Vërshimet ende e zënë Kosovën në befasi - Kosovo 2.0

Vërshimet ende e zënë Kosovën në befasi



Ndryshimi klimatik, degradimi i shtretërve të lumenjve e betonizimi rrezikojnë komunat e papërgatitura.

19/09/2023

Në Kosovë dhe më gjerë në Ballkanin Perëndimor, lajmet për vërshime janë bërë tashmë të zakonshme, sidomos gjatë fillimit të vitit dhe muajve të verës.

Ende pa mbaruar viti, qytetet e Kosovës janë vërshuar dy herë. Në janar 2023, qytetet e Skenderajt, Mitrovicës, Podujevës, Istogut e Klinës patën dëme të konsiderueshme materiale. Vetëm në Skenderaj, dëmet nga vërshimet u vlerësuan afër 12 milionë euro teksa u dëmtuan 300 shtëpi banimi.

Pas disa muajsh, në qershor, u vërshuan sërish disa qytete, ndër të cilat Peja e pësoi më së rëndi. Një grua dhe djali i saj 5-vjeçar humbën jetën pasi oborri i shtëpisë në lagjen “Asllan Qeshme” iu vërshua me vrull. Trupi i gruas u gjet pas disa orësh kërkimi, larg oborrit shtëpisë, nga ku e kishte bartur rrjedha e ujit.

Vërshimet, që s’janë të panatyrshme, janë shpeshtuar për shkak të ndryshimeve klimatike. Që nga viti 1981, temperaturat mesatare globale janë rritur për 0.18 gradë për çdo dekadë. Sot, toka është 1.2 gradë më e nxehtë në krahasim me epokën para-industriale. Ndryshimi i temperaturave ka çrregulluar ekosistemin duke shpeshtuar motin ekstrem si duke rritur thatësirat dhe sasinë e reshjeve. Shpeshtimi i vërshimeve si pasojë e ndryshimeve klimatike përmendet edhe në Planin e Veprimit të Strategjisë për Ndryshime Klimatike 2019-2021 të hartuar nga qeveria e Kosovës. Plani i Veprimit thotë se ndryshimet klimatike tashmë vihen re në Kosovë.

Ndryshimi klimatik e ka vështirësuar edhe parashikimin e katastrofave natyrore. Për shembull, në hidrologji, shkencë që merret me ciklin e ujërave, njihen periudhat përsëritëse që llogarisin se sa shpesh mund të ndodhin vërshimet e njëjta në vendin e njëjtë. Sipas studimeve në këtë fushë, vërshimet e njëjta mund të ndodhin prej pas 10 deri 1,000 vitesh. Në Kosovë, vërshimet e janarit të vitit 2021, u vlerësuan të njëjta me ato të vitit 1979 — pra u përsëritën pas 42 vitesh. Por, pakkush mund ta parashikonte përsëritjen e vërshimeve të njëjta pas dy vitesh, siç ndodhi me vërshimet e këtij viti.

Qyteti i Skenderajt gjatë vërshimeve në janar të vitit 2023. Fotografia: Sefer Aliqkaj.

Në Kosovë, faktor rreziku për vërshime nuk janë vetëm ndryshimet klimatike. Rrezikshmërinë e shtojnë degradimi i vazhdueshëm i shtretërve të lumenjve dhe infrastruktura e dobët, si pasojë e betonizimit të hapësirave të gjelbërta dhe ndërtimit në pellgje lumore.

Ekzistojnë disa adresa institucionale, në nivel qendror e lokal për vërshime. Përgjegjësia për t’i parashikuar, ngritur alarmin dhe menaxhuar vërshimet bie te dy institucione në nivel vendi — Instituti Hidrometeologjik i Kosovë (IHMK) dhe Agjencia e Menaxhimit të Emergjencave (AME).

