Ishte mëngjesi i 3 gushtit, pak pas kremtimit të ditës së Shën Ilias në një lartësi prej 2,173 metrash pranë Liqenit të Livadhit, kur postieri vendës Stanko Cventković u ndalua nga policia.
Ai ka kaluar shumë ditë në majat e egra dhe të bukura të Sharrit gjatë jetës së tij, meqë ai po ashtu kishte jetuar ndër kodra dhe kishte ruajtur dhentë para se të zhvendosej në fshatin e Shtërpcës. Aty, kasollëza e drunjtë e Stankos gjendet në një fushë të jeshiltë rrëzë malit, disa metra më larg në drejtim të burimit të Lumit Obe, ku përrenjtë e Kallugjerkës dhe Bollovankës bashkohen para se të derdhen në Lumin amë të Lepencit.
Për më se një vit e gjysmë, shtëpia kishte qenë strehë për fshatarët vendës që dolën kundër shkatërrimit të lumenjve të Kosovës.
Dhe atë ditë, fortesa më në fund u thye.
“Më thirri dikush në mesditë”, thotë gruaja e postierit Elizabeta Cvetković, e cila kishte çuar tërë mëngjesin duke mbledhur mjedra. “Përnjëmend e arrestuan Stankon?”
Kur i erdhi ky lajm, Elizabeta veçse e kishte të qartë arsyen. Ajo nuk shkoi në stacionin lokal të policisë, ku bashkëshorti i saj do të mbahej dhe do të merrej në pyetje për orë të tëra, por mori udhë drejt fushës së tyre, ku një buldozer tanimë kishte nisur ta gërryente një shteg për makinerinë e rëndë, kamionët dhe gypat mes kasolles së drunjtë dhe përroit të Kallugjerkës.
Për muaj me radhë, nëpër dëborën dimërore dhe zhegun veror, fshatarët e Shtërpcës kanë ruajtur qasjen në këtë truall, një vend që Stanko e quan të vetin. Ata e dinin se porsa të hynin buldozerët mund të vendoseshin gypa të mëdhenj përgjatë shtratit të Kallugjerkës drejt një dige të papërfunduar në territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit.
Shumëçka ishte vënë në rrezik.
E vetmuar por jo shpresëhumbur, Elizabeta shpjegon se si doli mu përpara makinës gjigante të ndërtimtarisë me ngjyrë të verdhë dhe u bërtiti punëtorëve brenda: “Ndaleni makinën, menjëherë!”
Buldozeri lëvizi krahun. Gruaja nuk u zmbraps. Ajo përsëriti urdhrin. Dikur ata shkuan — lufta u zgjat edhe për një ditë.
Tash, Elizabeta qesh ndërsa rikujton aktin e saj të qëndresës, por dera e tyre është e përlotur për shkak të shkatërrimit të përditshëm të lumit.
Halli i qytetarëve që luftojnë për lumenjtë e tyre kundër ardhjes së industrisë së hidroenergjisë në qytezën e tyre nuk është i thjeshtë. Hidroenergjia, e cila shfrytëzon fuqinë e ujit të lumenjve për të prodhuar rrymë, promovohet si energji e gjelbër; por shpeshherë duket se zbatimi nuk është fare i tillë.
Beteja për lumenjtë e Kosovës ka shpërfaqur të mirat dhe të ligat e njerëzisë — burrat kanë qarë dhe gratë kanë ngulur këmbë ndërsa njerëzit kanë çelur shpirtrat dhe kanë mbërthyer të ardhmen e tyre duke mos hequr dorë nga diçka që thonë se nuk mund të merret për plëng. Por sikur edhe gurët e shtratit, dinjiteti i tyre është brejtur dalëngadalë nga forcat e fuqishme të babëzisë, skamjes dhe frikës.
Megjithatë, pyetja që gjëmon nëpër luginën malore është: Çfarë mbetet nga shtëpia kur edhe uji që rrjedh nën këmbët tona — i njëjti ujë që bën pemët, shuan etjen dhe shpërlan baltën — rrëmbehet?
Para mposhtjes
Në fshatin e Bitisë së Poshtme (Biti), vetëm disa minuta poshtë lumit nga qendra e Shtërpcës por në po të njëjtën komunë, mbretëron një heshtje e dhimbshme në një mëngjes shtatori me diell.
Është fundi i verës dhe uji cërron lehtas nëpër shtrat, duke zbuluar grumbuj plehrash plastike që janë bartur tatëpjetë, bashkë me kërmën e një qeni.
Lumi i Lepencit kalon nëpër këtë fshat jugor të Kosovës në udhën e tij drejt Maqedonisë së Veriout. Një urë qëndron mbi lum dhe shërben si hyrja kryesore për në Biti. Së fundi është hapur një shteg i ri me zhavor që mbulon gypa dhe kalon përgjatë shtratit, i cili zëvendësoi rripin e gjelbër me drurë dhe kaçuba që deri vonë shoqëronte lumin.
Si më tej në rrjedhën e sipërme të lumit në Shtërpcë, në Biti është luftuar për një kauzë të ngjashme.
