Kush na i qet kafet? - Kosovo 2.0

Kush na i qet kafet?

Artikulli nga Arian Lumezi

Fotografitë: Ferdi Limani

Dërrasat e dyshemesë në “MIQT Pub” i kanë shkelur shumica e të rinjve e të rejave që dalin mbrëmjeve në Prishtinë. “Se kem lehtë as na që dalim t’premteve”, thuhet në një prej mureve të drunjta të pub-it. Kjo si për ta përthekuar në pak fjalë shpirtin dhe sensin e humorit të një prej lokaleve të pakta të modelit irlandez në kryeqytet dhe ikonës së “birrave mbas punës”, të mërkurave, të premteve e të shtunave, mbrëmjeve që rinia e Prishtinës i ka caktuar për të dalë natën me një marrëveshje të pashkruar kolektive.

Historia e “MIQT” nisi si përpjekje mes miqsh për ta krijuar një vend më ndryshe në hartën e jetës së natës në Prishtinë. Tash, ky vend është shndërruar në një prej pikave më të rëndësishme të mbrëmjeve të kryeqytetit, me një dekadë jetë e tri lokacione të ndryshme të ndërruara përgjatë kësaj kohe.

Ai u rrit dhe mori famën që ka sot në një shtëpi të përshtatur për lokal, pranë hotelit “Swiss Diamond”, ku u ndodh për rreth katër vite.

Në gusht të vitit 2019, pronarët ishin detyruar t’ia gjenin pub-it një vend të ri, te “Kafet e vogla”, siç njihen kafenetë te rruga “Fehmi Agani”. Pas shumë përgatitjeve e vonesave nga institucionet komunale, lokalin e ri e hapën më 23 mars 2020.

“Shtatë muaj kemi punu në rregullim të lokalit; e çelëm, punum gjashtë orë edhe e mshelëm se masat”, thotë Petrit Reçica, apo Petlla siç e njohin shumë në Prishtinë, figura e të cilit si një prej udhëheqësve të lokalit është rritur bashkë me “MIQT” dhe komunitetin e njerëzve të lidhur me këtë vend. 

Asokohe, institucionet patën marrë vendim që me qëllim të parandalimit të pandemisë Covid-19 — që ishte në prag të përhapjes shumë të shpejtë nëpër krejt botën — do të kufizohej lëvizja e lirë e qytetarëve dhe automjeteve dhe do të mbylleshin operatorët ekonomikë, përfshirë lokalet e gastronomisë. “MIQT” ishte njëri ndër lokalet e shumta që u mbyllën. Kjo situatë zgjati deri në fillim të majit 2020, kur qeveria filloi t’i lehtësojë masat.

Mbyllja e lokaleve të gastronomisë, me theks të veçantë kafenetë, për dy muaj i la këto biznese pa ndonjë qarkullim financiar, punëtorët e tyre të papunë dhe në tërësi ndikoi në dobësimin e ekonomisë së vendit. Pakoja Fiskale Emergjente prej 190 milionë euro, që u lansua më 30 mars 2020 si përgjigje ndaj situatës së krijuar, ua shtyu bizneseve afatin për pagesë të tatimeve e u ndihmoi ta paguanin gjysmën e qirasë dhe përballimin e pagave të punëtorëve. Këto masa, po ashtu, ishin shtysë për shumë biznese që t’i regjistronin punëtorët e tyre –– deri atëherë të paregjistruar.

Ndërkohë, mbyllja e kafeneve u dha njerëzve një botëkuptim të ri për rutinën ditore dhe marrëdhënien e tyre me ‘hapësirat e treta’ pas shtëpisë e vendit të punës, siç cilësohen kafenetë dhe hapësirat e ngjashme nga sociologu urban Ray Oldenburg. Në sipërfaqe duket një veprim i zakonshëm rutinor që ndodh kudo në botë, por në përmbajtje është një aktivitet vështirë i zëvendësueshëm ku ndërlidhen fusha të rëndësishme të jetës — nga ekonomia te kultura. E për njerëzit që u detyruan të rrinin në izolim, kafenetë u bënë mishërim i lirisë.

Në Kosovë posaçërisht, duke përbërë një prej veprimtarive kryesore të gastronomisë, kafenetë, janë pjesë e pandashme ekonomike, sociale e kulturore e shoqërisë. Prej “Kafeve të vogla”, atyre “të rakisë”, “te Lesna”, te “Kinemaja ‘ABC’”, “te Santeja”, e deri te ato të rrugës “B” — rrugë të tëra tashmë njihen përmes kafeneve që janë pjesë të pazëvendësueshme të mozaikut kaotik të qytetit të Prishtinës.

Përpos kësaj, ato edhe përbëjnë një ndër sektorët më të organizuar të sektorit privat që ushtrojnë ndikimin e tyre në nivel politikash, ndikim që u fuqizua sidomos gjatë pandemisë.

 

Përpjekjet për zë të përbashkuar


Reçica e kishte nisë punën në zanatin e kafenesë herët, qysh kur ishte 16 vjeç, në një lokal te “Santeja” në fund të ‘99-ës. Ideja për “MIQT Pub” nisi shumë vite më vonë, kur ai bashkë me Dardan Ibrahimin – Dakin, dhe një shok tjetër vendosën ta bëjnë një “vend për vete”. Kështu, rrëfimi i “MIQT Pub” nisi një dekadë më parë te “Kafet e rakisë”, vazhdoi pastaj në një lokal tjetër në qendër, e së fundi në rrugën “Fehmi Agani” te “Kafet e vogla”. Në shtator, pub-i do ta ketë ditëlindjen e dhjetë.

