Në vitin 1987, fituesi i konkursit të afisheve për garën vjetore të Stafetës Jugosllave të Rinisë, rezultoi, për zhgënjimin e madh të autoriteteve, të ishte një vepër paksa e modifikuar e propagandës naziste. Përgjegjës ishte kolektivi i artit Neue Slowenische Kunst (NSK), i bashkëthemeluar nga grupi multimedial Laibach. Duke përshtatur imazhet nga Gjermania e viteve të ’30-ta në kontekstin e Jugosllavisë së viteve të ’80-ta, NSK donte të tallej me kultin e personalitetit që ishte ndërtuar për Josip Broz Titon.
Laibach u formua në qytetin slloven të minierave, Trbovlje, në vitin 1980 dhe u zhvillua në një forcë të rëndësishme satirike në Ballkan dhe më gjerë në dekadat e ardhshme. Emërtimi “Laibach”, emri gjerman për Lubjanën, kryeqytetin e Sllovenisë, i referohet pushtimit të Sllovenisë nga Boshti në Luftën e Dytë Botërore.
Shfaqjet e hershme të Laibach ishin provokime të qëllimshme kundër pushtetit shtrëngues të shtetit jugosllav, nga ikonografia kundërthënëse deri te përdorimi i bombave tymi në shfaqjet e tyre, në vend të makinave të akullit. Grupi fitoi shpejt popullaritet për përqafimin e tyre qëllimisht enigmatik të pamjeve ushtarake totalitare në skenë, marshet industriale dhe fjalimet.
Mbështetjet e paqarta ideologjike të këtyre veprimeve tallëse të hershme, të kombinuara me veshjet e tyre ushtarake, kanë bërë që disa ta akuzojnë Laibach si grup në skajet ekstreme të spektrit politik apo neo-nacionalist. Në vitin 1993, filozofi i shquar slloven Slavoj Žižek mbrojti Laibach kundër këtyre akuzave, duke shkruar se grupi sfidoi “sistemin (ideologjinë sunduese) pikërisht jo përmes imitimit ironik të tij, por përmes tej-identifikimit me të”. Laibach ofroi një përgjigje karakteristike cinike ndaj këtyre akuzave, duke thënë: “Jemi fashistë, po aq sa ishte Hitleri artist”.
Në vitin 1983 Laibach u shfaq në TV jugosllav veshur me veshje ushtarake dhe shirita në krahë, ndoshta si një përpjekje e mëtejshme për të turbulluar më tej imazhet fashiste dhe socialiste. Kjo bëri që atyre t’u ndaloheshin paraqitjet publike dhe të etiketoheshin si disidentë. Të patrazuar, por edhe në pamundësi për të performuar në Slloveni, ata filluan atë që e quajtën “Turneun në Evropën e pushtuar ’83”, duke luajtur në 16 qytete në tetë vende në të gjithë kontinentin. Në vitin 1984, ata u shpërngulën për pak kohë në Mbretërinë e Bashkuar, ku punuan si punëtorë krahu në Londër dhe u shfaqën si statistë në filmin “Full Metal Jacket” të Stanley Kubrick.
Një nga tiparet e tyre përcaktuese qëndron në riinterpretimin e këngëve dhe rikrijimin e këngëve të mëparshme, shpesh duke i përmbysur ato, për të përcjellë një mesazh tjetër. Për shembull, albumi i tyre i vitit 1994 “NATO” përmban rikrijime të këngëve, “Dogs of War” nga Pink Floyd dhe “The Final Countdown” nga Europe. Laibach publikoi albumin teksa luftërat në ish-Jugosllavi po ndodhnin, duke thënë se po e dërgonte NATO “aty ku vetë NATO ka refuzuar të shkojë”. Nëpërmjet ripërvetësimit të këngëve, Laibach i nxit dëgjuesit të gjejnë ngjyrime politike në tekste, që ndryshe mund të konsiderohen sentimentale dhe joserioze. Edhe në këngët më “pasherr” bëhen thirrje e zëshme, mbase jo të drejtpërdrejta, për protestë.
