Teatri mbrapa skenës - Kosovo 2.0

TEATRI MBRAPA SKENËS​

Skenat e teatrove presin shfaqje të bukura e mbrapa tyre luhet tjetër shfaqje, një e shëmtuar.

Kur kryhet akti i fundit, ndalen dritat, perdet e rënda lëshohen në dërrasat e skenës, jehona e duartrokitjes së fundit zbehet, teatri vazhdon. Teatri, madje-madje, aty bëhet –– në vendet e hapësirat kohore midis shfaqjeve. Bëhet prapa skenës. 

Në skenë vendoset madhështia, e prapa saj, në terr, bëhet puna për teatrin. Diametralisht të kundërta, bash si nata me ditë, janë realitetet e teatrove jashtë skenës dhe në të. 

Përpos roleve të tyre në shfaqje, aktorëve e aktoreve të teatrove nëpër Kosovë, u duhet ta mjeshtërojnë me përsosmëri një tjetër rol –– fshehjen e asaj që ndodh pas skenës, të punës që nuk u njihet, të shtangies së trupit prej të ftohtit, të nëpërkëmbjes së mundit të tyre e të punëtorëve e punëtoreve tjerë të teatrit.

Përgjigjet e teatrit nuk ndodhen në skenë, ato janë nëpër bodrumet e teatrove, nëpër të ftohtit që shpon tejpërtej sallat e provave, nëpër litarët e frikshëm të cugave të moçëm, në pluhurin dyshemeve, në ashklat e dërrasave të skenës, në dushat që nuk ekzistojnë, në malin me punë të pavlerësuar, në heshtjen e patrazuar të institucioneve. 

Një shfaqje e shëmtuar luhet prapa perdeve dhe pa e parë atë shfaqje, skenat e teatrove, përpos lojës, do të strehojnë ankth e frikë; mosnjohje e nënçmim. Duartrokitjet nuk janë të mjaftueshme, as ngutia për t’u lavdëruar me arritjet e teatrit nëpër rrjete sociale, as premtimet që rrallë takohen me realitet e teatrit. Prapaskenës së teatrit i duhet vëmendje. 

Duket se pyetja më gërryese e aktorëve e aktoreve, teknikëve e udhëheqësve të teatrove nuk është se çka do të bëhej po të mos ekzistonte skena, reflektorët apo diçka tjetër që mund të mendohet si qenësore për punën në teatër, por çka do të bëhej po të mos ekzistonte kaloriferi? 

Aktorja Hajat Toçilla, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë.

Kah shpalosin rrëfenjat e tyre për punën në teatër, midis ngrohtësisë së të qeshurave e anekdotave, nxjerr kryet një e vërtetë –- sa ftohtë i trajton teatri këta njerëz.

“Më kujtohet një herë, me tesha të skijimit kemi shku në prova. U patëm ngri”, thotë aktorja Hajat Toçilla, pjesë e ansamblit rezident të teatrit të Prizrenit dhe menjëherë e vazhdon fjalinë me “kam fotografi” për ta dëshmuar vendin e saj të acartë të punës.

Një nivel pothuajse çnjerëzor i sakrificës pritet prej punëtorëve e punëtoreve të teatrit. Ata, të udhëhequr prej dashurisë për profesionin, përpiqen të luftojnë me gjithçka, por nuk luftohet dot për gjatë me trupin kur ai shtanget prej të ftohtit dhe thjesht, nuk lëviz. “A ka kuptim, – 20 °C e ki në sallë, ti ki me u la me ujë [në shfaqje]”? pyet Adrian Morina, aktor tash e 22 vjet dhe pjesë e ansamblit rezident të Teatrit Kombëtar.

Nuk ka kuptim, por ka shpjegim –– shpërfillja nga institucionet përkatëse e teatrit jo vetëm si objekt, por mbi të gjitha si institucion, si krijim, si koncept, të cilën e përmendin të gjithë. 

“Më thirri motra, më tha ‘ku je’?, I thashë ‘Në punë’. Tha ‘Çfarë pune moj’? I thashë ‘aktore jam, në teatër punoj’”, tregon Hajati, duke ndarë dhjetëra histori se si sa herë u tregon njerëzve që është aktore, i thonë “hajt, shtinem me kesh”. Për të, nuk ka shumë për të qeshur kur është fjala për vendin e saj të punës. 

“Teatri është pasqyrë e të gjitha institucioneve”, thotë Adrian Morina dhe kjo pasqyrë është thyer copë-copë, ngjashëm me pasqyrat në dhomat e garderobave, që diku janë e diku s’janë nëpër teatro.

Diku-diku, e lënë në gjysmë a e pa nisur fare është edhe vëmendja e institucioneve ndaj teatrit, shfaqjen më të rëndësishme të të cilit, publiku nuk e ka parë. 

Le të bjerë perdja, të ndalen dritat. Le të fillojë shfaqja.

Aktorja Verona Koxha, Teatri Kombëtar i Kosovës, Prishtinë.
Banjot në Teatrin "Adriana", Ferizaj.

Teatri Kombëtar i Kosovës (TKK) është vendi i punës i rreth 70 njerëzve dhe një prej shtëpive më të rëndësishme të kulturës në Kosovë. Ndërtesa e tij qëndron në qendër të Prishtinës, ballë për ballë me atë të qeverisë, aq afër sa qeveritarëve u duhet ta shohin teatrin për të shkuar në vendin e tyre të punës. 

