Rruazat, që bien në sy përqark lëkurës së thatë të qafës, Behxhet Igrishta, 70-vjeçar, i përdorë si tespihe. Me to, mëngjes e mbrëmje lutet të ketë me çka ta ngopë barkun, në dhomën e tij të vjetër në shtëpinë e vogël skaj një rrugice në Obiliq.
Në katin e dytë të së njëjtës shtëpi, jeton djali i tij, teksa Behxheti, jeton i vetëm. Dhomën e tij në qoshen e katit të parë të shtëpisë e quan “katastrofhane”. Dhoma është e mbushur përplot gjësende të vjetra të papërdorshme, ku ka edhe një televizor. “Të prishtë e kam”, thotë ai. “Veç nja [kanal] bon.” Behxheti aty qan hallet dhe fajëson qeveritë ndër vite që nuk po bëjnë asgjë që t’ia rrisin pensionin mujor.
Me 100 euro të pensionit nuk mund ta përthekojë muajin: “Pasha Zotin për bukë qysh muj ngihna ditën”, thotë ai, teksa tregon që kur nuk i sjell ushqim i biri, shpeshherë ditën e çon me një vezë të zier, ose fërgon vaj në fultere, ku e ngjyen më pas bukën. Nuk e mban mend kur është hera e fundit që ka blerë rroba të reja. Veshur mban një bluzë të vjetër me vija, të cilën nuk e din kush ia ka dhënë para shumë vitesh.
Me duart e rrudhura mundohet të kujdeset për oborrin e vogël të mbushur me rroba e dërrasa të dëmtuara. Ai nuk ankohet që punon. I pëlqen të kujdeset për oborrin e edhe dëshiron të ketë mundësi të dalë ndonjëherë me shokë në Obiliq ose Prishtinë. Varfëria ia ka mbyllur derën e shtëpisë, sa që nuk mund as ta kalojë pleqërinë të paktën nën shoqërinë e kohanikëve të vet.
“Unë kom pas qef me më pritë pleqnia mirë edhe me pasë kush ma qet ni copë bukë. Kom mendu gjithë me shku jashtë në Gjermani e hala mendoj, po s’ka kush më merr, që bile ni pension ma të mirë me pas. Me rrnu atje në pleqni”, thotë Behxheti.
Behxheti ka punuar më shumë se 20 vite, deri para luftës në Kosovë, në minierën e thëngjillit në qytezën Aleksinac në zonën e Nishit. Gjatë bartjes së qymyrit në punën e tij në minierë, Behxheti ka prerë njërin gisht dhe ka lënduar mjekrrën, plagë e cila ende shihen mbi lugjet e fytyrës së tij. Por, meqë nuk arrin ta dëshmojë përvojën e punës për të marrë pension më të lartë, ai merr vetëm pensionin bazë prej 100 eurosh. Të paktën, mendon ai, do duhej ta ketë një pension që ia njeh dinjitetin, e jo ta priste pleqërinë i ngujuar në skamje.
Si Behxheti, 100 euro pension bazë i marrin edhe rreth 150,000 pensionistë të tjerë që kanë mbushur moshën 65-vjeçare. Behxheti, ndërkohë, është një prej 70,000 pensionistëve që kanë mbetur me 100 euro pension për shkak se nuk i kanë pasur apo nuk kanë mund t’i dëshmojnë vitet e nevojshme të përvojës së punës para vitit 1999 për ta marrë pensionin kontributpagues, i cili është prej 182 deri në 265 euro.
Ndonëse 100 euro janë të pamjaftueshme për t’i mbuluar shpenzimet themelore si ushqimi, ilaçet, e për t’i plotësuar dëshirat e pleqërisë, shpenzimet buxhetore në baza mujore e kanë stërngarkuar dhe bërë të paqëndrueshëm buxhetin shtetëror. Përpjekjet dhe premtimet ndër vite për një reformim të sistemit pensional kanë dështuar.
“Çka me ba me 100 euro?”
Sistemi pensional i Kosovës është gati dy dekada i vjetër. Ndryshe nga vendet e tjera, pas shpërbërjes së ish-Jugosllavisë, Kosova ndërtoi një sistem të përqendruar në shtyllën universale të pensioneve bazë dhe të ardhurave të lidhura individuale. Në kohën e ish-Jugosllavisë, edhe Kosova funksionoi me sistemin jugosllav të pensioneve, i cili operonte sipas skemës pay-as-you-go apo siç njihet si skema e solidaritetit mes gjeneratave.
