Në thelb | COVID-19

‘Atëherë jom konë i ri — kom mujt me ikë’

Nga - 23.04.2020

Biseda telefonike me pensionistë gjatë ngujimit.

Anton Çuperjani jeton në një shtëpi trekatëshe me kopsht, në të cilin e kalon shumicën e pasditeve pranverore duke ndenjur në diell dhe duke u kujdesur për dredhëzat që i mbjell çdo vit. Herë pas here, kur moti është i këndshëm, gruaja e tij Maria pushon pak prej punëve të lodhshme të shtëpisë dhe e shoqëron një copë herë.

Afër shtëpisë së tyre në Prizren është kisha katolike ku ai bashkë me familjen zakonisht shkojnë për meshën e së dielës dhe për t’i kremtuar festat fetare. Për Antonin është mundësi që t’i shohë të afërmit dhe të lidhet me anën shpirtërore, dhe po ashtu është një nga mbledhitë e pakta në të cilat zakonisht do të merrte pjesë këto ditë.

Ndërsa 90-vjeçari më tregon për jetën e tij shoqërore jashtë familjes dhe punës që vazhdon ta bëjë, paçka se ka hyrë në dekadën e tij të dhjetë, e pyes veten se sa miq do të mbesnin në rrethin tim nëse jetoj aq gjatë. 

Këtë vit nuk shkoi në kishë për meshën e Pashkëve, siç bën zakonisht — kremtja e gjeti Antonin dhe tërë shtetin në ngujim të detyruar nga qeveria për ta luftuar pandeminë COVID-19.

Anton Çuperjani vazhdon t’u rrijë gati dredhëzave dhe ta kosisë barin në kopshtin e tij në moshën 90 vjeçe. Foto nga Anton Çuperjani.

Prej 13 marsit, kur u konfirmuan dy rastet e para në Kosovë, kufizimi i lëvizjes dhe i tubimeve të qytetarëve është rritur shkallë-shkallë; prej mbylljes së shkollave, kufijve, kafeneve, bareve dhe shumë vendeve të punës, deri te karantinimi i komunave të tëra dhe vendosja e orareve prej një ore e gjysmë kur qytetarët kanë të drejtë të lëvizin jashtë shtëpisë. Të gjitha këto brenda pak javësh.

Duket se ngujimi po shihet si i nevojshëm prej shumë e më shumë qytetarësh, meqë ndikimi i të shumëpërmendurave “javë kritike” — të cilat fillimisht ngjallën një lloj shakaje sepse konsideroheshin si paralajmërim i zmadhuar — tash ka nisur të marrë trajtën e numrave dyshifrorë të rasteve të konfirmuara në fund të disa ditëve.

Edhe pse ka shumë të panjohura për koronavirusin e ri, një gjë e qartë është se paraqet rrezik veçanërisht të madh për të moshuarit dhe për ata me sëmundje shoqëruese. Kështu po ndodh edhe në Kosovë, ku brenda dy muajsh janë infektuar 630 njerëz dhe 18 kanë vdekur.

Ndërsa autoritetet shëndetësore po luftojnë për ta ruajtur shëndetin publik, dhe pjesa tjetër e popullsisë po bën përpjekje për t’u mësuar me ndikimet e mëdha të pandemisë që prekin thuajse çdo anë të jetës, ekziston rreziku që më të cenueshmit prej nesh të shndërrohen në statistika të thjeshta.

“Unë jam e vjetër dhe më parë do të mbahesha gjallë.” — Ishte një mendimth i thjeshtë dhe kuptimplotë në të njëjtën kohë.

Njoftimet për shtyp nga Instituti i Shëndetësisë Publike që lajmërojnë për vdekjet shoqërohen me të dhëna për moshën, gjininë dhe sëmundjet kronike prej të cilave kanë vuajtuar të ndjerit dhe të ndjerat.

Kjo është kritikuar nga disa profesionistë shëndetësorë, sikur transfuziologu dhe imunohematologu i pensionuar Hakif Hoxha, i cili ka thënë përmes një postimi në Facebook se përmendja e moshës së shtyrë të të vdekurve nga sëmundja “tek të moshuarit mbjell panik e tek të rinjtë indiferencë”.

