‘E kisha një shtëpi në Rrugën Gradinite’ - Kosovo 2.0
Pikëpamje | Të drejtat e njeriut

‘E kisha një shtëpi në Rrugën Gradinite’

Komuniteti rom po e përdor artin për të luftuar për shtëpitë e tyre të rrënuara. Foto: Vesselina Nikolaeva.

Nga - 07.10.2019

Në vitin 2017, shtëpitë e komunitetit rom në rrugën Gradinite në Sofje u shkatërruan, duke i lënë së paku 50 persona – 30 prej të cilëve fëmijë – pa shtëpi. Banorët u paralajmëruan vetëm një javë përpara. Disave iu dhanë tenda nga përfaqësuesit e kishës, ndërsa të tjerët krijuan streha të improvizuara nga mbetjet e shtëpive të tyre të shkatërruara.

Rrënimi u urdhërua nga Komuna e Sofjes. Sipas zyrtarëve të saj, ndërtimet pa leje u hoqën sepse toka ishte përcaktuar të bëhej park.

Asnjërës prej familjeve, të cilat i humbën shtëpitë e vetme të tyre, nuk iu dha ndonjë strehim alternativ dhe dëbimet u bënë pa një vlerësim të duhur të situatës. Komuniteti rom është pakica etnike më e madhe në Bullgari dhe përditë përballet me diskriminim, përjashtim shoqëror dhe stigma.

Nëse nuk jepet asnjë strehim alternativ, familjet e dëbuara me forcë vihen në situatë që ua rrezikon jetën dhe shëndetin dhe shpesh nuk kanë qasje në ushqim, arsimim, sigurim shëndetësor, punësim e mundësi të tjera të jetesës.

“Jetoj këtu në rrugën Gradinite që kur isha 7 vjeçare, tash jam 40 vjeçe. Shtëpia është gjithçka për mua. Ta kem një kulm mbi kokë dhe një shtëpi ku fëmijët dhe nipat e mi do të rriten. Jam e dëshpëruar nga shteti. Kjo është krejt jeta ime. Vazhduam të jetojmë në mbejtjet e shtëpive të rrënuara këtu, asgjë s’është pastruar për më se një vit tani, ne me fëmijët jetojmë në baltë. E ky është vendi ku jam rritur, ku nëna ime është lindur.” –Aksina, 40

Tridhjetë e pesë prej njerëzve, shtëpitë e të cilëve ishin shkatërruar, morën pjesë në një aksion të fuqishëm të artit në korrik 2019, për ta rimarrë lagjen e rrënuar dhe për t’i qartësuar dëbimet në Bullgari. Ndërhyrja u organizua nga organizata për të cilën punoj, Fine Acts, një platformë botërore për zgjidhje kreative angazhuese të shoqërisë.

Posterë gjigantë me portrete të njerëzve u printuan dhe u vendosën në mbetjet e shtëpive të tyre, si dhe u fotografuan nga lart. Posterët u mbajtën me tulla dhe materiale të tjera të marra nga mbetjet.

Ky aksion ishte pjesë e inciativës botërore Inside Out, që i transmeton problemet shoqërore përmes fotografisë në portret, si dhe posterëve gjigantë të vendosur në zona urbane. Në Sofje, Fine Arts punoi me Vesselina Nikolaeva, fotografe e cila me vite ka punuar me komunitetin në lagjen e Orlandovtsit.

Tri nga familjet po luftojnë që t’i mbajnë shtëpitë e tyre dhe kanë ngritur padi në gjykatë kundër komunës së qytetit.

Në vitet e kaluara ka pasur rritje serioze në mendimet dhe veprimet kundër komunitetit rom në Bullgari, të cilat janë bërë nxitje e fuqishme që autoritetet vendore të fillojnë procedurat për rrënim në lagjet rome. Shpesh nuk ka pasur diskutim me familjet e prekura për alternativa të mundshme para shembjes së shtëpive të tyre. Në të vërtetë, ata kanë ngelur pa shtëpi.

Më herët sivjet, një propozim u parashtrua për t’i “integruar” komunitetet rome duke e kufizuar mirëqenien, duke krijuar grupe vigjilente dhe duke shembur vendbanimet e paautorizuara, çka i ka alarmuar grupet për të drejtat e njeriut. Ende nuk është votuar.

“Të mos kesh shtëpi është jashtëzakonisht keq. Në dy vitet e kaluara [pasi ma rrënuan shtëpinë], jam zhvendosur shtatë herë. E kisha një shtëpi në Rrugën Gradinite. Kam jetuar aty për 34 vjet, jam rritur, jam martuar aty. I kam pesë fëmijë. Tani jetojnë nëpër gjithë vendin. Gruaja më vdiq nga një sëmundje. Kam punuar në fushën e ndërtimtarisë. I renovoj shtëpitë, i ndërtoj shtëpitë e të tjerëve.” – Slavcho, 54