Ndërkohë, për ta ditur nivelin e rrezikshmërisë në nivel vendi, Autoritetit Rajonal i Pellgjeve Lumore, brenda Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës (MMPHI), ka përgjegjësinë t’i hartojë Hartat e Rrezikshmërisë dhe Rrezikut nga Vërshimet për pellgjet lumore të Kosovës. Por, asnjëra s’është gati.

Harta e fundit, ajo e vlerësimit paraprak të rrezikut nga vërshimet, që është hartuar nga ministria daton në vitin 2021 dhe paraqet vlerësimin të rrezikut nga vërshimet për të gjitha pellgjet lumore. Ndërkohë, ajo e Rrezikshmërisë dhe Rrezikut nga Vërshimet, sipas MMPHI, është në proces dhe mund të përfundohet deri në fund të vitit. Kjo hartë pritet të mbledhë të dhënat ndër vite nga të gjitha institucionet relevante dhe do të paraqesë qartë se cili rajon rrezikon të vërshohet nëse ka reshje të shumta.

Pas vërshimeve në Pejë, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka premtuar një strategji të re për t’iu kundërpërgjigjur ndryshimeve klimatike — e fundit kap periudhën 2019 – 2021. Kurti, në mbledhjen e qeverisë pas vërshimeve, tha se duhen 1.3 miliardë euro investime në infrastrukturë që të përshtatemi me ndryshimet klimatike.

Por përpara të gjitha institucioneve qendrore, përgjegjësia fillimisht i bie secilës komunë për t’i përgatitur dokumentet të cilat i parasheh Ligji për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, të cilat duhet ta ofrojnë vlerësimin e rrezikut dhe planet e reagimit emergjent dhe t’i realizojnë ato.

Megjithëse institucionet përgjegjëse janë të qarta, vërshimet e papritura në janar dhe në qershor të këtij viti treguan se ato nuk janë në krye të detyrës.

Qyteti i Vushtrrisë dhe rrethina e tij, të vërshuara në janar të vitit 2021.
Fotografitë: Narcis Drevinja.

Faktori njeri po rrit dëmin e vërshimeve

Ujërat e Kosovës ecin në afro 50 lumenj e qindra përrocka, që ndahen në katër pellgje lumore: Drini i Bardhë, Ibri, Morava e Binçës dhe Lepenci. Drini është lumi më i gjatë me 110,70 kilometra, ku derdhen shumë përrocka e lumenj më të vegjël. 

Meqë Kosova rrethohet prej malesh të larta, ujërat prej andej lëshohen shpejt në rrafshinat e qyteteve dhe rajoneve. 

Kësisoj, Kosova rrezikohet nga dy lloj vërshimesh: vërshimet urbane — kur lumenjtë kalojnë direkt në qytete dhe vërshimet lumore — kur lumenjtë, edhe në rrafsh, kalojnë kapacitetin e shtratit të tyre dhe dalin prej tij. Ndryshimet klimatike si rritja e sasisë së shirave ndikon drejtpërdrejt në kapacitetin e shtretërve të lumejve për ta mbajtur sasinë shtesë të ujit.

Faktori i ndryshimeve klimatike, sipas Lavdim Osmanaj, doktor shkence në hidroteknikë, vërehet kur sasia e reshjeve që është normale të bie për një muaj, bie brenda një ore. Kjo ndodhi më 24 qershor të këtij viti në Pejë.

Brenda 64 minutave në qytetin e Pejës ranë 56.4 litra ujë shiu në një metër katror. Sipas ekspertëve, nuk ka infrastrukturë që mund ta përbijë këtë sasi. Rrëketë e uji nëpër përrockat e kanalet e qytetit kaluan nivelin e kontrollueshëm dhe vërshuan gjithçka.

Prof.Dr.Lavdim Osmanaj, profesor në Fakultetin Teknik të Universitetit të Prishtinës. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

“Ishte tipik vërshim urban. Me këtë sasi reshjesh në një kohë aq të shkurtër, në përllogaritjet që kam bërë unë mund të ndodhë njëherë në 70 vite”, thotë Osmanaj, që tregon modelet e tij me të dhëna dhe periudha përsëritëse.