Por shkatërrimi mjedisor nuk ka kaluar pa qëndresë të fortë lokale. Në tetor të vitit 2019 u përhapën kudo imazhe nga fshatarët e Bitisë. Disa nga to paraqisnin fshatarë të shtrirë në spital; në të tjera shiheshin policë që përdornin forcë kundër tyre pavarësisht nga natyra paqësore e protestës, teksa bllokonin qasjen ndaj buldozerëve.
Njëzet njerëz, përfshirë gra dhe fëmijë, patën nevojë për trajtim mjekësor pas aksionit të policisë, ku u përdor edhe sprej lotsjellës.
Për herë të parë, edicionet e lajmeve sollën luftën e fshatarëve në qendër të vëmendjes publike.
Kur K2.0 vizitoi fshatin në mars të këtij viti, vetëm disa ditë para ngujimit të detyruar nga pandemia COVID-19, qasja e makinave ishte ende e bllokuar te ura. Në dhomën e pasme të shitores së fshatit, e cila gjendet pranë një fushe futbolli vetëm disa metra larg rrugës përgjatë një kroi të përbashkët prej guri, fqinjtë ndanin dhe diskutonin risitë.
Tymi i cigareve dhe drurit të djegur përhapej në hapësirën e vogël prapa rafteve të shitores. Në mungesë të një bari në fshat, shqiptarët dhe serbët bëheshin bashkë duke u ndrydhur afër njëri-njetrit në një divan të vogël apo në stole para një koftori të vogël.
“Kam ndjekur katër sesione të terapisë psikologjike”, thoshte ekonomistja 27 vjeçe Edita Tahiri nga mbrapa arkës së shitores, biznesit të familjes së saj.
Bashkë me familjarët dhe fshatarët e tjerë, ajo ishte pjesë e protestave dhe ballafaqimeve të rregullta me policinë në Biti që nga viti 2015. Por, këto ngjarje kanë pasur ndikim fizik dhe mendor te ajo.
“S’mund të flija dhe të rrija qetë, vazhdimisht i ripërjetoja gjërat”, thoshte ajo, duke shtuar se qysh nga protesta e tetorit të vitit 2019 ku pati përleshje me policinë, unaza e katërt e kurrizit ia ndrydh nervat në fund të shpinës dhe i duhet të marrë infuzione e barna për t’u këndellur.
“Nëse do ta thërrisnin një protestë për nesër, nuk e di a do të shkoja”, thoshte ajo. “Kam frikë”.
Fjalët e Editës dallonin nga grimcat e mbetura të optimizmit që ndaheshin në dhomën e pasme të shitores atë ditë, ndërsa qytetarët e Bitisë ishin shpërblyer me çmimin e Demokracisë nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile për luftën e tyre për mbrojtjen e lumenjve.
Banorët vendosën t’i ndajnë 5,000 eurot e shpërblimit ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve të fshatit për t’i ndihmuar komunitetet e tyre. Ata tanimë kishin ndarë përpjekjet në bregun e lumit si dhe në qelitë e stacionit policor ku ishin dërguar në mbajtje për orë të tëra pas protestave.
Juristi 37 vjeç Agron Rushiti, i cili punon në një zyrë për sigurim të automjeteve, sapo kishte përfunduar rregullimin e varrezës së vogël të fshatit me disa nga paratë e shpërblimit në kohën kur K2.0 u takua me të.
“Kujtimi më i dhimbshëm që kam është kur i mirëpritëm në qytezë”, thoshte Agroni, teksa sillte ndër mend herën e parë kur kishte parë punëtorët pranë lumit në vitin 2015. “Ata erdhën drejtpërdrejt me buldozerë e këso gjërash, dhe ne mendonim që kishin ardhur ta pastronin lumin sepse ashtu na kishin thënë”.
Derisa gjërat morën kahje tjetër.
Një ditë, një nga punëtorët po hante me disa banorë vendës dhe kishte thënë: “Më vjen vërtet keq për ju sepse dukeni si njerëz të mirë, por ky ujë do të hyjë në gypa”.
Në vitin 2013, Ministria e Mjedisit i kishte dhënë leje mjedisore kompanisë kosovare Matkos Group për ndërtimin e një hidrocentrali të ri me emrin HC Viça dhe katër hidrocentrale të tjera në Lumin e Lepencit. Plani për HC Viçën përfshinte ndërtimin e një dige të betontë diku në qendër të Shtërpcës dhe instalimin e një gypi përgjatë Lumit Lepenc — që kalon nëpër fshatin Biti — poshtë lumit drejt një hidrocentrali.
Sipas legjislacionit që rregullon ndërtimet e tilla, kompania investuese ishte e obliguar të organizojë dy debate publike me komunitetet e prekura dhe t’i informojë ata për debatet. Por vendësit pretenduan se banorët e Bitisë nuk kanë qenë në dijeni për ndonjë debat publik që do t’i informonte për ndërtimet e planifikuara.
Matkos Group ka thënë se në të vërtetë janë organizuar dy debate publike në përputhje me ligjin, i pari në tetor të vitit 2012, 24 kilometra larg Bitisë në Kaçanik, dhe i dyti në maj të vitit 2013, 15 kilometra larg fshatit në Brezovicë.
