Mësimnxënësit dhe edukatorët e thonë fjalën e tyre.
Nga Kosovo 2.0 - 31.10.2019Çasti ceremonial i hedhjes së kapelës në ditën e diplomimit përjetohet si hedhje pas shpine e një jete të gjatë, të përqëndruar në arsim e mësimnxënie. Studentët e deriatëhershëm, të çliruar nga presioni i kalimit të provimeve, i hyjnë me nxitim nxënies së hapësirës në tregun tmerrësisht garues të punës.
Por, a mbaron të mësuarit atëherë kur lexohet faqja e fundit për përgatitjen e punimit përfundimtar dhe kur vihet pika në draftin final të temës së diplomës?
Botërisht, shumë njerëz kanë filluar diskutimin mbi Edukimin për Jetë – për domosdoshmërinë që individi të ripërtërijë dijen në një proces të vazhdueshëm të të mësuarit.
Koncepti i Edukimit për Jetë e njeh të mësuarit që ndodh përtej arsimit formal: në mjedise e situata të llojllojshme, prej atyre brenda shtëpisë e zyrës e deri te hapësirat e përbashkëta të komunitetit, që nuk ndalon tek të mësuarit e shkathtësive për punë apo informimi intelektual.
Në Kosovën me një sistem gati të shkatërruar arsimor, për shkak të nevojës së madhe për ndërhyrje shpëtuese, diskutimi zor që largohet nga efektshmëria e kurrikulave, e reformave dhe përgatitjes për tregun e punës.
A ka hapësirë që brenda këtij diskutimi të shtohet edhe dimensioni i një sistemi që prek çështjet e lartpërmendura, derisa paralelisht formëson edhe mendësinë e rëndësisë së Edukimit për Jetë, ku njerëzit deri në pleqëri do të vazhdonin të zhvilloheshin dhe të rimësonin e riçuditeshin për botën përreth?
Ne nuk kemi përgjigje të drejtpërdrejtë se cila është rruga deri te një sistem i tillë. Por, për këtë kemi folur me nëntë persona, përfshirë edhe një 10 vjeçare dhe 61 vjeçare, për të parë se çfarë mendojnë ata.
Përmes pikëpamjeve të tyre tentuam që të kuptojmë se çfarë domethënie ka ideja e edukimit gjatë gjithë jetës. Përgjigjet e tyre janë një fillim i mirë për të reflektuar për këtë.
Jehona Gjuergjeala. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Pas gati 15 viteve studimi dhe pune në Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkë, Jehona është kthyer në Kosovë dhe ka themeluar organizatën TOKA – që synon të përmirësojë shoqërinë kosovare përmes investimeve në arsim dhe rini. Jehona ka kryer studimet bachelor dhe master në London School of Economics and Political Science.
Ajo thotë se ndryshimi i shpejtë i rrethanave shoqërore dhe profesionale sot e bën të pamundur të dihet saktë se çfarë dije dhe shkathtësie do t’i nevojiten një personi pas shumë viteve.
Ajo shton se qëllimi i edukimit sot nuk do të duhej të ishte mësimi përmendësh, por zhvillimi i aftësisë së mendimit kritik, i zgjidhjes së problemeve e bashkëpunimit me të tjerët, ndërtimi i vetëbesimit dhe etikës së mirë të punës.
“Edukimi formal në Kosovë është shumë i mangët në zhvillimin e këtyre aftësive, e andaj metodat me interaktive të edukimit janë të nevojshme”, thotë ajo.
Lulzim Bucolli. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Duke qenë se njohuria dhe dija janë gjithandej, Lulzim Bucolli thotë se edhe hapësira se ku mësohet nuk mund dhe nuk bën të kufizohet. Duke praktikuar atë që predikon, artisti edukator përdor teatrin dhe lojërat për t’ju mësuar fëmijëve aftësi të ndryshme, shpesh në disa nga komunitetet më të margjinalizuara të Kosovës.
Ai thotë se dija duhet të shpërndahet, zbërthehet e analizohet në mënyra kreative e tërheqëse sepse kur procesi i i nxënies së dijes bëhet i mërzitshëm, atëherë edhe vullneti për të bërë pyetje bie.
Aty ku nxitet imagjinata, motivohet nxënësi e mësuesi, ku ka shumë interaksion, nxitje të mendimit kritik, analizë, diskutim, lëvizje, eksperimentim, rishqyrtim të qëllimeve, empati, thellim në teori e praktikë – e përshkruan ai një ambient ideal edukimi.
“Nuk ka të edukuar dhe edukues sepse në proces edukohemi të gjithë”, thotë ai. “Edukatori nuk duhet të niset me ide fikse, por duhet nisur prej idesë që qasja duhet të ndryshojë karshi nevojave të studentëve”.
“Arsimi është, apo të paktën do të duhej të ishte aftësimi për të bërë pyetje”.
- Lulzim Bucolli
Merita Shala ka gradën master në sociologji dhe ka punuar për një dekadë si mësimdhënëse e anglishtes, dhe pastaj e sociologjisë në nivelin e mesëm shkollor. Për të, përveç përgatitjes për punë, elemente si nxitja e zhvillimit të personalitetit dhe aftësimi për të menaxhuar situata të ndryshme duhet të jetë në thelb të arsimit që do të ofronte mundësi të barabarta.
Ajo thotë se arsimi formal dhe joformal bashkë, kanë për detyrë të mundësojnë të menduarit kritik e kreativ tek nxënësit, por edhe nxitjen e qytetarisë aktive, duke mësur për çështje siç janë mjedisi dhe trashëgimia kulturore.
Një formë tjetër për ta bërë këtë, shton ajo, është filmi dokumentar; ajo vet ishte pjesëmarrëse në “Shkollën dhe Filmin Dokumentar” të Dokufestit më 2018, dhe tani është duke punuar në një manual që do t’u shërbejë mësimdhënësve të tjerë për përdorimin e filmit doumentar në shkolla.
“Përvoja ime në integrimin e filmit dokumentar në mësimdhënie/mësimnxënie na ka ndihmuar të zgjerojmë ndjenjat, empatinë, solidaritetin, ekspozimin ndaj problemeve dhe risitë që sjell zhvillimi dhe përdorimi i teknologjisë”, thotë ajo.
Indrit Ferati. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Studenti Indrit Ferati ka marrë iniciativën për funksionalizimin e kino-sallës brenda objektit të Fakultetit të Arteve, pasi departamenti nuk arriti të mbulojë shpenzimet. Me një grant të marrë nga organizata ORCA, ai ka formuar një grup vullnetarësh të cilët e kanë transformuar tërësisht hapësirën e lënë në harresë.
“Qëllimi ynë është që me aktivitete dhe sidomos me filmin si mjet, studenti të vijë në jetë dhe të jetë politik”, thotë ai.
Për të, puna vullnetare që bëhet për universitetin nuk është në tërësi punë vullnetare, por një investim i sigurtë i cili i kthehet shoqërisë.
Ai thotë se arsimi dhe edukimi nuk mund të kufizohen brenda apo jashtë institucionit, por që të dyjat plotësojnë njëra-tjetrën.
“Institucioni nuk mundet të tentojë formën e tij ideale, nëse nuk kundërvihet nga jashtë”, thotë ai. “E aftësia për t’i ndihmuar nga jashtë institucionit, fitohet brenda institucionit”.
“Hapësirat universitare duhet të shfrytëzohen në mënyrën e vetme e cila synon dijen”.
- Indrit Ferati
Merita and Maida Xhema. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Derisa sa vijonte shkollën fillore në Vushtrri gjatë viteve 90’, Merita Xhema mendonte që vetëm nota 5 nënkupton të mësosh. Në vitin 1997 emigroi në Holandë dhe shpejt kuptoi që ka edhe sistem tjetër edukimi, e po ashtu edhe kultura tjera – të vendasve e të emigrantëve – ndryshe nga ajo që ishte mësuar.
Në vitet 2000, u kthye në Prishtinë dhe studioi Gjuhën dhe Letërsinë angleze, por për një kohë iu desh të punonte në fusha që nuk kanë lidhje me studimet e saj. Pastaj për shtatë vite punoi si mësimdhënëse e kurseve të gjuhës angleze, duke mbajtur trajnime për institucionet publike e deri për njerëz që donin të emigronin jashtë vendit, përvojë e cila e bënte të rimendonte shumë dimensione rreth jetës. Kjo ndodhi sidomos për faktin që u bë prind për herë të parë.
“Frika se a do t’ia dal ta edukoj vajzën nuk mposhtej as edhe nga përvojat e marra gjatë këtyre viteve”, thotë ajo. “U rritëm bashkë unë dhe Maida dhe kuptova se mësoja çdo ditë nga ky rrugëtim.”
Vitet që pasuan e gjetën nëpër trajnime ditore e në ato që zgjasin me muaj. I tillë ishte një për menaxhimin e rrjeteve sociale, gjë që i mundësoi të punoi freelance përmes internetit, kur vendosi t’i largohet profesionit për një vit pas lindjes së vajzës së dytë.
“Të mësosh do të thotë të vazhdosh të jetosh”.
- Merita Xhema
Maida Xhema është vajza e madhe e Meritës. Ajo është nxënëse në klasën e pestë. 10 vjeçarja thotë që edukimin e ka filluar kur kishte 13 muaj – në ditën e parë të çerdhes.
“Kam mësuar nga prindërit dhe mësuesja se edukimi është gjë shumë e rëndësishme për jetë”, thotë ajo. “Por ndonjëherë edhe pyetem se cka në të vërtetë është Edukimi? Të zgjohem herët, të shkoj në shkollë, të bëj detyrat e shtëpisë, të mësoj për teste? Fjala edukim tingëllon shumë më e madhe”.
