Nëpër Gorazhdec - Kosovo 2.0

Nëpër Gorazhdec

Vera ime në një fshat serb të Kosovës perëndimore.

“Si mizë në mur”. Qetësisht rri në prapavijë, duke vëzhguar dhe duke përthithur gjithçka përreth. E dëgjova këtë shprehje pak para se të mbërrija në Gorazhdec për një raportim gazetaresk.  Tingëlloi si shprehja e duhur për mua.

Pa dyshim, s’e kisha menduar se në një fshat të vogël serb në Kosovën perëndimore, një “mizë” dy metra e gjatë, me emër shqiptar e theks prej Beogradit, mund të mos ishte aq e padukshme.

“Kush je ti dhe çka po bën këtu?”

Jashtë shtëpisë në të cilën isha vendosur disa ditë më parë, në anën tjetër të një rrethoje prej druri, rrinte një burrë. Po errësohej, por prapëseprapë, shikimi në sytë e tij dukej më i errët.

Për një sekondë, e mendova një përgjigje të mundshme. “Mirëmbrëma! Emrin e kam Ilir. Jam shqiptar nga Beogradi. Ndonëse, jam pak edhe serb. Në fakt, jam serb po aq sa jam shqiptar. Dua të them, varet — ndjenja ka natyrë fluide. Kam ardhur këtu pikërisht në mes të krizës më të madhe të sigurisë që Kosova ka përjetuar ndër vite me radhë, por të siguroj, është thjesht rastësi. Shiko, tash e një kohë, kam qenë kurreshtar ta di se si jetojnë serbët këtu”.

Askush s’e beson këtë. Më mirë mbaj gjërat më thjesht. 

“Punoj me Darko, nga radio…”

Burri vazhdonte të më shikonte. E ndieva një lëmsh në fyt.

“Jam vendosur këtu te shtëpia e tezes së Milić. Për momentin, ajo ndodhet te nëna e saj në…”

“Mirë, s’ke nevojë të më shpjegohesh”, shfryu komshiu im i ri. “Veç erdha të sigurohem që s’je ndonjë turk”.

Turqit osmanë ikën nga këto anë më shumë se një shekull më parë, por nga intonacioni i zërit të burrit, e kuptova se nuk mbahen mend me admirim.

Çka di unë? Si duket, turk s’jam. Ta shohim.

Shtëpia e vogël

Edhe pse shumica e vendasve nuk më njohin ende, më duket sikur e njoh vendin. Herë pas here, bashkëpunoj me Radio Goraždevac, e vetmja medie në gjuhën serbe në këtë pjesë të Kosovës, kështu që s’është hera ime e parë në fshat.

Por këtë herë diçka është ndryshe. 

Në veri të Kosovës, ku serbët përbëjnë shumicën dërrmuese, marrëdhënia midis tyre dhe autoriteteve kosovare është gjithnjë e më e tensionuar. Bisedimet në Bruksel mes presidentit serb Aleksandar Vučić dhe kryeministrit kosovar Albin Kurti edhe një herë dolën të dështuara. Vera sikur e solli njëfarë qetësie, por askush nuk e dinte se çka do vinte me vjeshtën.

Në këtë komunitet të izoluar në perëndim, mund ta ndieje tensionin në pothuajse çdo bisedë. Si zhurma e një ventilatori ajri në tavan, në prapavijë të ndonjë skene të David Lynch — i largët, por çdoherë i pranishëm, që të mbushë me një ndjenjë palehtësie.

Megjithatë, gjërat dukeshin më në paqe kur isha në shtëpinë time të vogël. Pas saj shtriheshin lisat dhe arat me misër. Në mbrëmje, ulesha në verandën e vogël, me drita fikur, ndonjëherë sepse s’kishte rrymë, ndonjëherë sepse e dija se ishte më mirë ashtu. Bjeshkët e Nemuna ishin mbështjellur me një vjollcë të errët, teksa shikoja terrin tek gllabëronte shtëpinë, duke dëgjuar karcyllët nëpër fushat që më rrethonin.

Qendra

Pamja prej sheshit kryesor të fshatit shpërfaq realitetet e mbivendosura institucionale të serbëve të Gorazhdecit. Me vetëm 30 metra që i ndajnë, aty është një stacion policor kosovar dhe një zyrë e përkohshme administrative serbe, dega lokale e institucioneve paralele të Serbisë brenda Kosovës. Të varur e të patrazuar, jashtë ndërtesave në këtë ditë të nxehtë vere, rrinë flamujt kombëtarë të të dy shteteve.

Zakonisht, sheshi është i zbrazët, pasi njerëzit mblidhen në anën tjetër të rrugës kryesore ku ndodhen shumica e institucioneve informale të fshatit. Aty mund t’i gjesh dy shitore të vogla fshati, njëra përballë tjetrës, ku banorët pinë birrë; një stacion të vogël autobusësh, me një stol prej druri; një dyqan me aparat kafeje (i vetmi vend në fshat ku mund të blesh espresso); dhe një kioskë të vogël. Dhe në këtë kioskë, apo aty përreth, mund ta gjesh tezen Ljilja.

