Bisedë e Shkurtër: Jemi në grevë

  • Kronikë dhe fotografi nga ngjarja
  • Muaji i Grevave

    Nga Fortesa Doqi - 05.02.2019

    Biseda e shkurtër e K2.0 për të diskutuar grevën e punëtorëve të sektorit të shëndetësisë dhe arsimit.

    Të enjten (31 janar), në Bisedën e Shkurtër të K2.0, u diskutua rreth grevave të muajit janar në sektorin e arsimit dhe shëndetësisë. Ato u thirrën nga sindikatat e dy sektorëve dhe kërkonin rritjen e koeficientit në Projektligjin mbi Pagat, që përcakton sistemin e pagave dhe shpërblimeve për punonjësit publikë.

    Specifikisht, këto kërkesa erdhën si rezultat i rritjeve të koeficientëve, rrjedhimisht ngritjen më të madhe të pagave në disa sektorë publik, përfshirë për zyrtarë të lartë shtetëror, sikurse Kryeministria, Presidenca, gjyqësori dhe institucione të tjera. Ndërkohë, projektligji për mësimdhënës parashihte të mbetej ndër 3 dhe për punonjësit shëndetësor nga 1 deri në koeficientin 5.

    Një ditë pas diskutimit, me 1 shkurt, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës (SBAShK) u pajtua të ndalte grevën tri javore dhe të riniste procesin mësimor. Kjo ndodhi pasi që arritën marrëveshje me Qeverinë që koeficienti i pagave për mësimdhënës të rritet për 20 përqind – edhe pse fillimisht kishte kërkuar që koeficienti të rritet për 30 përqind. Ndërkohë, Federata e Sindikatave të Shëndetësisë ende vazhdon të jetë në grevë.

    Për të biseduar rreth kësaj teme, në diskutimin e K2.0 panelistë ishin Dukagjin Pupovci, Drejtor i Qendrës për Arsimin e Kosovës (KEC) dhe gazetarja Saranda Rama nga Koha Ditore; biseda u moderua nga gazetari i KTV-së Xhemajl Rexha. Pjesëmarrjen në bisedë e kishte konfirmuar Blerim Syla, Kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës, Zyra e Kryeministrit dhe Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, por askush prej tyre nuk iu bashkangjit bisedës.

    Bisedën e filloi gazetari Rexha dhe diskutimi u fokusua në tri çështje: bashkëngjitjes së Universitetit të Prishtinës grevës së arsimit, ndikimit të grevës në nivelin e mesëm shkollor, si dhe faktit që sektori i shëndetësisë për herë të parë po merrë pjesë në një grevë më masovikisht të organizuar. Në këtë drejtim, Rexha kritikoi mungesën e përfaqësuesit qeveritar në diskutim.

    “As 35 këshilltarë të Kryeministrit nuk arrijnë të gjejnë kohë për të diskutuar rreth një teme shumë të rëndësishme siç është paralizimi i sistemit të arsimit në vend”, tha Rexha.

    Më 15 janar edhe Universiteti i Prishtinës vendosi që të futet në grevë dhe të pezullojë mësimin si përkrahje e kërkesave të SBAShK-ut. Vendimin e UP-së për t’u futur në grevë, Pupovci e quajti ‘‘hipokrizi’’. Sipas tij pagat e profesorëve të universitetit janë ‘‘relativisht të larta” ku ai morri shembull atë të profesorit të rregullt prej 1,400 eurove në muaj. Më tej, ish-profesori i matematikës në UP, tha se mësimdhënësit e universitetit me raste mund të sigurojnë pagë shtesë, për orët shtesë mësimore që mbajnë.

    Pupovci tha se në sektorin e arsimit të lartë po mbaheshin dy greva – ajo e mbështetjes ndaj sindikatës për rritje të pagave në sektorët e mesëm dhe të ulët, si dhe e rektorit të UP-së dhe gjashtë rektorëve të universiteteve të tjera publike, duke kërkuar shkarkimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë dhe shkarkimin e ministrit Shyqyri Bytyqi, pasi që 42 drejtime të këtyre universiteteve nuk janë akredituar.

    ‘‘Asnjë ligj nuk thotë se rektori mund të thërret grevë’’, tha Pupovci. “Në Ligjin për greva, grevën mund ta thirre sindikata, por në këtë rast kemi rektorët që kanë thirre grevë”.

    Pas trajtimit të grevës në sektorin e arsimit të lartë, moderatori Rexha vëri fokusin e bisedës tek sektori i shëndetësisë në bashkëbisedim me gazetaren Rama, që ka mbuluar këtë sektor për gjashtë vite.

    “Është hera e parë që sindikata e ka pasur një temë të arsyeshme për të mbajtur grevë’’, tha ajo, duke iu referuar kërkesës së tyre për rritje të koeficientëve për paga. Rama kujton kohën kur sindikata kishte mbajtur grevë, kur rreth 100 mjekë kardiolog hetoheshin për rastin ‘‘Stenta’’ të vitit 2016, ku mjekët akuzoheshin nga prokuroria për rryshfet dhe bashkëpunim me institucione private të shëndetësisë dhe dërgimin e pacientëve për shërim tek ta.

    Për Ramën, grevat e atëhershme tregonin një qasje jo serioze të sindikatës, por ka një dallim me grevën e fundit, pasi që sipas saj, kërkesa për rritjen e pagave është e arsyeshme.

    Pas pikave hyrëse që paraqitën panelistët, udhëheqësi i bisedës hapi debatin për publikun.