Evidencat rreth vërshimeve në Kosovë nuk shkojnë aq larg në kohë. Të dhënat e Institutit Hidrometeorologjik datojnë më së largu në vërshimet e vitit 1979, kur i gjithë vendi u godit nga to.

“Ka pasë [vërshime] edhe në vitin 1963, por nuk kemi shënime, edhe ka disa fotografi në Kaçanik më 1930 e diçka, por nuk ka të shkruar”, thotë Bashkim Kastrati, hidrolog në IHMK, i cili prej pasluftës, përcjellë përditë gjendjen e lumenjve.

IHMK çdo vit nxjerr raporte me të dhëna, që i quan vjetarë hidrometeorologjikë. Kastrati ka bërë krahasimin e vjetarëve të vitit 1979 dhe 2021 për të ardhë në përfundim se kishte ndërlidhje midis vërshimeve të të dy viteve, respektivisht që periudha përsëritëse midis tyre ishte rreth 50 vjet.

Ky institut i merr të dhënat nga 35 stacionet statike hidrologjike në lumenjtë kryesorë dhe degët e tyre nëpër Kosovë. Gjysma e këtyre stacioneve ia përcjellin të dhënat institutit periodikisht online. Kohë pas kohe, lëvizja e nivelit të ujit nëpër lumenj i vjen si njoftim institutit.

“Te vërshimet janë tepër të rëndësishme stacionet online. Ne i shohim në kohë reale se si janë tendencat e niveleve të ujit, duke e ndërlidh edhe me faktorin meteorologjik, me prognozën te ne dhe në rajon. Pasi ujërat nuk kanë kufij, vijnë lumenjtë nga vendet fqinje”, thotë Kastrati për të dhënat, që shkojnë automatikisht edhe tek Sistemi Evropian i Paralajmërimit të Vërshimeve (European Flood Awareness System). Ky sistem i mbledh të dhënat nga e gjithë Europa dhe në rast të rrezikut për vërshim, lajmëron shtetin përkatës. Ashtu ndodh edhe me Kosovën.

Kur një njoftim i tillë i vjen në sistem hidrologut Kastrati, ai, për të qenë sa më i saktë, të dhënat nga terreni i përpunon në modelet e ndryshme të përllogaritjes së vërshimeve.

“Vetëm pasi të sigurohem mirë, atëherë e shkruaj paralajmërimin për vërshim që shkon direkt tek Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, tek mediet dhe rrjedhimisht tek qytetarët”, thotë ai, dhe shton se njoftimet mund të paralajmërojnë vërshimet dy ditë më herët, 24 orë më herët, disa orë më herët, por ka edhe vërshime që ndodhin paparashikueshëm.

Pasi IHMK paralajmëron AME, kjo e fundit ngrit alarmin për gatishmëri tek komunat, si institucioni i parë që do të ballfaqohet me vërshimet. Kur vërshimet nuk mund të menaxhohen më nga niveli lokal, AME bën koordinimin e veprimeve mes institucioneve qendrore dhe atyre lokale.

Anipse ky sistem njoftimi funksionon, drejtori i Departamentit për Gatishmëri në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave, Hajriz Sejdiu thotë se Kosovës i mungojnë dy sisteme alarmimi. Sipas tij, Kosova e ka vetëm një segment të Sistemit të Paralajmërimit të Hershëm, sistem ky që po të ishte i plotë do të ishte shumë më i sofistikuar. Pos kësaj, Kosovës i mungon edhe sistemi i alarmimit publik me zë në të gjithë vendin. Ai shton se nuk ekziston ndonjë rrjet i unisuar i komunikimit me radio-lidhje mes ekipeve reaguese si policia, zjarrfikësit dhe ambulancat. Të tri institucioneve u mungon komunikimi mes vete në kohë reale.