Roli i saj në këtë komunitet është i thjeshtë, por më i rëndësishëm se çdo tjetër: “U shes bukë të uriturve”, thotë ajo me buzëqeshje. Çdo ditë, nga ora shtatë e mëngjesit deri në shtatë të mbrëmjes, Ljilja u shet bukë të uriturve, edhe të dielave, sepse njerëzit uriten edhe të dielave. Kështu ka qenë 20 vitet e fundit.

Ajo tani është në mes të të 60-ave, me fytyrë të rrudhosur dhe të errët. Në sytë e saj mund të shihet se ajo ka përjetuar shumë, por edhe se ajo nuk është njeri që dorëzohet lehtë. Ljilja është besimtare. “Vetëm Atë e kam pasur, kur të gjithë të tjerët më kanë braktisur”, më tha ajo në ditën time të parë aty. Në një çast, 40 vjet më parë, ajo përfundoi në rrugë me djalin e saj gjashtëmuajsh — e pastrehë dhe e papunë, pa asnjë cent në xhep.

Në mëngjes, para se të bëhet shumë vapë, teze Ljilja ulet brenda në kioskë. Aty, ajo ka gjithçka që mund t’i duhet për ta kaluar një ditë të gjatë. “Veç edhe shtrati mungon”, bën shaka ajo. Pranë kioskës, në pjesën ku rrezet e buta të diellit bien vetëm në mëngjes, ajo madje ka ujdisur një hapësirë të vogël për të rritur lule. 

Më vonë, kur nxehtësia brenda kioskës së saj të vogël prej alumini bëhet e padurueshme, Ljilja detyrohet të ulet jashtë, në kërkim të hijes në anët e ndryshme të kioskës së saj, duke ndjekur lëvizjen e diellit si akrep ore. Një herë, më tregoi hapësirën mes aparatit të kafes dhe kioskës së saj: “Aty është më fllad nganjëherë, e bën më të lehtë”.

Roli i saj në këtë komunitet është i thjeshtë, por më i rëndësishëm se çdo tjetër: “U shes bukë të uriturve”, thotë ajo me buzëqeshje.

Përpara kioskës së saj ndodhet një çezme e vogël uji, që u shërben kalimtarëve, teksa dielli ngritet më lart.

“E kemi pasur një shtëpi në mal. Na duhej të ecnim në këmbë nga gjashtë apo shtatë orë për të arritur atje. Ende e mbaj mend shijen e ujit të burimit atje lart”, më tha ajo. “E dogjën pas luftës”.

“Tani është rruga që të çon atje dhe është shumë lehtë të shkosh”, tha ajo, “por nuk dua të shkoj. Dua ta mbaj shtëpinë në kujtesën time ashtu siç ishte dikur. Edhe pranvera shkoi”.

Mulliri me ujë

Çdo ditë, eci nga shtëpia ime e vogël në qendër, përmes rrugëve gjarpërore të “Donja Mahala” [Lagjja e poshtme]. Shumë prej shtëpive janë ose të rrënuara, ose pak më mirë se aq. Në disa, me shkronja të mëdha, shkruan “SHITET”. Mirëpo, shumë tjera janë moderne dhe të rregulluara dhe nga hija e kopshteve dhe oborreve të thella, nëpër gjelbërim dhe lule, vijnë zëra, muhabete dhe të qeshura. Papritmas dëgjoj një “Mirëditaaaa!” Disa fëmijë me biçikleta më kalojnë e shkojnë drejt arave me misër, gjurmojnë çdo skaj të mundshëm. 

Në gjysmë të rrugës për në qendër, mbërrij te një kryqëzim ku ndodhet një shtëpi e bukur e vjetër prej guri me një mulli uji. Është vendi ku vendasit dikur bluanin grurin.

Këtu zhvillohet edhe njëra nga traditat më të rëndësishme të fshatit për çdo 14 maj: Dita e Shën Jeremiah, festa e shenjtorit, të cilin fshati e feston si Slava [shenjt mbrojtës] të vet.

Në kohët e vjetra, rituali i gëzueshëm i larjes në Jaz, përroi që rrjedh në mes të “Donja Mahala”, nënkuptonte gjallëri për fshatin. Besohej se siguronte një korrje të begatë në vjeshtë. Që nga pas lufta, kur njerëzit filluan të shpërnguleshin në Serbi dhe vende tjera përreth, dita mori një funksion tjetër domethënës: është dita e vetme e vitit kur të gjithë kthehen për t’u bërë bashkë sërish.

Por pastaj, disa vite më parë, Jazi u shterua. Vendasit i kanë vënë një digë të përkohshme shtratit të tharë të përroit dhe e mbushin me ujë nga një pus aty pranë, por tash edhe në puse ka më pak ujë.

“Në të kaluarën, uji nuk shkonte më pak se gjysmë metre poshtë. Tani duhet të gërmosh deri në katër metra,” më tha një burrë nga aty.

