Pas një viti pandemik kufizues, ngjyrat e komunitetit fluturojnë sërish.
Nga Lirika Demiri - 01.07.2021Komuniteti kosovar LGBTQ+ e mbajti paradën e pestë të Krenarisë në Prishtinë, me 1 korrik. Për shkak të pandemisë, Parada e vitit të kaluar u shënua me parakalim të veturave. Por, këtë vit, komuniteti festoi dhe protestoi së bashku, fizikisht, duke marshuar në qendër të qytetit.
Një turmë e madhe njerëzish iu bashkua paradës nën moton “Bashkë dhe Krenarë.” Marshi filloi te statuja e Skënderbeut, përballë ndërtesës së Qeverisë. Një kamion që jehonte muzikë pop me vallëzues dhe balona shumëngjyrëshe, duke i dhënë paradës atmosferën e një feste gjigante, i udhëhoqi marshuesit përgjatë shesheve kryesore, deri te Katedralja, duke i kthyer prapë te sheshi “Zahir Pajaziti”.
Ngjarja përfundoi me një fjalim të fuqishëm nga Lendi Mustafa, një nga organizatorët e Krenarisë, i cili kërkoi përfshirjen e të drejtave të komunitetit LGBTQ+ në Kodin e ri Civil. Mustafa, po ashtu, njoftoi për hapjen e një strehimoreje të re për personat LGBTQ+ në Prishtinë, të përkrahur nga komuna.
E shikojmë paradën përmes fotografive, si dhe i kemi pyetur disa nga pjesëmarrësit se çka nënkupton Krenaria për ta.
“Krenaria për mua është një mënyrë për komunitetin të qëndrojë së bashku, dhe kjo është shumë e rëndësishme kur je queer, sidomos në një shoqëri diskriminuese. Është thelbësore ta bëjmë tonën dhe ta rikthejmë hapësirën publike, të tregojmë se ekzistojmë, dhe ta ndërpresim dhe pengojmë realitetin ekzistues”. - Anita
“Shoqëria duhet të na lejojë të jetojmë. Kjo është çka Krenaria nënkupton për mua. ‘Na lërni të jetojmë.’ Nuk mund të jemi të lumtur apo krenarë, nëse fillimisht nuk mund të jetojmë të lirë”. - Din
“Kemi ardhur nga Tirana për ta mbështetur komunitetin LGBTQ+ në Kosovë; të tregojmë që ekzistojmë dhe që jemi këtu, edhe pse shumë njerëz ende nuk duan ta pranojnë këtë. Thjesht, po i kërkojmë të drejtat tona bazike”. - Ilda B
“Ndihem e lumtur që iu bashkova Krenarisë këtë vit. Është hera e parë që jam në paradë; vitin e kaluar s’mund të vija për shkak të pandemisë, ndërkaq tash po e kuptoj që ky është vendi ku përkas, ku ndihem e lirë të jem vetja. Kam dalë publikisht tash vonë dhe këtu më duket si në shtëpi. Edhe pse erdha vetëm, nuk po ndihem e vetmuar në këtë atmosferë”. - Urata
“Jam këtu bashkë me miqtë e mi për ta shfaqur mbështetjen time dhe të them se të qenit vetja është e drejtë thelbësore e njeriut. Jam e lumtur që e mora guximin të qëndroj pas asaj që besoj se është e drejtë”. - Tanusha Bytyqi
“Krenarinë e shoh si marsh mbështetës për të gjithë njerëzit e shtypur. Kam qenë edhe në Krenaritë e tjera, dhe gjithmonë do të jem këtu duke protestuar deri sa ta përmbushim qëllimin tonë të përbashkët - barazi për të gjithë njerëzit”. - Nita
“Krenaria për mua është boshti i barazisë, dhe po e përsëris thënien e njohur se ‘askush nuk mund të jetë i lirë derisa të gjithë të jenë të lirë.’ Nëse komuniteti LGBTQ+ është i shtypur në Kosovë, as ne, që nuk jemi pjesë e komunitetit, nuk mund të jemi të lirë. Derisa ta rrëzojmë patriarkatin, nuk do të ketë liri dhe barazi për njerëzit, përveç për të privilegjuarit”. - Nisa Sherifi
“Mendoj se Parada e Krenarisë është një ndër ngjarjet më të rëndësishme për të drejtat e njeriut. E dimë që situata e personave LGBTQ+ në Kosovë nuk është e mirë, dhe në këtë drejtim Krenaria e rritë vetëdijësimin në shoqëri duke qenë të dukshëm dhe të guximshëm. Paradat e Krenarisë janë edhe hapësira për t’i kujtuar ata që kanë humbur jetët e tyre për kauzën LGBTQ+ që ne të mund të jemi sot këtu duke kënduar lirshëm për dashuri”. - Noli
“Jam këtu për të qenë pjesë e kësaj ngjarjeje fantastike që simbolizon dashurinë dhe respektin në mes njerëzve, pavarësisht se kush janë”. - Bardhi Bakija
“Jam këtu sepse nuk dua të qëndroj neutral. Nëse nuk tregojmë mbështetje, atëherë e zgjedhim anën e shtypësve”. - Edvin Susuri
“Jam këtu të festoj për veten. Mendoj se mentaliteti kosovar të bën ta përbrendësosh turpin, prandaj Krenaria është kaq e rëndësishme — të protestojmë për të drejtat tona sepse ende nuk jemi ku duhet të jemi. Na lejon të jemi të dukshëm dhe ta bëjmë shoqërinë të reflektojë për ekzistencën tonë. Është një mënyrë që kolektivisht të thërrasim, “I duam të drejtat tona tani”.- Anonim
“Shpresoj se pas disa vitesh Krenaria do të jetë më shumë festë se sa protestë. Duhet të punojmë shumë gjatë gjithë vitit — jo vetëm për Krenari — për t’i realizuar të drejtat tona. Por, për sot, po e kënaqem”. - Vigan Hoxha