Në thelb | Histori

“Uhaaa… u çlirum bre”

Nga - 12.06.2024

Katër rrëfime nga katër njerëz që e pritën çlirimin brenda Kosovës.

Më 12 qershor 1999, një çerek shekulli mbrapa në kohë, hyrja e forcave paqeruajtëse të NATO në Kosovë shënoi fundin e luftës, e cila kishte nisur që në vitin 1998. Kësaj dite i parapriu fushata e bombardimeve të NATO në ish-Jugosllavi dhe caqet serbe brenda Kosovës, teksa përpjekjet diplomatike për t’i dhënë fund luftës po bëheshin jashtë Kosovës.

Takimet në Rambuje të Francës, në shkurt 1999, u mbajtën ndërmjet Grupit të Kontaktit — i përbërë nga përfaqësues të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Mbretërisë së Bashkuar, Francës, Gjermanisë, Italisë dhe Rusisë — Republikës Socialiste Federative të Jugosllavisë dhe përfaqësuesve shqiptarë të Kosovës. 

Marrëveshja e propozuar parashihte, ndër tjera, autonomi për Kosovën përbrenda Jugosllavisë dhe dislokimin e trupave të NATO brenda Kosovës. Përfaqësuesit shqiptarë të Kosovës nënshkruan Marrëveshjen, por delegacioni jugosllav refuzoi. 

Pas dështimit të bisedimeve, NATO filloi një fushatë bombardimi më 24 mars, për ta ndaluar dhunën në Kosovë e për të implementuar kërkesat e bazuara në Marrëveshjen e Rambujesë. Në 78 ditët e bombardimeve, dhuna ndaj shqiptarëve të Kosovës nga forcat serbe u përshkallëzua tutje. 

Më 9 qershor 1999 u nënshkrua marrëveshja ushtarako-teknike në Kumanovë, duke i dhënë fund bombardimeve të NATO. Më 10 qershor, Këshilli i Sigurimit i Organizatës së Kombeve të Bashkuara (OKB) miratoi Rezolutën 1244, duke autorizuar Sekretarin e Përgjithshëm të OKB që të themelojë prani civile ndërkombëtare civile dhe të sigurisë në Kosovë. Kështu, në Kosovë u vendos forca paqeruajtëse e NATO, KFOR.

Lufta që mbaroi në qershor 1999 la pas vetes shumë humbje Midis janarit 1998 dhe dhjetorit 1999, sipas Fondit për të Drejtën Humanitare Ndërkombëtare, janë vrarë më shumë se 8,600 shqiptarë, rreth 5,000 – 6,500 të tjerë janë zhdukur dhe mbi 1 milion janë zhvendosur. Shkatërrimet materiale gjithashtu kanë qenë masive.

Në 25-vjetorin e çlirimit, K2.0 i pyeti me katër qytetarë/e që çlirimin e pritën në Kosovë se si ishte fundi i luftës për ta. 

Flamur Troni

Flamur Troni

Fotografia: Argjent Mamaj / K2.0.

Gjatë luftës, afër një milion shqiptarë u larguan nga Kosova. Me trena, autobusë dhe vetura një pjesë e vendit ishte zbrazur. 

Flamur Troni, 16-vjeçar në vitin 1999, ndodhej në fshatin Kovaçec, parafshat i Kaçanikut. Në një mal mbi Kovaçec, ai strehohej bashkë me rreth 70 njerëz tjerë. Mbi kokë kishin disa lisa të mëdhenj, që sot nuk gjenden më. Përpara syve i kalonin qytetarët e Kosovës tek kalonin pranë lumit Lepenc, udhës për në Maqedoninë e Veriut. 

Flamuri, tash 41-vjeçar dhe me profesion avokat, e merr telefonin dhe e zmadhon fotografinë, te  një pjesë e malit — vendi se ku kanë qëndruar. “Na e shihnim rrugën qartë. Por lisat e mëdhenj prej rrugës drejt malit nuk jepnin pamje [nuk ua mundësonin ushtrisë serbe t’i shihnin]. Ka qenë vetëm një livadh, po aty nuk rrinim”, thotë ai.  

