Një urë e vjetër e ngushtë, me themele prej çeliku të ndryshkur dhe dërrasa druri tri metra të gjera, lidh Bosnjë e Hercegovinën lindore me Malin e Zi verior. Udhëtarët mes Sarajevës dhe Podgoricës kalojnë kufirin ndërkombëtar mbi këtë urë, njëra korsi e së cilës shpesh krijon radhë të gjata kamionësh të industrisë së rëndë, mini-kombash me gomone të ngjitura sipër dhe motoçikleta.
Pamja e pasigurt dhe e paqëndrusheme e urës përforcohet nga lumi i stuhishëm Tara, që rrjedh njëzet metra poshtë, duke përshkuar tejpërtej majave të pjerrëta gëlqerorore të maleve Maglić dhe Pivska. Për dallim nga radhët e gjata në kufi të udhëtarëve që presin, Tara nuk pret. Disa qindra metra poshtë, ajo takohet me lumin malor Piva, e më pas bashkohen për ta formuar lumin Drina.
Përgjatë udhëtimit në atë që njihet si rajoni i Podrinjes, në Bosnjë e Hercegovinë, Drina nuk ndalet së rrjedhuri edhe për 346 kilometra, deri të bashkohet me lumin Sava, në kufirin verilindor të Bosnjë e Hercegovinës me Serbinë. Rrjedha dhe shtrati i lumit Drina lidhin ekosistemet e ndryshme dhe kundërthënëse të rajonit të lumit, me komunitetet e njerëzve. Kur udhëton përgjatë lumit Drina dhe plazheve, gjallërisë dhe digave të tij shpërfaqen gjurmë të së kaluarës, së tashmes dhe të ardhmes së Podrinjes, lumenjve, njerëzve dhe marrëdhënieve përbrenda e ndërmjet tyre. Podrinje është përplot jetë e njëkohësisht, duke vdekur dhimbshëm.
Drina rrjedh në një shtrat, që përbëhet nga shtresa gëlqerore dhe gurëj ranor, të formuara para 200 deri 250 milionë vjetësh. Brigjet shkëmbore të lumit dhe shpatet e valëzuara malore, strehojnë mbi 130 bimë endemike: irisa, karafila, lule gjembaç dhe lule kambanat, që nuk rriten askund tjetër, përveç përgjatë lumit Drina. Popullatat e peshqve, si trofta e egër dhe trofta e rrezikuar e Danubit, përshkojnë rrjedhat e egra shumë më lehtë se ne, njerëzit, në një gomone raftingu. Specie të rralla gjitarësh, si nishanet e egër dhe minjtë e dëborës, kanë popullsi të rëndësishme këtu, në pellgun e Drinës.
Megjithëse këto gjallesa në ujëra, pyje, livadhe dhe brigje baltore, shpesh mbeten të padukshme për syrin e çdoditshëm të njeriut, ato formësojnë lartësitë, thellësitë dhe përmasat e ekosistemeve të Drinës, rrënjët e të cilit janë shumë më të moçme sesa konceptimi njerëzor i Podrinjes si rajon.
Megjithatë, dora e njeriut e ka ndryshuar rrënjësisht lumin. Digat prej betoni për prodhimin e energjisë, përcaktojnë rrjedhën e lumit Drina dhe jetën e pasur biologjike në të. Simbolika e lumit dhe pozita e tij strategjike kanë qenë element kyç i dhunës territoriale gjatë luftës, ndërsa thellësitë e fshehta të tij, kanë ndihmuar të mbulojnë krimet kundër njerëzimit. Lidhjet shoqërore të ndërlidhura fort me jetën pranë lumit në rajonin e Podrinjes, po zhduken dalëngadalë. Krejt këto kanë shkaqe globale, rajonale dhe kombëtare; megjithatë, vetëm ndjekja e rrjedhës së lumit dhe jetët e shumta përgjatë tij, mund ta nxjerrin në pah marrëdhënien e ndërlikuar mes tyre dhe të na bëjnë t’i imagjinojmë të ardhmet e tyre të pasigurta.
Me gomone poshtë Drinës
Përshkojmë rrjedhën e Drinës tri kilometra më poshtë, në fshatin Bastasi. Mëngjesi i atij korriku të vitit 2022 veç ka nisur të nxehet e rëndohet dhe Mila sapo ka hipur në një gomone raftingu. Ajo studion në një universitet në Beograd, por gjatë verës kthehet në Podrinje, si shumë prej bashkëmoshatarëve të saj.
Fshati Bastasi i komunës së Foča, përbëhet kryesisht prej kampeve të raftingut përgjatë Drinës. Sot, ky fshat shënon pikënisjen e një ngjarjeje të quajtur “Drinska Avantura” (shqip: Aventura e Drinës), ku 40 gomone lundrojnë së bashku përgjatë shtratit të kaltër në të gjelbër të Drinës. Secila përshkon rrjedhën 18-kilometërshe gjarpërore të Drinës, për të arritur në qytetin Foča, rreth tetë orë më vonë. Dy nga ato gomone janë të Milës dhe shoqërisë së saj, një grup të rinjsh e të rejash kah fundi i adoleshencës dhe fillimi i të njëzetave, që të gjithë të rritur në Foča. Disa punojnë ose ende ndjekin shkollën në qytet, ndërsa të tjerët studiojnë në vende të ndryshme në Bosnjë e Hercegovinë dhe Serbi.
Jam i vetmi që nuk bëj pjesë në asnjërin grup; ndonëse jam shok i Milës, zakonisht më njohin si ai holandezi që po shkruan një tezë diplome në shkencat politike për përditshmërinë e rinisë në Foča. Megjithatë, atë ditë, drejtova gomonen, këndova, piva, u hodha në lumin Drina dhe u zhyta thellësisht nëpër rrëketë e bardha të lumit, (gati) si bashkë-rafistët e mi. Vetëm kur dola në sipërfaqe, pasi kisha gëlltitur ujin e goditjeve të atyre rrëkeve, u shfaq një tension.
Si mund të bashkëjetonin identitetet e thella lumore të shokëve e shoqeve të mi/a, me mbeturinat, që i njëjti vrull uji i përplaste në mua? Si ndërveprojnë gjeneratat e tëra, të lidhura me këtë lum, me planet për ndërtimin e digave përgjatë Drinës dhe degëve të tij? Si mund të harmonizohej ky gëzim i paprekur lumor i banorëve të një qyteti, me historitë e pazgjidhura të burrave myslimanë të vrarë, që u zhdukën në të njëjtin lumë në vitet e ’90-a?
