Në thelb | Mjedis

Në mbrojtje të mjedisit në Ballkanin Perëndimor

Nga - 18.06.2025

Industria, shfrytëzimi i resurseve dhe ndërtimet në zona

të mbrojtura po rrezikojnë shëndetin dhe mjedisin në rajon.

Në Zenicë, qytet industrial në qendër të Bosnjës dhe Hercegovinës, për dekada banorët jetojnë me ajrin e rëndë, tymin e zi dhe heshtjen e institucioneve përballë ndotjes që vjen nga fabrika e çelikut.

Kjo fabrikë, e njohur më herët si “Željezara Zenica” u themelua në vitin 1892 gjatë Perandorisë Austro-hungareze, por transformimin e madh e përjetoi në periudhën e Jugosllavisë, pas Luftës së Dytë Botërore. Në vitet ‘50 dhe ’60, me ndihmën e ekspertëve sovjetikë, fabrika u zgjerua në mënyrë të jashtëzakonshme dhe u bë një prej komplekseve më të mëdha industriale në Ballkan. Në kulmin e saj, ajo punësonte mbi 20,000 punëtorë dhe prodhonte miliona tonë çelik në vit.

Fabrika përbëhej nga një kompleks i gjerë që përfshinte furrat e larta, repartet e lëndës djegëse të koksit dhe një linjë të tërë për prodhimin e lëndëve të para për ndërtim, industri të rëndë dhe eksport. Çeliku nga Zenica shkonte përtej kufijve të Jugosllavisë: në Afrikë, Lindjen e Mesme dhe Evropën Lindore. Qyteti u rrit paralelisht me fabrikën dhe Zenica u bë një “qytet i çelikut”, ku gjithçka, nga urbanizimi deri te ndërtimi i shkollave dhe spitaleve, ndërlidhej me industrinë e çelikut. Ndotja që lirohej nga ky zhvillim industrial ishte në nivele shqetësuese, por fokusi ishte te zhvillimi dhe nuk i jepte kush rëndësi ndotjes.

Kur nisi lufta në Bosnjë dhe Hercegovinë, në vitin 1992, fabrika pushoi së punuari.

Tek në vitin 2004, fabrika u privatizua nga grupi “LNM Mittal” me bazë në Holandë, i cili bleu 51% të aksioneve, ndërsa 41% mbeti në pronësi të kompanisë “Kuwait Consulting and Investment Co.” Sipas kontratës, “Mittal” obligohej të prodhonte të paktën dy milionë tonë çelik në vit, të punësonte rreth 4.500 punëtorë dhe të investonte në mbrojtjen e mjedisit, përfshirë ndërtimin e një impianti për trajtimin e ujërave dhe një fabrike për nënprodukte dhe pajisje për kontrollin e emetimeve, në përputhje me ligjet e BeH. Pas bashkimit të kompanive “Mittal” dhe “Arcelor” në vitin 2006, fabrika kaloi nën pronësinë e plotë të grupit të ri “ArcelorMittal”. Kjo kompani, me seli në Luksemburg, u bë prodhuesi më i madh i çelikut në botë. 

Pas përgatitjeve për funsionalizimin e fabrikës, fabrika e çelikut rinisi punën në vitin 2008 dhe që atëherë, ajri i ndotur e i rëndë u rikthye për qytetarët e Zenicës.

Teksa ajri i Zenicës po rëndohej sërish, një zë akademik dhe qytetar u ngrit kundër këtij biznesi të fuqishëm, i cili shpërfillte detyrimet për të prodhuar sipas standardeve mjedisore, duke u justifikuar me punësimin e qytetarëve –– një argument që mposhtte çdo kundërshtim. Ndërsa institucionet heshtnin, duke anuar nga interesat e biznesit, ambientalisti Samir Lemeš filloi aktivizmin sapo fabrika rifilloi punën dhe, në vitin 2008, e themeloi organizata Eko Forum Zenica.

Aktivizmit të tij kundër ndotjes iu bashkuan edhe aktivistë të tjerë që nisën protesta, fushata online, peticione e ngritën edhe padi e ankesa. 

