Blogbox | Arts & Culture

Udhëtimi im i parë në Kosovë

Nga - 05.09.2024

Një natë mikpritëse në Prizren.

Krejt papritmas, jam e vetëdijshme që ndodhem në një lokal të mbushur plot, në orën 1:30 të mëngjesit, në një të mërkure në Prizren. Muzika e një grupi post-punk britanez dëgjohet në sfond, atmosfera është e gjallë dhe njerëzit janë të afërt. Jam nën shoqërinë e grupit me të cilin kam ardhur këtu. Jemi të gjithë/a serbë/e dhe duket se kjo gjë nuk i intereson askujt.

Erdhëm më herët atë mbrëmje dhe kishim mjaftueshëm kohë për t’i lënë gjërat tona dhe për të marrë shpejt diçka për të ngrënë, para se të shikonim ta shikonim një dokumentar në Kino Lumi. Orari që kishim zgjedhur ishte i stërmbushur, ashtu si Prizreni gjatë Dokufestit. Megjithatë, nuk e pata problem. Mezi prisja t’i eksploroja të gjitha — festivalin, Prizrenin dhe vetë Kosovën.

Menjëherë pas mbërritjes, frika ime e të qenit larg Novi Sadit ose frika e të folurit serbisht u larguan, pasi e vërejta një ngjashmëri të parë mes shqiptarëve/eve dhe serbëve/eve: të dy popujt krenohemi me mikpritjen tonë. Ndërveprimi im i parë me një vendas, ishte me pronarin e bujtinës. Nisa të flisja anglisht dhe pastaj më pyeti se nga vija:

“Oh, Vrbas, është afër Novi Sadit”. (Pata planifikuar që të gënjeja për prejardhjen, por nuk e di pse thjesht s’munda.)

“Novi Sad!? Pa zašto ne pređemo na srpski!” Novi Sad? E pse nuk flasim serbisht!

Sinqerisht, s’ia kisha idenë se njerëzit e lindur në vitet e ’80-a dhe më herët, flisnin serbisht. Për më tepër, u befasova paksa se si gjatë gjithë udhëtimit flisja serbisht dhe askujt nuk dukej se i bënte përshtypje. Çka përjetova gjatë udhëtimit tim nuk i ngjante aspak pamjes që shihja në mediet serbe.

Fjalën “Kosovë” më së shumti e kam parë në togfjalëshin “Kosovo je Srbija” (Kosova është Serbi), si grafit në ndërtesa dhe shtëpi të shumta, apo shënuar në bluza veshur kryesisht nga djem dhe burra.

Si një 24-vjeçare, e rritur në një qytet të vogël në Serbinë veriore, pikëpamja ime për Kosovën u ndërtua kryesisht nga mediet dhe propaganda. Ne nuk mësuam për luftërat që ndodhën, kur u shpërbë Jugosllavia në vitet e ’90-a; çdo diskurs ishte kryesisht i njëanshëm. Fjalën “Kosovë” më së shumti e kam parë në togfjalëshin “Kosovo je Srbija” (Kosova është Serbi), si grafit në ndërtesa dhe shtëpi të shumta, apo shënuar në bluza veshur kryesisht nga djem dhe burra.

Një pikëpamje e re për Kosovën

Shumicën e njohurive të mia për luftën në Kosovë i kam marrë gjatë ditëve universitare. Nisi me dokumentarin e Ognjen Glavonić, “Thellësia Dy”, i cili flet për përpjekjet për t’i fshehur trupat e civilëve/eve shqiptarë/e, pas një masakre të kryer nga policia serbe nën udhëheqjen e Slobodan Milošević. Kjo më shtyu të mësoja më shumë për luftën duke hulumtuar, lexuar dhe shikuar çdo gjë që mund ta gjeja në internet.

Kështu hasa në një intervistë të Zoran Rašković, ish-pjesëtar i Çakallëve, një grup paramilitar serb, në të cilën ai fliste për masakrat në Qyshk. Kështu kam gjetur edhe publikime nga Nisma e të Rinjve për të Drejtat e Njeriut dhe OSBE. Dhe, normalisht, është ende diçka për të cilën mësoj çdo ditë, përmes medieve si KoSSev dhe BIRN. Megjithatë, edhe pse krenohesha që kisha njohuri për të dyja anët e historisë, s’isha me të vërtetë e vetëdijshme për gjendjen aktuale politike në Kosovë.

Udhëtova në Prizren me Heartefact, një organizatë multi-disiplinare që është kryesisht një komunitet teatror. Më herët në korrik, ata publikuan një thirrje të hapur, duke ftuar njerëz për një udhëtim të organizuar për në Dokufest. Gjithmonë kam dashur ta vizitoj Kosovën dhe më në fund pata rastin. Dërgova CV time dhe një letër motivuese dhe një javë më vonë u përzgjodha bashkë me 10 aplikues/e të tjerë. Grupi ynë përbëhej kryesisht nga studentë/e dhe të rinj/eja që merreshin me art, medie dhe shkenca sociale.

Përveç që na çoi në projeksione filmash, Heartefact organizoi edhe një takim me organizatorët e Dokufestit, Linda Gashi, Alba Çakalli dhe Samir Karahoda. Takimi u zhvillua në kafenenë në oborr të kinemasë “Lumbardhi”, një godinë e vjetër, e amortizuar e ndërtuar në vitet e ’50-a. Qeveria tentoi të prishte ndërtesën për të bërë një parking në dy raste, 2007 dhe 2014, por banorët/et vendas/e protestuan kundër prishjes së godinës. Këto fitore të vogla e të rëndësishme më fascinuan: ata/o kishin arritur të shtynin gurin proverbial mbi kodër. Siç na kishte thënë me shaka Bengi Muzbeg, drejtues i Programeve dhe Arkivave të Filmit në Fondacionin Lumbardhi: “Nuk i lamë kapitalistët të fitonin!”.

Shumë prej nesh, të paditur/a, menduam se njerëzit në Kosovë vuajnë nga të njëjtat probleme si ne.

Për shumicën prej nesh që erdhëm me Heartefact, ishte vizita jonë e parë në Kosovë dhe kishim shumë pyetje. Si nisi biseda jonë me organizatorët/et e festivalit, e kuptova se sa e përqendruar te serbët/et ishte pikëpamja ime. Shumë prej nesh, të paditur/a, menduam se njerëzit në Kosovë vuajnë nga të njëjtat probleme si ne.

“Po thoni që nuk keni probleme me censurimin?”

“Po thoni që keni liri kreative dhe njëkohësisht merr financim nga shteti?”

“Po thoni që këtu keni politikë ndryshe?”

E kuptova sa shumë nuk dija.

Diskursin e Kosovës në Serbi e kam parë si një mënyrë e politikanëve/eve për ta hequr vëmendjen nga gjëra të tjera të rëndësishme. Është një temë që ka ngecur në kohë dhe hapësirë ​​dhe sa herë që duhet të përqendrohemi tek e ardhmja, qeveria e nxjerr “kartën e Kosovës”. Shumë njerëz janë të lodhur nga kjo temë dhe mungesa e vazhdueshme e zgjidhjes së saj, por ajo mbetet temë polarizuese në mesin e serbëve/eve. Mendoj se në Serbi kemi shumë përçarëse, që e ngadalësojnë rritjen tonë.

Zbulimi i realiteteve të Kosovës

Teksa bisedoja me organizatorët/et e festivalit dhe Vatra Abrashin, bashkëthemeluese e Autostrada Hangar, i vetmi institucion i artit bashkëkohor në Prizren që është gjithashtu organizatë joqeveritare, m’u krijua përshtypja se politika e Kosovës ka më shumë unitet. Të gjitha palët kishin të njëjtat qëllime, pa marrë parasysh ideologjinë politike — që Kosova të njihet nga të gjithë shtetet dhe të anëtarësohet në BE. Në këtë kuptim, politika e Kosovës m’u duk më përparimtare dhe e orientuar drejt së ardhmes, ndërsa politika në Serbi ka ngecur në të njëjtën gropë tash e një kohë.

Po ashtu, nuk kam pasur ide se sa të rinj/reja janë qytetarët/et e Kosovës. Popullsia e Kosovës është më e reja në Evropë, me 31% të popullsisë që janë  18 vjeç apo më të rinj/reja, ndërkaq ajo e Serbisë është një nga më të vjetrat, me një moshë mesatare prej 43.8 vjeç. Dallimi në moshë ishte i dukshëm në shumë mënyra. Gjatë ditëve të javës, baret dhe kafenetë ishin të mbushura plot: në mëngjes me familje dhe netëve vonë me rini, të cilët/at ndonjëherë merrnin me vete edhe foshnjat e tyre.

Ishte kënaqësi të ishe e rrethuar nga kaq shumë rini — energjia ishte e fortë, qyteti ishte plot jetë.

Një mbrëmje e së mërkures në Prizren ishte më e mbushur me ngjarje se një fundjavë në Novi Sad. E di se e kam vizituar gjatë Dokufestit, megjithatë gjatë ditëve të javës, baret në Prizren ishin të hapura deri në orën dy të mëngjesit, ndërsa gjithçka mbyllet në orën një të mëngjesit të premteve mbrëma në Novi Sad. Ishte kënaqësi të ishe e rrethuar nga kaq shumë rini — energjia ishte e fortë, qyteti ishte plot jetë.

Të kthehesha në Novi Sad ishte pak dëshpëruese, pasi e kuptova se sa të zbrazëta ishin rrugët pas orës 22:00. Megjithatë, u ktheva me një pikëpamje që nuk do ta kisha krijuar kurrë përmes asnjë lloj medie dhe me një ndjeshmëri që vetëm përvoja e jetës reale mund ta krijojë. Ndoshta kështu ecim përpara: rinia kosovare dhe serbe tek shkojnë dhe shohin se si jeton pala tjetër, duke mësuar më shumë për njëri-tjetrin.

 

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0

Imazhi i ballinës: Atdhe Mulla / K2.0 

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.