Prej dhjetorit 2021, pas zgjedhjeve të fundit lokale, Reçica është edhe asamblist në Kuvendin Komunal të Prishtinës si pjesë e grupit të Lëvizjes Vetëvendosje (LVV). Petlla thotë që një prej arsyeve që e kanë shtyrë të hyjë në politikë është që të ketë mundësi të ndikojë drejtpërsëdrejti në vendimmarrje për çështje që lidhen me gastronominë.

Hyrja e tij në politikë përkon me një trend të lidhjes së njerëzve të bizneseve të gastronomisë dhe politikës, qoftë përmes kandidimit në zgjedhje apo përmes pronësisë në këtë sektor. 

Në zgjedhjet lokale të vitit 2021, disa nga partitë më të mëdha politike si LVV, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) në radhët e tyre patën kandidatë që vijnë nga gastronomia.

Kandidati i PDK-së në komunën e Prishtinës ishte Uran Ismaili. Ismaili, që doli i treti në zgjedhje, është bashkëpronar në dy biznese të njohura në Prishtinë: “Bon Vivant” dhe “Matisse”. 

Veton Zuka, bashkëpronar i kafiterisë së njohur “Lips”, ishte po ashtu kandidat i PDK-së për asamblenë komunale në Prishtinë. Edhe Luaras Meha, pronar i kafiterisë “Annex”,  garoi për asamble me AAK-në. 

Përveç synimit për të ndikuar drejtpërsëdrejti në nivelin lokal dhe atë qendror duke qenë pjesë e ligjvënësve, bizneset e gastronomisë janë të organizuara edhe përbrenda, duke e shtuar kështu ndikimin e tyre në vendimmarrje e politikëbërje. Ato janë të organizuar përmes Shoqatës së Gastronomëve të Kosovës, e cila ishte themeluar në vitin 2012 në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës (OEK) si “Shoqata e Gastronomëve” për të përfaqësuar vetëm lokalet e kafe-bareve në kryeqytet. Në vitin 2017, organizata kishte ndërruar statutin në kuadër të një ristrukturimi dhe ishte shndërruar në Shoqatën e Gastronomëve të Prishtinës për të mbrojtur interesat lokale të bizneseve në kryeqytet.

Por në vitin 2020, me masat kufizuese të pandemisë që po i preknin bizneset në tërë Kosovën, kjo shoqatë filloi të fliste për të gjithë gastronomët anekënd Kosovës, të cilët shpejt edhe filloi t’i ftojë të anëtarësohen në shoqatë. Kështu, në korrik të atij viti, shoqata u shtri në nivel vendi dhe u emërua Shoqata e Gastronomëve të Kosovës. 

Anëtarësimi u rrit dukshëm gjatë kësaj periudhe. Shumica nga 500 anëtarët e tanishëm janë anëtarësuar pas korrikut 2020. 

Sipas uebfaqes së shoqatës, anëtarësimi është më pagesë, e cila varion prej 20 deri në 50 euro në muaj varësisht se cilën nga tri pakot ekzistuese e zgjedhin anëtarët. Pakot, ndër tjera përfshijnë përkrahje juridike, informim për aktivitete e ftesa për panair vjetor në mbrëmjen gala të shoqatës. Arian Vranica, sekretar i përgjithshëm në shoqatë, tregon se pagesa është në baza vullnetare, jo e rregullt dhe se paratë e mbledhura shfrytëzohen për qira të zyrës, paga të personelit dhe për trajnime të anëtarëve.

Përgjatë pandemisë, kjo shoqatë ka pasur ndikim të konsiderueshëm në vendimmarrjen e qeverisë lidhur me masat kundër COVID-it, që në shumicën e rasteve kufizonin veprimtarinë e kafeneve dhe bizneseve të tjera të gastronomisë, të cilat konsideroheshin si vende me potencial të madh për shpërndarje të virusit. Me protesta dhe prani të shtuar në debatin publik, gastronomët u bënë një prej zërave më të pranishëm e më të dëgjuar gjatë pandemisë. 

Vranica thotë që shoqata asnjëherë nuk ka qenë më e fuqishme dhe se ndikimi i tyre gjatë përpilimit të masave nga Qeveria për kontrollin e pandemisë ka qenë shumë i madh. Ministria e Shëndetësisë, përkatësisht Komiteti për Menaxhimin e Pandemisë i ftonte në takime të shpeshta përfaqësuesit e shoqatës para se t’i ndryshonte masat apo të vendoste masa të reja. Megjithatë, jo gjithmonë rekomandimet e tyre u morën parasysh, por pa ta “masat do të ishin edhe më të rënda për bizneset”, siç thotë Vranica. 

“Palestrat sportive, fitneset kanë heqë shumë me masa dhe ka qenë shumë lehtë me i mbyllë se nuk kanë pasë organizim, nuk ka pasë kush me folë për ta”, thotë Vranica.

Përkundër kësaj, përgjatë pandemisë, bizneset e gastronomisë vazhdimisht janë ankuar që qeveria është treguar e ashpër me masa ndaj tyre. Ankesa kryesore kishte të bënte me orarin e punës, që ka qenë vazhdimisht i shkurtuar, përfshirë në periudhën e fundit të masave të vendosura edhe gjatë vitit 2022, kur orari i gastronomisë ishte vetëm deri në orën 21:00.