Sipas kësaj skeme, nga paga mujore, punëtorët jepnin kontribute në fondin e pensioneve dhe ato kontribute qarkullonin për të paguar pensionistët e asaj kohe. Ashtu kontribuoi edhe Behxheti. Kur të pensionoheshin punëtorët e atëhershëm, pensionet e tyre do të paguheshin nga punëtorët aktual në tregun e punës. Kështu, buxheti shtetëror nuk e kishte barrën financiare të mbulimit të pensioneve.
Por, në vitin 1989 kur Serbia ia hoqi Kosovës autonominë dhe filloi vendosjen e masave të dhunshme, punëtorët shqiptarë u larguan dhunshëm nga puna. Pas luftës, Kosova mbeti pa sistem pensional dhe kontributet e punëtorëve si Behxheti në fondin pensional humbën bashkë me mijëra dokumente, që do të dëshmonin përvojën e tyre të punës, duke u siguruar një pension më të lartë pas moshës 65-vjeçare.
Prej vitit 1999 deri në vitin 2002, misioni mbikqyrës i Kombeve të Bashkuara në Kosovë, UNMIK, si administrues i përkohshëm i Kosovës, nisi një program të ndihmës sociale që përfshinte shuma mujore prej 25 eurosh për disa kategori varësisht nga nevojat e tyre, përfshirë të moshuarit mbi moshën 65-vjeçare. Ky program shërbeu si pikënisje për ndërtimin e sistemit pensional, në ndërtimin e të cilit kontribuuan disa organizata ndërkombëtare si Organizata Ndërkombëtare e Punës (ILO), e cila është agjenci e Kombeve të Bashkuara dhe është e mandatuar për arritjen e drejtësisë ekonomike dhe sociale me vendosjen e standardeve ndërkombëtare të punës.
Sistemi i ri u bazua mbi tri shtylla: shtylla e parë përbëhet nga një pension bazë i pleqërisë dhe universal. Për ta marrë këtë pension, mjafton që përfituesi të jetë 65 vjeç e tutje dhe shtetas i Kosovës. Ky lloj pensioni shërben si një përfitim social universal për t’i mbrojtur qytetarët mbi 65 vjeç nga varfëria, pavarësisht përvojës së tyre në punë. Në këtë shtyllë hyri edhe pensioni i personave me aftësi të kufizuara, që është pension mujor për shtetasit e Kosovës, nga 18 deri në 65 vjeç, të cilët dëshmojnë se nuk janë të aftë për punë. Kjo shtyllë financohet nga buxheti shtetëror.
Shtylla e dytë është pensioni i obligueshëm, me kontribute të përcaktuara nga kursimi, ku të gjithë banorët e Kosovës kontribuojnë me 5% nga paga bruto dhe një kontribut prej 5% nga punëdhënësit. Ndërsa, shtylla e tretë parasheh pensione shtesë apo vullnetare. Përfitimet nga këto dy shtylla, të gjithë të pensionuarit i marrin si shumë shtesë mbi pensionin bazik deri në shpenzimin e tyre.
Nga 25 euro në vitin 2002, pensioni bazë ka lëvizur ndër vite në 50, 70, 95 e së fundmi në 100 euro. Edhe pse rritja e fundit është bërë në vitin 2021, vlera e parasë ka rënë për shkak të rritjes së çmimeve në shkallë globale, që ka ndikuar në shtrenjtimin e energjisë elektrike, ushqimit, e ilaçeve — nevojat bazë të të moshuarve.
Pensioni 100 eurosh është i pamjaftueshëm edhe për Fetije Pecin, 80-vjeçare, e cila jeton vetëm në qytetin e Vushtrrisë.
Teksa përshkon duke çaluar rrugët e qytetit të Vushtrrisë për të blerë bukë, thotë: “Çka me ba me 100 euro? Ni najllon e mush edhe kurgjo tjetër”.