Sidoqoftë, asnjë banor nuk ishte i pranishëm në këto debate, pra kishte vetëm autoritete institucionale. Pavarësisht nga mungesa e komenteve ose diskutimit me komunitetet vendëse, Ministria e Mjedisit dha dritën e gjelbërt, gjë që ia hapi rrugën Zyrës së Rregullatorit për Energji ta autorizonte ndërtimin e HC Viçës në vitin 2014.
Së shpejti, banorët nisën protestën e parë nga 200 sosh që u mbajtën që nga fillimi i ndërtimeve në fshat në vitin 2015.
Emri i Agronit përmendet gjithmonë kur flitet për protestat në Biti. Sikur shumë familje të tjera të rrethinës së Lepencit dhe lumthave të tij, të ardhurat e familjes së Agronit varen nga të korrat e kallamoqit dhe pemlat sikur mjedrat dhe boronicat. Banorët mbledhin qindra metra katrorë plot me pemë gjatë verës që t’ua sheshin prodhuesve më të mëdhenj, të cilët pastaj i shpërndajnë anembanë vendit.
Pemlat gjenden kudo në të dyja anët e rrugës që çon në Shtërpcë, qofshin të egra a të kultivuara, si dhe në brigjet e Lepencit dhe degët e tij. Shumë banorë kanë vendosur sisteme individuale të ujitjes për të mbjellat e tyre duke përdorur ujin e lumit, si dhe kanë bunarët e tyre afër.
Lumi nuk është vetëm burim uji për të lashtat, por është gjithashtu uji që pinë në shtëpi.
Më 13 mars të këtij viti, kur ish-Kryeministri Albin Kurti konfirmoi rastet e para me COVID-19 në Kosovë, ai po ashtu u kërkoi të gjithë qytetarëve t’i lajnë duart shpesh. Atëkohë, banorët e Bitisë kishin hyrë në muajin e pestë pa ujë të pijshëm.
Ata ankohen se puna gjatë ndërtimit të hidrocentraleve dhe digave në lumë ka bërë që uji i çezmeve të jetë vazhdimisht i papastër dhe i papërdorshëm, kurse ata i frikohen një të ardhmeje të mundshme me lumë të shteruar.
“Pozita jonë këtu është që jemi të varur”, thotë Agroni. “Nëse lumi ndikohet, bunarët ndikohen, të mbjellat ndikohen”.
Që nga marsi i këtij viti, Agroni thotë se shumë fshatarë shkojnë me radhë 5 kilometra larg për t’i mbushur shishet në një krua afër fshatit të Firajës, ose edhe më tej rrugës për në Brezovicë.
Beteja për lumenjtë gjithashtu ka pasur pasoja personale.
Në ditëlindjen e tij të 36-të më 16 gusht të vitit të kaluar, një grup zyrtarësh policor e pritën atë në prag të shtëpisë për ta marrë në pyetje rreth rolit të tij në protesta.
Gjatë pesë viteve të fundit prej se kanë filluar të protestojnë kundër vendosjes së gypave në fshatin e tyre, qoftë para ndërtesës së komunës ose në sheshin e ndërtimit, shumë banorë të Bitisë rrëfejnë se janë thirrur të japin deklarata në stacionin e policisë. Jo vetëm në Shtërpcë, e cila gjendet disa minuta larg me kerr, por edhe në Ferizaj e madje edhe 70 kilometra larg në Prishtinë.
Mospërgjigja ndaj thirrjes ka pasoja më të mëdha, sikur vërejtje, gjoba ose edhe arrestime.
“Presioni që kemi duruar është i pamatshëm, është tepër i kushtueshëm”, thotë Agroni. “Ky stres ta shkatërron jetën”.
Dhe prapëseprapë, lufta për lumin nuk bëhet vetëm kundër policisë, investitorëve ose institucioneve, por edhe me vetë moralin dhe mbijetesën vetjake.
“Edhe fëmija im nuk mendon më për lojërat e saj por se ku është babi…”, thotë Agroni, duke reflektuar për orët e shumta që ka kaluar në diskutime pranë lumit dhe me veprime për ta mbajtur frontin.
“Këto pesë vjet kanë qenë vërtet luftë. Por kur ka luftë, janë dy shtete që luftojnë kundër njëri-tjetrit. Këtu as që e kemi ditur se me kë po përballemi, kë po e pengojmë, kush po na bie në këtë situatë. Çfarë pune kanë me ne? S’ka më jetë këtu”.
“Mbajeni në mend, nëse uji hyn në gypa, këtu do të bëhet Saharë — vetëm zall”.
Dhe nëntë muaj më vonë në korrik të vitit 2020, ndërsa sytë e Kosovës qenë të fiksuar në qeverinë e posaformuar dhe morali i qytetarëve pësoi me rritjen e numrave të pandemisë, makinat më në fund ia dolën ta thyejnë këtë fshat para një audience banorësh dhe disa aktivistësh. Tanimë ishin të pafuqishëm.
Gjithçka kishte marrë fund.
Përse lumenjtë?
Vetëm në Ballkan dhe Turqi janë planifikuar më se 4,000 projekte hidrocentralesh, duke e bërë kështu rajonin me më së shumti zhvillim të projektuar të kësaj infrastrukture në Evropë.