Edhe Reçica është pjesë e kësaj shoqate. Për të dhe për bizneset që punojnë deri afër mesnatës, kjo masë ishte e vështirë për t’u përbirë.

Gastronomët shpesh edhe u vunë edhe vetë në qendër të kritikave. Për shembull, ndonëse ekzistonin rregulla për parandalimin e përhapjes së pandemisë si numri i kufizuar i konsumatorëve në lokal, mbajtja e maskave, dëshmia e testit negativ e më vonë edhe dëshmia e vaksinimit, pati edhe lokale që nuk i zbatonin këto rregulla.

Përkundër këtyre kritikave, masave të vëna dhe frikës për përhapje të valëve të ndryshme të pandemisë Covid-19, njerëzit vazhduan të mblidhen nëpër kafene, që mund të merret si tregues i lidhjes së fuqishme që njerëzit kanë me këto hapësira.

 

Një sektor që nuk mund të shpërfillet

 

Kafenetë, përpos që janë kontribues të ekonomisë së vendit si punëdhënës dhe tatimpagues, konsiderohen edhe si hapësira të rëndësishme diskutimi e mobilizimi social. Në fakt, ato ishin përkufizuar edhe si hapësirë e tretë ku njeriu graviton gjatë ditës.

Sociologu amerikan Ray Oldenburg, në qendër të teorisë së tij për “hapësirën e tretë” e vendos analizën që njeriu në dy hapësirat kryesore — shtëpi dhe punë — i nënshtrohet një vargu rregullash strikte ku prej njeriut pritet të luajë një rol të mirëpërcaktuar social, por asnjëra prej këtyre hapësirave nuk është e përshtatshme për zhvillimin e një komuniteti. Për këtë arsye, një hapësirë e tretë është e nevojshme.

Profesori i antropologjisë në Universitetin e Prishtinës, Arsim Canolli, në studimin shkencor “All they do is drink coffee: notes on café culture in Prishtina” (në shq. “Veç kafe pinë: shënime për kulturën e kafes në Prishtinë”), e përshkruan Prishtinën si “qytet i kafenesë [ku] kultura e kafeneve tashmë është plotësisht e integruar me ambientin urban të qytetit, ku diskutohet politika, morali, etika, identiteti dhe jeta në përgjithësi”.

Në Kosovë shpesh shfaqet mendimi që kafenetë janë kryesisht vende ku njerëzit kalojnë kohën kot dhe se hapësirat komerciale gjysmë-publike janë kryesisht të mbushura ngaqë të rinjtë nuk kanë tjetër çfarë të bëjnë. Sipas këtij argumenti, njerëzit i zgjedhin kafenetë edhe në mungesë të hapësirave të ndryshme alternative publike, problemeve me tregun e punës ku rreth 49% e grupmoshës 15-24 vjeçare është e papunë dhe ekonomisë së pazhvilluar që perceptohet edhe si manifestim i një gjendjeje të përgjithshme apatie sociale dhe intelektuale. 

Por, profesori i filozofisë në Universitetin e Prishtinës, Astrit Salihu, i kundërvihet këtij argumenti duke thënë që zhvillimi i hovshëm i gastronomisë është ndryshim rrënjësor në nivelin “mikrosocial”, i rëndësishëm për ekonominë dhe shoqërinë kosovare pas luftës.

“Është interesant që çështjen e gastronomisë e ka nxjerrë në pah vetëm periudha e pandemisë, sepse ato nuk janë vetëm biznese; kulinaria ka hapë horizonte, e ka edhe aspektin edukativ dhe kulturor”, thotë Salihu duke shtuar se rinia në Kosovë ka mjaftueshëm hapësira kulturore e edukative. Sipas tij, mendimi që njerëzit “s’kanë çka bëjnë e rrinë kafeve”, nuk qëndron.

Numrin e madh të kafeneve në Kosovë dhe faktin që ato frekuentohen shumë, ai ia atribuon ekonomisë së orientuar drejt shërbimeve si dhe popullatës së re të Kosovës. E përveç se janë vende ku të rinjtë e gjejnë ‘hapësirën e tretë’, aty gjejnë shpesh edhe vendin e tyre të parë të punës.

Gastronomia llogaritet të jetë një ndër sektorët më të rëndësishëm të ekonomisë së Kosovës duke qenë një nga punëdhënësit kryesorë. Të dhënat nga burime të ndryshme për vitin 2021 thonë që gastronomia numëron rreth 6,200 biznese, nga 8,000 sa ishin të regjistruara para pandemisë. Sipas të dhënave të dërguara në K2.0 nga Administrata Tatimore e Kosovës (ATK), sektori i gastronomisë kontribuoi në tatime me mbi 11 milionë euro në vitin 2019, shumë që u përgjysmua në vitin 2020, ndërsa në 2021 ishte 7 milionë.

Ndërkohë, sipas ASK-së, numri i punëtorëve të regjistruar në këtë sektor para pandemisë ka qenë rreth 14,000, kurse me regjistrimin e një numri të punëtorëve gjatë pandemisë për shkak të masave të ndihmës financiare nga qeveria, numri i punëtorëve të regjistruar u rrit për 1, 500, në 15,500.  

Por të dhënat e mangëta për shkak të shkallës së lartë të informalitetit bën që zyrtarisht të mos ketë një pasqyrë reale të të hyrave nga sektori i gastronomisë.