Nuk ua imponova bashkë-rafistëve të mi mendimet e një shkencëtari politik me rroba larjeje, as nuk besoj se këto ndërlikime të jetës në Podrinje mund të harmonizohen apo përputhen aq lehtësisht në radhë të parë. Kryesisht, vendimi për t’iu bashkuar grupit të Milës për ta përshkuar lumin Drina, e nxori në pah lidhjen e domosdoshme mes qenieve njerëzore dhe lumit, i cili, ndonëse jo-njeri, është po ashtu i gjallë.
Megjithëse i shkruar në kryeqytetin e Australisë, Canberra, ky artikull pasqyron angazhim nga afër me Foča, Podrinje, njerëzit e saj dhe mjediset natyrore, që ka nisur që nga viti 2017. Pjesë të rëndësishme të tij bazohen në hulumtimet akademike në terren, të zhvilluara mes viteve 2021 dhe 2022, si pjesë e një projekti kërkimor për doktoratë në Universitetin e Liverpool, Mbretëri e Bashkuar, mbi politikën e peizazhit në Bosnjën lindore. Kërkimi është mbështetur financiarisht nga një bursë doktorature e po atij universiteti.
Të gjithë/a të rinjtë dhe të rejat nga Foča që shfaqen në këto faqe janë pajtuar të marrin pjesë në këtë kërkim. Për të siguruar anonimitetin (siç kërkohet për një projekt kërkimor), ata kanë zgjedhur vetë pseudonimet e tyre. Intervistat janë zhvilluar në gjuhët boshnjake/kroate/serbe. Teza e doktoratës, e titulluar “Prodhimi i peizazheve të hareshme, të dhunshme dhe të munguara: Të ecësh me të rinjtë dhe politikën në Bosnjën lindore”, u mbrojt me sukses në qershor të vitit 2024.
Banorët e Podrinjes janë të lidhur ngushtë me Drinën dhe degët e tij. Lumi dhe njerëzit kontrollojnë në mënyrë të ndërsjellë ekzistencën dhe veprimet e njëri-tjetrit; sfidat dhe mundësitë e jetës formësohen nga kjo marrëdhënie. Marrë për bazë shumësinë e sistemeve sociopolitike dhe biodiverse përgjatë 346 kilometrave të Drinës, ky rrëfim është i vendosur në rrjedhën e sipërme të lumit — Gornje Podrinje (Podrinje e Epërme), konkretisht atje ku lumi takohet me qytetin Foča, në entitetinRepublika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës. Drina buron në këtë komunë, në bifurkacionin e lumenjve Piva dhe Tara, në kufi me Malin e Zi, dhe në territorin e saj bashkohet me 16 degë të tjera.
Kam vendosur qëllimshëm ta paraqes Drinën si protagonist të këtij rrëfimi. Rrëfimtarët prej kohësh kanë shkruar dhe menduar për botë të ndryshme, në të cilat njerëzit nuk janë në qendër të rrëfimit. Vitet e fundit, shkrimtarë/e si Kapka Kassabova dhe Faruk Šehić u kanë dhënë zë lumenjve, kafshëve dhe bimëve të Ballkanit, që ata të flasin me njerëz; atyre u bashkohen edhe studime akademike për lumenjtë dhe dashurinë në Bosnjë e Hercegovinë, fermat e kafshëve në Kroaci dhe shqetësimin që sjellin çakenjtë në Beograd.
Lumi rrjedh, pikëlon, kapërcen kufijtë, tërhiqet, zbulon, mbulon, ngroh dhe ngrin. Pavarësisht paaftësisë sonë të përhershme për ta kuptuar, e aq më pak për t’i përshkruar me fjalë të gjitha aktivitetet e këtij ekosistemi lumor, ajo që vijon në këtë artikull është një rrëfim për lumin Drina dhe njerëzit rreth tij.
Fuqia e lumenjve
Në atë ditë të ngjarjes “Aventura e Drinës”, lumit iu deshën mbi tetë orë për të na çuar në qytetin e lindjes së grupit me të cilin isha, në Foča, 18 kilometra më poshtë. Ritmi ynë u ngadalësua ndjeshëm gjatë ditës, teksa rritej niveli i shakave, të nxitura nga alkooli e rrezet e diellit.
Në fillim, Drina është lumë gjarpëror dhe me rrjedhë të shpejtë, që përshpejtohet nga rrëketë dhe segmentet e ngushta. Shtrati i lumit fillon e drejtohet dhe zgjerohet kur i afrohet qytetit të Brodit, ku bën edhe kthesën e fundit të gjerë për të vazhduar drejt Fočës. Vendin e pemëve, që rriten në majat shkëmbore të pjerrëta, e zë betoni anësor mbrojtës i autostradës M20 drejt Sarajevës. Në dukje i patrazuar, lumi përthith ndërhyrjet urbane në Foča: një pompë benzine, të ndërtuar së fundmi, një urë e verdhë që u mundëson veturave dhe këmbësorëve kalimin mbi lumë, dhe pishinën e Komunës, që shpërfaq krenarisht ujin e saj të filtruar me klor.
Menjëherë pas parkut të pishinës, Drina mirëpret degën e saj të djathtë, Ćehotinën. Ćehotina futet në qendër të Fočës nga zonat pyjore, shumë pak të populluara në lindje, para se të bashkohet me Drinën. Në këtë bashkim lumenjsh, Foča bëhet “qyteti mes dy lumenjsh” — nofkë e zakonshme ndër banorët e Fočës, që vë në pah ndjenjën e veçantisë së qytetit, krahasuar me fqinjët e saj në Podrinje.
Mila dhe shoqëria e saj e krahasojnë Fočën me Višegradin, për shembull, me urën e tij që është pjesë e listës së UNESCO-s dhe pret vizitorë nga e gjithë bota. Miloši thotë se Višegrad është “i vdekur”, ndërkaq bukuria e bashkuar e lumit Drina dhe Ćehotina “na obligon të kujdesemi për to”. “Foča nuk do të ishte Foča, pa Drinën dhe Ćehotinën”, shton Dorijan.
Drina dhe Ćehotina dallojnë thellësisht, në shumë aspekte: cilësia e ujit, thellësia, temperatura, rryma, aroma, madje edhe personaliteti. Këto dallime shihen më së miri pikërisht në këtë bashkim lumenjsh. Srđan thotë se është e zakonshme që banorët të lahen në mes të bashkimit, për ta përjetuar ndjenjën kur “njëra pjesë e trupit ngrin, ndërsa pjesa tjetër është e ngrohtë”. Edhe në ditët e nxehta të verës, uji i Drinës nuk e kalon temperaturën prej 13 gradë Celsius, gjë që, siç më thotë Dorijan, vjen nga fakti se ky ujë buron nga liqeni Piva, një rezervuar malor që arrin deri në 190 metra thellësi.