Sikur ato në Shtërpcë dhe Biti, shumica e zhvillimeve në Kosovë dhe në rajonin e gjerë klasifikohen si “hidrocentrale të vogla”, term që përdoret për t’i përshkruar hidrocentralet që prodhojnë më pak se 10 MW në orë.
Në hulumtimet e porositura mes viteve 2006 dhe 2009 nga Ministria e atëhershme e Energjisë dhe Minierave janë identifikuar 77 vendndodhje që kanë potencial për ndërtimin e hidrocentraleve të vogla nëpër lumenjtë e Kosovës. Shumica prej tyre janë në vende me vlerë të veçantë natyrore, kurse 17 prej tyre janë vetëm në Lumin Lepenc.
Ishte koha të promovohej “energjia e gjelbër”, dhe si anëtare e Traktatit të Komunitetit të Energjisë, Kosova ishte zotuar ta prodhojë 25% të energjisë së konsumuar nga qytetarët prej burimeve të etiketuara si “të ripërtëritshme” — përfshirë ujin, erën, diellin dhe biomasën — deri në vitin 2020. Kosova vendosi të përqendrohej në hidroenergji më fort se në burimet e tjera.
Vendimi erdhi pavarësisht nga fakti se Kosova ka burimet më të varfra të ujit në Ballkanin Perëndimor, me vetëm 1,600 metër kubik për shtëpi në vit; Maqedonia e Veriut ka dyfishin e kësaj, kurse Shqipëria është shumë e pasur me furnizim të ujit, me 13,000 metër kubik për shtëpi në vit.
Ministria e tanishme e Mjedisit ka thënë për K2.0 se caku i 25 përqindëshit tashmë është arritur.
Por shumë ekspertë kanë shprehur shqetësime për pasojat që vuajnë mjedisi dhe komunitetet lokale nga hidrocentralet e vogla, sidomos kur kihet parasysh prodhimi i ulët i energjisë prej tyre. Tekembramja, nga e tërë rryma elektrike që është prodhuar në vend gjatë vitit të kaluar, vetëm 5.5% ka ardhur nga hidrocentralet e vogla dhe ato të mëdha.
Në Kosovë ekzistojnë së paku 18 hidrocentrale aktive dhe rreth 20 të tjera janë në proces të funksionalizimit.
Zhvillimet e tilla po tërheqin vëmendjen e qytetarëve anekënd vendit. Në nëntor të vitit 2019 u bë një peticion për ndalimin e ndërtimit të hidrocentraleve dhe për rishikimin e kapactitetit të vendit për të prodhuar rrymë elektrike nga lumenjtë, i cili mori 28,000 nënshkrime.
Proceset që shoqërojnë hidrocentralet e vogla në vend kanë qenë aq të dyshimta, saqë është themeluar një komision parlamentar në gushtin e këtij viti për ta hetuar lincensimin, ndërtimin, operimin dhe menaxhimin e hidrocentraleve në Kosovë.
Kjo nuk ka ardhur pa pikëpyetje.
Një rajon tjetër që përballet me telashe të hidroenergjisë është Deçani në perëndim të Kosovës, ku kompania austriake KelKos, vartëse e Kelag, operon tri hidrocentrale tash e tri vjet në Lumin Lumbardh pa lejen e detyrueshme mjedisore.
Sidoqoftë, Zyra e Rregullatorit për Energji e Kosovës — e cila është përgjegjëse për licensimin — lejoi që kompania të operojë.
Është procedurë që avokuesit civilë dhe mjedisorë e konsideruan ilegale, madje kanë bërë ankesa te qeveria austriake për ndërhyrjen e dyshuar të diplomatëve aushtriakë për ta ndikuar procesin e licensimit. Qeveria e Austrisë nuk ka pranuar të japë koment për K2.0 me arsyetimin se tashmë po ndodh një hetim parlamentar në Kosovë.
Në ndërkohë, kompania ka deponuar një padi për shpifje kundër aktivistëve Adriatik Gacaferri dhe Shpresa Loshaj për denoncimin publik të shkeljes së dyshuar në Deçan.
Avokuesit e burimeve natyrore e kanë parë këtë lëvizje si mënyrë për t’i frikësuar zërat që mund të ngriten në të ardhmen, meqë ka pasur padi të ngjashme që janë bërë kundër aktivistëve të tjerë të rajonit. Ndërkaq aktivistët gjetiu, sikur ata nga Shtërpca dhe Bitia, marrin Deçanin si shembull për atë se si ligji respektohet, ose nuk respektohet, kur vjen puna te hidroenergjia në Kosovë.
T’i biesh pas kësaj pune
Është mëngjes i ftohtë nëntori në vitin 2019 dhe shkencëtari mjedisor nga Franca Fabien Téchené nget veturën, herë pas here duke iu referuar një harte me hidrocentralet dhe digat hidroenergjetike që janë planifikuar të ndërtohen në shtratin 53 kilometërsh të hises kosovare të Lumit Lepenc.
Ai ka bërë vetë këtë hartëzim duke marrë për bazë gjendjen në terren — koordinatat për punën ndërtimore që janë dhënë nga investitorët në dokumetacionin zyrtar thjesht nuk përputhen.