Edhe pse kapur me kufirin me Maqedoninë e Veriut, babai i tij kishte këmbëngulur që të mos e lëshonin Kosovën. “Thjesht ka thanë mos me lëshu vendin. Kemi pasë familjarë në Perëndim, edhe thojshim me vete që edhe nëse na vrajnë ka kush e vazhdon farën e familjes”, thotë Flamuri, që sot edhe i qeshet me mendimet e asaj kohe.

Një natë para 12 qershorit, disa gazetarë të transmetuesit publik të Britanisë së Madhe, BBC, e kishin vizituar Flamurin dhe njerëzit që fshiheshin në mal me të dhe u kishin thënë se forcat e NATO futen nesër në Kosovë, gjë që, pas gjithë asaj lufte, ishte e pabesueshme për ta.

Në paraditen e 12 qershorit, u doli fjala gazetarëve britanezë. 

“Kurrë në jetë nuk e harroj atë zhurmë që vinte nga gryka e Kaçanikut. Nuk dinim çka po bëhet, nuk besojshim që po ndodhë. Janë shfaqë katër helikopterë prej grykës edhe zhurma e tyre e mbuloi krejt qetësinë”, tregon ai. “O jemi përqafë mes veti e gëzim i madh, Zot, o Zot. Ka ardhë një helikopter kah ne, sepse kemi dalë në livadh me u dokë prej lisave. U afru helikopteri edhe na me duar duke ia ba, duke u gëzu, një ushtar na bëri me dorë. Qaty e kemi ndi çka është me të përkrahë”.

Nuk kishte vonuar shumë që rruga të mbushej me tanke e këmbësori të Gurkhas, forcës speciale të Mbretërisë së Bashkuar. Flamuri me të tjerët që fshiheshin në ato male ia kishin futur vrap e ishin lëshuar në rrugë. Ushtarët njëherë i kishin kontrolluar se mos kishin armë dhe më pas kishin nisur përqafimet.

“Na pytën a dojmë ushqim. Na nuk kishim nevojë, veç i thashë mos keni çokolladë, e t’na japin çokolladë se s’kishim hanger kumedit qe sa…”, qeshet tash Flamuri që kurrë pishman nuk i bie që nuk e ka lëshuar Kosovën.

Zijadin Sakmani

Zijadin Sakmani

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Njëjtë i ngujuar si Flamuri, por në shtëpinë e tij ishte Zijadin Sakmani. “I parehatshëm kam qenë gjithmonë”, e përshkruan veten me pak fjalë, 77-vjeçari nga komuniteti turk, teksa tregon se kishte qenë aktiv në kërkimin e të drejtave të barabarta për shqiptarët nën Jugosllavi qysh prej demonstratave të vitit 1968. 

Zijadini ishte përfaqësues politik i komunitetit turk, i cili për një periudhë në fillim të vitit 1999, ndodhej në Stamboll. Prej atje, në emër të komunitetit turk, kishte lëshuar një deklaratë në përkrahje të delegacionit të Kosovës në Rambuje. Pas kësaj deklarate, i kishin sugjeruar të mos kthehej në Kosovë, por të largohej për në Shqipëri.

“Djali i vogël tha ‘qysh bre me shku [në Shqipëri] e mos me nejtë në shtëpi. Qeshtu zbrazet krejt [Kosova]’”, tregon Zijadini, për bisedën që e shtyu të kthehej në Prizren. Një djalë e kishte në Holandë, një në shtëpi, teksa i treti, 18-vjeçar, e kishte veshur uniformën e UÇK.

Askush nuk e dinte se Zijadini ishte kthyer në shtëpi, në Kosovë. 

“Erdhën [policia serbe] njëherë edhe nisën ta marrin në pyetje bashkëshorten. Unë isha në anën tjetër të shtëpisë, se e madhe shtëpia. Një revole me tre plumba e kam pasë, thashë në fund të fundit nëse ma marrin bashkëshorten, me të do të rezistoj”, kujton ai se si rrinin në ethe çdo ditë.