Sipas një raporti të publikuar nga Instituti për Ekonomi të Tregut të Lirë (ETL), që vepron në kuadër të OEK, pandemia u kishte shkaktuar dëm të madh punëtorëve të gastronomisë për shkak që bizneset ishin detyruar të mbyllen. Nga 192 biznese të anketuara, 67.8% e tyre kishin deklaruar se qarkullimi i tyre mujor gjatë mbylljes së plotë kishte pësuar rënie për 100% krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar. Për më shumë, rreth 53% e bizneseve të anketuara ishin detyruar t’i largojnë të gjithë punëtorët nga puna.

Ekspertët dhe njohësit e këtij sektori thonë që ka një numër arsyesh prapa peshës që bartin bizneset e gastronomisë në ekonominë e Kosovës, që përfshijnë mungesën e industrive të ndryshme dhe heterogjenitetit të veprimtarive ekonomike të prodhimit dhe të sektorëve të tjerë.

Profesori i ekonomisë, Ermal Lubishtani, thotë që gastronomia është një prej shtytësve të rritjes ekonomike, sidomos gjatë muajve të verës kur Kosovën kryesisht e viziton diaspora, ndërkohë që për bizneset tjera krijon efekt zinxhiror në qarkullim dhe ekonomi. 

Rëndësia e gastronomisë për ekonominë në kohën e pushimeve të diasporës u vu në pah sidomos kur masat kundër përhapjes së COVID-19 zbuteshin para se mijëra mërgimtarë ia mësynin Kosovës. Kështu ndodhi kur variantet e reja të virusit, Delta dhe Omicron, po përhapeshin në gjithë botën, por në Kosovë u liruan masat. Sipas të dhënave të fundit të Bankës Qëndrore të Kosovës, përveç remitencave, kontributi i diasporës në ekonominë e Kosovës gjatë pushimeve të verës në vitin 2021 vetëm në shpenzime direkte ishte 360 milionë euro

“Në kuptimin e qarkullimit është sektor shumë i madh, në kuptimin e punësimit po ashtu dhe roli më i madh është te efekti që krijon për industritë tjera”, thotë ai, pasi gastronomia llogaritet si hallkë kryesore edhe për biznese të tjera që bashkëveprojnë me kafenetë dhe restorantet, ku përfshihen furnizuesit e mallrave dhe ofruesit e shërbimeve të ndryshme.

Por, sektori i gastronomisë karakterizohet nga niveli i lartë i informalitetit — ku një numër i madh lokalesh nuk paguajnë tatime, nuk ofrojnë kontrata për punëtorë duke e shmangur edhe pagesën e kontributeve për ta, si dhe nga një nivel i ulët i kontrollit dhe rregullimit ligjor. 

Sipas Shoqatës së Gastronomëve, më shumë se 30% e punëtorëve që punojnë në bizneset e gastronomisë në Prishtinë janë studentë. Gjatë pandemisë, kur universitetet dhe institucionet tjera të arsimit të lartë në Prishtinë ishin mbyllur e mësimi vijohej online, gastronomët kanë pasur telashe në sigurimin e punëtorëve për shkak që studentët që nuk kanë pasur nevojë të ndjekin mësimet, kanë ndërprerë gjithashtu edhe marrëdhënien e punës për të qëndruar në shtëpitë e tyre, kryesisht në qytete të tjera të Kosovës. 

Sekretari i shoqatës, Vranica, thotë se këta studentë në përgjithësi nuk janë të interesuar për formalizim të punësimit, por prioritet i tyre është gjenerim i shpejtë i të ardhurave për të mbuluar shpenzimet e studimeve. Ndërkohë, studentët, të cilët kryesisht vijnë nga rajone të tjera të Kosovës për të studiuar në Prishtinë gjejnë vend në biznese të gastronomisë,në një proces ku mungon vetëdijësimi për rëndësinë e formalizimit të punësimit. 

“Studentët e shfrytëzojnë gastronominë si sektor të mirë nga ku i financojnë studimet dhe ata nuk kanë problem që janë të pa formalizuar në këtë fazë të jetës; ata e kanë më të rëndësishme që të ketë të hyra menjëherë dhe të financojë studimet se sa me mendu për moshën e pensionimit”, thotë ekonomisti Lubishtani.

Megjithatë, Lubishtani është kritik ndaj shkallës së lartë të informalitetit dhe mungesës së masave adekuate për të përmirësuar gjendjen. 

“Vlerësimet janë që vetëm 30% e punëtorëve në gastronomi janë të regjistruar”, thotë ai, duke shtuar se me masa konvencionale dhe kreative mund të zvogëlohet shkalla e informalitetit. Sipas tij, disa nga këto masa mund të përfshijnë gjobat e dënimet për shkeljet dhe incentiva financiare që targetojnë punëtorët dhe bizneset, apo edhe fushata vetëdijësuese që mund t’ua shpjegojë punëtorëve rëndësinë e formalizimit. 

Përfaqësimi i interesave të punëtorëve të sektorit privat në Kosovë nuk ka arritur asnjëherë nivelin e duhur; punëtorët vazhdojnë të kenë vështirësi në konsolidimin e zërit të përbashkët që do të adresonte në mënyrë të mirëfilltë problemet e tyre, ndërkohë që shoqata e gastronomëve nuk prioritizon mbrojtjen e interesave të punëtorëve.

Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, e sheh gastronominë si një prej sektorëve më problematik sa i përket respektimit të Ligjit të Punës, sidomos në raport me kontratat për punëtorët, së bashku me sektorin e ndërtimtarisë.