Qe shtatë vjet, ajo jeton në një banesë të vogël që e ka blerë nga shitja e shtëpisë në të cilën kishte jetuar me bashkëshortin. Me vetëm 100 euro pension mujor, nuk pati para që ta mobilojë banesën vetë, por e mbushi me gjëra të dhuruara nga të tjerët dhe shoqatat. Por, ende i mungojnë disa gjëra themelore si shporeti, frizi e fshesa elektrike. Banesa e Fetijes është e ftohtë edhe në mes të shtatorit të këtij viti, i cili u përshkua nga temperatura të larta.
Me duart e plakura me të cilat tërë jetën Fetija ka gatuar e qëndisur fustane për fëmijë, e rrokullis gurin e një shkrepseje të kuqe me të cilën ndez plinin e vogël të gjelbër për të vluar dy kafe turke. Në qoshe të dhomës qëndron një tupan e një shporet elektrik i prishur. Pos këtyre, në strehën e saj nuk ka asgjë tjetër për t’u ngrohur. “Që nin që u djegë naj banesë n’Vushtrri dimnit e u dek nji plakë, dije që unë jom qajo”, thotë Fetija teksa frikësohet që në dimër nuk do të ketë qysh të ngrohet. Dimrat e kaluar atë e kishin zënë të mbështjellur me një batanije, e herë-herë me një ngrohëse të vogël.
“Unë 200 euro me i pas boll m’dalin, se dimrit e kam shumë keq se qysh mu nxe, se kush hin më vet qysh po mun me nejt, po unë gjithë me jorgan pshtjellna”, thotë ajo.
Para katër muajsh, ajo ka lënduar njërën këmbë dhe shpinën në një aksident trafiku. Numri i barnave që i duhen është shtuar, bashkë me shqetësimin se sa para duhet të shtojë që t’i blejë barnat tjera, që i duheshin para aksidentit. Në barnatoren afër banesës së saj, Fetija i ka marrë borxh barnat me vlerë rreth 30 eurosh, të cilat nga pamundësia t’i paguajë të gjitha përnjëherë, i paguan “me rata” për tre muaj. Në muajin e fundit të borxhit, Fetija nuk ka blerë më lëmsha. Nga pensioni i saj i ka ruajtur 13 euro që t’i shtojë te kursimet e saj për të paguar 16 eurot e fundit të borxhit. Nga 100 euro, nuk i kanë mbetur as pesë euro, pasi ato i ndan për shpenzimet për energjinë elektrike, ashensorin, ujin, ushqimin e ilaçet.
Sistemit pensional në Kosovë i mungon ndërlidhja proporcionale mes standardit të jetës dhe pensionit. Pensioni supozohet ta reflektojë shkallën e inflacionit dhe të rritet përkitazi me të që shuma e pensionit bazë të jetë e mjaftueshme për ta mbuluar çmimin e shportës mujore. Kjo e fundit shërben për të vlerësuar se sa kushtojnë produktet bazike që i duhen një individi për ta kaluar muajin. Sipas matjes së fundit në vitin 2017, që s’marrin parasysh inflacionin e lartë të vitit 2021 dhe 2022, shporta mujore e një qytetari të Kosovës ka qenë 125 euro e pensionistët vetëm që disa muaj marrin 100 euro.
Në një përgjigje për K2.0, Banka Botërore (BB) tha se sistemi pensional i Kosovës ende nuk ka një qasje të qëndrueshme dhe të koordinuar ndaj indeksimit të pensioneve bazë. Kjo situatë, sipas tyre, ka potencialin për të ulur mjaftueshmërinë e pensionit bazë, duke sjellë rritje të varfërisë te të moshuarit. Për një sistem të qëndrueshëm pensionesh, sipas BB, është e rëndësishme që Qeveria e Kosovës të kujdeset për indeksimin e rregullt të pensioneve bazë, duke pasuar modele të përcaktueshme dhe të drejtpërdrejta, pasi kjo do të siguronte mbrojtjen e pleqërisë nga varfëria dhe do të forconte stabilitetin e buxhetit kombëtar.