“Ky dokument është hajgare”, thotë ai disa herë me një grimë zemërimi, duke iu referuar Vlerësimit të Ndikimit Mjedisor të siguruar nga Matkos Group — i cili është përgjegjës për disa nga projektet kryesore të hidroenergjisë në Luginën e Lepencit dhe në Malet e Sharrit.
Ky dokument nuk është thjesht letër e çfarëdoshme, por ka për qëllim të shërbejë si plan për atë që do të bëhet, vendin, mënyrën dhe ndikimin që do të ketë në mjedis. Lejet jepen ose refuzohen në bazë të këtij dokumenti.
Për ekspertët e fushës, në dokument pranohet që do të ndikohet lumi, por nuk jepet vlerësim për ndikimin e saktë shoqëror dhe mjedisor, si dhe për pasojat e ndërtimit të digave, gypave dhe hidrocentraleve përgjatë Lepencit. Megjithëkëtë, Ministria e Mjedisit e miratoi këtë dokument duke ia lëshuar rrugën Matkos Group që të vazhdojë me proceset e tjera të licensimit.
Drejtori i kompanisë Labinot Vitia ka thënë për K2.0 se pavarësisht nga kritikët, ata besojnë se puna e tyre ka ndikim pozitiv sepse do të hiqen plehrat nga lumi. Ai thotë se çfarëdo dëmi ndaj shtratit do të jetë afatshkurtër. Ai nuk pranoi se mund të ketë dëme afatgjate për ekosistemin e gjerë.
“Hidrocentrali është pengesë”, thotë Fabien-i. “Edhe nëse bën çmos për ta zvogëluar ndikimin, prapëseprapë do të ketë ndryshime lokale në ekosistem, do të ndikohet mbartja e sedimentit, do të modifikohet regjimi i ujit dhe morfologjia e shtratit në drejtim të rrjedhës, e kështu me radhë. Kjo qëndron edhe më shumë nëse [hidrocentrali] ndërtohet në një park nacional dhe shfrytëzon një përrua tepër të vogël”.
Në të kaluarën, Fabien-i ka punuar në menaxhimin hidrologjik të Lumit Loire në Orléans të Francës, gjegjësisht ka monitoruar lumin dhe ka mbikëqyrur dy diga të mëdha. Tash, ai punon si zyrtar i ujërave të ëmbla për WWF Adria, një organizatë e madhe ndërkombëtare për mjedisin që merret edhe me mbrojtjen e lumenjve. Një pjesë e punës së Fabien-it ka qenë analizimi i ndërtimit të hidrocentraleve në Kosovë dhe rreziqet e mundshme që mund të pësojnë lumenjtë.
Si pjesë e vrojtimeve të tij, Fabien-i po këqyr nëse Vlerësimi i Ndikimit Mjedisor përputhet me realitetin. Ai kontrollon shtigjet e peshqve në diga, të cilat janë kanale të domosdoshme që lejojnë kalimin e peshqve nëpër murin e digës.
Në vizitat e përbashkëta pranë digave në ndërtim e sipër në Luginën e Lepencit, dukej se kanalet shpesh nuk ishin përfunduar; në shumë raste ato kishin pak ujë, në mos fare.
Fabien-i kërkon shenja të ndikimit mjedisor, sikur rritja e dendësisë së ujërave të zeza për shkak të rrjedhës së zvogëluar natyrore të lumit.
Afër një dige pranë qytetit të Kaçanikut, e cila është pjesë e një hidrocentrali të operuar nga kompania kosovare Hidroenergjia, vjen një erë paksa e qelbur. Një banor që punon në afërsi të lumit i thotë se niveli i lumit është mjaft i ulët dhe se nuk i ujit më të mbjellat me ujin e lumit sepse vërehet se ka më shumë ujëra të zeza. Ai thotë se po ashtu ka më pak peshq.
“Problemi i hidrocentraleve të vogla është se shpeshherë digat e shumta ndërtohen njëra pas tjetrës”, shpjegon Fabien-i. “Po të ishte vetëm një, e ndërtuar dhe e operuar sipas praktikave më të mira mjedisore, ndikimi mund të konsiderohej i vogël. Por problemi është se ato as nuk janë ndërtuar e as nuk operojnë sipas praktikave më të mira. Në fund të fundit, kjo do të thotë që mund të ketë gypa deri në 30 kilometra përgjatë lumit, me ndërprerje ose pa. Në afat të gjatë, kjo vërtet ndikon, për shembull, në shtegtimin e peshqve dhe mund të shkaktohen humbje të mëdha në biodiversitet — e deri te humbja e përkohshme e vetë lumit”.
Sot po ndërtohen së paku pesë hidrocentrale përgjatë Lumit Lepenc dhe secili prej tyre ka një ose më shumë diga në lumë ose në degët e tij. Thënë shkurt e shqip, digat janë mure që bllokojnë rrjedhën natyrore të lumit dhe grumbullojnë ujin, i cili mandej kalon nëpër gypa.
Sipas legjislacionit, operatorët e hidrocentraleve mund ta pengojnë deri në 70% të rrjedhës së lumit, por duhet ta lënë pjesën tjetër të rrjedhë natyrshëm.