Ćehotina është miqësor, i qetë, një lumë që të fton ta mësosh notin, plazhin pranë të cilit mund ta shfrytëzosh deri në perëndim të diellit. Drina, për dallim, është e kundërta, lum i egër dhe i paprekur, një qenie që nuk mund të zbutet lehtë. Srđan ka parë vidra duke notuar në Drinë, kafshë që dëshmojnë pastërtinë e lumit.
Infrastruktura e notit në lumin Ćehotina është më e zhvilluar sesa në lumin Drina, pasi Ćehotina ofron plazhe urbane, që do t’i vizitojmë më vonë. Ditët përvëluese të verës e bëjnë Drinën opsion më tërheqës për t’u hedhur në ujë, edhe pse, ndoshta jo për ata me zemër të dobët; Laura më tregon se si ajo dhe shoqëria e saj organizonin gara për ta parë kush guxonte të hidhej i pari në ujin e thellë, të notonte deri në mes të lumit dhe pastaj të qëndronte aty më gjatë.
Mila, me të cilën isha në gomone, bën me gisht drejt një shkëmbi, i cili gjithashtu shërben si vend për t’u hedhur: “Sa ishim në shkollë fillore, gjithë verën e kalonim aty, për çdo ditë. Tërë ditën jashtë, 45 gradë, nuk e di si e përballonim, por shkonim gjithsesi. Më pëlqen kur uji është i ftohtë. Mendoj se, nëse uji është i ftohtë, atëherë duhet të jetë i pastër”.
Shpesh kam ndier se ndaj ujërave të Drinës ekziston një nderim posaçërisht të kujdesshëm; lumi është i rrezikshëm dhe i paparashikueshëm. Vëllimi dhe rrjedha e tij rriten ndjeshëm në fillim të pranverës dhe lumi bëhet edhe më i egër gjatë majit. Në dimër, rreziku nga përmbytjet shtohet, dhe pamjet e freskëta të lumit Drina kur del nga shtrati, janë të ngulitura në mendjet e shumë prej bashkëbiseduesve të mi. Stefan kujton një ngjarje së fundmi, kur lumi Tara — burimi i lumit Drina — desh e përpiu një raftist, gjë që e bëri ta kuptojë natyrën e lumit dhe nevojën për të pasur gjithmonë drojë dhe kujdes ndaj natyrës. Lumenjtë i kanë viktimat e tyre, ai thotë.
Në këngën “Dvije su se rijeke zavadile” — “Dy lumenj u përleshën” — një këngë popullore boshnjake, e njohur si sevdalinka, Zehra Deović nga Foča e lejon lumin Drina të rroket me Ćehotinën. Është një rrëfim për dy motra: Ćehotina e turbullt i kërkon Drinës së ftohtë ta presë atë dhe një dashuri të përbashkët. Temperamenti i lumenjve në këtë këngë pasqyron një ngjarje të veçantë nga fillimi i shekullit XVIII, kur të dy lumenjtë dolën nga shtrati dhe përmbytën mbi 200 shtëpi në Foča. Lumenjtë kanë dalë nga shtrati, kanë kërcënuar dhe kanë formësuar trupat dhe mendjet e njerëzve për shumë shekuj me radhë.
Një thënie në boshnjakisht (kroatisht/serbisht) thotë se Drina gjarpërore nuk drejtohet dot, duke aluduar në forcën e paprekshme të natyrës mbi njerëzimin. Megjithatë, janë bërë shumë ndërhyrje për ta drejtuar lumin dhe degët e tij, kryesisht përmes përpjekjeve për të gjeneruar energji hidroelektrike nga rrjedhat e stuhishme të ujit.
Njëra nga këto përpjekje ka prekur lumin Bjelava, një degë e lumit Drina, rreth nëntë kilometra në rrjedhën e sipërme nga qendra e Fočës, aty ku ai çan pyje të dendura me shtog, ah dhe lis.
Në vitin 2018, Gordan Pavlović, njëri nga investitorët kryesorë në Foča, nënshkroi një marrëveshje koncesioni me Ministrinë e Energjisë dhe Minierave të Republikës Srpska, për ndërtimin e një numri hidrocentralesh të vegjël përgjatë lumit Bjelava. Ndryshe nga digat tradicionale ujore dhe rezervuarët e tyre masivë, digat e vogla mbështeten në ujin që rrjedh, duke kërkuar kështu modifikime të konsiderueshme të shtratit të lumit dhe brigjeve të tij. Edhe pse promovohen si qenësore për tranzicionin në energji të pastër dhe të gjelbër, hulumtimet tregojnë se hidrocentralet e vegjël janë joefikasë në prodhimin e energjisë dhe dëmtojnë në mënyrë të pabarabartë ekosistemet e brishta të rrjedhave të vogla ujore.
Në fillim të vitit 2020, Pavlović nisi të ashtuquajturat punime përgatitore në Bjelava. Edhe pse ligjet mjedisore në Republikën Srpska janë pak dhe të dobëta, ishte e qartë se Pavlović nuk kishte të drejtë të ndërtonte diga. Marrëveshja e koncesionit nuk përfshinte leje ndërtimi. Pavlović gjithsesi futi lopatën në tokën e Bjelavës, duke përfituar plotësisht nga paraliza institucionale dhe protestuese, për shkak të izolimit gjatë COVID-19.
Me nënshkrimin e Marrëveshjes së Paqes së Dejtonit, në vitin 1995, Bosnja e Hercegovina u nda me kushtetutë, në dy njësi qeverisëse nën-shtetërore: Federata e Bosnjë e Hercegovinës dhe Republika Srpska, së bashku me Distriktin e Brčkës. Qyteti i Foča ndodhet në Republikën Srpska, ashtu si edhe shumica e Podrinjes: nga 346 kilometrat e saj, lumi Drina kalon vetëm 25 kilometra përmes Federatës. Qëllimi i dhunshëm i udhëheqjes serbe dhe asaj të serbëve të Bosnjës për ta krijuar një “Serbi të Madhe”, nuk rezultoi në një shtet sovran, por mënyra se si u strukturua Bosnja e Hercegovina pas luftës, ende i pranon kufijtë e territorit që ia morën me forcë.