Kohët e fundit, albumi i tyre i frikshëm “The Sound of Music” ripërdori këngë, që në dukje janë të pafajshme, nga muzika popullore në përgatitje për një koncert në Phenian, në Kore të Veriut. Vizita e Laibach në 2015 i bëri ata një nga grupet e para perëndimore që interpretuan në Korenë e Veriut, ku edhe publikuan një dokumentar të udhëtimit, nën drejtimin e regjisorit norvegjez Morten Traavik. Në këtë koncert, një grup shumë i zgjedhur i pjesëmarrësve u bënë koreano-veriorët e parë që u lejuan të dëgjonin muzikën pop-industriale sllovene të ndaluar nga qeveria.
K2.0 bisedoi me Laibach nëpërmjet email, për performancën e grupit në Kosovë në vitin 2012, luftën hibride dhe mënyrën se si Ligji i Tretë i Njutonit shpjegon shpërbërjen e Jugosllavisë.
Interpretimi i Laibach në vitin 2012, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë është koncerti i vetëm i grupit në Kosovë deri më tani. Fotografia: Blerta Kambo
K2.0: Laibach interpretuan shfaqjen e tyre të vetme deri më tani në Kosovë në vitin 2012, në Pallatin e Rinisë dhe Sporteve në Prishtinë. Si e sheh Laibach Kosovën në kontekstin e ish-Jugosllavisë? Apo vendin që zë Kosova në narrativën më të gjerë të historisë jugosllave?
Laibach: Fatkeqësisht, kemi interpretuar vetëm një herë në Kosovë, por kemi kujtime shumë të bukura nga ai koncert. Do të donim të ktheheshim prapë, sa më shpejt të jetë e mundur.
Për ne, Kosova ishte, para së gjithash, një pjesë e “panjohur” e shtetit të përbashkët, ku ndoshta ishte më mirë të komunikoje në gjuhën angleze sesa në serbo-kroatisht. Gjithsesi, gjuha shqipe ishte krejtësisht e huaj për ne, të paktën deri kur nisëm shërbimin në ushtrinë jugosllave, ku më në fund patëm rastin të shoqëroheshim edhe me djemtë nga Kosova.
Në kontekstin e ish-Jugosllavisë, Kosova shihej si një pikë qepjeje, ku ideja e Jugosllavisë, si një shtet i përbashkët, multikulturor, shumëkombësh dhe tolerant ndaj Vëllaznim-Bashkimit, ose do të qëndronte ose do të shpërbëhej. Ndodhi kjo e fundit sepse, sipas ligjeve të mekanikës kuantike dhe parimit të përjashtimit të Paulit, dy trupa nuk mund ta zënë të njëjtën hapësirë, në të njëjtën kohë. Si rezultat i këtij fakti të thjeshtë fizik, Ligji i Tretë i Njutonit [për çdo veprim ekziston një kundërveprim i barabartë në kah të kundërt] nisi të ndodhte në Kosovë dhe Jugosllavia mori fund shpejt. Formula e kudondodhshme dhe shumë e reklamuar e Vëllaznim-Bashkimit u shpërbë dhe prej saj s’mbeti gjë tjetër veç urrejtjes dhe copëtimit.
Laibach i përkiste kolektivit të artit NSK, i cili u formua në vitin 1984. A e ka fuqizuar të shprehurit e Laibach anëtarësimi në një kolektiv arti?
NSK me të vërtetë u themelua në vitin 1984, si rezultat i faktit se Laibach u ndalua zyrtarisht në atë kohë. Prandaj, vendosëm t’i zgjeronim aktivitetet e grupit, përmes grupeve dhe bashkëpunëtorëve të tjerë, që dëshironin të punonin me ne. Kështu lindi Neue Slowenische Kunst. Ishte më shumë lëvizje e organizuar e njerëzve me mendime të ngjashme. Si i tillë, ai zgjati afërsisht deri në vitin 1992, kur të gjithë vendosëm ta shndërronim NSK në një platformë bashkëpunimi ndërkombëtare edhe më të gjerë, të cilën e riformuluam si shtet.