“Ne prisnim standarde globale, dhe në vend të tyre, morëm ndotje, që zgjaste çdo ditë, çdo muaj, çdo vit”, thotë Lemeš, i cili, si shumë të tjerë, u zhgënjye nga procesi i privatizimit të fabrikës prej një kompanie që premtoi investime dhe përmirësime teknologjike. 

Rezistenca dhe presioni që Lemeš me aktivistët tjerë po bënin kishte sfidat e veta. Një numër i madh i qytetarëve të Zenicës, 2,200, po punonin në atë fabrikë. Kompania transmetonte te punëtorët se qëllimi i Lemeš dhe aktivistëve/eve tjerë/a ishte ta mbyllnin fabrikën. Por, sipas Lemeš, qëllimi ishte që të instaloheshin filterët e jo mbyllja. a

Samir Lemeš filloi aktivizmin sapo fabrika në Zenicë rifilloi punën dhe ajri i ndotur e i rëndë u rikthye për qytetarët e Zenicës. Fotografia: Konventa e EDI.

Eko Forum Zenica grumbulloi të dhëna rreth ndotjes që lirohej nga fabrika, organizoi kampanja ndërkombëtare, bashkëpunoi me ekspertë/e të Agjencisë Amerikane për Mbrojtjen e Mjedisit dhe sfidoi një sistem ku as institucionet e shëndetësisë publike nuk pranonin realitetin.

“Institucionet thjesht vepronin sikur problemi nuk ekzistonte, donin ta fshihnin, nuk e di pse, ndoshta ishin të korruptuar”, thotë Lemeš. Ata bënë hulumtime të shëndetit publik duke angazhuar ekspertë tjerë dhe kishin marrë rezultate që i prisnin, të këqija. Matjet nxorën në pah se Zenica ishte një nga qytetet më të ndotura në Evropë për grimca PM, që janë grimca pluhuri të vogla të përbëra nga grimca të ngurta tymi, pluhuri i blozës dhe acidit e metaleve të rënda. Vlerat e grimcave PM10 shpesh arrinin deri në 200-300 mikrogramë për metër kub (kufiri ditor i lejuar është 50 mikrogramë për metër kub), ndërsa kishte prani të lartë të benzeneve, arsenikut dhe metaleve të rënda. Ajri i ndotur në Zenicë ka shkaktuar rritje drastike të sëmundjeve të frymëmarrjes, sëmundjeve kardiovaskulare dhe rasteve të kancerit, duke ndikuar drejtpërdrejt në cilësinë e jetës dhe shëndetin publik të qytetarëve.

Pos ajrit, fabrika kontaminoi edhe tokën e Zenicës. Fotografia: cc/AAPRODUCTIONS.

Pavarësisht këtyre të dhënave, vetëm në vitin 2024, kompania nisi të marrë masa duke mbyllur njërën njësi të prodhimit, atë të koksit, që sipas Lemeš, ishte burimi kryesor i ndotjes së ajrit me substanca kancerogjene. Fabrika mbylli këtë njësi meqë, sipas tyre, investimet e mëtejshme nuk do të ishin ekonomikisht të qëndrueshme, pasi prodhimi nuk do të përmbushte standardet e larta mjedisore. 

“Vera e vitit 2024 ishte më e pastra në kujtesën e qytetit prej shumë vitesh”, thotë Lemeš. Por ai thotë se kjo nuk ishte fitore kundër industrisë, por kundër padrejtësisë, që zgjati jo pak. “Na u deshën 15 vjet”.

Por, pos ajrit, ndotja prej fabrikës kontaminoi edhe tokën e Zenicës. 

Në mars 2024, gazetarët e Qendrës për Gazetari Hulumtuese (CIN) morën mostra dheu nga 50 lokacione në Tetovë dhe Pehare, vendbanime në Zenicë, të cilat u analizuan nga Instituti Federal për Agropedologji i BeH. Të gjitha mostrat rezultuan të kontaminuara me metale të rënda, përfshirë arsenik, plumb, zink, kadmium, nikel dhe bakër, në përqendrime dy deri në tri herë më të larta se kufijtë ligjorë në BeH. Ekspertët e ndërlidhin ndotjen me grimcat e dëmshme që lirohen gjatë prodhimit në fabrikën dhe që përhapen përmes erës, bien në tokë dhe absorbohen nga bimët ushqimore. Konsumimi i tyre mund të shkaktojë pasoja serioze shëndetësore, madje edhe pas dekadash.