“Kur m’merr malli me hangër najsen m’thirrin shoqet. Kur po u mësojshe pa hangër, po t’u bojke shprehi e ma as malli s’po të merrke”, tregon Fetija, të cilës asnjëherë nuk i vjen rasti të blejë diçka për qejfin e saj, por i kalon vaktet e ushqimit vetëm me speca që i pjekë në plin. “A për që blej diçka që më merr malli kurrë jo, harroj që duhet me ble, veç qita bukë e qita ujë edhe çaj që pi ditë për ditë. Jom mësu tash”, thotë ajo.
Fetija ka punuar kuzhiniere për 15 vite në ndërmarrjen shoqërore “Ushqimi Shoqnor” në Mitrovicë para fillimit të luftës në Kosovë. Njëjtë si Behxheti, as ajo nuk ka arritur ta dëshmojë përvojën e punës për të marrë pension shtesë. Ajo ende po përpiqet t’i gjej disa dokumente në Arkiv të Mitrovicës që ia vërtetojnë punën, por shumica prej tyre i janë djegur gjatë luftës.
Të neglizhuar institucionalisht
Feriz Ramadani, 89-vjeçar dhe Mehreme Ramadani, 61-vjeçare, të sfilitur nga skamja, rrinin ulur brenda një dhome të gllabëruar nga myku në Kolovicë të Prishtinës. Ishte ora 14:33 e ata ende nuk kishin përtypur kafshatë buke. Përgjatë 40 minutave sa shikonin një serial turk, lotët nuk u ndaheshin. Të dy mbijetojnë me vetëm 100 eurot e Ferizit. “Vallahin na kanë nihmu hallku se na unti ishim dekë dytë. Po çfartë s’po na del ky pension as për ilaçe nuk na del.”
Ilaçet e Mehremes kushtojnë rreth 50 euro. Ajo ka dy vite që nuk ka dalë në oborr për shkak të komplikimeve nga sëmundja e diabetit, që ia ka vështirësuar ecjen. Meqë ajo nuk merr asnjë pension, 100 eurot e moshës që i takojnë burrit të saj i ndajnë mes insulinës së saj dhe supës së pasdites së vonë. Shtrati i dhomës së ditës ku ajo fle gjumë rri mbushur me plot lecka të lagura të ripërdorura për të freskuar shputat e këmbëve të sëmura.
Për 10 vite ata kanë ndërruar tri vendbanime, e tash jetojnë me qera në një shtëpi një-dhomëshe. Meqë ata nuk marrin asnjë ndihmë tjetër pos pensionit, e vetmja ndihmë janë kontrollet mjekësore në shtëpi për Mehremen nga organizatat humanitare si Kryqi i Kuq.
Ferizi para se të dalë në pension ka punuar si rojtar në depo të ndryshme nëpër Prishtinë. Por, ai nuk ka asnjë dokument që ia vërteton përvojën e punës sepse ka punuar pa kontratë, andaj s’mund të marrë ndonjë shumë shtesë pos pensionit bazik. Pesë fëmijët e tij nuk jetojnë me të e Ferizi thotë që ndihmat e vetme që i merr për nevojat elementare janë nga njerëzit vullnetmirë.
“Ni ditë hina me hangër bukë, ni djalë i ri ‘se kom njoft ma ka ba ‘ulu axh qiknej’ edhe i tha ‘pruni çka t’don’. I kena pi ka dy çaja. Pasha qit tervesë m’tha ‘sa t’bahen qito ilaçe t’grusë’, mi ka pagu edhe autobusin. Edhe m’i ka jep 100 euro e kush osht ai s’di”, tregon Ferizi.
Me qejf, Ferizi e Mehremja do kishin jetuar në një shtëpi të pleqëve, nëse ua paguan ndonjë organizatë humanitare ose u mundësohet nga qeveria. Gjendja e tyre është e rënduar sa që më nuk mund të kujdesen as për njëri-tjetrin. Edhe pse Ferizi mundohet sadopak që të kujdeset për bashkëshorten e tij, e cila nuk mund të vendos asnjë hap jashtë, barra e moshës ia ka lodhur krahët edhe atij.
Në Kosovë operojnë katër shtëpi të të moshuarve të financuara nga buxheti shtetëror. Ndërkaq, 25 tjera janë private, sipas një raporti të vitit 2018 nga Iniciativa Kosovare për Stabilitet, institut i pavarur kërkimor. Këto qendra nuk janë të mjaftueshme për t’i përmbushur kërkesat.
