Në thelb | Ambienti

Lumenjtë e kapur

Nga - 03.08.2020

Qytetarët e Bosnjës mbrojnë lumenjtë e tyre me trupat e vet.

Në fillim të qershorit, në fshatin Parsovići afër Konjic në jugperëndim të Sarajevës, një grup qytetarësh lokalë u mblodhën për t’i penguar fizikisht makinat që ishin nisur drejt shtratit të lumit Neretvica. Në këtë vend, Kompania Publike Elektroprivreda BiH si investitor planifikon të ndërtojë deri në 15 hidrocentrale të vogla. 

Më vonë atë ditë, Parsovićin e vizitoi Edhem Bičakčić, ish-kryeministër i Federatës [së Bosnjës e Hercegovinës] dhe anëtar i partisë më të madhe politike boshnjake, Partia për Veprim Demokratik (SDA), e cila është në pushtet për më shumë se 25 vite. Bičakčić ishte po ashtu drejtor i Elektroprivreda BiH  — kompania e cila tani po investon në kapjen e Neretvicas — dhe vazhdon të jetë konsulent në projektin e Parsovićit. Në të njëjtën kohë, ai është pronar i biznesit të cilit i është besuar blerja e makinerive. 

Qytetarët lokalë e ndaluan gjatë vizitës së tij për t’i thënë të mos kthehet më në Neretvica. 

Në fund të qershorit, shumë organizata ambientaliste ia dërguan një letër të hapur Komunitetit të Energjisë dhe Komisionit Evropian duke i paralajmëruar për shkatërrimin e natyrës në BiH. 

“Fatkeqësisht, veprimet e Komunitetit të Energjisë dhe qasja selektive ndaj udhëzimeve të Bashkimit Evropian i kontribuojnë shkatërrimit të lumenjve të egër, përderisa obligimet e BiH-ut rreth energjisë [së prodhuar] nga burimet e ripërtërishme nuk bazohen në një kornizë më të gjerë të EU-së për mbrojtjen e natyrës”, thuhet në letër. 

“Në mënyrë që të parandalohet keqpërdorimi, që do të mund dhe duhej të parashikohej, obligimet për mbrojtjen e rreptë të natyrës do të duhej të ishin pjesë e detyrimeve për tranzicionin energjetik”, vazhdojnë autorët duke theksuar se Strategjia e BE-së për Ballkanin Perëndimor 2018 nuk përfshin asnjë rekomandim për mbrojtjen e mjedisit. 

Trupat kundër makinave

Aksioni i komunitetit në Parsovići ishte vetëm një nga përpjekjet e shumta të aktivistëve nga BiH dhe rajoni për të shpëtuar lumenjtë dhe për të luftuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Gratë e guximshme të Kruščica-s, që është një komunitet i vogël afër Vitezit në Bosnjën qendrore, ishin ndër të parat që tërhoqën vëmendjen e publikut në BiH rreth kësaj çështjeje. Ato bllokuan qasjen e makinerive në një urë lokale për më shumë se 500 ditë në mënyrë që të ndalonin ndërtimin e dy hidrocentraleve të vogla. 

Pas aksionit të tyre të suksesshëm, duket se publiku i gjerë si dhe njerëzit të cilët jetojnë në luginat e lumit po e kuptojnë se aktivizmi në të vërtetë mund të bëjë ndryshime.

Te lumi Doljanka, njerëzit në fshatrat përreth protestojnë që punët e ndërtimeve të ndalen. Foto nga Zaustavimo gradnju mHE na Doljanki.

Në zonën përreth qytetit të Jabllanicës, anëtarët e komuniteteve lokale përgjatë lumit Doljanka provuan ta bënin të njëjtën gjë, pasi Eko-Vat — një kompani në Jabllanicë që për pronar ka lojtarin e njohur të NBA-së të lindur në Bosnjë, Mirza Teletović — njoftoi për ndërtimin e dy objekteve në Doljanka.

Edhe pse në fillim ndërtimi i hidrocentraleve të vogla në lumin Doljanka u prezantua si fitimprurës për Jabllanicën, banorët e fshatrave përreth shprehën pakënaqësinë e tyre pas nisjes së punimeve, duke provuar që fizikisht t’i ndalnin makinat në terren. Ata u përballën me akuza për pengim të ndërtimeve, të cilat më vonë u hodhën poshtë nga gjykata në Konjic. 

