Pikëpamje | Liria e Medias

Kthim në fillim të mijëvjeçarit

Nga - 15.09.2023

Çka qëndron pas vendimit të Republika Srpska për ta bërë sërish të paligjshme shpifjen?

E parashikuar për herë të parë në Twitter vitin e kaluar, Republika Srpska e kriminalizoi shpifjen dhe dëmtimin e reputacionit dhe nderit. Dekreti u nënshkrua këtë gusht, pas një procesi të përjshpejtuar dhe të kritikuar në masë të madhe.

Ishte tetori i vitit 2022 kur Milorad Dodik, president i entitetit Republika Srpska, publikoi në Twitter një udhëzim për ministrin e drejtësisë që ta përgatiste legjislacionin për ta kriminalizuar shpifjen dhe dëmtimin e reputacionit dhe nderit.

Ministria e Drejtësisë e Republika Srpska iu përgjigj duke hartuar ndryshime në Kodin Penal të entitetit në mars të vitit 2023. Kodi i ri trajton shpifjen dhe shkaktimin e dëmit të reputacionit si vepra penale, me kryerësit që do të dënohen me gjoba që variojnë nga 5,000 marka (2,500 euro) në rast të fyerjes, deri në 120,000 marka (60,000 euro) në rastet kur zbulohen detaje të ndjeshme nga jeta personale ose familjare e të dëmtuarit/es, që mund të çojnë apo veç kanë sjellë pasoja të rënda.

Më 23 mars, Asambleja Kombëtare e Republika Srpska i dha Ministrinë e Drejtësisë detyrën që të zhvillojë konsultime publike për projekt-amendamentet brenda 60 ditëve të ardhshme. U organizuan katër seanca dëgjimore publike, secila në një qytet të ndryshëm të Republika Srpska.

Gjatë dëgjimeve publike, mediet paralajmëruan se, nëse miratohen, amendamentet do ta kthenin Republika Srpska 22 vjet prapa, në kohën kur botimi i shpifjeve ishte ende i kriminalizuar. Mediet vendore dhe ndërkombëtare këmbëngulën në respektimin e kodit të etikës së medieve dhe mbështetjen në mekanizmat vetërregullues (siç janë njoftimet për korrigjim ose largimin e përmbajtjeve). Përveç kësaj, ata bënë thirrje që procedurat e ndërmjetësimit t’i paraprijnë padive — në përputhje me udhëzimet në Ligjin për Mbrojtjen nga Shpifja në nivel entiteti.

Pavarësisht gjobave të propozuara, gazetarët/et shpjeguan se problemi kryesor qëndron në kohëzgjatjen potencialisht të gjatë të proceseve gjyqësore penale, me të cilat mund të përballen për gjoja dëmtim të mendimeve dhe emocioneve subjektive të njerëzve të caktuar. Punonjësit/et në medie shprehën kundërshtinë e tyre duke u larguar nga dëgjimet publike. Ndërkohë, përpara seancës vendimtare të Asamblesë Kombëtare, profesionistë/et e medies dhe popullata e përgjithshme dolën rrugëve në Zvornik dhe Banja Luka për të protestuar kundër legjislacionit.

Ndryshimet e propozuara në Kodin Penal do të sillnin nene që përcaktojnë shpifjen si krim me gjoba të mundshme deri në 2,500 euro, ndërsa gjoba të ngjashme vendosen edhe nëse zbulohet ose transmetohen çështjet personale ose familjare të një individi.

Një paragraf i nenit thotë: “E vërteta ose pavërtetësia e asaj që zbulohet ose transmetohet nga jeta personale ose familjare e një individi nuk duhet të dëshmohet”.

Kufizimi i lirisë së mendimit

Përveç përfundimeve të konsultimeve publike, Kuvendi Kombëtar pranoi një raport urgjent të vlerësimit ligjor të hartuar nga OSBE.

“Është thelbësore po ashtu që legjislacioni t’i dallojë qartazi gjykimet vlerore, të cilat nuk mund të vërtetohen, nga deklaratat faktike, ekzistenca e të cilave mund të vërtetohet. Kërkesa për ta vërtetuar të vërtetën e një gjykimi vleror kësisoj bëhet e pamundur të përmbushet dhe cenon vetë lirinë e mendimit”, theksoi në raport Zyra e OSBE për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut.