Ashtu në shtëpi, më 13 qershor, tërë sy e vesh se çka po ndodhte, kishte dëgjuar zhurma. E diti se NATO kishte hyrë në qytetin e tij.

“Nuk e mendon njeri asnjë moment. Tap-rrap kam dalë jashtë te rruga, 15 hapa prej shtëpisë menjëherë në rrugë kryesore, edhe qe po vijnë teposhtë disa autoblinda të NATO”, kujton ai edhe me frikë, pasi ballafaqimi mes dy forcave, atyre të NATO dhe forcave serbe ishte sy më sy. Shtëpia e Armatës përballë ishte plot me ushtarë të armatosur serbë. Në anën tjetër forcat paqëruajtëse të NATO lëshoheshin në sy të tyre.

“A djali jemi i vogli shkoi e mori flamurin [e Shqipërisë] në shtëpi edhe po e nxjerr përpara duke festu. Dolën plot të tjerë që ishin nëpër shtëpi edhe uhaaa, u çlirum bre… shumë ndjenjë që nuk e harroj kurrë”, kujton Zijadini.

Ganimete Pireva - Musliu

Ganimete Pireva - Musliu

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në ethe, në një bodrum të një shtëpie, strehohej me familjen e saj Ganimete Pireva-Musliu, atëherë 28-vjeçare. Ata e kishin kaluar luftën në lagjen e Spitalit në Prishtinë që atëbotë dukej larg nga ajo që është sot.

Ganja, sikur e thërrasin të afërmit, ishte shtatzënë përgjatë vitit 1999.

“Dy netë përpara se me nisë bombardimet, pra më 22 mars, nisën këmbësoria me gjujtë e me kallë. U çu krejt lagja e dolën jashtë, e unë nejta me pritë burrin”, thotë ajo. Burri i punonte si përkthyes me “Mjekët Botërorë”. “Kur i ka ra NATO në pjesën ku sot është Pallati i Drejtësisë, o zot çfarë gëzimi”, kujton Ganja.

Mëngjesin e 1 majit, Ganja e kishte çelur me dhimbje. Ishte gati të lindte. Shoqata “Nëna Terezë” në Lagjen e Spitalit ishte bastisur një natë më herët nga forcat policore serbe dhe asnjë gjë s’kishte mbetur që t’i gjindej dy mamive për lindje, të cilat i kishte siguruar më herët.

“Kam lindë në bodrum. E di që ka qenë fllad, po mamiat i kanë pasë veç një palë dorëza edhe [aparat] me ma matë tensionin, kurgjo tjetër. Kurgjo s’kishin mujtë me rujtë prej policisë. Unë e di që herë më bike të fiktë, herë u kthjellsha, edhe shyqyr zotit më lindi Alba”, kujton Ganimetja. 

Prej 22 marsit deri më 12 qershor, ata kishin qëndruar në atë bodrum, ku të paktën lajmet mund t’i dëgjonin në disa gjuhë, anglisht, serbisht e frangjisht, pasi bashkëshorti i fliste të gjitha. Ditët i kalonin me frikë.

“I patëm mshelë dritaret me batanije, na nuk e dishim çka ka jashtë. O zot m’u tek me besu dikush osht jashtë, e shumë kishim frikë. Sidomos natën e nënshkrimit të Marrëveshjes në Kumanovë. Tërë natën me kunatën që kishte fëmijë të vogël, i kemi qitë fëmijët në një djep edhe i kemi përkund që mos me qajtë e me bo zhurmë se u frigojshim nga hakmarrja e [forcave] serbë atë natë”, rrëfen ajo.

Teksa trupat britanike më 12 qershor 1999 po shpërndaheshin lagjeve të Prishtinës, Ganja rrinte brenda bodrumit. Ndërkohë, dëgjoi zërin e një gruaje përballë saj, që kishte mbetur e ngujuar gjithashtu në Prishtinë, e cila kishte dalë në ballkon dhe kishte parë NATO. “Ka dalë ajo kojshikja e po thirrë, po thotë hajde se NATO. Unë ja bojsha ‘a je sigurt se po na qet para policie serbe’, ajo bojke be që ka ardhë NATO”, tregon e qeshet Ganja.