Teatri dhe qeveria qëndrojnë në kahe të kundërta –– në kuptimin që i pari është gjithnjë në kërkim të artikulimit të kritikës ndaj të dytës. Megjithkëtë, duket që në kahe të kundërta qëndrojnë edhe te mbështetja e qeverisë për teatrin. 

Në qershor të këtij viti, Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit lajmëroi një renovim të plotë për TKK, por tepër shumë shfaqje janë luajtur në TKK-në ku, siç e thotë edhe vetë Ministria e Kulturës në njoftimin e tyre në rrjete sociale, ka pasur “nivel të theksuar të rrezikshmërisë për punonjësit”.

Po, punëtorët e TKK për shumë gjatë kanë punuar nën rrezik, ku gjërat janë si duhet vetëm në natën e premierës e jo në prova e repriza. “Shkarravitemi në pluhurin që sillet si fantazmë”, thotë aktorja Verona Koxha, e cila tash e gjashtë vjet është e pranishme në skenën teatrale të Kosovës.

Para se të dilte njoftimi për renovim, Kushtrim Sheremeti, aktor dhe drejtor i përgjithshëm i TKK-së prej prillit të këtij viti, e përmend që infrastruktura në TKK është e rënduar dhe problemet burojnë pikërisht nga mungesa e investimeve për vite të tëra. 

Edhe vetë renovimi i vonuar, që është premtuar tash, ka ngritur sfidë të re se ku do të bëhet teatri gjatë kohës së renovimit. Njerëz të teatrit, në mungesë të një sqarimi prej Ministrisë se çka do të ndodhë me programin dhe punëtorët e TKK-së gjatë renovimit së ndërtesës, mbesin të brengosur.

Brenga për humbjen e përkohshme të një teatri është e kuptimtë, sidomos bazuar në gjendjen e rënduar të edhe atyre pak teatrove që ka Kosova. Në kërkesën e K2.0 për sqarime lidhur me kohëzgjatjen e renovimit, buxhetin, planin se ku do të zhvillohet veprimtaria e TKK përgjatë kohës së renovimit, Ministria e Kulturës nuk ka dhënë përgjigje. 

Ndërtesa e Teatrit Kombëtar të Kosovës, Prishtinë.

Në Prishtinë, në njërin krah të ndërtesës dy-krahëshe të Pallatit të Rinisë, apo siç e njohin plot “Bororamizi”, fshihet një nga këto pak teatro, “Oda”, apo “Lokali 111” siç e quan drejtori, Florent Mehmeti. Ai qëllimshëm insiston që teatrit të vetëm të pavarur, pra jo-publik, në gjithë Kosovën t’i thotë “Lokali 111”, sepse për të, “Oda” jo që nuk është trajtuar si teatër prej institucioneve, por zor se është trajtuar edhe si thjesht një tjetër lokal në Pallatin e Rinisë. 

Në “Lokalin 111” pushon një fragment i rëndësishëm i historisë së kryeqytetit. Dikur qendër e bowling, prapa skenës së “Oda” ende janë kanalet, që ruajnë të kaluarën e ndërtesës së teatrit e edhe të kaluarën e Pallatit të Rinisë.

Florenti nuk flet dot për “Oda” pa e kujtuar 2003-ën, shumë pak vjet pas luftës, kur bashkë me aktorin, Lirak Çelaj u ndodhën në kërkim të një hapësire për ta vënë në skenë “Monologjet e vaginës”, një lexim skenik që, ndër tjera, shtjellon trupin e gruas, të drejtat riprodhuese e përvojën seksuale. Pas një takimi të rastësishëm midis shokësh që ndanin hallet me menaxherin e diskotekës që ndodhej në “Lokalin 111”, ai u kishte thënë “Pse nuk po vini me e pa”?

Kështu, në moshën 26-vjeçare, Florenti u kthye sërish në “Lokalin 111”, ku dikur kishte luajtur bowling si fëmijë. 

Atëherë, Bororamizi, ishte nën menaxhim të Agjencisë Kosovare të Privatizimit (AKP) dhe ishte bërë cak i kritikave për humbjen e identitetit të dikurshëm si qendër e sportit, kulturës e artit. I ngulfatur me biznese afariste, Bororamizi nuk ishte më vendi për të cilin prindërit e Florentit e shumë qytetarë të Prishtinës dikur paguanin taksa.

Me ëndrra shumë e pak mundësi për t’u dhënë jetë atyre, ia dolën ta mbajnë premierën e parë në mars 2003, në diskotekë –– që si e tillë punonte të premteve e të shtuneve, e ditëve të tjera, iu ofrua atyre ta përdornin si teatër. Siç tregon Florenti, mbyllja i diskotekës pas pak kohe, u çeli udhë të re në verën e 2003-ës.  

Nën persionin e kritikave se Pallati i Rinisë nuk po i shërben më rinisë, një teatër ishte zgjidhja ideale. Florentit e Lirakut, AKP ua ofroi “Lokalin 111”, me “qira të beneficuar”, që i binte se do t’iu duhej të paguanin qiranë më të ulët për metër katror. Por, lokali kishte shumë metra katrorë dhe për dy të rinj që përpos që gjendeshin në një vend të sapo dalë nga lufta, në rrafsh personal ndodheshin edhe në vështirësi të mëdha financiare, një ndërmarrje e tillë ishte e frikshme në rastin më të mirë e e pamundur në rastin më të keq. 