Banorët vazhdojnë ende sot të mbjellin fruta dhe perime në tokë të kontaminuar.

Instituti ka monitoruar ndotjen e tokës në këtë zonë që nga viti 2011. Në vitin 2015, pas pesë vjetësh matje të vazhdueshme, i dorëzoi raporte Komunës së Zenicës dhe Qeverisë së BeH, ku shpalli Tetovën, Peharen dhe Gradišćen si zona të rrezikshme për kultivim bimësh për konsum njerëzor e shtazor. Megjithatë, ndalimi nuk u zbatua kurrë, dhe banorët vazhdojnë ende sot të mbjellin fruta dhe perime në tokë të kontaminuar, të ekspozuar përditë ndaj rreziqeve shëndetësore.

E pos kësaj, Zenica përballet edhe me një rrezik tjetër, miliona tonë mbetje industriale të deponuara ilegalisht nga fabrika në kodrat përreth Zenicës dhe afrimi i vitit 2026, kur Mekanizmi për Rregullimin e Karbonit në Kufi (C-BAM) do të hyjë në fuqi, e që mund të ndikojë që fabrika të mos e vazhdojë operimin në BeH dhe t’i lërë pas mbetjet industriale.

C-BAM është një mekanizëm i BE-së që vendos një çmim për karbonin e emetuar gjatë prodhimit të mallrave me ndotje të lartë. Edhe pse Bosnja dhe Hercegovina nuk është pjesë e BE-së, mund të ndikohet nga ky rregull, sepse shumë nga mallrat që eksportohen në BE vijnë nga vende që nuk kanë taksë për karbonin, si BeH, Serbia apo Shqipëria.

Qëllimi i C-BAM është të parandalojë që kompanitë ta zhvendosin prodhimin në vende me standarde më të ulëta mjedisore dhe të nxisë prodhim më të pastër edhe jashtë BE-së. Prandaj, kompanitë që veprojnë në këto vende, si BeH, do të detyrohen të paguajnë për ndotjen që shkaktojnë kur prodhojnë mallra të cilat i eksportojnë në BE, edhe nëse vendi ku operojnë nuk ka një taksë të tillë.

“Nëse kompania largohet nesër, kush do të mbajë përgjegjësi për këtë katastrofë ekologjike?” pyet Lemeš. 

Kolonitë e “gjelbërta” të Evropës

Teksa shoqëria civile dhe qytetarët në Ballkanin Perëndimor kanë kundërshtuar në mënyrë të vazhdueshme projekte që dëmtojnë mjedisin, si ndërtimet në zona të mbrojtura, ndotja nga industria e rëndë dhe shfrytëzimi i resurseve natyrore të rralla, së fundmi përpjekjet e tyre janë drejtuar projekteve të mbështetura nga shtetet e BE.

Nga Vareshi dhe Ozreni në Bosnjë e Hercegovinë, te Lugina e Jadarit në Serbi dhe Mojkovci në Mal të Zi, kompani të huaja, shpesh të mbështetura nga shtete anëtare të BE-së, po ndjekin në mënyrë agresive koncesione për projekte minerare. 

Në njërën anë, BE ndjek agjendën e saj për dekarbonizim dhe kalimin drejt burimeve të ripërtëritshme të energjisë. Në anën tjetër, BE shpesh injoron shkeljet e standardeve mjedisore në Ballkan Perëndimor ku mbështetë projekte të cilat i shërbejnë për ta përmbushur agjendën e saj të gjelbërt. Në këtë kontekst, për të përmbushur kërkesat gjithnjë e më të larta të vendeve anëtare për minerale të rralla, si litiumi, të domosdoshme për prodhimin e paneleve solare dhe baterive, në vendet e Ballkanit Perëndimor kanë nisur dhjetëra projekte minerare. 

Një analizë e publikuar në mars 2025, “Minierat në Ballkanit Perëndimor: Ngritja e transaksionalizmit të rrezikshëm” me autor Vedran Džihić, politolog dhe ligjërues me bazë në Vjenë, ngre një alarm të rëndësishëm rreth kostove mjedisore dhe politike të përpjekjeve të BE për të siguruar lëndë të para kritike nga Ballkani Perëndimor.