Shkencëtarët politikë kanë analizuar se si Republika Srpska përpiqet të veprojë si akter shtetëror sovran, një para-shtet që pretendon t‘i përfaqësojë serbët në Bosnje. Kjo gjendje e paqëndrueshme e ekzistencës — e paaftë për të siguruar njohje ndërkombëtare, por e pajisur me kompetenca të gjera nën-shtetërore — ka rezultuar veçanërisht problematike kur bëhet fjalë për pretendimet mbi lumin Drina. Në parim, Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Ujërave e Republikës Srpska ka juridiksion mbi ujërat brenda territorit të saj. Megjithatë, në vitin 2020, marrëveshja e saj me Serbinë për shfrytëzimin hidro-ekonomik të lumit Drina u shpall antikushtetuese nga Gjykata më e lartë e Bosnjë e Hercegovinës, pasi njësitë nën-shtetërore nuk kanë të drejtë të ndërhyjnë në kufijtë sovranë të shtetit — në këtë rast, lumin Drina si kufi natyror mes vendit dhe Serbisë.
Studimet rreth ndikimit mjedisor, inspektimet hidrologjike dhe konsultimet e mjegullta publike filluan vetëm pas protestave të qytetarëve dhe padive ligjore. Bjelava është njëri nga shumë lumenjtë në Bosnjë e Hercegovinë, rrjedha e të cilëve është prishur. Në verën e vitit 2024, ndërtimi i rrezikshëm i digave në lumenjtë Una dhe Neretva u urdhërua të ndalet, duke i shpërblyer përpjekjet e palodhura dhe të pandërprera të aktivistëve/eve vendas/e për mbrojtjen e lumenjve.
Ndërtimet në Bjelava janë pezulluar po ashtu, por me studimet rreth ndikimit, që ende po zhvillohen, mbeten pasiguri. Megjithatë, dëmi mjedisor tashmë është shkaktuar.
Retë e dendura burokratike të pjesëmarrjes qytetare dhe proceset gjyqësore shpërndahen vetëm kur ecën përgjatë brigjeve të lumit Bjelava. Punimet përgatitore e kanë dëmtuar rëndë lumin: një rrugë e gjerë e pa shtruar e përshkon pyllin e mbetur, brigjet e lumit janë gërmuar thellë, tuba të mëdhenj rrinë varur dhe rrjedha natyrore e mëparshme është devijuar nga hedhja e tonelave të dheut. Këto janë përpjekjet shkatërruese të Pavlović për ta zbutur lumin.
Në tetor të viti 2024, Pavlović mori leje koncesionesh edhe për tri diga të vogla hidroelektrike në lumin Ćehotina, duke i shtuar numrit prej 411 centralesh, që janë në ndërtim ose në planifikim në gjithë Bosnjë e Hercegovinën që nga viti 2022.
Për disa, lumenjtë janë miniera të lëngshme ari; rrjedhat e tyre janë lidhje politike drejt qendrave lokale dhe kombëtare të pushtetit. Por kur dëgjojmë gurgullimën e lumit, marrim frymë dhe thithim ajrin e pastër të pyllit, mund t’ia kujtojmë vetes se Bjelava, që rrjedh drejt lumit të madh Drina, është më shumë sesa një imagjinatë ekonomike; është vendtakim i jetës natyrore dhe ekzistencës socio-kulturore.
Drina si kufi i dhunës
Gjatë shekullit XX, Drina u instrumentalizua si simbol natyror i kombit, në mbështetje të pretendimeve territoriale të dhunshme. Në vitet e ’30-a, udhëheqësit fashistë të Ustashëve shpiknin teori për një zgjerim të vendlindjes së tyre kroate drejt Podrinjes, me lumin Drina si fortesa më lindore katolike kundër ortodoksisë — një mit që vazhdoi të mbahej gjallë edhe pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore.
Edhe më herët, lumi ishte shndërruar në simbol të sakrificës serbe pas një fushate të suksesshme ushtarake gjatë Luftës së Parë Botërore në Podrinje, kundër forcave austro-hungareze. Në këngën “Marshi në lumin Drina”, lumit i kërkohet të këndojë, t’i kujtojë ushtarët e rënë që e kthyen lumin e ftohtë në një rrjedhë të përgjakur dhe “dëbuan të huajt nga lumi ynë i dashur”.
Është ky imazh i dyfishtë i lumit Drina, si kufi dhe si burim jete, që është kultivuar në mitologji, ku bashkëdyzohen imagjinata kulturore dhe projekte politike vrastare. Që nga vitet e ’80-a, lumi zuri vend qendror në projektin nacionalist të Serbisë së Madhe dhe, si i tillë, u bë themel i dhunës masive që u ushtrua ndaj boshnjakëve myslimanë në pellgun e lumit Drina gjatë dekadës që pasoi.
Për udhëheqësinë serbe dhe atë të serbëve të Bosnjës, Drina nuk duhej të ekzistonte më si kufi mes Serbisë dhe Bosnjë e Hercegovinës. Kur në vitin 1992, Republika Srpska u shpall nën kontrollin e serbëve të Bosnjës, presidenti serb, Slobodan Milošević deklaroi se Drina ishte shtylla kurrizore e kombit, boshti qenësor i një anatomie kombëtare serbe. Elita politike e Republika Srpska e konceptoi trupin serb ndryshe, duke e konsideruar lumin si kanal frymëmarrjeje, që lidhte dy mushkëritë. Por, qoftë si mushkëri apo si skelet kurrizor, Drina ofroi rrjedhën dhe lidhjen natyrore të jetës së serbëve në të dy anët e shtratit të saj.
Shumë shpejt pas kësaj, partneriteti mes miteve nacionaliste për natyrën dhe dhunës territoriale u bë realitet. Në maj të vitit 1992, udhëheqësia politike e serbëve të Bosnjës e shndërroi pretendimin për ta rikthyer trupin ekskluzivisht serb natyror në synime të deklaruara ushtarake. Njëri nga synimet kryesore ishte krijimi i një “korridori të lumit Drina”, për t’i bashkuar tokat dhe popullsinë e supozuar serbe të ndarë nga Drina. Udhëheqësit ushtarakë të serbëve të Bosnjës e kuptuan qartë çka i binte kjo, se ky bashkim nënkuptonte shfarosjen e dhunshme të banorëve myslimanë boshnjakë të Podrinjes. Lumenjtë Una dhe Neretva boshnjake duhej t’i formonin kufijtë e jashtëm të tokave të reja serbe.
Në muajin paraardhës, miti politik i një Drine serbe ishte vënë në veprim me dhunë përgjatë 350 kilometrave të lumit. Më 1 prill 1992, forcat e armatosura të serbëve të Bosnjës filluan rrethimin e Bijeljinës, më 8 prill të Fočës dhe Zvornikut, më 13 prill të Višegradit, më 18 prill të Srebrenicës dhe më 2 maj të Goražde. Këto qyteza, përveç vendndodhjes së përbashkët në Podrinje, të gjitha përbëheshin nga një shumicë e popullsisë myslimane boshnjake.