Tubacioni do ta drejtojë rrjedhën e lumit në turbinat e stacionit hidroenergjetik, i cili zakonisht gjendet në drejtimin e derdhjes së një lumi. Sa më lart që gjenden digat, aq më e shpejtë është rryma e ujit dhe aq më shumë energji mund të prodhohet.
Ajo që shumë ekspertë mjedisorë theksojnë për hidrocentralet e vogla është se sado të vogla që mund të duken, ndikimi i tyre mund të jetë i jashtëzakonshëm në krahasim me përmbushjen e ulët të nevojave të konsumit.
“Hidroenergjia [e shkallës së madhe] njihet si e gjelbër, por kapaciteti i këtyre digave [të vogla] për [të grumbulluar] ujë është shumë i vogël; ato nuk kanë akumulim dhe në fakt nuk u përgjigjen kulmeve të konsumit, sikur koha e mëngjesit”, shpjegon Fabien-i.
“Pa akumulim nuk ekziston as menaxhimi që u përgjigjet nevojave të konsumit… ato thjesht prodhojnë sikur turbinat e erës: nëse ka erë, ka erë”.
Dhe nëse ka erë — ose ujë, në këtë rast — ka para. Çdo megavat i prodhuar, pa marrë parasysh a përdoret apo jo, do të regjistrohet dhe do të paguhet. Kjo bazohet në një sistem të tarifave nxitëse: tarifa fikse që funksionojnë si stimuj për kompanitë për të prodhuar nga burime të klasifikuara si “të ripërtëritshme”. Kosova aktualisht u paguan operatorëve të vegjël të hidrocentraleve një shumë fikse parash për megavat. Kohët e fundit, Zyra e Rregullatorit të Energjisë ka vënë në dyshim efikasitetin e tarifave të tilla, duke sugjeruar që të bëhet një ndryshim.
Megjithatë, deri më tani, së bashku me garancitë institucionale për të blerë energji elektrike nga investitorët e hidrocentraleve për 10 deri në 12 vjet, investimi në një hidrocentral ka dalë të jetë një bast i sigurt.
A do të ketë shpresë?
Helena Poučki ecën në shtratin e vjetër të Lumit Obe, duke kaluar pranë kasolles së drunjtë të Stankos dhe Elizabetës, duke ndjekur tubacionin një të shtunë të shtatorit. Qeni i saj i zi Ninja e ndjek atë nëpër baltë, duke lënë pas të njëjtin vend ku Elizabeta bllokoi buldozerin vetëm disa javë më parë — kjo thjesht e kishte vonuar një gjë të pashmangshme.
Dy javë që pas vizitës së fundit të Helenës, puna e ndërtimit në këtë pjesë të lumit ka përparuar.
Punimet vazhdojnë, çdo ditë.
Helena ka vizituar Shtërpcën shpesh gjatë vitit të kaluar; ajo ka punuar në terren duke u takuar me fqinjët, duke vëzhguar punën në vendndodhje, duke gjurmuar dokumentacionin me institucionet dhe duke u përpjekur ta përpilojë një rast ligjor që mund të rezultojë në mbrojtjen e lumit.
E lindur në Bečej të Vojvodinës, ajo erdhi në Kosovë në vitin 2010 për të punuar me komunitetin rom në Plemetin, ku banorët jetojnë me ndërprerje të vazhdueshme të ujit dhe energjisë elektrike, në afërsi të ndotësit më të madh të ajrit në vend Kosova A, si dhe afër lumit të stërndotur të Sitnicës.
Duke shpresuar të shtojë ndërgjegjësimin rreth mjedisit dhe në komunitetet e përbuzura, ajo bashkëthemeloi organizatën GAIA para pesë vjetësh dhe tani jeton në një ekofshat, projekt që zhvillohet në fshatin Ranillug në juglindje të Kosovës. Ajo ëndërron të krijojë një hapësirë jetese ku mundësohet një model i ndryshëm i ekonomisë së drejtë, i angazhimit social dhe i marrëdhënieve njerëzore me natyrën.
Në fillim të shtatorit, Helena ishte duke vizituar banorët lokalë në Shtërpcë të cilët ende e kanë atë si shpresë të fundit. Kur diçka ndodh atje, telefoni i saj shpërthen nga thirrjet.
Ajo nuk është avokate por biologe, dhe nuk ka gjetur ende përgjigjen se pse ky komunitet ka mbetur i vetëm në luftën e vet. Për javë të tëra, së bashku me kolegët e saj dhe disa aktivistë të tjerë, ajo është përpjekur të angazhojë avokatë që të mund t’i ndalojnë ndërtimet e reja të hidrocentraleve në këtë zonë.
Shtrati i vjetër i Lumit Kallugjerka shpie drejt epiqendrës së punimeve të vazhdueshme. Një tubacion është duke u instaluar për një digë që do të ndërtohet rreth 2 kilometra më tej në rrjedhën e sipërme – kështu thonë koordinatat tani.
Duke qëndruar në mes të një vrime të hapur nëpër shtratin e Lumit Kallugjerka, Helena mbetet gojëkyçur.
“Ne duhet ta ndalojmë këtë [ndërtim]”, u thotë Helena kolegëve të saj aktivistë, Granitit dhe Alex-it.
Por pyetja që mbetet është si.
