Ballafaqimi me vuajtjen për të zhdukurit

  • Rreth kësaj bisede
  • Historia moderne e Ballkanit njihet për luftërat që pllakosën rajonin gjatë të 90-ave, duke i marrë jetët e dhjetëra mijëra njerëzve dhe duke lënë gjurmë në zemrat dhe mendjet e të mbijetuarve, shumë prej të cilëve i humbën më të dashurit e tyre.

    Njohuritë e mbledhura ndër vite dhe dokumentimi i së kaluarës mund të na ndihmojnë ta kuptojmë më mirë atë që ka ndodhur, por mijëra familjarët e atyre që mbesin të pagjetur nga këto luftëra ende jetojnë pa përgjigje për fatin e të dashurve. 

    Por luftërat nuk kanë qenë të vetmet fatkeqësi që shkaktuan zhdukjen e njerëzve anembanë rajonit; në këtë dukuri kanë pasur gisht edhe regjimet e shekullit të kaluar që vranin kundërshtuesit pa i gjykuar e pa lënë gjurmë. Ndërsa sot ndodh që njerëzit që detyrohen të migrojnë nëpër shtigje të rrezikshme të zhduken përgjatë rrugës, që dhuna në familje të përfundojë me vrasjen e shumë grave, dhe që margjinalizimi sistematik i komuniteteve pakicë në njëfarë mënyre t’i fshijë ata nga shoqëria. 

    Të gjitha këto raste e kanë një të përbashkët: vuajtjen që ndiejnë të afërmit e të zhdukurve dhe pyetjet që mbesin në mungesë të informatave.

    Miqtë dhe familjarët e njerëzve të zhdukur i ekspozohen një lloj traume e cila nuk është e zakonshme për shumicën e njerëzve. Zhdukja e të dashurve ka pasoja psikologjike — ndjenja të pasigurisë, fajësisë, vetakuzimit, nervozës, fiksimit, ankthit, depresionit dhe mungesës së interesimit — si dhe pasoja psikosociale që përfshijnë problemet familjare, problemet në lidhje me komunitetin, dhe vështirësitë që ndeshen në përpjekje për ta ruajtur kujtimin e njerëzve të zhdukur dhe vendin e tyre në komunitet.

    Duke ditur rëndësinë e këtij problemi me të cilin ballafaqohen një numër i konsiderueshëm i njerëzve në këtë pjesë të kontinentit, më 16 nëntor, si pjesë e diskutimit që do ta përcjellë publikimin e Monografisë ‘Të zhdukurit ndër ne”, ne do të diskutojmë për vuajtjen si ndjenjë e përbashkët që lidh dhe përfshin përvojat e larmishme të paraqitura nëpërmjet këtij publikimi. Po ashtu, do ta shtjellojmë atë se çfarë duhet të bëhet për ta tejkaluar këtë traumë si individë, si kolektiv, dhe si rajon.

    Diskutimi do të moderohet nga gazetarja dhe redaktorja kontribuese e K2.0, Dafina Halili, ndërsa paneli do të përbëhet nga:

    1. Bekim Blakaj, Drejtor Ekzekutiv i Fondit për të Drejtën Humanitare Kosovë
    2. Nora Visoka Weller, avokate e specializuar në mbrojtjen e trashëgimise kulturore dhe studiuese e trashëgimise atrocitare në Universitetin e Cambridge-it, dhe bashkëpunëtore e Shoqërise Mbretërore të Arteve, në Mbretërinë e Bashkuar
    3. Betim Berisha – anëtar i familjes Berisha shumë prej të cilëve u vranë në masakrën e Suharekës në mars 1999
    4. Una Hajdari, gazetare nga Prishtina e fokusuar në raportimin e çështjeve që lidhen me Ballkanin Perendimor dhe Evropën Lindore dhe Qendrore. Në këtë monografi, Una ka shkruar një artikull për gazetarët e zhdukur

    Ju ftojmë t’i bashkoheni diskutimit me pyetje dhe komente të hënën më 16 nëntor prej orës 17:30 LIVE në faqen e Kosovo 2.0 në Facebook. 

    Gjatë diskutimit do të ofrohet përkthim në gjuhën angleze dhe serbe. Nëse keni nevojë për përkthim, na dërgoni numrin e telefonit në mesazh privat dhe do t’ju shtojmë në një grup në Viber nëpërmjet së cilit do të ofrohet përkthimi me anë të thirrjes.

    Kjo ngjarje është pjesë e “Njohje për njerëzit e zhdukur”, një projekt i realizuar nëpërmjet mbështetjes financiare të Bashkimit Evropian, i zbatuar nga Kosovo 2.0 dhe Fondi për të Drejtën Humanitare Kosovë.

    Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.

  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Rreth folësve/eve
  • Time:

    5:30 pm

    Place:

    Facebook LIVE

    Date:

    16/11/2020