Ata bënë përpjekje të ndalnin ndërtimin përmes veprimeve ligjore duke i kërkuar Gjykatës Kantonale në Sarajevë të anulojë lejen përkatëse mjedisore. Megjithatë, edhe pse në fillim të vitit 2019 rasti u deklarua si emergjencë, ende nuk është mbajtur asnjë seancë. 

Të vetëdijshëm për këtë, aktivistët përcollën zhvillimet dhe shpesh përfunduan në situata të pakëndshme si atëherë kur rojat e investitorit i kërcënuan me dhunë fizike.

Në të gjithë BiH-un, më shumë se 400 hidrocentrale të vogla ose janë në fazën e zhvillimit të projektit, ose në proces të marrjes së lejeve relevante, ose tashmë kanë filluar të ndërtohen.

Hidrocentralet në lumin Doljanka megjithatë u ndërtuan dhe pritet të fillojnë punën sapo të marrin aprovimin nga Komisioni Rregullator për Energji në Federatën e BiH-ut (FERK). Më 23 qershor, FERK i dha statusin e ndërhyrësit shoqatës “Za Doljanku” (Për Doljankan) që nënkupton se do të mund të marrin pjesë në diskutimet para lëshimit të lejes përfundimtare për operim.

Aktivistët që mbronin lumin Doljanka mund të mos kenë pasur sukses në përpjekjen për të ndaluar ndërtimet në lumin që për ta ka kuptimin e jetës — duke iu ndihmuar të mirëmbajnë tokat e tyre dhe duke iu ofruar vende noti ku mund të pushojnë çdo verë — por kanë arritur shumë në vetëdijesimin e njerëzve në Bosnjë e Hercegovinë sa i përket gëzimit të së drejtës për t’u dëgjuar zëri i tyre. 

Pas lumenjve Doljanka, Kruščica, Neretvica dhe atij Bjelava, që shtrihen në afërsi të qytetit lindor boshnjak Foča, ka pasur trysni të madhe nga publiku dhe OJQ-të për rishikim të numrit të madh të lejeve të lëshuara për ndërtimin e hidrocentraleve të tilla. 

Sipas OJQ-së ambientaliste Qendra për Mjedis, në të gjithë BiH-un më shumë se 400 hidrocentrale të vogla ose janë në fazën e zhvillimit të projektit, ose në proces të marrjes së lejeve relevante, ose tashmë kanë filluar të ndërtohen. Gjithsej 106 ndërtime të tilla janë vënë në funksion.  

Ky numër bëhet edhe më i rëndësishëm kur kuptohet se në të gjithë vendin janë gjithsej 244 lumenj.

Aktivistët që luftuan për lumin Neretvica nuk deshën t’i lënë investitorët të shkatërrojnë lumin dhe mjedisin e tyre. Foto nga Pusti me da tečem.

Një arsye e mirë për të besuar se kjo praktikë do të ndërpritet është fakti se Dhoma e përfaqësuesve të Federatës së BiH-ut — një nga organet përbërëse të shtetit — më 23 qershor votoi për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla, duke mbështetur po ashtu rishikimin e të gjitha lejeve të lëshuara deri më tani. Qeveria federale ka kohë tre muaj për të draftuar një propozim me qëllim të ndryshimit të legjislacionit relevant në mënyrë që ndalimi të mund të zbatohet në praktikë. 

Përfitime të mëdha për investitorët  

Qytetarët e BiH-ut besojnë se këmbëngulja dhe protestat vështirë se japin rezultate, mirëpo përpjekja e aktivistëve për mbrojtjen e lumenjve përmes parandalimit të ndërtimit të hidrocentraleve të vogla është një shembull i rrallë i aktivizmit qytetar që po jep rezultate të dukshme. Për këtë arsye, vendimi i Kuvendit shihet si precedent dhe fitore për ambientalistët.

Megjithatë disa njerëz janë ende skeptikë rreth zbatimit të ndalimit për shkak të interesave të partive politike, pasi aktivistët konsiderojnë se [politikanët] ishin ata që mundësuan dhënien e lejeve në radhë të parë.

Federata e BiH-ut shpalli ndalimin e punimeve pasi aktivistët penguan fizikisht punimet e makinerive në terren.