Por, pos rolit që luajnë ndryshimet klimatike në shpeshtimin e vërshimeve, në Kosovë, rol të madh luan edhe faktori njeri.

Sipas inxhinerit të hidroteknikës Osmanaj, disa nga shkaktarët tjerë të vërshimeve janë: mbindërtimet mbi kanale të hapura, që janë të shumta në Pejë, hedhja e mbeturinave nëpër lumenj, prerja e pyjeve, që nxit rrëshqitjen e dheut duke përshpejtuar vërshimet, mos-mirëmbajtja e kanaleve të ujërave atmosferikë e gjithashtu edhe përzierja e kanalizimeve fekale me ato atmosferike.

Vetë rasti i vdekjes në Pejë ndodhi në një shtëpi ndërtuar ngjitur me kanal. Hedhja e mbeturinave e mbulimi i kanalit vend e vend kanë bërë që uji të shpërthejë, duke vërshuar çka t’i dalë përpara.

Mirëmbajtja e kanaleve të ujërave atmosferikë dhe pastrimi i shtretërve të lumenjve shpeshëherë nuk bëhet si duhet. Hidrologu Bashkim Kastrati duke qenë çdo ditë nëpër shtretër të lumejve e sheh dëmin që u shkaktohet.

Bashkim Kastrati, hidrolog në Institutin Hidrometeorologjik të Kosovës. Fotografi personale.

“Ndonjëherë i heqin drunjtë me rrënjë [pranë shtretërve të lumejve]. E çka të presim më pas, aty dheu rrëshqet komplet sepse s’ka ku të mbahet. Kjo bën dëm të madh”, thotë ai.

Nëse endesh Kosovës nëpër qytete, sheh shumë kanale dhe shtretër lumejsh që janë të betonuar komplet. Nëpër beton uji rrëshqet shpejt pasi s’ka asnjë gurë apo pemë t’ia pengojë vrullin. Me atë vrull uji godet zonat më të ulëta. Betonimet e shtretërve të lumenjve janë bërë nga niveli lokal apo qendror i qeverisjes me qëllim të rregullimit të tyre për t’i parandaluar përmbytjet e vërshimet.

Sipas Osmanajt, në shumë projekte, rregullimi apo sistemimi i lumenjve viteve të fundit është bërë pa përfshirjen e analizës hidrologjike dhe pa analizë të përmbytjeve. “Problemi po shihet tash në terren me përmbytje”, thotë ai. 

E në projektimin e kanaleve, sipas Kastratit nga IMHK, rrallë ka interesim për të ditur se sa sasi shiu bie në Kosovë që kanalet të ndërtohen përkitazi. 

“Ne kemi shimatës, të cilët iu nevojitet projektuesve e inxhinierëve, që kur projektojnë kanale ta dijnë vëllimin. Por, shumë pak ka interesim. Mund të them se duhet të ndodhë diçka që të fillojë vetdijësimi. Kanë ndodh këto vërshimet e fundit dhe ka filluar”, thotë Kastrati.

Në zona urbane vërshimet janë shtuar edhe për shkak të urbanizimit. Kur lagjet me shtëpi rrënohen për t’u lënë vend ndërtesave shumëkatëshe, bashkë me to zhduket edhe toka nën beton e asfalt. Më parë, lagje të tëra ishin me shtëpi, ku megjithatë kishte oborr e pak kopsht dhe uji i shiut përthithej nga toka. Tash, uji nuk thithet dot nga betoni. 

Kjo vihet në pah nga hidrologu, që është edhe drejtor teknik në Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit “Prishtina”, Sokol Xhafa. Sipas tij, në këto zona e pësojnë zonat më të ulëta. 

“Kulmet janë 100% qoftë lamarinë, qoftë çfarëdo kulmi, i gjithë uji shkon nëpërmes ullukëve në sistem kanalizimi dhe toka nuk përthith asgjë. Atëherë e pësojnë zonat e ulëta sepse uji atje përfundon”, thotë Xhafa.

