Në thelb | Serbia

A ka shpresë për një Serbi pa dhunë?

Nga - 31.05.2023

Dy vrasje masive shkaktuan disa nga protestat më të mëdha në Beograd në dy dekada.

Në mëngjesin e 3 majit, Serbia u trondit nga lajmi për një vrasje masive, që ndodhi në shkollën fillore “Vladislav Ribnikar” të Beogradit. Një nxënës 13-vjeçar në klasë të shtatë dyshohet se ka përdorur pistoletën e babait të tij për t’i vrarë tetë nxënës dhe një roje shkolle. Gjithashtu, të u plagosën gjashtë nxënës të tjerë dhe një mësimdhënës.

Pak ditë më vonë, njëri nxënësit e plagosur vdiq në spital, duke e çuar në 10 numrin e viktimave.

Në mbrëmjen e 3 majit, dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në mënyrë spontane në “Sheshin e Luleve” — që ndodhet afër shkollës fillore “Vladislav Ribnikar” — për t’i nderuar viktimat. Pastaj, qytetarët e mbledhur marshuan në shenjë proteste drejt Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Zhvillimit Teknologjik, duke kërkuar dorëheqjen e organeve përgjegjëse. (Ministri i Arsimit Branko Ružić dorëzoi dorëheqjen më 9 maj).

Të nesërmen ndodhi edhe një vrasje masive.

Vonë, në mbrëmjen e 4 majit, sipas Prokurorisë së Smederevo, i dyshuari U.B. vrau tetë persona me armë automatike në zonën e Smederevo dhe Mladenovac, si dhe tentoi t’i vriste edhe 12 të tjerë.

Krahas përshkallëzimit të dhunës që këto dy të shtëna masive shpërfaqën, dhuna nga partnerët intimë dhe dhuna në familje kanë çuar në vrasjen e 18 grave në Serbi midis janarit dhe mesit të majit 2023. Si përgjigje ndaj këtyre fakteve dhe të zemëruar me reagimet kontraverse të qeverisë ndaj të shtënave masive dhe raportimin joprofesional të tabloideve dhe televizioneve pro-qeveritare, dhjetëra mijëra serbë kanë protestuar çdo javë gjatë gjithë majit nën tog-fjalëshin “Serbia kundër dhunës”.

K2.0 shpjegon se nga kanë ardhur këto protesta dhe cila (për momentin) ka qenë përgjigja e qeverisë serbe.

Serbia kundër dhunës

Protesta e parë me tog-fjalësshin “Serbia kundër dhunës” u mbajt menjëherë pas dy vrasjeve masive.

Dhjetëra mijëra njerëz u mblodhën në qendër të Beogradit, më 8 dhe 12 maj, ndërsa protesta të ngjashme po thirreshin në të gjithë vendin. Një numër i partive opozitare shprehën mbështetje për protestat.

Përgjigja e qeverisë ndaj të shtënave masive mori një sërë formash, përfshirë këtu propozime për të punësuar mijëra zyrtarë policorë si masë sigurie në shkolla, duke çuar në pankarta protestash si “Para për shkollat, jo për policinë”. Qeveria njoftoi gjithashtu për një plan për çarmatosjen e Serbisë, si dhe presidenti dhe kryeministrja u sollën kah ideja për rikthimin e dënimit me vdekje.

Kërkesat e protestuesve përfshinin thirrjet për dorëheqje të ministrit të Brendshëm Bratislav Gašić dhe drejtorit të Agjencisë së Inteligjencës së Sigurisë, Aleksandar Vulin. Protestuesit gjithashtu kërkuan që qeveria t’i zëvendësojë anëtarët aktualë të Autoritetit Rregullues të Medieve Elektronike, t’i mbyllë të gjitha tabloidet, që promovojnë dhunën dhe shkelin kodin e etikës së gazetarisë, t’i ndalojë emisionet e formateve reality show dhe t’i largojë kanalet televizive kryesore serbe të formatit reality, “Pink” dhe “Happy” nga frekuencat kombëtare.

Protesta e tretë “Serbia kundër dhunës”. Fotografia: Mladen Savković / K2.0.

Këto protesta, që shfaqnin turma njerëzish duke bllokuar rrugët më të frekuentuara të Beogradit — duke përfshirë autostradën dhe urën “Gazela”, e cila është ura me trafikun më të dendur në qytet mbi lumin Sava —  janë mbuluar vetëm herë pas here nga transmetuesi publik Radio Televizioni i Serbisë (RTS) dhe stacione të tjera televizive me mbulim mbarëkombëtar. Shumë mediet të tabloideve, online dhe të shtypura, kanë raportuar për këto zhvillime nga pikëpamja e zyrtarëve qeveritarë, duke i dhënë përparësi qëndrimit të qeverisë rreth protestave.

Menjëherë pas protestës së 12 majit, presidenti Aleksandar Vučić u shfaq në rrjetet sociale dhe postoi një fotografi bashkë me kryeministren Ana Brnabić dhe ministrin e Financave, Siniša Mali. Bashkë me një mbishkrim përqeshës, që pretendonte se pamjet e protestës ishin të punuara me photoshop, për t’u dukur më të mëdha se sa ishin në të vërtetë, Vučić njoftoi se më 26 maj, partitë në pushtet do ta organizonin në Beograd një tubim “të pafalsifikuar dhe pa photoshop“.

Kjo shkaktoi reagim të ashpër dhe kritikët theksuan se presidenti po organizonte protestë kundër njerëzve që protestojnë kundër dhunës. Një reagim negativ edhe më i fortë erdhi pas një postimi në rrjetet sociale nga kryeministrja Brnabić, ku ajo shfaqej duke u tallur me mijëra njerëz që bllokuan urën “Gazela” më herët atë ditë.

Në përgjigje të këtij reagimi qeveritar, protesta e radhës “Serbia kundër dhunës” u shndërrua në protestë edhe më të madhe. Të premten, më 19 maj, në protestë, më e madhja në këtë seri protestash, njerëzit marshuan për orë të tëra.

Sipas disa vlerësimeve jozyrtare, mes 50,000 dhe 60,000 njerëz dolën më 19 maj. Madhësia e protestës tërhoqi vëmendjen e medieve ndërkombëtare. Deutsche Welle i është referuar kësaj serie protestash si kundërshtia qytetare më e madhe që Serbia ka parë që nga 5 tetori 2000.

Ndërkohë, AP News vuri në pah kundër-protestën e Partisë Progresive Serbe (SNS) që u organizua në Pančevo, më 19 maj. “Përpara një rezistence të hapur, partia nacionaliste e krahut të djathtë të presidentit autokrat serb Aleksandar Vučić organizoi një kundërprotestë në një qytet në veri të Beogradit, ku morën pjesë mijëra mbështetës të tij”, raportoi AP News.

Një Serbi e shpresës

Në vend që të angazhoheshin me protestuesit ose t’i merrnin parasysh kërkesat e tyre për dorëheqje, SNS dhe Vučić vendosën të vazhdojnë duke organizuar atë që ata e quanin tubimi më i madh që Serbia do të shihte ndonjëherë.

Ky tubim, “Një Serbi e shpresës”, ishte planifikuar të mbahej të premten, më 26 maj — në të njëjtën ditë që ishte planifikuar një tjetër protestë “Serbia kundër dhunës”.

Në ditët vijuese, mediet u mbushën me raportime se punonjësit e institucioneve publike anembanë Serbisë po përballeshin me presion nga eprorët e tyre, për të marrë pjesë në tubimin pro-qeveritar. Për shembull, më shumë se 20 anëtarë të personelit të departamentit komunal të IT në komunën e Niš, u tha se u ricaktuan në pozita të ndryshme pune, pasi refuzuan të merrnin pjesë në tubimin e SNS më 26 maj në Beograd. Sipas N1, kjo praktikisht mbylli departamentin. Pati gjithashtu raportime për transport masiv me autobus dhe tren, që po organizohej për njerëzit jashtë Beogradit për t’i dërguar në tubimin e qeverisë.

Vetëm disa ditë më parë, kryetarja e Niš, Dragana Sotirovski tha se nëse zyrat e qeverisjes komunale së qytetit do të zbrazeshin më 26 maj, kjo s’do të ishte “tregues” se personeli iu bashkëngjit udhëtimit të organizuar për në tubim, pasi ka edhe ditë tjera kur zyrat e komunale të qytetit janë bosh.

Një numër në rritje i figurave publike shprehën mbështetje ose për njërën protestë ose tjetrën, ndërkohë që shumë organizata të shoqërisë civile kërkuan që presidenti ta anulojë tubimin e tij.

Në një deklaratë të një grupi të këtyre organizatave thuhet: “Se njerëzit dalin rrugëve të Beogradit të zemëruar, është shumë e kuptueshme. Ata po bëjnë thirrje që qeveria t’u sigurojë atyre dhe fëmijëve të tyre minimumin e sigurisë dhe ta ndalojë dhunën”.

“Qeveria duhet të përgjigjet”, vijon deklarata. “Një tubim masiv i qytetarëve kundër dhunës, nuk duhet të pritet me një tubim edhe më masiv të disa qytetarëve të tjerë. Çfarë mesazhi po përpiqen të përçojnë këta të fundit — se nuk janë kundër dhunës?”

Dy ditë, dy Serbi

Në mëngjesin e hershëm të së premtes, më 26 maj, autobusët nga i gjithë vendi filluan të arrijnë në Beograd për tubimin “Serbia e shpresës”, nga e gjithë Serbia, nga Bosnja, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Kosova.

“Kosovo Online” raportoi se rreth 10,000 serbë të Kosovës u bashkuan në tubim — qoftë individualisht ose me një nga 200 autobusët e marrë me qira për këtë rast.

Në të njëjtën kohë, tensionet u përshkallëzuan në veri të Kosovës, me përleshjet mes policisë së Kosovës dhe serbëve — dhe disa ditë më vonë ndodhën përleshje mes ushtarëve të NATO nga KFOR me serbët — pas bojkotimit të zgjedhjeve lokale që ngritën pikëpyetje se kush duhet t’i kontrollojë ndërtesat e komunale.

“Që nga nesër e tutje, do të jem president i të gjithë qytetarëve/eve serbë/e, sesa president i një partie të vetme politike”, tha Vučić.

Megjithëse Tanjug dhe medie të tjera pro-qeveritare raportuan se më shumë se 200,000 njerëz morën pjesë në tubimin e SNS, pamjet ajrore dhe vlerësimet e aktivistëve tregojnë se numri i të pranishmëve ishte shumë më i vogël se numri i njerëzve që dolën në rrugë më 19 maj.

Në fjalimin e tij në tubim, i cili zvogëlua për shkak të shiut teksa zhvillohej ngjarja, Vučić njoftoi se do të largohej nga posti i kryetarit të SNS.

“Kjo do të jetë hera e fundit që ju drejtohem si kryetar i SNS. Që nga nga nesër, dikush tjetër do ta udhëheqë SNS time, SNS tuaj, SNS tonë, anëtar besnik i së cilës do vazhdoj të mbetem. Megjithatë, nga nesër e tutje, do të jem president i të gjithë qytetarëve/eve serbë/e, e jo president i një partie të vetme politike”, tha Vučić.

Ai gjithashtu njoftoi se SNS do të jetë boshti i një lëvizjeje të re “që do të jetë baza jonë e mbështetjes, duke na ndihmuar ta ruajmë vendin tonë në dy deri në tre vitet e ardhshme të krizës — vite që mund ta vendosin të ardhmen e Serbisë”. Kishte spekulime se Vučić do ta shfrytëzonte rastin për t’i thirrur zgjedhjet në vjeshtë, por kjo s’ndodhi.

Vučić nuk iu përgjigj kërkesave të parashtruara nga protesta “Serbia kundër dhunës” dhe nuk njoftoi për ndonjë masë që qeveria do të ndërmerrte potencialisht për të luftuar dhunën.

Të nesërmen, pikërisht në të njëjtin vend, u zhvillua protesta e katërt “Serbia kundër dhunës”, duke mbledhur shifra të ngjashme me protestën e mëparshme, si dhe duke tejkaluar dukshëm tubimin pro-qeveritar të një dite më parë.

Protesta e katërt “Serbia kundër dhunës”. Video: Mladen Savković / K2.0

Këtë herë protestuesit marshuan rreth parkut “Tašmajdan” në qendër të Beogradit dhe formuan një rreth përgjatë ndërtesës së RTS. RTS nisi programin e saj të lajmeve qendrore, me pamje direkte të protestuesve që kishin rrethuar ndërtesën.

Deri atëherë, për javë të tëra asnjë televizion me frekuencë kombëtare nuk pati raportuar në mënyrë objektive për protestat. Megjithatë, përqendrimi shpejt u zhvendos në trazirat në veri të Kosovës dhe mediet pro-qeveritare akuzuan organizatorët e protestës “Serbia kundër dhunës” për shkaktim të destabilitetit në Serbi, në një moment që është, siç thonë ata vazhdimisht, një nga më të vështirët në histori të vendit.

Disa protesta të vogla u mbajtën në ditët e fundit të majit, të udhëhequra nga grupe të ndryshme të krahut të djathtë, që u bënin thirrje njerëzve të luftonin për të drejtat e serbëve në veri të Kosovës dhe kundër “tradhtisë” dhe negociatave të mëtejshme mes Beogradit dhe Prishtinës.

Ndërsa për protestat “Serbia kundër dhunës”, mbetet për t’u parë nëse do të mund të jenë këmbëngulëse përballë kësaj zhurme mediale apo do t’ia dalin të dallohen nga lëvizjet e mëparshme protestuese me kërkesa të sakta dhe kuptimplota. Mbetet pikëpyetje nëse do të jenë në gjendje të vazhdojnë të tërheqin dhjetëra mijëra njerëz në protesta javë pas jave.

Protesta e radhës “Serbia kundër dhunës” është planifikuar të mbahet të premten, më 2 qershor. Edhe pse mund të duket e largët pas kaq javësh intensive, protesta do të zhvillohet një muaj pasi vrasjet masive tronditën vendin.

Imazhi i ballinës: Mladen Savković / K2.0.