Pikëpamje | sistemi pensional

Ndryshimi i vonë në skemat pensionale

Nga - 07.07.2023

Mbi 70,000 pensionistë u diskriminuan me vite.

Në programin qeverisës, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) premtonte reformë të thellë për skemat pensionale dhe sociale. Me këtë program, LVV kishte garuar në dy zgjedhjet e fundit të përgjithshme, në vitin 2019 dhe 2021. Programi synonte ndërtimin e një sistemi pensional të qëndrueshëm, solidar dhe të barabartë, që garanton pensione stabile dhe të mjaftueshme për gjeneratat e ardhshme, por në të njëjtën kohë përkujdeset për pensionistët ekzistues.

Një propozim i hollësishëm i këtyre reformave ishte dhënë edhe në Alternativën Qeverisëse të kësaj partie në vitin 2013, kur kishte më pak se 15% të fuqisë elektorale. Por, kur në vitin 2021, LVV mori 51% të votave të përgjithshme, reformës pensionale dhe sociale i kushtoi vetëm një faqe në Programin e Qeverisë për vitin 2021-2025. 

Reforma do të jetësohej përmes projektligjit të ri për skemat pensionale, që ishte planifikuar të bëhej në vitin 2021, por nuk u procedua për miratim në qeveri. I njëjti projektligj u planifikua edhe për vitin 2022, por nuk u procedua as atë vit. 

Ndërkohë, në dhjetor të vitit të kaluar, Gjykata Kushtetuese shfuqizoi një dispozitë të Ligjit në fuqi për Skemat Pensionale — përkatësisht paragrafin 2 të nenit 8 të këtij ligji. Kjo dispozitë, në mënyrë diskriminuese, ua ndaloi mijëra qytetarëve, të cilët nuk e përmbushin kriterin e përvojës së punës prej 15 vitesh para janarit të vitit 1999 ta marrin pensionin kontributdhënës. Atyre u lejohej vetëm pensioni i moshës. Vendimi i Gjykatës Kushtetuese erdhi pas kërkesës së Gjykatës Supreme, ku kishte ngritur dyshime për kushtetuetshmërinë e kësaj dispozite.

Qeveria e Kosovës dhe Kuvendi i Kosovës e kishin pranuar aktgjykimin për skemat pensionale e bashkë me të edhe dy kërkesa: që të nisin ndryshimet në Ligjin për Skemat Pensionale jo më larg se deri më 15 korrik 2023 dhe ta njoftojnë gjykatën për fillimin e këtyre ndryshimeve. 

Kur një dispozitë ligjore shpallet se nuk është në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me akte të tjera ndërkombëtare, atëherë Gjykata detyron ligjvënësit të korrigjojnë gabimin ashtu siç kërkohet në vendim.

Përkundër që Qeveria ishte në dijeni të këtij aktgjykimi, kur më 25 janar 2023 miratoi Programin Legjislativ për vitin 2023, në të nuk u parapa miratimi i Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Skemat Pensionale, që do ta adresonte kërkesën e Gjykatës Kushtetuese.

Në fund të muajit maj, vetëm në ndryshimin dhe plotësimin e pestë të programit legjislativ për vitin 2023, Qeveria vendosi që miratimi i projektligjit për skemat pensionale të hyjë në agjendën legjislative dhe atë që këto ndryshime të ndodhnin me 30 korrik 2023 — 15 ditë me vonesë. 

Për moszbatimin e aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese, Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, më 21 qershor ftoi në raportim ministrin e Ministrisë së Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati. Ai tha se Projektligji për Skemat Pensionale do të miratohet nga Qeveria e Kosovës brenda muajit qershor dhe i njëjti mund të miratohet dhe të hyjë në fuqi nga Kuvendi para datës 15 korrik 2023. 

Dhjetë ditë para përfundimit të afatit të caktuar nga Gjykata Kushtetuese, në mbledhjen e 5 korrikut, Qeveria e Kosovës miratoi Projektligjin për Skemat Pensionale. Sipas kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, miratimi i këtij projektligji do t’i adresojë pabarazitë disa-vjeçare të mosnjohjes të së drejtës pensionale në skemën e pensionit kontributpagues. 

