Pikëpamje | Zgjedhjet 2025

Zotimet e partive politike për shëndetin mendor

Nga - 04.02.2025

K2.0 analizon programet zgjedhore.

Debati rreth shëndetit mendor u shpeshtua në Kosovë sidomos gjatë pandemisë COVID-19. Izolimi, përballja me rrezikun nga virusi dhe pasiguria e përgjithshme që e kaploi botën, sollën në sipërfaqe problemet sistemike rreth mënyrës se si trajtohet shëndeti mendor në vend e përtej. 

Mirëpo, derisa problemet dolën sheshas, në Kosovë pati pak përpjekje për t’i adresuar ato. Boshllëqe të shumta, pos që përshkuan vitet paspandemike, si duket, përshkojnë edhe ofertën politike përpara zgjedhjeve të përgjithshme të 9 shkurtit. 

Momentalisht, pothuajse i gjithë sistemi publik i shëndetit mendor rregullohet nga Ligji për Shëndetin Mendor, që hyri në fuqi një dekadë më parë. Ky ligj rregullon llojet e shërbimeve dhe përgjegjësitë e institucioneve karshi pacientëve/eve. Këto institucione përfshijnë: departamentet e psikiatrisë në kuadër të spitaleve, qendrat e shëndetit mendor dhe shtëpitë integruese, siç janë, Qendra për Integrim, Rehabilitim dhe Risocializim të të Sëmurëve Kronikë Psikiatrikë në Shtime (QIRSKP), klinikën e psikiatrisë me qendër në Prishtinë, Institutin e Psikiatrisë Forenzike (IPFK) dhe institucionin e sëmundjeve të varësisë, që nuk është krijuar kurrë. 

Zbatimi i këtij ligji është i dobët. Në vitin 2022, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie i Kuvendit të Kosovës hartoi një raport monitorimi ku përfundoi se ligji ka pasur një sërë mangësish në zbatim. Për këtë, raporti përmend një varg arsyesh, që ndër tjera, përfshijnë, mosnxjerrjen e akteve nënligjore, mosfunksionalizimin e departamenteve dhe komisioneve, mungesën e personelit, buxhetit, barnave, dhe mosrregullimin e statusit për disa prej institucioneve.

Si rrjedhojë, Komisioni rekomandoi hartimin e një ligji të ri, proces që filloi në Ministrinë e Shëndetësisë (MSH) në vitin 2022. Për këtë, MSH themeloi grupin punues për hartimin e projekt-ligjit të ri për shëndetin mendor, ku morën pjesë edhe anëtarë të shoqërisë civile. Mirëpo, ky proces nuk prodhoi diçka substancialisht ndryshe nga ligji aktual. Një prej arsyeve ishte mospërfshirja e vetë pacientëve/eve në procesin e përgatitjes së ligjit. Në vitin 2023 MSH publikoi një draft të ri të ligjit, i cili nuk adresonte disa prej kritikave bazë ndaj ligjit aktual. Tash për tash, nuk është e qartë se çka ka ndodhur me projekt-ligjin.

Ndërkohë, Qendra për Informim dhe Përmirësim Social (QIPS) — organizatë jo-qeveritare që punon në fushën e shëndetit mendor — që nga viti 2018 ka kërkuar angazhimin e institucioneve shtetërore në parandalimin e vetëvrasjes. Kjo do të nënkuptonte hartimin e një strategjie për parandalim të vetëvrasjes, institucionalizimin e Linjës së Jetës — linjë telefonike për parandalim të vetëvrasjes — dhe zbatimin e politikave sociale për parandalim të vetëvrasjes. 

Në këtë drejtim, Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare, organ rregullator në fushën e komunikimeve elektronike dhe të shërbimit postar, me vite të tëra e përcakton një kod të veçantë (116 123) për një linjë për shëndet mendor, që përfshin edhe  parandalimin e vetëvrasjes. Mirëpo, kjo nuk është realizuar. Linja e Jetës (0800 12345), që është nismë jo-qeveritare, është i vetmi shërbim i këtij lloji. 

Në mungesë të angazhimit dhe vullnetit politik për jetësimin e këtyre politikave, një grup organizatash jo-qeveritare nisën një peticion për hartimin e një ligji për parandalim të vetëvrasjes. Në vitin 2024, ky peticion mblodhi mbi 10,000 nënshkrime dhe u dorëzua në Kuvendin e Kosovës, ku pritet të trajtohet pas formimit të qeverisë së re. 