Pa plan të biznesit, pasi të gjitha projeksionet e përllogaritjet që i bënin u tregonin për humbje, Florenti bashkë me Lirakun, vendosën që përkundër gjithçkaje ta bëjnë “Lokalin 111” teatër. Kjo ishte edhe përpjekje për të dhënë mesazh për rëndësinë e rivitalizimit të hapësirave publike dhe funksionalizimit të hapësirave alternative kulturore në ndërtesën e rinisë që asokohe ishte në zgrip të humbjes së gjallërisë kulturore e artistike.

“Ne as në ëndërr s’e kemi pa me administru hapsinë; krejt kjo është bo me miq”, thotë Florenti, kur reflekton për faktin që tash e 20 vjet, “Oda” mbahet, teksa kujton kohën kur si derë në “Oda” kanë shërbyer disa perde dhe kur improvizimet e vogla infrastrukturore i kanë bërë me njerëz, që kanë pritur deri në pesë vjet për t’u paguar. 

Për pagesë ama, ndryshe prej miqve e dashamirëve të “Oda”, AKP nuk ua falte minutin. “Na jemi kanë të msheltë me dhjetra herë. Herë me shirit e herë me dry se janë kanë të pamëshirshëm pallati, domethënë me [datën] 5 nëse s’u pagu qiraja, pa paralajmërim veç vishim në mëngjes, [e shihnim që] ish mshelë”, thotë ai. 

Teatri "Oda", Pallati i Rinisë, Prishtinë.

“Oda” është e regjistruar si organizatë jo-qeveritare dhe si çdo biznes tjetër në Pallat, për hapësirën e vet paguante qira në AKP. Për dallim prej komshinjëve të teatrit, “Oda” punonte me sezona, si shumë veprimtari teatrale dhe ato pak të hyra –– mundësi për ta paguar qiranë –– ndaleshin prej qershorit deri në tetor. Ndërkohë, për Florentin “ora shkojke tik-tok, qiraja ecke”.

Ngadalë eci edhe ora për zgjidhjen e çështjes së pronësisë së Pallatit të Rinisë. Për vjet me radhë, faji për degradimin e Pallatit i Rinisë u hodh si patate e nxehtë në trekëndëshin AKP-qeveri-komunë. Përpjekjet e kësaj të fundit për ta kthyer Pallatin nën pronësi u bënë realitet tek në dhjetor të vitit 2017, me ç’rast Komuna u bë përgjegjëse edhe për investimet dhe mirëmbajtjen e objektit. 

Ky realitet i ri u dha fund “shkuarjeve të tmerrshme në AKP” të Florentit, por s’i dha fund realitetit të vështirë të teatrit. Destinacioni i ri i Florentit tash u bë komuna, me të cilët u takua e diskutoi për tri vjet me radhë, duke u munduar të gjejnë kornizë të bashkëpunimit. 

Pandemia Covid-19 ua ngushtoi edhe më fort frymën teatrove e skenës kulturore në përgjithësi. Një hapësirë performuese në lagjen “Dardania”, ajo e Qendra Multimedia, u mbyll si britmë e fundit për vëmendjen e munguar të institucioneve. Në zemër të qytetit që mundohej të mësohej me realitetin e ri, teatri “Oda” mbahej në fije peri. 

Për t’i ndarë hallet, me vullnetin e pashoq për ta mbajtur veprimtarinë e tyre të gjallë, “Oda” dhe Qendra Multimedia vendosën që “Lokalin 111” ta mbajnë bashkë. Midis thirrjesh të vazhdueshme për përkrahje të operatorëve e hapësirave kulturore, në gusht të vitit 2021, Komuna e Prishtinës mori përsipër t’ua paguante qiranë.

Të bllokuar e në pamundësi për të bërë renovime vetë, “Oda” po pret, që komuna ta jetësojë entuziazmin për ta rimëkëmbur Pallatin, që kryetari i atëhershëm Shpend Ahmeti e shfaqur kur Pallati iu rikthye nën pronësi. Kjo pritje është e ftohtë. Punëtorët e “Oda” punojnë pa ngrohje. “Me jakne punojmë. Na krejt jemi njerëz të pasionit. Alternativën tjetër e kemi me nejt n’shpi mos me bo kurgjo”, thotë Florenti. 

Hartat e errëta që i ka vizatuar uji që pikon nëpër muret e zyrës së Florentit në "Oda" tregojnë që renovimi nuk ka ndodhur.

Si për t’i shtuar kësaj pritjeje edhe më shumë tension, në vitin 2021, Komuna e Prishtinës e publikoi një konkurs ku thërriste operatorët për projektim për renovimin e hapësirës së teatrit “Oda”. Edhe pse sipas Florentit, projekti fitues është zgjedhur, hartat e errëta që i ka vizatuar uji që pikon nëpër muret e zyrës së tij tregojnë që renovimi nuk ka ndodhur. Kjo vonesë, ndër tjera, mund t’i faturohet ndërrimit të qeverive, pas zgjedhjeve lokale të tetorit 2021 dhe vonesave në emërimin e drejtorit të ri të Drejtorisë për Kulturë.