Bashkë me pamjaftueshmërinë e qendrave publike, mungojnë edhe vendet e posaçme në të cilat pensionerët do të kishin mundësi të shoqëroheshin apo të kenë aktivitete veçmas për ta. Përpos disa pikëtakimeve për ndonjë lojë shahu, rrallë ekzistojnë vende tjera.
Ndërkohë, politikat sociale për t’i bërë të moshuarit më aktivë në shoqëri mungojnë. Mbrojtja sociale nga shteti është shtrirë vetëm në ndihmë financiare që pensionerët marrin në fund të muajit, të cilën atyre u duhet ta ndajnë për gjëra elementare. Socializimi është shndërruar në luks për ta.
Për sociologun dhe hulumtuesin e politikave sociale, Artan Mustafa, socializimi i të moshuarve nuk mund të kuptohet thjesht nga mungesa e hapësirave specifike për ta, por edhe nga ndikimi që kanë të ardhurat e ulta nga sistemi pensional, joefektshmëria dhe josolidariteti në financimin e atyre pensioneve, investimi i vogël në kujdesin shëndetësor publik dhe në rritjen e të mirave publike si parqet, hapësirat e ecjes dhe sportit.
Teksa analizon këtë strukturë pensionale të paorganizuar mirë të politikave sociale të dedikuara për më të moshuarit, Artani vlerëson që bie vlera edhe e pensionit të vogël 100 eurosh. Për këtë fajëson ideologjinë neoliberale që ka mundësuar që politika sociale të prioritizojë vetëm mbrojtjen nga varfëria ekstreme dhe qëndrueshmërinë e financave publike.
Duke i bërë të gjitha këto shkaqe me një vend, Artani thotë që këto të drejta nuk janë dizajnuar dhe “nuk përkrahin me prioritet qëllime tjera legjitime si kënaqshmëria me jetesën, jetëgjatësia, besimi ndërnjerëzor dhe ndaj institucioneve, gjallëria e aktivitetit dhe socializimit”.
Pagesat e ulëta mujore për 75% e të moshuarve që marrin vetëm pensionin bazik, zvogëlojnë benefitet edhe ashtu të ulëta, pastaj zvogëlojnë kapacitetin e pensioneve për të reduktuar varfërinë në mesin e më të vjetërve. Në këtë kuptim, Artani thotë që empirikisht, të ardhurat pensionale në Kosovë kanë kapacitetin më të ulët në Ballkanin Perëndimor për të reduktuar varfërinë.
Pensioni bazik, si i tillë, është i vetmi në Evropë (përfshirë Britaninë e Madhe dhe Ballkanin Perëndimor), megjithatë nuk shoqërohet me përfitime tjera që të lehtësojnë jetën e të moshuarve dhe që t’ua bëjnë jetën më aktive, siç ndodh në shtete tjera.
Në vitin 2017, përqindja e njerëzve të moshës 75 vjeçe ose më shumë që shpenzojnë të paktën tri orë në javë në aktivitet fizik arriti kulmin në 71,8 % në Estoni. Ndërsa, sipas një raporti të Eurostat, pesë shtete të tjera anëtare të Bashkimit Evropian (BE) ku më shumë se gjysma e kësaj grupmoshe kaloi të paktën tri orë në javë me aktivitete fizike janë Danimarka, Gjermania, Holanda, Sllovakia dhe Suedia.
Në vitin 2015, rreth 15,5% e popullsisë së rritur të BE ishin mbledhur me miqtë në baza ditore. Ndërsa, pothuajse një e dhjeta (9.3%) e të moshuarve të BE të moshës 75 vjeç ose më shumë, nuk arritën të takoheshin me miqtë e tyre brenda 12 muajve para se të kryhej anketa.
Kosova nuk është pjesë e BE, rrjedhimisht nuk është pjesë e kësaj ankete. Megjithatë, gjatë kësaj kohe, në Kosovë nuk pati lëvizje frytdhënëse në politikat për pensionerët.