Ky raport u publikua gjatë Konventës së Nismës për Demokraci të Angazhuar (EDI), organizuar nga Fondi Evropian për Ballkanin (EBF), iniciativë e disa fondacioneve evropiane për fuqizimin e demokracisë në Ballkan. Konventa, që mblodhi dhjetra aktivistë nga rajoni, u mbajt në maj 2025 për tri ditë në Shkup, Maqedoni e Veriut, në një ambient bohem të një ish-magazinë dhe fabrike të braktisur. Kjo hapësirë, tash e quajtur “Laboratorium”, e konceptuar si një vend për krijimin e ideve të reja dhe për transformimin e hapësirave të harruara në diçka të vlefshme, i shërbeu po aq mirë edhe kësaj konvente.

Raporti i Vedran Džihić paralajmëron për një BE gjithnjë e më të gatshëm të bëjë kompromis me autokratët rajonalë në këmbim të qasjes në burimet natyrore, duke sakrifikuar demokracinë dhe drejtësinë mjedisore. Fotografia: Konventa e EDI.

Raporti përshkruan zgjerimin e vazhdueshëm të projekteve minerare në rajon, duke ngritur shqetësime serioze rreth mënyrës se si ambiciet e BE për energjinë e gjelbër po bien ndesh me parimet demokratike, drejtësinë mjedisore dhe të drejtat e qytetarëve. Ndërsa vendet e Ballkanit Perëndimor po kthehen në pika strategjike për eksplorimin e litiumit, bakrit dhe mineraleve të tjera kritike, raporti argumenton se modeli i zgjerimit të bazuar në vlera të BE-së po zëvendësohet gjithnjë e më shumë me një qasje të re transaksionale, të mbështetur në interesa afatshkurtra dhe marrëveshje të fshehta.

Raporti paralajmëron për një BE gjithnjë e më të gatshëm të bëjë kompromis me autokratët rajonalë në këmbim të qasjes në burimet natyrore, duke sakrifikuar demokracinë dhe drejtësinë mjedisore.

Vares

Nga Vareshi dhe Ozreni në Bosnjë e Hercegovinë, te Lugina e Jadarit në Serbi dhe Mojkovci në Mal të Zi, kompani të huaja, shpesh të mbështetura nga shtete anëtare të BE-së, po ndjekin në mënyrë agresive koncesione për projekte minerare. Fotografia: WikiCommons.

Azra Berbić, menaxhere programi në Fondacionin Atelier for Community Transformation (ACT), çdo ditë lufton për mbrojtjen e mjedisit në Bosnjë e Hercegovinë përmes aktivizmit, ndërgjegjësimit dhe angazhimit për ndikim në politikat publike.

“Veçanërisht tani jemi fokusuar te [projektet] e nxjerrjes së mineraleve të rralla, që është bërë një temë e nxehtë, ne po shohim rritje të interesit të kompanive të huaja për të eksploruar dhe shfrytëzuar çdo cep të Ballkanit”, thotë Berbić. Në qytetin e Vareshit në Bosnjë e Hercegovinë, ku po bëhet nxjerrja e disa mineraleve të rralla si argjendi, zinku e plumbi, ajo thotë se tashmë po ndihen efektet e këtyre aktiviteteve. 

“Populli ka frikë të përdorë ujin nga rrjeti publik për shkak të afërsisë me zonën e koncesionit ku kompania po kryen gërmime. Nuk ka prova të drejtpërdrejta, por frika është e përhapur”, thotë ajo.

Kompanitë, sipas saj, përdorin narrativën e zhvillimit ekonomik dhe përparimit përmes shfrytëzimit të atyre mineraleve, por në praktikë lënë pas vetëm dëme, me të cilat komuniteti do të përballet gjithë jetën. Kur përmendet qëndrimi i përfaqësuesve politikë të Bosnjës e Hercegovinës, Berbić flet pa iluzione.

“Politikanët pretendojnë se janë në anën e qytetarëve, por është e qartë që ka lidhje të forta mes interesave të tyre dhe të kompanive minerare”, thotë ajo. Sipas saj, politikanët dhe institucionet lehtësojnë çdo procedurë ligjore për këto kompani dhe në fund të procesit kurrë nuk ka mjaftueshëm transparencë. 