Sipas mediave të ndryshme në BiH, nuk ndodh rrallë që personalitete partish apo njerëz që kanë lidhje të afërta me ta të jenë investitorë që përfitojnë më së shumti nga këto ndërtime.

Aktivistët e intervistuar thonë se në rastin e hidrocentraleve të vogla ekziston një kombinim i “kornizës jo të plotë ligjore, mekanizmave të dobët të kontrollit institucional, dhe lidhjeve të fuqishme mes klaneve të caktuara të bizneseve dhe elitave partiake”.

Federata e BiH-ut shpalli ndalimin e punimeve pasi aktivistët penguan fizikisht punimet e makinerive në terren. Megjithatë, ata paralajmërojnë se lufta për shpëtimin e lumenjve duhet të vazhdohet edhe në entitetin tjetër — Republikën Serbe.

Këtu qëndron një absurditet tjerët i BiH-ut si vend i ndarë: vetëm pak javë pasi Kuvendi federal e fuqizoi ndalimin, Kuvendi Kombëtar i Republikës Serbe hodhi poshtë mocionin për vendosjen e të njëjtit ndalim në këtë entitet. Mocioni u mbështet nga 40 vota, dy më pak se shumica e nevojshme. 

Pas sesionit të votimit, Qendra për Mjedisin kërkoi dorëheqjen e Petar Đokić, ministrit për energji në Republikën Serbe. Ministri nuk dha dorëheqje e as nuk u përgjigj ndaj kësaj kërkese, por Ministria e Energjisë njoftoi se ata “punojnë në pajtim me ligjin, si një nga hallkat në procesin e dhënies së lejeve” duke shtuar se thirrjen për dorëheqjen e Đokić-it e konsideruan të pajustifikueshme. 

Ndërkaq, aktivistët pohojnë se investitorët negociojnë marrëveshjet për koncesion me zyrtarë qeveritarë (në nivelet komunale dhe ministrore), duke theksuar se fitimet e investitorëve arrijnë në miliona marka, ndërsa ato të komunave shpesh janë të papërfillshme.    

Aktivistët përmendin shembullin e kompanisë Eko-Vat e cila ndërtoi një hidrocentral të vogël me kapacitet nën 5 MW në lumin Doljanka. Ekspertët e intervistuar vlerësojnë se fitimet vjetore të investitorit mund të arrijnë deri në 1.8 milion marka, ndërsa për të njëjtën periudhë kohore tarifa e koncesionit e planifikuar për t’u mbledhur nga Komuna e Jabllanicës mund të jetë aq e ulët sa 50,000 marka.  

Marrëveshjet për koncesion është vështirë të prishen, paralajmëron Rasim Skomorac nga Qendra e Mjedisit.  

Për vite të tëra, shoqata Eko Akcija në Sarajevë ka tërhequr vëmendjen për një mori çështjesh mjedisore, përfshirë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, ndotjen e ajrit, deponitë...

“Dhënia e lejeve është thjesht pasojë e problemit të vërtetë, që janë marrëveshjet për koncesion të cilat investitorët dhe zyrtarët i kanë nënshkruar për vite me radhë pa përfshirjen aktive të qytetarëve në proces”, thotë Skomorac.

“Ndërprerja eventuale e njëanshme e një marrëveshjeje (të dëmshme) është praktikisht e pamundur pa rrezikuar veprime ligjore nga kompanitë private, e gjitha kjo në dëmin tonë kolektiv”. 

Për vite të tëra, shoqata Eko Akcija në Sarajevë ka tërhequr vëmendjen për një mori çështjesh mjedisore, përfshirë ndërtimin e hidrocentraleve të vogla, ndotjen e ajrit, deponitë, etj. Ata thonë se lejet mjedisore “faktikishtjanë të rishkruara” për të mbrojtur interesin e investitorit në vend se të shikojnë interesat e natyrës dhe mjedisit.

Rasim Skomorac shpjegon se ndërtimi i hidrocentraleve të vogla është shkatërrues jo vetëm për shkak të përdorimit të ujit por edhe për shkak se përfshin ndërtimin e shumë objekteve, duke filluar nga kilometra të tërë me tubacione — që shpesh ndërtohen përgjatë shtretërve të lumenjve — deri te infrastruktura e përgjithshme dhe rrugët për qasje që përfshijnë aktivitete shpyllëzimi, si dhe ndërtimi i turbinave dhe linjave elektrike, etj.

