Në thelb | Inflacioni

Edhe një vit i shtrenjtë

Nga - 27.01.2022

Shumë shkaqe prapa inflacionit e pak mundësi për ndërhyrje.

Genita Ukaj, 26-vjeçare, pagën e saj mujore nga puna si gazetare e ndan për shpenzime të transportit, ushqimit dhe qirasë. Çdo dy javë, kur është në ndërrimin e dytë në punë që përfundon në mesnatë, asaj i duhet të marrë taksi për në banesë, ku jeton me qira me dy shoqe të saj. Kështu, çdo muaj, asaj i duhet të paguajë 70-80 euro për taksi. 

Ndërkaq, për të shkuar te familja e saj në Pejë fundjavave e për t’u kthyer në Prishtinë, paguante 6 euro për biletë autobusi. Gjatë ditës i shpenzon diku 5 euro, pa përfshirë ushqimin, të cilin provon ta gatuajë vetë.

Përkundër këtyre shpenzimeve, për 7 vjet, Ukaj ka arritur disi t’i ndajë edhe nga 40-50 euro në muaj për kursime. Por, rritja e çmimeve të produkteve dhe shërbimeve kohëve të fundit e detyruan të heqë dorë nga plani i kursimeve. 

Nga 3 euro sa ishte bileta një-drejtimëshe për në Pejë, tash i duhet të paguajë 4 euro, pra 8 euro për vajtje-ardhje. Nga 50 centë sa ishin taksitë ilegalë në Prishtinë, tash janë bërë 70 centë.

Përpos që e ka shtyrë ta anulojë planin e kursimeve, kjo situatë e ka detyruar ta riorganizojë buxhetin. Ndonëse nuk ka matje të përditësuara, paga mesatare e një gazetari në Kosovë lëvizë prej 200 deri në 400 euro. 

“Ndoshta kështu me i këqyrë individualisht nuk duken shumë, buka 10 cent më shtrenjtë, taksi 20 cent, por kur i shikon si tërësi, e vëren që ka ndiku në gjendjen e portofolit”, thotë Ukaj. “Nëse më herët me 2-3 euro kemi mund me ble diçka, tash nën 5 euro nuk mundem m’i ble senet që i ha unë”, thotë ajo duke shtuar se të njëjtin riorganizim të buxhetit është dashur ta bëjë edhe shoqëria e saj.

Si Ukaj, shumë qytetarëve, në krahasim me vitin 2020, u duhet të paguajnë më shumë për të njëjtat produkte. E kjo po vjen si rezultat i inflacionit global, që e ka prekur edhe Kosovën.

Publikimi i Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) i shkallës së inflacionit në Kosovë përgjatë muajve korrik, gusht, shtator të vitit 2021 e risolli në qendër të vëmendjes inflacionin global, që erdhi pas dy viteve pandemi, anipse rritja e çmimeve sipër inflacionit normal kishte filluar që nga qershori 2021.

Rritja e çmimeve në tregun global ka ndikim të drejtpërdrejtë në Kosovë për shkak të varësisë së lartë të tregut të Kosovës nga importi i mallrave prej vendeve tjera. 

Për ta kuptuar më mirë ndikimin e inflacionit global në inflacionin vendor, në videon e mëposhtme K2.0 shpjegon se si rruga e gjatë në mes të tokës ku prodhohet një ushqim apo produkt tjetër dhe rafteve të dyqaneve ndikon në çmimin përfundimtar. 

Inflacioni global erdhi me rritjen e importit gjatë vitit 2021. Në nëntor 2021 në Kosovë ishin importuar 38.9% më shumë mallra se në nëntorin e vitit kaluar, gjë që përputhet me rritjen e kërkesës globale për produkte pas fillimit të lirimit të masave kundër COVID-19. 

Importi dhe inflacioni rajonal

Në Kosovë, vlera e eksporteve mbulon vetëm 16.4% të vlerës së importeve. Nga vendet e BE-së, Kosova importon 44% të importit të përgjithshëm; 19.7% nga vendet e CEFTA-s dhe 36.6% nga vendet e tjera të botës.

Vetëm në Eurozonë, shkalla e inflacionit ka shkuar në 5% gjatë muajit dhjetor 2021, duke shënuar rritjen më të lartë që prej vitit 1991. Ndërkaq në rajon, shkalla e inflacionit për muajin dhjetor 2021 ka shkuar në 4.9% për Maqedoninë e Veriut, 7.9% për Serbinë dhe 3.7% për Shqipërinë. Ndërsa për BeH dhe Malin e Zi, ka të dhëna vetëm për muajin nëntor 2021 ku shkalla e inflacionit ishte 5.5% përkatësisht 4.4%.