Azra Berbić thotë se në qytetin e Vareshit në Bosnjë e Hercegovinë, ku po bëhet nxjerrja e disa mineraleve të rralla si argjendi, zinku e plumbi, tashmë po ndihen efektet e këtyre aktiviteteve. Fotografia: Konventa e EDI.

Ndërsa qeveritë dhe kompanitë i paraqesin këto projekte si katalizatorë të zhvillimit ekonomik dhe të integrimit rajonal, Džihić thekson se hendeku mes premtimeve të autoriteteve dhe kompanive dhe realitetit në terren është i dukshëm.

Raporti i Džihić identifikon se projektet minerare kanë shkaktuar reagime të forta publike për shkak të ndikimeve të tyre shkatërruese në mjedis: ndotje të ujit dhe ajrit, degradim të tokës dhe humbje të biodiversitetit. Asnjë rast nuk e ilustron më qartë këtë përplasje sesa projekti i kompanisë Rio Tinto për nxjerrjen e litiumit në Serbi. Rio Tinto është një nga kompanitë më të mëdha globale të industrisë minerare, e cila ka qenë shpesh në qendër të kritikave për projektet e saj dhe ndikimin mjedisor. 

Projekti i minierës së litiumit në Luginën e Jadarit në Serbi, i propozuar nga Rio Tinto, ka qenë një nga çështjet më të debatuara në Ballkan vitet e fundit. Në vitin 2004, në Luginën e Jadarit u zbulua prania e mineralit jadarit, që përmban litium dhe bor. Vite më vonë, në vitin 2017, Rio Tinto nënshkroi një memorandum mirëkuptimi me qeverinë serbe, dhe planifikoi ndërtimin e një prej minierave më të mëdha të litiumit në Evropë — i njohur si “Projekti i Jadarit”. Megjithatë, në vitet 2021 dhe 2022, projekti u përball me protesta masive nga qytetarët dhe organizatat mjedisore, të cilët shprehën shqetësime për ndikimin e mundshëm negativ në mjedis dhe shëndetin publik. Si rezultat i presionit publik, qeveria serbe anuloi të gjitha lejet e Rio Tinto në janar 2022.

Megjithatë, në korrik 2024, Gjykata Kushtetuese e Serbisë anuloi vendimin e mëparshëm të qeverisë, duke rikthyer lejet për projektin e minierës. Kjo shkaktoi një valë të re protestash në të gjithë vendin, me mijëra qytetarë që dolën në rrugë për të kundërshtuar projektin. Protestuesit argumentuan se miniera do të shkaktonte dëme të pakthyeshme në mjedis dhe do të cenonte jetesën e komuniteteve lokale.

Pavarësisht kundërshtimeve të vazhdueshme, qeveria serbe ka vazhduar të mbështesë projektin, duke e konsideruar atë si një mundësi për zhvillim ekonomik dhe integrim më të ngushtë me BE. Në korrik 2024, Serbia nënshkroi një marrëveshje me BE-në për furnizimin me lëndë të para kritike, duke përfshirë litiumin nga miniera e Jadarit.

Džihić e vendos këtë kthesë në një kuadër më të gjerë të marrëdhënieve mes BE dhe Serbisë.

“Në verën e vitit 2024, nisi një kapitull i ri në marrëdhëniet e BE-së me Serbinë, kapitulli i transaksionalizmit pragmatik, oportunist dhe pa vlera”, thotë ai në raportin e tij. Aty ai po ashtu kritikon faktin që BE-ja është gati të injorojë regresin demokratik në Serbi, shtypjen e mediave dhe lidhjet me Rusinë e Kinën, për të siguruar qasje në burimet natyrore strategjike.

Sipas Džihić, dështimet në qeverisje, të kombinuara me kapjen e shtetit dhe korrupsionin, rrezikojnë ta shndërrojnë rajonin në atë që disa kritikë e kanë quajtur “koloni minerare e ardhshme e Evropës”.

Džihić bën paralele edhe me situatën në Bosnjë e Hercegovinë, ku projektet minerare ndërkombëtare janë avancuar pa konsultim të mirëfilltë me qytetarët.