Ndërkohë, dëmet në rastet e vërshimeve janë rritur edhe për shkak të ndërtimeve brenda pellgjeve lumore. Në rast se nuk do të kishte ndërtime të tilla, uji do të vërshonte vetëm tokën, pa shkaktuar dëme materiale dhe në njerëz. 

Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor nuk ka dhënë asnjë përgjigje në lidhje me gjendjen e pellgjeve lumore. As Inspektorati i kësaj ministrie s’ka treguar se a ka pasur inspektime, vendime për rrënime apo edhe dënime.

Sipas Hajriz Sejdiut nga AME, i cili ka qenë dëshmitar i vërshimeve qe 10 vjet, vëmendja duhet të jetë në parandalim, më shumë sesa në reagim. Anipse vërshimet mund t’i ndodhin edhe vendeve me infrastrukturë të qëndrueshme, betonizimi e degradimi i shtretërve të lumejve, ndërtimet në zona të rrezikshme e përgjithësisht betonizimi i hapësirave të gjelbërta e rrisin dëmin, që vërshimet lënë pas.

Të gjithë pak të përgatitur për vërshime

Në Kosovë më nuk ekziston ndonjë komunë që mund të thuhet se nuk është prekur nga vërshimet, qoftë ato urbane, qoftë nga ato që vijnë nga lumenjtë, kur lumi fryhet dhe del nga shtrati. Por, komunat, si reagueset e para, vazhdojnë të zihen të papërgatitura. 

“Ne kemi pasqyrën se sa komuna janë të përgatitura për secilën fazë — është për keqardhje përgatitja e tyre”, thotë Sejdiu nga AME.

Të papërgatitura komunat kanë qenë kaherë. Para dhjetë vitesh hidrologu në IHMK, Bashkim Kastrati i kishte thirrur në telefon kryetarët e komunave të Kosovës, që ata t’i jepnin një person kontakti në rast të lajmërimit të rrezikut nga vërshimet. Vetëm gjysma e tyre i ishin përgjigjur kërkesës.

Disa prej komunave në Kosovë nuk kanë Drejtori Komunale për Mbrojtje dhe Shpëtim, që do të merrej specifikisht me fatkeqësi natyrore. Në rastet tjera kur komunat kanë drejtori të tillë, sipas Sejdiut, ato janë sa për sy e faqe.

Hajriz Sejdiu, drejtor i Gatishmërisë në Agjencinë e Menaxhimit të Emergjencave. Fotografia: Atdhe Mulla / K2.0.

“Në këto kushte të ndryshimeve klimatike, është e pamundur që një komunë të menaxhohet pa e pasë një drejtori të tillë, profesioniste. Shumica e tyre nuk kanë drejtori të tilla, dhe ato që kanë i kanë të mangëta, me njerëz jo-profesionistë dhe buxheti i tyre shpeshherë bartet në drejtori tjera”, thotë Sejdiu, që shton se AME ka një qendër të trajnimeve, ku komunat mund të dërgojnë personel dhe vullnetarë në trajnim, por interesimi është i vogël.

Në vazhdën e shumë planifikimeve që duhet të bëjnë komunat është edhe hartimi i një Plani Detal të Ujërave Atmosferikë. Ai plan do të përfshinte çdo gjë rreth ujërave atmosferikë, nga mbledhja e tyre e deri në menaxhimin e tyre dhe evitimi i vërshimeve nga ta. Sipas hidroteknikut Osmanaj, asnjë komunë e Kosovës nuk e ka një plan të tillë. 

Ndërkohë, sipas Ligjit për Mbrojtje nga Fatkeqësitë Natyrore dhe Fatkeqësitë tjera, secila komunë duhet ta ketë Planin e Reagimit Emergjent dhe Vlerësimin e Rrezikut. 