Plani i projektimit të teatrit “Oda” ka mbetur vetëm si përkujtim i asaj se çfarë mund të jetë një teatër dhe teksa bëhen një vit prej hapjes së konkursit, punëtorëve të këtij teatri u duhet të mbahen në shpresë për përgjigje nga Drejtoria e Kulturës në Prishtinë, për t’i nxjerrë nga ky ngërç. “Mos t’ish kanë qikjo shpresë [që po renovohet hapësira], definitivisht, dikur pshtetesh për muri”, thotë Florenti.“Edhe para 5 vjetve, 7 vjetve, 10 vjetve [është premtuar] që p’e rregullojmë shpejt, që kjo është fazë kalimtare. Bëhen 20 vjet si fazë kalimtare”, shton ai. 

K2.0 e ka kontaktuar Drejtorinë për Kulturë të Komunës së Prishtinës për sqarime rreth planit të projektimit dhe kohës se kur pritet të fillojë zbatimi i këtij plani, por nuk ka pranuar përgjigje.

Hapësira arkivuese, teatri "Dodona", Prishtinë.

Jo shumë larg TKK-së e “Oda”, në pjesën e vjetër të Prishtinës, aty ku ka mbetur pak kalldërm, qëndron teatri i kukullave “Dodona”, i vetmi teatër i qytetit të Prishtinës. Drejtori i teatrit, producenti e dramaturgu, Visar Krusha, shkon në një dhomë ku të varura një nga një qëndrojnë kukullat që kanë përcjellur plot fëmijëri, në kohë të bukura e të vështira të qytetit. 

Të etiketuara me emrat e shfaqjeve, kukullat me gjithfarë formash e ngjyra të ndezura janë tregimi i “Dodonës” që krah për krah njëra-tjetrës rrijnë si tribut ndaj njerëzve që ndër vite u kanë dhënë fëmijëve kujtime të bukura, një “botë të çudirave”. 

Mbi të gjitha, kjo dhomë është dëshmi e punës së teknikëve të “Dodonës”, të cilët, siç tregon Visari, me hekura e pjesë të mbetura nga skenografia nga një shfaqje, pa buxhet shtesë, kanë punuar një arkivë fizike, ku Pinokio e Liza e botës së çudirave tash kanë një vend të dinjitetshëm ekspozimi dhe ruajtje.

Kjo arkivë e punuar prej punëtorëve të teatrit “Dodona” është shfaqje në vete të cilën, Visari do të donte t’ia tregonte edhe kryetarit të ri të komunës, vartës i së cilës është “Dodona”, pasi sipas tij, vazhdon avazi i moçëm i shpërfilljes së “Dodonës”. “Në komunë ndodh që ju shkrun njerëzve edhe s’përgjigjen”, thotë Visari teksa shpjegon se përpos që nuk e kanë vizituar, e ka të vështirë që të mbajë komunikim me komunarët, përgjigjet e të cilëve shpeshherë janë vendimtare për operimin e përditshëm të teatrit.

Për dallim prej TKK-së e “Oda”, që po presin renovim, “Dodona”, vendi i punës i 22 punëtorëve, i është nënshtruar një renovimi në vitin 2021. Visari e kujton radhën e gjatë të kërkesave për renovim, e cila, u shkurtua si pa sherr, me ç’rast shumë prej nevojave që ata i kishin identifikuar, përfshirë rregullimin e garderobës, pasqyrave e kabinave të dushit, karrigeve, nuk u trajtuan. 

Siç iu zvogëlua lista e gjatë e renovimeve, ashtu i zvogëlohet shpresa se teatri “Dodona” do t’ia dalë të operojë si duhet, midis burokracisë që për Visarin “pesë pare nuk i jep se si funksionon teatri”.

Visar Krusha, drejtor i teatrit "Dodona", Prishtinë.
Skena e teatrit "Dodona", Prishtinë.

Një njeri që ka bërë shumë plane për ta ruajtur vendin e artë që “Dodona” mban në mendjet e fëmijëve e të rriturve, Visarit, që është drejtor prej vitit 2018, i duhet përditë të shtyhet fyt-a-fyt me një mal çështjesh administrative, që e bëjnë punën kreative të duket “luks” për të. Përpos punës së përditshme në rolet për të cilat janë të kontraktuara, Visari dhe nëpunës tjerë të administratës nganjëherë edhe kujdesen për t’i futur rrobat në lavatriçet, që mezi ua kanë sjellë pas disa vitesh kërkesa. 

Siç kanë pritur për lavatriçet, presin për çdo material tjetër që u duhet për funksionim të përditshëm. Disa ndryshime administrative e ligjore viteve të fundit vetëm sa ua ka vështirësuar teatrove punën. Për shembull, nga viti 2017, teatrot publike nuk kanë më llogari bankare të veten siç e parasheh Ligji për Teatrot dhe mjetet e dedikuara për ta qëndrojnë në thesar të shtetit. Si rrjedhojë, kërkesat për shpenzime, teatrot duhet t’i bëjnë nëpërmjet komunës, e cila edhe e menaxhon buxhetin e tyre. Derisa pagat dhe një shumë e caktuar për mallëra, shërbime dhe subvencione u sigurohen me buxhet shtetëror, shumë që po ashtu menaxhohet nga komuna, për pjesën tjetër të buxhetit, teatrot varen nga buxheti i komunës përkatëse. Ndërkohë, me vullnet politik, teatrot mund të renovohen edhe nga komunat edhe nga ministria.