Lufta për lumenjtë në Foča

Për pasojë, BiH tani është vend ku në njërën anë ndërtimi i hidrocentraleve pritet të vazhdojë, ndërsa në anën tjetër të vendit, nëse vendimi i Kuvendit respektohet, do të ndalohet. 

Ky është një kontribut tjetër në procedurat e komplikuara për dhënien e lejeve të kërkuara për ndërtimin e këtyre impianteve. Procedurat për dhënien e të gjitha lejeve të kërkuara ndahen sipas ligjeve. Për ta komplikuar çështjen më tej, Ligji i Federatës për Mbrojtjen e Mjedisit nuk ka kaluar të gjitha fazat në Kuvend, edhe pse ky proces është zgjatur tash e sa vite. 

Ndarjet ligjore dhe paqartësitë rreth asaj se çfarë lloje të lejeve duhet të lëshohen dhe nga kush kanë krijuar përfitime për investitorët. Komunitetet lokale, komunat, kantonet, entitetet etj., të përcjella nga ministritë, agjencitë, e inspektoratet e ndryshme — shumë institucione janë të përfshira në zinxhir.

Rreth 400 hidrocentrale të vogla janë në proces të ndërtimit, ndërsa 106 të tjerë do të ndërtohen në 244 lumenj të Bosnjës. Foto nga Zaustavimo gradnju mHE na Doljanki.

Situata nuk është shumë më e mirë as në Republikën Serbe. Procedura e plotë për lëshimin e të gjitha lejeve të kërkuara fillon me marrjen e mendimit të komuniteteve lokale. Më pas, nëse ministritë e linjës dhe institucionet e tjera — Ministria e Planifikimit Hapësinor, Ndërtimtarisë dhe Ekologjisë, dhe Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Menaxhimit të Ujërave e Republikës Serbe — japin vlerësim pozitiv, atëherë Ministria e Energjisë dhe e Minierava shpall thirrje publike dhe përfundimisht e jep koncesionin. 

Derisa ndalimi i ndërtimeve në Republikën Serbe nuk duket në horizont, punimet e nisura në mes të pandemisë COVID-19 në BiH do të vazhdojnë. Investitori në fjalë është një kompani nga Foča, Srbinjeputevi. 

Për shkak të dyshimeve rreth vlefshmërisë së lejeve të lëshuara dhe aktiviteteve të ndërmarra, në fund të prillit, aktivistë nga shoqata Bjelava në Foča dhe Qendra për Mjedis dorëzuan një raport në Zyrën e Prokurorit duke pohuar se investitori filloi ndërtimet ilegalisht.

Aktivistët iu referuan përgjigjes së Ministrisë së Planifikimit Hapësinor, Ndërtimtarisë dhe Ekologjisë drejtuar Qendrës për Mjedis, ku Ministria theksoi se nuk është nisur asnjë procedurë administrative për lëshimin e lejeve të nevojshme për këtë ndërtim. 

Zyra e Prokurorit në Republikën Serbe konfirmoi se kanë pranuar raportin, të cilin më 29 prill e përcollën në Prokurorinë Shtetërore të Qarkut të Trebinjës. Në anën tjetër, Prokuroria e Trebinjës nuk i është përgjigjur pyetjes sonë rreth zhvillimeve në trajtimin e kësaj kërkese. 

Në ndërkohë, punët në lumin Bjelava po vazhdojnë.

Ky është një skenar i njohur në BiH — një incident i ngjashëm ndodhi në lumin Doljanka, afër Jablanicës. 

Aktivistët që luftuan për të mbrojtur Doljankën kërkuan nga Gjykata Kantonale në Sarajevë të anulonte lejen mjedisore të lëshuar nga Ministria Federale e Mjedisit dhe Turizmit. Një vit e gjysmë më parë, gjykata e cilësoi rastin si emergjencë, por që atëherë asnjë dëgjim nuk është mbajtur. Në lum u ndërtua një hidrocentral i vogël që shpejt pritet të fillojë funksionimin.

“Kjo është pikërisht çfarë kemi mësuar nga përvoja jonë në terren”, thotë Rasim Skomorac nga Qendra për Mjedis. 