“Qeveritë rajonale zakonisht i zhvillojnë projektet e mëdha pa ndonjë konsultim domethënës, dhe i mbajnë planet dhe aspektet financiare të tyre të fshehta”, shkruan ai, duke shtuar se këto dështime në qeverisje, të kombinuara me kapjen e shtetit dhe korrupsionin, rrezikojnë ta shndërrojnë rajonin në atë që disa kritikë e kanë quajtur “koloni minerare e ardhshme e Evropës”.

Për Berbić ndërkaq, situata në Ballkan nuk është e veçuar, por pjesë e një modeli më të gjerë global shfrytëzimi.

“Kjo është politikë neokolonialiste e pastër që po zbatohet në Ballkan,” thotë ajo. “Kur sheh çfarë ndodh në Afrikë, me njerëz që vriten sepse kërkojnë të mbrojnë burimet e tyre natyrore, nuk është aspak e ekzagjeruar të thuash se gjithçka është e mundur… edhe këtu”, tha Berbić e cila thotë që në fund të fundit nuk është luftë për një mal apo lumë, por për të ardhmen tonë kolektive.

Një aeroport mes zonës së mbrojtur në Vlorë

Ndërsa projektet minerare kanë ndërtuar një front të ri lufte për aktivistët e mjedisit në Ballkan, të tjerët, si aktivistët në Shqipëri, po vazhdojnë të luftojnë kundër projekteve kapitale që po ndërtohen në zona të mbrojtura të biodiversitetit.

Qendra për Ruajtjen dhe Mbrojtjen e Mjedisit Natyror në Shqipëri, PPNEA, ka udhëhequr një fushatë kundër ndërtimit të Aeroportit Ndërkombëtar të Vlorës, i cili po ndërtohet brenda zonës së mbrojtur të peizazhit Vjosë-Nartë. Kjo zonë është një nga ekosistemet më të rëndësishme të Shqipërisë, e njohur për biodiversitetin e saj të pasur dhe si një pikë kyçe për shpendët shtegtarë.

Ideja për ndërtimin e një aeroporti në Vlorë u prezantua për herë të parë në vitin 2017. Në janar 2018, kryeministri, Edi Rama, njoftoi se kishte marrë një kërkesë zyrtare nga një konsorcium i tri kompanive turke për ndërtimin e aeroportit dhe se ndërtimi do të niste brenda qershorit të atij viti, megjithëse ende nuk ishte publikuar studimi i fizibilitetit i nisur në vitin 2017 dhe nuk ishte shpallur ndonjë procedurë tenderimi. 

Konsorciumi turk u tërhoq në prill 2019 pa shumë shpjegime. Pas kësaj, u hap një garë tjetër ndërkombëtare, e cila u fitua nga një konsorcium i përbërë nga “Mabetex Group” (50%), “YDA Group” (48%) dhe “2A Group Shpk” (2%). Kontrata u nënshkrua më 20 prill 2021, dhe ndërtimi zyrtarisht filloi më 28 nëntor 2021.

Së fundi, përgjatë fushatës zgjedhore në maj të këtij viti në Shqipëri, u zhvillua një fluturim testues për të përuruar në një formë ekzistencën e këtij aeroporti. Më 8 maj 2025, kur ndodhi ky fluturim, Sara Skrapalliu, e angazhuar si asistente komunikimi në PPNEA, tregoi se si vrojtuesit e organizatës kanë regjistruar se si zogjtë që atë zonë e kanë si shtëpi fluturuan si të përhumbur dhe u çakorduan. Laguna e Nartës është një habitat i rëndësishëm për shpendët shtegtarë, dhe fluturimi testues ka shkaktuar shqetësim te kolonitë e flamingove, të cilat folezuan për herë të parë këtë qershor

“Një tufë flamingosh atë ditë kanë qenë në afërsi të aeroportit. Teksa po afrohej aeroplani ata kanë reaguar komplet të çrregulluar anipse gjithmonë fluturojnë në tufë”, thotë Skrapalliu. PPNEA paralajmëron se operimi i përditshëm i aeroportit do të ketë pasoja të pakthyeshme për jetën e egër në zonë.

Projekti i aeroportit është kritikuar edhe nga institucione ndërkombëtare. Komiteti i Përhershëm i Konventës së Bernës ka kërkuar ndalimin e ndërtimit të aeroportit, duke theksuar se ndërtimi shkel marrëveshjet ndërkombëtare dhe rrezikon biodiversitetin e zonës. Komiteti i Përhershëm është organi drejtues dhe vendimmarrës më i lartë i Konventës së Bernës, një marrëveshje ndërkombëtare e miratuar në vitin 1979 në Zvicër dhe në fuqi që nga viti 1982, e cila synon mbrojtjen e natyrës dhe biodiversitetit në Evropë. Shqipëria ratifikoi këtë marrëveshje në vitin 1999.

Në projektin e aeroportit të Vlorës kanë qenë të angazhuar me konsulencë teknike kompania gjermane Flughafen München GmbH (FMG), përmes degës së saj Munich Airport International (MAI). Ajo nuk ishte ndërtuese apo investitore direkte, por kishte një marrëveshje bashkëpunimi me konsorciumin që ndërton aeroportin për të ofruar ekspertizë në dizajn, funksionim dhe menaxhim aeroportual, bazuar në përvojën e saj shumë-vjeçare me Aeroportin e Mynihut.

Por, në prill të viti 2025 gjermanët lajmëruan tërheqjen e tyre nga projekti. Arsyeja ishte ndikimi negativ në mjedis. Vendimi u mor nga Komiteti Ekonomik i Këshillit Bashkiak të Mynihut, pas presionit të vazhdueshëm nga organizatat mjedisore si EuroNatur dhe BUND Naturschutz, të cilat ngritën shqetësime për ndikimin negativ të projektit në lagunën e Nartës.

Por, as kjo nuk e ka ndaluar Qeverinë e Shqipërisë që të organizojë fluturimin e parë testues. Për më tepër, fluturimi testues në Vlorë u bë me aeroplanin privat të Behgjet Pacollit, presidentit të kompanisë ndërtuese “Mabetex”, ish-president i Kosovës dhe figurë publike.

PPNEA ka ndërmarrë veprime ligjore për të ndaluar ndërtimin e aeroportit, duke paraqitur padi në gjykatat shqiptare. Megjithatë, sipas Skrapalliut, proceset gjyqësore janë përballur me vonesa.

“Ne po presim që të paktën sistemi gjyqësor të jep fjalën e tij ashtu siç i takon, ngaqë kjo shkelje është e qartë”, thotë Skarpalliu.

Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihen flamingot që largohen nga zona për shkak të zhurmës së avionëve, një dëshmi e drejtpërdrejtë e ndikimit negativ të projektit.

Projekti i aeroportit të Vlorës është trumbetuar si një prej zhvillimeve më të rëndësishme në shtetin shqiptar. Rritja e madhe e aeroportit të Tiranës për shkak të shtimit të linjave me shpenzime të pakta (low-cost) i dha një argument qeverisë shqiptare për aeroporte të reja. Një i tillë ishte ndërtuar edhe në Kukës, por që tashmë është i mbyllur dhe i dështuar.

Në përpjekje për të rritur ndërgjegjësimin publik, PPNEA ka organizuar protesta dhe ka shpërndarë materiale vizuale që tregojnë ndikimin e ndërtimit të aeroportit në mjedisin përreth. Në një video të publikuar në rrjetet sociale, shihen flamingot që largohen nga zona për shkak të zhurmës së avionëve, një dëshmi e drejtpërdrejtë e ndikimit negativ të projektit.

Përgjatë Ballkanit Perëndimor, po zhvillohen projekte të mëdha kapitale, ndërkohë që rriten edhe shqetësimet e komuniteteve lokale për dëmtimin e mjedisit dhe mungesën e llogaridhënies. Midis ndotjes së ajrit nga industria e rëndë, dëmtimit të mjedisit nga projektet minerare të justifikuara me tranzicionin e gjelbër, dhe ndërtimeve në zona të mbrojtura, përplasja mes interesave ekonomikë dhe mbrojtjes së mjedisit po bëhet gjithnjë e më e dukshme dhe e vështirë për t’u injoruar.



Imazhi i ballinës: cc/AAPRODUCTIONS.

Dëshironi të mbështetni gazetarinë tonë? Anëtarësohuni në “HIVE” ose konsideroni një donacion. Mëso si këtu.