Studiuesja Edina Bećirević ka dëshmuar se këto sulme përfshinin muaj të tërë përgatitjesh logjistike dhe komunikimi ndërmjet udhëheqësisë politike në Bosnje dhe Serbi — politikanëve vendas të Partisë Demokratike Serbe (SDS) — dhe komandantëve ushtarakë nga Ushtria Popullore e Jugosllavisë (JNA), e koordinuar nga Beogradi, si dhe ushtrisë së serbëve të Bosnjës. Ky koordinim i dokumentuar i dhunës masive është argumenti më i rëndësishëm për ta rrëzuar narrativën popullore të sotme në Republika Srpska dhe Serbi, e cila e interpreton luftën në Bosnje si konflikt kaotik hakmarrjeje prej të gjitha anëve.
Pasi udhëheqësit serbë të Bosnjës morën nën kontroll Fočën, në prill të vitit 1992, filloi shtypja. Fillimisht, myslimanëve boshnjakë nuk u lejohej të shkonin në punë. Kjo përshkallëzoi shpejt në shkatërrim pronash, arrestime dhe rrëmbime të civilëve boshnjakë. Ata që patë ndonjë mundësi, u larguan nga qyteti, por jo të gjithë ia dolën të iknin.
Në të gjithë komunën u ngritën qendra mbajtjeje, ku njerëzit u përballëm me kushte çnjerëzore, torturë dhe dhunë seksuale. Qendra për Kërkim dhe Dokumentim — një organizatë joqeveritare që më parë dokumentonte krimet e luftës gjatë luftës në Bosnje, ndërsa sot është jo-funksionale — erdhi në përfundim se gjithsej 2,707 persona u vranë në Foča gjatë luftës, prej të cilëve 1,515 ishin civilë boshnjakë. Shumë prej tyre u zhdukën në thellësitë e ftohta dhe rrëmbyese të lumit Drina. Të mbijetuarit ende kërkojnë më shumë se 500 burrat e zhdukur të Foča.
Shkalla e dhunës seksuale në Foča mund të vlerësohet vetëm përafërsisht. Nuk ekzistojnë statistika të sakta për numrin e viktimave vetëm në Foča, por dihet se qendrat e mbajtjes funksionuan gjatë gjithë vitit 1992, deri në shkurt të vitit 1993. Më shumë se 10 burra janë dënuar për përdhunim gjatë luftës nga Tribunali Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë (ICTY) dhe nga gjykatat boshnjake, me dënime që variojnë nga tetë deri në 34 vite burgim.
Dënimet u bazuan në shumë dëshmi të vajzave dhe grave boshnjake myslimane nga Foča. Ato që u mbajtën në shtëpi banimi të shpërndara nëpër qytet i kanë të freskëta kujtimet tek e dëgjonin “Marshin në lumin Drina”, himni ushtarak që e paraqiste lumin si rrjedhë e përgjakur, prej të cilit duhej dëbuar i huaji; sa herë që himni transmetohej përmes altoparlantëve të xhamisë, dhuna seksuale niste sërish.
Forca e lumit Drina si në vdekje, ashtu edhe në energji elektrike
Drina përpiu viktima boshnjake myslimane të krimeve të luftës në të gjithë Podrinjen gjatë Luftës së Dytë Botërore, dhe e bëri të njëjtën në vitet e ’90-a. Kryerësit e krimeve e dinin se Drina, e stuhishme dhe rrjedhëse, do t’i fshihte trupat, dhe e dinin se të gjitha qytetet e Podrinjes lidheshin përmes saj. Një komandant ushtarak në Višegrad u tha viktimave të tij: “Do t’ju therim dhe do t’ju hedhim në lumin Drina, që të notoni deri në Žepa. Do t’iu tregojmë qytetarëve të Žepa se çfarë jemi në gjendje të bëjmë ne, në Višegrad”, duke iu referuar një qyteti më poshtë rrjedhës, i cili shumë shpejt do të spastrohej etnikisht po ashtu. Thellësitë natyrore të lumit Drina e bëjnë të pamundur të dihet saktë numri i vrasjeve në lumë, por raportet kanë treguar se kjo ishte praktikë e zakonshme, veçanërisht në Višegrad dhe Foča.
Vetëm herë pas here Drina i liron të vdekurit e vet — dhe vetëm aty ku njerëzit kanë tentuar ta zbusin lumin. Pak më poshtë rrjedhës së Višegrad, gjendet Perućac, një liqen artificial në lumin Drina, i krijuar nga ndërtimi i një dige të madhe hidroelektrike. Në vitin 2010, liqeni u zbraz kur ishte e nevojshme të riparoheshin turbinat e digës, gjë që nxori në sipërfaqe qindra mbetje mortore, prej të cilave 163 u identifikuan përmes analizës së ADN. Mbetjet u përkisnin boshnjakëve myslimanë nga e gjithë Podrinje, përfshirë Višegradi dhe Foča. Zhvarrosjet në liqen u kryen nxitimthi dhe mbetën të papërfunduara, pasi kompania hidroelektrike bënte presion që ta mbushte sërish liqenin.
Vetëm disa kilometra më poshtë nga vendi ku Mila, shoqëria e saj dhe unë filluam të lundronim me gomone për në “Aventurën e lumit Drina”, diga hidroelektrike “Buk Bijela” ka qenë e planifikuar të ndërtohej, që nga fillimi i viteve të ’70-a. Pasuan dekada planifikimesh, ndërlikimesh mjedisore e kredish të dështuara, derisa në vitin 2021, u vu gurthemeli nga kryeministri i Republika Srpska, Radovan Višković dhe Ana Brnabić, atëkohë kryeministre e Serbisë, që ishte një nga investitorët kryesorë. Që atëherë, ndërtimi është ndërprerë për shkak të mungesës së fondeve dhe studimeve të papërshtatshme lidhur me ndikimin mjedisor. Në një gjendje pasigurie pritjeje, ngjashëm me atë që Pavlović ka krijuar në Bjelava, qytetarët boshnjakë të Fočës druajnë se betonizimi i lumit Drina në këtë pjesë, do ta bëjë të pamundur t’i gjejnë ndonjëherë familjarët e tyre të zhdukur.
Gjatë luftës, “Buk Bijela” u përdor si vend ekzekutimi dhe, në vitin 2006, u gjetën mbetjet mortore të 43 burrave nga Foča. Betonizimi i shtratit të lumit do ta përcaktonte përfundimisht fatin e çdo trupi të fshehur në “Buk Bijela”, por autoritetet e Republikës Srpska, nxitësit e këtij projekti hidroenergjetik, duket se nuk e kanë ndërmend të ndërmarrin ndonjë operacion kërkimi.