Më 20 korrik, pa marrë parasysh asnjërën nga kritikat që u bënë brenda konsultimeve publike apo ato me shkrim, përfshirë komentet e OSBE, Asambleja Kombëtare i dha dritën e gjelbër projekt-amendamenteve të Kodit Penal të Republika Srpska.

Kjo shkaktoi shqetësim te Zyra e Përfaqësuesit të Lartë (OHR), raportuesit/et specialë/e të OKB për të drejtat e njeriut, Delegacioni i BE në Bosnjë e Hercegovinë si dhe shumë organizata të shoqërisë civile.

“Kriminalizimi i sërishëm i shpifjes në Republika Srpska ua mundëson autoriteteve t’i shtypin dhe censurojnë liritë e medies dhe shoqërinë civile, e kufizojnë mendimin e lirë kritik dhe heshtin zërat kundërshtues”, theksoi OHR në një njoftim së fundmi, duke shtuar se kjo lloj praktike përfaqëson sulm ndaj lirive civile, karakteristikë kjo për regjimet autoritare.

Përfaqësuesit e OKB, që merren me lirinë e shprehjes, lirinë e tubimit dhe të drejtat e njeriut kërkuan që qeveria të tërhiqet nga ndryshimet në Kodin Penal dhe të sigurojë që liria e mendimit të respektohet plotësisht.

"Kriminalizimi i sërishëm i shpifjes është pengesë e madhe në gëzimin e të drejtës në liri të shprehjes".

“Bosnjë e Hercegovina dha shembull të mirë në rajon kur ndaloi së trajtuari shpifjen si krim 20 vjet më parë, e cila mund dhe duhet të trajtohet vetëm përmes ligjit civil. Kriminalizimi i sërishëm i shpifjes është pengesë e madhe në gëzimin e të drejtës në liri të shprehjes, jo vetëm në entitetin e Republika Srpska, por në të gjithë vendin”, deklaruan raportuesit/et specialë/e të OKB. Ata gjithashtu theksuan se kriminalizimi i shpifjes bie ndesh me prirjet botërore dhe evropiane.

Një javë pasi ndryshimet në Kodin Penal u miratuan nga Asambleja Kombëtare, Grupi Boshnjak i Këshillit Popullor të Republika Srpska vendosi ta shtyjë para një veto, për ta parandaluar kështu miratimin e ndryshimeve me një shumicë prej dy të tretash.

Pesë nga tetë përfaqësuesit në Grupin Boshnjak argumentuan se amendamentet rrezikojnë interesin jetik kombëtar të popullit boshnjak — duke bërë thirrje për vendosjen e një mekanizmi për ta mbrojtur secilin nga tre popujt përbërës të Bosnjë e Hercegovinës.

Gjykata Kushtetuese e Republika Srpska hodhi poshtë veton e Grupit Boshnjak më 8 gusht.

Profesionistët/et e medies shumë shpejt njoftuan se do të bëjnë kërkesë drejtpërdrejt në Gjykatën Kushtetuese të Republika Srpska, për ta bërë një shqyrtim kushtetues të projekt-ligjit nëse merr miratimin nga Këshilli i Popujve. Ndërkohë, presidenti Dodik e futi atë në fuqi përmes një dekreti të botuar në gazetën zyrtare të Republika Srpska, një veprim që u ndërmor edhe pse Gjykata Kushtetuese ende nuk ka vendosur për këtë çështje.

Kjo nismë e Dodik ka qenë pjesë e fushatës së tij të gjerë pas-zgjedhore për ta formësuar diskursin publik dhe për ta nxitur një transformim të klimës politike.

Agjentët, armiqtë dhe të tjerët

Në muajt pas zgjedhjeve të fundit, Dodik vuri në funksion disa nisma që Ministria e Drejtësisë e Republika Srpska ndërmori në shpejtësi. Njëra prej tyre ishte miratimi i legjislacionit që do t’i përkufizonte organizatat e shoqërisë civile, që financohet ndërkombëtarisht, si “agjentë të ndikimit të huaj”. Një dispozitë tjetër e propozuar ishte ndalimi i organizatave jofitimprurëse për të marrë pjesë në aktivitet politik edhe avokim dhe parandalimi i tyre për të ndikuar jo vetëm në hartimin e ligjeve, por edhe pushtetin legjislativ dhe ekzekutiv në përgjithësi.