Pos rritjes së pensionit bazik në 100 euro, i vetmi ndryshim ndodhi më 6 korrik 2023 kur Qeveria e Kosovës bëri ndryshime në Ligjin për Skemat Pensionale. Në vitin 2014, kur Kuvendi i Kosovës miratoi Ligjin për Skema Pensionale, qytetarët që kishin mbushur 65 vjeç dhe mund të dëshmonin se i kanë 15 vite të plota përvojë pune deri para vitit 1999, mund ta merrnin pensionin kontributpagues prej 180 deri në 265 euro, në bazë të kualifikimit shkollor. Ata që kishin 14 vjet e 364 ditë përvojë pune nuk kualifikoheshin për këtë pension dhe merrnin vetëm atë bazë prej 100 euro.
Ndryshimi i Ligjit më 6 korrik ua mundësoi pensionin kontributpagues edhe ish-punëtorëve që u larguan nga puna në mënyrë të dhunshme në vitet e ‘90-a dhe nuk i kishin mbushur 15 vjet përvojë pune për këtë shkak. Gjykata Kushtetuese konstatoi se neni që lejonte këtë diskriminonte rreth 74,000 pensionistë.
Por, ky ndryshim ngarkon edhe më tej buxhetin shtetëror, i cili gjatë vitit 2023 ishte 3.5 miliardë euro. Nga ky buxhet, 600 milionë euro në vit që përbën 17% të buxhetit shtetëror vjetor, ndahen për t’i mbuluar shpenzimet e skemave pensionale.
Njohësi i fushës së pensioneve, i cili punon hulumtues në organizatën joqeveritare Democracy Plus, Selatin Kllokoqi, thotë se urgjenca për reformim është e madhe sepse një ndryshim rrënjësor do të mundësonte që secili ta marrë “hakun e vet”. Padrejtësinë më të madhe e vë në pah për kontributpaguesit para luftës, të cilët të gjithë në një formë ose në tjetrën kanë kontribuuar në vendin që kanë jetuar qoftë edhe nën ombrellën e Jugosllavisë.
Por, ai kërkon që reforma rrënjësore ta adresojë dhe qartësojë sistemin pensional në tërësi, posaçërisht në relacion me skemat pensionale.
Ndonëse në vitin 2002, shtylla e parë u përbë vetëm nga dy skema: pensioni i moshës dhe ai për aftësi të kufizuar, deri në vitin 2023, kësaj shtylle iu shtuan edhe 10 skema tjera, si pensioni për persona të verbër e pensioni për veteranët e luftës.
“Kështu që është tu shku në një rrugë pa kry se është një sistem ad hoc, secili në një moment të caktum për interesa të ndryshme është shpikë një skemë, ia plotëson dëshirën një grupi të caktum pensionistash ndoshta për qëllim të mirë ndoshta veç për vota”, thotë Selatini. “Por në fund të fundit e kemi një sistem që nuk e kupton askush e që [nga i cili] paguhen ma shumë se 300 milionë euro”.
Nga janari e deri në korrik 2023, sipas raportit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK), Kosova ka shpenzuar mbi 305 milionë euro në përkrahje financiare për personat e pensionuar dhe për ata që u takojnë skemave të ndryshme sociale. Më së shumti para janë shpenzuar për pagesat ndaj personave që kanë dalë në pension moshor, rreth 106 milionë euro.
Pensionet përbëjnë pjesën më të madhe të shpenzimeve për mbrojtjen sociale në Ballkanin Perëndimor, por produktiviteti dhe punësimi i ulët, bashkë me plakjen e popullsisë dhe emigracionin, rrezikojnë qëndrueshmërinë financiare të këtyre sistemeve, sipas një raporti të BB në vitin 2023.
Sipas Selatinit, ndonëse periudha e viteve të ‘90-a i ka pasojat e veta në konsolidimin e sistemit pensional, kjo nuk e arsyeton mosgjetjen e një zgjidhjeje nga institucionet shtetërore për kaq gjatë.
Ndër vite, janë punuar dokumente nga ministritë përkatëse që synojnë reformimin e sistemit pensional, por asnjëri nuk është miratuar.
Dy koncept dokumente, njëri i hartuar nga Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) tashmë e shkrirë në Ministri të Financave, Punës dhe Transfereve (MFPT) në vitin 2018 dhe tjetri nga Komisioni Parlamentar ad hoc, i themeluar në vitin 2019 për reformën pensionale, kanë mbetur në sirtar për shkak të ndërrimit të qeverive apo refuzimit të koncept-dokumenteve nga institucionet gjegjëse.