Kjo formë e centralizimit të menaxhimit të buxhetit ua pengon punën përditë dhe është telashe që e ndajnë edhe aktorët për të gjitha teatrot e qyteteve në Kosovë. Përpos që e çojnë huq punën në shfaqje, çështja e kërkesave të vazhdueshme ia ka bërë të pamundur trupës së teatrit “Dodona” edhe të marrë pjesë nëpër festivale. “Operimi i ‘Dodonës’ është gjithnjë i varur prej dikujt tjetër; ambienti administrativ është absolutisht kontradiktor me teatrin”, thotë Visari, kur tregon se si sa herë shkojnë nëpër turne, nuk kanë para as për t’ua dhënë “një kafe, një copë bukë –– se bohet film”.

Teatri "Adriana", Ferizaj.

Adrian Morina, të cilit i ka rënë të luajë nëpër teatro të ndryshme në Kosovë, tregon sa herë u është dashur të improvizojnë nëpër shfaqje, sepse u janë shpenzuar rekuizitat. Për ta, improvizimet e dëmtojnë shfaqjen dhe e zhvleftësojnë punën e palodhur që ekipe të tëra e bëjnë për ta sjellur shfaqjen ashtu siç duhet te publiku. Duke thënë “në shfaqje bën pa gjithçka, veç pa aktorë s’bon”, Adriani e shpjegon se si prej aktorëve pritet që të jenë gjithnjë aty për shfaqje edhe nëse kjo i bie se duhet të punojnë pa mjetet qenësore për ta realizuar punën. 

Duke e vënë përgjegjësinë para publikut në radhë të parë, ai tregon për kohët kur i është dashur të bëjë kompromis me punën e tij, me përgatitjen e tij profesionale duke improvizuar në skenë. Adrianit një herë, në vend të bukës, iu desh të luajë me sfungjer, një herë tjetër me stiropor. 

“Para reprizës, po më thotë ai punëtori, nuk kanë ble bukë. Ma kish lanë një copë sungjer [në vend të bukës] se tha ‘s’po vërehet, ngjyra e njëjtë’”, tregon Adriani. “Tash unë e marr sungjerin, e ndaj, marr m’ja gjujtë [aktores tjetër]. Buka ka peshë, shkon, sungjeri m’ra para komve”. 

Një tjetër rast që Adriani e përmend është kur në një shfaqje u duheshin fara luledielli. 

Adriani kujton një ngjarje para reprizës me kolegë të teatrit: “‘Ku janë farat?’, iu thashë. ‘S’ka?’, m’thanë. ‘Pse?’ i pyeta. ‘Se po thojnë të ministrisë po hani fara’”. Në mungesë të farave, aktorët luajtën me farat e premierës, të cilat, ua kishte mbledhur me fshesë mirëmbajtësi i teatrit, pasi i kishin pshtyrë në shfaqje.  

Diçka që është rregulluar në “Dodona” e edhe TKK janë ulëset e shkallët — fasada, pamja e jashtme. “Dërrasat i kemi të mira, tepihun na e kanë ndërru, e kanë ly. Publiku s’ka problem”, thotë Visari, për një situatë që qëndron në antagoni me prapaskenën. 

Njëlloj, përkushtimin nëpër fasada të teatrove e përmend edhe Adriani. “Logjika e shtetit mendon për fasadën”, thotë ai. “Shkallët e TKK janë renovu katër herë, prapë janë të shëmtume. Askujt s’i intereson për bodrum në TKK. Minjt në teatër janë të zakonshëm. Kur bjen shi, një metër e gjysmë është [uji]. Kur shkon, uji plot, kanalizimi mbet, fekalet mbesin në sipërfaqe. Aty është horror.” 

“Ata publiku nuk e sheh”, shton Adriani, siç nuk sheh publiku se sa vështirë është të punosh në teatër, me paga të ulëta, role të papërcaktuara mirë, në mungesë të katalogut për vende të punës në teatër e rrjedhimisht, njerëz që i kryejnë disa puna përnjëherësh –– përkundër përpjekjeve të udhëheqësve të teatrove që të arrijnë baraspeshë të punëve, me aq sa kanë e me aq sa munden. 

Disa nga aktoret dhe aktorët e shfaqjes "Marksistët dhe leninistët e Zvicrës", teatri "Adriana", Ferizaj.

Publiku s’e sheh as vendin e punës së 22 punëtorëve të teatrit të qytetit të Ferizajt “Adriana”. Gati asgjë brenda tij nuk ngjan me figurën hijerëndë e të lavdëruar të aktores së ndjerë, emrin e të cilës e bartë ky teatër. Në sallën e provave, midis ngjyrës bojëkafe të drurit që mbizotëron e ngjan me nuancën e ngjyrës së ujit nëpër banjot e këtij teatri, është një zyrë tjetër më ndryshe, që qëndron si një oazë. 

Kjo zyrë e prishë vjetërsinë e gjithçkaje në teatrin “Adriana” dhe si gjithçka tjetër që thyen normën –– zgjon kurreshtje. Për dallim prej pjesës tjetër të teatrit, të varura janë disa piktura të bukura, muret janë të sapolyera, brenda është një kanape dhe një tavolinë e vogël e punës dhe që prej erës ndihet që gjithçka është e re. 