“Si princip, çdo raport kundër investitorëve u delegohet menjëherë niveleve më të ulëta gjyqësore, të cilat mund të kenë kapacitete të kufizuara për përgjigje të duhura apo veprime të pavarura”, thekson ai. “Kjo është alarmuese, veçanërisht në kontekst të fabrikimit të interesit publik ku tentohet të justifikohen investime fitimprurëse”.

“Kjo tregon se autoritetet qofshin duke zbatuar udhëzimet nga eprorët e tyre apo duke mbështetur ata, sërish nuk pranojnë legjitimitetin e pakënaqësisë së shprehur nga një numër i konsiderueshëm njerëzish — të cilët synojnë më shumë sesa vetëm përgjegjësi politike nga aktorët relevantë”, thotë ai. Më tutje shton se duhet të ndërmerren veprime ligjore kundër autoriteteve, “apo së paku veprime përkatëse disiplinore gjë për të cilën nuk ka një pozicion të qartë të zbatimit të ligjit dhe gjyqësorit për mbrojtjen e mjedisit”.

“Andaj, në një shoqëri demokratike që vazhdimisht e rimendon vetveten, aktivizmi është i domosdoshëm.

Juridiksion i ndarë                               

Sipas vlerësimeve të Koalicionit për Mbrojtjen e Lumenjve — një grup ombrellë e OJQ-ve të ndryshme që ndihmojnë qytetarët lokalë të cilët kundërshtuan punimet në lumin Bjelava duke iu siguruar ndihmë ligjore dhe inkurajuar që të ushtrojnë trysni —  situata me ndërtime është “më e rënda” në rajonet Foča, Gacko dhe Romanija. 

Koalicioni do të monitorojë punën e Qeverisë dhe Kuvendit të Federatës së BiH-ut deri në kalimin e vendimeve të reja dhe ndryshimin e ligjeve. Ata shpresojnë për më shumë se sa thjesht premtime të bëra para zgjedhjeve të përgjithshme gjithëkombëtare të planifikuara për vjeshtë. Megjithatë, ata besojnë se nuk ka arsye që këto vendime të mos merren edhe në Republikën Serbe, veçanërisht pasi dëmi tejkalon përfitimet shoqërore. 

“Elektroprivreda Republike Srpska nuk ka asnjë plan për të investuar në hidrocentrale të vogla pasi janë të vetëdijshëm se projekte të tilla kontribuojnë pak në rritje të konsiderueshme të prodhimit të elektricitetit”, thotë Dragana Skenderija nga Koalicioni, duke shtuar se është plotësisht e qartë që “investitorët privatë favorizohen përmes përpjekjeve stimuluese”. 

“Parlamenti Kombëtar dhe Qeveria e Republikës Srpska duhet t’i pranojnë rekomandimet dhe përfundimet e përfshira në deklaratën që ndërpreu planet për ndërtimin e hidrocentraleve; të arrijë një vendim për moratorium rreth ndërtimit të hidrocentraleve të reja si dhe të heqë dorë nga synimi për prodhim të elektricitetit nga hidrocentralet e vogla; dhe përfundimisht t’u kthehet centraleve me erë dhe atyre solare duke ridrejtuar synimet në energjinë qytetare”, përfundon Skenderija. 

Ministria e Mjedisit dhe Turizmit e Federatës së BiH-ut (FMOIT) — udhëheqësja e së cilës, Edita Šapo, ka nënshkruar një numër të madh lejesh mjedisore — insiston se janë në kontakt ditor me sektorin joqeveritar. Po ashtu, ata deklarojnë se procedurat e tyre janë publike dhe transparente. 

Ministria thekson se ka kërkuar ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve të vogla por që kërkesa e tyre nuk është në harmoni me institucionet e tjera. 

“Problemi me të cilin përballemi është se të gjitha lejet për ndërtim lëshohen nga nivelet më të ulëta të qeverisjes, derisa niveli federal vendoset para aktit të kryer”, thotë këshilltari i ministres, Seđad Muhić.  

Megjithatë, ndërtimi i hidrocentraleve të vogla është i mundshëm vetëm me dhënien e lejeve mjedisore nga ministritë relevante.