Drina vazhdon t’i përpijë ata që janë politikisht të margjinalizuari dhe kapitalistët e gjelbër të hidroenergjisë vazhdojnë të përpiqen ta zbusin atë. Rasti i “Buk Bijela” ilustron problemet e Fočës me degradimin kapitalist të mjedisit dhe me trashëgimitë e shtypura të dhunës. Foča, dhe Podrinja në tërësi, është komunitet lumor, ku takohen vdekja në lumë dhe nacionalizmi vrastar. Botët në të cilat uji është jetë, ku lumi përcakton rrjedhën e së kaluarës, së tashmes dhe së ardhmes, udhëhiqen nga forcat dialektike.
Braktisja si zgjedhje politike
Ngjitja e një rruge të shkurtër dhe të pjerrët nga ura e verdhë e Fočës mbi Drinë, të çon te një ndërtesë dy-katëshe e periudhës austro-hungareze, me një fushë të vogël përpara. Nga skaji i rrethuar i fushës, shpaloset një pamje e gjerë e qendrës së qytetit, lumit Drina dhe kodrave përreth. Gjatë shëtitjeve tona nëpër qytet, shoqëria ime dëshirojnë të më sjellin këtu, jo thjesht për t’i shijuar pamjet, por edhe për të ma treguar potencialin e humbur të një vendi të tillë, për rininë e Fočës.
Në pikun e verës, barishtet dhe lulet e egra lulëzojnë, duke mbuluar të gjithë fushën, përveç një pjese të zbrazët, me pllaka në mes. Një kosh i vetëm plehrash ngjitur në rrethojë dhe këmbët e betonizuara të një stoli, që është shkatërruar, janë dëshmi se kjo nuk është më një fushë për të kaluar kohë e për t’u shoqëruar.
Gjatë luftës, ndërtesa pranë fushës, e njohur nga vendasit si “Partizan”, ishte vend ku gratë dhe vajzat boshnjake nga Foča u mbajtën të burgosura dhe përjetuan tortura, përdhunime dhe forma të tjera të dhunës seksuale. Këto krime u kryen në zemër të komunitetit të qytetit. Seancat gjyqësore të Tribunalit Penal Ndërkombëtar për ish-Jugosllavinë tregojnë për përfshirjen e afërt të ushtrisë së Republikës Srpska, udhëheqësisë politike vendore dhe forcave policore të Fočës.
Sot, ndërtesa e “Partizanit” strehon shoqatat e pingpongut, vetëmbrojtjes dhe arteve në Foča. Harresa e ka përpirë dhunën. Gjatë njërës prej vizitave të mia, një trëndafil i bardhë rrinte i vetëm mbi shkallët e ndërtesës — kujtesë e vetme e ceremonisë përkujtimore vjetore të krimeve të luftës, që ishte mbajtur disa javë më parë. Pas aktivitetit te “Partizani”, anëtarët e Shoqatës së Viktimave të Luftës “Foča 92–95”, ecin drejt urës mbi lumin Drina, ku hedhin qindra trëndafila të bardhë në lumë, për ta shënuar humbjen e burrave boshnjakë, që ende janë të zhdukur. As kryetari i komunës së Foča, as ndonjë përfaqësues tjetër politik lokal apo kombëtar nuk shprehën gatishmëri të merrnin pjesë në ngjarje, duke e vendosur ceremoninë përkujtimore në periferi të peizazhit politik të Fočës.
Autoritetet lokale e mirëmbajnë boshllëkun politik dhe shoqëror të fushës mbi lumin Drina. Persona të ndryshëm kanë hasur në rezistencë kur kanë tentuar ta adresojnë potencialin e tij. Që në vitin 2004, Shoqata e Grave Viktima të Luftës kërkoi ndërtimin e një monumenti për viktimat e “Partizanit”, por kjo u refuzua nga kryetari i atëhershëm i komunës, Zdravko Krsmanović, me arsyetimin se vuajtjet i kishin përjetuar të gjitha palët. Po atë vit, një monument lufte që nderon vuajtjet e “mbrojtësve” serbë të Fočës u ngrit në qendër të qytetit.
Së fundmi, një grup të rinjsh nga Foča aplikoi për një buxhet pjesëmarrës — i financuar nga Organizata Ndërkombëtare për Migrim dhe Ambasada Britanike — për t’ia rikthyer gjallërinë fushës së “Partizanit”. Propozimi i tyre përfshinte vendosjen e ulëseve në park dhe ndriçimin, mbjelljen e pemëve dhe bimëve, si dhe riparimin dhe lyerjen e portës hyrëse. Për më tepër, duke pasur përvojë në realizimin e grafiteve, grupi kishte propozuar që parku i rinovuar të dekorohej me murale që, siç thuhej në projekt, përçonin mesazhin e “paqes dhe miqësisë”. Buxheti ishte pjesë e një thirrjeje publike dhe nuk i mori votat e mjaftueshme. Në vend të tij, u përzgjodh një projekt për parandalimin e diabetit.
Të rinjtë vendas, viktimave myslimane boshnjake të fushatës shkatërruese të Republika Srpska në Foča e as dhunës që ndodhi në vendin e “Partizanit”, nuk u referohen kurrë në emër. “Paqe dhe miqësi” është motoja e një të ardhmeje të papërcaktuar, të cilën, të rinjtë e Bosnjës kanë mësuar ta përdorin si rezultat i ëndrrës së komunitetit ndërkombëtar për pajtim ndëretnik pas konfliktit. Fakti që Stefan mendon vetëm për shoqëri dhe turistë që vijnë për aventura, kur thotë se “lumenjtë i kanë viktimat e tyre” është rezultat i pritshëm i mohimit të krimeve të luftës nga ana e Republika Srpska, përmes sistemit arsimor, medies dhe jetës publike.
Stolat e thyer, lulet e egra që lulëzojnë dhe refuzimi për t’i përkujtuar boshnjakët e zhdukur të Fočës, janë të gjitha forma të një braktisjeje aktive; shpërfillja si zgjidhje politike për të mos u ballafaquar as me trashëgiminë e dhunës masive dhe as me të ardhmen e pasigurt të të rinjve vendas.
Gëzimi rinor dhe e ardhmja e lumenjve
Një ditë verore për rininë e Fočës, kalohet në një plazh buzë lumit. Drina dhe Ćehotina karakterizohen nga plazhe të panumërta e të vogla, kupalište: me guralecë ose rërë, të vendosura në zemër të një lagjeje apo të fshehura nga rruga, në qendër të qytetit apo vetëm disa minuta me veturë jashtë tij. Çdo plazh ruan një rrëfim të ri. Një plazh i vogël pranë stadiumit komunal është vendi ku breza të tërë kanë mësuar notin për herë të parë.