Përveç rritjes së çmimeve të produkteve ushqimore, qytetarëve të Kosovës, shumë shpejt mund t’u zvogëlohet fuqia blerëse edhe për shkak të krizës energjetike në Kosovë që rezultoi në rishikimin e tarifave të energjisë elektrike. Tarifat e reja të energjisë mund të bëjnë që qytetarët shumë shpejt të paguajnë deri në 40% më shumë vetëm për energji elektrike.

Me të gjitha këto zhvillime që dobësojnë fuqinë blerëse të qytetarëve, duket se një vit i shtrenjtë është përpara. 

Por, çka është inflacioni? 

Çdo produkt në treg e ka një çmim që shprehet në formë të parasë. Çmimi i një produkti mund të ndryshojnë ndërkohë kurdo që ndryshon kërkesa (aq sa kërkohet nga konsumatorët), dhe oferta (aq sa ofrohet nga prodhuesit). Për shembull, nëse korret me sukses një fushë, rritet oferta e grurit në treg dhe e tejkalon kërkesën, çmimi mund të ulet. Por, nëse korrja është e pasuksesshme, oferta e grurit është e ulët, kërkesa mbetet e njëjtë ose rritet, rrjedhimisht çmimet rriten. Në mes të këtyre dy skenarëve, edhe nëse gruri është korrur mjaftueshëm, por ndërkohë janë rritur shpenzimet e prodhimit dhe transportit, çmimi për këtë produk rritet. 

Inflacioni është rritje e çmimit të përgjithshëm të mallrave dhe shërbimeve që blihen zakonisht prej konsumatorëve — e njohur si shporta e konsumatorëve. Në Kosovë, kjo llogaritet si ndryshimi në Indeksin e Harmonizuar të Çmimeve (IHÇ) dhe matet nga ASK në baza mujore duke e krahasuar me muajin përkatës të vitit paraprak. 

Pak si shumë teorike? Ta zbërthejmë në terma të thjeshtë. Ta zëmë se paga juaj mujore është 100 euro dhe ju shpenzoni 50 euro për produkte ushqimore, kurse 50 euro që ju mbesin i shpenzoni për nevoja të tjera. Nëse secili produkt kushton nga 1 euro, ju mund të blini 50 produkte. Por, nëse inflacioni bën që secili produkt që e bleni të rritet për 20 centë, atëherë ju mund të blini vetëm 41 produkte. 

Rrjedhimisht, inflacioni e dobëson fuqinë tuaj blerëse — ju keni më pak para.

Por, inflacioni nuk është i pazakonshëm. Çmimet kanë tendencë të rriten. Shkalla deri në 2% e inflacionit vjetor konsiderohet normale dhe në fakt e dobishme për ekonominë. Inflacioni i mban bizneset fitimprurëse dhe i bën konsumatorët të shpenzojnë dhe të mos presin se çmimet do të lirohen. Qëllimi është të mbahet stabilitet i çmimeve, ku nuk ka as inflacion të lartë as shumë të ulët. Kjo pasiqë të dyjat mund sinjalizojnë krizë. 

Inflacioni i lartë — hiperinflacioni— ka shkaktuar trazira të shumta nëpër botë ndër vite. Për shembull, gjatë viteve 1992–1994, Republika Federative e Jugosllavisë përjetoi shkallën e dytë më të lartë të inflacionit në histori, duke arritur shkallën mujore prej 313 milionë %. Konsumatorëve iu desh t’i përdornin kursimet, nuk e përballonin blerjen e ushqimeve dhe mbijetuan ose duke pritur në rende të gjata të dyqaneve shtetërore për racione të ushqimit të cilësisë të dobët ose duke u mbështetur te të afërmit. 

Por, rënia e shpejtë e çmimeve dhe inflacioni ‘negativ’ nuk është më i mirë. Deflacioni e dëmton ekonominë pasi kur konsumatorët presin që çmimet të bien, i shtyejnë blerjet për të përfituar nga çmimet edhe më të ulta. Kur të gjithë bëjnë të njëjtën gjë, bizneset nuk janë në gjendje të shesin dhe mund t’i largojnë nga puna punëtorët e tyre. Kur konsumatorët humbin vendet e punës, shpenzojnë edhe më pak. 

Të kthehemi te shembulli i mësipërm i pagës suaj prej 100 eurosh. Në rast të hiperinflacionit, ku çmimi i një produkti 1 eurosh rritet për 1000%, ju duhet ta përdorni të gjithë pagën tuaj të bleni vetëm 1 produkt, i cili pas hiperinflacionit do të kushtonte 100 euro. Ndërkaq, në rast të deinflacionit, nëse çmimi i të gjitha produkteve ulet nga 1 euro në 20 cent, me 100 euro ju mund të bleni 500 produkte.

Andaj, çmimet stabile janë më të mirat për ekonominë. 

Inflacioni që e përjetoi Kosova në dhjetor 2021 është rritja e dytë më e lartë që kur Kosova e ka shpallur pavarësinë. Në vitin 2011 — si pasojë e krizës globale financiare të vitit 2008 — inflacioni gjatë muajve të verës arriti shkallën prej 10%, që është 8% më shumë se shkalla normale. 

Me pagat e ulëta si në sektorin publik, ashtu edhe në atë privat, inflacioni në Kosovë ndihet më ashpër. Gjatë vitit 2020, paga mesatare neto në Kosovë prej 416 eurosh u ul për 14 euro në krahasim me vitin paraprak. Ky regres në paga shpjegohet me ngadalësimin ekonomik gjatë vitit 2020 për shkak të pandemisë COVID-19. 

Në një analizë mbi inflacionin dhe masat e mundshme për zbutjen e tij, të publikuar së fundmi nga Instituti GAP, rezulton se gjatë viteve 2012-2020 niveli i pagave mesatare neto në të gjithë sektorët ishte më i lartë se ai i çmimeve. Sipas kësaj, analiza konkludon se fuqia blerëse e konsumatorëve përgjatë viteve është rritur. Megjithatë, kjo analizë nuk përfshin edhe të dhënat e vitit 2021 e të cilat mund të shfaqin rezultate më ndryshe për shkak të ndryshimeve që ndodhën. 

Ndërkohë, mungesa e të dhënave të freskëta dhe të hollësishme mbi standardin e jetesës së qytetarëve në Kosovë e bën të vështirë matjen e ndikimit real të inflacionit tek ta. Të dhënat e fundit datojnë në vitin 2017 dhe që atëherë kanë ndodhur ndryshime të rëndësishme. Mbyllja e tërësishme të vendit si reagim ndaj pandemisë COVID-19 ndikoi që ekonomia të shënojë rënie, shumë vende pune të mbyllen dhe të rritet numri i familjeve me asistencë sociale. 

Standardi i jetesës

Në tre-mujorin e parafundit të vitit 2021, afër 26 mijë familje — që përbëjnë mbi 100 mijë anëtarë — morën asistencë sociale në baza mujore. Ata me 1 anëtar morën prej 60 euro, ndërsa ata me 15 anëtarë deri në 180 euro. Ky numër përbën rreth 1 mijë familje më shume në krahasim me të njëjtën periudhë gjatë viteve 2019 dhe 2020.

Në vitin 2017 rreth 23% e qytetarëve në Kosovë jetonin në varfëri, me 2 euro në ditë për kokë banori, përderisa rreth 5% e tyre jetonin në varfëri të skajshme me vetëm 1.5 euro në ditë për kokë banori.

Anketa e fundit e realizuar me ekonomitë familjare në vitin 2017 sugjeron se konsumatorët në Kosovë llogaritet të shpenzojnë pjesën më të madhe të buxhetit në ushqim (40%) dhe banim (29%). Produktet më të konsumuara janë mishi, qumështi, djathi, vezët, buka dhe drithërat, që kontribuojnë në më shumë se gjysmën e konsumit të ushqimit (në vlerë).

Të gjitha këto produkte janë shtrenjtuar. 

Kush mund të ndërhyjë? 

Konsumatorët i kanë kërkuar qeverisë të ndërhyjë për t’u ndihmuar ta përballojnë rritjen e çmimeve. Deri në njëfarë mase është krijuar edhe një lloj pritjeje që qeveria të ndërhyjë drejtpërdrejtë në çmime. Ndonëse në fund të tetorit 2021 Qeveria e Kosovës kishte paralajmëruar një pako masash, deri më sot janë ndarë vetëm disa mjete financiare shtesë për përfituesit e skemës sociale dhe pensionistët.

Megjithatë, duke qenë se Kosova karakterizohet nga ekonomia e tregut të lirë dhe çmimet përcaktohen në bazë të tregut, hapësira për të manovruar është e vogël. 

Në diskutimet nëpër media dhe rrjete sociale, janë dhënë propozime të ndryshme, siç janë përdorimi i politikës fiskale — ulja e TVSH-së për produktet bazë — rritja e pagave, aplikimi i politikës monetare, dhënia e kuponëve ushqimorë, ngrirja e çmimeve, e tjera. 

Sa i përket uljes së TVSH-së, sipas Florin Aliut, profesor i ekonomisë në kolegjin UBT, lloji i tregut të Kosovës bën që TVSH-ja të mos ndikojë domosdoshmërisht në uljen e çmimeve.

“Ulja e TVSH-së për produktet bazë është gabim i madh”, tha Aliu për K2.0. “Në vitin 2016 qeveria e Kosovës uli TVSH-në nga 16% në 8% për produktet bazë, por çmimet nuk u ulën, por u rritën. Pra në atë kohë, zvogëlimi për 50% i TVSH-së (nga 16% në 8%) nuk shkoi te konsumatorët, por te marketet ushqimore”. 

Ai shtoi se nëse qeveria do t’u bëjë presion marketeve ushqimore për uljen e çmimeve të produkteve kur TVSH-ja të shkojë në zero, do të krijojë më shumë probleme sesa përfitime.

Ndërkaq, rritja e pagave nuk është konsideruar si lëvizje e mirë nga Berat Rukiqi, kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës — organizatë profesionale që promovon interesat e bizneseve vendore dhe ndërkombëtare.

Në një diskutim me Institutin për Politika Zhvillimore , Rukiqi kishte thënë se vënia e më shumë parave në sistem e rritë edhe më tej konsumin, gjë që nuk ndikon negativisht në inflacion. Bile, një nga mënyrat që përdoret për ta stabilizuar rritjen e çmimeve është motivimi i konsumatorëve për të kursyer. Këtu do të hynte roli i Bankës Qendrore të Kosovës (BQK).

BQK është institucion publik i pavarur kushtetues dhe një ndër objektivat shtesë të saj është edhe arritja dhe ruajtja e stabilitetit të çmimeve vendore. Politika përmes së cilës mund të intervenojnë Bankat Qëndrore njihet si politikë monetare, ku përfshihet edhe kontrollimi i normës së interesit. Përmes kësaj të fundit, Bankat Qendrore duke rritur normën e interesit mund t’i konsumatorët të kursejnë, pasi kthimi prej kursimit është më i madh. Duke pasur më pak para, konsumatorët shpenzojnë më pak, ekonomia ngadalësohet dhe inflacioni ulet. 

Bankat Qendrore sfidojnë inflacionin

Për të ndikuar në zbutjen e inflacionit, Bankat Qendrore nëpër botë po e përdorin politikën e tyre monetare, pra rritjen e normave të interesit për t’i motivuar konsumatorët të kursejnë. Banka Qendrore Evropiane, pavarësisht presioneve, po i mban normat e interesit shumë të ulëta, ndonëse ka vendosur që të tërheqë disa prej stimujve për vitin 2022.

Në dhjetor 2021, Banka e Anglisë u bë banka e parë qendrore që rriti normat e interesit që prej se ka nisur pandemia, ndërkohë Rezervat Federale të Shteteve të Bashkuara po i shtrëngojnë kreditë dhe do t’i rrisin normat e interesit nga marsi i këtij viti meqë inflacioni ka arritur shkallë më të lartën në 40 vjet.

Por, BQK-ja nuk ka politikë monetare të pavarur pasi edhe pse e përdor euron, Kosova nuk është e integruar në Eurozonë. Meqë politikat monetare përcaktohen nga trupi vendimmarrës i Bankës Qendrore Evropiane (BQE) — ku Kosova nuk bën pjesë — Kosovës i bie ta implementojë një politikë të cilën s’mund ta ndikojë në asnjë mënyrë.

Kundër rritjes së pagave ka qenë edhe Agron Demi, analist i politikave në institutin GAP. Pavarësisht uljes së pagave në sektorin publik në dy vitet e fundit, Demi, në një kolumne kishte argumentuar se gjatë viteve 2012-2019, pagat neto në sektorin publik dhe atë privat në vend janë rritur për afër 20%, duke zgjeruar hendekun me pagën minimale  — e cila s’ka ndryshuar që nga viti 2011 — rritja e së cilës, sipas tij, mund të ishte lëvizje më e mirë e qeverisë. 

analizën e publikuar së fundmi nga Instituti GAP, rekomandohet rritja e pagës minimale. Sidoqoftë, në publikim sugjerohet se rritja e pagës minimale mund të ketë ndikim në rritjen e mëtutjeshme të çmimeve, pasiqë do rriste të ardhurat, rrjedhimisht kërkesën. Në analizë rekomandohet që të zbatohet legjislacioni në fuqi lidhur me përcaktimin e pagës minimale dhe në bazë vjetore të bëhet rishikimi sipas faktorëve të përcaktuar me këtë legjislacion e që janë: kostoja e shpenzimeve jetësore, shkalla e papunësisë, gjendja në tregun e punës, dhe shkalla e konkurrencës dhe produktivitetit në vend. 

Për të kuptuar më shumë rreth pagës minimale, mund ta shikoni video-shpjegimin e K2.0 më poshtë.

Instituti GAP, po ashtu, rekomandon rritjen e pagesave për përfituesit e skemës së ndihmës sociale, të cilat nuk mbulojnë nevojat jetësore të përfituesve. 

Një tjetër masë që është përmendur në domenin publik është edhe dhënia e kuponëve ushqimorë. Ato jepen nga qeveria si masë lehtësuese në kriza dhe mundësojnë blerjen e disa produkteve, që bashkë me shumën, përcaktohen nga institucioni përkatës qeveritar. Për shembull, me një kupon ushqimor prej 50 eurosh, konsumatorët mund të blejnë vetëm ushqime që janë brenda listës, si vaj, vezë, bukë, e të tjera. Kuponët paguhen nga qeveria, rrjedhimisht nga taksat e konsumatorëve.

Ndërkohë, një tjetër masë për t’iu përgjigjur inflacionit është edhe ngrirja e çmimeve bazike, të cilën e kanë zbatuar disa vende të rajonit si Maqedonia e Veriut dhe Serbia. Në fillim të dhjetorit 2021, Maqedonia e Veriut mori vendim për të ngrirë çmimet e produkteve bazë — bukës, sheqerit, miellit, vajit, qumështit, mishit, djathit, gjizës, oriz, vezë, pasta — në nivelin e çmimeve që kanë qenë më 1 dhjetor, për 60 ditë. Njëjtë kishte vepruar Serbia një muaj më herët.

Krahas ndikimit të inflacionit global në inflacionin e brendshëm në Kosovë, mediat kanë raportuar edhe për marrëveshje të fshehta mes shoqatave të industrive, të njohura si kartele, për ngritjen e çmimeve, për shembull marrëveshjet në mes të flokëtarëve apo furrave. Në Kosovë, këto marrëveshje i parandalon Autoriteti i Konkurrencës së Kosovës (AKK) — institucion i pavarur publik. AKK e ka fuqinë që t’i anulojë marrëveshjet midis ndërmarrjeve rreth mallrave dhe/ose shërbimeve e ndikojnë në ndonjë treg brenda Kosovës.

Por, aktualisht ky autoritet është jo-funksional pasi që nga 9 qershori i vitit 2021 është pa kryetar dhe Komisionit i ka kaluar mandati dhe si i tillë nuk mund të hetojë asnjë dyshim për marrëveshje të fshehta. Për t’u funskionalizuar autoriteti, kryeministri duhet t’i propozojë emrat për mandatim, të cilët më pas duhet t’i aprovojë Kuvendi.

Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) pret që presioni inflacionist do të mbetet i qëndrueshëm deri në mesin e vitit 2022 dhe gradualisht do të zbutet më pas, por me shpërthimin e sërishëm të pandemisë COVID-19 për shkak të variantit Omicron dhe me masat e reja kufizuese në botë, parashikimet janë të pasigurta.

Me faturat mujore që po rriten dita-ditës, ky vit duket se do të jetë një nga ata të vështirët për t’ia dalë nga muaji në muaj.

Imazhi i ballinës: Ferdi Limani / K2.0

 

 

 

Ky publikim është botuar me mbështetjen financiare të Bashkimit Evropian, si pjesë e projektit “Qytetarë Angazhohuni”, që realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij publikimi është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e Bashkimit Evropian.