Me kalimin e viteve, shteti i NSK është bërë me të vërtetë një lloj platforme e hapur për të gjithë qytetarët e saj në mbarë botën, të cilët, në njëfarë kuptimi, tani edhe e menaxhojnë. Laibach nuk përfshihet më aktivisht në vetë shtetin dhe Neue Slowenische Kunst gjithashtu e ka përfunduar pjesën e tij shumë kohë më parë dhe tani ekziston vetëm përmes kujtesës. Siç u tha, NSK u bazua në Laibach dhe nuk ishte qenësor për vetë Laibach, ndërkaq Laibach ishte shumë qenësor për NSK.
Rikrijimi i këngëve më parë të padëmshme të Laibach sfidojnë kuptimet e tyre konvencionale. Fotografia: Blerta Kambo
A kanë vend kolektivet e artit në një botë moderne gjithnjë e më të tëhuajsuar?
Megjithëse shoqëria sot është shumë e tëhuajsuar dhe e fragmentuar, individualiteti është vetëm një ide iluzore. Vetëdija kolektive po mbizotëron si kurrë më parë dhe veprimtaria jashtë kolektives është praktikisht e pamundur. E njëjta gjë vlen edhe në botën e artit, ku artisti/ja individual/e në thelb kujdeset dhe rrethohet nga një kolektiv më i vogël ose më i madh njerëzish që e mbështesin atë, në një mënyrë ose në një tjetër, për t’i paraqitur idetë e tij/saj. Sot, edhe një person duhet të veprojë me personalitete të shumëfishta për të ekzistuar dhe garuar në shoqëri. Kjo është arsyeja pse kolektivet e artit sigurisht kanë një vend në një botë moderne gjithnjë e më të tëhuajsuar. Çdo ditë e më shumë!
Në kontekstin e ish-Jugosllavisë, Kosova shihej si një pikë qepjeje, ku ideja e Jugosllavisë, si një shtet i përbashkët, multikulturor, shumëkombësh dhe tolerant ndaj Vëllaznim-Bashkimit, ose do të qëndronte ose do të shpërbëhej.
E përmendët themelimin e shtetit të NSK në vitin 1992, një vit pas shpalljes së pavarësisë së Sllovenisë. NSK e identifikon veten si një “shtet në kohë” dhe refuzon nocionet tradicionale të shtetësisë, bazuar në territor apo kufij. Žižek e ka quajtur atë një “shtet pa shtet”. Çka po ndodh me shtetin e NSK këto ditë?
Nuk është që mund t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje, sepse në vitin 1992 i dhamë shtetit të NSK autonominë dhe pavarësinë dhe tani ai është plotësisht në duart e qytetarëve të vet. Në parim, është me të vërtetë një “shtet pa shtet” siç përkufizohet nga Žižek. Pyetja është po ashtu nëse është një “Shtet në kohë” — apo ndoshta një shtet që i ka kaluar Koha. E kemi bashkëthemeluar në vitin 1992 dhe në formë embrionale edhe 10 vite më parë, thjesht si “Shteti”. Por sot ka një jetë të veten dhe nuk mund t’ju flasim më shumë për të.
A e njeh shteti i NSK Kosovën?
Sigurisht; NSK është Kosovë po aq sa Kosova është NSK!
Në Slloveni pati shumë mbështetje për Kosovën në vitet e ’80-ta, me shembuj të tillë si kuvendi në Cankarjev dom në Lubjanë, më 27 shkurt 1989, i mbajtur në mbështetje të minatorëve grevistë në Trepçë. Cilat janë kujtimet e Laibach prej asaj kohe?
I mbajmë mend mirë këto ngjarje dhe mbështetja për minatorët e Kosovës ishte sigurisht një moment i çiltër në skenën politike sllovene në atë kohë. Megjithatë, është e nevojshme ta shohim prej një pikëpamjeje më të gjerë atë që po ndodhte atëherë në tërësi. Një pikëpamje e tillë shpërfaq se Sllovenia thjesht ka përfituar nga situata e tensionuar në Kosovë, për të qenë në gjendje, para së gjithash, ta ndërtonte agjendën e saj politike dhe të shkëputej nga Jugosllavia. Sido të ketë qenë, pse jo!
A mendoni se përdorimi i pamjeve ushtarake të shekullit XX nga Laibach është i dalë mode në kohët moderne, marrë parasysh luftën bashkëkohore hibride dhe kibernetike?
Lufta hibride dhe kibernetike sot njëmend mund të zhvillohet me rroba civile, por logjika e kësaj lufte është thellësisht ushtarake. Në mënyrë paradoksale, Laibach nuk përdor fare uniforma ushtarake, apo të paktën nuk e ka bërë këtë që nga viti 1985. Paradoksi edhe më i madh është se vetë termi “uniformë” mund të interpretohet si një shkurtim për “formë universale” dhe për këtë arsye, sipas përkufizimit, është i përfshirë në përmbajtjen universale të kohëve moderne.
Laibach planifikon t’i publikojë 10 albume dhe t’i performojë 200 koncerte në vitet e ardhshme. Fotografia: Blerta Kambo
Çfarë rëndësie ka pushtimi gjerman i Sllovenisë i viteve 1941-1945 në vitin 2024?
Në këtë periudhë Sllovenia u pushtua jo vetëm nga Gjermania, por edhe nga Italia dhe Hungaria. Përveç kësaj, u sulmua nga formacionet e saj paraushtarake kolaboracioniste, si Garda e Bardhë, Garda e Kaltër, Dora e Zezë, Legjioni Slloven e të ngjashme. Për shkak të pozicionit të jashtëzakonshëm gjeografik, territori slloven ka qenë gjithmonë me interes strategjik për italianët, austriakët, gjermanët dhe hungarezët.
Lufta hibride dhe kibernetike sot mund të zhvillohet në të vërtetë me rroba civile, por logjika e kësaj lufte është thellësisht ushtarake.
Pushtimi gjerman i Sllovenisë gjatë Luftës së Dytë Botërore sigurisht nuk u mirëprit nga shumica e popullatës, sepse ushtria gjermane po përpiqej ta vendoste sërish mbizotërimin kulturor gjerman të “Ordnung dhe Disziplin”, të cilin sllovenët e kishin refuzuar tashmë në parim kur ikën nga monarkia austro-hungareze. Natyrisht, sot ka një numër sllovenësh që janë shumë të orientuar pro-Gjermanisë, por gjithsesi tejkalohen në numër nga ata që janë më të lidhur me identitetin sllav dhe që zgjodhën të bëhen pjesë e federatës sllave të jugut, veçanërisht për shkak të një përvoje të tmerrshme në të dy luftërat botërore.
Në njëfarë mënyre, pushtimi gjerman gjatë Luftës së Dytë Botërore ndihmoi sllovenët/et ta gjenin identitetin e tyre politik dhe kulturor. Por sot Gjermania sigurisht është ende partneri më i rëndësishëm ekonomik i Sllovenisë. Dhe sllovenët prapë mund të jenë gjermanë më të mirë se gjermanët — nëse duan.
Mund ta shpjegosh tutje këtë pjesën e fundit?
Do të thotë se sllovenët mund të jenë më gjermanë se gjermanët … gjermanë më të mëdhenj se gjermanët … më Papë se vetë Papa…
Çfarë mendoni për rritjen e në Jugonostalgji ditëve të sotme?
Ne vetë bëhemi nostalgjikë. Në kaosin politik dhe ekonomik të kohës së sotme, një nostalgji e tillë është qetësuese dhe deri diku e kuptueshme. Në ish-Jugosllavi kishim demokraci nominale, vetëmenaxhim, painkuadrim e kështu me radhë, por kjo nuk na pëlqente, sepse na duhej të shkonim të paktën deri në Trieste për të blerë xhinse dhe mallra të ngjashme perëndimore. Pas shpërbërjes së Jugosllavisë, në disa shtete të vogla të krijuara brenda territorit të saj, erdhi një demokraci zyrtare, një demokraci e një ekonomie tregu që duhet të plotësojë të gjitha nevojat themelore dhe mbi nevojat mbi-standardin të besimtarëve të vet, vetëm nëse ata tej-identifikohen me të suksesshëm. Se a u solli kjo njëmend jetë më të lumtur popujve të këtyre vendeve, është pyetje që kërkon një shqyrtim të veçantë.
Në kuptimin politik, të gjitha këto vende tani janë pashallëqe [territore të qeverisura nga një pasha osman] krejtësisht të parëndësishme, pa një peshë dhe angazhim specifik. Vendimet politike, por edhe ato ekonomike, merren në fakt në disa vende të treta dhe përmes aleancave burokratike. Pavarësia e Sllovenisë, për shembull, ishte deri diku një akt heroik kolektiv kombëtar. Por ai heroizëm humbi shpejt në problemet konkrete ekonomike dhe politike, të cilave nuk u duket fundi. Dhe ndërkohë, vendi mbeti praktikisht pa pronën e tij të rëndësishme të çfarëdo lloji.
Në kuptimin ekonomik, Jugosllavia mund të mos ketë pasur njëmend shumë domethënie, por në marrëdhëniet ndërkombëtare, ishte një gjigant i vërtetë politik. Kjo është arsyeja pse e kuptojmë fenomenin e Jugonostalgjisë. Në çdo aspekt ne bëjmë thirrje për më shumë urtësi politike dhe lidhje mes popujve dhe shteteve, që u krijuan në territorin e ish-vendit të përbashkët, sepse më shumë gjëra na bashkojnë, sesa na ndajnë dhe është me të vërtetë keq që pas shpërbërjes ka pasur një mori luftërash dhe se tensionet e urrejtjes së ndërsjellë ende ekzistojnë. Natyrisht, për ne është gjithashtu e qartë se shqiptarët në Kosovë kishin marrëdhënie shumë më të vështirë dhe problematike me Jugosllavinë, ndaj është mjaft e kuptueshme mostoleranca e tyre ndaj ideve nostalgjike të tilla dhe të ngjashme.
Nëse asgjë tjetër, nga historia duhet të mësojmë që s’kemi çfarë të mësojmë prej saj.
A shihni ndonjë rrezik kur shikojmë prapa në të kaluarën, si tendenca për ta instrumentalizuar nostalgjinë? Çfarë mësimesh, nëse ka, mund të nxirren nga historia?
Pse shikimi prapa në histori në vetvete duhet të jetë në çfarëdo forme i rrezikshëm dhe problematik? Mund të mësojmë vetëm nga historia dhe nga e kaluara, sigurisht jo nga e ardhmja që ende nuk ka ardhur. Nëse asgjë tjetër, nga historia duhet të mësojmë që s’kemi çfarë të mësojmë prej saj. Por megjithatë, ata që e shpërfillin atë janë — siç e dimë — të dënuar t’iu përsëritet ajo. Historia gjithmonë mund të shtrembërohet dhe të shfrytëzohet për të gjitha llojet e interesave dhe instrumentalizimi i nostalgjisë është sigurisht i njëllojtë. Kjo për fat të keq po ndodh tani në Ukrainë, por edhe në Izrael dhe Gaza. Por këtu nuk është faji i shikimit prapa në të kaluarën, por i një interpretimi të shtrembëruar të saj.
Koncerti i Laibach në Ludwigshafen, Gjermani në 2022 shfaqi një imazh të madh të Vladimir Putin. Foto: Ulf Jacob
Në shkurt 2023, Laibach u përball me disa kundërthënie rreth një koncerti të planifikuar në Kiev, pasi iu referua luftës në Ukrainë si “një luftë cinike në emër të tjetërkujpër interesat gjeostrategjike të superfuqive dhe kapitalit financiar”. I qëndroni kësaj deklarate?
Nuk kemi asnjë arsye për ta ndryshuar qëndrimin tonë për luftën në Ukrainë; konsiderojmë se është ende një konflikt që ka rrënjë shumë më të thella gjeostrategjike sesa që duket në sipërfaqe. Është të paktën një luftë mes, Amerikës dhe Rusisë, nëse jo një para-shfaqje e një lufte mes Amerikës dhe Kinës. Kombi ukrainas është sigurisht viktima më e madhe e kësaj lufte, e cila po ndryshon rrënjësisht pamjen ekonomike dhe politike të botës dhe po dobëson fuqinë e Bashkimit Evropian.
Natyrisht, na vjen keq që koncerti nuk u mbajt, duke pasur parasysh që na ftuan vetë ukrainasit dhe që kemi interpretuar aty disa herë para luftës. Por, i kuptojmë argumentet e tyre, edhe pse mund të mos pajtohemi me to. Megjithatë, shpresojmë që në të ardhmen e afërt do të interpretojmë në Ukrainë dhe se ata ta fitojnë luftën e tyre.
Si mund ose si duhet të angazhohen artistët/et me luftën?
Ka shumë mënyra në të cilat artistët/et mund të angazhohen me luftën, por mënyra më e afërt për Laibach, është ndoshta mënyra e [Charlie] Chaplin, siç përshkruhet në filmin “Diktatori i Madh”. Edhe Hitleri s’mundi t’i rezistonte shikimit të këtij filmi; supozohet ta ketë parë disa herë.
Në dokumentarin “Dita e Çlirimit”, i cili përcjell koncertin e Laibach në Korenë e Veriut, anëtari themelues, Ivan Novak thotë “Po e censurojmë veten vazhdimisht … ne jemi Koreja e Veriut e vetvetes”. Mund ta shpjegoni tutje këtë? Cilat aspekte të jetës moderne, nëse ka, janë të lira nga totalitarizmi?
Totalitarizmi sot është gjithëpërfshirës, pasi ka depërtuar në çdo cep të shoqërisë, në çdo aspekt të jetës moderne. Konceptet që na japin ndjenjën më të madhe të lirisë si veturat, pajisjet komunikuese, drogat, konsumerizmi dhe demokracia, janë pikërisht idetë që na robërojnë më shumë. Struktura totalitare e kohëve moderne është portretizuar më saktë nga regjisori amerikan John Carpenter në filmin e tij “They Live” dhe s’ka nevojë t’i shtojmë asgjë tjetër kësaj.
Jemi të askujt dhe të gjithkujt dhe po, sigurisht që nuk jemi grup ballkanik.
A i jep Laibachut një pikëpamje të veçantë perceptimi i Sllovenisë si e vendosur në majë të “Evropës” dhe Ballkanit? Në kuptimin e këtij pozicioni kufitar, a e konsideroni Laibach si grup ballkanik?
Nuk e mohojmë që pozita e veçantë gjeopolitike e Sllovenisë mund të na japë një pikëpamje të veçantë, por nuk e konsiderojmë aspak veten grup slloven. Kur bëmë turneun tonë të parë në Evropën Perëndimore në vitin 1983, u etiketuam si një grup evropiano-lindor nga Ballkani. Kur performuam në Phenian në vitin 2015, mediet perëndimore na prezantuan si grupi i parë “perëndimor” që performon në Korenë e Veriut. Në Amerikë, na shohin si gjermanë ose rusë, ose në rastin më të mirë evropianë. Serbët përbuzshëm na shtyjnë kah Austria dhe Gjermania. Italianët besojnë se Sllovenia është e vendosur në Islandë. Polakët na shohin si të vetin.
Shkurt, jemi të askujt dhe të gjithkujt dhe po, sigurisht që nuk jemi grup ballkanik. Por kur performuam në Sarajevë në vitin 1995, gjatë luftës në Bosnjë, Slavoj Žižek tha diku në frëngjisht se ne jemi “Balcon” [ballkoni] i Evropës.
Çka ka e ardhmja për Laibach?
Çka s’ka, në fakt! Në tre vitet e ardhshme, po planifikojmë të nxjerrim rreth 10 albume të ndryshme dhe t’i realizojmë 200 performanca — dhe pastaj shohim…
Ky artikull është redaktuar për gjatësi dhe qartësi. Biseda u zhvillua në gjuhën angleze.
Imazhi i ballinës: Jørund F. Pedersen
Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.