Më herët, Mila përmendi një shkëmb të madh, vend i njohur për t’u hedhur në lumë. Plazhi ngjitur me të ishte ndër të preferuarit për shumë njerëz, shpjegon Srđan, dhe gjatë ditëve të nxehta, e gjithë hapësira mbulohej me peshqirë. Popullariteti i tij lidhet kryesisht me vendndodhjen: si plazhi më lindor në qytet, ai përthith rreze dielli deri në 90 minuta më gjatë se pishina komunale pranë lumit Drina. Stojani dhe shoqëria e tij, përndryshe, ecin në këmbë deri në një plazh jashtë qytetit, futen në goma të vjetra të traktorit, të cilat i shfrytëzojnë si rrathë të mëdhenj dhe lundrojnë poshtë lumit deri në qytet — udhëtim, që idealisht, ua merr të gjithë ditën.
Hapja e pishinave të qytetit në vitin 2013 e ka ndryshuar rrënjësisht notin në Foča. Pishinat ua mundësojnë fëmijëve të vegjël ta mësojnë notin pa pasur frikë nga rrjedhat e paparashikueshme të lumit. Ato janë jashtëzakonisht të popullarizuara tek familjet dhe nxënësit gjatë verës dhe mbushen më shumë sesa çdo plazh i lumit. Por, ato nuk duhet të barazuar me plazhet, shprehen miqtë e mi. Uji i pishinës mund të jetë i ngrohtë dhe i ndotur dhe nuk ka shumë vende për t’u fshehur nga dielli përvëlues. Noti në lumë ofron ndjesi të pakrahasueshme: Drina e ftohtë dhe e egër dhe Ćehotina e qetë dhe mikpritëse. “Çdo qytet ka pishinën e vet. Por jo çdo qytet ka një lumë të tillë, me kaq shumë plazhe. Është krejt diçka tjetër. Edhe noti përjetohet ndryshe”, thotë Srđan.
Dallimet e kënaqësisë së të notuarit që solli ndërtimi i pishinave, përjetohen më së miri në bashkimin e lumit Drina të ftohtë dhe tekanjoz, me lumin Ćehotina miqësor dhe me kthesa të buta — pikërisht pas pishinave. Ky bashkim është vend qendror dhe shumë i dashur në qytet; është vendi i Simeon, ku ai ulet, i kthehet diellit dhe e dëgjon lumin.
Këto ditë, ky vend duket disi i shpërfillur. Shtegu i asfaltuar përgjatë pishinave shndërrohet ngadalë në një shteg të mosmirëmbajtur dhe të mbuluar nga barishtet, që të çon drejt bashkimit të lumenjve. Plazhi ndodhet në një rrugë pa krye, ndjesi që përforcohet nga gjendja e përgjithshme e tij. Shtresa bari të shpërndara mbi tokë; mbeturina ushqimesh dhe shishe birre të thyera, janë hedhur përreth. Vendi përdoret herë pas here për të zbritur nga gomonet, por shtegu i zbarkimit është i pjerrët dhe me baltë.
Shoqëria ime shprehin shqetësime serioze lidhur me gjendjen e lumenjve dhe plazheve të tyre. Këto shqetësime pasqyrojnë lidhjen e ngushtë me ujin, ngjashëm me kënaqësinë e pafundme të notit veror. Përveç planeve të afërta për hidrocentrale në Ćehotina dhe Drina, lumenjtë kërcënohen edhe nga forca të tjera.
Miloš e mban mend një plazh shumë të dashur dikur përgjatë lumit Drina — me rërë dhe shumë hije natyrore — që u zhduk për t’ia bërë vendin ndërtimit të një pompe benzine. Kjo, sipas tij, ilustron gjendjen e mjerueshme në të cilën ndodhet ky qytet me lumë, që i lejon një investitori ta “shkatërrojë fëmijërinë e një lagjeje të tërë, e cila edhe ashtu po shuhet. Ai do të fitojë pak para, ndërsa fëmijët nuk do të kenë më ku të mblidhen, më kupton? Në kurriz të ekologjisë. Në kurriz të fëmijërisë së dikujt tjetër”.
Në vitin 2019, Ćehotina papritmas u bë e bardhë dhe një numër i madh peshqish të ngordhur dolën në sipërfaqe të lumit. Shkaku i këtij shkatërrimi doli të ishte shkarkimi i pakontrolluar i ujërave të ndotura industriale, nga një termocentral matanë kufirit me Malin e Zi. Ndotja ka ndikuar negativisht në erën e ujit dhe identitetin si vend për rekreacion. Dhe megjithëse ngritjet e fundit të temperaturës së ujit kanë bërë që një numër i madh i njerëzve t’u rikthehen plazheve të lumit, kjo është shumë e gjasshme t’i paraprijë intensifikimit të pritshëm të thatësirave dhe valëve të të nxehtit në Podrinje, të shkaktuara nga ndryshimet klimatike.
Pavarësisht katastrofave ekologjike dhe kapitaliste, që i lëndojnë lumenjtë, Drina dhe degëzimi i saj, Ćehotina, janë ende të pasura; ato gjarpërojnë përmes pyjeve të Fočës, mund të notosh në to, dhe e bëjnë Fočën atë “qytetin e veçantë mes dy lumenjsh”. Por të rinjtë e të rejat e Fočës i vërejnë ndryshimet dhe humbjet në peizazhet e përditshme të tyre. Uji i lumit humbet kthjelltësinë, peshq të ngordhur dalin në sipërfaqe, lumi humbet erën e tij të freskët, çelet një pishinë, kanaçe të zbrazëta birre mbulojnë plazhet e lumit, një biznesmen vendas ndërton një pompë benzine, një fëmijëri shkatërrohet dhe një lagje shuhet.
Teksa shoqëria ime fliste për këto humbje dhe frikën nga humbjet që mund t’i sjellë e ardhmja, nuk isha çdoherë i sigurt nëse e kishin fjalën për jetën natyrore apo atë njerëzore. Por kur përpiqeshin ta përkufizonin Fočën, ai bëhej qytet i përkufizuar nga Drina dhe Ćehotina si skajet e tij të jashtme, nga mali Maglić si “çatia” e qytetit dhe gjithsej 17 lumenj që përcaktonin madhësinë e tij. Banorët e Fočës janë prirodnjaci, njerëz të natyrës, ose siç u shpreh Dorijan: “thjesht nuk do ta pëlqeje asfaltin po të jetoje me këtë ajër të gjelbër, të bukur, të shëndetshëm përreth”. Ishte e qartë se këto përpjeka për ujë dhe tokë janë, në fakt, përpjeka për jetë — për lumenjtë që rrjedhin, për peshqit, për mundësinë për ta dëgjuar zhurmën e lumit, për ta gjetur një punë sezonale vere në një kamp raftingu, për një fëmijëri plot hare dhe për brezin e ardhshëm të një lagjeje.