Burimet dhe puset e thata nënkuptojnë presion më të madh për ujësjellësin komunal. Një numër i fermerëve në zonën e madhe të Pejës ujisin me ujë të pijshëm. Disa kyçen ilegalisht në tubat e ujësjellësit. Dhe pastaj vjen thatësira si këtë verë dhe nuk ka ujë të pijshëm.

Ndërprerjet e ujit janë të përditshme dhe zgjasin 12 orë, nga ora pesë pasdite deri në pesë të mëngjesit. S’është aq e vështirë të mësohesh me këtë, sidomos nëse jeton vetëm. Mbush disa tenxhere — një për gatim dhe pije, një për tualet, një për t’u larë, dhe je në rregull.

“Je me fat”, qeshi Darko, “në ‘Donja Mahala’, mund t’i shfrytëzosh çezmat një orë më shumë. Merr më shumë kohë derisa gypat të shprazen në krahasim me pjesën e sipërme të fshatit”.

Fusha e basketbollit

Jo shumë larg qendrës së fshatit, prapa shkollës, e gjeta një fushë basketbolli.

Ishte gusht dhe të rinjtë që kishin ardhur për t’i vizituar familjarët gjatë pushimit nga shkolla ose  puna ende ndodheshin atypari. Normalisht, nuk ishte vështirë t’i formoje dy ekipe, ndonjëherë edhe tri.

S’kisha luajtur basketboll qe një çerek shekulli, që është kohë më e gjatë sesa mosha e shumicës prej shokëve të mi të skuadrës. Secili ishte kryesisht më i shpejtë dhe më i fortë se unë, mirëpo unë kisha gjatësinë. Disa ma shqiptonin emrin me theks serb, ndërsa të tjerët me theks shqip. Sidoqoftë, loja ishte e ashpër dhe e drejtë.

Një ditë, prapa fushave, e vërejta një pishinë të madhe. Dukej aq tërheqëse, e vendosur në anën e një kodre të pjerrët e të butë, që ofronte një pamje të mrekullueshme të Bjeshkëve të Nemuna.

Por m’u duk e çuditshme që një fshat kaq i vogël të kishte pishinën e vet. E pyeta një shok të skuadrës rreth saj.

“Njerëzit zakonisht notonin në lumin Bistrica”, u përgjigj ai. “Por pas vrasjeve, askush nuk shkon më atje”.

Loja vazhdoi. Me pak fat, do të kishim kohë mjaftueshëm edhe për një rund tjetër para se të errësohej. 

Peja

“A mendoni se do na dalë ndonjë problem nëse vij kështu?” pyeti Rašo.

Të gjithë heshtëm. Natyrisht, të gjithë menduam se ishte problem, por asnjëri s’kishim një zgjidhje.

Na kishin thirrur urgjentisht ta realizonim një intervistë në qendër të qytetit me një aktivist shqiptar mjedisor me të cilin bashkëpunojnë shpesh, por bëri vaki që atë ditë kameramani ynë kishte veshur një bluzë në të cilën shkruhej “Slobodno srpski”. Kjo tekstualisht do të thotë “Lirshëm serb” por, në njëfarë forme nënkupton “Mund të flasësh serbisht hapur”.

Ishte bluzë promovuese për emisionin “Slobodno srpski”, i cili për më shumë se 13 vjet është prodhuar në Çagllavicë, fshat në jug të Prishtinës, i banuar me serbë. Emisioni përfshin serbë/e dhe shqiptarë/e, gazetarë/e, aktivistë/e të shoqërisë civile, politikanë/e dhe të tjerë/a, që diskutojnë rreth çështjeve me të cilat ballafaqohen serbët dhe komunitetet tjera pakicë në Kosovë. “Slobodno srpski” transmetohet lirshëm në RTK, transmetuesin publik të Kosovës.

Po sikur të hasim në dikë në Pejë që nuk e përcjellë RTK? A do ta shohin bluzën si provokim? Kur ushtria, policia dhe forcat paraushtarake serbe u tërhoqën nga qyteti në qershor të 1999 pas fushatës së bombardimeve të NATO, pas vetes lanë shkrumb e hi. Shqiptarët ishin dëbuar dhe shumica e shtëpive të tyre në qytet ishin djegur. Në Pejë dhe në fshatrat përreth, Qyshk, Pavlan, Zahaq dhe Lubeniq, u masakruan mbi 200 civilë shqiptarë.

Slobodno srpski?

Një ditë kur isha me të, sytë e Ljilja shihnin drejt rrugës së zbrazët në drejtim të Pejës.

“S’mund t’i harrosh kurrë vuajtjet, për aq kohë sa je gjallë. I kam parë teksa kalonin me traktorë duke ikur. I kam parë ata fëmijë… Kam qarë aq shumë atë ditë”.

“Shqiptarët?” e pyeta.

Pohoi me kokë. “Dhe pastaj, më vonë, njerëzit tanë ikën. Zot na ruaj të gjithëve nga lufta”.

