28/08/2023
Pesë vjet më parë, Albana, në motet e para të të njëzetave, takoi një burrë rreth 30-vjeçar, teksa po kalonte pushimet në bregdet diku në rajon. Nisën të flasin e pëlqeheshin dhe siç bën vaki rëndom në rrethana të këtilla, lidhjen e mbajtën duke folur gjithë kohën, kryesisht online, meqë Albana jetonte në Kosovë e ai në zonën bregdetare.
Dikur, pas dy vitesh lidhja u ftoh. Albana nisi të mos shihte të ardhme me të dhe vendosi të ndahet.
E thirri të dashurin e ia tregoi vendimin. “Nëse ti nuk don pra, unë ia çoj babës tënd qito video. Unë i qes videot”, i ishte përgjigjur ai, duke e frikësuar se do t’ia publikonte fotografitë e videot intime, që ia kishte bërë sa kishin qenë bashkë, shpesh pa dijeninë e saj.
“Më ka rrëzu për toke”, janë fjalët me të cilat përshkruan jetën e saj sot Albana, e cila nuk deshi t’i publikohej emri i vërtetë. Ajo tash është gati në të tridhjetat e saj. Kur K2.0 bisedoi me të në qershor të këtij viti, po bëheshin tri vjet prej që ai burrë e kërcënon, e detyron t’i dërgojë para, e përndjek e kohë pas kohe e detyron me forcë të takohen. Bëheshin tri vjet edhe prej kur ajo ka provuar gjithfarë metode për ta ndaluar abuzuesin, përfshirë kërkimin e ndihmës nga policia — të gjitha përpjekje të pasuksesshme.
Në një qytet tjetër në Kosovë, jo shumë larg prej Albanës, K2.0, në fillim të gushtit këtë vit, bisedoi edhe me Meritën, e cila po ashtu nuk deshi t’i publikohej emri i vërtetë. Para tri viteve, kur ishte 21-vjeç Merita po dekoronte vendin ku do ta mbanin një ndejë me shoqëri. Festa iu shndërrua në ankth kur në rrjetin social Snapchat i erdhi një video, me një pyetje “A nuk po të vjen marre a?” E hapi videon. Në të shihej një vajzë duke kryer marrëdhënie seksuale me një djalë. Në përshkrimin e videos ishte vendosur emri i Meritës dhe llogaria e saj në Snapchat. Vajza i ngjante shumë Meritës, por nuk ishte ajo.
“Ia ka dërgu edhe familjes tem, motrave dhe burrave të tyne, djemve të tezes. Krejtve ja u ka dërgu”, thotë Merita, teksa tregon se fillimisht nuk e kishte bërë të madhe këtë punë, me besimin se ishte thjesht një shaka pa shije.
Brenda gjashtë orësh 1,000 njerëz e shtuan në Snapchat. Pas kësaj dhe mesazheve që filloi t’i pranojë, e pa se s’bëhej fjalë për një rreng të vogël.
Shpejt, gjithçka kapërceu kufijtë e hapësirës online. “O gjithçka bre më shkrujshin”, thotë Merita. “Kudo që dilsha në qytet krejt m’kqyrshin. Njerëzit tuj ma bo: ‘kqyre kjo kurva’”. Ndonëse videon ia dërgoi një profil i panjohur, Merita beson se njeriu që e bëri këtë ishte një djalë, i cili i kishte kërkuar lidhje dashurie, por ajo kishte refuzuar.
Një video, të cilës nuk iu desh as çerek dite për t’u shpërndarë gjithandej, u diskutua për një vit të tërë e me Meritën mbetet edhe sot. “Një vjet u përmend. Tash e di që u hjekë ajo video. Po ka njerëz që hala besojnë se unë jam në të”, thotë ajo.
Me vendimet e grave për t’u ndarë nga partnerët apo për t’i refuzuar ata e me të drejtën e tyre për të pasur kontroll të plotë mbi trupat, zërat e agjencinë e tyre, nuk pajtohen plot — kryesisht burra, si ish-partneri i Albanës e burri që ia dërgoi videon Meritës.
Duke i përdorur pamjet private e intime të grave, si karrem, abuzuesit provojnë të kontrollojnë jetët e viktimave. Ata shfrytëzojnë posedimin e pamjeve për ta detyruar viktimën për favore seksuale, për ta ngacmuar, poshtëruar, izoluar apo eksploatuar financiarisht.
Në Kosovë, raste të këtij lloji të abuzimit janë përmendur shpesh, por rrallë është quajtur në emër e edhe më rrallë është problematizuar si abuzim. Ai ka marrë trajta të ndryshme, varësisht prej zhvillimit teknologjik e shprehive të përdorimit të rrjeteve sociale.
Dy raste që morën dhenë e ngjallën shumë diskutim publik ndodhën së fundmi, në vitin 2022. Në korrik 2022 u bë lajm dite rasti me modelen Arta Nitaj dhe pastaj, më vonë atë vit, u rihap përvoja me abuzim seksual përmes pamjeve e trajneres së fitnesit dhe modeles Juliana Nura.
Mënyra se si u diskutua për këto raste ilustroi edhe përgjigjen e publikut ndaj viktimave të abuzimit seksual.
Në korrik 2022, një burrë i quajtur Teddy Grey publikoi disa mesazhe, të cilat ai pretendonte se ishin mes një burri dhe modeles Nitaj, ku ai burrë i thotë Nitajt “une e du edhe ni nat me ty ose foton ta postoj”. Mesazhet vazhdojnë me “5000 ero mi ki mar at nat”. Tutje, Grey publikoi një fotografi intime duke pretenduar se ajo ishte Nitaj.
Shumë kryetituj portalesh e statuse në rrjete sociale përmendën e quajtën “skandaloz” faktin se Nitaj ka kërkuar 5,000 euro për një natë e nuk e problematizuan faktin se Nitaj ishte viktimë e abuzimit seksual përmes pamjeve. Në fakt, shumë medie ripublikuan fotografinë, duke shumësuar praninë e saj në hapësirën online. Një kampanjë urrejtjeje e përçmimi ndaj Nitajt vazhdoi.
Pak më vonë atë vit, në dhjetor, në edicionin e parë të formatit të reality-show Big Brother VIP (BBV) në Kosovë, një nga konkurrentet Juliana Nura foli sërish për përvojën e saj si viktimë e abuzimit seksual. Nura tregoi se hyrjen në këtë format donte ta shfrytëzonte që të avokonte për të drejtat e grave tjera, që janë viktima të këtij abuzimi.
Ajo tregoi se në vitin 2010 i kishte ardhur një email me një video intime të saj. Dërguesi i kishte kërkuar para në këmbim të mospublikimit të videos. Nura, nga frika, kishte paguar shumën. Megjithatë, pas dy-tri ditësh, kërcënuesi e kishte rritur vlerën e parave, të cilën Nura nuk pati mundësi ta paguajë. Video u publikua në Youtube. Nura tregoi se pas kësaj, shumë njerëz e ofenduan e nënçmuan. “Për 30 sekonda të hjeken krejt”, thotë Nura në një intervistë, ku tregon se si çdo gjë që kishte arritur në jetë gjer atëherë, iu shemb.
Pasi e ndau rrëfimin e saj në BBV, shumë njerëz, përfshirë disa prej konkurrentëve, vijuan të fajësonin Nurën dhe ta ngacmonin, duke sugjeruar se ajo, e jo ai që ka publikuar pamjet, kishte faj. Po ashtu, në seksionet e komenteve të disa medieve veç filluan të qarkullonin sërish pamjet që dikur e kishin detyruar Nurën të largohet nga jeta e saj publike për plot 12 vjet.
Ajo që po përjetojnë e kanë përjetuar Albana, Merita, Arta e Juliana, shpesh njihet me termin hakmarrje pornografike. Megjithatë, Cyber Rights Organization (CRO), organizatë për mbrojtjen e të drejtave në internet, me bazë në Holandë, rekomandon shmangien e përdorimit të këtij termi, me shpjegimin se ky term sugjeron se dorasi shpërndan përmbajtjen intime të viktimës vetëm sepse viktima i ka bërë diçka që ta meritojë këtë. Sipas tyre, kjo kontribuon në kulturën e fajësimit të viktimës. Po ashtu, CRO thotë se emërimi i përmbajtjes intime të bërë për lidhje private si pornografi mund të dëmtojë viktimat pasi i bën ato/ata të duken që janë aktore/ë që me pëlqim kanë realizuar pamjet.
Kësisoj, terminologjia më e pranueshme është “shpërndarje pa pëlqim e përmbajtjes intime” apo “abuzim seksual përmes pamjeve” (Image Based Sexual Abuse – IBSA).
Abuzimi seksual përmes pamjeve përshkruan aktin e shpërndarjes së pamjeve të një personi, të cilat janë seksualisht eksplicite pa pëlqimin e personit në to. Pamjet ndahen online (email, rrjete sociale, faqe pornografike, mesazhe etj.) dhe offline (dorë më dorë). Po ashtu, shpërndarja e pamjeve që janë manipuluar, montuar apo ndryshuar në çfarëdo mënyre mund të konsiderohet abuzim seksual përmes pamjeve. Pëlqimi i personit, siç e përshkruan End Cyber Abuse, kolektiv botëror i avokatëve/eve e aktivistëve/eve që angazhohen kundër dhunës gjinore përmes teknologjisë, kërkohet në dy rrafshe: para se të merret pamja dhe para se të shpërndahet me një palë të tretë.
Njohja e këtij veprimi si abuzim seksual kontribuon në problematizimin e këtij fenomeni si dhunë, viktima të së cilës në masë dërmuese janë gratë.
Këshilli i Evropës, në raportin “Mbrojtja e grave dhe vajzave nga dhuna në kohën digjitale”, të vitit 2021, abuzimin seksual të bazuar në pamje e njeh si një prej formave më të shpeshta të dhunës përms teknologjisë ndaj grave. Sipas statistikave të CRO mbi 90% e viktimave të abuzimit seksual përmes pamjeve janë gra.
Larg publikes e edhe më larg mbështetjes së rrethit shoqëror, në hapësira private e të izoluara shumë gra e vajza në Kosovë po përballen me këtë abuzim.
Për t’i kuptuar më në thelb përvojat e viktimave, përpos bisedave me Albanën e Meritën, K2.0 në shkurt 2023 hapi një pyetësor ku ftoi viktimat apo të afërmit, shokët/shoqet të ndajnë me përvojat e tyre.
Pyetësori përfshiu një varg pyetjesh rreth kohës kur ka ndodhur abuzimi, ndikimit që ka pasur dhe ka te viktima, reagimit të familjes e rrethit shoqëror, raportimit në institucione dhe reagimit të tyre, informacionet e viktimave rreth kërkimit të ndihmës.
Në pyetësor u përgjigjën 20 viktima, 18 prej tyre gra, dy prej tyre burra. Në përgjigjet e tyre viktimat treguan për rrjedhën e abuzimit dhe mungesën e mbështetjes së rrethit shoqëror, familjar e institucional. Dëshmitë e viktimave datojnë prej periudhës para dy dekadave, kur platformat e shpërndarjes ishin kryesisht posta elektronike (email) apo mesazhet telefonike dhe kohët e sotme, ku mënyrat e komunikimit përfshijnë dhjetëra aplikacione që e kanë shpeshtuar dhe lehtësuar këtë lloj abuzimi.
Abuzim shumë-vjeçar, që veç ndërron formë
Një grua nga Prishtina, e cila tash është 35 vjeç, në pyetësorin e K2.0 tregoi se, në vitin 2004, kur ajo ishte e mitur 16-vjeçare, ndarja nga i dashuri që e abuzonte emocionalisht, në vend se ta çlironte nga abuzimi, veç e shtoi atë. Pas ndarjes, njerëz të ndryshëm në rrethin e saj, përfshirë familjarë, filluan ta lajmëronin se po një video intime e saj po qarkullonte nëpër emaila dhe mesazhe.
Video, të cilën ish i dashuri i saj e kishte xhiruar pa dijeninë e saj, qarkulloi ndër vite, prej 2004 deri pesë-gjashtë vjet pas ndarjes, rreth vitit 2010.
Nga frika nga ajo që mund të ndodhte nëse video do t’i shpërndahej edhe më shumë në një kontekst ku përdorimi i rrjeteve sociale po shpeshtohej, ajo u detyrua ta lëshojë Kosovën. “Atëkohë filluan që edhe rrjetet sociale të përdoren më shumë dhe jam frikësuar shumë se ajo video do të shpërndahet përsëri”, shkruan 35-vjeçarja. “Me personin që e ka bërë xhirimin nuk jam konfrontuar asnjëherë. Kam dalë jashtë vendit për disa vite”.
Tri prej grave që janë përgjigjur në pyetësorin e K2.0 thanë se kanë qenë të mitura kur janë përballur me abuzim përmes pamjeve.
Ndërkohë, një grua 24-vjeçare nga Gjakova tregon se tash e pesë vjet është ndarë nga ish i dashuri i saj, por kur i kishte thënë atij se dëshironte të ndahej, ai për një vit e kishte kërcënuar se do t’ia publikonte një video intime të tyre, të cilën veç ua ka treguar njerëzve dorë më dorë. Përpos që videon e aktit seksual e kishte incizuar pa lejen e saj, viktima tregon se fillimisht ish i dashuri e kishte droguar — një formë tjetër e dhunës seksuale.
Mbajtja nën ankth apo kërcënimi i vazhdueshëm për publikim të pamjeve, u jep dorasve liri që t’i ndërrojnë kërkesat e tyre vazhdimisht. Një prej kërkesave më të shpeshta është përsëritja e marrëdhënies seksuale – praktikisht përdhunimi i viktimave dhe detyrimi i tyre që të prodhojnë edhe më shumë pamje, ashtu që dorasi të mbledhë më shumë material për kërcënim.
Këtë po e përjeton Albana. Burri që e kishte takuar në bregdet, e detyron atë që t’i dërgojë video tjera. “Më thirrke edhe me kamerë, edhe m’shtike me bo sene. Edhe tuj u tutë, i çojsha dhe bojsha gjithçka – veç me mujtë me e hjekë prej meje”, thotë Albana, teksa tregon se nën këto kërcënime, ai e ka detyruar edhe të shkojë në hotel me të disa herë.
Ai po ashtu i është bërë si hije, që e përndjek kudo tash e shumë vjet e kur s’mund ta ndjekë fizikisht i kërkon që t’i dërgojë fotografi për t’ia dëshmuar vendndodhjen, duke ia kufizuar përditë lëvizjen e ndërveprimin me të tjerët.
“Ai filloi me më kërcënu, më tha ‘ok, nuk po folim, vetëm po shihemi edhe gjashtë herë edhe masnej unë largohna prej teje’. U takova herën e parë. Vike në qytetin tim edhe sa herë që vike m’bojke presion. ‘Unë jam tek shpia jote, unë jam këtu, unë jam aty, dil’”, thotë Albana.
Me kalimin e kohës Albana vendosi të martohej dhe kur ia dha këtë lajm abuzuesit të saj, edhe me shpresën se ai më në fund do tërhiqej, ai vetëm e ndërroi formën e kërcënimit. Tash i kërkon para Albanës. “Pa e ditë familja jeme, unë jam kam dërgu 8,000 euro. Edhe kjo ke marrëveshje kishe që me u ndalë ai”, thotë Albana, e cila për ta paguar burrin që e kërcënon ka hyrë në borxhe dhe është detyruar të marrë kredi. “S’jam tu pasë pare për vete. Jam në zero, minus”, thotë ajo, teksa tregon se është në hall se si t’ia paguajë 4,000 eurot që ai ia ka kërkuar së fundmi.
Albana, tash edhe me frikën se abuzuesi mund ta përfshijë bashkëshortin e saj, ka provuar të bisedojë me familjen dhe shoqërinë e tij, por pa sukses. Ai vazhdon të hapë profile të rreme në rrjete sociale dhe e ngacmon, kryesisht në Instagram dhe TikTok.
Sipas një shumice dërmuese të përgjigjeve në pyetësor të K2.0, platformat ku më së shpeshti shpërndahen këto pamje janë rrjetet sociale dhe aplikacionet e komunikimit online si Facebook, Instagram, TikTok, Snapchat, Viber dhe WhatsApp. Shumica prej këtyre rrjeteve sociale dhe aplikacioneve të komunikimit kanë politika dhe udhëzues kundër këtij fenonemi, megjithatë zakonisht kërkohet që përdoruesit ta raportojnë përmbajtjen, që ajo të konsiderohet për t’u fshirë.
Anipse rrjetet sociale kanë nisur ta problematizojnë këtë lloj abuzimi, hapësira digjitale vazhdon të jetë e pasigurt për gratë.
Viteve të fundit, zhvillimi i inteligjencës artificiale (AI), sidomos i deepfake — një imazh a incizim që është ndërruar dhe manipuluar në mënyrë bindëse ashtu që të pasqyrojë dikë duke bërë a thënë diçka që ai/ajo në fakt nuk e ka bërë a thënë — ka shtuar edhe mundësitë për abuzuesit.
Deeptrace, kompani që ka për mision t’i mbrojë individët dhe organizatat nga ndikimet dëmtuese të përmbajtjes së gjeneruar nga AI, në vitin 2019 publikoi një analizë të 14,678 videove deepfake kudo nëpër internet. Në bazë të analizës së tyre, 96% e këtyre videove kishin përmbajtje pornografike, teksa 100% e rasteve kishin të bënin me manipulimin e fotografive të grave. ”Pornografia deepfake është një fenomen që ekskluzivisht i shënjestron dhe dëmton gratë”, shkruhet në analizë.
Kjo formë e përdorimit të teknologjisë flet për një gatishmëri të kudondodhur të shoqërive për të imituar padrejtësitë që ndodhin në sferën offline, duke i lënë gratë përgjithësisht të vetme e me pak burime për ta kundërshtuar dhunën online.
Shumë shtete nuk kanë arritur ta zënë hapin e teknologjisë kur është fjala për krijimin e legjislacionit dhe mekanizmave për ta hetuar e ndaluar pornografinë deepfake, të gjeneruar përmes AI. Në prill 2021, Komisioni Evropian ka propozuar kornizë rregullative për AI, e para në botë këtij lloji.
Përmes këtij legjislacioni Bashkimi Evropian synon, ndër tjera, të sigurohet që sistemet AI në Evropë të jenë të sigurta e jo-diskriminuese, duke u krijuar bazë viktimave që të ankohen në rast të shkeljes së të drejtave të tyre përmes sistemeve të AI. Legjislacioni është ende në rishikim nga ligjbërësit në BE.
Megjithatë, derisa kjo po ndodh, në Kosovë, viktimat vazhdojnë të përballen me këtë abuzim në një kontekst ku turpërimi, fajësimi dhe drejtimi i gishtërinjve drejt tyre bëhet me një lehtësi shqetësuese.
Të vetme, në një shoqëri të marres
Anipse të shumta, rastet e abuzimit seksual përmes pamjeve janë mbajtur e mbahen kryesisht të heshtura për shkak të paragjykimeve, fajësimit dhe përjashtimit të viktimave. Si në rastet që u bënë publike së fundmi, përgjigjet e viktimave në pyetësor ashtu edhe në rastet e dy grave me të cilat ka folur K2.0, rrethi shoqëror, qoftë përbrenda familjes, qoftë përtej saj, ka tendenca të pyesë viktimën “përse ke bërë fotografinë a videon” e të mos merret me abuzuesin.
Nga Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), rrjet që avokon për drejtësi gjinore, thonë se mendësia patriarkale, kontrolli dhe fuqia që burrat kanë dhe tentojnë ta kenë mbi trupin dhe jetën e grave dërgon te abuzimi seksual përmes pamjeve.
Në punën e tyre, RrGK ka vërejtur një korrelacion midis dhunës në bazë gjinore dhe abuzimit seksual përmes pamjeve. “Viktimat jo decidivisht e përmendin hakmarrjen pornografike dhe jo gjithmonë e shohin si të rrugës që të flasin për të dhe ta raportojnë atë, për shkak të paragjykimeve, mirëpo gjatë bisedës përveç që tregojnë për dhunën e ushtruar me vite të tëra tregojnë edhe raste të tilla të kërcënimeve dhe shantazheve me video dhe/apo fotografi”, thanë nga RrGK përmes emailit.
Frika prej paragjykimit ka bërë që Merita, Albana e edhe gratë që janë përgjigjur në pyetësorin e K2.0 të heshtin e të përpiqen që këtë situatë ta kalojnë vetëm, pa guxuar ta ndajnë as me familjen e tyre apo rrethin shoqëror.
Në fakt, qëllimi i shpeshtë i abuzuesve është që viktimat t’i izolojnë, t’ua shkatërrojnë raportet ndërpersonale e t’ua kufizojnë jetën shoqërore e profesionale. Dhe, në Kosovë, sherri i “marres”, që shoqëria ua ngarkon viktimave, abuzuesve u mundësohet arritja e qëllimit.
Albana kishte marrë guximin t’i tregonte një anëtari të familjes, me shpresë se do t’i gjendej pranë, por, në vend të kësaj, ai nuk i foli për një kohë të gjatë. Iu desh kohë e gjatë ta heshtte këtë punë, për ta rindërtuar raportin me familjarin dhe nga frika se ai nuk do t’i flasë sërish, ajo s’ka guxuar të kërkojë më ndihmë nga familja.
”E di që nëse më ndodhë qajo [dalin videot], unë kam m’i hupë krejt”, thotë Albana, e cila, më përpara do ta përballonte betejën me kërcënuesin e dhunuesin e saj e vetme, sesa të rrezikojë të humbë familjen e saj.
Kjo vetmi e ka ndërruar Albanën. “Jam shumë ma e palumtur. Jam ma e pakoncentruar në shumë sene. S’kam vullnet me bo diçka ose me ndërmarrë diçka. Jom zero me motiv”, thotë Albana.
Përvoja me këtë abuzim mbetet gjatë me viktimat. “Herën e fundit e kam parë në aeroplan dhe kam pasë shqetësim të madh, apo ndoshta edhe ankth. Aty e kuptova që jam ende në traumë nga ajo periudhë dhe që ndoshta edhe kam nevojë për ndihmë profesionale”, shkruan një 35-vjeçare nga Prishtina në pyetësorin e K2.0, gati dy dekada pasi ia kishin shpërndarë videon në rrjet.
Po ashtu, sipas CRO, organizatës për të drejta në internet, që avokon që ky lloj abuzimi të njihet si formë e dhunës në bazë gjinore, viktimat ndihen të frikësuara nga sulmet potenciale fizike nga abuzuesit edhe përtej sferës online, gjë që kontribuon në izolimin e tyre.
Sipas psikologes Kaltrina Ajeti, e bazuar në Prishtinë, e cila ka trajtuar një vikimë të abuzimit seksual përmes pamjeve për më shumë se një vit, “marrja” dhe ndjenja e turpit janë faktorë kyç në mirëmbajtjen e një shoqërie që përpiqet t’i fsheh nën qilim përvojat e grave që janë viktima të këtij lloji të dhunës. “Stigma ka rol fundamental në këtë fenomen, dhe duke e ditur këtë ‘dhunuesit’, kërcënojnë me publikim dhe viktimat dhunohen psikologjikisht me dhjetëra herë duke shpresuar që nuk do të publikohen ato materiale dhe kështu nuk do të bëhen pjesë e stigmatizimit shoqëror”, thotë ajo.
Ajeti radhitë familjen dhe rrethin e ngushtë si grup esencial në përballimin me abuzimin seksual përmes pamjeve. Megjithatë, në raste të shumta, familja dhe rrethi shoqëror edhe i pengojnë viktimat që ta raportojnë rastin. “Më kanë shtypur emocionalisht. Nuk më kanë lejuar ta raportoj rastin pasi që raportimi është turp”, thotë një 20-vjeçare në pyetësorin e K2.0, duke shtuar që familja e kanë fajësuar, ngacmuar, nënçmuar, përjashtuar dhe izoluar.
Ngjashëm me të janë përgjigjur edhe gra të tjera. “Më kanë përjashtuar, më kanë parë me sy përçmues, më kanë izoluar” janë përgjigje të përbashkëta të shumicës, në pyetjen se si ka reaguar familja a shoqëria kur e kanë kuptuar se me çka po përballen.
Megjithatë, familja e rrethi shoqëror nuk janë të vetmet grupe prej të cilave frikësohen viktimat e abuzimit seksual përmes pamjeve. Albana, Merita dhe shumica dërmuese e atyre që janë përgjigjur në pyetësorin e K2.0 kanë thënë se nuk e kanë raportuar rastin për shkak të besimit të ulët në institucione publike, sidomos në Policinë e Kosovës (PK), që do duhej të ishte institucioni ku cikli i dhunës këputet.
Edhe institucionet peng i marres
Policia është adresa e parë ku denoncohen rastet e abuzimit seksual përmes pamjeve. Më pas, një zingjir reagimi përfshin, ndër tjera mbrojtësit e viktimave, Qendrën për Punë Sociale (QPS) dhe prokurorinë.
Albanës iu desh kohë ta kapërcente mosbesimin e saj ndaj policisë. “Nëse ai hyn në burg, unë e di që ka me u tranu edhe ma shumë. Tani kur të del, çka bohet? Nuk pe di çka munden me m’ofru dhe me bo policia. E di që plot raste, që i kanë njoftu në polici – e tani jon shku [burrat] edhe i kanë vra gratë”, thotë ajo. Përkundër lajmeve që i ka dëgjuar, qoftë për dhunën në bazë gjinore a femicidin, ajo, e ndier e kurthuar në një situatë që nuk ka marrë epilog qe tri vjet, në vitin 2022 e mori telefonin dhe e thirri policinë, për ta kërkuar një trohë shprese në situatën që veç rëndohej.
“I kom thirrë një herë edhe i kom pyet se çka munden me ndërmarr edhe ma kanë bo: ‘duhesh me ardhë në zyre, ose me ardhë [policia] në shpi me raportu’, po unë s’dojsha me i taku në shpi, e as në zyre me shku. Kish mujt me m’pa dikush. Edhe ju kom thonë që s’mundem”, tregon ajo.
Policia nuk i ofroi opsion më të sigurt.
Albana nuk e ndoqi më rastin. Përgjigja e policisë veç ia kishte përforcuar përshtypjen që e kishte pasur për policinë para se t’i merrte në telefon. ”Këtu edhe policinë e kemi paragjykues. Edhe policia thotë ‘çka ki lyp ti me to’”, thotë ajo.
Merita, në anën tjetër nuk e mori dot telefonin nga frika se pas raportimit në polici, familja e saj dhe e atij që kishte shpërndarë videon do të futeshin në telashe mes vete. Ndërkohë, frikën si të Meritës e kanë edhe shumica e grave që janë përgjigjur në pyetësorin e K2.0.
Në pyetjen se përse nuk e kanë raportuar rastin në polici, një vajzë 24-vjeçare, të cilës ish i dashuri ia kishte shpërndarë videon intime, shkruan “frikësohesha që ta raportoja sepse mendoja që policia do të përhapte fjalë ngaqë ma njohin familjen dhe gjithashtu kisha shumë turp se përse më ndodhi ajo gjë mua dhe e kam mbajtur sekret”.
Sipas përgjigjeve në pyetësor, ka pasur raste edhe kur raportimi në polici veç ka hapur një vend të ri për tallje e përçmim për viktimat. Në pyetjen se si ju kanë trajtuar policia pas raportimit të rastit, një 21-vjeçare nga një qytet afër Prishtinës ka shkruar: “Si shaka. Kanë qeshur me stafin e tyre” duke treguar se ky trajtim e ka shtyrë ta braktisë rastin.
Paragjykimi, mungesa e konfidencialitetit, stigmatizimi dhe fajësimi i viktimave nga policia renditen si disa prej sfidave që ndikojnë në rënien e raportimit të dhunës, në raportin e realizuar nga Qendra Kosovare për Studime Gjinore, ku në mënyrë kritike shqyrtohet reagimi i policisë.
K2.0 ka pyetur PK lidhur me procedurat që ndjekin kur përballen me një rast të abuzimit seksual përmes pamjeve, por nuk ka marrë përgjigje.
Abuzimi seksual përmes pamjeve, apo “hakmarrja pornografike” nuk njihet si vepër penale dhe nuk është e rregulluar në mënyrë të veçantë. Kur K2.0 i kërkoi PK të dhëna rreth numrit të rasteve që kanë të bëjnë me këtë lloj abuzimi, ata ofruan vetëm të dhëna të përgjithshme. Në Kodin Penal, nëpër nene të ndryshme mbulohen elemente të ndryshme të abuzimit seksual. Ndër to, janë neni 202 “Fotografimi dhe incizimet tjera të paautorizuara”, neni 230 “Degradimi i integritetit seksual” dhe neni 329 njihet si “Shantazh”.
Po ashtu kjo vepër mbulohet me pikën 3 të nenit 232: “Keqpërdorimi i fëmijëve në pornografi”.
Sipas të dhënave të paklasifikuara të PK, në vitin 2022 është regjistruar një rast i degradimit seksual, një rast i ofrimit të materialit pornografik personave nën moshën 16-vjeçare, 13 raste të keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi dhe 115 raste të shantazhit — pa specifikuar se për çfarë shantazhi bëhet fjalë. Ndërsa, midis janarit dhe shkurtit 2023, janë regjistruar dy raste të keqpërdorimit të fëmijëve në pornografi dhe 27 raste të shantazhit.
K2.0 ka përcjellur raportet 24-orëshe të PK prej fillimit të vitit 2023. Në bazë të këtyre raporteve, janë regjistruar rreth 10 raste që kanë elemente të këtij abuzimi. Dy nga këto raste janë regjistruar si “Ngacmim”, dy si “Shantazh, një si “dhunim” dhe pesë si “Keqpërdorim i fëmijëve në Pornografi”.
Ky lloj abuzimi nuk përmendet as në legjislacionin ekzistues të vendit si
Ligji për Ndalimin dhe Luftimin e Krimit Kibernetik, Ligji për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Ligjin për Barazi Gjinore. Nga RrGK e shohin si problematike mosnjohjen e abuzimit seksual përmes pamjeve në legjislacionin e Kosovës dhe tregojnë se kanë dërguar komente për Ligjin për Mbrojtje nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Baza Gjinore për të përfshirë këtë abuzim. Derisa ligji është ende në proces, RrGK po monitoron nëse kjo formë e dhunës do të përfshihet.
Megjithatë, edhe nëse futet në legjislacionin e Kosovës, në RrGK mbesin me shqetësimin se institucionet nuk kanë as përvojë praktike e as legjislacion në trajtimin e këtij lloji kompleks të dhunës.
Në anën tjetër, në vitin 2022 Kryeprokuroria e Shtetit mori vendim që në të gjitha prokuroritë e vendit të caktohen koordinatorë për veprat penale kundër integritetit seksual.
Shpejtim Peci, koordinator për regjionin e Mitrovicës, thotë se ka shumë raste të dhunimeve që ndodhin duke përdorur kërcënimin me publikim të pamjeve me përmbajtje seksuale dhe raste që përmbajnë elemente të kësaj vepre. Sipas tij, inkuadrimi i këtij abuzimi si vepër penale do ta ndihmonte dhe lehtësonte punën e prokurorit në trajtimin e rasteve pasi është vështirë të ndahen rastet e tilla kur nuk njihen si vepër e ndarë penale.
K2.0 ka pyetur Ministrinë e Drejtësisë nëse kanë ndonjë plan që ta punojnë në përfshirjen e abuzimit përmes pamjeve apo hakmarrjen pornografike si vepër të veçantë penale, por nuk ka marrë përgjigje.
Përpos policisë, një institucion publik që është i thirrur të luajë rol thelbësor në mbështetjen e viktimave është QPS. Nëpër komunat e Kosovës janë gjithsej 38 sosh, të cilat janë të mandatuara që të ofrojnë shërbime sociale për për 47 kategori personash, përfshirë këtu viktimat e krimeve seksuale.
Vebi Mujku, ish-drejtor i QPS në Prishtinë ka thënë për K2.0 se shpesh viktimat nuk e kanë informatën që rastin mund ta paraqesin edhe në QPS, teksa thotë që vetë PK nuk i njofton viktimat për rolin e QPS pas denoncimit të rastit. Përpos mosbashkëpunimit të PK me QPS, Mujku po ashtu problematizon mungesën e psikologëve, që është mungesë e gjithëmbarshme nëpër QPS-të në Kosovë
Ndërkohë, Albana, pa zgjidhje prej institucioneve e e rrethuar prej një shoqërie që i drejton gishtin, rrugëdaljen e sheh vetëm nëpërmjet bashkëpunimit me organizata të shoqërisë civile. Ajo, tash e mbijetuar e abuzimit seksual përmes pamjeve, ka ardhur në një pikë ku e ardhmja i duket tepër e largët e e pakapshme.
“Jam në qat pikë që s’mundem as me andërru diçka”, thotë ajo midis lotëve, teksa shpejt kthen buzëqeshjen e lehtë dhe forcën, që thotë se megjithatë e ka marrë nga gjithë kjo përvojë e rëndë, dhe e vazhdon rrëfimin e saj, ashtu që kur ndonjë vajzë tjetër të kalojë në çka po kalon ajo, ta dijë se nuk është e vetme.
Imazhi i ballinës dhe ilustrimet: Dina Hajrullahu / K2.0
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.
A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.