“E kam marrë burrin, çikën e kam lanë brenda në shtëpi me të tjerët. Paramendo e harrova gajlen e çikës prej gëzimit të madh. Me burrin kemi shku atje ku sot është shkolla ‘Pavarësia’ edhe kemi pa trupa të NATO. O zot çfarë gëzimi… jemi përqafë e jemi gëzu sa s’di”, kujton sot, Ganja tash 52-vjeçare. 

Agim Berberi

Agim Berberi

Fotografia: Majlinda Hoxha / K2.0.

Nënshkrimin e marrëveshjes në Kumanovë nuk e kishte dëgjuar Agim Berberi, atëbotë 39-vjeçar, që rrinte në një banesë në fillim të Bllokut të Ri në Gjakovë, mes dy tyrbeve që i vinin si bekim kundrejt stacionit të policisë që ishte afër. I rropatur nga rrahjet e disahershme nga policia serbe, Agimi i ngujuar në banesë rrinte nën tension se çka mund të ndodhte. Ai me vete kishte aty djalin e vogël Atdheun, teksa i madhi, Adhurimi, ishte larguar nga Gjakova.

“E adhuroj atdheun, për atë edhe emrat i kanë të tillë”, nis e flet Agimi tash 64-vjeçar, i cili pas disa ditësh të nënshkrimit të marrëveshjes në Kumanovë do të bëhej figurë emblematike e çlirimit të Kosovës në medie botërore.

Ushtarët italianë ishin nisur për Pejë. Ata veç do të kalonin nëpër Gjakovë, por këtë plan nuk e dinte Agimi. “Disa fëmijë e di që kanë bërtitë ‘baca Agim, baca Agim hajde se NATO’, unë pa nja, pa dy, e kam marrë një flamur edhe jam nisë shkallëve”, tregon ai.

Xhipat e NATO po vinin tek rrethi që sot të dërgon në tranzit dhe të futë brenda në qytet. Agimi kapi flamurin kuq e zi dhe e vendosi në një shenjë komunikacioni “STOP”, teksa i sheh forcat serbe në anën tjetër.

“Xhipi tu ardh. Ora 15:15. Unë me plot fëmijë rrethit, veç kom marrë hez edhe jom gjujtë përmbi xham edhe kam bërtit “NATO, NATO!” me dy gishta nalt. Kameramani brenda në automjet e ka nxjerrë kamerën edhe ka xhiru”, tregon ai edhe sot në vendin e atëhershëm, për momentin që pati bërë xhiro botërisht.

Trupat paqeruajtëse kishin vendosur që të ndaleshin atë ditë edhe në Gjakovë, një prej qyteteve që e përjetoi më së rëndi luftën

“Ne kërkonim që të ndalen e të na shpëtojnë pasi pritej me u bo masakër në qytet. Ka zgjatë diku 45 minuta, ne të gjithë duke u gëzu rreth tyre, dhe u ndalën pas shumë bisedave që i shihnim që i bënin në radiolidhje”, kujton Agimi, që atë moment nuk e krahason me asnjë tjetër në jetë.

“Sa herë vjen ajo datë mendja vetëm aty më rri”, thotë ai.

 

Imazhi i ballinës: Majlinda Hoxha / K2.0.

Në Kosovo 2.0, përpiqemi të jemi shtyllë e gazetarisë së pavarur e me cilësi të lartë, në një epokë ku është gjithnjë e më sfiduese t’i mbash këto standarde dhe ta ndjekësh të vërtetën dhe llogaridhënien pa u frikësuar. Për ta siguruar pavarësinë tonë të vazhdueshme, po prezantojmë HIVE, modelin tonë të ri të anëtarësimit, i cili u ofron atyre që e vlerësojnë gazetarinë tonë, mundësinë të kontribuojnë e bëhen pjesë e misionit tonë.