Gjuha serbe nuk flitet më rrugëve të Pejës. Thuhet se në qytet kanë mbetur më pak se 10 serbë. Kanë qenë mijëra para luftës. Sa i përket shqiptarëve, kryesisht vetëm ata mbi 40 vjeç e dinë gjuhën serbe, brezi i fundit që e mësuan në shkollë.

Në çdo rast, duhet të jesh i kujdesshëm edhe me njerëzit që e flasin atë, sepse mund të mos duan ta flasin. Asnjëherë s’mund ta dish se në çfarë konteksti e kanë dëgjuar ose folur për herë të fundit dhe me çka u ndërlidhet.

“A të shkoj në shtëpi dhe të ndërrohem?” pyeti Rašo.

“S’kemi kohë për këtë”, tha dikush. Do duhej të ishim në Pejë për më pak se 10 minuta. Dhe rruga merr të paktën 15 minuta kohë me veturë, pra veç ishim vonuar.

Ka kaluar shumë kohë që nga lufta. Vendasit e Gorazhdecit kanë vite që shkojnë e vijnë në Pejë, më së shpeshti për ushqime, por edhe për t’i prerë flokët, për ta ndrequr veturën ose për qofte apo suxhuk në ndonjë restorant, sepse asnjëra nga këto shërbime nuk gjendet në fshat.

Disa prej tyre mund dhe shqiptojnë disa fjalë në shqip: mirëdita, faleminderit, dy birra. Nëse në lokal qëllon të jetë një pronar më i vjetër, ai mund të ndodhë t’ju shërbejë me prijatno serbe. Disa prej tyre do të jenë të lumtur ta kenë mundësinë të flasin sërish gjuhën serbe. “Politika është një gjë, por njerëzit janë diçka tjetër”, mund ta dëgjosh. Herëve të tjera është disi më e largët. “Megjithatë sa gjuhë flet, aq vlen”. 

“Dhe ja pra! Kjo kryen punë”, thirri Rašo. Ishte një ide gjeniale mes panikut dhe hutisë. E ktheu bluzën mbrapsht, duke e fshehur mbishkrimin.

Më në fund mund të shkonim në qytet.

Slobodno Srpski.

Fabrika

Në Gorazhdec nuk ka fabrika, por është një ndërtesë e një fabrike të dikurshme jashtë fshatit, që ende quhet “Fabrika”. Në vitin 2019, u raportua se pronari po përdorte hapësirën për të mbajtur kimikate të rrezikshme, gjë që, në një rast të rrallë solidariteti ndëretnik, bëri bashkë qindra shqiptarë nga fshatrat përreth dhe serbë të Gorazhdecit për të protestuar kundër ndotjes.

Para luftës, ndërtesa i përkiste një kompanie shtetërore të lëkurës dhe këpucëve, që u ofronte punë qindra banorëve të Gorazhdecit dhe mijëra të tjerëve në zonën e gjerë të Pejës.

Pas luftës, pasi u privatizua, fabrika pushoi së ekzistuari, bashkë me vendet e punës.

Sot, e vetmja “fabrikë” e mbetur në fshat është Republika e Serbisë, e cila drejton institucione shtetërore paralele brenda Kosovës siç janë shkollat, shtëpitë e shëndetit dhe shërbimet komunale në zonat me shumicë serbe. Prania e këtyre institucioneve paralele u siguron shumë vendasve të hyra të qëndrueshme, anipse shpeshherë modeste. Disa nga vendet e punës vijnë me ngarkesa më të rënda apo më të lehta pune, ndërsa disa as që përfshijnë punë fare.

Qytetarët në Gorazhdec më thanë se punët në sektorin publik në sistemin paralel shpesh ofrohen bazuar në lidhjet partiake dhe “sjelljen e duhur”.

Kështu regjimi në Beograd — përmes partisë politike Lista Srpska, përfaqësueses së saj në Kosovë — siguron rrjetin e mbështetjes klienteliste, i cili funksionon edhe në Serbi.

Pa këtë mbështetje nga jashtë, ky komunitet edhe ashtu i varfër, me siguri do ta kishte të vështirë. 

E megjithatë, kriteret për punësim ulin cilësinë e shërbimeve që ofrohen. “Më ndodhi një prerje e vogël — jo diçka e pazakontë por nevojitej të ma qepnin plagën”, më tha një banor. Megjithatë, kur shkuan në shtëpinë e shëndetit në Gorazhdec, “Më thanë se askush s’mund ta bëjë këtë, prandaj më çuan në Pejë”, thanë ata.

Më rastisi ta vizitoj fshatin një ditë para tubimit të Vučić në fund të majit në Beograd. Tubimi u organizua thjesht për ta dëshmuar se Partia Progresive Serbe në pushtet ende mund të mbledh më shumë njerëz sesa opozita, e cila sapo kishte nisur të organizonte protesta të mëdha në të gjithë Serbinë. “Progresivët” caktuan një numër të caktuar njerëzish për t’i mbledhur nga çdo qytezë dhe qytet dhe kërkimi për ta filloi. Më thanë se nga Gorazhdeci, fshat me rreth 700 banorë, pritej të siguroheshin rreth 70 njerëz.

