“Gjithçka në botë sillet kah seksi, përveç seksit. Seksi sillet kah pushteti” është një thënie që i atribuohet poetit irlandez Oscar Wilde. S’e di se si kuptohet kjo thënie prej shumicës së njerëzve që e përdorin atë. Sidoqoftë, është e qartë se e shpreh një të vërtetë të përdredhur, të fshehur në pamundësinë logjike që e vë në kundërshti si fjalinë e parë në vetvete ashtu edhe fjalinë e dytë me të parën.
Pra, kuptimi më i sigurt që mund ta ndërtojmë është se nuk sillet gjithçka në botë rreth seksit. Ndërsa, për mua, kuptimi më real është që në fakt asgjë nuk sillet rreth seksit, megjithëse duket ashtu. Gjithçka bëhet sikur sillet kah seksi, për t’u sjellë në fakt kah pushteti që është botë përtej gjithçkaje. Ajo me të cilën do të merrem më poshtë është pikërisht dykuptimësia e përdredhja e tematikës së seksit në shoqëri. Veçanërisht në shoqërinë tonë.
Paragjykimi si armë
Do të ishte paksa ambicioze të thuhej se gjithçka, çdo diskutim shoqëror që ka të bëjë me seksin është i përdredhur, i dykuptimshëm. Por, edhe kjo fjali e përmban (të paktën) njëfarë vërtetësie.
Seksi është politik sepse mbetet i instrumentalizuar për të kontrolluar gratë dhe vajzat. Qe për shembull, patriarkinë e kemi në mesin tonë, shtëpitë tona. Në përditshmërinë tonë hasim ende në fantazmën e virgjërisë që na sillet si njëfarë vlere që s’po hiqet dot e po ua mohon grave të drejtën në lirinë dhe autonominë e tyre trupore.
Po ashtu, në raportin e Programit për Zhvillim të Organizatës së Kombeve të Bashkuara (UNDP), të realizuar në vitin 2022 rreth qëndrimeve të të rinjve ndaj normave gjinore, vihet në pah se djemtë e rinj paragjykojnë vajzat që kryejnë marrëdhënie seksuale para martesës.
Besoj se paragjykimi si fjalë këtu mund të përdoret vetëm kushtimisht. Problemi nuk ka të bëjë thjesht me ndonjë keqinformim apo naivitet të djemve dhe burrave kosovarë. Ka të bëjë me të pavërtetat që konservohen qëllimshëm nga shoqëria patriarkale për të mirëmbajtur raportet e etabluara të gruas me punën, familjen dhe, në thelb, me seksin. Krahas këtyre “paragjykimeve” kemi raportet e përditshme policore që tregojnë për dhunën fizike e psiqike ndaj grave nga partnerët e tyre.
Seksi pra përdoret si mjeti përmes të cilit gratë fillimisht dehumanizohen e më pas si të dehumanizuara degradohen në rolet dytësore shoqërore. Të jesh e paragjykuar si vajzë nëse kryen marrëdhënie seksuale para martesës nga djemtë e shoqërisë tonë nënkupton njëkohshëm edhe të jesh e gjykuar të degdisesh në fatin e një qenieje së cilës nuk i përket liria seksuale. Dhe këtu besoj se qëndron thelbi i gjithë çështjes: shtypjet shumështresore ndaj grave të të gjitha moshave e klasave që nisin prej shtypjes seksuale. Dhe kjo ilustrohet veçanërisht në rastin e Kosovës, një vendi të vogël që s’është konservator kur është fjala për burrat — ata flasin për seksin lirshëm e pa frikë.
Nëse e marrim për të mirëqenë se “liria e njërit mbaron aty ku fillon liria e tjetrit” atëherë në rastin e Kosovës liria seksuale e burrave nuk mbaron fare, duke e shkelur dhunshëm lirinë seksuale të grave — që në këtë kontekst, duket se nuk fillon askund.
Derisa po reflektoja rreth instrumentalizimit të seksit për kontroll e pushtet, po shihja një video në të cilën thuhet se dëgjohet mësuesja përgjegjëse e ditës në një shkollë ku ishte raportuar një ngacmim seksual. Komentet e saj ishin tmerrësisht fyese dhe kur e mendon që kemi të bëjmë me dikë në pozitë pushteti, që mund ta bëjë jetën e vajzave më të mirë, gjithçka bëhet më e rëndë.
“Une ma n’zor jam me vajza se me djem… vajzat n’orë shajnë, vajzat i ngacmojnë djemtë vetë, vajzat provokojnë arsimtarë vetë. A po beson? Se kur t’vijsh ti deri qitu e shplume, a o’ provokim? Kur t’ja qet gishtin arsimtarit, ose nxanësit, a o’provokim? Une me djem po kaloj shumë mirë, po me vajza jom n’zor qitash…”, dëgjohet duke thënë e duke përqafuar kulturën e fajësimit të viktimës. Si të mos mjaftonte kjo, komentet e bëra nga njerëzit në Facebook më ligështuan. Ishin dhjetëra e ndoshta qindra komente që lavdëronin mësuesen dhe fyenin vajzat dhe gratë.
“O t’lumtë goja”, thoshte një komentues duke shtuar se duhet t’ia bëjmë si “atëherë mos m’i çu n’shkollë femnat”; “Normal kur t’cullakaven femnat, ajo osht provokim”, thoshte një tjetër. “Na gaziti demokracia e grave. Qeshtu si t’ju dhashë lirinë e tepërt… gra për ditë marrina ndodhin. Na shef krejt bota se çfarë bërlloka jem”, lexonte një tjetër.
Të mendosh se gjithë këto komente janë thjesht një shprehje naiviteti dhe mungese informimi është gjë e gabuar. Në fakt, një gjë e tillë përmban në vete qëllim të fortë e ngulmues politik: t’i merret tjetrit (gruas) liria përmes çnjerëzimit. Çnjerëzim që në këtë rast nënkupton të të menduarit për gratë si nënqenie seksualisht, si krijesa të pabarabarta me seksin tjetër.
Vetëm në vitin 2023 ishin 126 sulme dhe ngacmime seksuale të raportuara sipas Policisë së Kosovës. Në realitet, përtej raportimeve, numri i sulmeve dhe ngacmimeve seksuale ndaj grave mund të jetë dhjetëfish më i lartë.
Ndërkohë, përveç politikës ku ashiqare ka një përpjekje të vazhdueshme për demotivim e heshtje të grave, gjendja nëpër shkolla e universitete të Kosovës është tmerruese. Në një hulumtim nga Kosovo 2.0, thuhet se rreth 100 njerëz në Universitetin e Prishtinës (UP) kanë përjetuar ngacmim seksual, teksa studiojnë në një ambient që në rregulloren për parandalimin e ngacmimit seksual parashihet që viktima duhet ta raportojnë ngacmimin seksual brenda një viti. Pak kohë pas botimit të hulumtimit, 27 vajza akuzuan një profesor për ngacmim seksual. E gjithë kjo pa ndonjë veprim rrënjësor prej UP për t’i mbrojtur studentet.
Ndërkohë, përkundër njëfarë emancipimi gjinor që i ka ndodhur shoqërisë tonë në dekadat e fundit, e keni edhe politikën të seksualizuar. Gratë që merren me aktivizëm, por jo vetëm, seksualizohen, objektifikohen, përkujtohen se janë gra në rast se harrojnë. Dhe kjo ndodh më masivisht se asnjëherë. Efektivisht, përmes shfrytëzimit të seksit, bëhen përpjekje që kauza për barazi të depolitizohet e deaktivizohet.
Seksi përnjëmend ka të bëjë me pushtetin, natyrisht. Dhe merr formën e pushtetit. Por, fatkeqësisht në rastin tonë mbetet i nënshtruar ndaj një pushteti të deligjitimuar si patriarkia, sistem që ndër tjera, duke instrumentalizuar seksin krijon forma të reja shtypëse që i shohim përditë mes nesh. Sistem që derisa afirmon lirinë seksuale të burrave, redukton çdo liri të grave.
Pra, seksi nuk sillet kah vetja e tij. Sillet kah pushteti. Ndërsa pushteti, përveç që sillet kah vetja e tij, ashtu si gjithçka tjetër, prodhon dukjen sikur gjithçka sillet kah seksi. Sepse vazhdon të jetë patriarkal dhe të luftojë çfarëdo forme të lirisë së përnjëmendtë seksuale.
E gjithë ajo çka do ta nxjerrnim nga thënia në hyrje është ajo që do të donim ta kishim si realitet: asgjë në botë të mos sillej kah seksi, përveç seksit. Dhe seksi të mos sillej kah pushteti. Pra, nëse e pranojmë për të vërtetë realitetin e thënies së mësipërme — sado e kundërthënshme logjikisht qoftë – duhet ta pranojmë që normativja e aspiruar prej të gjithëve duhet të jetë e kundërta e plotë e saj. Që seksi të mos sillet kah pushteti, të mos jetë nën kontrollin e tij.
Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.
Shfletoni zinën e plotë
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë?
Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.
Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion.