-
Time:
5:30 pm
Place:
Facebook LIVE
Date:
08/10/2020
Hajde Folim: Reflektim mbi Shëndetin Mendor në Pandemi
-
Rreth kësaj bisede
-
Pandemia COVID-19 ka krijuar një realitet të ri. Përveç që ka ndryshuar rutinën e shumicës së njerëzve, studimet tregojnë se ka shkaktuar ankth dhe frikë anembanë botës. E kjo nuk është unike vetëm për këtë pandemi; ngjashëm ndodhi në vitin 2003 me epideminë SARS, e cila la pasoja afatgjate në shëndetin mendor të njerëzve në vendet e prekura.
Në pandeminë e tanishme, studimet tregojnë se rënia e pashmangshme ekonomike do të ndikojë negativisht te shëndeti mendor i të rinjve për një kohë të pacaktuar. Kjo për shkak se fillimisht, perspektiva për arsim të mirëfilltë është në rrezik ngase për shumë muaj institucionet arsimore ishin të mbyllura duke i lënë 1.5 miliardë fëmijë në mbarë botën jashtë objekteve shkollore. Edhe ata që pritet ta përfundojnë universitetin dhe të hyjnë në tregun e punës me shumë gjasë do të vuajnë nga mundësitë e reduktuara për të gjetur punë, për t’u ngritur në pozitë dhe për të fituar më shumë të ardhura.
Këto probleme vetëm sa kontribuojnë në zmadhimin e problemeve të shëndetit mendor si depresioni dhe ankthi, ndaj të cilave adoleshentët janë më të ndjeshëm për shkak të ndryshimeve neurobiologjike që i përjetojnë në këtë fazë të zhvillimit, veçanërisht në situata të krizës.
E problemet theksohen edhe më tej në vende si Kosova, ku shërbimet e shëndetit mendor janë më të kufizuara e rrjedhimisht është edhe më e vështirë të ndihmohen njerëzit në rrethana të jashtëzakonshme si këto të pandemisë.
Në një situatë kaq shqetësuese, posaçërisht për gjeneratën ku bëjnë pjesë liderët e së ardhmes, çfarë plane kanë drejtuesit e institucioneve tona për t’u ballafaquar me një problem kaq të madh dhe të ndërlikuar që po e prek krejt botën? A është përpiluar ndonjë strategji për ta mbështetur shëndetin mendor të njerëzve në nevojë, e veçanërisht të të rinjve si grup më i prekshëm, dhe rrjedhimisht për ta parandaluar një krizë të madhe ekonomike dhe sociale që mund të ketë pasoja të pakthyeshme? Dhe si e shohin këtë situatë e çfarë rekomandojnë akterët e rëndësishëm të shoqërisë civile që punojnë me çështje të shëndetit mendor në Kosovë?
Për ta nisur këtë diskutim kemi ftuar drejtoreshën ekzekutive të iniciativës psiko-sociale Social Lab, Eurisa Rukovci; themeluesin e qendrës telefonike për parandalimin e vetëvrasjes Linja e Jetës, Bind Skeja; dhe një përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë. Diskutimi do të moderohet nga gazetari i K2.0, Ngadhnjim Avdyli.
Ju ftojmë t’i bashkoheni diskutimit me pyetje dhe komente të enjten më 8 tetor prej orës 17:30 LIVE në faqen e Kosovo 2.0 në Facebook.
Gjatë diskutimit do të ofrohet përkthim në gjuhën angleze dhe serbe. Nëse keni nevojë për përkthim, na dërgoni numrin e telefonit në mesazh privat dhe do t’ju shtojmë në një grup në Viber nëpërmjet së cilit do të ofrohet përkthimi me anë të thirrjes.K
Imazhi i ballinës: Arrita Katona / K2.0.
-
Shikojeni këtë edicion tani
-
-
Rreth folësve/eve
-
Time:
5:30 pm
Place:
Facebook LIVE
Date:
08/10/2020