Edhe ata që nuk donin të shkonin ndiheshin të detyruar. Ata që refuzuan, mund të rrezikonin ta humbnin punën ose të përjashtoheshin.

Sheshi

Në pikë të pasdites verore ajri s’lëvizte. Unë dhe Damjan u ulëm në hije, mbështetur në karriget e bardha prej plastike, duke vështruar sheshin para nesh. Hapësira e madhe prej betonit veç që nuk shkrihej nga dielli. Kafana e Pajas ishte e zbrazur dhe të dy dyqanet ishin të mbyllura për pauzën e pasdites. Edhe Ljilja kishte shkuar për të pushuar. Po pinim kafe nga aparati dhe duhan.

Duke përdorur paketën e cigareve Lucky të kuqe, dhe një shkrepëse, Damjan ma shpjegoi se si është ta ngasësh për mbrapa një traktor kur ka të ngjitur një rimorkio. Nëse kthehesh majtas, traktori shkon djathtas, por rimorkio shkon majtas. Jo bash e lehtë. Ai është një nga të paktët në fshat që mund ta ngasë traktorin siç duhet. S’është çudi, ka vozitur traktorë që kur ishte fëmijë. “Isha aq i vogël saqë nuk mund të më shihnin pas timonit”, më tha. “Dukej sikur traktori ishte bosh”.

Ai e humbi babanë në moshë të re dhe që atëherë i është dashur të kujdeset për familjen e tij. Ata zotërojnë rreth gjysmë hektari tokë dhe marrin me qira pesë të tjera. Mbledhja e sanës po shkonte mirë;e shiste të tijën me shumicë me dy euro për deng, ose më pak, varësisht nga viti.

Megjithatë, Damjan s’mund të mbijetojë nga bujqësia, prandaj iu desh ta gjente një punë të dytë (si gazetar në Radio Goraždevac) dhe më pas një punë të tretë. Të mërkurave, të enjteve dhe të premteve jep mësim në lëndën e kimisë në një shkollë të mesme.

"Isha aq i vogël saqë nuk mund të më shihnin pas timonit", tha Damjan. "Dukej sikur traktori ishte bosh".

“Mësojmë shumë në orët e tij. Njëmend përpiqet t’i zbërthejë gjërat në terma të thjeshtë, ashtu që ta kemi më lehtë për t’i mbajtur mend”, më thanë njëzëri Miljana dhe Ivona, dy nga nxënëset e tij.

“Kanë dalë mjaft keq. Nga 15 pyetje në test, vetëm tetë i kishin të sakta”, më tha më vonë Damjan, me shqetësimin e butë të mësuesit, që nuk prisja ta gjeja te një 23-vjeçar.

Midis orëve mësimore, ai vrapon për në radio për të shkruar lajme për faqen e tyre të internetit. Midis shkrimit të artikujve të lajmeve, ai luan lojëra në telefon ose shikon ndeshje basketbolli, që luhen nga Partizani i Beogradit.

Shtëpia e Kulturës

Në fund të sheshit, shihet një ndërtesë e vjetër me një kolonë harqesh elegante të verdha që shtrihen përgjatë krahut të djathtë të saj. Është ish-Shtëpia e Kulturës. Brenda është një sallë e madhe me një skenë dhe pajisje antike të drunjta për drita.

“Zakonisht ka pasur valle, muzikë, turma njerëzish”, tha Ljilja.

“Mbushej plot”. Ajo drejton dorën kah sheshi, me sytë që i shkëlqejnë nga kujtimi i freskët. “Këtu takoheshim të gjithë. Njerëzit vinin nga të gjitha fshatrat, madje edhe nga Prishtina dhe Prizreni!”

Por më pas erdhën kohët e vështira dhe banorët e Gorazhdecit mbetën vetëm e salla mbeti bosh.

Por jo atë ditë. 

Karriget e bardha plastike ishin të vendosura me përpikëri në vija të rregullta — do të mbahej një takim me banorët për të diskutuar se si të shpenzohej pjesa e buxhetit komunal që i takonte fshatit.

Flitej se i pranishëm do të ishte edhe vetë kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, një akt i pazakontë për një politikan shqiptar. E lavdërojnë shumë Muhaxherin në Gorazhdec. “Askush nga kryetarët e mëparshëm nuk e dinte se ku ndodheshim, por Muhaxheri na viziton dhe na pyet se çka na nevojitet”, tha një banor, “Vitin e kaluar ai madje mori pjesë në fronëzimin e patriarkut në Patrikanën e Pejës”, tha një tjetër.

Doli që kryetari kësaj here ishte i zënë, kështu që, në vend të tij, kishte ardhur drejtori i departamentit të financave komunale. Përfaqësuesi komunal shpalosi planet për vitin e ardhshëm para rreth 30 banorëve të fshatit. Më pas fjalën e morën banorët. Ata flisnin me respekt, por në mënyrë të drejtpërdrejtë, shpesh të prerë, duke theksuar premtimet e paplotësuara dhe problemet me të cilat ballafaqoheshin — mungesën e kanalizimeve, problemet me energji elektrike dhe ujë, nevojën për vendosjen e pengesave nëpër rrugët afër shkollës për t’i ngadalësuar shoferët.

Papritmas, nga jashtë filloi të dëgjohej muzikë, që e prishi atmosferën solemne. Fillimisht, të gjithë u përpoqën të silleshin sikur asgjë nuk po ndodhte, por kjo nuk zgjati.

I zemëruar, një djalë u ngrit në këmbë dhe mbylli një nga një dritaret e vjetra prej druri, duke mallkuar rininë e sotme. Muzika nuk dëgjohej më aq shumë, gjë që mundësoi përfundimin e takimit. Përfaqësuesit komunalë dhanë disa premtime, disa afate dhe të gjithë u larguan.

Jashtë, përgatitjet për festë kishin filluar. Ishte një festë, që vinte pas turneut vjetor të futbollit. Kurrë nuk kam parë kaq shumë rini në Gorazhdec. Mendova me vete se të paktën, atë natë, sheshi përballë Shtëpisë së Kulturës mund të jetë dukur siç e mbante mend Ljilja. 

Shkolla

Rreth 100 metra prej qendrës, përgjatë rrugës kryesore për në Pejë, gjendet shkolla e fshatit. Apo më mirë, shkollat. Aty ndodhet një shkollë fillore dhe dy shkolla të mesme: gjimnazi dhe shkolla ekonomike. Të dy shkollat e mesme dikur kanë qenë të pozicionuara në Pejë, por pas luftës janë “bartur” në Gorazhdec (së bashku me selinë komunale) për të mbetur nën administrimin serb.

Natyrisht, objektet e shkollave të mesme në Pejë nuk shkuan askund, tashmë funksionojnë si pjesë e sistemit kosovar.

Mësimdhënësit dhe personeli i shkollave të mesme në Gorazhdec marrin paga nga Republika e Serbisë, e disa prej tyre, raportohet se paguhen edhe nga Republika e Kosovës. Shkollat funksionojnë sipas planprogramit serb, diçka që ka rëndësi të madhe për vendasit, të cilët duan ta kultivojnë ndjenjën, traditat dhe fenë e tyre kombëtare. Megjithatë, kjo krijon disa vështirësi praktike. Për shembull, pavarësisht se jetojnë në një fshat të rrethuar nga shqiptarë, në shkollat e Gorazhdecit askush nuk mëson shqip.

Miljana dhe Ivona janë shoqe të ngushta dhe të pandashme. Mund të thuhet se ato u bënë shoqe pasi kanë qenë të ulura në bankën e njëjtë shkollore, por në të vërtetë, në klasën e tyre, madje edhe në pjesën tjetër të vitit të katërt të shkollës së mesme, nuk ka pasur nxënës/e tjetër, kështu që s’do kishte kuptim të mos uleshin bashkë.

Pas dy të shtënave masive në Serbi në maj, njëra prej të cilave ndodhi brenda një shkolle fillore, ministria serbe e arsimit vendosi ta fillojë këtë vit shkollor duke u caktuar mësimdhënësve/eve që për një javë të flasinr për ndjeshmërinë, diversitetin dhe tema të ngjashme. Si duket, askush se ka menduar se si do të zbatohet kjo teknikë në një klasë me dy nxënëse.

“Ivona dhe unë po diskutojmë për ndjeshmërinë nga gjashtë orë në ditë, me gjashtë mësimdhënës/e të ndryshëm/me, pesë ditë në javë”, tha Miljana. “Mendoj se ndjeshmëria ime po zbehet”.

Javën e ardhshme, në një mënyrë krejt të pandjeshme, atyre iu desh t’u nënshtroheshin 10 testeve mësimore — gjashtë prej tyre në të njëjtën ditë. “Donin ta kontrollonin nëse kishim mësuar gjatë pushimeve verore”, tha Ivona. “Kush mëson në pushime verore?”

Më binte t’i shihja çdo ditë — ndonjëherë disa herë në ditë — midis orëve mësimore, teksa prisnin që Paja ta hapte kafenenë e tij ose Kujto të hapte “Podrum” që të merrnin kafe. Ndonjëherë, kur lokalet ishin të mbyllura, gjë që ndodhte shpesh, nxirrnin disa shilte dhe uleshin në betonin e sheshit. Ëndërronin për universitetin. Miljana dëshiron të studiojë për turizëm, ndërsa Ivona po shqyrtonte fushën e teknologjisë informative apo ndoshta edhe gazetarinë. Ato e kanë një plan të fshehtë për të shkuar bashkë në Beograd.

Një herë, i kapluar nga roli im i ri si një vizitor i fshatit, po i tregoja Ivonas për shtëpinë e vogël dhe se sa më pëlqente pamja e arave me misër dhe kashtë. “Sa mirë për ty”, më tha “mezi e pres ditën kur nuk do të më duhet t’i shoh më”.

Stacioni i autobusëve

Stacioni i autobusëve i periudhës jugosllave në formë këpurdhe është vendi ku mund të hipësh në një minibus që shkon në Pejë tetë herë në ditë. Linja e autobusit lidh një sërë fshatrash të zonës, kështu që minibusi është e vetmja hapësirë përreth ku mund të dëgjohet të flitet serbisht dhe shqip në të njëjtin vend. Zakonisht është i stërmbushur dhe shpesh detyrohesha të qëndroja i kërrusur sepse tavani ishte i ulët. Po të mund të qëndroja nën kapakun përherë të hapur sipër, do të mund t’i shfrytëzoja disa centimetra shtesë hapësirë ​​dhe ajër të freskët drejtpërdrejt në ballë.

Stacioni i autobusëve është gjithashtu vendi ku vjen autobusi që shkon për në Beograd.

“Kam qenë vetëm një herë atje dhe e kuptova se çfarë jete bëjmë ne këtu”, më tha Ljilja. “Ditët e para, kisha frikë ta kaloja rrugën, por pastaj shihja njerëzit e tjerë dhe bëja çka bënin atë”, qeshi ajo.

Më kujtohet historia e një të riu nga këtu, një sportist i shquar. Gjatë shkollës së mesme u zhvendos në Beograd dhe filloi të stërvitet në një klub të madh sportiv. Dukej se para vetes e priste një karrierë e shkëlqyer, deri kur dikush nga klubi i bëri presion që të paguante për të kaluar në ekipin e parë. Bëhej fjalë për shumë para shumë më shumë sesa që ai i kishte. I zhgënjyer, u kthye në Kosovë dhe u përpoq të studionte në një fakultet në veri. Por kur një profesor i kërkoi ryshfet, e la fakultetin. U shpërngul përsëri në Beograd, ku sot punon në një dyqan të qeramikës. Për shumë të rinj/reja në Gorazhdec, ky është skenari më i mirë për të cilin mund të shpresojnë.

Autobusi për në Beograd dikur udhëtonte çdo ditë, por sot udhëton vetëm tre herë në javë — çdo të martë, të enjte dhe të diel. Ndodh të kthehet më i zbrazur sesa që ishte kur është nisur.

Pejë II

Mbaruam drekën në një restorant të vogël në periferi të qytetit. Darko porositi për ne në shqip, por të gjithë ende na shihnin si serbë dhe pronari, një djalë më i vjetër, na shërbeu në serbisht me një prijatno.

Gjithmonë më duket pak qesharake kur Darko porosit për mua në shqip. Jam rritur në Beograd, nga prindër në një martesë të përzier dhe mezi flas gjërat elementare. Shumicës së shqiptarëve që takoj iu duket qesharake që një person i quajtur Ilir Gashi, ndoshta emri më shqiptar kosovar në botë, nuk flet shqip.

Duke dalë nga restoranti takojmë dy kuzhinierët, një djalë dhe një vajzë. Është mesi i një pasditeje të nxehtë vere, restoranti është bosh dhe ata thjesht po presin që të ndodhë diçka. “Faleminderit shumë, ditën e mirë”, iu them në shqip. Nuk di shumë, por këto i di.

Ata m’i ngulin sytë tejpërtej, sikur nuk ndodhem aty, anipse jam mu përballë tyre. Në prapavijë, zhurma e përjetshme e një frigoriferi dhe një mize kumbojnë. Ata e mbajnë heshtjen e tyre të ftohtë dhe unë dal jashtë.

Për një moment mendova se e di se si është të jesh serb në Pejë.

“Podrum”

Kur bie nata në Gorazhdec, të rinjtë e të rejat mblidhen në një bar në bodrum, i cili edhe quhet “Podrum”.

Hapësira është shumë e errët. Ka disa tavolina dhe kolltukë në njërën anë. Në anën tjetër është shanku. Muzika ka zë të lartë, gjë që ndonjëherë e bën të vështirë ta dëgjosh çfarë thonë njerëzit, edhe nëse ata janë krejt afër teje.

Por shumë shpejt e kuptova se shpeshherë edhe nuk ka për çka të flitet.

Të gjithë takohen me njëri-tjetrin çdo ditë te Paja, përpara kioskës së Ljiljas, te stacioni i autobusëve ose te dyqani. Vetëm rrallë ndonjëherë shfaqet ndonjë fytyrë e re.

Atë natë po festonim ditëlindjen e Damjanit, por ai s’ishte me ne. Ishte i zënë gjithë ditën duke i ndihmuar dajës së tij për organizmin e një dasme. Njerëzit erdhën gjithsesi, duke shpresuar se ai do të mund të vinte.

Por doli se kishte edhe më shumë arsye për të festuar. Pronari ma solli një copë të vogël lecke dhe unë e shikova i hutuar. E pashë që këmisha e tij ishte grisur e tëra. Është një zakon i vjetër që kur një burrë bëhet baba, të afërmit dhe miqtë t’ia grisin rrobat që mban veshur. Ishte një mbrëmje para datës kur më duhej ta dorëzoja këtë artikull, por porosita edhe një pije, një dolli për shëndetin dhe jetë të gjatë të foshnjës. 

Lumi Bistrica

“Kujdes mund të ketë gjarpërinj”, tha Darko. Shikova me kujdes, teksa Darko ecte lirshëm rrugës. “Kur ishim fëmijë, i zinim”,  tha ai, para se të shtonte “jo të gjithë gjarpërinjtë këtu janë helmues”.

Pas një kohe, u kthyem në një shteg me baltë, përmes një livadhi. Lumi s’dukej asgjëkund. Isha i hutuar sepse e dija që vrasjet kishin ndodhur pikërisht në brigjet e lumit. “Rrjedha e lumit Bistrica ka ndryshuar, kështu që tani është deri atje poshtë, pas atyre pemëve”, tha ai, duke bërë me gisht. Ai beson se ndryshimi i brigjeve të lumit ndërlidhet me operacionet në shkallë të gjerë, kryesisht të paligjshme, të nxjerrjes së rërës. Është lumë kaq i vogël dhe megjithatë niveli i ujit ka rënë ndjeshëm që nga fillimi i gërmimit. Nuk është çudi që puset janë tharë.

Darko është kryeredaktor i Radio Goraždevac, e vetmja medie serbisht në këtë pjesë të Kosovës.

Më në fund arrijmë te vendi. Duket i pashënjuar. “Ka qenë një guri këtu diku”, tha Darko, “por e gjithë zona është e mbuluar me bar”.

Ma tregoi vendin ku fëmijët po rrinin atë ditë vere, duke luajtur letra, duke u rrezitur e duke notuar. Më pas ai bëri me gisht matanë lumit, në drejtimin nga ku erdhën të shtënat.

Ishte viti 2003 dhe Darko ishte 19 vjeç. Tani, kryeredaktor i Radio Goraždevac, Darkos iu desh ta mbulonte atë ngjarje si detyra e tij e parë gazetareske. Ivan, një nga dy djemtë që vdiqën, kishte qenë shoku i tij i bankës. Panto, djali tjetër, ishte 13 vjeç, shok banke me vëllain më të vogël të Darkos. “Pasi e përfundova lajmin, duhej ta lexoja përmes telefonit. Fillova ta lexoja një herë, pastaj dy herë, por zëri më linte në lloq. Ia dola tek në përpjekjen time të tretë”.

Mbetet e pazgjidhur edhe sot e asaj dite kush dhe pse e bëri këtë. Është një çështje e vështirë për t’u diskutuar, por disa banorë besojnë se ishte për hakmarrje. Pikërisht përtej lumit, më pak se dy kilometra larg, ndodhet fshati Zahaq, ku forcat serbe kryen një prej masakrave të vitit 1999 në Pejë.

Menjëherë pas vrasjeve në Bistricë, vetura që transportonte njërin nga djemtë e plagosur u sulmua dhe u hodh në greminë nga një grup të rinjsh pranë tregut në qendër të Pejës. KFOR-it iu desh t’i tërhiqte prej aty. Pasi të plagosurit ia dolën të arrinin në spital, sipas të mbijetuarve, atyre nuk iu ofrua kujdesi i duhur. “Mbi plagët e tyre të hapura vendosën gips mjekësor”, tha Darko. Ka qenë një grua kroate që punonte për OKB, e cila, sipas Darkos, “dha alarmin dhe bëri marrëveshje për t’i transferuar ata në Beograd”.

Shumë vite më vonë, Darko kërkoi ndihmë në një spital në Pejë. Vajza e tij atëherë 18-muajshe pati një infeksion serioz. “Sinqerisht, jam frikësuar dhe dyshoja”, tha ai. “Në kokën time përjetoja copëza të kujtimeve të asaj dite. Dukej që doktori e kishte vërejtur këtë. Ai më tha: ‘Mos u shqetëso. Do të kujdesem për të si për vajzën time’”.

“Ai e shpëtoi atë”.

Darko u ndal për ta marrë një kumbull të egër nga pema.

“Kemi mbetur shokë edhe sot”.

Pastaj, krejt papritur bërtiti i gëzuar: “Shiko, aty!”

Një gjarpër i vogël u zvarrit nëpër rrugën me baltë, duke u zhdukur në shkurre. Pas tyre, livadhi valëvitej në të verdhë të artë nga rrezet e fundit të diellit të pasdites së vonë. Shumë shpejt dielli do të perëndonte dhe Bjeshkët e Nemuna tashmë kishin marrë ngjyrë më të errët, skajet e tyre ishin mbuluar me mjegull.

Vjeshta po afrohej dhe askush nuk e dinte se çka do të vinte me të.


Fotografitë: Atdhe Mulla / K2.0.

Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi vetëm e K2.0.

A jeni kurreshtarë ta dini se si financohet gazetaria që prodhojmë? Klikoni këtu për të mësuar më shumë.