Në të njëjtën ditë kur Asambleja Kombëtare e Republika Srpska miratoi ndryshimet në Kodin Penal, Dodik njoftoi se një ligj tjetër do të propozohet me qëllim që “të sigurojë një bazë ligjore për identifikimin e armiqve të Republika Srpska”.

Vetëm disa ditë më vonë, një numër i medieve që transmetojnë ose botojnë përmbajtjet e tyre si në Republika Srpska dhe në Federatën e Bosnjës e Hercegovinës, u cilësuan si armiq të Republika Srpska nga Dodik. Ky ishte vazhdimi i një fushate që shënjestronte profesionistët/et dhe organet e medies, të cilët ai më parë i quajti “dallavergji të moçëm”. Sulmet verbale të Dodik kundër gazetarëve/eve kanë qenë të njëpasnjëshme prej vitesh.

Se si këto akte ligjore do të ndikojnë në lirinë e përgjithshme të shprehjes, të mendimit dhe të tubimit në të ardhmen, varet nga pavarësia dhe paanshmëria e gjyqësorit të Republika Srpska.

Sipas ligjit të miratuar së fundmi nga Republika Srpska për moszbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, të gjitha vendimet e nivelit shtetëror lidhur me kushtetutshmërinë do të jenë të pazbatueshme në Republika Srpska, derisa Asambleja Parlamentare e Bosnjë e Hercegovinës të miratojë Ligjin për Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës.

Kjo është pjesë e përpjekjeve të Dodik për ta penguar Gjykatën Evropiane të të Drejtave të Njeriut që të emërojë gjyqtarë/e në Gjykatën Kushtetuese të Bosnjë e Hercegovinës, në vendet e rezervuara për gjyqtarët/et e huaj/a.

Këto vendime të marra nga Asambleja Kombëtare e Republika Srpska ndalojnë banorët e Republika Srpska t’i përdorin mekanizmat e mbrojtjes ligjore që ofrohen nga shteti i Bosnjë e Hercegovinës dhe garantohen nga kushtetuta e tij.

Vetë-izolimi i Republika Srpska është mënyrë për të krijuar mekanizma jodemokratikë që orientohen drejt kontrollit të plotë politik dhe social të institucioneve gjyqësore, politike dhe sociale. Kufizimi i aftësisë për t’i kritikuar zyrtarët/et dhe politikat publike, etiketimi i vlerësimit kritik të ligjvënësve si veprime armiqësore dhe kufizimi i OJQ dhe organizatave jofitimprurëse që të punojnë për të ndikuar në vendim-marrjen e qeverisë, shpërfaq një prirje për ta përjashtuar publikun nga sfera politike.

Kjo mospërfillje e procedurave të vendosura është akt i vetë vullnetit politik, që vjen nga një udhëheqës autokratik që menaxhon institucionet politike me polici. Përfshirja e policisë në rastet e shpifjes dhe dëmtimit të reputacionit dhe nderit lidhet me ushtrimin e presionit mbi mediet e pavarura dhe investigative, diçka që mund të çojë në mbyllje të medieve, konfiskim të pronës dhe pajisjeve të medieve, mbikëqyrje policore ose pengim të mbulimit të çështjeve.

Për secilin, që përfundon si “armik i popullit dhe entitetit” dhe thirret në gjykatë për dëmtim të reputacionit dhe nderit të një zyrtari/eje publik/e ose një kompanie në pronësi të një zyrtari/eje publik/e, do të ishte jashtëzakonisht e vështirë ta ushtronte profesionin dhe t’i vazhdonte aktivitetet e zakonshme në përditshmëri. Dhe e gjitha kjo sepse ka raportuar për korrupsion dhe krime të tjera.

Taktikat dhe mjetet e përdorura nga Milorad Dodik dhe regjimi i tij përbëjnë jo vetëm një shkelje të lirisë së shprehjes, të mendimit dhe të tubimit, por edhe një akt të fshirjes, një spastrim.

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0. Pikëpamjet e shprehura në të janë të autorit/es dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.