“Mjekët në njëfarë mënyre po e paragjykojnë ecurinë klinike të sëmundjes, dhe në anën tjetër, ku ka sot në Kosovë person në moshë të shtyrë pa ndonjë sëmundje shoqëruese”, ka thënë ai.

Gjithashtu, rrotull botës ka tregues që të moshuarit disi po shihen si më pak të vlefshëm sesa pjesa tjetër e popullsisë. 

Një mik i pensionuar në ShBA shpërndau ironikisht një citim të një zyrtari nga Teksasi i cili kishte thënë se shumë të vjetër më parë do të vdisnin sesa të lejonin që pandemia ta dëmtojë ekonominë e vendit. Një tjetër e afërt e moshuar u përgjigj në atë postim: “Unë jam e vjetër dhe më parë do të mbahesha gjallë”.

Ishte një mendimth i thjeshtë dhe kuptimplotë në të njëjtën kohë.

Duke dashur t’i dëgjoj përvojat e njerëzve të moshuar në Kosovë — të cilët këshillohen të mos dalin nga shtëpitë fare, përveç në raste emergjente — dhe duke kërkuar pak urtësi (për arsye krejtësisht vetjake në këto kohë të rënda), i kontaktova disa prej këtij brezi, të cilëve mund t’u ketë ndryshuar jeta e përditshme në mënyra delikate, por domethënëse megjithatë.

Kështu është jeta

Në mesin e infektimeve të reja dhe të kufizimeve mbarështetërore ndaj lëvizjes, ka nuanca përvojash gjatë pandemisë së tanishme.

Për Antonin, mbyllja e tregjeve ushqimore dhe bizneseve jothelbësore ka shkaktuar ndryshimin më të madh në rutinën e tij ditore. Më parë, ai blente gjësende ushqimore për familjen tre-anëtarëshe çdo mëngjes, e pastaj shkonte me të birin për të ndihmuar në optikën e tij në qendër të qytetit. Ndërkaq tash, kufizimet e reja e kanë shtyrë ta thyejë rutinën.

“I qes dorëzat, maskën, edhe shkoj n’market këtu afër e blej çka duhet me ble për shpi”, më tha ai para se të vendoseshin masat më të reja të Ministrisë së Shëndetësisë, të cilat u kërkojnë të moshuarve të dalin vetëm në situata emergjente. “Unë jom msu me këto punë, nuk po du me i angazhu gruan e djalin”.

Një vendëse tjetër e Prizrenit, 72-vjeçarja Kimet Bejleri, thotë se ka dalë vetëm një herë prej nisjes së ngujimit, për të blerë bukë në furrën poshtë banesës së saj. Ajo jeton vetëm në një banesë pranë qendrës së qytetit, ku i biri ia sjell ushqimet në mënyrë që ajo ta shmangë kontaktin e mundshëm me virusin. Ndonjëherë kur ka nevojë të ngutshme për diçka, sikur qumësht apo bukë, ajo i kërkon një fqinjes t’ia blejë kur të shkojë të blejë gjësende për vete.

Kimeti thotë se edhe para pandemisë, ajo nuk dilte shpesh nga banesa.

“Unë vuj prej gjujve, e rrallë dal edhe ashtu”, thotë ajo, duke shpjeguar se ndërtesa ku jeton prej vitit 1976 nuk ka ashensor, pra i duhet t’i ngjesë gjashtë radhë shkallësh kur kthehet në banesë pas ndonjë daljeje.

“Kur është koha e keqe nuk muj me dalë se m’dhembin gjujt. E kur është koha e mirë dal, se i kam afër motrat e vllaun”, thotë ajo. “Po këto ditë s’po kanë kohë me dalë, se ata janë doktora”.

Për Kimetin, kjo pengesë duket se është bërë pjesë e zakonshme e jetës dhe ajo mundohet të gjejë mënyra për t’u marrë me të, e natyrisht që ky është vetëm një nga problemet në një varg të gjatë bllokadash që mund t’i hasësh nëse jeton në një hapësirë urbane në Kosovë.