Të gjitha qytetet që u vërshuan gjatë janarit e qershorit të këtij viti kanë në gjysmë këto dokumente, duke pritur miratimin ose në rishikim apo në hartim. Të pasurit e planit për reagim emergjent, që bazohet në vlerësim të rrezikut, u jep komunave një plan të qartë për mbrojtje dhe shpëtim përballë fatkeqësive natyrore dhe të tjera. 

Brenda vlerësimit të rrezikut i gjen edhe zjarret, edhe vërshimet, edhe thatësitë. Në këto dokumente ka edhe skenarë se si të veprohet. Praktikë që, sipas Sejdiut, kërkon edhe kryerjen e ushtrimeve të evakuuimit, të reagimit, që do të ndihmonte shumë në rastet kur fatkeqësia ndodh me të vërtetë. Pa to, sipas tij, është amulli dhe nuk dihet se si të reagohet. 

Por, edhe kur këto dokumente ekzistojnë, Sejdiu ka parë drejtorë komunalë e kryetar komunash, që dalin në terren dhe bëhen pengesë e ekipeve emergjente.

“Roli i tyre është në shtab emergjent që të organizojnë dërgesa ushqimi, uji apo pajisje për ekipet profesionale në terren. Është një hallakamë dhe pa koncept e organizim, me shumë stres, pa rezultat”, thotë ai, teksa kujton që të njëtën situatë e kishte parë në Skënderaj e Mitrovicë në vërshimet e fundit.

Në Skënderaj më 19 janar 2023, gjendja që kishte lënë vërshimi i ujit ishte e rëndë. Lumi “Klina” dhe “Përroi i keq” nuk kishin zgjedhur ku të kalonin. Këto vërshime Skenderajn e kanë gjetur pa Plan Operativ Emergjent dhe pa Vlerësim të Rrezikut. Sipas kësaj komune, Skënderaj është në proces të hartimit të Planit Operativ Emergjent, i cili pritet të miratohet së shpejti nga Kuvendi Komunal. Ndërsa Plani për Vlerësim të Rrezikut nuk është përfunduar ende.

Skenderaj pas vërshimeve të janarit të 2023. Fotografia: Sefer Aliqkaj.

Ndërkohë, kur në qershor, lumenjtë “Tërstena” dhe “Podranqa”, por edhe të tjerë lumenj në Vushtrri ishin fryrë aq sa dolën nga shtrati, Ferit Idrizi, kryetar i Vushtrrisë, duke ndjekur rrugën ligjore, kishte ngritur gatishmërinë emergjente dhe kishte formuar Shtabin Emergjent, të cilin e udhëhiqte vetë. Kjo komunë e kishte Vlerësimin e Rrezikut, por Planin për Reagim Emergjent e kishte në rishikim. Dëmet nga vërshimet ishin të konsiderueshme, por komuna e Vushtrrisë ende nuk e ka një shifër monetare të dëmeve.

Mitrovica, ndërkohë, të dyja dokumentet që i kërkon Ligji për Fatkeqësi Natyrore dhe Fatkeqësi tjera i ka në rishikim. Ky qytet, në rast reshjesh të shumta, sulmohet nga lumi “Ibër”, “Trepça” e “Sitnica”. Dëmet nga vërshimet e fundit në janar të këtij viti llogariten të jenë 8 milionë euro. Pjesa e mbuluar e lumit “Lushta” është një pikë kritike në qytet dhe komuna tashmë ka marrë masa për ta pastruar.

Në anën tjetër të Kosovës, në Rahovec, atje ku shumë përrocka derdhen në lumin “Drin”, kur reshjet fryejnë lumin, rrjedhat e tyre lënë shumë dëme në qytet dhe fshatra, që njihen për kulturat bujqësore të shumta, në krye me rrushin. Në janar të vitit 2023, nga shiu i madh që kishte rënë, dëmet kishin arritur në afro 104,000 euro. Por, dëmet më të shumta po ndihen tash në kohën e vjeljes së rrushit, kur sasia e tij është zvogëluar nga dëmtimi që i është shkaktuar atëherë nga shiu.