Koncept-dokumenti i MPMS parashihte që të bëhet një reformim i skemës pensionale duke themeluar Fondin për Sigurime Sociale (FSS). Me këtë ndryshim, pensionet e shtyllës së parë do të menaxhoheshin nga FSS, e jo nga financimi direkt nga buxheti shtetëror. Qëllimi i këtij dokumenti është që të rritet solidariteti shoqëror, pasi personat që punojnë do të marrin pension kontributpagues gjatë tërë jetës, e jo si deri më tani vetëm mjetet e kursyera në fondin pensional të shtyllës së dytë dhe më pas të bien tërësisht në shtyllën e parë të pensionit bazë.
Edhe me koncept-dokumentin e Komisionit Parlamentar, parashihet të formohet FSS dhe që mbrojtja sociale e Kosovës t’i ketë katër shtylla dhe do të fillojë t’u ngjajë shteteve të Evropës ku financimi bëhet në kombinim të katër burimeve — buxhetit shtetëror, sigurimeve sociale dhe kursimeve e sigurimeve në treg.
Në bazë të përllogaritjeve në këtë koncept-dokument, kjo reformë deri në vitin 2032 do t’i kursente rreth 150 deri në 250 milionë euro. Pa reformë në sistemin pensional, buxheti shtetëror shpenzon prej 631 deri në 730 milionë euro, ndësa me reformën do t’i ulte shpenzimet në rreth 482 milionë euro.
Por, në MFPT po planifikojnë sërish rritje. Sipas Blerim Hasanit, drejtor për Pensione në MFPT, ata do ta propozojnë rritjen e radhës gjatë këtij viti për ta përfshirë në buxhetin e vitit të ardhshëm.
Megjithatë, Selatini duke u bazuar në hulumtimet që ka bërë në këtë fushë, thotë që pensioni 100 euro nuk ka logjikë të rritet nëse nuk rritet paga minimale, pavarësisht që është i pamjaftueshëm. Sipas tij, duhet të ketë një burim që të mundësohet rritja e pensionit dhe standardit të jetës.
“Qysh me ia jep dikujt 200 euro që kurrë nuk ka punu, baras me dikë që punon tetë orë e mban fëmijë e i ka 130 euro rrogë?”, thotë Selatini. “Nuk mundemi në mënyrë artificiale me rritë standardin, se standardi i përgjithshëm rritet me punë, me zhvillim ekonomik. Sipas Selatinit nëse vetëm 20 euro rritet pensioni i moshës, buxhetit shtetëror do t’i kushtojë përreth 36 milionë më shumë.
Pensioni prej 100 euro qëndron në rreth 20% të pagës mesatare në Kosovë, e cila është e ngjashme me nivelin e pensionit minimal ose përfitimit social minimal të garantuar në vendet e BE dhe Ballkanin Perëndimor dhe rritet varësisht nga rritja e pagës minimale. Sipas të dhënave të ASK, paga mesatare në Kosovë është 521 euro.
Paga minimale ka qenë pjesë e debatit publik dhe premtimeve elektorale të partive të ndryshme ndër vite. Prej vitit 2011 kur u caktua për të parën herë, paga minimale prej 130 deri në 170 euro vazhdon të jetë më e ulëta në Evropë.
Një prej arsyeve pse nuk është rritur deri tash është se në projektligjet e viteve të kaluara, paga minimale ndërlidhej edhe me pensionet që i marrin rreth 60,000 veteranë të luftës. Nëse do të rritej paga minimale, do të rriteshin edhe shpenzimet buxhetore për t’i mbuluar pensionet e kësaj kategorie. Banka Botërore e kishte kundërshtuar vazhdimisht këtë ndërlidhje.
Më 13 korrik të këtij viti u miratua në lexim të dytë projektligji që parasheh rritjen e pagës minimale në 264 euro bruto. Por, në këtë projektligj nuk u parapa që me automatizëm kjo t’i rriste edhe pensionet e veteranëve të luftës, çka bëri që veteranët të protestojnë disa herë para qeverisë. Partia opozitare, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, e dërgoi në Gjykatën Kushtetuese këtë projektligj.
