, thotë se ishin vetëm disa nga hallet shëndetësore, që i kishte gjatë asaj kohe.
“Trupin nuk e disha që është i jemi”, thotë Maqedonci.
As Idrizi, e as kolegët e tij të kompanisë apo taksistët me të cilët ka folur K2.0, nuk bëjnë kontrolle të rregullta mjekësore. Sipas Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë. secili punëdhënës është i obliguar ta dërgojë të punësuarin në kontroll mjekësor për të konstatuar aftësitë e tij fizike e psikike për të punuar në një vend të caktuar. Kontrollet e tilla duhet të bëhen së paku një herë në vit dhe sa herë të paraqitet nevoja.
“Kurrë hiç”, përgjigjet shkurt Burimi, kur është fjala për këto kontrolle.
Për dallim nga kohët e fundit, Qamil Maqedonci e Ardian Gashi, para 10 viteve kur kishin punuar si taksistë, e mbajnë në mend se bënin kontrolle mjekësore. Megjithatë, kohën për kontrollën e rregullt mjekësore, asokohe, shoferët nuk e prisnin me shumë dashamirësi.
Kjo pasi edhe kontrollet, sipas Gashit, i paguanin vetë punëtorët.
“Edhe me ato veç u dëmtojshim, u dashke [t’i japim] prej xhepit 15 apo 20 euro”, thotë ai.
Valdet Hashani, kryeshef në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, thotë se në tri vitet e fundit nuk ka pasur taksistë që kanë shkuar për të shprehur interesim që të pajisen me certifikatat për shëndetin fizik. Edhe nëse ka kompani që ua kërkojnë punëtorëve kontrollet e rregullta psiko-fizike, punëtorët këto duket se iu bie t’i bëjnë në klinikat private. Kjo pasi bazuar me Udhëzimin Administrativ për Kujdesin Parësor Shëndetësor, psikiatri që kryen aspektin psikik të testimit, nuk lejohet në kujdesin primar shëndetësor publik.
“Nëse dojnë me marrë certifikata, ato merren në vende ku kanë edhe Mjekë të Punës edhe psikiatër, kryesisht në institucionet private”, thotë Hashani.
Kontrollet mjekësore janë qenësore. Bajraktari nga HSK, organizatë që monitoron zbatimin e ligjeve që ndërlidhen me sigurinë në punë, thekson se rëndësia e këtyre kontrolleve është e jashtëzakonshme për të parandaluar rrezikun në trafik jo vetëm për shoferët, por edhe për pjesëmarrësit tjerë.
Dhjetë vjet pritje
Nga parkingu ndërmjet soliterëve në “Ulpianë”, Maqedonci e Gashi nisen bashkë për tek kafeneja, ku rrinin gjatë kohës sa punonin si taksistë. Për të hyrë në kafene, ata kalojnë nëpër një korridor të errët të një ndërtese. Kështu të errët, të dy, e përshkruajnë përvojën e tyre si taksistë, edhe sa punonin e edhe pasi u pushuan nga puna.
Me të hyrë brenda, përshëndetja e pronarit është e ngrohtë.
“Qe këtë pronarin e kafesë, prej 2002 e njoh, prej 8 marsit 2002 kur ia kam nisë”, thotë Maqedonci, teksa porosit një kafe. “Qitu mbledhemi, nëse na thotë avokati qekaq pare, na i përpjestojmë edhe e paguajmë çkado që duhet. Krejt bashkë. Ka kolegë që kanë dalë në Evropë, ama i çojnë paret për secilin vendim”.
Historia, e cila kulmoi me largimin nga puna të rreth 20 taksistëve në shtator, para një dekade, sipas ish-punëtorëve, fillin e kishte tek një revoltim i tyre disa muaj përpara.
Kah mesi i vitit 2014, thonë ata, kompania “Victory” kishte nisur paralajmërimet ndaj punëtorëve se nga 30% sa ishte përqindja e fitimit për shoferët, do të ulej në 27%. Këto paralajmërime kompania i bënte kryesisht duke biseduar me taksistët. Mirëpo, kjo kishte qenë e papranueshme për një grup të taksistëve, të cilët kishin vendosur ta bojkotojnë punën në shenjë proteste.
Për pak ditë, ata nuk dolën fare në oraret e tyre të zakonshme të punës. Kundërshtimi nga ky grup i taksistëve, bëri që kompania ta kthente mbrapa vendimin për uljen e përqindjes.
Megjithatë, ajo që në fillim, sipas ish-taksistëve, nisi si një revoltë e një grupi të taksistëve për të mos lejuar uljen e përqindjes, përfundoi me largim nga puna. Dy nga ish-punëtorët e kësaj firme të takisive, thonë se kur u përjashtuan, nuk iu ofrua as arsye e as ndonjë dokument i shkruar.
“Punëtorët e tjerë që nuk kanë protestuar, e kanë vazhdu punën. Më e keqja ishte që pak ditë pasi u përjashtuam ne, kompania e shpalli konkursin në gazetë për shofera të rinjë”, thotë Gashi.
Për largimin nga puna të këtij grupi të taksistëve në vitin 2014, IP kishte marrë vendim se kishte qenë në kundërshtim me legjislacionin në fuqi. Shkeljet, sipas vendimit të IP, përfshinin faktin se kompania nuk iu kishte ofruar asnjë sqarim punëtorëve, nuk kishte shfrytëzuar masat paraprake ligjore si: shqiptimi i vërejtjes apo masa të tjera, të cilat parashihen. Pra nuk ishin shterur asnjë prej mundësive të tjera ligjore, para largimit, që është masë e fundit. IP nuk ka dhënë hollësi të tjera për K2.0 rreth masave ndaj kompanisë.
Ndërkohë edhe Sindikata e Punëtorëve të Sektorit Privat të Kosovës (SPSPK) është në dijeni për rastin. Megjithatë, kryetari i SPSPK, Jusuf Azemi, thotë se punëtorët e larguar nga puna, fillimisht kishin adresuar problemin gabimisht në Sindikatën e Komunikacionit. Kur SPSPK mori vesh për rastin, veç ishte bërë vonë sepse rasti tashmë ishte adresuar nga IP.
“Para se me shku te Inspektorati, u dashtë me ndërhy, sepse kur te lëshon [IP] raportin u kry procedura”, thotë Azemi.
Për më shumë, Azemi thotë se taksistët nuk kishin qenë anëtarë të SPSPK në atë kohë, duke përmendur njëherit edhe çështjen se SPSPK nuk është e pranishme në të gjitha kompanitë private sepse sektori privat është shumë i madh dhe jo të gjithë janë anëtarë të sindikatës.
“Ne nuk e kemi të drejtën të flasim për një person që nuk është anëtar i Sindikatës”, thotë Azemi.
Ai shton se ka punëtorë që në mënyrë individuale, shpesh edhe pa dijeninë e pronarëve të kompanive ku punojnë, anëtarësohen në SPSPK. Kur këta anëtarë ankohen, SPSPK ndërhyn për ta trajtuar problemin tek kompania përkatëse. Azemi thotë se në shumicën e rasteve, kompanitë janë bashkëpunuese e kur nuk janë, ata e referojnë rastin në institucionet përkatëse shtetërore.
Pos SPSPK, taksistët nuk kanë një sindikatë të tyren. Që një sindikatë të krijohet, sipas Ligjit për Organizim Sindikal, fillimisht duhet të krijohet shoqata sindikale, e cila përfshin 10 e më shumë punëtorë nga një institucion apo kompani e caktuar, që ligji e quan subjekt juridik.
Për të krijuar në këtë rast sindikatën e taksistëve, sipas ligjit, duhet të jenë të paktën dy shoqata sindikale. Këto dy apo më shumë shoqata duhet të kenë anëtarësi prej së paku 10% të të punësuarve në nivel sektori për t’u regjistruar si sindikatë në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Bazuar në statistikat nga Komuna e Prishtinës, në kryeqytet aktualisht janë të licensuara 22 kompani private të taksive. Drejtoria për Shërbime Publike në Prishtinë nuk ka të dhëna lidhur me numrin e punëtorëve. Megjithatë, nga të dhënat e siguruara prej taksistëve, të cilët nuk kanë dashur të identifikohen, kompanitë më të mëdha të taksive në kryeqytet, kanë nga 200 e më shumë punëtorë.