Ajo është zyra e Besim Ugzmajlit, udhëheqësit artistik të këtij teatri. Prej 2020-ës, Besimi e ka rregulluar zyrën vetë, jo vetëm për kah dizajni, por edhe në kuptimin që shumicën prej gjërave aty, i ka blerë nga xhepi i vet. Dukej që ajo ishte gati-gati e vetmja hapësirë ku Besimi ka mundur që punët t’i bëjë njëmend sipas vizionit të tij për atë se si duhet të duken gjërat –– të rregulluara e në vend të vet. 

Për pjesën tjetër, pa dyshim, janë bërë plane të renovimit. 

“Është bo dy-tri herë një plan i renovimit, nuk ka ndodh asnjëherë. E sheh që figuron dikun nëpër buxhete të ministrisë së kulturës, mandej ato pare barten dikah, nuk e din kërkush çka ndodh, nuk bohet renovimi”, thotë Besimi. Mbase aty u fshi edhe plani për ta rregulluar zhveshtoren si të improvizuar, ku aktorët e aktoret, disa në këmbë e disa ulur në kanapetë e arrnuara, gatiteshin për shfaqjen “Marksistët dhe leninistët e Zvicrës”. 

Për renovimin e teatrit të Ferizajt janë bërë premtime e janë shkrepur fotografi. Në vitin 2019, ministri i atëhershëm i kulturës Kujtim Gashi, teksa nënshkroi një memorandum bashkëpunimi me kryetarin e Ferizajt, Agim Aliun, përmendi investimet e planifikuara, ku përfshihej edhe teatri, kurse në vitin 2020, kryetari Agim Aliu, pati përmendur se teatri ishte në mesin e investimeve kapitale të komunës. 

Por, në një përgjigje për K2.0, shefi i kabinetit të kryetarit Aliu, Albion Sherifi tha se sipas dijenisë së tij qeveria e tanishme e ka hequr si projekt nga buxheti dhe se Ministria e Kulturës nuk ka dhënë ndonjë informatë për heqjen e tij. K2.0 ka kontaktuar Ministrinë e Kulturës për sqarime shtesë, por ata nuk janë përgjigjur.

Besim Ugzmajli, udhëheqësi artistik i teatrit "Adriana", Ferizaj.

Besimi shton se teatri numëron probleme të mëdha infrastrukturore, që si në teatrot tjera, fillojnë me të ftohtin dhe kaloriferin ikonik, simbolin përbashkues të teatrove të Kosovës. Në këtë teatër, i ftohti që hyn nga bodrumi dhe nga mungesa e izolimit ka bërë që shpeshherë provat të shtyhen e anulohen. “Në këtë teatër ngrihesh”, thotë Besimi dhe tregon se si të “çmend” zhurma e kaloriferit, që prapëseprapë është i pamjaftueshëm për ta ngrohur atë hapësirë të madhe, që e humbë energjinë tepër shpejt. 

Ngjashëm me Visarin e “Dodona”, edhe Besimi e përmend se sa e vështirë është bërë të mbash teatër për shkak të varësisë që teatri e ka ndaj Drejtorisë e Kulturës në Ferizaj në aspektin financiar. “I kanë marrë xhirollogaritë prej teatrove, e kanë shkatërru teatrin komplet, s’ka pavarësi, pa pavarësi financiare”, thotë Besimi. Edhe për të, kërkesat e pafundme edhe për gjërat më të vogla, kanë zbehur mundësinë për krijim artistik. 

Besimi e ilustron këtë me rrjedhën e ngjarjeve të një shfaqjeje prej premierës deri te repriza e fundit, ku bashkë me kohën, ulet cilësia e shfaqjes. “E kemi pasë një shfaqje, ‘UN inspektori’ [ku] shtrohet njëfarë darke”, thotë ai. “Në premierë ishte darka fantastike, dikur përfundoi në një koktej të lodhtë. Repriza e pesëmbëdhjetë përfundoi me kishe po hajmë diçka”. 

Këmbëngulës në nevojën urgjente për mobilizim të komunitetit artistik, Besimi insiston që ky artikulim i kritikës duhet të mirëmbahet, pa ndërhyrjen e institucioneve. Artistët, sipas tij, anipse punojnë në institucione, nuk duhet institucionalizuar. 

“Ministrat e kulturës janë njëfarë pozite të priftit, ti shkon rrëfehesh, ai të ngon, blur, po të ngon derisa ta kryjsh; ti çlirohesh; ai çlirohet prej kritikave tua se ty të vyn një kohë me u akumulu; se ai të dha mundësi m’u shpreh; ti je shpreh; ai t’i ka falë mëkatet, kaq”, thotë Besimi. 

Në mungesë të personelit, shumicës së punëtorëve të teatrit “Adriana” u duhen t’i bëjnë disa punë dhe sikur kjo të mos ishte e bollshme, ky teatër nuk e di se çka i pret për gjysmën tjetër të vitit. “Pjesën e dytë të vitit nuk e dijmë çka kemi me bo. Gjashtë-mujorin e parë i harxhojmë paret për me prodhu dhe nuk e di ku e kemi centin tjetër”, thotë ai. 