Maida thotë se për shumë kohë që në kopsht edukimi për të ka nënkuptuar “të mësosh të bësh miq, t’i ndash gjërat me ta, të qëndrosh ulur edhe kur dëshiron të qëndrosh në këmbë, të mësosh ta duash mësuesen”.
Interesimi i parë i Maidës ka qenë baleti. Madje për shumë vite e ndoqi edhe shkollën e baletit. Për një kohë të shkurtër pati interesim edhe për aktrim.
Tani i pëlqen teknologjia. Në Shkollën Digjitale mësoi fillimet e programimit, shpesh duke qenë e vetmja vajzë në klasë. Tani është në kërkim të një aktiviteti tjetër.
“Mami e quan pubertet këtë gjë, kurse unë thjesht dua ta gjej veten”, thotë ajo.
Darsej Riza. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Darsej Riza është bashkëthemelues i Shkollës Digjitale, e cila ofron kurse të teknologjisë informative për fëmijët e moshave të reja.
Duke përmendur faktin që sot në Evropë ka mbi 700,000 vende të lira të punës në profilin “Inxhinier Softuerik / Programer”, dhe edukimin në teknologji si nevojë globale, ai thotë se Shkolla Digjitale është krijuar si pasojë e një hendeku global për edukim të mirëfilltë të gjeneratave të reja në teknologji.
“Limitimi i një individi që të edukohet vetëm nga institucionet arsimore është një nga gabimet më të mëdha që mund të bëhet në kohën e sotme”, thotë ai.
Darsej thotë që mësimi nuk duhet të jetë garë e notave, por e dijes. Për të është e rëndësishme që fëmijët të absorbojnë kulturën e të mësuarit, zhvillimin e mendimit kritik dhe zgjidhjes së problemeve..
“Këto teknika i përgatisin të rinjtë për Industrinë 4.0 ku pritet që automatizimi të bëjë revolucion në mënyrën e të punuarit, si dhe krijimin e shumë profesioneve të reja dhe zhdukjen e shumë nga profesionet e sotme”, thotë ai.
Violeta Smajlaj. Foto: Atdhe Mulla / K2.0.
Violeta është 61 vjeçare dhe sapo ka kryer studimet master në Studimet Evropiane. Ajo i është kthyer universitetit pas më shumë se dy dekadash. Studimet bachelor i kishte përfunduar në vitin 1987.
Ajo bënte prezantime, mësonte më thellësisht shkathtësi kompjuterike dhe përparonte krahas të tjerëve – për të e gjithë kjo përvojë ndryshon shumë prej punës që e bën në Zyrën Kombëtare të Auditimit. Në mesin e studentëve shumë më të rinj, ajo merrte edhe shumë vullnet, duke qenë në kokurrencë me njohuritë, aftësitë dhe shkathtësitë e tyre.
“Zhvillimi i shoqërisë, i teknologjisë dhe kushteve tjera që na rrethojnë kërkojnë nga ne që të jemi në hap me këto zhvillime sepse duam të jemi të dobishëm për shoqërinë dhe për veten tonë”, thotë ajo.
“Edukimi nuk duhet të pushojë sepse e gjithë ajo që kemi mësuar nuk është e mjaftueshme për tërë jetën”.
- Violeta Smajlaj
Rinor Qehaja. Foto: Majlinda Hoxha / K2.0.
Në vitin 2015, Rinor Qehaja e themeloi organin e parë të ekspetëve të pavarur që i përkushtohet avokimit dhe hulumtimit për arsim, pasi që e pa sa shpejt po zhvillohet arsimi dhe pati frikë që studentët kosovarë ishin në rrezik të mbeteshin prapa.
Ai beson që, përderisa është thelbësore që studentët t’i zhvillojnë aftësitë që i ndihmojnë për zhvillim të karierës, është fleksibiliteti intelektual që i bën njerëzit më tërheqës për punëdhënës, pa marrë parasysh përvojën apo arsimimin formal. Duke marrë parasysh këtë, Rinori beson që arsimimi i vazhdueshëm duhet të jetë në mendje të secilit të ri dhe pjesë e punës së të gjithë njerëzve, dhe se reflektimi mbi vetën dhe moshatarët është thelbësor.
Megjithatë, për Rinorin, arsimimi i vazhdueshëm nuk është thjesht i kufizuar në mësimnxënie formale në klasa dhe universitete. “Unë besoj shumë në komunitete të mësimnxënies online, si vegël shumë e mirë për arsimim të vazhdueshëm, ku njerëzit i ekspozohen njohurive më të përditësuara dhe të avancuara”, thotë ai.
Raportimi: Dafina Halili dhe Ngadhnjim Avdyli
Fotografitë: Majlinda Hoxha dhe Atdhe Mulla
Foto kryesore: Arrita Katona / K2.0.