Ky ndërtim do të jetë një nga dy digat që lidhen me këtë hidrocentral, të dyja janë brenda territorit të Parkut Kombëtar të Sharrit që thithin të dy degët e Lepencit, Kallugjerkën dhe Bollovankën.
Kjo është diçka për të cilën përfaqësuesit e vetë Parkut Kombëtar të Sharrit, e cila është një zonë e mbrojtur, janë shprehur kundër.
Një raport që i është dorëzuar Ministrisë së Mjedisit vitin e kaluar nga drejtorët e Parkut Kombëtar të Sharrit, Parkut Kombëtar të Bjeshkëve të Nemuna në Kosovën Perëndimore dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Natyrës, nuk lë dyshim për dëmtimin e madh mjedisor në zonën e Sharrit dhe gjallesat e egra të Kosovës.
Aty thuhet se ndërtimi i hidrocentraleve paraqet një rrezik të lartë për shtratin e lumit si ekosistem dhe për gjallesat e egra brenda dhe jashtë lumit; raporti jep shembullin e degradimit të vërejtur në Luginën e Deçanit, ku hidrocentralet funksionojnë tash e disa vjet. Ai gjithashtu paralajmëron institucionet kombëtare për problemet ligjore të lejimit të ndërtimit të digave brenda zonës së mbrojtur të parqeve.
Raporti tregon jo vetëm angazhimet ndërkombëtare të Kosovës për direktivat dhe konventat për mbrojtjen e natyrës së saj. Ai gjithashtu përfshin shqetësime në lidhje me shkeljet e Kushtetutës së Kosovës në lidhje me natyrën, Ligjin për Mbrojtjen e Mjedisit, ligjet për Parqet Kombëtare, dhe disa plane të administrimit dhe menaxhimit të parkut.
I pyetur nëse shqetësimet për biodiversitetin e lumenjve vazhdojnë të jenë të pranishme tani që puna ndërtimore ka përparuar që nga botimi i raportit, drejtori i Parkut Kombëtar të Sharrit Bajram Kafexholli ka thënë për K2.0 se shqetësimet do të mbeten për sa kohë që ekziston rreziku ndaj biodiversitetit të parkut.
Drejtorët e Parkut Kombëtar kanë qenë disa nga menaxherët institucionalë të paktë që kanë ngritur një zë paralajmërues kundër ndërtimit të hidrocentraleve në zonë. Ndryshe nga Peja dhe Prizreni — ku kryetarët e komunave luftuan kundër përpjekjeve për të ndërtuar hidrocentrale të reja dhe paralajmëruan se do të përdorin çdo mjet juridik për t’i ndaluar ato — komuna e Shtërpcës nuk ka qenë aq e zëshme.
Në vitin 2016, Komuna e Shtërpcës fillimisht miratoi një vendim për të pezulluar punën e nisur të hidrocentralit derisa të zgjidhej çështja e furnizimit me ujë në qytet. Por me problemet e vazhdueshme të ujit në të gjithë komunën, banorët kanë mbetur duke vrarë mendjen përse kompanitë janë lejuar të vazhdojnë të punojnë. Mbetet e paqartë se çfarë ndodhi me vendimin e komunës.
Puna e ndërtimit në Shtërpcë dhe gjetkë u pezullua këtë vit kur masat e ngujimit si pasojë e pandemisë u vendosën nga qeveria e Albin Kurtit. Por ky vendim zgjati aq kohë sa vetë qeveria — sa hap e mbyll sytë. Ndërsa masat u hoqën në fillim të verës, puna në Shtërpcë filloi përsëri. Buldozerët depërtuan përtej bllokadës së banorëve në Lumin Obe dhe ritmi s’ka ndryshuar që nga ajo kohë.
Helena ecën përgjatë Kallugjerkës dhe hyn në territorin e Parkut Kombëtar të Sharrit. Afër të njëjtit vend ku parashikohet të ndërtohet një digë, ka shenja të reja të gjallesave të egra, gërvishtje të mëdha mbi një dru që tregojnë se një ari së fundi ka shënuar territorin e tij.
Përveç disa druvarëve që ngarkojnë kamionët e tyre të vegjël në përgatitje të dimrit dhe disa barinjve që ecnin me dhitë e tyre, pylli i trashë dhe freskia janë pothuajse të paprekura në këtë zonë.
Ekziston ende një baraspeshë midis dorës së njeriut dhe asaj të natyrës.
Por Helena s’e harron dot shkatërrimin që sapo pa. “Nuk ka ekologë, biologë, konservacionistë, gjeografë, hidrologë që dalin kundër kësaj”, thotë ajo me zhgënjim. “Janë vetëm qytetarët”.
Helena studioi biologji në Beograd dhe zbuloi gjallesat e egra sapo u angazhua në aktivitete jashtë fakultetit dhe jashtë qytetit. “Është çështje edukimi: Studentët e biologjisë ose ekologjisë rrallë mësojnë për këto vende duke i vizituar”, thotë ajo.
Helena përsërit nevojën për të përpiluar një kallëzim ligjor që së paku të ndalohen punimet, pasi kur të dëmtohet shtrati i lumit, rimëkëmbja merr vite të tëra. Por aktivistët dhe banorët ndonjëherë humbasin në një rrëmujë të ngatërruar dokumentesh. Është një përpjekje burokratike që varet nga dhjetëra aktorë.