Dhoma e garderobës, teatri i qytetit të Gjilanit.
Erson Zymberi, teatri i qytetit të Gjilanit.

Më pak ankesa kanë punëtorët e punëtoret e Teatrit të Gjilanit viteve të fundit. Për dallim prej renovimeve gjysmake e pritjeve të kahershme për renovim të teatrove më lart, ky teatër më në fund është renovuar në vitin 2021. Teksa ecë nëpër korridoret e reja të teatrit, Fehmi Hoti, teknik i skenografisë në këtë teatër tash e 23 vjet, me gëzim tregon se si për t’i arritur këto rezultate, i kanë përcjellur punimet e renovimit pa ndalur, për t’u siguruar që punimet janë bërë ashtu si duhet. 

Teknikët e teatrit janë njerëzit që më së miri e njohin prapaskenën sepse teksa aktorëve e aktoreve u bie të ngjiten në skenë dhe të marrin falënderim të paktën prej publikut, teknikët janë ata që s’duken, shpesh as nëpër posterët e mëdhenj që lajmërojnë shfaqjet, nëpër shkallët e teatrove. 

E punojnë skenën, i ndezin dritat, pa të cilat nuk ka shfaqje, lëshojnë muzikën, përcjellin secilin punim që bëhet në teatër. Ata punojnë gjithnjë. “Si teknik dhe përgjegjës për një sektor, punoj pothuajse çdo ditë dhe i sakrifikoj festat, përfshirë ato zyrtare. Arsyeja pas kësaj është fakti që ne ndërtojmë për argëtimin e të tjerëve dhe ne punojmë para, gjatë dhe pas performancave”, thotë Yann Perregaux Dielf, drejtor teknik në teatrin “Oda”.

Ngjashëm me Fehmiun e Teatrit të qytetit të Gjilanit, edhe Yann, që i këshillon kolegët e tij t’i njohin kufijt, ata të njohurisë dhe ata të trupit të tyre, kur flasin për teatrin, nuk dallohet në po flasin për shtëpinë e tyre apo vendin e tyre të punës.

E pavarësisht kësaj, zelli që rritet përditë, rritet bashkë me sfidat e teknikëve të teatrit. “Siguria në teatër në Kosovë duket se është harruar tash e sa kohë dhe kjo shihet tek mungesa e investimit në të”, shton Yann duke treguar se teatri nuk mund të mbahet veç prej të ardhurave të veta dhe se ka nevojë për mbështetje prej Ministrisë së Kulturës. 

Njëlloj në vështirësi punojnë edhe teknikët e Gjilanit. Erson Zymberi, të cilit në kohën e intervistës i kishte kaluar mandati që pak ditë, si një prej mundimeve të para të teatrit që ai e udhëheq e përmend mungesën e hapësirës së punës për teknikët. “Është kërkesë e vazhdueshme e punëtorëve teknikë të skenës, të cilët e shfrytëzojnë një hapësirë mbrapa [jashtë teatrit] ku ndodhet ngrohtorja e teatrit”.

Ersoni, i ka dy hapësira në teatër fort të veçanta për të dhe kolegët e tij. 

Njëra është hapësira punuese për aktorë, ku ngjitur është një letër e bardhë me emrin Raif Haziri – Spira, kolegu i tyre i dashur, organizatori e inscpicienti, që vdiq në vitin 2021. Një tjetër hapësirë është ruajtur –– zyra e aktorit e regjisorit Muharrem Sylejmani, i cili po ashtu vdiq në të njëjtin vit. Kur flet për këta dy punëtorë që jetën ia kushtuan teatrit, Ersoni më së shumti tregon për lidhjen e paçmueshme me njerëzit që e bënë teatrin dhe obligim që ai e ndien, që udhën që ata e kanë nisur ta vazhdojë. 

Hapësira e rekuizitave, teatri i qytetit të Gjilanit.

Shtëpia e festivalit “Flaka e Janarit”, që Ersoni e përmend si shënjues të rëndësishëm të historisë së teatrit, si “za i ngritur, revoltë kundër shtypjes” ka vuajtur shumë që të mbahet e tillë. Ndër vite, teatri i Gjilanit ka parë çmos. 

Në të ‘90-tat, pasi u dëbuan nga forcat e regjimit të Milošević-it, teatri u zhvendos në Shtëpinë e Kulturës në fshatin Perlepnicë –– koha kur Ersoni, i biri i aktorit të njohur Naser Zymberit, “u infektua” me dashurinë për teatrin e skenën. Për t’i mbajtur provat, dikush prej fshatarëve dilte për të parë nëse inspektorët apo policia kalonte andej dhe përmes fishkëllimave apo shenjave tjera, i njoftonte aktorët e aktoret brenda. 

Mandej, pas luftës, teatri u kthehet artistëve të tij dhe kushtet e vështira vazhdojnë. Viti 2021 shënoi vitin kur disa prej vështirësive u zgjidhën, me zgjidhjen e mbështetjes financiare –– sigurimin e linjës së veçantë buxhetore për teatrin në buxhetin shtetëror–– zgjedhja e ansamblit rezident me kontrata të rregullta dhe renovimit. 