Ai thotë që pandemia ka ndikuar në vetëdijësimin e punëtorëve për t’i marrë më seriozisht kontratat e punës dhe obligimet që rrjedhin nga to, siç janë deklarimet dhe pagesat e kontributeve nga punëdhënësit dhe që masat e ndryshme lehtësuese të ndërmarra nga qeveritë gjatë kësaj kohe e kanë vënë këtë në pah.

“Ka raste kur punëtorët kanë punuar me vite në një vend dhe me vendimin [e qeverisë së kaluar] për tërheqjen e 10% të Trustit e kanë kuptu që nuk janë pagu sa duhet në kontribute nga bizneset punëdhënëse”, thotë Azemi. Megjithatë, formalizimi vazhdon të mbetet i ulët.

Inspektorati i Punës, që është i ngarkuar të kontrollojë zbatimin e rreth 10 ligjeve që lidhen me sigurinë e punëtorëve gjatë procesit të punës, aktualisht i ka vetëm 35 inspektorë që punojnë në terren –– përgjegjës për inspektimin e 75,000 subjekteve private dhe publike në tërë vendin. Nëse të gjithë inspektorët do të mund të realizonin vizita kontrolluese në vetëm një subjekt në ditë secili, do t’u duheshin më shumë se pesë vite për të inspektuar të gjitha bizneset dhe subjektet tjera publike. Për të pasur mbikëqyrje të plotë, Inspektoratit të Punës i duhet që së paku të dyfishojë numrin e inspektorëve.

Ushtruesi i detyrës së kryeinspektorit, Agim Millaku thotë që mungesa e një sindikate efektive e punëtorëve të sektorit privat e ka vështirësuar shumë punën e Inspektoratit të Punës. Sipas tij, për shkak të mosnjohurisë, frikës së humbjes së vendit të punës dhe disa pse thjesht nuk duan, punëtorët nuk arrijnë të kenë komunikim të mirë me inspektoratin për të lajmëruar shkeljet e të drejtave nga punëdhënësit.

“Për këtë ne kemi interes sepse do të ishte mirë që të kishim një pikë fokusimi. Tash kemi fillu një bashkëpunim më të afërt me sindikatën e sektorit privat, por ka shumë vend për t’u përmirësu dhe për të pasë organizim më të mirëfilltë”, thotë ai duke shtuar se sindikata e sektorit privat do të duhej të ishte pikë kontakti për shkeljet potenciale të të drejtave të punëtorëve para se ato të arrijnë në Inspektorat. Në këtë mënyrë, sipas tij, puna e inspektoratit do të bëhej më efektive dhe sindikata do t’i mbronte vazhdimisht të drejtat e tyre. 

 

Më shumë se sa thjesht kafene

 

Por, ku i ka rrënjët kultura e kafeneve e e gastronomisë së Prishtinës?

Antropologu Arsim Canolli shkruan që para se të fillonte procesi i ndarjes së Jugosllavisë, gjatë viteve të ‘80-a, Prishtina ishte qendër kulturore e të gjithë shqiptarëve të ish-Jugosllavisë dhe si e tillë, ishte qytet i gjallë me korzo (promenada tradicionale ku ata që dilnin shëtitnin poshtë e lart në një ecje deri diku të strukturuar), vende të posaçme të shfaqjeve të baletit, kinemasë, muzikës e vallëzimit. Qendra e qytetit ishte e mbushur me hapësira që referoheshin si kafiqa, emërtim që kishte ardhur nga fjala serbo-kroate për lokalet që kryesisht shërbenin vetëm kafe dhe alkool.

Në fund të asaj dekade, me ndryshimin e situatës politike pas suprimimit të autonomisë së Kosovës më 1989 nga regjimi i Slobodan Milosević, Prishtina u bë hapësirë e rezistencës paqësore ndaj regjimit okupues, periudhë që u karakterizua me vendosje të sistemeve të ndryshme paralele të jetës institucionale nga shqiptarët, ndërkohë që shumë prej tyre, sidomos të rinjtë, largoheshin nga Kosova.

Në tërë këtë situatë, kafenetë u shndërruan në ishuj të pazëvendësueshëm të jetës socio-kulturore dhe politike të kryeqytetit.

E gjendur në mesin e shumë lokaleve te Pallati i Rinisë, tash si një diamant i fshehur, por dikur ikonë e rezistencës civile qëndron ëmbëltorja “Elida”. E hapur në vitin 1978, brenda hapësirave të Pallatit të Rinisë, e cila njihej si “Boro e Ramizi”, “Elida” ka shërbyer si hapësirë alternative dhe vendtakim i elitës së atëhershme që përbënte opozitarizmin ndaj regjimit serb. 

E njohur prej shumë njerëzve si “qendër informative e koordinuese”, kjo ëmbëltore shërbeu si vend ku takoheshin politikanë, shkrimtarë e artistë dhe ku merreshin vendime për demonstrata e reagime; aty u formuan edhe parti politikë e u nisën gazeta si “Koha”. Në “Elidë” mori fillet edhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), presidenti i së cilës, Ibrahim Rugova, shkonte çdo ditë aty bashkë me figura tjera të njohura. Ndonëse ndër vite ka pasur renovime, kjo ëmbëltore ruan dukjen e njëjtë që nga viti 1978 dhe nga viti 2017 është edhe pjesë e listës së vendeve të trashëgimisë kulturore në mbrojtje të përkohshme.

