Të pleqërosh në pandemi - Kosovo 2.0

Të pleqërosh në pandemi

Nga Dafina Halili – 30.10.2020

Përballja e të moshuarve me vetminë gjatë pandemisë,  dhe para saj.

Në mesin e prillit 2020, kur virusi COVID-19 në Spanjë po shkaktonte me qindra vdekje në një ditë të vetme, kolegia jonë në K2.0 Cristina, nga Prishtina i qante hallet me nënën e saj në Ibiza përmes telefonit. 

“Mijëra njerëz kanë vdekur, shumica të moshuar, dhe vetëm pse janë të vjetër askush nuk shqetësohet!? Imagjino të kishin vdekur mijëra fëmijë në vend të tyre, vetëm për dy muaj! Kjo është një masakër”, i kishte thënë ajo nga shtëpia e familjes në ishullin mesdhetar. 

Tanimë dihej që më të cenueshmit nga virusi ishin të moshuarit, ndërkohë që në disa shtete të Bashkimit Evropian, pandemia po përhapej cep më cep me shpejtësi të madhe, sidomos në Itali, në Francë dhe në Spanjë.

Drejtori rajonal i Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Evropën, Dr. Hans Henri P. Kluge, në prill deklaroi se vëzhgimet në Evropë tregojnë që të moshuarit kanë një rrezik dukshëm të rritur të sëmundjes së rëndë pas infeksionit nga COVID-19. Ai tha që shumica dërrmuese e të vdekurve nga sëmundja kanë qenë më të vjetër se 60 vjeç, duke shtuar se rreziku është edhe më i madh për individët me të paktën një sëmundje shoqëruese — në veçanti sëmundje kardiovaskulare, hipertension dhe diabet — që prekin kryesisht moshën e shtyrë

Me këto statistika në mendje, fjalët e nënës së Cristina-s kumbonin edhe më shumë frikën e një moskokëçarjeje për gjeneratat më të vjetra. Pas konfirmimit të rasteve të para me COVID-19 në Kosovë, ngujimit dhe karantinimit të komunave përgjatë stinës së pranverës, K2.0 shkruajti për përvojat e njerëzve të moshuar në vend — të cilët këshilloheshin të mos dalin nga shtëpitë fare, përveç në raste emergjente.

Në qershor ekonomia filloi të hapet shkallë-shkallë dhe ajo që dukej si një fillim vere i qetë u zëvendësua me një përhapje të përshpejtuar të virusit anembanë vendit gjatë korrikut dhe gushtit. Shëndeti publik ra në krizë, ndërsa shifrat e konfirmuara të vdekjeve të lidhura me COVID-19 shtoheshin nga dita në ditë. 

Përgjatë verës, edhe pse vendoseshin masa të reja që lehtësonin disa kufizime, në fuqi vazhdimisht mbetej ora policore për të moshuarit, lëvizja e të cilëve lejohej në mëngjesin e hershëm dhe pasditen e vonshme. 

Ndërsa tashmë ishin bërë disa muaj të bashkëjetesës me pandeminë, nuk po zhvillohej thuajse asnjë diskutim shoqëror mbi atë se si ndërrimet e vazhdueshme të masave po përjetoheshin nga më të vjetrit në familje dhe komunitete. Kështu vendosëm që përsëri t’u kthehemi të moshuarve, kësaj here duke i përcjellë për një kohë më të gjatë për të eksploruar ndjesitë e stigmatizimit, përjashtimit, diskriminimit, izolimit dhe vetmisë në kohë pandemie.

Por përfunduam duke eksploruar vetë pleqërinë. Për një muaj të plotë ne biseduam me gra dhe burra mbi 65 vjeç nëpër parqet e vogla e të mëdha të lagjeve të Prishtinës, hapësira që tradicionalisht frekuentohen nga të moshuarit në kryeqytet, për të vazhduar në fshatra e qytete tjera më të vogla.

Jemi njoftuar me hidhërimin e disa burrave patriarkalë në luftën e tyre për ta mbrojtur autoritetin e rënë kur nuk marrin më pjesë në ekonomi, dhe gjallërinë e grave që s’e kanë hallin e ruajtjes së një pushteti që s’e kanë zotëruar kurrë. Jemi njoftuar me ndjenjën e të qenit barrë dhe të padobishëm kur pensionet e moshës nuk mjaftojnë as për dhuratat e ditëlindjes për nipa e mbesa, kur bijtë e bijat zgjedhin ta sfidojnë rendin e vjetër të të jetuarit në bashkësi dhe shteti nuk intervenon për përkujdesje të dinjitetshme. 

Jemi njoftuar për së afërmi me mallin dhe melankolinë, trishtimin dhe vetminë. Jemi njoftuar me histori progresi dhe histori rënieje, me ata që i druhen varësisë dhe shpërfilljes dhe ata që i mirëpresin vitet e pleqërisë si pjesë të rëndësishme të jetës.

Në fund kemi arritur vetëm ta grithim sipërfaqen e asaj se si është të jetosh në pleqëri në Kosovë. Por një gjë duket të jetë e sigurt: “Askush nuk duhet të mbesë vetëm në moshë të shtyrë”, siç reflekton Santiago i Ernest Hemingway te “Plaku dhe Deti”.

Këtë e konfirmojnë edhe dy personazhet kryesore të këtij tregimi: Drita dhe Mustafa.

Në fshatin Llukar të Prishtinës jeton i vetëm 73-vjeçari Mustafë Krasniqi.

Rrëfenja e Mustafës 

Fiks disa minuta para orës 17, Mustafë Krasniqi rreshtohet para Qendrës Sociale të të Moshuarve në Prishtinë, te rruga që është emërtuar pas Xhamisë së njohur të Llapit, disa qindra metra përtej objektit të vjetër të komunës. Secilën pasdite nga e hëna deri të premten, të moshuar që jetojnë vetë, nëna vetushqyese, studentë të varfër, punëtorë me rroga të mjerueshme dhe persona në nevojë me kushte të rënda ekonomike, zënë vend në rreshtin prej më shumë se 50 vetash për të marrë shujtën e tyre nga kuzhina popullore. 

Në një ditë shtatori ai merr groshën, bukën dhe pemët e qëlluara të ditës, shkon në stacionin e afërt dhe merr autobusin që e kthen në fshatin e tij Llukar, 5 kilometra larg qendrës së Prishtinës. Për të që jeton vetëm — në shtëpinë e ndërtuar nga stërgjyshi dhe të rindërtuar pas rrënimit në luftë — me një pension që me shumë mundim ia del prej muajit në muaj, shujta e Komunës do të thotë pak ndihmë për xhepin, por edhe për largimin e mërzisë. 

Historia e tij është histori tipike e klasës punëtore në Kosovë, ku prejardhja gati besëtytnishëm përcakton pamundësinë për lëvizshmëri sociale dhe ekonomike. Ai ka lindur në familje të varfër, ka kryer vetëm disa vite të shkollës fillore, ka punuar tërë jetën si kondukter autobusi i trafikut urban dhe tani është pensionist në kategorinë e parë të skemës së kontributpaguesve, e cila përfshin ata pa shkollim formal.

I ve, me dy fëmijë të vdekur dhe tre të tjerë që s’banojnë afër tij, Mustafa e gjen dhembshurinë dhe afërsinë në mesin e të moshuarve të tjerë në Qendër.

Pa sigurim shëndetësor, në rast infektimi nga virusi ai do ta ketë tërësisht të papërballueshme çfarëdo terapie të nevojshme në ndonjë situatë serioze — të infektuarit flasin për qindra euro shpenzime.

I ve, me dy fëmijë të vdekur dhe tre të tjerë që s’banojnë afër tij, dhembshurinë dhe afërsinë ai e gjen kryesisht në mesin e të moshuarve të tjerë në Qendër, në një simfoni të zhurmave nga përplasja e lugëve me gotat e vogla të çajit. 

Por për të parandaluar përhapjen e virusit brenda grupit më të rrezikuar prej tij, në Prishtinë qendrat sociale të të moshuarve vazhdojnë të jenë të mbyllura që nga fillimi i pandemisë. Disa nga vizitorët e tyre të përditshëm — kryesisht burra — jetën shoqërore e kanë zhvendosur nëpër hapësirat para kafeneve. Me ftohjen e motit vjeshtor, edhe kjo formë socializimi së shpejti do ta hasë fundin.

Të gjitha 82 karriget brenda Qendrës — në shërbim të pensionistëve të Prishtinës, Podujevës, Fushë Kosovës, madje edhe Lipjanit — deri në fillimin e pandemisë do të ishin vazhdimisht të zëna, ndërsa plot të moshuar prisnin në këmbë për t’u kryer një lojë shahu dhe për t’u liruar ndonjë tavolinë. Në shumë raste, miqtë dhe të njohurit e Mustafës do të përfundonin në emergjencë nga tensioni i lartë i shkaktuar nga pirja e tepërt e çajit. 

“Kur ka qenë Qendra hapur, kemi ardhë me pi një apo më shumë çaja dhe kemi dalë”, thotë ai. “Të rinjtë kanë çka me bo, por pleqtë jo. Ne nuk kemi ku të shkojmë tjetër”.

Besa Sinani, menaxhere e Qendrës, tregon se shpesh i lan më shumë se 100 gota disa herë në ditë, deri në momentin që thesi i madh i çajit zbrazet tërësisht, e që ndodh përafërsisht në të nëjtën kohë kur zbrazet edhe objekti për shkak të orarit të mbylljes. 

Në ndërkohë Mustafa thotë se “duhet disi me kapërcy” derisa të hapet Qendra, që pastaj përmes shoqërimit “të kapërcejë” më lehtësisht nga dita në ditë.

Mësimdhënësja e pensionuar Drita Nushi jeton në Gjakovë, por fundjavat shpeshherë i kalon jashtë vendit.

Rrëfenja e Dritës 

Zëri i lartë dhe i trazuar i shoqes së ulur në ulësen e afërt ra në vesh të Drita Nushit, pavarësisht tingullit të lartë të muzikës dhe të qeshurave në autobus. Gruaja, që kishte qenë duke folur në telefon, ia shpjegoi Dritës që sapo kishte marrë lajmin se rastet e para me COVID-19 ishin shënuar në Shqipëri.

Autobusi përplot gra, kryesisht të moshës mbi 65 vjeç, po kthehej nga ekskursioni i radhës i organizuar nga shoqata Aktivi i Gruas Pensioniste. Siç e ka bërë zakon tashmë, Drita me dhjetëra mikesha të saj pensionere sapo kishin kaluar fundjavën jashtë vendit. Kësaj here në Pogradec të Shqipërisë. 

“Mos të na dëgjojmë të tjerat”, Drita kishte sugjeruar. “Le të ngelet mes nesh e të kënaqemi deri kur të shkojmë n’shpi. Kur jemi ashtu në grup jemi më të disponuara dhe atë disponim pastaj e  çojmë edhe në shtëpi”.

Është veti e saj që çastet serioze t’i sheshojë përmes humorit dhe gjallërisë. Kështu veproi edhe së fundi. Derisa ngujimi ishte sfidë e pashembullt për shumë individë në mbarë botën, Drita thotë se e e kaloi kohën lehtësisht duke gjetur forma dëfrimi me dy mbesat e vogla. 

Ngjashëm kishte bërë edhe në ditët e para të pensionimit para tetë vjetësh, kur rutina i ndërroi brenda natës pas më shumë se katër dekadash punë. 

“E mora si diçka të arsyeshme. I them vetes: Kontribut ke dhënë. Duhesh t’ia lëshosh vendin dikujt tjetër, njëjtë si ma ka lëshuar mu dikush”, thotë ajo. “Dhe sot më problem për t’u punësuar të rinjtë”.

“Çfarëdo pas përjetimit të luftës e marr më rrafsh, më normal — më lehtë.”


-Drita Nushi

Thotë se këtë mënyrë të përballjes me jetën i është dashur ta adoptojë vite më parë, pasi gjatë luftës së vitit 1999 në Kosovë forcat serbe ia vranë bashkëshortin në shtëpinë e familjes. 

“Çfarëdo pas përjetimit të luftës e marr më rrafsh, më normal — më lehtë”, thotë ajo. 

Po aq sa tragjedia mund t’ia ketë ndikuar tiparet e forta të karakterit, aq duket që dhuntia e saj për t’u mrekulluar me jetën dhe këmbëngulësia e kanë përcjellë gjithnjë.

Ajo ka kryer studimet në departmentin e Filozofisë në Universitetin e Prishtinës. Gjatë 18 viteve mësimdhënie në shkollën e mesme “Hajdar Dushi” në Gjakovë, pasi që vinte katër fëmijë në gjumë, ajo çdo natë përgatiste planprogramet për shtatë lëndë të ndryshme: filozofi, logjikë, sociologji, pedagogji, bazat e rregullimit shtetëror, marksizëm dhe mësimdhënie. Në fund të viteve ’80 kaloi të punojë si pedagoge në shkollën e mesme të mjekësisë, ndërsa pas luftës në Inspektorat të Arsimit në Prishtinë. 

Sot ajo thotë që pensioni i saj prej 340 eurosh i del për të bërë një jetë të mirë e modeste. Në fakt ajo bën pjesë në më pak se 30% të grave që marrin pensione kontributpaguese, kundrejt pjesës tjetër që janë burra. Sipas saj, shteti duhet të rrisë pensionet që moshatarët e saj të kenë mundësi të dalin dhe të shoqërohen.

“Unë kënaqem me fëmijët e mi, por e di edhe kur duhet me ta e kur vetë”, thotë ajo. “Shoqëria është shumë e rëndësishme në jetë për të gjithë ne. Vetmia të mbyt, psiqikisht të ndrydh”.

Teksti: Dafina Halili

Video: Trëndelinë Halili

Fotografitë: Ferdi Limani

Ky artikull është realizuar në kuadër të projektit ‘’Inovacioni për mediat e qëndrueshme dhe angazhimin qytetarë’’, që financohet nga Zyra e Bashkimit Europian në Kosovë dhe realizohet nga Kosovo 2.0 në partneritet me Institutin GAP. Përmbajtja e këtij artikulli është përgjegjësi e vetme e Kosovo 2.0 dhe Institutit GAP dhe në asnjë mënyrë nuk paraqet pikëpamjet e Bashkimit Europian.