Përpjekja për ta shkatërruar degën e lumit Drina, Bjelavën, është njëra nga ato beteja ku ëndrrat hidro-kapitaliste për kontrollin e lumenjve, përplasen me shumëllojshmërinë e jetës njerëzore dhe jo-njerëzore të lumit. Banori i Bjelava, Miloš Vujičić, gjeti fjalët e duhura në një takim konsultativ publik, në mars 2024: “askush nuk ka të drejtë ta marrë lumin, ua garantoj me jetën time. Uji do të rrjedhë, edhe nëse duhet të rrjedhë gjaku me të”. Kjo nuk është shumë larg nga termi jugosllav zavičaj — një ndjesi e mishëruar e lidhjes së thellë, ku njeriu dhe toka nuk mund të ndahen. Zavičaj i Podrinjes u bë shënjestër gjatë viteve të ’90-a, duke çuar në një shkëputje të dhunshme mes myslimanëve boshnjakë dhe lumit.
Përjashtimi i marrëdhënieve me rrjedhën e lumit
Në një pasdite të vonë vere, në vitin 2021, bashkë me Dorijan shikojmë kah fusha e “Partizanit” — vendi që e kemi vizituar më parë dhe që përmbledh braktisjen aktive të kujtimeve të dhunshme dhe mundësive për socializim në Foča. Drina nuk është larg dhe e dëgjojmë teksa gurgullon në shtratin e vet prej gurit gëlqeror, disa dhjetëra metra poshtë nesh. Sytë na rrinë të ngulitur tek stolat e prishur, këmbët tona të fshehura nëpër barishtet e egra që lulëzojnë. Dorijan shpreh keqardhjen për refuzimin e propozimit për rinovimin e fushës nga komuna, të cilin ai dhe shoqëria e tij e kishin dorëzuar.
Këtu, shkatërrimi i stolave në fushë shpërfaq kundërshitë midis jetës së përbashkët mes njerëzve dhe tokës (përfshirë edhe ujin) në Foča dhe në Podrinje. Ka një lidhje të drejtpërdrejtë me shkatërrimin e jetëve të boshnjakëve në ndërtesën e “Partizanit”, muret e së cilës do t’i preknim po t’i zgjatnim krahët, dhe me shfarosjen e burrave boshnjakë në lumin Drina, që rrjedh poshtë nesh dhe përgjatë gjithë shtrirjes së tij prej 346 kilometrash. Është shkatërrim që nuk ndahet nga peshqit e ngordhur, që notojnë në sipërfaqen e Ćehotina, dhe nga dëmtimi i pandreqshëm i shtratit të lumit Bjelava.
Stolat e shkatërruar ndërlidhen me gurgullimën e Drinës dhe me pyetjen se edhe sa gjatë mund të jetojë një banor i Fočës — njeri i natyrës — me atë natyrë, nëse shëndeti i saj kërcënohet nga të gjitha anët. Rrjedha e Drinës lidh kënaqësinë lumore të banorëve të qytetit, me historitë e pazgjidhura të burrave myslimanë të vrarë — një ndërlidhje e ndërlikuar e kënaqësisë dhe dhunës, i ngjashëm me Mesdheun, që është në të njëjtën kohë destinacion i plazheve dhe varr ujor për trupat e emigrantëve me ngjyrë kafe dhe të zezë.
Për t’i kuptuar dimensionet e shumta të boshllëkut në Ballkan, antropologet/ët politike/ë, Larisa Kurtović dhe Ivan Rajković, vërejnë se këto shkatërrime nuk çojnë vetëm në shpërnguljen e njerëzve, por në një dëbim të përgjithshëm të socializimit — një ndjesi se jeta bëhet e pajetueshme, se marrëdhëniet shoqërore nuk lidhen më mes tyre. Ky dëbim është proces i qetë dhe i padukshëm, i shtyrë nga forcat e së kaluarës dhe të së tashmes të shfrytëzimit (hidro)kapitalist dhe mbytjes etnonacionaliste. Siç shkruan Kapka Kassabova për luginën e zbrazët të lumit Mesta në Bullgari, forca të tilla prodhojnë një “trashëgimi rrënuese ekologjike dhe kulturore”. Ato lulëzojnë veçanërisht në zona rurale, periferike, larg vëmendjes së qendrave politike: lugina e Mesta së Kassabova dhe Višegradi, Goražda e Foča të Podrinjes.
Ky dëbim nuk është proces homogjen, që i prek të gjithë njësoj dhe njëkohësisht. Në vitin 1992, forcat serbe të Bosnjës e bënë të pajetueshme një pjesë të madhe të Podrinjes për myslimanët boshnjakë, duke i dëbuar larg lumit Drina ose duke ua marrë jetën në po atë ujë. Nacionalizmi dëbues e mbyti papritmas dhe me dhunë, lidhjen së thellë të komunitetit me Drinën.
Në fushën e “Partizanit”, teksa Dorijan kapet pas fijeve të mbetura të socializimit, pas refuzimit të propozimit, ai thotë: “Ka potencial. Jo vetëm ‘Partizani’, e gjithë Foča. Mund të jetë aq e bukur dhe e këndshme”. Çka po përpiqet të thotë është se, potenciali i Fočës varet po aq nga peizazhi, sa edhe nga njerëzit që jetojnë në të.
Drina përmban në vete jetën dhe vdekjen; kujtimet e papenguara të raftingut veror lulëzojnë krah për krah me barrën e heshtur të jetëve të humbura boshnjake. Lumi është vend i krijimit dhe i shkatërrimit; lidhje unike, të rrënjosura në dashuri dhe kujdes, krijohen mes ujit dhe njerëzve të tij, ndërsa të tjera janë sulmuar dhunshëm nga individët, ideologjitë, buldozerët dhe armët e tyre. Rrjedhat e stuhishme të ujit gjenerojnë energji elektrike, por në kurriz të humbjeve të pakthyeshme të peshqve, bimësisë, depozitimit të karbonit dhe vetë ujit. Si mund të duket e ardhmja e Fočës dhe Podrinjes lumore, kur forca kaq të kundërta përplasen?
Mirënjohje të thellë për Katarina Kušić, Gemma Bird dhe Roderick Witjas, për mendimet dhe sugjerimet e tyre të pazëvendësueshme.
Imazhi i ballinës: Michiel Piersma.
Ilustrimet: Dina Hajrullahu / K2.0.
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.