Rahoveci ka histori të gjatë me dëmet që vijnë nga vërshimet, ngaqë duke qenë më i ulët se qytetet tjera përreth, ujërat përfundojnë aty. Megjithatë, pastrimi i përrockave dhe ndërtimi i katër kanaleve të reja të kullimit, sipas komunës, po bëhet rregullisht që të reduktojë dëmet e mundshme nga vërshimet. Pikat e dobëta për Rahovecin, nga ajo që kanë konstatuar ekspertët e komunës, janë ndërtimet pa leje, hedhja ilegale e inerteve, uzurpimet e kanaleve dhe urat e ngushta.

Ndërkohë, komuna e Pejës thotë të ketë Planin Operativ Emergjent dhe se tash po merret me ndërtimin e kanaleve të reja të kullimit dhe pastrimin e atyre ekzistues. Njëjtë thanë se po veprojnë edhe komunat tjera. Por, sikur këto veprime të bëheshin rregullisht, ekspertët thonë se vërshimet do të kalonin me dëme më të vogla.

Qyteti i Pejës përgjatë dhe pas vërshimit të qershorit të vitit 2023
Fotografitë: Peja në fokus.

“10 ditë ka vëmendje dhe gjithçka harrohet”

Periudha post-vërshim apo post-emergjencë nuk trajtohet fare. Madje, Sejdiu nga AME thotë se nuk bëhet asnjëherë analiza e pasveprimit, që nuk kërkon fajtor për t’u dënuar, por identifikon boshllëqet dhe mundësitë për t’u përmirësuar në rastet tjera.

“Ajo që është me rëndësi, kur ndodh fatkeqësia të gjithë senzibilizohen, të gjithë janë të gatshëm të bashkëpunojnë, mirëpo ndodh për një afat të shkurt kohor. Edhe kryetarët dhe niveli qendror, sikur e harrojnë fatkeqësinë dhe vazhdojnë avazin e njëjtë”, thotë Sejdiu. Ai tregon se komunat, në rast se nuk i plotësojnë obligimet e tyre, do duhej të ndëshkoheshin. 

Inspektorati brenda AME do të duhej të siguronte respektimin e Ligjit për Mbrojtje në Fatkeqësi dhe Fatkeqësi tjera, i cili parasheh edhe gjoba për institucione që nuk e zbatojnë ligjin dhe për persona fizikë, që ndër të tjera nuk e lajmërojnë një fatkeqësi nëse e shohin që po ndodh. Por, inspektorati është pasiv.

Duke qenë të orientuar në reagim, sipas ekspertit Sejdiu, gjithçka është më e kushtueshme. 

E sa herë ndodhin fatkeqësi, nuk mungon premtimi për ndihmë qeveritare për rimëkëmbje. Por, ndihma vonon. Buxheti shtetëror nuk ka një linjë të veçantë për fondin emergjent për fatkeqësi. Një fond të tillë e kishte kërkuar Asociacioni i Komunave të Kosovës pas vërshimeve të fundit, por deri tash nuk është hedhur ndonjë hap konkret drejt themelimit të tij.

Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve nuk është përgjigjur nëse tashmë kanë u transferuar mjete komunave, anipse u kishin premtuar. Disa prej komunave janë ankuar se nuk kanë pranuarkanë thënë asnjë cent.

“Interesimi i publikut dhe vendimmarrjes është 10 ditë. Më pas bjen intensiteti. Nuk ka interesim në atë punë”, thotë Sejdiu, që për pak kohë do të dalë në pension. Ai thotë se ndoshta ndëshkimi i komunave është forma e vetme e edukimit, që ta marrin seriozisht përgatitjen për fatkeqësi. 

Fotografia: Sefer Aliqkaj.

Imazhi i ballinës: Sefer Aliqkaj

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.