Gjatë një dekade e gjysmë, FMOIT ka lëshuar më shumë se 30 leje mjedisore duke mundësuar ndërtimin e hidrocentraleve të vogla në lumenjtë tanë; shumë nga ta janë ndërtuar në zona të mbrojtura, si hidrocentrali i vogël në rrjedhën e lumenjve Buna dhe Neretve”, thotë Anes Podić nga Eko Akcija.

“Me sa e dimë, FMOIT asnjëherë nuk ka refuzuar të lëshojë leje mjedisore të nevojshme për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla. Në anën tjetër, pikërisht si rezultat i punës së tyre të dobët, nuk ekziston kornizë ligjore që në mënyrë efektive mbron pasuritë natyrore në lumenjtë tanë, gjë që nuk ka ndodhur rastësisht”.

Natyrisht, institucionet kanë qëndrimin e tyre rreth situatës në terren.

Me boshllëkun evident administrativ, Qendra për Mjedis përfundon për K2.0 se struktura juridiksionale favorizon ndërtimin e shtuar të hidrocentraleve të vogla më shumë se sa në rastin kur i gjithë sistemi do të ishte i centralizuar, me një agjenci që do të jepte koncesione dhe një tjetër që do të monitoronte zbatimin e tyre. 

“Mbi të gjitha, simptomatike është mungesa e transparencës në proceset e përmendura, p.sh çështja e afateve tepër të shkurta për përfshirjen e publikut të interesuar, nëse në radhë të parë publiku veçse është i informuar rreth ndonjërit prej këtyre veprimeve të ndërmarra”, theksojnë aktivistët nga qendra. 

Natyrisht, institucionet kanë qëndrimin e tyre rreth situatës në terren.

Ministria e Energjisë dhe e Minierave e Republikës Serbe në konsultim me institucionet e tjera bën thirrje për oferta dhe jep koncesione në përputhje me Ligjin për Koncesione.

“Në përgjithësi OJQ-të kundërshtojnë ndërtimin e të gjitha hidrocentraleve të vogla që kontribuojnë në zvogëlimin e emetimeve të dëmshme, duke shpjeguar që natyra dhe ujërat shkatërrohen dhe rezervat e peshqve rrezikohen, derisa askush nga ta nuk merret me ndikimin e termocentraleve, hapësirave të mëdha të fabrikave apo ndotjes nga gazrat e makinave”, thotë ministria në një përgjigje të shkruar për K2.0, duke anashkaluar faktin se ndotja e ajrit në BiH kryesisht adresohet nga sektori joqeveritar, por që kjo është një temë krejtësisht tjetër. 

Në gjendjen e tanishme, marrëveshja e arritur me Komunitetin e Energjisë e obligon BiH-un të sigurohet që deri në vitin 2020 burimet e ripërtërishme do të mbulojnë 40% të konsumit total të energjisë, paralajmërojnë organizatat ambientaliste në letrën e dërguar në qershor. 

“Edhe pse qëllimi për rritjen e përdorimit të burimeve të ripërtërishme të energjisë ishte në vetvete i justifikueshëm, qeveria e BiH-ut, e njohur për shpërfilljen e mjedisit, e përdori këtë për të mbështetur aktivisht investimet private në hidrocentralet e vogla”, thuhej më tutje në letër, duke shtuar se ky është biznes shumë fitimprurës dhe pa rreziqe.

Vendimi i Kuvendit për ndalimin e këtyre ndërtimeve është vetëm fillimi, paralajmërojnë ata. 

“Në të gjithë vendin, njerëzit po mobilizohen për të mbrojtur lumenjtë. Fshatarët bëjnë rojë ditë e natë dhe të armatosur vetëm me kurajë [qëndrojnë] para buldozerëve; paratë po grumbullohen në të gjitha anët për luftën ligjore, derisa aktivistët avokojnë për ndalim të menjëhershëm dhe të përhershëm të ndërtimit të hidrocentraleve”. 

Ata përfundojnë se BiH, që shpesh ka shërbyer si shembull i tensioneve dhe konflikteve të brendshme, tani është bashkuar në rezistencë kundër shkatërrimit të pasurisë së vet, e vetmja që ka mbetur e paprekur nga privatizimi brutal i të mirave publike në tri dekadat e fundit.    

Imazhi i ballinës nga Adi Kebo / Žurnal.info.