Njëkohësisht, kjo neglizhencë ndaj shëndetit mendor në sistemin publik ka bërë që qendrat e shëndetit mendor, që do duhej të shpenzonin kohën e tyre kryesisht në rehabilitim dhe risocializim nëpërmjet aktiviteteve në komunitet, të ngarkohen me persona të cilët janë funksionalë, por që nuk kanë kapacitete financiare që të zhvillojnë jetë jashtë qendrës. Kësisoji, këto qendra punojnë de facto si klinika psikiatrike me kapacitete më të ulëta.

Pos kësaj, shumë shërbime apo nisma as që ekzistojnë në legjislacion. Disa prej tyre përfshijnë këshilltarët/et e zisë (grief counsellors), shërbime të specializuara për individë neurodivergjentë/e apo nisma për punësimin e personave me çrregullime të shëndetit mendor. 

Shërbimet ekzistuese janë po ashtu të varfra. Sipas MSH, në të gjitha shërbimet publike shtetërore të shëndetit mendor janë të punësuar 281 infermierë/e, 49 psikiatra, nëntë psikologë/e, një punëtor/e social/e dhe shtatë këshilltarë/e psiko-socialë/e. Po ashtu, mungon gati tërësisht mbështetja për qytetarët më të moshuar. 

Kështu është krijuar ambient ku sistemi shëndetësor privat ka përparuar. Ky sistem pos që nuk ka mbikëqyrjen e duhur, është i kushtueshëm, duke shndërruar qasjen në shërbime të shëndetit mendor në privilegj. 

Si rrjedhojë, sistemi publik në vend ka dështuar t’u gjendet pranë qytetarëve, gjë që ka rezultuar në vuajtje, mjerim, e edhe vdekje të parandalueshme. Në prag të zgjedhjeve, premtimet e partive politike nuk vijnë në vakuum, por në një sfond politik dhe strukturor, që shëndetin mendor e ka lënë anash dhe e ka shndërruar thjesht në një mundësi biznesore. 

Prandaj, kjo është mundësi e mirë për të shikuar nëse ndonjëra parti e parasheh ta adresojë këtë kontekst dhe të sjellë ndryshime të njëmendëta në politika. Çka thonë për shëndetin mendor planet e katër subjekteve politike më të mëdha, Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) dhe Aleancës së Ardhmërisë së Kosovës (AAK), e cila garon në koalicion me Nisma Socialdemokrate.

 

Lëvizja Vetëvendosje

Në programin e LVV nuk ka ndonjë pikë që e adreson drejtpërsëdrejti shëndetin mendor. Mirëpo, meqë LVV premton vazhdimin e punëve të nisura në këtë mandat, atëherë mund të jetë e dobishme të analizohen disa prej atyre punëve. 

Në tetor të vitit 2024, qeveria ndërmori dy nisma ligjore drejt rritjes së qasshmërisë ndaj shërbimeve të psikologëve. E para ishte një projekt-udhëzim administrativ (UA), që për herë të parë rregullon procedurat e licensimit të një psikologu/je shkollor/e, duke vendosur korniza të qarta për përgjegjësitë e tyre. Ky projekt-UA ishte në fazë të konsultimeve publike deri në nëntor 2024. Versioni përfundimtar ende nuk është publikuar.

Gjithashtu, në projekt-ligjin e ri për shëndetësi, psikologu klinik parashihet si bashkëpunëtor profesional në kujdesin parësor shëndetësor, që do të thotë se çdo komunë obligohet që të ofrojë këtë shërbim përmes qendrave të mjekësisë familjare. Sidoqoftë, këto dy politika janë sjellë tek në fund të mandatit dhe ende nuk janë aplikuar — projekt-ligji ende nuk është dërguar në Kuvend.

Përgjatë mandatit, ka nisur rilokimi i QIRSKP në Shtime në një objekt të ri në periferi të komunës dhe është miratuar propozim-vendimi për ndërtimin e një qendre rezidenciale për autizëm, sindromën down dhe aftësi të kufizuara për fëmijë, të rritur dhe të moshuar. Këto projekte ende nuk janë përfunduar, mirëpo kanë premisa problematike. 

Lëvizja në periferi e QIRSKP redukton mundësitë e pacientëve/eve që të kenë kontakt me qytetarë/e tjerë, që është në kundërshti me një qasje të bazuar në ndërveprim me komunitet e jo izolim. Sa i përket qendrës rezidenciale, në vend që të ndërtohen disa rezidenca për persona me aftësi të kufizuara, qeveria e centralizon në një vend të vetëm, që sugjeron se LVV e shpërfill faktin që nuk bëhet fjalë për një grup homogjen — por për grupe me nevoja dhe kërkesa specifike që këkrojnë zgjidhje specifike.  

Një nismë që është realizuar plotësisht rreth shërbimeve të shëndetit mendor brenda mandatit është renovimi i klinikës së psikiatrisë së fëmijëve dhe adoleshentëve, tash me mundësi internimi të pacientëve/eve të rinj. Kjo politikë është në kundërshti me rekomandimet e OKB dhe Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH) sipas së cilave, “çdo vendim për të institucionalizuar një fëmijë shkel të drejtat e fëmijës, përfshirë të drejtën në familje”.

Kjo qasje sinjalizon se LVV do të mirëmbajë status quo.

 

Lidhja Demokratike e Kosovës 

Në programin e LDK, ndonëse në disa raste përmendet “mirëqenia psikologjike” shpjegimi rreth mënyrës se si do të ndikohet në të është i mangët.

Një politikë, ku LDK e përmend prej së largu shëndetin mendor është shqyrtimi i ndërtimit të një spitali të burgut veçanërisht për internimin e të burgosurve me probleme psikiatrike. Ky njëherit është edhe premtimi më problematik i LDK rreth shëndetit mendor. 

Së pari, është e paqartë se çka do të ndodhë me Institutin e Psikiatrisë Forenzike (IPFK), që është themeluar një dekadë më parë, me qëllimin e internimit dhe ekzaminimit të personave me çrregullime të shëndetit mendor, që gjithashtu kanë kryer vepra penale. IPFK është funksionale, andaj është e paqartë prej kah buron propozimi që të hapet një spital i dytë i tillë.

Po ashtu, internimi i pacientëve me vepra penale brenda spitaleve psikiatrike ka dëshmuar të jetë një ide e dështuar me kalimin e kohës. Pacientët/et vazhdimisht ikin nga IPFK, ndërsa izolimi vazhdon të ndikojë negativisht te pacientët/et. 

Kjo ndodh për shkak të tendencës për trajtim të përqendruar në ilaçe dhe izolim, në vend të rehabilitimit social të individit. Në këtë trajtim, sfidat e pacientëve shihen si sfida që burojnë prej çrregullimit e jo prej ndërvreprimit të çrregullimit me rrethanat sociale. Këto praktika nuk rezultojnë të suksesshme në kthimin e zotësisë të pacientëve apo kapacitetit ligjor të tyre për të marrë vendime. 

Këtu, programi i LDK dështon të ofrojë diçka të informuar prej modeleve që kanë funksionuar në botë, për shembull ai i Rezidencave për Zbatimin e Masave të Sigurisë (REMS) në Itali. REMS bazohet në rehabilitimin psiko-social duke mos lënë anash rreziqet e sigurisë që mund të vijnë prej personave të cilët kanë vepra penale, duke angazhuar edukatorë/e, punëtorë/e social dhe shumë profesione të tjera pos atyre mjekësorë në mënyrë që të fitohen aftësi për t’u rikthyer në komunitet. 

Qartazi, LDK nuk ka ndonjë strategji për shëndetin mendor, gjë që nuk përkon me disa nga nismat e fundit të degës rinore të LDK rreth shëndetit mendor. Në vitin 2023, dega rinore e LDK e hapi fushatën “Me Ty”, iniciativë e cila zhvilloi diskutime dhe punëtori mbi shëndetin mendor me rini dhe kulminoi me hapjen e një linje telefonike për shëndet mendor në Istog. Duket se LDK ka dështuar ta kapë mundësinë për ta çuar tutje nismën e rinisë së partisë.

 

Partia Demokratike e Kosovës 

Programi i PDK ofron disa pika të ndërlidhura me shëndet mendor, por pa thellim të mjaftueshëm. Ato politika që mund të nxirren, janë copëza të premtimeve, të cilat kanë implikime më të gjera. 

Dy pika që janë pozitive janë premtimi për përfshirjen e psikologëve/eve në çdo shkollë dhe angazhimi i psikologëve/eve të sportit. 

Mungesa e psikologëve/eve shkollorë është problem që rëndon dukshëm situatën e shëndetit mendor në vend. Gjithashtu, angazhimi i psikologut/es të sportit do të kishte potencial që të rriste mirëqenien mendore dhe fizike të sportistëve/eve. Sidoqoftë, për shkak të mungesës së elaborimit mbesin pikëpyetje rreth zbatimit të këtyre dy premtimeve, të cilat momentalisht hasin në disa pengesa.

Së pari, punësimi i psikologëve/eve shkollorë është përgjegjësi komunale, jo qendrore. Gjithashtu, njëra prej pengesave për punësimin e psikologëve/eve është Udhëzimi Administatriv Nr. 26/2013, i cili kushtëzon punësimin e tyre për shkolla me numrin e nxënëseve/eve. Sipas këtij UA, vetëm shkollat të cilat i kanë 1,000 nxënës mund të punësojnë një psikolog/e. Pra, nuk dihet nëse PDK do ta ndryshojë këtë UA dhe se si do të punojnë me komuna për t’u siguruar për punësimin e këtyre psikologëve/eve.

Së dyti, premtimi për punësimin e psikologëve/eve të sportit është sfidë e veçantë pasi një specializim i tillë nuk ekziston në Kosovë. Punësimi i psikologut/es të sportit do të nënkuptonte zhvillimin e një specializimi nga hiçi në një degë të qëndrueshme dhe zhvillimin e udhëzimeve administrative apo ligjeve për ta rregulluar atë. PDK nuk tregon se si do ta navigojë këtë kontekst.

Ajo që është më problematike është premtimi për themelimin e një qendre kombëtare për trajtimin e varësisë në Kamenicë. Botërisht, tentimet për të centralizuar shërbimet e shëndetit mendor, duke përfshirë ato të varësisë, për t’i trajtuar ekskluzivisht si probleme të natyrës psikiatrike kanë rezultuar në dështime të panumërta dhe përkeqësim të gjendjes së pacientëve/eve. Sot, dy shtete të përparuara në Bashkimin Evropian për trajtimin e varësisë konsiderohen Spanja dhe Portugalia, të cilat ofrojnë shërbime plotësisht të decentralizuara, duke përfshirë skema sociale për pacientët/et. 

Në praktikë kjo nënkupton që një person me probleme me varësi nuk trajtohet krejtësisht si pacient, por si person me vështirësi socio-ekonomike. Qendra komunitare janë të organizuara nëpër shtet, të cilat ofrojnë psikoterapi, angazhime komunitare dhe punëtori për zhvillimin e aftësive të punës, e gjitha në mënyrë të vullnetshme. Banimet sociale po ashtu sigurojnë që këta persona nuk mbesin pa strehë, klinika të specializuara për persona me varësi të avansuar ofrojnë marrjen e drogave në një hapësirë të sigurt me kusht të pjesëmarrjes në programe rehabilituese. 

Derisa PDK konsideron se nëpërmjet ndërtimit të një qendre të vetme shërbimet disi decentralizohen, apo ndihmojnë në destigmatizim të pacientëve/eve, qasja e vet sugjeron krejt të kundërtën.

 

  Koalicioni AAK, Nisma 

Brenda 101 faqeve të planit zgjedhor, AAK dhe Nisma adresojnë çështje të shëndetit mendor vetëm në një paragraf — ndërtimi i një qendre të konsultimit për luftimin e varësisë. Hollësi tjera mungojnë, por si në rastin e PDK, centralizimi i shërbimeve të tilla sugjeron për qasje të kufizuar, që ka dëshmuar se nuk ndikon pozitivisht në shëndetin mendor. 

Çka mund të nxjerrim nga këto programe? 

Partitë politike premtojnë ndërhyrje që vazhdojnë avazin e internimit të pacientëve/eve, në vend të zgjidhjeve afatgjata e të qëndrueshme, që bazohen në komunitet. 

Po ashtu, praktika e premtimit të ndërtesave i ka kapluar të gjitha partitë. Kjo qasje, pa u përcjellë me politika konkrete e të zbatueshme ka gjasa të vogla për të sjellë ndryshim pozitiv për pacientët/et dhe gjasa të mëdha të mirëmbajë strukturat e tanishme të pasuksesshme në Kosovë. 

Biseda për shëndetin mendor është shtuar, por prapë po bëhet në premisa të gabuara — që bazohen në izolim, në vend të komunitetit, stigmatizim në vend të pranimit dhe burgosje në vend të lirisë. 

Imazhi i ballinës: K2.0.

 

Klauzolë: Autori i shkrimit është drejtor i Qendrës për Informim dhe Përmirësim Social dhe në këtë cilësi ka marrë pjesë në grupin punues për projekt-ligjin e ri për shëndetësi edhe në organizimin e peticionit të përmendur në artikull. Disa prej të dhënave, si raportin e Komisionit Parlamentar, i ka marrë në kuadër të këtij angazhimi.