“S’po muj me shku se… plakave pak ma tepër iu tuten”.

Kimet Bejleri, 72 vjeçe

Sipas një raporti të botuar në vitin 2018 nga Ec Ma Ndryshe, një OJQ që promovon qytetarinë aktive për formësimin e ambientit jetësor, 25% e hapësirave publike në qendrën historike të Prizrenit janë të paqasshme për publikun.

Kjo mund të jetë frustruese për njerëzit e rinj dhe të shëndoshë, por duke folur me Kimetin e shoh se sa e cenueshme mund të ndihet ajo — dhe të tjerët që kanë lëvizshmëri të kufizuar — kur përballet me pengesa të tilla gjatë rrugës për t’i vizituar dy fëmijët e saj, të cilët po ashtu jetojnë në Prizren.

Kur flet për bijërinë, ajo çlirohet dhe flet me mallëngjim. Ka një vajzë dhe një djalë që jetojnë në Prizren; fëmijët e vajzës janë të gjithë të martuar dhe jetojnë në Finlandë, në Turqi dhe në Kosovë, kurse biri i vetëm i djalit është 14 vjeç dhe jeton me prindërit disa minuta larg banesës së saj.

“Me telefon po dëgjohna me të”, thotë ajo. “S’po muj me shku se… plakave pak ma tepër iu tuten”.

Në Prishtinë, te shtëpia për të moshuarit pa përkujdesje familjare — e vetmja e tillë në kryeqytet — më në fund e gjeta numrin e telefonit të një banori; hapat e shumtë burokratikë që m’u desh t’i ndjek ma dhanë përshtypjen se janë aty jo për ta lehtësuar komunikimin mes qytetarëve, por për ta bërë më të vështirë.

Shtëpia e të moshuarve në Prishtinë është e vetmja në Kosovë që menaxhohet nga niveli qendror i qeverisë; tri të tjerat menaxhohen nga komunat përkatëse. Foto: Tringë Sokoli / K2.0.

Azem Balaj, një 80-vjeçar që banon në këtë shtëpi, e hap telefonin i hareshëm ndërsa një punëtore sociale mbërrin në dhomën e tij për t’i bërë shoqëri gjatë bisedës sonë. Ai thotë se kishte qenë jashtë në oborrin e shtëpisë në lagjen Dodona duke e pritur në diell thirrjen time (e cila u vonua), dhe i kujton disa nga mënyrat se si po e kalon kohën prej se shtëpia u vendos në karantinë si pjesë e kundërpërgjigjes institucionale ndaj pandemisë.

“Po dalim prej dhomave, po sillemi poshtë e nalt — kaniherë po dalim n’oborr… e prapë në shah po kthehemi”, thotë ai. “Po lujmë letra kaniherë, tash u ndreq koha e po dalim edhe [në oborrin] që na e ka rregullu KFOR-i amerikan”.

Një temë që doli çuditërisht tabu

Banorët kanë nisur të mësohen me rregullat e reja të jetës në karantinë, thotë Azemi, i cili kujton se edhe para karantinës, vetëm “më të fortit fizikisht” (përfshirë vetë atë) dilnin nga shtëpia shpesh ose çdo ditë.

Shtëpia — një nga katër hapësirat e tilla për të moshuarit në Kosovë — gjendet në një lagje të ngjeshur të qendrës së vjetër të qytetit. Por përveç klubit të pensionistëve ku Azemi zakonisht luan shah dhe Parkut të Gërmisë në fund të udhës së autobusit, nuk ka ndonjë burim tjetër aktiviteti për rreth 80 banorët e shtëpisë, dhe këto, bashkë me qendrat e qëndrimit ditor për të moshuarit në qytet, janë mbyllur sikur edhe të gjitha hapësirat e tjera publike.

Në mungesë të ndonjë lloj argëtimi tjetër, pirja e çajit apo e kafesë në dhomën e televizorit të shtëpisë është mënyra e zakonshme për ta kaluar kohën. “Televizorin non-stop e përcjellim, qajo na ka mbetë për me na informu”, thotë Azemi.

Kimeti po ashtu e ndjek televizorin me zell, por sikur dy biseduesit e tjerë, ajo nuk ka qejf të flasë për temën që duket si pjesë e pashmangshme e bisedave që i bëj me njerëzit e tjerë — politikën.

“Pashë Zotin mos m’pyt për qato, se ma kanë bo trunin Ajran, që thotë nji fjalë. S’po di kujt me i besu ma s’pari”, i përgjigjet orvatjes sime për ta nisur një bisedë për lëvizjet e fundit politike në vend, të cilat po diskutohen — e me raste edhe po dënohen — ndërkombëtarisht.

Dhe pastaj, për t’iu përgjigjur kërshërisë sime të palodhur, ai merr një qasje më abstrakte para se ta tregojë një fjalë të urtë.

Kur e nis këtë bisedë me Antonin, ai fillimisht ngurron të flasë.

“M’vjen keq që po përlahen”, thotë ai, duke iu referuar hapësirës politike të shndërruar në mejdan, që çoi te shkarkimi i qeverisë 52-ditëshe më pak se dy javë pasi u vendosën masat e para për ta luftuar COVID-19.

Dhe pastaj, për t’iu përgjigjur kërshërisë sime të palodhur— dhe mbase për t’u dhënë lexuesve diçka për të menduar — ai merr një qasje më abstrakte para se ta tregojë një fjalë të urtë.

“Shteti është shpi”, thotë ai. “Nëse anëtarët e familjes shkojnë mirë, atëherë përparon puna — përndryshe jo”.

“Paska qenë ni ledinë e madhe e papunume, edhe lidhën kta t’katunit kush me punu. ‘Tokën e punon ai që ka njerëz n’shpi’, thotë dikush, e të tjerët e pyesin për sa kohë. ‘Mundet me punu për aq kohë sa nuk ka hile mrena — si t’hyn hilja mrena atëherë nuk ka bukë’”.

Rimëkëmbja i mund të gjithat

Teksa njerëzit anekënd botës — sidomos më të cenueshmit — po e përjetojnë izolimin e shkaktuar nga pandemia bashkë me ankthet dhe pasiguritë shoqëruese,  ekspertët shëndetësorë tregojnë për dëmet që kjo mund t’ia shkaktojë shëndetit mendor.

Në Kosovë, një “faktor rreziku” tjetër, sipas disa profesionistëve shëndetësorë, mund të jetë ritraumatizimi nga ngujimi në shtëpi për muaj të tërë gjatë luftës së fundit. Duke qenë kurreshtare për mendimet e Antonit rreth kësaj, e hedh fjalën te këto lidhje dhe e pyes se ku kishin qenë ai me familjen gjatë luftës.

“Luftën e kam kalu… cilën luftë po mendon?” pyet ai, dhe pasi dëgjon të qeshurën time të mbytur kur më bie në mend se i ka kaluar dy luftëra deri më tash, shton: “Jo, thashë mos shkove andej ma herët”.

Ai më tregon se si e kishte mbijetuar Luftën e Dytë Botërore pak pa u bërë tinejxher, kur po jetonte me familjen në Shqipëri.

Duke u afruar në kohë, në 1999, ai thotë se ka ndenjur në shtëpinë e tij gjatë gjithë kohës. “Në shpi kemi nejt, jemi mbyllë qaty s’kemi guxu me lujt”, thotë ai, por nuk duket se ka ndonjë dëshirë ta rikujtojë atë kohë, prandaj nuk e nxis.

“Prej natyrës jom pak si… optimist, a din? Kështu që punët i marr pak ma me lehtësi."

Anton Çuperjani, 90 vjeç

Kimeti po ashtu e kishte kaluar luftën në Prizren.

“Kam qenë në banesë me shokun, nuk kemi lëvizë. Nuk e kemi përjetu aq shumë”, thotë ajo. “N’përgjithësi njerëzit nëpër banesat n’rrethinë nuk kanë lëvizë… s’kemi pasë presion prej tyre [serbve], janë sjellë normal”.

Disa kilometra dhe realitete larg Antonit dhe Kimetit, Azemi thotë se ishte i ngujuar në Mitrovicë të Veriut për më se tre muaj. Për çudi, ai e kujton atë kohë me një ton malli të zbehtë.

“Ma ndryshe është tash — mixha jem thojke ‘Pleqnia ma e keqe se Serbia’”, thotë me britmë dhe të qeshura ndërsa e kujton atë shprehje. “Atëhere jom konë i ri e kom mujt me ikë, a din… tash nuk muj me ikë.”

Me këto të qeshura — që na përcollën në secilën bisedë — u barta sërish në kopshtin e shtëpisë së Antonit në Prizren. Megjithë vështirësitë që zakonisht vijnë me moshën, si dhe barrat e një jete plot peripeci, ai duket se gjithnjë e mban çehren e çelur, duke e shfaqur vetinë vështirë të kapshme të rimëkëmbjes.

“Prej natyrës jom pak si… optimist, a din?”, shpjegon ai. “Kështu që punët i marr pak ma me lehtësi”.

Kur e pyes se sa ia ka çrregulluar rutinën pandemia, ai më siguron se deri tash është përshtatur me të gjithat. “Nuk m’ka ndrru rutina shumë, edhe ma herët jom marrë me bahçen n’shpi… qaty pak tu kultivu pemë e perime”, thotë ai.

“Me nejtë nuk kom qef, kom qef me u angazhu”, vazhdon. “Tash e kom lonë mo [kopshtarinë], para nja tri vjetëve e lashë — mosha nuk po e ban. Veç do dredhëza i kam qaty, me to po merrna… edhe barin e kositi”.

“Vetë i kqyri”, shpjegon Antoni. “Nuk muj me angazhu shoqen, ajo boll i ka punët e shpisë… veç kur vjen najherë me hongër naj dredhëz për qejfi, ashtu po”.

80-vjeçari Azem Balaj u gëzohet kënaqësive të vogla të cilave do t’u kthehet pas përfundimit të ngujimit, sikur një lojë shahu me shokët. Foto e arkivit: Tringë Sokoli / K2.0.

Duke menduar për të ardhmen, pas përfundimit të izolimit, ai thotë se vendi i parë ku do të shkojë është optika e birit. Përveç nevojës për ta ushtruar një lloj produktiviteti, ai shqetësohet për biznesin si burim i të ardhurave për ta siguruar jetesën.

“Varemi prej tij, edhe prej pensioneve”, thotë ai.

Në shkurt të vitit 2019, qeveria e rriti pensionin themelor të përmuajshëm (për të gjithë mbi moshën 65 vjeçe) për 20%, pra në 90 euro, dhe pensionet kontributdhënëse — të bazuara në të kaluarën e punësimit — për 15%, duke e ngritur pensionin më të lartë të mundshëm në rreth 260 euro. Afro 170,000 njerëz përfitojnë nga njëra apo tjetra prej këtyre skemave.

Kundërpërgjigja ndaj pandemisë ka përfshirë edhe mbështetje për të moshuarit, meqë qeveria në detyrë e Kosovës, sikur shumë qeveri të tjera në botë, ka rishikuar skemat sociale në mënyrë që të sigurohen kushtet themelore jetësore për më të cenueshmit. Si pjesë e pakos emergjente fiskale, qeveria në detyrë njoftoi më 14 prill se çdokush që merr asistencë sociale apo pension prej më pak se 100 eurosh do t’i marrë edhe 30 euro shtesë për tre muaj.

Pak para përfundimit të bisedës, Azemi nis të përsiatet. “Të vjetrit janë shtresa më e ndijshme e popullatës — duhemi me u rujt më shumë”, thotë ai.

Duke dashur t’ia kthej gazin muhabetit, e pyes se cila është gjëja e parë që do ta bëjë kur t’i lejohet lëvizja e lirë. “Kisha shku me i taku shokët edhe dashamirët, e me lujt nji lojë shah”.K

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0.