Megjithkëtë, si në “Dodona” e në “Adriana” edhe punëtorëve të teatrit të Gjilanit u duhet të merren me letra për të blerë kostume e materiale të skenografisë. Ndërkohë e pa rregulluar mbetet një pjesë e teatrit që në fakt është dëmtuar nga një renovim i Ministrisë së Kulturës në vitin 2016. Materialet që janë përdorur për këtë renovim dhe zhvendosja e tavanit më poshtë e kanë dëmtuar akustikën e teatrit. Dhe, të të mos dëgjojë publiku është e patejkalueshme, sidomos për aktorët e aktoret. Adrian Morina e ndan përvojën e tij për dëmtimin e këtij teatri nga renovimi i mbrapshtë, “Mrena në skenë kur flet, nuk të merr vesh kërkush”, thotë ai. “Ajo është horror. Akustikën e kanë prishë dhe ajo s’kthehet në veti kurrë”. 

Skena e teatrit të qytetit të Gjilanit.

Nuk janë dëgjuar as kërkesat e vazhdueshme për ta mbushur rolin e udhëheqësit artistik të teatrit të Gjilanit –– i cili pas dorëheqjes së udhëheqësit të fundit, ka mbetur i zbrazur tash e 7-8 vjet. Njëlloj i zbrazur është edhe roli i zyrtarit për komunikim, rol që e kryen vetë Ersoni, ngjashëm me Visarin e “Dodona” e Besimin e “Adriana”.

Për rolin e udhëheqësit artistik, Kushtrim Zeqiri, drejtor i Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport në Komunën e Gjilanit thotë se shpreson se brenda këtij viti do të zgjidhet edhe ky problem.

Ersoni, sidoqoftë ka arritur që t’i rehatojë disa sfida të kahmotshme të teatrit me insistimin e tij, shkuarjen nga zyra në zyrë. Megjithkëtë çështje e pazgjidhur ka mbetur edhe ngrohja –– teatri i Gjilanit ngrohet me dru –– gjë që e shqetëson Ersonin në shumë nivele, përfshirë edhe atë të ndotjes së ambientit, pasi mendon që teatri si institucion, ndër tjera, bartë pergjegjësi edhe për promovimin e mbrojtjes së natyrës. 

Ersoni tregon se për shkak të kësaj mënyre furnizimi, ka raste kur u mbarojnë drunjtë dhe u duhet të bëjnë kërkesa për furnizime dhe periudha deri në aprovimin e kërkesës dhe furnizimit i lë sallat e provave të ftohta.

Vendosmërinë e tij për të mbajtur teatrin siç duhet, Ersoni në vitin 2018, e jetësoi edhe përmes themelimit të Asociacionit të Teatrove Publike të Qyteteve të Kosovës, një mekanizëm ku anëtarë janë drejtorët e teatrove publike në Kosovë dhe përmes së cilit problematizohen sfidat e përbashkëta të teatrove publike në Kosovë. 

Në prapaskenën e teatrit shihet qartë që përkrahja institucionale, përtej premtimeve, duhet të materializohet në realitet, ashtu që vendi i punës së punëtorëve të teatrit të mos jetë më i frikshëm, sepse për ta e frikshme është ideja e të mos pasurit teatër, si vend ku artikulohet kritika e gërrithet ndërgjegja e institucioneve. 

Punëtorët e punëtoret e teatrit lënë mesazhin që s’e kanë ndërmend të ndalen, as në kritikën në skenë as në atë prapaskenës. Ata e ato e vendosin teatrin të parin, nganjëherë edhe para vetes, por kjo nuk ua pengon vetëdijen se teatri është keq. Janë edukuar, siç thonë edhe vetë, asisoj që përgjegjësinë ndaj publikut ta kenë të lartë edhe kur puna e tyre nëpërkëmbet. 

Por teksa e manifestojnë këtë përgjegjësi, kanë frikë për sigurinë e tyre. Këtë frikë e bartin brenda vetes edhe kur luajnë komeditë më qesharake. Aktorja, Hajat Toçilla përpos aktrimit, nuk i mbyllë dot sytë para asaj që sheh lart, mbi skenë –– pamje që publiku s’e sheh. 

Cugat vërtiten mbi ta si kujtim i vazhdueshëm se gjërat duhet të ndërrojnë, sepse njëmend, çështja është jetë a vdekje. “Ato janë rrezik, unë kam pasë me hypë në njëfarë luhaje, më çojshin krejt nalt, veç m’shkojke mendja çka nëse këputet?”, pyet Hajati.

Përgjigjen e shmangin, sepse është e papërballueshme. Ndoshta, droja e Adrianit “E vetmja drojë që e kam në teatër është që kam me dekë prej cugave” e pritja e Hajatit se kur do të këputen cugat, do të zgjojnë angazhim te institucionet sepse, nëse cugat këputen, mundësi për repriza nuk do të ketë. 

“Shfaqja ndalet veç kur vdes”, thotë Adriani në fund dhe shkon prapa perdeve në teatrin “Oda”, për t’u gatitur për shfaqjen e radhës, që si për ironi, ishte komedi.

Ky artikull është prodhuar me mbështetjen financiare të “Trusti Ballkanik për Demokracinë“, projekt i Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara dhe Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë. Opinionet e shprehura në këtë artikull nuk paraqesin domosdoshmërisht ato të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë,Trustit Ballkanik për Demokraci, Fondit Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, apo partnerëve.

Pse kjo klauzolë?