Komisioni i Kuvendit të Kosovës që po heton hidroenergjinë në vend sapo ka nisur punën dhe pritet të zgjasë gjashtë muaj përpara se të publikohen gjetjet.
Ndërkohë, ndërtimet dhe operacionet e hidrocentraleve përgjatë lumenjve të Kosovës do të vazhdojnë. Koha po shkon.
Pas Kallugjerkës, Helena vazhdon të ecë përgjatë rrjedhës Durlov Potok, një shteg që zakonisht përdoret nga skiatorët që lëshohen prej qendrës së skijimit në Brezovicë. Ajo që dikur ishte një shteg i ngushtë për një person tani është një rrugë e çrregullt që çon përpjetë, mjaft e gjerë për kamionë dhe buldozerë, përfshirë një digë që është ndërtuar por ende nuk është funksionalizuar plotësisht.
Pak para ndërtimit të digës, Helena vëzhgoi një ari po në të njëjtin vend. Tani, edhe dy diga të tjera janë planifikuar këtu, përsëri brenda Parkut Kombëtar të Sharrit.
Duke reflektuar pas vizitës së vendeve në fjalë, Helena vret mendjen se çfarë mund të kishte shkuar keq në nivelin vendimmarrës që të lejohej kjo situatë.
“E gjithë kjo tregon se problemi është sistemor,” thotë ajo. “Ka njerëz të paaftë në sisteme komplekse që nuk udhëzohen nga morali. Sistemi është rrëmbyer”.
Më tepër se një lumë
E atje në kasollen e drunjtë të Elizabetës dhe Stankos, të dielën e fundit të verës ndihen vetëm hingëllimat e kuajve dhe shushurima e përhershme e lumthit të Kallugjerkës.
Stanko nuk ka letra për të dorëzuar sot. Tomos-i tij i verdhë me dy rrota qëndron në shtëpi, dhe sot ngau vetëm kalin e tij nëpër malet që ngriten afër qytezës.
Që kur filloi e gjithë kjo, Stanko është në gjendje të rëndë psikologjike. Ai është pagëzuar në këtë lumë dhe gati ia plasi vajit kur u pyet se çfarë domethënie kanë lumenjtë për të.
Ai pret bimë jonxhe dhe nget kalin e tij për të hequr mendjen nga ngjarjet e këtij gushti, kur makinat kapërcyen përmes Lumit Obe. Buldozerët vazhdojnë të punojnë në rrjedhën e sipërme të Kallugjerkës, disa dhjetëra metra larg vendit ku ai ulet.
Që atëherë Stanko e ka sjellë çështjen në gjykatë pasi ai pretendon pronësinë mbi pronën e përdorur nga Matkos Group për të filluar punimet në rrjedhën e sipërme; kompania pretendon se është tokë publike. Çështja mbetet në duart e sistemit të drejtësisë.
Tani, të ulur në hijen e një peme të varur, me çehre të çelur dhe përralla drithëruese të rinisë së tyre, Elizabeta këndon këngë tradicionale në serbishte. Secila nga to përmend natyrën që i rrethon.
Një dele, mali, një bari, një nënë — lumi.
“I premtova bijës sime se nuk do të kalojnë… por kaluan”, thotë postieri ndërsa një pikë loti i rrjedh në faqe.
Elizabeta ia rikujton se nuk është fajtor. Por, me fjalët e tij, morali i thotë se është thuajse një tradhti ndaj brezave të ardhshëm të familjes së tij. Ai protestoi në Biti para se ta dinte se tubacioni do t’ia merrte Kallugjerkën që rrjedh ndanë pronës së tij.
Lufta e tij për ujin është e çiltër dhe vetëmohuese. Ai mbart barrën e një lumi të tharë.
Po ashtu përfaqëson pafuqinë e qytetarëve të përballur me burgun e burokracisë, çmendurinë e politikave lokale dhe mbylljen e syve të qeverisë.
Përtej argumenteve ligjore që do të zgjidhen në gjykatë, si dhe të drejtat dhe të padrejtat e dokumenteve dhe lejeve, banorët dhe aktivistët sikur Stanko, Elizabeta, Agroni, Edita, Helena dhe të tjerë kanë marrë përsipër barrën shtrydhëze të mbrojtjes së lumit.
“Më herët nuk kanë provuar kurrë të na marrin ujin”, thotë Stanko. “Lumi është gjithçka për mua — e kaluara dhe e ardhmja.
“Nuk ka jetë pa lumin.
“Uji është jetë.”
Shkrimi nga Cristina Marí
Fotografitë nga Atdhe Mulla
Videoja nga Ilir Hasanaj
Redaktimi nga Besa Luci, Jack Butcher
Ky publikim është mundësuar nga ‘Programi i shoqërisë civile për Shqipërinë dhe Kosovën’, financuar nga Ministria e Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF) në partneritet me Partnerët Shqipëri për Ndryshim dhe Zhvillim (PA). Përmbajtja dhe rekomandimet e paraqitura nuk përfaqësojnë qëndrimin zyrtar të Ministrisë së Punëve të Jashtme të Norvegjisë dhe Fondacionit Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF).