Gratë rome, ashkalie dhe egjiptiane që po thyejnë stereotipet.
Nga Blerta Begisholli - 18.12.2019Arjeta*, gati 14 vjeçe, duhet ta durojë zhegun përvëlues të gushtit, në këmbim të pak parave që merr prej pasagjerëve të veturave që kalojnë andej pari, kur ajo ua pastron xhamat e përparëm sa janë të ndalur para semaforit. Në njërën prej rrugëve kryesore të Prishtinës, afër Katedrales Nënë Tereza, ajo bashkë me djalin e axhës shumë më të ri në moshë, qëndrojnë aty që nga mëngjesi deri në mbrëmje.
Arjeta më tha se nuk kishte shkuar në shkollë as edhe një ditë të vetme, por që për të nuk ishte hall edhe aq i madh. “Shkoj në xhami nganjëherë”, më tha, e më tregoi që atje mëson ndonjë gjë aty-këtu. Mbulesën fetare e kishte vendosur qysh kur ishte 7 vjeçe, me vetëdëshirë.
sq
Për Arjetën, si për shumë vajza tjera të komuniteteve ashkali, egjiptian e rom, rruga drejt dijes, pavarësimit individual dhe ndërtimit të një karriere të denjë shpeshherë është vetëm një ëndërr e bukur.
Megjithatë ka vajza dhe gra nga këto komunitete që kanë arritur të thyejnë barrierat shoqërore e të ndërtojnë një jetë të pavarur. Të edukohen, të kenë një punë të qëndrueshme, apo të paktën të përpiqen të ndryshojnë jetën e tyre.
Nuk ka një definicion të vetëm për suksesin, prandaj të gjitha gratë e vajzat që janë pjesë e këtij tregimi, kanë shënuar sukses në karrierën e tyre në forma të ndryshme, në periudha të ndryshme të jetës së tyre.
sq
Farija Mehmeti, 41 vjeçare, është njëra nga to. Ajo jeton në fshatin Lepinë të Lipjanit, jo shumë larg ‘Marigonës’, njërës prej lagjeve posh të kryeqytetit. Një realitet krejtësisht i ndryshëm prej atij të lagjes Marigona, me shtëpi të vogla e të vjetra, sikurse asgjë nuk ka ndryshuar që nga paralufta.
Farija po thyen stereotipet e grave të komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian në shoqërinë kosovare përmes pikturës. E frymëzuar dhe e mbështetur nga vëllai i saj Bajrami, ajo pikturon portrete të grave rome në Kosovë, në veshjen e tyre tradicionale.
“Disa prej tyre duken mjaft të pikëlluara, sepse kështu paraqes ndjenjat e mia, që romet nuk kanë edhe shumë të drejta, nuk kanë shkollim të mjaftueshëm, sikur që kanë gratë e vajzat e tjera, por edhe nga aspekti shoqëror janë mjaft të rrezikuara në Kosovë”, thotë Farija.
sq
sq
Farija dhe Bajrami e pasqyrojnë përmes pikturave jetën e komunitetit rom në fshatin e tyre të vogël, ku jetojnë në mes të shqiptarëve dhe serbëve, që janë komunitete shumicë në fshat.
Portretet e grave rome seç më ngjajnë me autoportretet e Frida Kahlos, piktores së famshme meksikane që e kishte pikturuar dikur veten në ngjyra vibrante, në veshjet tipike meksikane të asaj kohe.
sq
“Në Kosovë është bukur të jetosh. Këtu jam që kur kam qenë e vogël, jam rritur këtu, më pëlqen ky vend, më pëlqen populli, të gjithë popujt. Por, është vështirë disa herë, kur nuk e flet gjuhën [shqipe]”, thotë Farija, teksa ngrit supet, si me keqardhje.
Ajo i porositë të gjitha vajzat dhe gratë që nëse kanë talent, të mos heqin kurrë dorë nga ëndrrat e tyre.
“Kushtet mund të mos jenë të mira, apo mund të ketë pengesa të tjera, por duhet pasur durim, këmbëngulje dhe shpresë, duke pritur momentin tënd” - Farija Mehmeti
sq
Vjollca, grua e komunitetit ashkali, nënë e katër fëmijëve, deri dy vite më parë nuk kishte ndonjë profesion. Ajo mundohej t’i rriste fëmijët e saj me mund e me djersë.
Dy vite më parë filloi të punonte dhe të trajnohej si rrobaqepëse në Sa Punë, biznes ku punohet me gratë e komunitetit rom, ashkali dhe egjiptian. Pasi filloi punën si rrobaqepëse, tani, bashkë me një shoqe mundohen t’i trajnojnë gratë e tjera të komunitetit duke u mbledhur një herë në javë në Janjevë.
“E kam pasur shumë në qejf shkollën”, thotë ajo, duke shtuar se pasi mbaroi klasën e tetë, u detyrua ta linte shkollën pas një helmimi masiv të nxënësve në shkollat e Kosovës. “Tash i angazhoj fëmijët që të mësojnë”, shton ajo, duke treguar se si shpeshherë kur fëmijët i kërkojnë rroba të reja apo çanta e fletore, ndihet në siklet kur nuk mund t’ua plotësojë kërkesat.
sq
Ndonëse ka vullnet të fortë për punën, ajo thotë se të ardhurat nuk i mjaftojnë për ta mbajtur familjen. E megjithatë nuk heq dorë dhe vazhdon të përpiqet. Çdo të mërkurë ajo është në Janjevë pranë grave të tjera, e çdo ditë tjetër pune qepë çanta, dekorime, prodhon sapuna në shtëpinë e saj, me shpresë që do të vijë dikush për t’i blerë.
sq
sq
Mimoza Gavrani e sheh me një sy tjetër ndarjen e komuniteteve dhe identifikimin si pjesë e një komuniteti të caktuar.
E shkolluar dhe me ambicie për të ardhmen, ajo tregon rrugëtimin e vet, që sipas saj ishte më ndryshe se i vajzave tjera të komunitetit rom, të cilit ajo i përket. Tani ajo është pjesëtare aktive e shoqërisë civile dhe aktiviste e të drejtave të njeriut dhe të drejtave të komuniteteve në veçanti. Ajo drejton Grupin Kosovar për Avokim, një think tank që ka për qëllim të avokojë për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian përmes hulumtimeve, analizave dhe prezencës mediale.
sq
Kur e pyeta nëse e sheh veten duke hyrë ndonjëherë në politikë, i shkoi buza në gaz e pastaj më tha: “Nuk e di, nuk mund të them jo. Por, nëse do të arrija rezultate më të vogla se sa në shoqëri civile, pra këtu ku jam, nuk do të shkoja”.
Ajo është rritur në Gjakovë, e rrethuar nga komuniteti shqiptar, dhe e flet shqipen si gjuhë të parë. “Ende ekziston ajo piktura klishe që gratë e këtyre komuniteteve janë duke kërkuar lëmoshë në rrugë”, thotë ajo. “Imazhi i komuniteteve rom, ashkali e egjiptian duhet të ndryshojë.”
Me qasje liberale ndaj politikës, ajo beson që është e rëndësishme të ketë qasje të barabartë dhe gjithëpërfshirje, e sidomos për vajzat e këtyre komuniteteve. Por ajo thotë se gratë dhe vajzat e komuniteteve po përdoren si numra dhe si emra nga partitë politike, e kur vjen puna te vendimmarrja apo pozitat aktuale, atëherë ka ndryshim të planeve.
Mimoza citon Shirley Chisholm, gruan e parë me ngjyrë të zgjedhur në Kongresin Amerikan: “nëse nuk e ke karrigen në një tavolinë të rëndësishme, sjell karrigen me vete”.
sq
Një njërën prej rrugicave të lagjes së ashkalive në Sallahane të Ferizajt, pak para perëndimit të diellit, djem e vajza të reja po luanin futboll.
U afrova t’i vështroja, e fillova bisedën me ta. Më tregonin për shkollën e ankoheshin se nuk kishin ndonjë fushë ku të luanin futboll. “Çka don të bëhesh kur të rritesh?”, e pyeta njërën nga vajzat e vogla. “Asi që i grah aeroplanit”, më tha. “Ah, pilote”. “Po!”, briti me ngazëllim.
E ndërsa ëndrrat e këtyre vajzave të vogla, që lozin në rrugën me pluhur të lagjes, janë të prekin qiellin, shume prej tyre e këpusin herët këtë ëndërr, dhe me përulësi respektojnë dëshirën e prindërve të tyre dhe normën shoqërore për t’u martuar. Duhet edhe më shumë punë e përkushtim institucional e shoqëror që këto ëndrra të vajzave të vogla të bëhen mundësi reale.
sq
*Shënim i redaksisë: Emrat e të miturve janë ndryshuar për të mbrojtur identitetin e tyre.
Redaktuar nga Ferdi Limani.
Redaktim shtesë: Tringë Sokoli.
Ky artikull është shkruar si pjesë e ciklit të dytë të programit të bursave për gazetari në fushën e të drejtave të njeriut, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, bashkëfinancuar nga projekti ‘Mbështetja e Luksemburgut për shoqërinë civile në Kosovë’, i financuar nga Qeveria e Dukës së Madh të Luksemburgut dhe i menaxhuar nga Fondacioni Kosovar për Shoqëri Civile (KCSF), si dhe nga National Endowment for Democracy (NED). Ky program realizohet nga Kosovo 2.0, në bashkëpunim me Qendrën Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) dhe Qendrën për Liri dhe Barazi (CEL).
Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0, CEL dhe QKSGJ dhe në asnjë mënyrë nuk mund të paraqes pikëpamjet e donatorëve.