Megjithatë, është e paqartë se si rritja e pagës minimale do të ndikojë në rritjen e pensioneve meqë të gjitha rritjet e mëhershme të pensioneve janë bërë ad hoc, pa ndonjë ndërlidhje të drejtpërdrejtë me pagën minimale.
Hëpërhë ishin edhe pakot e përkohshme të qeverisë së Kosovës gjatë viteve 2021 dhe 2022, kur situata ekonomike u rëndua për shkak të pandemisë COVID-19 dhe më pas inflacionit.
Pos rritjes së pensionit në 100 euro, pensionistët përfituan tre herë nga 100 euro shtesë gjatë këtyre periudhave. Por, këto pako ofruan vetëm lehtësim të përkohshmëm.
Sipas Suzana Gashit, drejtore në Departamentin për Çështje Ligjore dhe Departamentit për Mbrojtje nga Diskriminimi ne Zyrën e Avokatit të Popullit, më e duhur do ishte një asistencë mesatare e qëndrueshme, “sesa kështu [mjetet] që shpërndahen e efekti nuk vërehet”.
Sipas Suzanës, megjithëse rritja e pensioneve dhe vetë pensionet janë çështje të të drejtave të njeriut, prapë janë mundësitë buxhetore ato që vendosin nëse rritja mund të ndodhë.
Ekspertët e BB kanë tërhequr vëmendjen në faktin se, krahasuar me vendet e tjera evropiane, pjesa e shpenzimeve publike për pensionet në Kosovë në raport me Bruto Prodhimin Vendor (BPV) është relativisht e ulët (rreth 7% prej nga 2% janë për skemat e pasojave të luftës). Megjithatë, pavarësisht kësaj krahasimi, ky nivel i shpenzimeve përbën një pjesë të konsiderueshme të buxhetit, duke sjellë rrezikun e mundshëm fiskal. Në këtë vit, BPV është është 2.02%.
Në kontekstin e sfidave të vazhdueshme që paraqet rritja e nivelit të pensioneve në Kosovë, më e rëndësishmja konsiderohet të shqyrtohen me kujdes ndikimet financiare dhe sociale të kësaj rritjeje. Ky debat sjell në vëmendje tensionin midis përmirësimeve të nevojshme të kushteve të pensioneve dhe sfidave të përkthimit të tyre në stabilitetin e buxhetit kombëtar.
Kryetari i Shoqatës së Pensionerëve, Njazi Gashi, ishte rreth 40 vjeç në vitet e ‘90-a. Prej atëherë, sistemi pensional ka ndryshuar aq rrënjësisht, sa që ai po e ka problem ta kuptojë sistemin aktual. “Nuk të duhet të jesh njohës i mirë i matematikës që të bësh hesape të vogla”, thotë 68-vjeçari, pasi, sipas tij, me një llogaritje të thjeshtë shihet qartazi që me 100 euro nuk ka asnjë mundësi reale të jetohet dinjitetshëm për një muaj.
“Sa më i moshuar të jesh, shpenzimet i ke më të mëdha, se sigurisht që ai/ajo ka nevojë për konsumimin e shumë barnave,” thotë Njaziu, sipas të cilit diku rreth 30 deri në 35 euro është mesatarja e çmimit të barnave për pensionistët. Prej 100 euro mbesin 65 për shpenzime tjera. Një burek me një jogurt kushton një euro e gjysmë. Nëse çdo ditë pensioneri ushqehet me nga një burek me një jogurt për një muaj, i kushton 45 euro apo gati gjysma e pensionit mujor.
“E dinjitet me 100 euro nuk mundesh me pasë, kur nuk mundesh as një kafe një euro me pagu me shokë. Nuk mundemi më folë për dinjitet kur nuk je as zero me dinjitet, je nën atë, je në pozitë të nënçmuar”, thotë Njaziu.
Imazhi i ballinës: Qëndresa Kastrati.
Ky artikull është pjesë e projektit “Human Rightivism”, i cili financohet nga Ambasada e Suedisë në Prishtinë, që zbatohet nga Fondi për Zhvillimin e Komunitetit përmes Programit të saj Human Rightivism. Pikëpamjet e shprehura në këtë aktivitet nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht pikëpamjet e Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.