Megjithatë, asnjë prej taksistëve me të cilët ka biseduar K2.0, nuk e kanë menduar ndonjëherë krijimin e një sindikate, kryesisht për shkak të frikës apo frymës së ndrydhjes së kritikës nëpër kompani.
Instituti “Musine Kokalari” që është institut i pavarur, që synon të promovojë vlera sociale dhe demokratike, duke u angazhuar për politika progresive, po ashtu përqendrohet në çështjen e organizimit sindikal. Visar Ymeri, që e drejton këtë institut, propozon të krijohen sindikata për secilën kategori të punëtorëve, si mundësia më e mirë për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
“Duhet pasur parasysh se sektorët e ndryshëm industrialë kanë veçanti të caktuara, të cilat nuk mund të adresohen përmes një ombrelle sindikale e cila, duke përfshirë çdo gjë në të, nuk e ka mundësinë ta adresojë asnjë prej çështjeve siç duhet”, thotë Ymeri.
K2.0 ka kontaktuar ish-pronarin e kompanisë “Victory”, por ai nuk ka pranuar të përgjigjet. Ndërkohë, menjëherë pas vendimit të IP që kishte konstatuar shkelje në largimin e tyre nga puna, Maqedonci, Gashi dhe ish-taksistët tjerë, e paditën kompaninë në Gjykatën Themelore të Prishtinës, në vitin 2014.
10 vjet pas, shumëçka ka mbetur njëjtë
Prej atëherë, pritja e rreth 20 ish-taksistëve për drejtësi, vazhdon. Fillimisht, ishin dëgjuar të gjitha palët, ishin bërë ekspertiza për kompensimet financiare, dhe në fund padia ishte rrëzuar nga Gjykata Themelore në prill të vitit 2018, me arsyetimin se padia ishte e pasafatshme.
Ky arsyetim mbështetej në faktin se padia e taksistëve ishte bërë pasi kishin kaluar afatet ligjore, që e lejonin të drejtën e padisë.
Megjithatë, më 18 shtator 2020, Gjykata e Apelit e kishte kthyer në rigjykim rastin, pasi konstatoi se në shkallën e parë kishte pasur disa shkelje. Kjo duke evidentuar se shkalla e parë do të duhej të vendoste për padinë pasi t’i kishte trajtuar të gjitha faktet nëse është arritur parashkrimi, e jo vetëm me një aspekt procedural.
Pavarësisht se rasti u rikthye në rigjykim para katër vitesh, sipas avokatit të paditësve, Naim Haliti, janë mbajtur maksimalisht dy deri në tri seanca. Përkundër se, sipas tij, kur një rast kthehet në rigjykim, ai duhet të ketë prioritet.
Midis kësaj vonese në trajtimin e rastit, kompania “Victory” falimentoi duke prezantuar problem të ri për ish-punëtorët. Bazuar në të dhënat e Agjencisë për Regjistrimin e Bizneseve, kompania “Victory” është shuar në vitin 2021, dhe kjo e ka ndërlikuar procesin gjyqësor. Megjithatë, logo e kompanisë dhe emri “Victory”, mund të shihet në vetura tjera të taksive në Prishtinë. Në janar 2021, u bë publik njoftimi se kjo kompani tash e tutje do të shërbente si e bashkuar me një kompani tjetër private të taksive, e cila është ende aktive në kryeqytet.
Tash, avokati Haliti ka bërë kërkesë për precizim të padisë, duke e paditur pronarin e kompanisë. Ndjekja individuale e pronarit mbetet mundësi për drejtësi. Avokati i taksistëve, Haliti, thotë se pronari i biznesit të çregjistruar ka përgjegjësi për të gjitha borxhet.
“Biznesi individual nuk është subjekt juridik, dhe për këtë pronari i biznesit të çregjistruar ka përgjegjësi të pakufizuar për borxhet dhe detajet e tjera”, thotë Haliti.
Haliti i referohet nenit 48 të Ligjit për Shoqëritë Tregtare, që thotë se “personi, i cili është pronar i një biznesi Individual, ka përgjegjësi të pakufizuar personale për të gjitha borxhet dhe detyrimet tjera të shkaktuara, ose të imponuara nga një ligj ose kontratë”.
Gjykata Themelore në Prishtinë tha për K2.0 se kjo lëndë është trashëguar nga një gjyqtar, i cili ka kaluar në Gjykatën Administrative. Sipas tyre, gjyqtarja e re e ka caktuar seancën e radhës, por nga Gjykata nuk kanë dhënë arsye të tjera për vonesat në trajtimin e kësaj lënde. Maqedonci e Gashi ende nuk e kanë marrë thirrjen për seancë.
Pritja për një vendim të Gjykatës, tashmë është bërë e lodhshme për ish-punëtorët.
“Na po e kërkojmë prej gjykatës të drejtën tonë që është shkelur, edhe gjykata me ardhë me vendim o pozitiv o negativ, veç me vendos e ta dimë çka po bëhet. Çfarë drejtësie mas 10 vjete”, thotë Gashi.
Alma Koljenoviq, avokate që trajton raste kryesisht civile, thotë se mungesa e gjyqtarëve dhe stafit mbështetës, ndikon që gjykatat të vonohen në ofrimin e drejtësisë për raste të tilla. “Përgjithësisht drejtësia e vonuar, është drejtësi e mohuar. Zvarritja e rasteve gjyqësore, si në rastin konkret, rrezikon që paditësit të mos arrijnë kurrë t’i realizojnë të drejtat e tyre”, thotë Koljenoviq.
Sipas një raporti të publikuar nga Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) për vitin 2022, që një lëndë civile të trajtohet në gjykatë, nevojiten të paktën pesë vjet. Sipas këtij raporti, stërzgjatja e këtyre lëndëve, shkakton mungesë të drejtësisë në afat të arsyeshëm kohor, si një nga parimet më të rëndësishme të drejtësisë. Një tjetër raport nga po ky institut, ka gjetur se aktualisht, në gjykatat e Kosovës mbeten mbi 112,000 lëndë civile të pazgjidhura. Arsyet, sipas IKD, janë duke u nisur nga ato që ndërlidhen me efikasitetin e gjyqtarëve, administrimin e rasteve dhe sjelljen e palëve në procedurë.
Teksa po përgatiteshin të largoheshin nga kafeneja, një numër i madh veturash të kompanive të taksive kalonte atypari. Me disa prej shoferëve, Maqedonci e Gashi edhe njiheshin. Dikur, me disa prej tyre që edhe sot punojnë, ndanin të mirën e të keqen.
Më shumë se një dekadë pasi ata u përjashtuan nga puna, situata nuk ka ndryshuar shumë. Idrizi thotë se në kompaninë ku punon, si rezultat i pakënaqësive, një numër i punëtorëve kishin vendosur ta lënë punën.
Megjithatë, kjo nuk i kishte bërë fare përshtypje menaxhmentit. Rastësi apo jo, fjalët që ua kishte thënë në vitin 2023 menaxheri këtyre punëtorëve, ishin të njëjtat me ato të vitit 2014, të cilat i cituan Gashi e Maqedonci. “‘Ndaq hajdi, ndaq jo’, iu patën thanë. ‘Në kantë të bërllogit gjejmë shofera’”, thotë Idrizi.
I lodhur prej pritjes në atë park është edhe Gashi, i cili megjithatë do të vazhdojë betejën e tij, teksa kolegëve të tij që punojnë sot, u çon mesazh të mos heshtin kur “u hahet djersa”.
Atë ditë, veturat e taksive po qëndronin në “Ulpianë” të Prishtinës. Tabelat e shahut ishin mbyllur e muzgu kishte rënë. Shoferët e ndërrimit të natës i kishin zënë vendet e tyre. Disa merrnin pasagjerë e të tjerë, mbështetur në vetura, prisnin thirrjen e radhës. Edhe Gashi e Maqedonci e presin thirrjen e tyre.
Redaktore përgjegjëse: Aulonë Kadriu.
Imazhi i ballinës: Visar Kadrolli / K2.0.
Ky artikull u botua me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian në kuadër të projektit “Diversifikimi i zërave në gazetari”. Përmbajtja e artikullit është përgjegjësi vetëm e Kosovo 2.0 dhe nuk pasqyron domosdoshmërisht pikëpamjet e Bashkimit Evropian.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.