Për miratimin e projektligjit para 15 korrikut, do të nevojitet procedurë e përshpejtuar në Kuvendin e Kosovës, çka do ta dëmtojë synimin për reformë të thellë pensionale meqë do të shmangen edhe afatet për konsultim publik. Megjithatë, marrë parasysh që ende nuk është thirrur seancë e Kuvendit për miratimin e këtij projektligji, gjasat që ky projektligj të hyjë në fuqi deri më 15 korrik janë të vogla. 

Ndërkohë, deri në miratim të Projektligjit, të drejtat e mijëra pensionistëve do të vazhdojnë të shkelen.

Vonesa e institucioneve mirëmban diskriminimin

Që nga viti 2014, kur është miratuar Ligji për Skemat Pensionale, mijëra pensionistë në Kosovë janë trajtuar në mënyrë të pabarabartë.

Sipas Gjykatës Kushtetuese, përmes paragrafit 2, të Nenit 8 të Ligjit për Skemat Pensionale — Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale, tani Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve (MFTP) ka diskriminuar qytetarët. Asnjë qeveri dhe asnjë legjislaturë, nuk ndërmorën hapa për ta adresuar këtë pabarazi. Në vitin 2018 dhe më pas në vitin 2020, në Kuvend është votuar një rezolutë, që e nga Qeveria e Kosovës të sjellë me urgjencë ndryshimet e njëjta si në aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese. Këto ndryshime nuk ndodhën asnjëherë. U desh të ndërhyjë Gjykata Kushtetuese që një diskriminim i tillë të adresohet.

Sipas nenit tashmë të shfuqizuar nga Gjykata Kushtetuese, një qytetar i Kosovës nuk mund të gëzojë pensionin kontributpagues nëse nuk mund të dëshmojë se ai i ka 15 vite të plota përvojë pune deri para vitit 1999. Ky kriter, i vendosur në ligjin e miratuar nga Kuvendi i Kosovës në vitin 2014, e ka bazën në dy ligje: Ligjin për Sigurimin Pensional Invalidor në Gazetën Zyrtare të Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës dhe me Ligjin federativ të ish-Republikës Federative Socialiste të Jugosllavisë.

Në kohën e miratimit të ligjit nga Kuvendi i Kosovës, ky i fundit nuk pati parasysh se për një kategori të qytetarëve të Kosovës, largimi diskriminues dhe arbitrar nga puna në kohën e instalimit të masave të dhunshme në vitet ‘90 ka qenë shkaku kryesor pse nuk e kanë arritur kohën e stazhit pensional prej 15 viteve. 

Sipas Agjencisë së Statistikave të Kosovës, në Kosovë janë 143,522 shfrytëzues të pensionit bazik të moshës që marrin nga 100 euro në muaj. Ndërsa 48,625 janë pensione kontributpaguese të moshës, të cilët kategorizohen nga 170 deri në 260 euro në muaj, në bazë të përgatitjes shkollore.

Pensionistët që nuk e gëzojnë të drejtën e pensionit kontributdhënës për shkak të paragrafit të shfuqizuar, marrin vetëm pensionin e moshës. Fatkeqësisht, numri i atyre që dëmtohen nga kjo dispozitë ligjore nuk dihet në mungesë të dhënave publike zyrtare. Ministri Murati tha se nga ndryshimi në projektligj, do të përfitojnë afërsisht 74,000 pensionistë.

Përkundër faktit që ministri Murati, në mbledhjen e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere, tha se projektligji do të miratohet brenda muajit qershor, ai u miratua më 5 korrik. Për më shumë, siç duket, ministri Murati nuk e ka parasysh që miratimi i projektligjit fillimisht në Qeveri dhe më tutje në Kuvendin e Kosovës, sipas afatit të rregullt kërkon më shumë se dy muaj kohë. 

Kësisoj, miratimi i një projektligji të tillë do të duhet të bëhet duke i shmangur afatet e parapara me rregulloren e Kuvendit në mënyrë që ligji të hyjë në fuqi sipas kërkesave të Gjykatës Kushtetuese. Përdorimi i shmangies në miratimin e ligjeve nga afatet është kritikuar në Raportin e Progresit për Kosovën për vitin 2022. Një rrethanë tjetër që mund ta ndërlikojë tutje këtë situatë është që Kuvendi i Kosovës përfundon sesionin më 30 korrik, andaj miratimi i këtij projektligji mund të shtyhet deri në shtator. Edhe në rast të miratimit të projektligjit brenda këtij muaji, realizimi i kësaj të drejte për mbi 70,000 pensionistë do të marrë kohë, marrë parasysh se Ministria e Financave duhet ta miratojë një akt nënligjor se si të administrohet procedura në Departamentin për Pensione.

Në anën tjetër, ndonëse miratimi i këtij projektligji është i mirëpritur, duhet pasur parasysh se miratimi i ndryshimeve të tilla, të cilat prekin mijëra persona kërkon dialog të plotë social, dialog i cili nuk ka ndodhur gjatë qeverisjes aktuale. Përfshirja e partnerëve socialë në vendimmarrje për politikat pensionale dhe sociale, përmes negociatave, mund të dërgojë në vendime më efektive. Si rrjedhojë, me miratimin e përshpejtuar, Qeveria e Kosovës nuk do ta respektojë Rregulloren për Standardet Minimale për Procesin e Konsultimit Publik, që përcakton standardet minimale për konsultimin publik, në mes organeve publike, palëve të interesuara dhe publikut, në procesin e hartimit të politikave dhe legjislacionit. 

Për t’i ikur miratimit me procedurë të përshpejtuar e edhe vonesës potenciale, Qeveria e Kosovës do të duhej ta kishte nisur punën shumë më herët — pra të kryheshin të gjitha procedurat në kohë, sipas kërkesës së Gjykatës Kushtetuese dhe projektligji të miratohej sipas procedurës së rregullt. 

Në shtetet me demokraci të konsoliduar, nivel të cilin Kosova synon ta arrijë, vendimet e Gjykatës Kushtetuese, jo vetëm që respektohen sa i përket interpretimit të tyre, por ato zbatohen nga institucionet gjyqësore dhe nga autoritetet e tjera publike me efikasitet dhe pa vonesa. Shpejtësia me të cilën ekzekutohen vendimet siguron dhe përmirëson mbrojtjen e të drejtave të njeriut. Zbatimi i vendimeve të gjykatave përbën një nga themelet e shtetit të së drejtës. Në të kundërtën, mosrespektimi dhe moszbatimi i tyre kontribuon në përkeqësimin e sundimit të ligjit dhe çon në shkelje të të drejtave të njeriut.

Institucionet e Kosovës janë treguar pasive dhe neglizhente në këtë drejtim. 

Përveç zbatimit me vonesë të këtij aktgjykimi, vonesa që duket se do të çojë në përshpejtim të procedurës së miratimit të projektligjit do ta dëmtojë reformën e shumëpritur pensionale. Duke marrë parasysh se përmes këtij projektligji do të eliminohet pabarazia dhe diskriminimi dhe do të përfitojnë mbi 70,000 qytetarë të Kosovës, institucionet e Kosovës është dashur ta prioritizojnë atë dhe t’i kushtojnë vëmendjen e duhur, pa vonesa dhe me procedura transparente, që mundësojnë gjithëpërfshirje të të gjitha palëve të interesit në proces. Po ashtu, i takon Qeverisë dhe Kuvendit që në mënyrë serioze të ndërmarrin nismë nacionale për reformën pensionale, e cila duhet të adresojë jo vetëm diskriminimin e identifikuar nga Gjykata Kushtetuese, por edhe pabarazi të tjera brenda skemave pensionale.

Imazhi i ballinës: K2.0

  • 06 Feb 2024 - 18:11 | Rexhep:

    Pershendetje Jame i interesuar të di se a a do tw hjeket kriteri 15 vite stazh Jame i punesuar ne vitin 1985 per momentin nuke e gezoj te drwjten e pensionit kontributedhenes Fkm

  • 29 Jan 2024 - 13:43 | Haqif Shillova:

    Pershendetje A do te mendoni per puntoret qe kan nga 10 apo 13 vite stazh para lufte e nuk munden ta realizojn te drejten ne pensionin kontributdhenes

  • 15 Jan 2024 - 21:57 | Zymer Neziri:

    E përshëndes dhe e përgëzoj autorin Jakaj, si dhe kam një pyetje: A bën ta shqyrtoni edhe rastin e aktit nënligjor të Ministrisë, neni i katërt, sa më kujtohet, që në kategorizimimin e kualifikimeve, sipas nenit të tetë të Ligjit, nuk pranon asnjë diplomë mbi kategorinë fakultet! Pra, i mohon magjistraturat, doktoratat dhe titujt nga asistenti e deri në titullin profesor doktor. Me nderime, Zymer Neziri

KOMENTO