    Të parët që iu bashkangjitën bisedës nga publiku ishin disa nxënës të nivelit të mesëm. Një gjimnazist 16-vjeçar, shprehu pakënaqësinë se si pushimi dimëror prej dy javëve iu është zgjatur për një muaj. Sipas tij, greva po mbahej ‘‘për interesat e tyre [mësimdhënësve] dhe nxënësit po i anashkalojnë’’ përderisa do të duhej të fokusohej në cilësinë dhe përmirësimin e kushteve në sistemin e arsimit.

    Ndërsa një nxënëse nga gjimnazi “Xhevdet Doda” në Prishtinë, tha se greva nuk është një mënyrë se si mund të zgjidhen problemet, por se duhet të merret një hap tjetër ku nxënësit nuk do të ndikoheshin sikurse janë ndikuar me këtë grevë.

    Në këtë pikë ndërhyri edhe Pupovci, duke thënë se po shihet qartë që është krijuar një tension mes mësimdhënësve, nxënësve dhe prindërve — ku këta të fundit janë të zhgënjyer me grevën në sektorin e arsimit. Pupovci tha se ndoshta SBAShK-u nuk është dashur që kaq shpejt të futet në grevë sepse ka pasur mundësi që të vazhdojë diskutimet me qeverinë e ministrinë.

    Mirëpo, pavarësisht të gjithave, Pupovci ishte i bindur se kësaj rradhe kërkesa për rritjen e koeficientit të pagave për mësimdhënësit është e arsyeshme dhe mund të jetë bazë për reformimin e sistemit të arsimit në Kosovë.

    Përderisa mësimi ka filluar përgjatë sistemit arsimor, grevat në sektorin e shëndetësisë po vazhdojnë për shkak të pakënaqësisë me nivelin e pagave të tyre.

  • Rreth kësaj bisede
  • Në vitin 2017, bëri bujë të madhe vendimi i Kryeministrit Haradinaj për rritjen e pagës së tij dhe të zyrtarëve të lartë të shtetit. Thoshte se kështu do punohej më shumë. Mirëpo, gjatë këtij viti duket se është bërë pishman, pasi deputetëve u kërkoi që t’ia ulnin pagën. Se a do ndodhë kjo nuk dihet, por ajo që dihet është se qeveria e tij po përballet me presione për rritje pagash në sektorin publik.

    Fillimi i vitit 2019 u shënua me greva të punëtorëve në sektorin e shëndetësisë dhe të arsimit, si dhe me paralajmërimin e punonjësve civil, të cilët po konsiderojnë nisjen e grevës së tyre me kërkesën për rritje pagash. Procesi mësimor është paralizuar që prej 14 janarit pasi mësimdhënësit po refuzojnë të kthehen nëpër klasa, përderisa edhe mjekët kanë marrë pjesë në një varg grevash përgjatë muajit të kaluar, gjë që ka ndikuar në funksionimin normal të spitaleve.

    Deri më tash, qeveria ka ndërmarrë hapa konkret vetëm karshi kërkesave të mësimdhënësve, ku ka pranuar kërkesat e SBAShK-ut dhe ka marrë vendim që mësimdhënësve të shkollave të mesme t’u rriten pagat për 74 euro, atyre të arsimit fillor për 46 euro dhe mësimdhënësve të sistemit parashkollor për 54 euro. Mirëpo, SBASHK-u ka refuzuar të ndalë grevën pasiqë për ta, rritja e pagës nuk është e mjaftueshme, si dhe për shkak të mospërfshirjes në rritje pagash të punëtorëve teknik e administrativ të shkollave si dhe atyre të sistemit universitar.

    Sidoqoftë, si kurrë më parë grevat në arsim dhe shëndetësi kanë hasur në kritika në opinionin publik me disa analistë që argumentojnë se rritja në paga duhet të përcillet me rritje të kualitetit në punë.

    Me debatin që vazhdon, ne dëshirojmë të ulemi e të diskutojmë të gjitha çështjet që lidhen me greva në Bisedën tonë të radhës. Përse kanë hyrë mjekët dhe mësimdhënësit në grevë pikërisht tani? A do të vazhdojnë punën normalisht mësimdhënësit dhe mjekët? A do kenë sindikatat kërkesa të tjera karshi institucioneve apo ato do të kufizohen vetëm në rritje pagash? A janë këto kërkesa të mirë-justifikuara? A ka shteti kapacitet – ose vullnet – që t’i plotësojë ato?

    Bashkohuni të enjten më 31 janar, në orën 18:00 në hapësirën e Kosovo 2.0, për një diskutim të hapur dhe përfshirës, ku do t’i trajtojmë të gjitha këto pyetje dhe më shumë. Për ta nisur diskutimin kemi ftuar:

    • Përfaqësues/e nga zyra e Kryeministrit  
    • Rrahman Jasharaj  — kryetar i Sindikatës së Bashkuar të Arsimit Shkencës dhe Kulturës (të konfirmohet)
    • Blerim Syla — kryetar i Federatës së Sindikatave të Shëndetësisë së Kosovës
    • Saranda Ramaj — gazetare në Koha  
    • Dukagjin Pupovci — drejtor ekzekutiv i Qendrës për Arsim e KosovësK

    *Do të ketë përkthim në gjuhën angleze.

    Kjo Bisedë e Shkurtër e K2.0 financohet nga National Endowment for Democracy.

  • Shikojeni këtë edicion tani
  • Bisedë e Shkurtër: Jemi në grevë

    Bisedë e Shkurtër: Jemi në grevë!

    Posted by KOSOVO 2.0 on Thursday, January 31, 2019

  • Rreth folësve/eve
  • Time:

    6:00 pm

    Place:

    Kosovo 2.0

    Date:

    31/01/2019