“Ka qenë një organizim i natyrshëm pas bllokimit të institucioneve ku shqiptarët nuk kanë pasur qasje dhe u është dashur të krijojnë hapësirën alternative të ekzistencës ku ata kanë mund të plotësojnë nevojat shpirtërore e kulturore”, thotë Salihu. “Kafiteritë kanë qenë njëfarë hapësire alternative dhe si të tilla janë shfrytëzu, si për shembull “Hani i 2 Robertëve”, që në vitet e ‘90-ta e ka kry funksionin e një institucioni kulturor. Nuk ka qenë vetëm restorant, por institucion kulturor në vete”.

Përgjatë dekadave të ekzistimit, “Hani i 2 Robertëve” e ka gjetur veten në lokacione të ndryshme të Prishtinës, kryesisht në bodrume, afër tuneleve e skutave, siç thotë vetë pronari Fadil Dragaj, që bashkë me bashkëshorten e tij, Meritën, kanë ndërtuar njërin prej lokaleve që është betonuar në kujtesën kolektive të gjeneratave të ndryshme të banorëve të Prishtinës.

Por, historia e “Hani të 2 Robertëve” fillon më vonë, kur Fadili doli me lokal “te Kurrizi”, e më pas “te Santeja”, krahë të ndryshëm të së njëjtës lagje, “Dardania”. Lokalet “te Kurrizi” dhe “te Santeja” që përbënin strukturën e vetë lagjes “Dardania” ishin bërë një lloj hapësire e shqiptarëve, të cilëve u ndaloheshin vendet e tjera. Aty shqiptarët merrnin pjesë në koncerte e ndeja dhe kultivonin jetën e tyre të mbrëmjes.

Atë kohë, Hani u bë shpejt qendër e aktiviteteve kulturore të kryeqytetit, duke tentuar aktivisht të zëvendësonte institucionet që për shqiptarët ishin të ndaluara. Në kuptimin e karakterit që merrte hapësira e lokalit nëpër kohë, Hani ishte hapësirë kulturore e politike, qendra kryesore e gazetarëve ndërkombëtarë para shpërthimit të luftës dhe gjatë saj dhe më pas qendër diplomatike për politikanët ndërkombëtarë që donin ta njihnin Prishtinën underground e zhvillonin takime pas përfundimit të luftës.

Por sot, Hani është veç një prej lokaleve të shumta që i kanë zënë rrugët e Prishtinës. I frekuentuar kryesisht nga klientë besnikë, Hani ruan historinë e tij në një lokal afër kafeve “te Santeja”.

E përgjatë dy dekadave të fundit, marrëdhënia ndërmjet kafeneve dhe politikës ka marrë trajtë tjetër. Kjo u vu në pah sidomos në zgjedhjet lokale të vitit 2021, ku në listën e kandidatëve të secilës parti të madhe, ishte së paku edhe një pronar i kafeneve. Përtej listave zgjedhore, ekziston një identifikim i pashkruar i kafeneve me parti të ndryshme qoftë për shkak të klienteles, qoftë për shkak të pronësisë.

E gjendur në një rrugicë afër ndërtesës kryesore të Qeverisë së Kosovës, në qendër të Prishtinës, “Dit’ e Nat’”, tash e shumë vite ka qenë hapësirë e rëndësishme e diskutimeve dhe jetës së rinisë. 

Hapja e “Dit’ e Nat’” në vitin 2009 përkoi me kohën kur LVV ishte në pikë të lartë të rritjes së aktivitetit të saj politik. Bashkëpronari, Genc Salihu, një prej artistëve kryesorë urbanë prishtinas, kujton që në katër-pesë vitet e para të jetës, lokali ishte bërë çerdhe e aktivistëve të VV-së, të cilët mbanin aty diskutime mbi filozofinë politike dhe shfaqnin filma. Genci dhe Kaltrina Krasniqi, partnerja e tij me të cilën menaxhojnë bashkë lokalin, kishin vendosur të ndërprejnë shfaqjen e filmave për t’iu shmangur profilizimit të tepërt, si dhe, siç thotë Genci, “për ta diversifiku [lokalin] ideologjikisht”.

Vite më vonë, në 2010, në skenën politike kishte dalë Fryma e Re (FER), një parti tjetër e vogël që futi në skenë emra që më vonë do të bëheshin të rëndësishëm për politikën kosovare, duke përfshirë Shpend Ahmetin, ish-kryetar i Prishtinës për dy mandate dhe anëtar i profilit të lartë në LVV për disa vite. Genci thotë që edhe FER kishte vënë hapat e parë në “Dit’ e Nat’”.

Ndërkohë, me ardhjen e përdorimit masiv të teknologjisë dhe rrjeteve sociale, ai mendon që kafenetë filluan ta humbnin aftësinë e tyre të mbledhjes së njerëzve dhe zhvillimit të diskutimeve, një lloj fundi i periudhës kur alternativat politike formoheshin nëpër kafene.

“Rrjetet sociale ua kanë marrë kafeneve vetëm disa elemente, por ua kanë marrë elementet kyçe, si për shembull elementin e mobilizimit, e ke komplet në social media, aty është shumë më efikase”, thotë ai.

Në këtë kontekst, Genci mendon që karakteri i kafeneve të viteve të ‘90-ta ka ngjashmëri me vitet e pasluftës deri në zhvillimin e hovshëm të internetit, gjë që sipas tij, ka sjellë lëvizje nga ajo gjendje dhe tash, kafenetë përdoren më shumë si një ritual ditor.

“Në të ‘90-at të vetmin sektor ku kemi pase pronësi ka qenë gastronomia, asgjë tjetër s’ke pasë tanden”, thotë Genci. “Prapë, edhe pas luftës, janë [ishin] kafenetë ku bëhen zhvillimet ma progresive — pak ndryshonte prej atëherë. Tash kemi lëvizë nga ajo gjendje”.

Ndonëse kafenetë kujtohen si vende si vende ku ma marrë dhenë përparimi, në disa aspekte, ato mbesin ende mbrapa. 

 

Ende botë e burrave

 

Rruga “Fehmi Agani” që njihet si rruga e “Kafeve të vogla” sot është e mbushur me kafene dhe restaurante në të dy anët. Por, këtë emërtim kësaj rrugë ia dha kafeneja e parë që u pozicionua aty, “Kafja e vogël”, që tërhoqi gjithnjë e më shumë kafene rreth vetes. Menjëherë mbrapa “Kafes së Vogël”, shtatë vite më parë u hap “Tartine Deli”, një lokal që solli risi në kulinarinë e Kosovës dhe vazhdimisht punësoi vetëm gra.

Adelina Sokoli dhe Gresa Bakalli, kur e kishin hapur një prej gjërave që donin ta arrinin ishte thyerja e barrierave gjinore për gratë në gastronomi. Ashtu siç ndodh me të gjitha fushat tjera, sektori i gastronomisë në Kosovë është pjesë e dominuar nga burrat. Qasja e grave në vendet e punës si dhe në pronësinë e bizneseve të gastronomisë në Kosovë vazhdon të jetë e papërfillshme.

Paragjykimet për gratë që udhëheqin biznesin, thonë Sokoli dhe Bakalli, kanë qenë sfidë e menjëhershme dhe që s’kanë pushuar asnjëherë. 

“Në fillim na është thënë që i keni burrat mbrapa e mjeshtrit që i kemi thirrë për çkado nuk na kanë ardhë si duhet ose kanë tentu me na mashtru për çmim, ose na kanë pytë ‘ku i keni burrat’?”, thotë Adelina.

Pozicionin e gruas në raport me të gatuarit dhe të shërbyerit në hapësira të ndryshme, profesorja e sociologjisë në Universitetin e Prishtinës, Linda Gusia, e trajton si një ndarje që ndërlidhet me sistemin patriarkal ku ushqimi nëpër shtëpi –– hapësira private –– është gjithmonë i gatuar nga gratë, kurse përgatitjen nëpër restorante dhe hapësira jashtë shtëpisë –– hapësira publike ––  e bëjnë kryesisht burrat. Gratë brenda mureve të shtëpisë e burrat ende dominues në hapësirën publike.  

Ndarja e pabarabartë e hapësirës publike mes gjinive, siç e përshkruan Gusia, reflekton edhe në pronësinë e bizneseve të gastronomisë, ku pjesa dërrmuese janë burra dhe thyerja gjinore me inkuadrimin e grave në pronësi është bërë vetëm tash së voni, por me ndikim ende shumë të kufizuar. Të dhënat e fundit nga ASK tregojnë se nga rreth 3,000 biznese të hapura gjatë tre muajve të parë të vitit 2022, vetëm 22% kishin pronare gra. Ndërkohë, të dhënat e vitit 2019, treguan se gratë kishin vetëm 11% të pronësisë të të gjitha bizneseve aktive atë kohë. 

Kjo gjendje mbizotëron edhe në Prishtinë, ku kamarierët vazhdojnë të jenë në masë të madhe burra, kurse gratë shihen më pak duke shërbyer apo duke udhëhequr biznes të tillë, relacion ky simptomatik i marrëdhënieve të pushtetit ekonomik dhe autoritetit të burrave në shoqëri.

“Deri para pak vitesh ka qenë gati e pakonceptueshme që gratë të shërbejnë nëpër restorante — gratë në shtëpi me shërby, po gjithë ditën, por në restorant është konsideru si profesion jo i denjë. Kush e kontrollon publiken në përgjithësi, e kontrollon edhe gastronominë”, thotë Gusia.

Tradicionalisht, gratë në Kosovë kanë qenë brenda “mureve të gjata”, siç thotë Gusia, që kanë përcaktuar sferën private të veprimit për to. Me familjet e mëdha tradicionale ku “vatra ka qenë vetë shtëpia”, ideja e gatimit është parë si qendrore rreth shtëpisë dhe familjes.

“Gatimi ka qenë historikisht i rëndësishëm në aspektin njerëzor dhe të zhvillimit të shoqërive njerëzore dhe gratë kanë qenë ato që kanë gatu dhe janë marrë me gatim dhe përgatitje, që kanë mbledhë e kultivu nëpër kopshte”, thotë Gusia. “Gatimi eshte marrë si diçka e mirëqenë, e padukshme, e papaguar dhe e panjohur”.

Në një rrugicë të njohur në qendër të Prishtinës, rrin stoikisht lokali “Te Martini”. Që prej paraluftës, ky lokal mblidhte kryesisht burra. Por në dekadën e fundit sidomos, në këtë rrugë filluan të hapeshin lokale të reja që sot qëndrojnë të ngjitura njëra me tjetrën dhe e tërë rruga u shndërrua në atë që njihet si “Kafet e rakisë”. Hapja e këtyre lokaleve e ka ndërruar demografinë në këtë rrugë, qoftë në aspektin e klientëve, qoftë atë të pronarëve. Sot, kjo rrugë është ndër të vetmet ku mund të gjesh pleq e të rinj në një vend.

E një nga lokalet e hapura në po këtë rrugë është nga një grua e re është “Pijetore”, i vetmi që menaxhohet nga një grua. “Pijetore”, ku bashkëpronare është Lindita Azemi, është bërë një prej hapësirave që personifikojnë shpirtin e “Kafeve të rakisë”, rrugicës që rebelohet ngjitur sheshit mendjemadh të Prishtinës.

“Pijetore”, ashtu si “Tartine”, nuk është në Shoqatën e Gastronomëve dhe Lindita di fare pak për ta. 

Në njërin prej takimeve në korrik 2020 kur shoqata po mbante takime gjithandej Prishtinës me pronarë lokalesh që mund potencialisht të anëtarësoheshin, morën pjesë edhe Gresa dhe Adelina nga “Tartine”. 

“Kemi ngritë mundësinë që rrugica jonë të mbahet më mirë me ndriçim, por interesimi i tyre [shoqatës] ka qenë kah rruga. Jemi mbrapa dhe nuk kanë kujdes për pjesën prapa lokaleve të tyre”, thotë Adelina. 

Kërkesa e tyre u shpërfill nga shoqata dhe për to, interesat e tyre me ato të shoqatës dallojnë. Andaj dhe Gresa dhe Adelina nuk morën pjesë më në ndonjë takim e as nuk u anëtarësuan. 

Një betejë e re

 

Pandemia Covid-19 ishte ndër më të vështirat për këtë sektor, por, vështirësitë po vazhdojnë edhe sot me krizën e rritjes së çmimeve si pasojë e çrregullimit të tregut global të furnizimit për shkak të pandemisë dhe së fundmi luftës në Ukrainë. Në prill të vitit 2021 çmimet filluan të rriteshin dhe inflacioni preku shkallën prej 11% në prill të këtij viti. Ndërkohë, pagat në sektorin publik dhe atë privat kanë mbetur të njëjta si para krizës së inflacionit. Kjo do të thotë se klientët kanë më pak para për t’i shpenzuar në kafene, ndërkohë pronarët e bizneseve më pak para për t’i mbajtur në funksion bizneset e tyre.

Këto kriza të njëpasnjëshme e bënë Gencin e “Dit’ e Nat’ të mendojë që biznesi i tij nuk do të mund të mbijetojë edhe pse këto dy kriza kanë pasur dallime në mënyrën se si i kanë detyruar njerëzit që të veprojnë duke ua kushtëzuar zgjedhjet e tyre.

“Tash është kohë e pasigurtë dhe në kohë të pasigurta njerëzit sillen ndryshe, gjë që po e sfidon gastronominë në Kosovë. Ndryshimet e dinamikës shoqërore nuk janë vërejtë në pandemi sepse gjendja vetëm është zëvendësu me një model të përkohshëm. E tash po vërehet ndikimi”, thotë ai.

Masat për luftimin e virusit sollën një realitet të ri në të cilin kafenetë nuk kishin si të përshtateshin jashtë masave të qeverisë, kurse kriza e çmimeve i ka vendosur kafenetë e edhe konsumatorët në pozicion të vështirë.

“Ma vështirë është me punu qetash se në mes të pandemisë. Njerëzit janë zbrazë financiarisht, janë pa pare dhe ne këtë e vërejmë absolutisht; zgjedhjet që ata i bëjnë janë më të limitume, shumë ma ekonomike janë blerjet që i bëjnë”, thotë ai.

Pas dy viteve të humbura me pandeminë, “MIQT Pub” vetëm në javët e fundit i kanë marrë këmbët për së mbari, ndërsa Petlla vëren edhe ndryshime në mënyrën se si njerëzit i qasen lokaleve, për dallim prej jetës “pa virus.”

“Njerëzit prej pandemisë janë mësu mos me dalë”, thotë ai. “Është rritë numri i njerëzve që po dalin menjëherë pas punës, qysh na mësoi pandemia kur u mshelshim ma herët. Tash është një pjesë e njerëzve që s’po dalin hiç ma”.

Edhe sipas Lubishtanit, sfida kryesore do të jetë me çmimet gjithnjë në rritje që mund të shkaktojnë ulje të frekuentimit të lokaleve të gastronomisë.

“Besoj që çmimet e ulëta të produkteve bazike, si kafeja, kanë ndiku që lokalet me qenë plot me njerëz dhe me u kriju qarkullim. Tash kanë fillu me u rritë çmimet dhe observimi im është që do të jetë më e vështirë me e mirëmbajtë shprehinë e të dalit për kafe si më përpara”, thotë ai.

Kriza gjatë pandemisë dhe inflacioni i lartë i ka bërë bizneset të mendojnë dy herë nëse ia vlen puna dhe investimet, kurse konsumatorëve ua ka ngushtuar tej mase hapësirën e veprimit.

Pavarësisht krizave të njëpasnjëshme, ky sektor vazhdon të jetë element identifikues i Prishtinës. Për historinë, oaza të organizimit shoqëror; për studentët, shpesh puna e parë e tyre; për pronarët burim financiar apo mundësi për t’i sjellë diçka të re qytetit; për buxhetin shtetëror, sektor i rëndësishëm i të hyrave; për inspektorët, sfidë e mungesës së formalizimit; për gratë një vend ku ende po mundohen t’i thyejnë barrierat gjinore.

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian

Pse kjo klauzolë?